2017-04-12

Adem Zaplluzha, poeti i metaforave dhe imazheve të fuqishme


kujtim
Nga : Kujtim MATELI

Poeti prizrenas, me banim në Prishtinë, Adem Zaplluzha, gjatë vitit 2015  botoi 14 vëllime poetike dhe, në një hark kohor prej 41 vitesh, duke nisur me vëllimin poetik “Puthje” të vitit 1974, ka arritur të botojë 122 tituj librash. Po pena e tij nuk ka të ndalur. Nga krijimtaria e tij në vite, gjatë vitit 2016, ka përgatitur për të dërguar drejt shtëpive botuese dhe 19 tituj të tjerë poetikë, duke dëshiruar që në fund të këtij viti të arrijë 141 tituj librash.
Ky numër i lartë i vëllimeve të tij poetike, e bën atë rekordmen të trojeve shqiptare. Po mund të krahasohet dhe me vende të tjera që nuk e kanë një poet të tillë të përmasave sasiore.

ademzaplluzha (1)
Diku në fund të një fillimi

Veçse në art ana sasiore është më pak e rëndësishme se sa ana cilësore. Arti është në radhë të parë cilësi. Pashko Vasa, shkodrani ynë i mirënjohur, ka mbetur si një pikë kulmore e letërsisë shqipe vetëm me një poezi që titullohet ” O moj Shqypni”. Ajo poezi ishte një kushtrim për kohën kur u shkrua, që pëlqehet dhe vlerësohet dhe në ditët tona. Kështu ndodh dhe me poetin Zaplluzha, i cili pëlqehet në të gjitha trojet shqiptare dhe diasporë. Kjo shtrirje e gjerë e poezisë së tij do të thotë se ajo ka vlera artistike. Sigurisht, vetëm ana cilësore krijon hapësirë përtej vendbanimit të poetit.
Poezia e Zaplluzhës, gati e ka rrokur jetën njerëzore. Aty shikon se si lëviz bota shpirtërore e njeriut drejt mirësisë dhe dashurisë për njëri-tjetrin, atdheu përjetohet si një qenie njerëzore që mund të vdes, nëse bijtë e saj nuk i gjenden pranë në kohën e duhur. Ata që kanë marrë përgjegjësinë t`i dalin zot, duhet të luftojnë për ta lartësuar atë. Në këto rreshtime gjendet dhe Zaplluzha, i cili lufton fort me vargun e tij për të lartësuar tokën e të parëve duke krijuar besim dhe optimizëm për të ardhmen. Në këtë mision fisnik ai ka krijuar universin e tij poetik ku lëvizin meditimet e fuqishme filozofike, reflektimet për jetën dhe vdekjen, lëviz fëmijëria dhe mosha e thyer e burrit, eleganca e femrës shqiptare.  Ndien në poezinë e tij aromën e luleve, por dhe ofshamën e njeriut që përballet me varfërinë. Aty i ke të gjitha momentet me të cilat përballet një qenie njerëzore si: gëzimin dhe trishtimin, dashurinë dhe urrejtjen, harenë dhe hidhërimin, optimizmin dhe pesimizmin.
*******
Poezia e Adem Zaplluzhës është ndërtuar mbi realitetin e trojeve shqiptare, në mënyrë të veçantë mbi atë territor që quhet Kosovë. Në atë truall ku jeta ka qenë e vështirë, në atë truall ku jeta njerëzore ka kaluar nëpër dimra të acartë. Në kushtet kur jeta nuk mund të jetohet, realiteti fillon të tjetërsohet. Fillojnë masivisht largimet.
“Po shkojnë, na ikën miqtë,
Ndoshta tani janë diku larg,
Nëpër udhët e përtejmes.
Nuk mbetën as qyqet e zeza,
Një nga një po na largohen zogjtë”. Poezia ” Dimri i sivjetëm ishte tepër i acartë” Vëllimi poetik “Fluturojnë zogjtë e verbër” fq. 15, Prishtinë 2015
Realiteti estetik që krijon poezia e Adem Zaplluzhës është ndërtuar mbi realitetin e rënduar kosovar të shekullit të kaluar, por edhe të këtij fillim shekulli.  Pushtimi shekullor serb u ka sjellë vetëm vuajtje. Madje
“Shkundi dhe gurët
Nëpër brigjet e durimit njerëzor”. Poezia “Dimri i sivjetëm ishte tepër i acartë” Vëllimi poetik “Fluturojnë zogjtë e verbër” fq.15, Prishtinë 2015.
Poezia “Nga larg dukeshin si brirë dreri” tregon largimin nga vendbanimi të shumë shqiptarëve, një largim që i ngjason tufës së lejlekëve që nuk dinë se ku do të qëndrojnë. I shitën dhe gjërat e çmuara.
“Një natë më parë
Nëna e madhe i shiti byzylykët
Dhe unazën e heshtjes vajzërore “Poezia”, nga larg dukeshin si brirë dreri” Vëllimi poetik “Fluturojnë zogjtë e verbër” fq. 57, Prishtinë 2015.
Më pas, një heshtje e rëndë. Asnjë letër, asnjë shenjë që të tregonte ekzistencën e tyre.
“Me vite të tëra askush nuk trokiti
Në përmallimin e drurit,
Era lakuriqe për çdo mëngjes
Qante me qenin endacak të lagjes.
Qante me ngashërim
Tok me portat e mbyllura”. Poezia “Nga larg dukeshin si brirë dreri” Vëllimi poetik “Fluturojnë zogjtë e verbër” fq. 57, Prishtinë 2015.
******
Në poezinë e Zaplluzhës natyra lëviz duke reflektuar të gjitha ngjyrat e saj. Ndalesh një çast dhe vëren se si në pasqyrën e detit hëna kreh flokët e thinjura të natës apo yjet që kullotin nëpër flokët e xixëllonjave. Ndalesh një çast dhe vëren se si në sfondin e kujtesës, mbi krahët e një fluture, rrëshqet një varkë e bardhë.


