2017-09-19

Timothy Less e mbështet idenë e tij në vegimin e Woodrow Wilson-it për vetëvendosje të popujve.


Timothy Less, drejtor i Nova Europa, një konsulencë e riskut politk, si edhe ish-diplomat britanik në Ballkan, përsëri ka dalë me tezën e tij se zgjidhja më e qëndrueshme në Ballkan është krijimi i Shqipërisë së Madhe, Serbisë së Madhe dhe Kroacisë së Madhe, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Timothy Less: Te ndryshohen kufijte e Ballkanit, te krijohen shtete etnike

Less propozon që të ndryshohen kufijtë e Ballkanit, ndërkaq rolin kryesor në këtë drejtim duhet ta ketë SHBA-ja. Ai konsideron se serbët dhe kroatët në Bosnjë punojnë për të sfiduar Marrëveshjen e Dejtonit, ndërkaq shtonë se shqiptarët në Maqedoni bëjnë thirrje për federalizim të vendit. Less përmend edhe serbët e Kosovës që insistojnë në enklava vetëqeverisëse, duke mos lënë anash edhe shqiptarët e Preshevës për një entitet vetëqeverisës.


Ish-diplomati Less propozon që Washingtoni të mbështetë ndarjen e shteteve shumëetnike ku minoritetet kërkojnë diçka më tepër se që e kanë. Kështu, sipas Less, kroatët në Bosnjë do të bashkoheshin me Kroacinë, kurse serbët me Serbinë; Veriu i Kosovës do të bashkohej me Serbinë, ndërkaq Lugina e Preshevës, Kosova e mbetur, një pjesë e Maqedonisë do të duhej t’i bashkoheshin Shqipërisë. Dhe, Mali i Zi duhet të mbetet shtet i pavarur, ose të bashkohet me Serbinë, duke e humbur një pjesë territori shqiptar.

Ç'farë kanë shkruar të dashuruarit?

Kanë pushtuar popuj me miliona banorë, por kanë qenë rob i një njeriu të vetëm. Kanë qenë të lavdishëm e të papërkulshëm, po një njeri i vetëm i ka bërë aq sa melankolikë dhe të thyeshëm. Autorë të më të mëdhenjve veprave pa limit fantazie, po aq sa pengje të një letre dashurie. “Zot, çfarë do të bëhet me mua, tani që ti më ke privuar nga arsyeja?” i shkruan mbreti i letërsisë franceze, Honore de Balzak konteshës polake Evelina Hanska.

Një tjetër shkrimtar, Volteri, për hir të dashurisë do të arratisej nga burgu për të qenë pranë të dashurës së tij Olymbe Dunover, një vajzë e varfër që ai e dashuronte marrëzisht. “Unë jam burgosur këtu në emër të mbretit; ata mund të më marrin jetën, por jo dashurinë që ndjej për ty”, i shkruan në vitin 1713 të dashurës së tij, disa minuta para se të arratisej. Por dashuria nuk është e bukur vetëm në letrat e shkrimtarëve, por edhe në atë të udhëheqësve. “Ti je jeta në mua. Kur ti nuk je pranë meje, unë pres kthimin tënd që të filloj të jetoj sërish”, i shkruan presidenti amerikan, Ronald Regan, bashkëshortes së tij për 31 vjetorin e martesës.

Edhe Napoloni, perandori i egër francez i shkruante me ëmbëlsi Zhozefinës, bashkëshortes së tij të parë. “Zhozefinë, do të të shoh brenda tri orëve. Deri atëherë, e dashura ime e ëmbël të dërgoj njëmijë puthje, por mos më jep asnjë si shkëmbim, pasi ato ma ndezin gjakun më keq”.

Çfarë i shkruanin mbretërit, perandorët e presidentët vajzave që u kishin robëruar zemrat? Fjalët e ëmbla të Hygoit, Gëtes, Xhek Londonit, Xhejm Xhojsit dhe dashuritë e vështira të Franz Kafkës, Lord Bajronit e Bethovenit.

Napoleoni i shkruan bashkëshortes së tij, Zhozefinës,

Paris (1795)

Kam ecur me mendjen mbushur me mendimet për ty. E ëmbla ime, e pakrahasueshme ç'efekt të çuditshëm ke mbi zemrën time. Por çfarë mbetet akoma kur nga buzët e tua, zemra jote merr një dashuri që më tret si zjarri? Je e zemëruar? Pse më dukesh e trishtuar? Je e shqetësuar?... Sa dhimbje ndjej në shpirt! Ti do të largohesh në mesditë. Do të të shoh brenda tri orëve. Deri atëherë, e dashura ime e ëmbël të dërgoj njëmijë puthje, por mos më jep asnjë si shkëmbim, pasi ato ma ndezin gjakun më keq.

