Gjashtëdhjetë vite pas krijimit të Traktatit të Romës liderët Europian do të mblidhen në kryeqytetin italian në 25 Mars për të hedhur themelet e strukturës së re Europiane. Festimet për përvjetorin e Traktatit të Romës e gjejnë Bashkimin Europian përballë sfidave me të cilat nuk është përballur që prej krijimit të tij. Gjatë Samitit të Bratislavës në Shtatorin e 2016 u përcaktua udhërrëfyesi për objektivat drejt takimit të Romës. Dështimi në këtë Samit për një dakordësi të plotë erdhi edhe si pasojë e kundërshtive që ngriti ish Kryeministri italian Matteo Renzi, por edhe Kryeministri Hungarez Viktor Orban, për mos arritjen e objektivave nga BE-ja për përballjen e krizës së emigracionit, si edhe politikave shtrënguese të mbështetura nga Gjermania të cilat dështuan të sjellin nxitjen për zhvillimin ekonomik. Kësisoj përpjekja e liderëve Europian të tejkalojnë Brexit, të cilën do të guxoja ta quaja si një prej krizave më të mëdha për atë çfarë përfaqëson Bashkimi Europian, por edhe ngërçi vazhdueshëm i vendimmarrjes unanime ndërmjet udhëheqësve Europian e ka vendosur BE-në në një udhëkryq historik. Por cilat janë sfidat e takimit të Romës dhe a është i gatshëm Bashkimi Europian të përballet me to? Jean-Claude Juncker, në cilësinë e drejtuesit të Komisionit Europian hartoi propozimet pesë pikëshe në të cilat duhet të bazohen diskutimet nëntë mujore që duhet të kulminojnë në Samitin e Dhjetorit 2017 për Europën e së ardhmes. Vendet anëtare të Bashkimit Europian duhet të përzgjedhin të ardhmen e kësaj organizate se si do të formatohet në të ardhmen mbas edhe shkëputjes përfundimtare të Britanisë së Madhe në vitin 2019. Vendimi kësaj here do të jetë i 27 shteteve anëtare dhe jo i institucioneve qendrore. Është ndër të paktat herë që Brukseli pyet vendet anëtare që të vendosin për drejtimin që duhet adoptuar pa u përpjekur të imponojë axhendën e tij. Në këtë mënyrë përpiqet që të tejkalojë edhe akuzat e përhershme se nënvleftëson sovranitetin kombëtar të vendeve anëtare. Pesë propozimet e Komisionit Europian përmbajnë një gamë të gjerë propozimesh që nga skenari i vazhdimësisë së BE-së në statusin aktual dhe deri në federalizimin e saj.
Më konkretisht skenarët përmbajnë:
Skenari i parë, BE-ja e 27 vendeve i qëndron kursit të saj aktual dhe shpejtësia e vendimmarrjes do të varet nga tejlakimi i diferencave të këndvështrimeve në mënyrë që të plotësohen në vazhdimësi prioritet. Deri në vitin 2025 kjo strategji sipas parashikimeve do të sjelli progres në hapjen e vendeve të punës, në ekonomi, në thellimin e bashkëpunimit për kërkimet shkencore, në industri dhe politikat e prokurimeve të përbashkëta. Sipas këtij skenari uniteti i BE-së rruhet, por do të duhen zgjidhje të përbashkëta për çështje kyçe. Zgjidhje që deri më sot shpesh herë nuk janë arritur, p.sh në përballjen e krizës së emigracionit, duke dështuar në reduktimin e hendekut ndërmjet premtimeve dhe pritshmërisë së qytetarëve Europian.
Skenari i dytë, BE-ja tërhiqet nga zgjidhja e çështjeve siç janë emigracioni, siguria, mbrojtja. Bashkëpunimi për çështje kyçe do të marri zgjidhje më shumë në marrëdhënie dypalëshe se sa në nivel të BE-së.Në këtë mënyrë BE-ja i jep prioritet vetëm promovimit të tregut të përbashkët duke fuqizuar politikat e lëvizjes së lirë të të mirave dhe të kapitalit por nga ana tjetër do të shtrëngojë politikat e lëvizjes së lirë të njerëzve. BE-ja do të centralizojë prioritet duke u përqendruar në çështjet e tregut të përbashkët. Kjo pritet të zgjerojë hendekun midis pritshmërive dhe premtimeve në të gjitha nivelet.
Skenari i tretë, Krijimi i një ose më shumë koalicioneve të dëshirueshme për ti dhënë prioritet fushave specifike, si p.sh, politikave të mbrojtjes, sigurisë së brendshme, taksimit apo edhe politikave sociale. Vendet e tjera jashtë këtij grupimi do të ruajnë të drejtën të përfshihen në varësi të kontributit dhe zhvillimit të tyre.Deri në vitin 2025, kjo qasje mund të krijojë një efikasitet më të lartë drejt fuqizimit të politikave ushtarake edhe për misione të përbashkëta jashtë kufijve të BE-së, si edhe fuqizimin e bashkëpunimit inteligjent. Vendet e Eurozonës do të mund të integrojnë më shumë politikat rreth taksimit dhe çështjeve sociale. Kjo qasje krijon de jure Europën e dy shpejtësive pasi hendeku midis pritshmërive dhe premtimeve zvogëlohet ndërmjet atyre vendeve që vendosin të integrohen më thellë.