adem
Adem Zaplluzha

Pikturohet me ngjyrat më të ndezura natyra  dhe shpirti njerëzor që lëviz bashkë me të në kohë dhe hapësirë. Aty, në ujin e ftohtë të Lumëbardhit:
“Pastruesit e rrugëve
I lajnë mëkatet e përqafimeve të vjedhura”. Poezia “I lajnë mëkatet e përqafimeve të vjedhura”, nga vëllimi poetik “Zëri i largët i shiut”, fq 61, Prishtinë 2015.
Tek Poezia ” Përtej gjelbërimit të bregut” përjetohet ikja e një dite të zakonshme dhe njerëzit që nuk kanë kohë të përjetojnë qetësisht këtë ikje. Zhurmat që krijojnë rrjetat e peshkatarëve ngjajnë me hingëllimën e kuajve që rendin livadheve të blerta. Aty:
” Vetëm zëri i një varke të vetmuar
Dëgjohet si vaji i detit,
Dënesin dhe varkat në damarët e kripës
Përtej gjelbërimit të bregut.
Etja ishte e madhe
Sa që i kafshonte kokrrat e brishta të kripës”. Poezia ” Përtej gjelbërimit të bregut” Vëllimi poetik “Fluturojnë zogjtë e verbër” fq. 23, Prishtinë 2015.
*******
Objekt i poezisë së Zaplluzhës bëhet gjithë hapësira ballkanike, ku bashkë me shqiptarët rrojnë dhe popuj të tjerë. Po klima që krijohet nga raportet midis këtyre popujve është e ashpër. Krahas varfërisë ku “fasulja hahet kokërr më kokërr”  jetuan dhe në një klimë të akullt që ishte produkt i synimeve lakmitare të këtyre fqinjëve që nuk kishin kufi në pangopësinë e tyre.
” Një acar i Ballkanit hileqar
Gati dy mijë vjet
Po na i bren eshtrat
Po na e shlyen kujtesën
Me fshikullimën e erërave tinëzare”. Poezia “Një acar i Ballkanit tinëzar”, nga vëllimi poetik “Zëri i largët i shiut”, fq. 42, Prishtinë 2015
Tek poezia” Fluturojnë zogjtë e verbër” jepet realiteti i trojeve tona, ku shqiptari nën qiellin e mjegulluar të pushtimit, ndjehej i huaj në vatrat e shtëpisë së tij.
“Megjithatë nuk u ndalëm asnjëherë
Në kthetrat e kohës,
Kërkonim dritën e shpëtimit.
Ishim ndoshta të parët
që i besuam dritës,
Një tunel i largët, diku përtej mendjes
Na priste me një kandil të ndezur”. Poezia  ” Fluturojnë zogjtë e verbër” Vëllimi poetik “Fluturojnë zogjtë e verbër” fq.37, Prishtinë 2015.
Poezia “Dhe ne u rritëm si lisat në stuhi” tregon se shqiptarët për të ruajtur ekzistencën e tyre individuale, më shumë u shërbyen të huajve, se sa atdheut të tyre. Në këtë luftë për ekzistencë, individi, sado i fuqishëm që të jetë, është i destinuar të kthehet në shërbëtor. Sado të mira materiale që të kishte fituar, kur kthehej në vatrën familjare, nuk vinte si fitimtar. Ishin pa të ardhme në vatrën e tyre.
“Mbështetur për kondakun e thyer,
Nuk ishim më për asnjë punë.
Nëpër llogore trishtimesh
I lëmë peng gjymtyrët”. Poezia “Dhe ne u rritëm si lisat në stuhi”  Vëllimi poetik “Fluturojnë zogjtë e verbër” fq. 38, Prishtinë 2015.
Po poezia e Zaplluzhës ndalet dhe hedh poetikisht dritë dhe në masakrat që ushtria serbe bëri mbi popullsinë shqiptare në trojet e Kosovës gjatë vitit 1999. Dhunime e masakra deri përtej kufirit ku arrin përfytyrimi i njeriut. Varri i një nëne të dhunuar:
Është vula më bindëse
Se diku në rruzullin e kësaj toke
Jeton një popull i ngarkuar me shumë mëkate”  Poezia “Një acar i Ballkanit tinëzar”, nga vëllimi poetik “Zëri i largët i shiut” fq 60,  Prishtinë 2015
Shqiptari e ka në traditën e tij që të panjohurin ta kosiderojë mik, ta pres e ta përcjellë sipas zakonit. Të panjohurit i dhurojmë mirësi për shkak të vuajtjeve që ai ka kaluar derisa mbërriti në vatrën tonë. Kështu vepruam me të gjithë ata popuj që u dyndën në hapësirat e trojeve tona,  sidomos në mijëvjeçarin e parë dhe të dytë të erës sonë. Mirëpo, kjo mirësi u shpërblye ndryshe. Dhe poeti shpreh gjykimin e tij për këtë fenomen mbarë shqiptarë.
“Ne pakëz e tepruam me mirësinë tonë,
I hapëm edhe dritaret,
Pa menduar
Se ujqërve u mjafton
Vetëm një plasaritje e murit”. Poezia ” Ta ndjejmë ekzistencën e fjalës” Vëllimi poetik “Fluturojnë zogjtë e verbër” fq.17, Prishtinë 2015
******
Adem Zaplluzha është poet i metaforës. Nëse do t`i mblidhnim të gjitha metaforat e krijuara, do të shohim më mirë përkushtimin e tij ndaj poezisë. Ato nuk kanë qenë dhe nuk janë qëllim në vetvete i autorit, për ta ngarkuar poezinë sa më shumë me këtë figurë letrare. Ato janë të shkrira organikisht dhe janë në funksion të mendimit apo ndjenjës poetike. Secila është në vendin e vet dhe në misionin e saj; ta përcjellë vargun sa më artistikisht tek lexuesi.
Tek poezia “Hapen edhe dyert e mbyllura” jepet realiteti i sotëm që po e ndryshon mentalitetin dhe mjedisin në të cilin jetojmë.
“Lagjja pakëz më ndryshe
Sot po e ndjen frymëmarrjen e së nesërmes”. Poezia ” Hapen edhe dyert e mbyllura” Vëllimi poetik “Fluturojnë zogjtë e verbër” fq. 25, Prishtinë 2015.
Dhe autori i këshillon brezat e rinj që të përballojnë sfidat e jetës duke gjurmuar nëpër shpirtrat e njerëzve dhe nëpër librat e vjetër.
