2017/03/21

Letër për Batonin


Letër për Batonin

Nga Nikoll Lesi.

Baton Haxhiu është një djalë kosovar që ka marrë nënshtetsi shqiptare. Analist, gazetar dhe drejtues i një media në Kosovë. Realisht njihet si njeri që këshillon Edi Ramën. Së fundmi edhe në Prishtinë i organizoi pritjen, darkën dhe shumë mirë bëri pasi miqtë, edhe në kohë të vështira politike duhen ndihmuar e respektuar. Në këtë pikë Batoni mbetet korrekt si njeri.

Nuk kam asnjë ankesë për Batonin, përkundrazi e shoh me respekt historinë e tij.

Por në një shkrim të botuar sot në disa web-e dhe gazeta me titull “Demokracia e çadrave”, shkrim që nga një web në tjetrin merrte tituj të ndryshëm sipas preferencave të botuesit apo linjave editoriale momentale, Batoni nxit Edi Ramën që të largojë Ilir Metën nga koalicioni dhe të qeverisë pa Ilir Metën (LSI). Bile një togfjalësh helmues si “Iliri «është helmi i socialistëve dhe melhemi i demokratëve ndërkohë që nën kupolë nuk ndodh asgjë», na thotë një diplomat i invovuar në kritë. Me të drejtë, së paku nuk ndodhë asgjë pozitive”-citon Batoni duke futur heshtën brinjë me brinjë, por dihet se më i majtë se Ilir Meta nuk është Edi Rama. Mirë apo keq, Ilir Meta ka dalë nga e majta, punon për të majtën, bile paksa të majtën tradicionale dhe mbetet te e majta si në gen ashtu dhe në përspektivën e afërt. Edi Rama, ndonëse është kryetar i PS-së dhe kryeministër i së majtës, ai nuk ka asnjë lidhje shpirtërore me të majtën socialiste. Aspak. Rama si kryeministër ka bërë disa reforma drastike, të pranueshme, siç edhe ka bërë sallatë shumë të tjera. Ai është Rilindas, siç e thotë mjaft bukur lideri i LIBRA, Ben Blushi. Dhe për më tej Edi Rama ka marrë selinë rozë me një grup rilindasish, që pasi e shpartalloi PS-në, duke larguar ikonat socialiste si filozofin e së majtës Ben Blushi dhe “karlmaksin e PS-së”, Koço Kokëdhimën; tani Edi Rama ka mbetur shah-mat. Edi Rama në thelb mbetet njeri punëtor, pasionant, arrogant. Si me magji janë ndërthurur te ai e majta ekstreme me te djathtën sakatuese. Por ky është ai. Nuk e ndryshojmë dot. Ai ka nevojë për një barazpeshë brenda qeverisë, ndryshe është i pallogaritshëm në vendime e veprime.

E kam thënë në krye të herës, sapo filloi protesta e opozitës në çadër, se Edi Rama ka rastin që nga kryetar i PS-së të kthehej në një Burrë Shteti. Pra as më pak e as me shumë: Të jepte dorëheqjen nga kryeministër në emër të ruajtjes së shtetit dhe bashkë me Ilir Metën hyn në zgjedhje dhe i fiton. Zgjedhje pa opozitën, Baton i nderuar, nuk mund të ketë dhe as do ketë. Këtë e di mjaft mirë ti. E provoi Sali Berisha në maj 1996 dhe shkaktoi luftën civile, sepse iu bashkëngjit edhe rënia e piramidave. Por kryesisht fillimi i rënies së shtetit dhe Berishës ishte se nuk pranoi zgjedhjet me opozitën dhe më pas nuk pranoi të sakrifikonte qeverinë në emër të një marrëveshje të madhe politikë gjithëkombëtare.

Vitin 1996 dhe 1997 e njoh shumë mirë, i nderuar Baton. Siç e njeh edhe Edi Rama që u rrah dhe u godit me 23 janar 1997 nga forcat e SHIK-ut, e njeh edhe Ben Blushi se ishte kryeredaktor i gazetës “Koha Jone” ( një nga kryeredaktorët me të mirë të historisë së gazetës), e njeh dhe Ilir Meta ish-nënkryetar i PS-së, i cili bashkë me Pandeli Majkon ishin ikona e rinisë së PS-së dhe e së ardhmes së socialistëve.

Ndonjë sugjerim për shkrimin tuaj të sotëm, Baton, edhe mund ta bëjmë. Apo nuk lejohet?