Viktor Hugo për Adele Foucher

1821

E dashur!

Kur dy shpirtra të cilët kanë kërkuar njëri-tjetrin për aq kohë për t'u rigjetur në më fund..., një bashkim i furishëm dhe i pastër si vetë ato... fillon në tokë dhe vazhdon përjetë në parajsë. Ky bashkim është dashuri, dashuri e vërtetë..., një besim i cili hyjnizon të dashuruarin, një bashkim jeta e të cilit rrjedh nga përkushtimi dhe pasioni dhe për të cilin edhe sakrificat më të mëdha janë kënaqësi të ëmbla. Kjo është dashuria që ti më bën të ndiej... Shpirti yt është krijuar për të dashuruar me pastërtinë dhe pasionin e engjëjve.
I yti përgjithmonë

V.H

Robert Schumann për bashkëshorten e tij Clara Schumman
1838

E dashur, kam qarë nga gëzimi duke e ditur se e je e imja dhe shpeshherë e pyes veten nëse të meritoj. Dikush mund të mendojë se në zemër e në mendje asnjë burrë nuk mund të grumbullojë në zemër aq shumë gjëra në një ditë... Por sa i
lumtur ndihesha dje e pardje! Nga letrat e tua buronte një shpirt fisnik, një besim e një mal me dashuri.
Çfarë nuk do të bëja për dashurinë tënde!

Winston Churchill pwr bashkëshorten e tij, Clemmie Churchill
10 gusht, 1894
E dashura ime Clemmie!

Në letrën që më dërgoje nga Madras shkruaje disa fjalë shumë të dashura për mua, se si unë e kisha bërë më të mirë jetën tënde. Nuk mund të ta përshkruaj kënaqësinë që më dhe sepse gjithnjë jam ndjerë aq shumë në borxh me ty, gjithnjë nëse në dashuri mund të mbahen llogari... Se ç'do të thotë të jetoj gjithë këto vite në zemrën dhe praninë tënde, nuk ka fjalë që ta përshkruajnë. Koha kalon shpejt, por nuk ka asgjë më të gëzueshme se sa të shohësh sa i madh dhe si shtohet thesari që ne kemi grumbulluar së bashku nëpërmjet stuhive e trishtimeve të miliona viteve tragjike, të tmerrshme e plot ngjarje.
Bashkëshorti yt i dashur

Lord Bajron, drejtuar Tereza Guiçiolit
25 gusht, 1819
E dashura ime Tereza!

E kam lexuar këtë libër në kopshtin tënd; dashuria ime ti nuk ishe aty, përndryshe nuk do të mund ta kisha lexuar. Është një prej librave të tu të preferuar dhe shkrimtari ishte një miku im. Ti nuk do t'i kuptosh këto fjalë në anglisht dhe të tjerët nuk do t'i kuptojnë, çka është dhe arsyeja pse nuk i kam kthyer ato në italisht. Por ti do të njohësh shkrimin e atij që të deshi me pasion dhe ti do ta zbulosh atë nëpërmjet një libri që ishte i yti se ai mund të mendonte vetëm për dashurinë. Nga ajo fjalë e bukur në të gjitha gjuhët, por mbi të gjitha në gjuhën tënde "amor mio" përbëhet ekzistenca ime këtu e më vonë kudo që të jem. Unë e ndjej se ekzistoj këtu ku jam dhe e ndjej se do vazhdoj të ekzistoj për atë qëllim që di të përcaktosh; fati im gjendet në duart e tua. Unë të dua dhe ti më do, të paktën ashtu siç më thua dhe siç vepron, çka të paktën është një ngushëllim i madh. Por ajo që ndjej për ty është më shumë se dashuri. Unë nuk mund të pushoj së dashuri ty. Mendo për mua ndonjëherë, nëse Alpet dhe oqeani do të na ndajnë, por ato nuk do të munden asnjëherë, vetëm nëse ti e dëshiron një gjë të tillë.

Ronald Reagan për bashkëshorten e tij
4 mars, 1983
E dashur Zonjë e Parë!