“Bëhu i urtë biri im!
Saqë nga urtësia jote
të mos lindin vetëm fjalët,
Por malet dhe drurët
Që ecin kah e nesërmja”. Poezia ” Bëhu i urtë biri im” Vëllimi poetik “Fluturojnë zogjtë e verbër” fq. 33, Prishtinë 2015.
Autori e shikon si të shenjtë vatrën familjare. Brenda mureve të një shtëpie, një familje e madhe apo dhe një çift i vetëm, ëndërrojnë, krijojnë dhe ruajnë vazhdimësinë e jetës njerëzore. Po në kohë të liga, shumë prej shtëpive boshatisen. Asnjë frymë nuk i ngroh më ato mure. Asnjë shpresë nuk fluturon brenda tyre. Vetëm
“Një flutur e verdhë troket
Çmendurisht troket në portat e erës,
Askush prej atyre dyerve të rënda
Asnjë zë njeriu s`lëshojnë ato mure”.  Poezia ” Asnjë zë njeriu s`lëshojnë muret” Vëllimi poetik “Fluturojnë zogjtë e verbër” fq. 66, Prishtinë 2015.
*****
Zaplluzha e ndërton poezinë e tij mbi imazhe të fuqishme poetike, thelbi i të cilave rroket pas leximit të dytë apo të tretë. Po kur kërkon që ato të depërtojnë që me leximin e parë tek lexuesi dhe që mesazhi që kërkon të përcjellë  të jetë i qartë, siç janë disa nga poezitë ku trajtohet varfëria e tejskajshme apo tema e Luftës Çlirimtare të Kosovës, etj., gjuha poetike i afrohet ligjërimit bisedor, por pa e prekur atë, duke mbetur një gjuhë poetike me mesazhe të qarta që u drejtohen atyre që kanë marrë përgjegjësinë të bëjnë qeverisjen e Kosovës dhe që mund të bëjnë më shumë për këto shtresa në nevojë.
Krahas një realiteti që ndryshon vazhdimisht nga fuqia e mendjes dhe e shpirtit këmbëngulës, i cili shfaqet në autostrada dhe rrugët e reja që lidhin qytete dhe qendra të banuara, ku njerëzit rrojnë në shtëpi një e më shumë kate apo në apartamente të rinj duke bërë një jetë normale; ekziston dhe një realitet tjetër që e përbëjnë njerëzit e varfër, të cilët luftojnë për mbijetesë, për të siguruar bukën e përditshme. Kësaj  shtrese në nevojë poeti Zaplluzha u ka kushtuar disa poezi. Shpaloset aty një realitet i dhimbshëm që kërkon të tërhiqet vëmendja e shoqërisë dhe të kthejë vështrimin drejt tyre për të kërkuar rrugë dhe mënyra zgjidhje për të dalë nga mjerimi. Dhe ata që e kanë përgjegjësinë për këtë shtresë, nuk mund të mos ndihen të zënë në faj pas tablove realiste si:
“Ata përgjumen nëpër stacione trenash
Zgjohen si këndesat e egër
Me një trastë në krah depërtojnë thellë
Në varfërinë e tyre të paskajshme….” Poezia “Më duket se këtyre njerëzve”, nga vëllimi poetik ” Mes telave gjembor”, fq 86, Prishtinë 2015.
Epopeja e madhe e Luftës Çlirimtare të Kosovës kundër pushtuesve serb, ka zënë një vend të rëndësishëm në poezinë e Zaplluzhës. Lufta që hodhi themelet mbi të cilat u ngrit liria e Kosovës. Po ende nuk janë mbyllur plagët e asaj lufte. Ata luftëtarë  u kthyen dhe dikush gjeti çatinë e shtëpisë të rrëzuar, e dikush muret. Po ai ushtar i Luftës Çlirimtare ende nuk ka ndalur:
“Duke kërkuar
Nëpër Kosovën martire
Fëmijët e vrarë dhe gruan e tij”. Poezia “Ai ushtar”, nga vëllimi poetik ” Mes telave gjembor”, fq. 88, Prishtinë 2015.
*****
Në poezinë e Adem Zaplluzhës përshkruhet një realitet tejet i bukur. Këtë bukuri e ka marrë nga trojet tona dhe e ka derdhur në vargje, imazhe që të mbeten gjatë në mendje dhe lexuesi mendon se cilën pjesë të trojeve tona ka pikturuar poeti. Gjen në ato vargje copëza peizazhesh nga Saranda dhe Lugina e Preshevës, nga Përmeti dhe Prizreni, Mitrovica dhe Ulqini, Peja dhe Tetova, aty janë gjithkund  trojet tona të përthyera estetikisht dhe të realizuara artistikisht në vargje nga dora mjeshtërore e poetit. Të shkrira organikisht me peizazhin poetik janë përjetimet emocionale të shqiptarit të sotëm që fatet e veta i ka të lidhura me këto troje. Ai shikon se
“Shiu i ngrohtë i dimrit
Sërish pikon mbi trëndafilat
Kah çelin dhembje,
Hëna e mekur nga udhëtimet e gjata
I këput lulet e fishkura të Lumëbardhit. Poezia “Hëna e mekur”, vëllimi poetik “Në prehrin e pemëve” fq. 17, Prishtinë 2015.
Poeti depërton thellë në shpirtin njerëzor. Njeriu dashuruar me natyrën e jetën. Njeriu që dashuron dhe dashurohet përbën themelin mbi të cilën ngrihet jeta njerëzore. Poeti i thur himn njeriut të dashuruar.
Dy duar dhe nata,
Flokët e mëndafshta të mëngjesit
Notojnë mbi flluskat e vesës së zgjuar.
Sa shumë paska etje ky zgjim,
Sa shumë dete të çmendura
Në syrin e pangopur të dashurisë. Poezia “Në shpirtrat e dy njerëzve” vëllimi poetik  “Ajo nuk erdhi sonte” fq. 25, Prishtinë 2015.
******
U ndalëm vetëm në disa nga poezitë e Zaplluzhës të botuara gjatë vitit 2015, të cilat janë vetën disa çaste poetike, për ta ngacmuar lexuesin të shkojë drejt poezisë së tij, i cili pasi ta prekë atë, nuk do t`i largohet kurrë. Në universin poetik të tij, hyn lexues dhe del poet. Ndaj do t`ua rekomandoja dhe krijuesve të rinj, si një shkollë poetike.