E para ky shkrim është i vonuar në kohë. Mund të bëhej dy vite më parë, kur Edi Rama ishte i blinduar, kur edhe mund ta largonte LSI-në, ndonëse nuk dihej përfundimi i sherrit. Tani është shumë vonë. Edi Rama nuk është në ditët e tija më të mira apo kaq i fortë sa “të qeverisë pa Metën”, siç ia sugjeroni. Nuk ka asnjë shans Rama. Edhe këtu është shah-mat, siç mbetet në raport me opozitën e cila nuk futet në zgjedhje me Edi Ramën kryeministër. Sugjerimi juaj, si me magji, u mor nga kampi i opozitës sot dhe u bë kryelajm shkrimi jot. Pra opozita realisht mezi e pret që Edi Rama të largojë Metën sepse e di përfundimin, ashtu sikurse nxit Ilir Metën të ikë nga Rama dhe t’ia braktisë anijen e pushtetit, duke e lenë në mes të detit 10- ballësh, Edi Ramën.

Nuk është koha për braktisje koalicionesh, sidomos në këto muaj, kur anija është shpuar gjithëandej, kudo. Nuk mbahet “uji i oqeanit” duke vendosur dorën iks ministër mbi vrimat ku fut ujë anija qeveritare, aq me tepër që opozita po i prish direkun me mos futjen e saj në zgjedhje.

Natyrisht që precedenti i tanishëm i çadrës krijon precedentë edhe pas katër vitëve dhe kështu në vijim, por Rama-Meta mund të ngrihen mbi interesat politike përkatëse, mbi pushtetin dhe të ruajnë shtetin nga destabiliteti. Vendosin, bashkërisht, që të hyjnë në zgjedhje si koalicion dhe paralel me këtë vendim krijojnë qeverinë teknike me opozitën, por me një kusht: Dorë për dorë qeveria teknike me votimin e PD-së në Parlament të Vettingut.

Nuk ka zgjidhje tjetër, Baton.

Rama dhe Meta janë të dënuar të futen sëbashku në këtë zgjidhje për zgjedhje. Ndryshe nëse Edi Rama merr aventurën e largimit të LSI, siç ia sugjeroni, e keni çuar Edi Ramën “për lesh, në presh”! Si dikur Tritan Shehun e PD-së, në Lushnjë.

Miqësisht

Nikoll Lesi



&

Ja shkrimi i Baton Haxhiut:


Nga Baton Haxhiu.

Në Shqipëri, sulmi i të shëmtuarës është bërë i padurueshëm. Politikanët dhe politika brenda botës së tyre, jo vetem që nuk përpiqen të jenë të këndshëm kur janë në mesin e tyre, por politikanet as që përpiqen më të shmangin dukjen e shëmtuar. Janë bërë imun me të. U duket pjesë e natyrshme e tyre – shëmtia.

Katër vite më parë pata shkruar një shkrim për “koalicionin antihistorik”.

Sot kur po shkruaj, kujtoj shkrimin tim për mundësinë e koalicionit PS – LSI dhe shoh se kam pasur plotësisht të drejtë. Ngase teza del e padeklasueshme edhe sot: Koalicioni PS-LSI, nëse bëhet është antihistorik. I padobishëm, jovizionar. Medje tepër i rrezikshem. Ështe diçka si moçal – që nëse derdhet baltos gjithçka dhe gropos nën vete çdo shpresë.

E di që kjo nuk do të ndodhë, por ky koalicion si i bërë mbetet antihistorik.

Le të shpjegohemi më konkretisht.

PS ka nisur t’i dorëzohet çadrës. PD s’ka shanse në zgjedhje, prandaj beson se nëpërmjet bojkotit, kaosit të nis rrugën e regjenerimit të saj. Ilir Meta për të shpëtuar botën e tij që shtrihen në mbarë hartën etnike në Ballkan është në gjendje të bëhet bërthama e krizës.

Do të shpëtojë Shqipëria kësaj radhe nga përmbysja që ia bëjmë vetë ne, për t’u kthyer në zeron e saj aq kronike, apo do t’ia dal të kapërcejë veten?

Gjithë kjo varet vetem nga Edi Rama?

Pse e themi këtë? Sepse gjithë kjo ka një histori – dhe kjo histori ka ngjashmëri në formë, por jo në përmbajtje. Si është hsitoria e përsëritshme me pak fjalë dhe çka del nga kjo histori?!