E di se sipas traditës këtë mëngjes unë duhet të vendos kartolina të tipit "Gëzuar Përvjetorin!", në tabakanë ku ndodhet mëngjesi yt. Por gjërat janë disi të ndërlikuara. Unë i zëvendësova ato me një dhuratë të cilën e dorëzova disa javë më parë. Sidoqoftë kjo mbetet dita që shënon 31 vite lumturie, të tillë që rrallë burrave u ndodh. Të kam thënë njëherë që kjo ka qenë njësoj siç e ëndërron një adoleshent martesën. E akoma mendoj njësoj. Ti e di se unë e dua fermën, por këto dy ditët e fundit ma kanë bërë më se të qartë se unë e dua atë vetëm kur ti je aty. E kjo është e vërtetë për çdo vend, në çdo kohë. Kur ti nuk je aty, unë nuk jam askund, vetëm një i humbur në kohë e hapësirë. Unë ndjej më shumë se dashuri për ty, unë nuk jam i plotë pa ty. Ti je jeta në mua. Kur ti nuk je pranë meje, unë pres kthimin tënd që të filloj të jetoj sërish.
Gëzuar përvjetorin dhe faleminderit për 31 vitet e mrekullueshme!

Të dua
Bashkëshorti yt mirënjohës,
Ronald

Pierre Curie për bashkëshorten e tij Marie, të dy kimistë që kanë fituar çmime Nobel
E dashur Marie!

Asgjë s'do të lumturonte aq shumë sa një lajm nga ty. Ideja se do të qëndroj dy muaj pa dëgjuar për ty ka qenë tmerrësisht e papëlqyeshme për mua: Kjo është sa për të të thënë se letra jote e shkurtër ishte më se e mirëpritur nga unë. Shpresoj se ti do të kthehesh këtu tek ne në tetor. Ndërsa për sa më përket mua, mendoj se nuk do shkoj gjëkundi, do të qëndroj në fshat, ku e kaloj gjithë ditën para dritares së hapur apo në kopsht.Ne i kemi premtuar njëri-tjetrit, apo jo? - Që të jemi të paktën miq të mirë. Kjo vetëm nëse ti nuk do të ndërrosh mendje. Sepse nuk ka premtime që s'janë të domosdoshme, disa gjëra nuk mund të ndodhin vetëm se ashtu të duket më e drejtë. Do të ishte mirë gjithashtu, gjë të cilën unë s'guxoj ta besoj se mund të ndodhë, që të kalonim jetët tona pranë njëri-tjetrit, të hipnotizuar nga ëndrrat tona: Ëndrra jote patriotike, ëndrra jonë humanitare dhe ëndrra jonë shkencore.

Nga gjithë këto, ajo e fundit besoj se është më arsyeshmja. Me këtë dua të them se ne jemi të pafuqishëm të ndërrojmë rendin social dhe, edhe nëse nuk do ishim ne nuk do dinim se çfarë të bënim. Nga këndvështrimi shkencor në të kundërt ne mund të shpresojmë të bëjmë diçka, toka në të cilën shkelim këtu është më solide dhe çdo zbulim që bëjmë, sado i vogël qoftë, do të mbetet dituri e përftuar. E sheh se si funksionin: Kemi rënë dakord që do jemi shokë të mirë, por nëse ti largohesh nga Franca për një vit, do të kthehej në një miqësi platonike, atë të dy krijesave të cilat s'do ta shohin më njëra-tjetrën. A nuk do ishte më mirë sikur të qëndroje këtu me mua? E di se kjo pyetje të zemëron dhe se ti nuk do të flasësh më për këtë gjë, por gjithashtu unë ndihem aq i pavlerë para teje. Mendova të kërkoj lejen tënde për të të takuar, kështu si rastësisht në Fribourg. Por ti po qëndron atje nëse nuk jam gabuar, vetëm për një ditë dhe atë ditë ti sigurisht që do jesh në dispozicion të miqve tanë, Kovalskis-ëve.
Më beso, besniku yt
Pierre Curie

I mbyllur në burg për ta ndaluar që të takonte Olymbe Dunover, vajzën e varfër të një gruaje të shtresës së ulët, Volteri u arratis pak pasi shkroi letrën.
Hagë 1713

Unë jam burgosur këtu në emër të mbretit; ata mund të më marrin jetën, por jo dashurinë që ndjej për ty. Po, e adhuruara ime, sonte unë do të të shoh ty edhe nëse do të më duhet të lë kokën për këtë gjë. Për hir të Zotit, mos mu drejto me terma të tillë shkatërrimtarë kur shkruan; ti duhet të jetosh dhe të jesh e kujdesshme; ki kujdes nga zonja, mëma jote, duke qenë se ajo është armikja jote më e tmerrshme. Çfarë duhet të them? Ki kujdes nga të gjithë; mos beso askënd; ji gjithnjë në gjendje gatishmërie në çdo moment, sapo të dalë hëna; unë do të largohem fshehurazi nga hoteli, merr me vete kaloshin pasi do të largohem si veriu për në Sheveningen; unë do të marr letër e bojë me vete; ne do të shkruajmë letrat tona.