Vëllimi poetik “Pikëllimi i rrënjëve” i Adem Zaplluzhës, metaforë e vijimësisë së të shkuarës në të tashmen.



nikolle-loka
Nga: Nikollë Loka
Kur merr dhe lexon vëllimin poetik “Pikëllimet e rrënjëve” të poetit Adem Zaplluzha dhe mediton mbi të, teksa sheh mjeshtërinë e lartë artistike, lëmimin e vargut, lidhjen organike ndërmjet poezive në një libër të arrirë, me të drejtë kujton se autori ka jetuar gjatë me veprën e tij. Po nuk është ashtu, Ademi ka arritur në veprën e 150 letrare dhe vetëm gjatë vitit 2015 kishte botuar 14 vëllime poetike dhe kwtw vit disa libra tw tjerw nw poezi dhe prozw. Kur e mendon sasinë e lartë të prodhimtarisë së tij, kujton edhe pamundësinë e autorit që të japë vepra cilësore. Por, teksa Zaplluzha rend pas sasisë, ka pretendime të larta për cilësinë. Këtë e pashë, jo pa habi në vëllimin poetik që keni në dorë. Atëherë m’u krijua ideja që kemi të bëjmë me një krijues përtej të zakonshmes, një fenomen letrar, për të cilin kritika e specializuar e ka thënë dhe do ta thotë fjalën e vet.
Kur lexon vëllimin poetik “Pikëllimet e rrënjëve” të poetit Adem Zaplluzha kalon në një zbulim të pavetëdijshëm të vetes dhe ndërsa udhëton nëpër labirinthe realitetesh jetësore, e ndjen simbolikën e pikëllimit të rrënjëve. Fjala në poezinë e Zaplluzhës është urë lidhëse në kohë; identitet, thelb dhe asht, kod përbashkues vlerash të shpërndara e të zvetnuara nga koha. Fjala nuk vdes, ajo e zhbën kohën dhe simbolikisht lëviz, duke komunikuar me të shkuarën dhe të ardhmen.
Në poezinë e Zaplluzhës shprehen raportet me kohën, ku e shkuara vjen në një formë tjetër në të tashmen, duke lënë po ato gjurmë të së kaluarës që i mbajmë ende të ndezura në shqisat tona. Na duket se jetojmë në një të tashme,  që pak na bën ta ndihemi se po jetojmë tani. Në poezinë e Zaplluzhës qënia kërkon të shkojë në thelbin e vet, ndërkohë që forca shkatërruese të jashtme nuk vijnë për ta ndryshuar gjendjen, por për ta ruajtur atë.
Poeti është mjeshtër në teknikat poetike, shprehje e përvojës së gjatë krijuese. Përdorimi i metaforës në poezi është një nga aspektet më të rëndësishme të stilit poetik. Në poezinë e Zaplluzhës, metaforat e zgjedhura me shije të lartë artistike shërbejnë për të shprehur emocionet sipërore, ndjenja e përziera, marrëdhëniet e ndërlikuara, që kërkojnë të dalin përtej shprehjeve të përditshmërisë. Metafora e Zaplluzhës  shprehet në shumëkuptimësi e në disa nivele në poezitë e tij, duke bërë që vëllimi poetic, nga njëra poezi në tjetrën, të ketë vijueshmëri perceptimesh, emocionesh e mendimesh, të lidhura rreth idesë kryesore, atij, pra “pikëllimit të rrënjëve”. Kemi një të tashme të zhytur në rrënjë: lejlekë që enden, vjeshtë gri, shi vrastar, përrua i çmendur, lehje drurësh, kuaj të verbër, xhama të palarë të kujtesës, etj. Përsëritja e metaforave nga njëra poezi në tjetrën i jep vëllimit poetic thellësi dhe kompleksitetit të brendshëm. Metafora në poezinë e Zaplluzhës i ofron lexuesit mënyrat freskëta e shqyrtimit të ideve dhe këndvështrim original dhe befasues të botës. Në këtë vëllim idetë kombinohen në mënyrë të veçantë dhe të rastësishme, ndërsa teknikat letrare janë përdorur si mjet i shprehjes së një kuptimi artistik nëpërmjet gjuhës.
16900186_10210609634988336_593012558_n
Pikëllimet e rrënjëve
Shiu, i cili u ngjante fjalëve të grisura/ rri si një buf/ mbi çatinë e shembur të kujtesës/ Deri sa hëna e çmendur/ në një gjysëmrrethi magjik/ vallëzonte me meteorët endacakë//.
Simbolika në letërsi është një lëvizje komplekse që qëllimisht zgjeron fuqinë ndjellëse të fjalëve për të shprehur ndjenjat dhe gjendjet e mendjes që shtrihen përtej vetëdijes së përditshme, duke projektuar ndjenjat e brendshme në botën e jashtme. Në poezinë e Zaplluzhës shiu nuk vjen për të gjallëruar, por për të asgjësuar dhe prishur gjendjen. Poezia ndërtohet mbi aksin kohor të raporteve të njeriut me kohën; e shkuara identitare me të tashmen, që shkon paradoksalisht në të shkuarën, sepse e tashmja me shi, rrebesh, shpëlarje të kujtesës, nuk na çon kah ardhmëria.
Në poezinë “Trokasim në dritaret e drynave të dylltë”, poeti i vendos dry të hekurt kohës. Ajo që e hap këtë derë dylli është fjala. Këtu fjala nuk vdes, ajo e zhbën kohën dhe vjen si dëshmi e saj. “As pëshpëritje nuk ka; kur vdesin fjalët nuk ndizet qiriu” shprehet poeti.
Dritarja në poezinë e Zaplluzhës simbolizon fluturimin. Ja si vjen ajo në vargjet e një poezie: Kur i humbim fjalët/ ose mbesim si koçan i mykur në bahçe/ dalim nga kujtesa dhe trokasim/në të gjithë portat e hapura/ trokasim në dritaret e drynave të dylltë//.
adem
Adem Zaplluzha
Poeti nuk dëshiron të hyjë rrëshqanthi nga toka në bujtinën e vet, por nga dritarja, andej nga hyn drita dhe jeta. Ai shprehet se “nuk na e kanë mbyllur derën, por dritaret kanë dryna të dylltë”. Dera nuk merr përmasa drite, ajo është vendosur afër tokës dhe nuk është e përzgjedhura e poetit. Ndryshe dritarja, ajo flet shumë që nga emërtimi dhe funksioni simbolik i saj, si e vetmja portë, ky hyn ardhmëria. Simbolika e dritares rimerret në poezinë tjetër “Të thashë mos i mbyll dritaret”. Kjo poezi është një thirrje e kujtesës. Ajo na kujton se koha e mbështjell kujtesën me harresë. Poeti kërkon që të mos e mbyllim dritaren e kohës, se pot ë ndodhë kjo, do të bjerrim thelbin identitar e në atë gjendje, natyrshëm vjen thirrja:
Të thashë mos i mbyll dritaret/ nëse i dëgjon të trokiturat/ Hape mendjen/ bëri sytë katër si kokrrat e ullirit/ Te pragu do pres si baba dimri/ Është koha për t’i kyçur dritat e bredhit//.

Imazhet poetike e bëjnë poezinë e Zaplluzhës interesante. Poeti është mjeshtër i përdorimit  të detajeve ndijore, i një shtrese kuptimësore më të thellë të simbolikës së poezive të tij.

Do të dal sot në dritë/ do qëndroj ulur te pragu i dhimbjes/ aty ku zënë fill mëkatet/ Me një gazetë të vjetër në dorë/ do i përzë mizat e bezdisshme//.

Poezia e Zapplluzhës është shprehje e gjendjes dhe nuk merr përsipër transformimin e saj. Poeti është fatalist. “Fara e keqe po mbin”, – shprehet ai, dhe në atë realitet poetik nuk mund të marrë frymë, i dhemb truri, ndjenjat i janë dobësuar, i grimcohen thonjtë, shkurt po vuan.
Poeti e ruan vuajtjen për vete, i bindur se është një vuajtje kolektive, ndaj të cilës kombi si organizëm i gjallë duhet të veprojë si një organizëm i gjallë përmes sistemit imunitar të vetëmbrojtjes.
Poeti Zaplluzha reflekton mbi forcën e të keqes, duke e parë të tashmen jo si “ruajtëse e vlerave”, por si “mbjellëse të farës së keqe”.  Mbijetesën shqiptare poeti e përcjell në kohë, gjithmonë me plagë të pambyllura, kur sapo zë të shërohen të vjetrat, lindin plagë të reja, si pjesë e fatalitetit tone ende në udhëkryq.
Autori e përdor me mjeshtëri simbolikën e lisit dhe të rrapit që vetvetiu lidhen me simbolikën e rrënjë që mundësojnë qëndrimin në këmbë.
Në ciklin e dytë “Përveç kollitjes së drynave” kemi një reflektim mbi fatin e njeriut që e ndjek nga pas atë. Këtu dhimbja nuk kthehet në forcë, e keqja nuk zhduket, fataliteti nuk shndërrohet në sfidë, por ngelet si gjendje dhe pamundësi.  Kollitja e drynave është nje metaforë e pamundësisë së hapjes së dyerve, se kur “kolliten drynat” dera  nuk mund të hapet më kurrë.
Ky cikël poetik shpreh një të tashme të zhbërë, me fatin tragjik që e përcjell, si një pamundësi për kapërcimin e gjendjes. Vetë titulli i ciklit jep përpjekjen për t’i ikur fatit. Në poezinë “Përveç kollitjes së drynave” autori ndër të tjera shprehet:
Nëpër rrugët e kalldrëmta të lashtësisë së harruar/ bredhin turtujt e vjeshtës/ asnjë zog tjetër nuk banon këtu//. Me qindra vjet trokita në portat e mbyllura/ asgjë nuk pashë, as dëgjova/ përveç kollitjes së drynave//.

