Nga Mero Baze
Ka pasur shumë arsyetime të Partisë Demokratike dhe Bujar Nishanit për mos hapjen e dosjeve. Më kryesorja ka qenë se hapja e dosjeve viktimizon ata që kanë qenë të shtrënguar të bashkëpunonin me Sigurimin e Shtetit dhe falte xhelatët, ata që i kanë rekrutuar, dhe që sot mund të jenë ende në pushtet apo me një status të nderuar publik.
Nuk është se nuk kanë të drejtë. Ligji i dosjeve e ka të nevojshëm deri në fund lustracionin, që ka të bëjë dhe me një filtër të shoqërisë për ata që kanë qenë në zemër të atij sistemi. Biles për këtë shkak, Bujar Nishani nuk e firmosi ligjin, por e la të miratohej në heshtje.
Më parë, ish- presidenti Topi e pat kthyer ligjin e mëparshëm të PD, pasi binte ndesh me Kushtetutën, duke arsyetuar që me një ligj të thjeshtë, nuk mund të kufizonte të drejtat kushtetuese të disa individëve.
Por nuk zgjati shumë dhe Bujar Nishani u përball me dikë që e urren, dhe gënjeshtrën e tij.
Ai është një ish- poet disident i diktaturës, dënuar veçanërisht për poezi dhe agjitacion e propagandë, jo nga ata që kanë vrarë policë apo kanë bërë dhe krime të tjera ordinere, dhe për t’ua shtuar dënimin, i bënte diktatura dhe disidentë apo bejtexhi.
Visar Zhiti është një poet i mirëfilltë disident, që është dënuar për shkak të të qenit poet disident.
Bujar Nishani u bë persekutori i tij i ri dy vjet më parë, duke refuzuar ta dekretojë si ambasador në Vatikan, edhe pse kishte mbështetje të Vatikanit, të qeverisë shqiptare, dhe dëshirën e vet për të shkuar aty, duke i bërë nder vendit të punës.
Por çudia ishte se për atë që PD dhe Bujar Nishani akuzojnë të majtët, që kanë bërë një ligj modern për dosjet, pra ata që akuzojnë “bijtë e baballarëve”, se po terrorizojnë ish- bashkëpunëtorë të Sigurimit me dosjet, në fakt i vetmi që e ka bërë deri tani, është Bujar Nishani. Biles dhe më keq se kaq.
Ai ka shpikur një dosje që nuk ekziston. Ekziston një kartelë e Sigurimit të Shtetit për Visar Zhitin, ku thuhet qartë se ai ka refuzuar të bashkëpunojë me Sigurimin.
Presidenti i Republikës, jo vetëm që na ka paraqitur një fakt të gënjeshtërt, por ka dashur të poshtërojë me këtë shpikje të tij, një poet disident të komunizmit, një viktimë të dikaturës dhe një njeri që i bën nder shoqërisë shqiptare. Ai është treguar i papërgjegjshëm, i paarsyeshëm, i pagdhendur, i pafytyrë, dhe mbi të gjitha, i lig, që për shkak të një urrejtje personale për të, ka kompromentuar institucionin e Presidentit dhe ka vepruar në mënyrën më të keqe të mundshme që mund të ishte sjellë çdo operativ i lig sigurimi, sikur Visari të ishte vërtet bashkëpunëtor i tyre.
Kjo tregon përse PD nuk i hapi kurrë dosjet, por vetëm i përdori. Kjo tregon pse Sali Berisha i mbante ato mbi tavolinë për t’ua treguar disave për shokët e tyre, që t’i terrorizonte. Kjo tregon se sa fallco e ka PD dhe njeriu më i lartë i saj në krye të shtetit, qëndrimin kundër hapjes së dosjeve, për shkak të “mëshirës” për ish- bashkëpunëtorët dhe “urrejtes” për ish- oficerët e Sigurimit të Shtetit.
Bujar Nishani është sjellë si një oficer i lig i Sigurimit të Shtetit, që mendon se duke qenë se vetë ka qenë komunist dhe oficer që ka mbrojtur bustin e Enver Hoxhës, ka prioritet moral ndaj atyre që Sigurimi ka tentuar t’i rekrutojë në burgje, por kanë rezistuar.