Nëse më do binde veten; dhe mblidh gjithë fuqinë e mendjes që të të vijë në ndihmë; mos lejo që nëna jote të vërejë ndonjë gjë, përpiqu të marrësh pikturat e tua dhe ji e bindur se asnjë kërcënim, apo dhe torturat më të mëdha nuk do të më ndalojnë që të të shërbej ty. Jo, asgjë nuk ka fuqinë që të më ndajë nga ty; dashuria jonë është ngritur me virtyte dhe do zgjasë për sa të jemi gjallë. Lamtumirë, nuk ka asgjë që unë nuk do guxoja të bëja për hirin tënd; ti meriton shumë më shumë se aq!
Lamtumirë zemra ime e dashur!
Volter

Theodore Roosevelts drejtuar bashkëshortes së tij, Edith Roosevelt
20 maj 1943
E dashur Bunny!

E di se çfarë është kjo - një letër për përvjetorin e martesës. Unë mendoj se duhet të mbërrijë në kohën e duhur. A të kujtohet ajo ditë e nxehtë qershori para tridhjetë e tre vitesh? Kisha e tejmbushur me njerëz, babai me atë jelekun e mrekullueshëm me pika blu, turmat në rrugë, velloja jote e bardhë, mamaja jote me një prej atyre kapeleve të mrekullueshme. Dhe, a e mban mend si ishte bota atëherë, e vogël dhe e rregullt, një rend ndryshe. Gjërat kanë ndryshuar shumë që atëherë. Asgjë s'ka ndodhur ashtu siç e imagjinonim se do të ndodhte përveç fëmijëve tanë. Ne s'e menduam asnjëherë se do t'i binim botës kryq e tërthor. Ne nuk e menduam kurrë se profesionet dhe interesat tona do të shkonin aq larg. Ne nuk e menduam kurrë se tridhjetë e tre vjetori i martesës sonë do të na gjente të zhytur në Luftën tonë të Dytë me mua sërish në front. Epo e dashur, duhet thënë se ne kemi jetuar sipas pjesës më të rëndësishme të ceremonisë "Në të mirë e në të keq, në pasuri e varfëri deri sa vdekja të na ndajë".

