E ka menduar opozita se cilat do jenë hapat pas deklaratës së rreptë dhe pa asnjë shans kompromisi për qeveri teknike të bëra të dielën pasdite nga kryeministri?
Por fill pas kryeministrit Rama doli edhe Presidenti Nishani.
Presidenti Nishani ka shprehur moskompetencën e tij juridike për të mosdekretuar emrin e Fatmir Xhafaj për Ministër të Brendshëm duke u shprehur se nuk ja lejon Kushtetuta. Por çfarë do të ndodhë në vazhdim? Vetëm pak ditë më parë lideri i Partisë Demokratike Lulzim Basha u shpreh nga Çadra e Lirisë se Fatmir Xhafaj do të bëhet Ministër i Brendshëm vetëm po kaloi mbi trupat tanë (të opozitës). Por a do ta mbajë fjalën Lulzim Basha përballë një situatë të tillë, kur Presidenti i Republikës është shprehur se do ta dekretojë z. Xhafaj për Ministër të Brendshëm edhe pse figura e tij është e papajtueshme pas dëshmive të fundit për keqtrajtim gjatë kohës që ky i fundit punonte si hetues gjatë regjimit komunist? A do ketë një aksion të opozitës? Është me interes të shikojmë lëvizjen e radhës së z. Basha dhe nëse ai do ti qëndrojë fjalës së parë.
Lulzim Basha është para një sprove të fortë e të vështirë, por edhe vendimtare për karrierën e tij politike. Ose del nga çadra sa nuk ëshë vonë dhe kërkon falje atyre që i solli në çadër ose del nga çadra dhe fillon ortekun popullor në Tiranë dhe në çdo rreth duke u përballur me pushtetin deri në krijimin e kushteve për zgjedhjeve të lira e të ndershme, siç ka kërkuar opozita.
Qëndrimi prapë në çadër duke mos u përballur direkt, kur Edi Rama as nuk ia ndjen për Lulzim Bashën, do jetë një humbje kohe dhe lodhje nervash të opozitarëve.
Nga dita e dielë pasdite kanë ndryshuar shumë gjëra. Edi Rama konvertohet në faktor force dhe nuk la asnjë udhë hapur për qeveri teknike. Bile theksoi se me 18 qershor do ketë zgjedhje. Kush don të futet mirë, ndryshe as që dua t’ia di- ishte aksioma e kryeministrit.
PD, Lulzim Basha dhe krejt Opozita janë para sfidës së hapur. Do rrijnë duke kuvenduar në çadër dhe kënduar në kohë darke apo do dalin nga çadra për të rrëzuar mure pushteti në emër të zgjedhjeve.
Edi Rama dhe Lulzim Basha janë të dy të gjatë fizikisht, por nga diela pasdite Rama ka veshur dorëzat e boksit dhe pret në ring Bashën.
J.V.
(Marrë nga www.spjv.it)
No comments:
Post a Comment