Kjo tregon se ai është i vetmi përfaqësues i lig i diktaturës në krye të shtetit. I vetmi që tenton të na nxjerrë dhëmbët si “demokrat”, ende duke përdorur mekanizmat e diktaturës. Ai po sillet si një xhelat ndaj një viktime, e cila në fakt nuk është viktimë, por hero i rezistencës ndaj vemjeve të diktaturës, si Nishani.
(Mero Baze është gazetar shqiptar. Ai i përket brezit të parë të gazetarëve të pluralizmit në Shqipëri që nis pas vitit 1990, kur ka përfunduar dhe studimet e larta në Universitetin e Tiranës, dega inxhinieri. Gjatë viteve të studimit ka qenë pjesë e redaksisë së gazetës Studenti. Deri në vitin 1992 ka punuar si gazetar dhe bashkëpuntorë në gazetat e para të shtypit pluralist.
Në maj të vitit 1992, pas fitores së Partisë Demokratike në zgjedhjet parlamentare, emërohet Drejtor i Lajmeve në ATSH,(Agjensia telegrafike Shqiptare) ku qëndroi deri në dhjetor të vitit 1993.
Prej janarit të vitit 1993 ai ishte zgjedhur ndërkohë Kryetar i Lidhjes së Gazetarëve të Shqipërisë, detyrë që e mbajti deri në vitin 1994
Prej fundit të vitit 1993 ai kishte filluar punë si komentator politik pranë gazetës Rilindja, gazetë e Kosovës që botohej në Tiranë. Në fillim të vitit 1995 fillon punë si reporter i radios amerikane Zëri i Amerikës në Tiranë. Intervista në burg me ish liderin e Partisë Socialiste Fatos Nano dhe raportimet direkte nga trazirat në qytetin e Vlorës në vitin 1997 kanë qenë shumë popullore.
Në korrik të vitit 1997 u largua nga Zëri i Amerikës pasi kishte themeluar qysh në muajin prill një agjensi private lajmesh të quajtur “Enter”. Agjensia pati sukses për shkak të ngjarjeve të vitit 1997. Ajo pati një faqe në internet dhe një shërbim anglisht. Në atë kohë ai botoi dhe librin publicistik “Realitete shqiptaro amerikane”, një pasqyrë e raporteve delikate të qeverisë së presidentit Sali Berisha me administratën amerikane, që çuan në përkeqësimin e gjendjes në Shqipëri deri në dorëheqjen e Presidentit Sali Berisha.
Në janar të vitit 1999 filloi punë si gazetar i radios Evropa e Lirë nga Tirana, kryesisht për çështje që lidheshin me Kosovën. Shkoi në Konferencën e Rambujes. Ai botoi në atë kohë një libër mbi ndikimin e Shqipërisë në luftën e Kosovës me titull “Shqipëria dhe Lufta në Kosovë” dhe pas një tjetër libër me titull “Rambuje, Mosmarrëveshjet për paqe”.
Në korrik të vitit 1999 themelon gazetën Tema. Fillimisht gazeta ishte javore dhe në shtator të vitit 2000 nisi si gazetë e përditëshme. Deri në vitin 2007 gazeta Tema ishte një gazetë që kritikonte ashpër, Partinë Socialiste, që arriti kulmin me botimin e fotografive të Edi Ramës lakuriq.
Pas vitit 2007, edhe pse Baze ka qenë njohur si i pozicionuar kundër së majtës, ai u bë mjaft kritik ndaj qeverisë së kryeministrit Sali Berisha. Pas tragjedisë së Gërdecit më 15 mars 2008, ku humbën jetën 26 persona, Baze u bë përsëri zëri më kritik në gazetarinë shqiptare, kundër qeverisë. Rubrika satirike e gazetës TemA e quajtur "Antena" ka bërë që kritikët e tij ti konsiderojnë shkrimet e Bazes si denigrues e fyes dhe janë dhe shpesh të pabazuar në fakte. Vetë Baze deklaron se rubrika nuk është pasqyrim i ngjarjeve reale por një satirë e prapaskenave politike të Shqipërisë pas tranzicionit.[1]
Në mars të vitit 2008 ai botoi librin tjetër publicistik “Përballja me antiopozitarizmin”, një analizë e hollësishme e kulturës politike antiopozitare në Shqipëri, gjatë viteve 1997-2002. Në shtator të vitit 2008 ai nisi një emision ditor në televizionin Vizion Plus me titullin “Faktor Plus”.
Botime :Viti '97. Prapaskenat e krizës që rrënuan shtetin