Me shumë shumë dashuri,
Th. R

Flora Brovina, kjo bijë e Kosovës


Nga Gjekë Gjonlekaj/New York

Image result for flora brovina


....Për këtë grua(Flora Brovina,v.j)atdhetare kisha lexuar qysh në vitet ‘70 në të përditshmen e Kosovës “Rilindja”, e cila shpërndahej edhe në New York. Detyrën e saj të vështirë atë ditë e përjetova me emocione duke e ditur natyrën e saj njerëzore dhe shumë të butë e të qetë. Atë ditë Flora Brovina ishte në rolin e një “zoje pajtore” mes bijave dhe bijve të ngatërruar për hesape të ndryshme. Por Flora Brovina përdori të gjitha fuqitë morale që në Kuvendin e Kosovës të mos shpërthente ndonjë dhunë, siç ndodh vazhdimisht në Parlamentin e Shqipërisë. Fjala e urtë popullore shqiptare thotë: “burri i mirë në ditë të vështirë”, në këtë rast “grua e mirë në ditë të vështirë”.
florabrovinaGjatë Luftës në Kosovë Flora Brovina ishte gruaja më e përmendur shqiptare në Shtetet e Bashkuara. Për heroizmin e saj shkruanin të gjitha gazetat e mëdha amerikane. Këto ditë shikova arkivin e gazetës “The New York Times” dhe atje gjeta disa shkrime për këtë grua shqiptare atdhetare dhe intelektuale. Gazeta “The New York Times” më 10 dhjetor të vitit 1999 shkruan: ”Serbët dërguan në burg për terrorizëm poeten e Kosovës Flora Brovinën”. Korrespondenti Carlotta Gall i kësaj gazete shkruan: ”Sot Gjyqi i Serbisë dënoi me 12 vjet burgim poeten e njohur dhe aktivisten e përmendur për të drejtat e grave nën akuzë për terrorizëm gjatë bombardimeve të NATO-s në Kosovë. Zonja Brovina, pediatre, drejtoi Lidhjen e Grave Shqiptare të Kosovës dhe një klinikë për fëmijë dhe gra. Ajo ishte arrestuar gjatë muajit prill në Prishtinë, në kulmin e sulmeve të NATO-s dhe, qysh atëherë, mbahet në burg. Flora Brovina akuzohet për ndihmën që u kishte dhënë luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po luftojnë kundër forcave serbe. Kjo është njëra prej personaliteteve më të njohura shqiptare në burg. Në Gjyqin e Serbisë Flora Brovina kishte thënë: ”Si humaniste dhe poete u bashkova me forcat përparimtare për emancipimin e gruas shqiptare në Kosovë”. Ajo kishte thënë në gjyq: “Tërë jetën ua kam kushtuar fëmijëve, të cilët nuk dinë asgjë për identitetin e tyre kombëtar për të cilin mësojnë më vonë nga prindërit e tyre. Më vjen keq që jam në burg dhe nuk mund ta ndihmoj popullin tim të zhvendosur që të kthehet në shtëpi. Unë dua të ndikoj tek serbët dhe shqiptarët në rrugën e tyre të pajtimit”.
Barbara Davis, përfaqësuese e Komisariatit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, kishte marrë pjesë në gjykimin e saj në Nish. Ajo i kishte thënë gazetës “The New York Times” se Flora Brovina kishte qenë shumë dinjitoze në çastin kur ishte lexuar vendimi i gjyqit për dënimin e saj me 12 vjet burgim. Avokatët e saj ishin tronditur për këtë vendim absurd për mungesë të fakteve. Për dënimin e saj me 12 vjet burgim ishin shqetësuar edhe anëtarët e Lidhjes së Shkrimtarëve të Amerikës, bile “The New York Times” kishte botuar shkrimin me titull: ”PENI nderon këto ditë një poete të burgosur nga Kosova dhe një poet nga Kina”. Ky shkrim u botua në edicionin e datës 10 prill 2000. Në një ceremoni që u zhvillua në Qendrën Kulturore Lincoln në New York u mbajt një minutë heshtje për poeten Flora Brovina dhe për poetin kinez Xue Deyun. PEN-i amerikan e nderoi Flora Borvinën me çmimin e mirënjohur “Barbara Goldsmith”. Ky çmim është themeluar në vitin 1921. U jepet poetëve dhe shkrimtarëve që luftojnë për lirinë e fjalës. Shqiptarët e Amerikës kishim dëgjuar shumë për aktivitetet dhe qëndresën heroike të Flora Brovinës. Shqiptarët atdhetarë të këtij kontinenti ishin kryelartë për qëndresën e saj.
Në qershor të vitit 2000 vizitova Kosovën pas një çerek shekulli. Të nesërmen, në Prishtinë takova të shoqin e Flora Brovinës zotëri Ajri Begun. Biseduam gjerësisht për Florën dhe burgimin e saj. Pas pak e pyeta zotin Begu se ç’ka mund të bëjmë ne shqiptarët e Amerikës për lirimin e saj? Ai tha se PENI-amerikan i New Yorkut është treguar shumë i kujdesshëm për Florën dhe kjo për faktin se ajo është poete dhe botimi i poezive të saj anglisht në Shtetet e Bashkuara mbase do të ishte ndihmesë për lirimin e saj. Aty për aty i premtova se jam i gatshëm të filloj punën e duhur për botimin anglisht të poezive të saj në New York. Në atë kohë kisha botuar anglisht-shqip poezitë e Ali Podrimjes dhe kisha një përvojë në këtë drejtim. Zoti Begu më solli botimet e saj në gjuhën shqipe dhe këto ia dërgova menjëherë Robert Elsit në Gjermani. Ai kishte përkthyer anglisht Ali Podrimjen dhe disa poezi të shkrimtarëve të tjerë shqiptarë. Përmbledhja e poezive të saj: ”CALL ME BY MY NAME”(Verma emërin tim) doli nga botimi në mars të vitit 2001. Në atë kohë Flora Brovina ishte liruar nga burgu dhe ishte ftuar nga Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara Koffi Anan për nderime të veçanta në këtë Organizatë. Ky vëllim doli nga botimi disa ditë para se ajo të arrinte në New York. Para se të shkonte në atë pritje solemne, mori disa kopje të kësaj poeme për t’ua dhuruar autoriteteve të larta ndërkombëtare. Botimi ishte elegant dhe shumë i pranueshëm për rrethet intelektuale. Gjatë vizitës në Washington ajo ua kishte dhënë këtë libër dhuratë shumë autoriteteve amerikane, bile edhe Madam Secretary Madeline Albright.