Cikli i tretë i vëllimit poetik “Kur mbërrijmë në fund të rrugës” pasqyron të tashmen, e cila nuk është vetëm një përsëritje e ciklit fatalist të njeriut dhe popullit fatkeq, që për shkak të rrethanave historike jeton më shumë në të shkuarën se në të ardhmen.

Një ditë si makthi zgjohet/ me buzëqeshjen e shfrenuar/ kurse ditën tjetër/ nuk i hapet asnjë portë në jetë//.

Në tërësi, vëllimi poetik “Pikëllimet e rrënjëve”, me të tri ciklet e tij, shpreh përpjekjet e suksesshme të autorit për të na zbuluar atë që nuk mund ta kapin shqisat e njeriut të zakonshëm.  Në ciklin e parë kemi reflektim mbi kohën; në të dytin fatalitetin historic, në të tretin përpjekjet që mbeten pezull, se nuk japin atë që duhet.
Poezia e libri “Pikëllimet e rrënjëve” shpreh  një reflektim kolektiv, të shprehur me një gjuhë metaforike dhe simbolike, që janë përdorur me mjeshtëri. Poeti kapërcen ndjesinë e përshtatjes, duke kaluar në një kohë tjetër, si një reflektim personal mbi fatin e vet.Ai është në kërkim të arsyes dhe kuptimit kundër moskuptimit, keqkuptimit dhe asgjësë. Është një botë shqetësimesh njerëzore identitare që në periudha pushtimesh, çekuilibresh shoqërore, apo dhe të integrimeve globale përbëjnë shqetësime për popujt e vegjël që janë në përppjekje për t’u imunizuar, mbrojtur dhe integruar, pa bjerrjen e thelbit të vet.
Poezia e poetit Adem Zaplluzha buron së brendëshmi nga shpirti i poetit si një monolog, dialog dhe thirrje qytetare. Zaplluzha është mjeshtër i fjalës, poet original i përjetimeve të holla, krijues i vargut të gdhendur dhe figurave të zgjedhura. Të gjitha poezitë e këtij vëllimi qëndrojnë bashkë për të deshifruar njëra tjetrën, si pjesë  reflektimesh të bashkuara rreth shqetësimit njerëzor. Poeti Adem Zaplluzha është në kërkim të domethënies ekzistenciale, që e shpreh me vargje, për në na kujtuar se fjala është çelësi për të ndriçuar horizontet trunore dhe labirintet shpirtërore të individëve.

Pathënia e vëllimit poetik “NË ANËN TJETËR TË MENDJES” të autorit Adem Zaplluzha.


Iliaz Bobaj
Nga: Iliaz  BOBAJ


‘’Ju lutem njerëz
Ndalini këta zjarre të mëdhenj
Ju përgjëroj ndaleni vdekjen
Se kështu
Vdes atdheu im në mjerim…’’

Me këtë britmë njerëzore, ku shqetësimi i tij poetik arrin deri në faltoret e përgjërimit njerëzor, poeti i mirënjohur Adem Zaplluzha u drejtohet lexuesve të vet me një seriozitet, i cili kurrsesi nuk të lë të qëndrosh indiferent ndaj një britme të tillë, poetike dhe njerëzore njëherësh, ku dhimbja ia kalon shumë e shumë herë gëzimit të pakët të kohës sonë  dhe shpërthimit të saj nuk i fashitet asnjë grimë prej forcës së gjëmimit.


adem
Adem Zaplluzha

Ai duket sikur i është larguar krejtësisht kësaj kohe vrastare dhe ka shkuar në ‘’anën tjetër të mendjes’’, në atë anë ku ai mund të rrijë dhe ta gjykojë i qetë kohën tonë, t’i shohë lirshëm të gjitha plagët e saj dhe t’ia shpërfaqë lexuesit, pa mbuluar asgjë nga plagësia e tyre.
Në këtë mënyrë poeti Adem Zaplluzha është i sinqertë me lexuesin e vet, duke u bërë kështu edhe bindës në mesazhin poetik që i përcjell atij.
Në të kundërt, shqetësimi i tij prej poeti do të ishte i pamjaftueshëm edhe për atë vetë, edhe për shoqërinë e sotme, për të cilën:

‘’Rrugët e ngushta s’po na zënë
Kurse nëpër ato të gjera
Rreptësishtë ndalohen
Në çdo kohë
Hyrjet e këmbësorëve…’’

Edhe pse hera – herës është i rreptë si një despot ndaj kësaj shoqërie, ai nuk bie asnjë grimë më poshtë në qëndrimin ndaj vetes së vet. Dhe kjo e mban tepër komod në qëndrimin e tij. Rreptësia e poetit është pjesë e mesazhit të tij poetik. E ngre krejt natyrshëm veprën e tij. Si pjesëtar aktiv i kësaj shoqërie, ai ndjen përgjegjësinë e tij të plotë, të cilën e thekson në vargje të pakët, por me një forcë të admirueshme poetike:

‘’Aq pak kam me të dhënë
Sa që turpërohem prej vetvetes
Po ta lë vetëm dashurinë peng’’.

Duke lënë peng pikërisht dashurinë, ai ka lënë peng gjënë më të shtrenjtë, më të hijshme dhe më njerëzore që ka njeriu.


13957586_1191192907599823_1901561928_n
NË ANËN TJETËR TË MENDJES

Më të fuqishmen, më sublimen, gjithashtu. Ky tregues shpërfaq bujarinë e tij poetike ndaj lexuesit të vet. Dhurata të tilla lexuesit i bëjnë vetëm poetët e vërtetë. Adem Zaplluzha është një poet i tillë. Ai hyn me dinjitet në sojin e atyre që dëshirojnë dhe marrin përsipër të arnojnë shpresat e grisura të njeriut. Jo vetëm të individit.
Individi është hallka e ‘’zinxhirit’’ poetik të poetit. Por ai di ta ‘’lidhë’’ këtë hallkë bukur mirë në ‘’zinxhirin’’ e vet poetik dhe ta vendosë atë në vendin dhe në madhësinë  e duhur, për të qëndruar harmonikisht me shoqërinë ku ai jeton. Kjo vendosje kërkon një mjeshtëri të veçantë, por është pikërisht kjo vendosje e kujdesshme, ajo që konturon në masën e duhur përmasimin e mesazhit poetik nga individi tek e gjithë shoqëria, madje tek të gjithë popujt, sepse:

‘’Popujt që flenë
Përherë zgjohen të përgjumur’’.

E gjithë tematika e krijimtarisë së tij në këtë libër, i takon asaj shoqërore. Në këtë prizëm, mendoj se ajo ka një plotëri admiruese. Edhe figura artistike duket se është përzgjedhur dhe vendosur me kujdes të veçantë, duke mbajtur të gjallë hapin e ritmit dhe muzikalitetin e vargut. Sidomos metafora, e cila jo pak herë merr përsipër një ngarkesë artistike jo të zakontë, duke e përforcuar dhe ngjeshur dukshëm lëndën poetike.
Në këtë pikë mendoj se duhet pasur kujdes i madh në ndonjë përsëritje në plagjiaturën e poezisë së tij.
Por gjithsesi do ta përgëzoja sinqerisht për punën e tij të palodhur dhe plot pasion, si autor i mbi 135 librave, gjë që përbën edhe një rekord krijues në letërsinë tonë.
Ky është një kontribut jo i zakonshëm, që duhet vlerësuar dhe nderuar si i tillë. Autorët e hapësirave të tilla sasiore, janë të pakët dhe numërohen me gishtat e dorës.
Si redaktor i këtij libri, doja ta përgëzoja sinqerisht autorin, të ftoja lexuesin  dhe ta garantoja atë, se në faqet e tij do të ndjejë një kënaqësi artistike të veçantë. Nga ato që të jep poezia e vërtetë.