Kështu, njëjtë nisi dikur Edi Rama grevën e urisë. Nën çadër. Sali Berisha atëbotë nuk përfillte kushtet. Dhe kishte fituar zgjedhjet.

Çadra e kësaj radhe e ka një “përparësi”: ajo ia doli t’i fusë ankthin Edi Ramës, i cili tashmë ia ka nisur të prodhojë veprime irracionale duke u bërë pré e logjikës aktuale të Sali Berishës. Mendësi që për bosht ka vetëbesimin se duke pranuar e ushtruar vetëvrasjen, në udhë e sipër, me vete do ta marrë në ferr edhe kundërshtarin politik.

Prognoza është e qartë: nëse Edi Rama lejon e vazhdon të prodhojë politikë sipas diktatit të çadrës, lidershipi i tij numëron ditët e fundit. Largimi i ministrave e sidomos Saimir Tahirit pas një qenie kaq të shkurtër në një resort aq delikat është dështim kapital i qeverisjes.

Ai ka gabime, për të cilat jo pakë homologë të tij lartë poshtë globit kanë dhënë dorëheqje, por jo ata kolegë që tentojnë të bëjnë diçka në një shoqëri si kjo shqiptarja, e cila në 25 vitet e fundit ka funksionuar ekskluzivisht mbi premisa kriminale.

Shoqëria shqiptare është e korruptuar në çdo sferë e cep të saj. Ka ndërtuar diskurs pozitiv për të fortin. Mitin për drogmenët dhe biznismenët e paprekur. Rrugën e politikës si përfitim të vetem në shoqëri dhe gjuhën që lavdëron të palavdërueshmen.

Aq më keq që ka ndërtuar edhe njeriun e keq të riciklueshëm, që bëhet hero sepse na del para vetes një keqe më e vogël, për të shpëtuar nga e keqja më e madhe.

Për një decenjë e më shumë ka qenë një fshat kanabisi që ka pushtuar Shqipërinë me lekë. Dhe na dilka koka e turkut për të gjitha të bëmat në shoqërinë shqiptare. Emri, Saimir Tahiri.

Prandaj me aq lehtësi ta akuzosh si të dështuar një ministër se pse nuk e zhbëri atë sistem për 3 vjet nuk është pragmatizëm, por dështim përballë një “çadre” në të cilën rrinë ulur përgjegjësit e instalimit të atij sistemi të korruptuar afro tridekadësh.

Këto janë faktet që jo se i mblodhëm diku, porse i ka përjetuar çdo i gjallë dhe jo i kapur nga i njëjti sistem.

Këtu qëndron edhe dallimi esencial i çadrës 1 nga çadra 2.

Respekti i Ramës karshi përmbajtjes së çadrës, për të drejtën e protestimit është për t’u pasur zili. Por nuk duhet hequr nga vëmendja se organizatorët e çadrës nuk janë shoqëria civile që kërkon drejtësi, por ata që sabotojnë reformat për drejtësi; ata që kanë frikë të vihet ligjësia se i penalizon për shumëçka. Përndryshe ku është logjika e refuzimit brutal të kësaj reforme që iniciohet e mbështetet nga perëndimorët?

Shumica e analistëve që pertojnë të analizojnë dhe jo të varur nga interesat personale me njërin bllok apo tjetrin e dinë se PD – sipas trendëve aktuale – nuk do hyjë në zgjedhje. S’ka potencial as për shpresë e as për besim për ndonjë mrekulli.

Sipas sjelljeve, deklaratave dhe përmasave të subversionit ndaj procedimit institucional të kundërshtive shihet se zgjedhjet as që janë synimi. PD e din sa e ka kapacitetin, prandaj ka zgjedhur metodën e futjes së vendit në një krizë konstante.

Këtë pritet që ta shtrijë në mbarë vendin, duke shpërqendruar “protestën” nëpër qytete të ndryshme të Shqipërisë. Me këtë shpërndarje ajo ka për qëllim krijimin e sa më shumë zonave të paqeverisshme nga pushteti aktual. Me mos-shkuarjen në zgjedhje do ta sabotonte demokracinë, ngase do të rrëzonte pjesëmarrjen elektorale nën 30%, pra mbi 20% më pak se ç’është zakonisht. Kushdo që t’i fitonte zgjedhjet e ardhshme nuk do qeveriste dot më shumë se 1-2 vite, ngase përfaqësimi nuk disponon me legjitimitetin e nevojshëm për t’u quajtur qeveri demokratike.