Një javë më vonë, shqiptaro-amerikanët e Teksasit kishin organizuar një pritje solemne për Flora Brovinën dhe në atë rast kishin promovuar veprën e saj poetike: ”Call Me by Name”. Një javë më vonë Dr.Brovina dhe Ajri Begu u kthyen në New York. PEN-i amerikan i New Yorkut organizoi promovimin e kësaj poeme. Aty morën pjesë shumë personalitete të shquara të letërsisë dhe kulturës amerikane, midis tyre edhe zonja Lynn Redgrave, motra e aktores së njohur angleze Vanessa Redgrave. Lynn Redgrave foli për aktet heroike të Flora Brovinës. Aktorja Readgrave kishte lexuar për qëndresën e Flora Brovinës në burgjet serbe dhe, në shenjë nderimi, kishte kërkuar nga motra e saj që të merrte pjesë në këtë promovim. Ishte me të vërtetë një natë e jashtëzakonshme për Flora Brovinën. Si botues i kësaj vepre u ndjeva shumë mirë, sepse të gjithë kërkonin nënshkrimin e saj. Edhe revista letrare “Book Review”, që botohet të dielave në gazetën “The New York Times”, kishte botuar një shënim të shkurtër për veprimtarinë poetike dhe humaniste të Flora Brovinës.
Një javë më vonë, shoqata atdhetare “Dibra” organizoi një darkë solemne, natyrisht se të ftuar special ishin Flora Brovina dhe Ajri Begu. Ky nderim u bë për zonjën Brovina, por edhe për zotin Begu, sepse ai kishte lindur në Dibër. Flora Brovina me ftoi përsonalisht për fjalën e rastit dhe, si botues, më nderoi me një tubë lule. Më falenderoi për botimin e poemës dhe për interesimin tim gjatë kohës që kishte qëndruar në burgun e Serbisë. Natyrisht se për të gjitha këto i kishte treguar i shoqi, Ajri Begu. Në verën e vitit 2001 shkova përsëri në Prishtinë dhe, me këtë rast, ata organizuan një promovim të këtij libri në Hotel Garnd, ku morën pjesë shumë poetë e shkrimtarë të Kosovës dhe më gjerë. Morën pjesë edhe personalitete të Misionit amerikan në Prishtinë. Profesor Agim Vinca foli për veprimtarinë saj letrare. Folën edhe disa intelektualë të tjerë të Kosovës. Një aktor dhe një aktore shqiptare recituan anglisht pjesë të vargjeve të kësaj poeme. Sipas kërkesës së zonjës Brovina dhe zotit Begut, në fillim përshendeta anglisht dhe më vonë shqip. Kjo ceremoni kulturore u pasqyrua mirë në shtypin e Kosovës.
Murgesha e mirënjohur shqiptare e Prishtinës, Paulina Micaku, tregonte shumë për aktivitet humaniste të Flora Brovinës pas Luftës së Kosovës dhe për interesimin e saj, sidomos për jetimet dhe familjet e varfëra. Gazeta “The New York Times”, dy vjet pas lirimit nga burgu të Flora Brovinës, tregoi interesim si e kishte parë ajo Kosovën gjatë luftës, duke kërkuar një shkrim të saj, cili u botua në faqen kryesore të kësaj gazete më 30 Mars të vitit 2003. Titulli i shkrimit të Flora Brovinës, botuar në “The York Times”, është: “QIELLI RROKULLISEJ; KOSOVA, 1999” dhe vazhdon: “Ne shqiptarët e humbën durimin. Në tokë ishte ferri dhe kërkonim shpëtim nga qielli”. Për bomba, për shpresë. Për NATO-n. Ndërkohë, të gjitha dyqanet ishin shprazur. Në ndalesën e autobusit, gra, fëmijë dhe të moshuar po përgatiteshin për të ikur nga Kosova. Pas muzgut kishte rreziqe në rrugë dhe më 24 mars 1999 u mbylla në apartamentin tim në Prishtinë. Isha vetëm. Djemtë e mi ishin jashtë vendit, ndërsa burri im ishte atë ditë në stacionin e autobusëve në Beograd. Kisha frikë dhe tensioni i gjakut më rritej vazhdimisht. U shtriva për të pushuar. Pas pak dëgjova zhurmën e aeroplanëve dhe u ngrita në këmbë. Filloi bombardimi. Kisha pritur gjatë për aeroplanët e NATO-s, dhe ndjeva që ajo barrë e madhe nuk më rëndonte më. Në ato çaste përjetova një gëzim të papërshkrueshëm. Zëri i bombave ishte si një simfoni. Ndërsa drithmat pas shpërthimeve ishin si vallëzim. Vetëtimat e ndritshme ishin shkëlqim parajse. Ishin si një mëshirë pas ringjalljes së Jezu Krishtit. Sikur të kishim mundësi, të gjithë shqiptarët do të ishim mbledhur në qendër të qytetit për të festuar, duke pritur çlirimtarët me buqeta lulesh. Natyrisht se nuk kishim mundësi. Nuk e di pse, por nuk mungoi rryma dhe lajmet televizive ishin shoqërimi im gjatë gjithë asaj nate tepër të gjatë. Ishte një natë e gëzueshme, që tregonte se pas një kohe aq të gjatë nuk ishim të harruar, shihej qartë se diku përtej nesh njerëzit ishin të shqetësuar për fatin tone. Duke kaluar prej kanali në kanal tjetër televiziv, nuk e di pse, por nuk isha aspak e shqetësuar për jetën time. Kisha vetëm një mendim: nëse këto bombardime do të jenë të mjaftueshme për t’i dhënë fund këtij djalli”. Ky ishte nëe fragment nga artikulli i Flora Brovinës, botuar në “The York Times” më 30 mars 2003.