Skenari i katërt, BE-ja vendos të ngushtojë listën e prioriteve të saj dhe të përqendrohet në politikat që kryen më me efikasitet. Rrjedhimisht, BE-ja do të mundet të reagojë më shpejtë dhe më me vendosmëri. Kjo do të thotë që deri në vitin 2025 të thellohet bashkëpunimi në tregun e përbashkët dhe fokusimi në projekte për dixhitalizimin dhe politikat e gjelbra. Rrjedhimisht, BE-ja do të bëjë hapa mbrapa në fusha thelbësore si p.sh, punësimi, politikat sociale dhe kujdesi shëndetësor. Përzgjedhja e këtij skenari do të sjelli përfundime më të qarta dhe të dukshme në lidhje me drejtimet e përzgjedhura. Por ana tjetër e medaljes ka treguar se BE-ja e 27 vendeve ka vështirësi të dukshme në unanimitetin e përzgjedhjes së fushave prioritare.
Skenari i pestë, nëse pranojmë se formati i tanishëm i BE-së nuk funksionon dhe se ideja e një modeli bilateral nuk i përshtatet sfidave të globalizmit të kohërave moderne, atëherë BE-ja e 27 vendeve vendos të zgjerojë vendimmarrjen. Sipas këtij skenari, procesi i vendimmarrjes midis vendeve anëtare thellohet dhe përshpejtohet. Kjo do të thotë se deri në vitin 2025, në arenën ndërkombëtare BE-ja do të flasë dhe do të veprojë si një e vetme në forumet ndërkombëtare tregtare duke pasur një përfaqësues të përbashkët. Do të krijohet një bashkim në politikat e mbrojtjes në bashkëpunim me NATO. Kështu BE-ja do të zhvillohet në lider global në tregti. Brenda vendeve të Eurozonës do të rritet bashkëpunimi në çështjet fiskale, sociale dhe taksimin. Rrjedhimisht, BE-ja do të lëvizë më shpejtë dhe fuqishëm. Qytetarët europianë do ti nënshtrohen më shumë të drejtës europiane se sa asaj kombëtare. Nga ana tjetër kritikët do të ngrinin zërin në lidhje me rritjen e legjitimitetit të BE-së duke fuqizuar qendrën dhe zvogëluar vazhdueshëm periferinë dhe autoritet kombëtare.
A po vjen fundi i Europës së madhe?
Propozimet e mësipërme sjellin ndryshime radikale në strukturën ekzistuese të Bashkimit Europian. Preferencat ndërmjet shteteve të ndryshme për njërin apo tjetrin skenar kanë sjellë përplasjet e para ndërmjet vendeve që konsiderohen si lokomotiva e Europës dhe atyre të Visegradit. Shpallja zyrtare e Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Spanjës për preferencën e një Europe të disa shpejtësive do të hapi një kapitull të ri në Europë. Një kapitull që ndoshta do të sjelli fundin e Europës se si e njohim deri më sot, fundin e një Europe të madhe dhe gjithëpërfshirëse. Të gjitha këto ndryshime vijnë në një periudhë ku Bashkimi Europian po përballet me sfida reale brenda vetes, ku kriza e financiare e 2008 ende nuk është tejkaluar, politikat shtrënguese nuk kanë dhënë rezultatet e pritura duke u përballur me reagime të forta të vendeve të Jugut dhe jo vetëm, kriza e emigracionit, largimi i Britanisë së Madhe nga gjiri Europian, fuqizimi i forcave politike anti europianiste në nivel kombëtar por edhe nivel qendror (Parlamenti Europian) në një pjesë të mirë të vendeve europiane. Por edhe në arenën ndërkombëtare Bashkimi Europian po përballet me sfida historike, dështimi i një qëndrimi të përbashkët për krizën e Ukrainës, përballja me ekspansionin Rus, marrëdhënia e vështirë me Turqinë. Nga ana tjetër fitorja e Presidentit Trump dhe qëndrimet e tij për shkurtim të buxhetit të NATO do të sjellin dukshëm nevojën për ribalancimin e fuqive. Se çfarë do të ndodhi ngelet për tu parë, kryesisht pas përfundimit të zgjedhjeve në Francë dhe Gjermani, por e sigurt është se Bashkimi Europian do të hyjë në një periudhë ku tendencat përjashtuese do të rriten me pasoja të qarta edhe për integrimin e vendeve aplikantë.
(Emilio Çika. Lektor në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë)
Dështimi në këtë Samit për një dakordësi të plotë erdhi edhe si pasojë e kundërshtive që ngriti ish Kryeministri italian Matteo Renzi, por edhe Kryeministri Hungarez Viktor Orban, për mos arritjen e objektivave nga BE-ja për përballjen e krizës së emigracionit, si edhe politikave shtrënguese të mbështetura nga Gjermania të cilat dështuan të sjellin nxitjen për zhvillimin ekonomik. Kësisoj përpjekja e liderëve Europian të tejkalojnë Brexit, të cilën do të guxoja ta quaja si një prej krizave më të mëdha për atë çfarë përfaqëson Bashkimi Europian, por edhe ngërçi vazhdueshëm i vendimmarrjes unanime ndërmjet udhëheqësve Europian e ka vendosur BE-në në një udhëkryq historik. Por cilat janë sfidat e takimit të Romës dhe a është i gatshëm Bashkimi Europian të përballet me to? Jean-Claude Juncker, në cilësinë e drejtuesit të Komisionit Europian hartoi propozimet pesë pikëshe në të cilat duhet të bazohen diskutimet nëntë mujore që duhet të kulminojnë në Samitin e Dhjetorit 2017 për Europën e së ardhmes.
Nga Emilio Çika*