Më problematikja në këtë rrugë dydimensionale të Sali Berishës dhe Lulëzim Bashës është se ata nuk kanë epilog konstruktiv për vendin, ngase të gjitha shenjat janë të natyrës përmbysëse, kaosit pas të cilit nuk dihet se do të përmbytet Shqipëria nga njerëzit dhe situatat e pakontrollueshëm, që vijnë nga qielli apo nga rreth e përqark, apo edhe kësaj radhe do te shpëtonte rastësisht.

Lojën PD e bën më shumë në sajë të taktikës lozonjare të Ilir Metës. Ajo vetë nuk e kushtëzon dot qeverinë Rama me asgjë. Ky – dihet tashmë botërisht – mbështet protestën natën për ta shfuqizuar dhe instrumentalizuar qeverinë ditën.

Iliri «është helmi i socialistëve dhe melhemi i demokratëve ndërkohë që nën kupolë nuk ndodh asgjë», na thotë një diplomat i invovuar në kritë. Me të drejtë, së paku nuk ndodhë asgjë pozitive.

Sa më shumë të zgjasë protesta aq më tepër vë kushte Meta për të përfituar maksimumin për katër vitet që vijnë. As naivi më i skajshëm nuk beson se Ilir Meta i bashkohet sërish PD-së, ngase as të dyja, PD dhe LSI nuk i mundin tjerët.

Kjo përveç faktit se Ilir Meta është po aq hipotekë sa vetë Berisha për figurën të pakarizmë te Lulëzim Bashës.

Të parin e ka armik të përbetuar se nuk përkojnë në ideologji e mendësi e të dytin se e trajton si trashëgimtar, garanci për t’i ikur drejtësisë.

PS duhet të kërkoj modele tjera qeverisjeje. Pa LSI-në. Jo kështu pas çjerrjes së maskave që për interesa të vogla klanesh vihet sërish në pikëpyetje ardhmëria e vendit sidomos në relacion me BE ngase ndërpriten për shumë vite negociatat. Edi Rama ia bën varrin vetes nëse tenton të përmbush kërkesat e Ilir Metës ngase;

Aleanca me LSI, kur kemi parasysh dëmin që i shkaktohet vendit nga ky lloj koalicioni është më se i padobishëm.

Prioriteti i PS-së është Reforma në Drejtësi, ndërkaq partia e Ilir Metës saboton pikërisht këtë prioritet ngase ka komplet qëndrime tjera rreth këtij kushti të rëndësishëm që vendi të shpëtojë nga hallkat e krimit të instaluara për 25 vjet.

LSI nuk është përfaqësuese e barazisë sociale, zhvillimit ekonomik me shtrirje sa më të gjerë demokratike, që do të thotë se ka humbur statusin e një të afërmeje brenda parimeve socialdemokrate. PS duhet të kërkojë koalicione tjera.

Zhvillimet politike siç orkestrohen nga tri kundërshtarët PS-PD-LSI çojnë kushtimisht drejt një krize që llogaritet të zgjasë dy tri vjet.

Kjo do të thotë: humbja e çdo mundësie për të vazhduar negociatat me BE-në, ekonomia do të pësojë rënie edhe më të thella; investitorët do ikin; shumica e njerëzve të mbetur do iknin nga vendi, ngase humbin çdo arsye për të shpresuar diçka aty.

Se çka do ndodhtë pas kësaj krize nuk mund ta thotë askush me siguri.

Do të lind një Republikë e Re? Nëse po atëherë pas fshirjes totale të lojtarëve të sotëm të politikës.

Po kush do t’i zëvendësonte ata?

Thyerja e kontinuitetit gjatë transferimit të politikës nga gjenerata në gjeneratë si duket është problemi më i madh i mendësisë shqiptare, ngase para se të ikin të vjetrit i zhdukin të rinjtë, ua mbyllin gjitha portat drejt një të ardhmeje integruese.

Baton Haxhiu

No comments:

Post a Comment

Elon Musk bën thirrje që "Radio Evropa e Lirë" dhe "Zëri i Amerikës" të mbyllen

                                                    Nga Flori Bruqi Biliarderi afrikano-amerikan  Elon Musk  Tesla bën thirrje që "Rad...