ROMANI “STINË JARGAVANËSH”, NJË PRELUD TRONDITËS MBI LIRINË DHE HUMANIZMIN

Flora Brovina u lind më 30 shtator 1949 në Skenderaj. Studimet në Fakultetin e Mjekësisë i mbaroi po në Prishtinë. Ka botuar disa vëllime me poezi: ”Vërma emrin tim” (1973), “Bimë e zë” (1979), “Luleborë” (1988), “Mat e çmat” (1995) dhe “Thirrje e Kosovë” (1999, në kohën kur ajo ishte në burgun e Pozharevacit në Serbi). Në vitin 1999, në një kohë kur fati i Flora Brovinës pas arrestimit ishte i panjohur, ajo mori Çmimin Tucholsky për vitin 1999 in absentia nga PEN Klubi Suedez.(Floripress)


Image result for alisa velaj

Nga ALISA VELAJ





“Po cili nga ne, në momentet e madhështisë, nuk do ta ëndërronte mrekullinë e krijimit të një proze poetike”, shprehej i ngazëllyer poeti freng Sharl Bodler. Kjo thënie rrok në vetvete të vërtetën e padiskutueshme, se proza poetike si lloj shkrimor mund të ngjizet në mënyrë të përsosur vetëm nga poetët. Flora Brovina, pranuar njëzëri nga kritika shqiptare dhe ajo botërore, si një nga poetet bashkohore më të mira shqiptare, vjen para lexuesit me romanin e saj të parë “Stinë Jargavanësh”.