MEDITIME RRETH VËLLIMIT POETIK: “FLUTURAT PREJ LETRE” TË AUTORIT ADEM ZAPLLUZHA

14365449_1223191007733346_1402167129_n


Nga Prof. Lutfi ALIA

Dy muaj të shkuara, miku im, poeti i talentuar, mjeshtri i vargjeve të pa shterura, atdhetari Adem Zaplluzha, më dërgoi vëllimin e ri me poezi “Fluturat prej letre”.
I lexova poezitë pa u ndalur, u zhyta dhe udhëtova së bashku me autorin në lumin e strofave dhe varg pas vargu, arrita të kaloj në bregun tjetër, i kënaqur me bukurinë, forcën dhe thellësinë e poezive, por nuk u nginja, andaj iu riktheheva dhe i rilexova, pikërisht i rilexova, sepse janë poezi të shpirtit dhe të kulturës kosovare, që Ademi i shpreh me të gjitha ngjyrat, format dhe ndjesitë.
U mrekullova nga vargjet e këtij poeti modern e postmodern, me krijimtari sasiore dhe shume cilësore dhe duke e analizuar kompleksin e veprës së tij poetike, them se Adem Zaplluzha zë një vend nderi në majat e letrave shqipe të ditëve tona, andaj pa rezerva e rendis përkrah Isamil Kadaresë,Dritëro Agollit, Xhevahir Spahiut, Moikom Zeqos, Fatos Arapit, Azem Shkrelit, Ali Podrimes, Beqir Musliut, Frederik Rreshpes dhe të shumë poetëve të tjerë të shquar të kombit tonë.
Kam lexuar shumë vëllime poetike të tij dhe kënaqësia ime ishte, se dhe në vëllimin e 139° – “Fluturat prej letre”, përsëri e gjeta Ademin ashtu si është, i vërtetë, plot ndjenja delikate, i thellë, atdhetar, i mbushur me copëzat e jetës së tij, të pandara nga të Kosovës martire, ku secila poezi përbën histori më vete, me shembuj vlerash, virtyti, shqetësimi dhe optimizmi.
Ademi i thur poezitë në mënyrë origjinale, të papërsëritshme dhe i përjeton me tension personal,  si një kërkim i brendshëm, nga njëherë dhe me ngjyra metafizike.
Adem Zaplluzha është qytetari – poet, sa i thjeshtë aq edhe akademik, sa i shkujdesur aq edhe i vëmendshëm, sa rrëfimtar aq edhe filozof, sa kritik aq dhe jokonformist, sa i rrepte dhe i papajtueshëm, po aq njerëzor dhe fisnik.
Ademi ka krijuar universin e tij poetik, ku jeton dhe thur mjeshtërisht poezi  plot art.
Poezitë e Ademit janë lidhje jetike me vendlindjen, me Kosovën martire, me kujtimet e fëmijërisë dhe ngjarjet aktuale, me dinamizmin shoqëror, me jetën intensive, me natyrën, me atdheun dhe këtë mjedis të gjerë përjetimi, e ka shndërruar në poezi, në një univers-metaforë.
Me poezitë e shumta, Ademi këndoi në një vend ku liria, dikur konsiderohej “utopi”, andaj denjësisht hyri ne radhët e poetëve të rebeluar, ata të racës zemërake, që shpërthen vrullshëm duke trazuar jetën dhe qetësinë e tij për të thënë me poezi të vërtetat, duke i shprehur mendimet në mijëra e mijëra vargje, që i gdhendi me guxim në librat e shumtë.

adem
Adem Zaplluzha

Ademi i përket një plejade poetesh patriotë, që luftuan me kurajo në rilindjen e Kosovës, në fitimin e lirisë, në krijimin e shtetit të pavarur e sovran në trojet e lashta Dardane. Ky terren i zjarrtë, e frymëzoi të shkruaj shumë poezi moderne e postmoderne, ekzistencialiste dhe sociale, surrealiste dhe simbolike, madje dhe haiku, pra shumë poezi, ku ndërthuren miti i prejardhjes, kulti i vendlindjes, hyjnizimi i lashtësisë, atdhedashuria, krenaria për historinë tonë, për njeriun, për shqiptarët.
Krijimtaria poetike e Adem Zaplluzhës është e mbushur me poezi të shpirtit të lirë me  poezi të shpirtit të patriotit, prandaj dhe lirika e tij kapërcen tej poetit.
Udhëtimi i gjatë poetik i tij, është udha e njeriut që vuan mundimin e shekullit, sfilitjen e fatit historik kombëtar, qysh prej kohërave pagane e deri në ditët e sotme; janë poezitë e njeriut që lumturohet prej mirësisë dhe që vetëflijimin për botën e madhe, e sheh pothuajse si asgjësim kronologjik të jetës.
Ademi është poeti i një formati të madh dhe zëri përfaqësues, i plotë dhe i fuqishëm i disa brezave poetësh shqiptarë i shtrirë në dy shekujt, ku ai lartësohet si një prej më të mirëve.
Ademi nuk shkruan poezi shkolle, poezi libri, as poezi për poezi, por shkruan poezi shpirti dhe në krijimtarinë e gjerë poetike, ruan individualitetin e tij, nuk ngjan me poetët e tjerë, është origjinal, është vetë Adem Zaplluzha
Poezitë i ka të mbushura me figura të shumta letrare, i ka thurur me shprehje metaforike dhe me simbolikë të rafinuar, shpesh me gjuhë Ezopike, i ka plot ndjenja, me përplasje idesh, të qëndisura me frymë lirike dhe me zhvillim dramatik të vargut, me një figuracion të plotë, por kryesisht me ide të thella shprehëse.
Vëllimin e ri me poezi “Fluturat prej letre”, me këtë titull metaforë elegante, që të nxit kureshtjen të zbulosh çka na tregon kësaj radhe me librin e ri, por jo të fundit.
“Fluturat prej letre” Ademi e ka konceptuar në tre cikle, një triptik elegant me aromë ngrohtësie dhe me shpirtin e ndjeshëm e të zjarrtë kosovar, që i ka shprehur në vargje të lidhura me art, që të frymëzojnë, të ushqejnë, të gëzojnë e të bëjnë të bashkëjetohet me poezitë e tij e njëkohësisht të ngjallin entuziazëm shpirtëror.
Poezitë e vëllimit të 139°, dhe pse të ndara në tre cikle, në fakt përbëjnë të njëjtin korpus poetik  Zaplluzha, i shprehur me stilin e tij origjinal, me poezi të renditura bukur estetikisht, të mbushura me figura letrare, me metafora të shumta elegante, me epitete dhe simbolikë artistike, që shprehin si kulturën e tij letrare, por dhe botën e pasur shpirtërore dhe artistike të autorit.
Në këtë libër të ri, Adem Zaplluzha shpalos një krijimtari poetike me pasuri Kadareane, me dendësi dhe analogji Agolliane, me hermetiken e Xh. Spahiut dhe simboliken tipike te lirikës kosovare. Ademi i qëndron besnik stilit të tij të poezive, kështu herë shprehet me fantazi, herë bën abstraksion, herë rrëfehet me fjalë të thjeshta, herë të tjera me poezi të mbushura me figura të shumta letrare, por të gjitha të thurura me art e të mbushura me shpirtin e tij të ndjeshëm dhe me talentin e tij poetik.
Një veçori e krijimtarisë poetike të Ademit është se ai nuk e respekton traditën për të zgjedhur tituj të thjeshtë për poezitë e tij, përkundrazi është mjeshtri i titujve metaforikë, që në fakt janë vargje të vetë poezisë, janë lajtmotivi i vetë poezisë. Kështu dhe në këtë aspekt, Ademi e konfirmon veten si mjeshtër i vargjeve dhe metaforave të kompozuara përmes një fantazie të veçantë filozofike
Në ciklin e parë “Deri në dhimbjen e tokës”, poeti nuk largohet, nuk e braktis epopenë e jetës së përditshme dhe duke e përjetuar nën tension dhe me preokupim qytetar, lëviz ndërmjet pengesave dhe vështirësive, që i shpreh me një simbolikë admiruese.
Në poezinë e parë me titullin metaforik: “Kurse nën pemët e ngrira”, vargjet janë të mbushura me simbole të transfigurimit të udhëtimit të tij shpirtëror, që e mbush me dimensione materiale, andaj duke jetuar realitetin, kërkon me emocione, që natyra të mos i dhuroi thjeshtë indiferencën e ftohte dhe izoluese, por forcën që t’i shembi pengesat, si shprehet ne vargjet:
“Nuk di se sa shumë i ngjante ajo hije
Vdekjes sime
Ose vetëm unë i përngjaja pasqyrës
Por gjithsesi
Ishte një hije e murrme
Mes meje dhe murit të rrënuar”.

Në poezitë: “Kishte ngjarë një ikje e madhe” dhe “Ose më janë zbehur kujtimet”, autori shpreh  dëshira, që nuk përkojnë me përkatësinë e poetit, janë nostalgji pa emër, energji që lëvizin në vuajtjen e qenies njerëzore dhe në jetën e poetit:
Asgjë më nuk ju pyeta
Më duket se kishin vdekur fjalët
Një gur i murrmë rrokullisej tërmal
Era e dërmuar dëneste si kalama.

Aktualisht Ademi është poet i moshës mature dhe me eksperiencë në jetën shoqërore dhe letrare, andaj nuk i shmanget poezisë sociale. Gjatë festimit të Ditës Botërore të Poezisë, më 21 mars 1999 në Paris, në proklamën e UNESCO-s, u theksua: “Është detyrë e rëndësishme, rikuperimi i vlerave sociale të poezisë, si mjet rezultativ për rizgjimin e ndërgjegjes”.
Ky sugjerim është i drejtë, pasi në ditët e sotme, poezia sociale konsiderohet e konsumuar, aq sa dhe institucionet nuk impenjohen ta promovojnë. Ndryshe nga kjo prirje e përgjithshme, poezia sociale shqiptare vazhdon traditën e saj dhe mbetet vitale.
Poeti hermetik Ungareti në poezinë “Allegria” shkruan:
Jam një poet
një kushtrim i përgjithshëm
jam një grumbull ëndrrash
jam një fryt
me kontraste të shumta shartesash
i pjekur në sera.

Si shihet nga këto vargje, kufiri ndërmjet poezisë lirike, si shprehje puro e Uni (Io) dhe poezisë sociale, janë shumë të hollë, sa të dyja shkrihen në njëra-tjetrën, por në të njëjtin mënyrë, si e denoncon preokupimin personal, Ungareti tregon qartësisht kohën e tij, kohë në të cilën ai jetoi dhe njëkohësisht filloi të kërkoi rrugëdaljet dhe shtysat për ndryshim, kësisoj poezia e tij, u bë instrument i afirmimit të identitetit të shoqërisë moderne, e shprehur si ndërgjegje sociale.
Në vitet e shkuara, poezia sociale censurohej, shkruan miku im, kritiku dinjitoz Jorgo Bulo, por pushtetet politike kurrë nuk arritën ta ndalojnë, përkundrazi kjo poezi mori vrull të fuqishëm.
Adem Zaplluzha është poeti shqiptar, që nuk reshti të shkruaj poezi sociale, madje ato i mbushin të gjithë vëllimet poetike të botuara, andaj dhe në këtë libër të ri nuk mund të mungonin si në poezinë: “Deri në dhimbjen e tokës”, që i ka dhënë titullin ciklit të parë:

Vargan kolonadash prej mishi
Bredhin prej një kontejneri te tjetri
Kalamenden si zogjtë e braktisur
Tani shoh tek njerëzit e uritur
Se sytë qenkan më të thella se honet.

Në ciklin e dytë të poezive: “A thua vallë ajo ishte grua”, Ademi i thur strofat me vargje të lidhura mes tyre në mënyrë harmonike dhe kur i lexojmë, na japin kënaqësi. Vargjet janë të besueshme dhe të veshura në mënyrë elegante me figura të shumta letrare, sidomos me metafora, që na drejtojnë në labirinte të panjohura, plot me të papritura poetike, ashtu si është dhe jeta e autorit intensive, me tallaze dhe mundime.
Kur lexon poezitë e këtij cikli, kupton se Ademi luan me nocionin abstrakt të fjalës, tregon rëndësinë dhe etikën e saj në jetën e përditshme, ne realitetin e botës që e rrethon, ku ai është pjesëmarrës aktiv si shprehet në poezinë: “Rrugët ishin të gjata deri këtu”, ku shkruan:

Çfarë të ju tregoj sonte
Për plagët e një kohe të vrarë….

Botën e brendshme Ademi e shpreh me intimitet, me forcë, me dinjitet dhe personalitet dhe nga çdo poezi lexuesi merr një mesazh, përjeton emocione, të mbushura me ndjesi të bukura, por dhe me drithërima, që prekin shpirtrat e ndjeshëm njerëzor.
Në këtë cikël mbizotërojnë poezitë ekzistenciale dhe është e kuptueshëm, pasi si ka thënë Jean Paul Sartre, ekzistencializmi është humanizëm, andaj dhe shpirti i dëlirë dhe i ndjeshëm i Ademit, shkruan poezi ekzistenciale, ku shpreh ndjenjat delikate humane, sentimentet, mendimet e lira dhe të pa censuruara, pasi Ai krijon në një periudhë kur censura nuk ekziston.
Krijimtaria ekzistenciale insiston në vlerat specifike të ekzistencës individuale të njeriut, pra për rrjedhoje bie ndesh me idealizmin dhe racionalizmin e natyrisht me realizmin socialist.
Në poezinë: “A thua vallë ajo ishte grua”, Ademi shkruan:

Njëherë moti në një tjetër kohë
Takova një grua të pemët
Ndoshta ajo më takoi mua
Por gjithsesi ne u pamë atë ditë.,

Kështu i qëndron besnik stilit të tij të të shkruarit, ku herë ngre krye fantazia, herë abstraksioni, herë jeta dhe fjala e thjeshtë e kuptueshme, të gjitha të ndërlidhura në art, ku ndihet shpirti i tij i ndjeshëm dhe talenti poetik.
Në ciklin e tretë “Fluturat prej letre”Ademi rrugëton çdo ditë me poezinë, por jo si një udhëtar i rastësishëm, ai rend në shtigje poetike, të mbushura me metafora elegante dhe e drejton poezinë në labirintet e imagjinatës, ashtu si përshkruan ngjarje jetësore, ku lexuesi ndalet dhe gjen të gjitha gjendjet: trishtimin, gëzimin, lotin, dashurinë, mallin, thjeshtësinë, dashurinë për Atdheun, për njerëzit, për tokën, për çdo gjë.
Ai dhe kur shkruan trishtueshëm, vargjet i vesh me nota poetike, qe të përfshijnë në përjetime dhe me te njëjtat ndjesi ashtu siç i ndjen vetë autori.
Poezia e tij është një shtrat modernizmi, një stil tipik origjinal ku dhe nëse nuk lexon emrin Zaplluzha dallon menjëherë poezinë origjinale të tij.
Në këtë cikël poezish, vargjet shprehin transformimin e brendshëm shpirtëror, që e pasuron shpirtërisht lexuesin me fjalë dhe ndjenja të bukura, përballë situatave të ethshme psikosociale.
Brengat ekzistenciale, disfatat në jetë, vetmia moderne, frika dhe ankthi, janë tema të shpeshta në krijimtarinë poetike te Ademit, si shprehet ne poezinë metafore “Fluturat prej letre”, ku me vargje ekspresive shkruan:

Kur i shtron fjalitë mbi tryezë
Të duket disi se bisedon
Me tonet pasiononte të erës
Fluturat prej letre
Fluturojnë nëpër ledhet e së kaluarës …/

Me pasion i shpalosim gazeta e vjetra
Lexojmë disa kronika e zeza
Asgjë në këtë dhomë nuk është në rregull.

Poezitë e ciklit te trete të entuziazmojnë me forcën shprehëse, të përfshijnë në botën poetike të Ademit nga ku s’del dot më, pa e shijuar dhe pa e përpirë të plotë. Duhen ditë, t’i komentosh të gjitha poezitë e këtij vëllimi te ri, ende më shumë po të ndalesha në vargjet dhe në figurat e veçanta, të admirosh shumësinë e tyre në çdo poezi, në çdo varg, në çdo shprehje, në çdo fjalë.
Kur përfundon leximin e këtij vëllimi, me kënaqësi konstaton se fjalët dhe vargjet të renditura shkalle-shkalle, secila në vendin e vet dhe në fronin që i takon, herë duke ndërtuar një kështjellë lumturie, që të grish ta pushtosh, madje të bën dhe të fantazosh, herë të përshkruara me trishtimin e vetmisë, që të nxit ta mohosh, herë tjetër të vendosura me kujdes si një mozaik, ku ke dëshirë të ndalesh e të kundrosh ngjyrat e shumta dhe përmbajtjen, herë si lule aromëmirë, herë me poezi të mbushura me meditime të thella dhe filozofike, që të bëjnë të reflektosh jetën tënde.
Poeti i madh Oscar Wild, përsëriste shpesh: “Dua të jem një liber!” Shumë nga miqtë e tij e dëgjonin me skepticizëm, por të tjerët e kuptuan se ai kërkonte pak nga jeta e tij dhe në fakt koha vërtetoi dhe i dha të drejtë mjeshtrit të madh të poezisë, i cili kishte folur jo vetëm për veten e tij, por për të gjithë poetet e vërtetë. Shumë poetë lakmojnë të bëhen “një liber”, por jo të gjithë e gëzojnë këtë privilegj, ndërsa poeti Adem Zaplluzha, me lirikën e tij të pa shtershim , është bërë “libër”, libër i madh poetik.

Parathënia e vëllimit poetik “Enigmat e kashelashave” të autorit Adem Zaplluzha


“Enigmat e kashelashave”
 Konceptim metaforik dhe ndjesor i botës


11836853_1109796042381225_3948600738112130183_n
Nga Petraq Risto

Lexova në dorëshkrim librin “Enigmat e Kashelashave” të poetit nga Kosova Adem Zaplluzha dhe më ra në sy konceptimi metaforik dhe ndjesor i botës. Autori e vendos veten në një kënd dhe vëzhgon me ndjenja dashurie, dhembjeje dhe proteste gjithçka ndodh rrotull tij. Herë hesht dhe i ngre dallgët brenda vetes, herë nuk e duron dot heshtjen dhe kërkon të mbysë me dallgë metaforik padrejtësitë e shumta; edhe pse di të mallkoj, edhe pse di ta ngre zërin deri në kupë të qiellit, poeti e shikon botën me dashuri njerëzore, me pikëllim e shpresë…

Zëri im i ri
Si zëri i drurit të vjetër
Që gjethon në dimër.

Ademi i pëlqen detajet, imtësitë i vijnë rrotull si zogj në pranverë; në pasqyra sheh peizazhe dhe drama, ai apelon dhe thërret për të vërtetat që nuk duhet të fshihen pas kuintave se drama luhet kur perdet janë të hapura… Gjen shumë imazhe të gjalla në “pasqyrat e vdekura në horizont”.

Po s’dashurove askënd
Më mirë dashuroje pasqyrën
Dhe brendinë e saj të zbrazët.

Apo vargjet:

Një trishtil i vogël kishte mbetur mbi borë
Nga sqepi i të cilit si balsam
Pikonte dita e plagosur.

Ka shumë plagë në poezitë e Ademit, ka dhembje e hera – herës protestë. Motivet e librit janë të larmishëm, poeti operon me mënyrën e vet origjinale, me një prozodi të këndshme e të sinqertë, me vargëzim të shtruar, të rrjedhshëm, me figura të thjeshta, të drejtpërdrejta, pa sforcime.

adem
Adem Zaplluzha

Shqetësimet për kohën, për Kosovën, për globin, për jetën e përditshme, janë kthyer natyrshëm në eshtra, muskuj, gjak dhe zemër të këtij vëllimi.  Adem Zaplluzha të josh me thjeshtësinë e vet, pa thirrje në zbrazëti.

Ecjen e patëm tepër të gjatë
Kur na i prenë lukunitë rrapet
Ne domosdo
Na duhej sërish të ecnim
Se përndryshe nuk do e shihnim fillimin.

Në këto vitet e fundit baca Adem ka shkruar e botuar shumë libra, gjë që tregon për një rinim të tij dhe për energji të pashterrshme. Edhe ne të ardhmen kolona e poezive të poetit Adem Zaplluzha do të zgjerohet, do të fitoj edhe më shumë pjekuri dhe cilësi dhe uroj që të ngjitet në majat e suksesit.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...