Pavarësisht etiketimit “roman” si preferencë e vetë autores, leximi faqe pas faqeje i tekstit, të krijon bindjen kokëfortë, se kemi të bëjmë me një prozë poetike, nga më të bukurat që mund të jenë shkruar ndonjëherë në letërsinë shqipe. Gjuha e veprës evokon në mënyrë të pandërprerë imazhe të pastra poetike dhe ndërthurja e fjalëve dhe fjalive krijojnë një kumbim aspak të zakontë për tekstin e kulluar prozaik. Kumbimin e gjuhës e krijon më së shpeshti përsëritja e vazhdueshme e e së njëjtës frazë, ose e të njëjtit togfjalësh.
flb
Sipas Milan Kunderës ekziston një zotësi e përsëritjes. Kështu, nëse përsëritet një fjalë kjo ngjet sepse është e rëndësishme tingullshmëria dhe shenjimi i saj, sepse rreket të bëhet kumbuese në hapësirën e një paragrafi, të një faqeje. Zotësia e përsëritjes është teknika mbizotëruese si në poezinë e Brovinës, ashtu edhe në prozën poetike të saj. Romani “Stinë jargavanësh” vjen si vazhdim i vëllimit me poezi “Mat e çmat”, botuar në vitin 1995. Madje mund të thuhet pa më të voglin hezitim, se “Stinë Jargvanësh” është roman i një poeteje, duke qenë se ngjizet fund e krye nga bërthama e poezive të Brovinës, përsa i përket frymëmarrjes të tij poetike. Romani mban si vit krijimi vitin 1997 (Kososovë 1997, shënim i autores) dhe disa herë para pjesëve hyrëse të çdo rrëfimi, apo edhe në “trup” të rrëfimeve përdoren vargje nga poezitë e vëllimit “Mat e çmat” . Ja si shfaqet knkretisht në tekst kjo zotësi e përsëritjes.
“- Ruaj sytë! – i thoshte babai, e ajo buzëqeshte.
– Sytë! Si ruhen sytë? Po t’i mbyll, nuk do të shoh, po t’i hap, a harxhohen, a çmallen?! – i thoshte nëna.
– Ruaj sytë! – përsëriste babai. Ajo vetëm qeshej e qeshej. Sa bukur qeshej nëna ime. I kishte hije qeshja.
Sot sërish më duket sikur dëgjoj zërin e babait :
Ruaj sytë nuse, ruaj sytë!
– Sytë. ..! – foli nëna me zë. Pastaj ktheu kokën dhe më shikoi në sy. E mora me mend se nëna fliste me kujtimet.
– E si t’i ruaj, si…kur ti nuk je?! – më dukej se thoshin sytë e nënës.”
Po çfarë shenjon teknika shkrimore e përsëritjes në kufijtë e prozës poetike të Brovinës? A është kjo teknikë thjesht një truk stilistik, apo vjen si një karrem narratologjik për të depërtuar më në thellësi të mesazheve që teksti përcjell tek lexuesi model? Teknika e përsëritjes shton në mënyrë të përshkallëzuar dozën e dramacitetit. Një dramacitet kumbues, aspak latent, që nuk lë asnjë hapësirë të papushtuar si në shpirtin e atij që rrëfen (qenia rrëfimtar), ashtu edhe në përjetimet e recepientit të tekstit, aq sa ky i fundit, jo vetëm që e ndjen veten bashkëshkrues të rradhëve që lexon, por edhe fajtor për dramat nëpër të cilat ka kaluar historia e popullit shqiptar të Kosovës.

flbb

Nëse romani është një art, dhe jo vetëm një “zhanër letrar “, kjo ngjet ngase zbulimi i prozës është misioni i tij ontologjik, që asnjë art tjetër përveç atij nuk mund ta marrë përsipër tërësisht. (M. Kundera, Testamentet e tradhëtuara, f.141). Në këtë kontekst, ajo çka zbulon prozaizmi në këtë tekst të kategorizuar prej nesh si prozë poetike është pikërisht konceptimi i realitetit përmes bashkëekzistencë së vetjeve të ndryshme kohore, poetike dhe historike. Ajo që përcakton gjithë llojet e dialogimeve në tekst është vetja kohore. Përmes një të tashmeje “të përjetshme” gjatë rrëfimit të ngjarjeve, kjo vetje herë shpik një simotër të saj poetike, nëpërmjet se cilës shpalos përjetimet e rrëfimtarit-fëmijë, që duke i parë dhe gjykuar ngjarjet dhe fenomenet me logjikën e fëmijës, jo vetëm që i shton edhe më tragjicitetin ngjarjeve të hidhura, por e shpalos zbulimin e farës së dehumanizmit si akt të vërtetë barbar, në shekullin e njëzetë, artëherë kur më shumë se kurrë flitet për liritë dhe të drejtat e individit. Vetja kohore apo ajo që autorja e quan rritje e përhershme brenda vetes rrok dramën e një populli të tërë që gjeneratë pas gjenerate e priti lirinë si stinën e jargvanëve. E priti lirinë si më të bukurën stinë.
Stina e jargavanëve shndërrohet në vetjen poetike dhe kohore njëherësh. Ajo plasmon në vetvete lirinë e ëndërruar dhe aktin heroik si veprim konkret, në mënyrë që kjo stinë të mos jetë më veç kohë ëndërrimi, por ëndrra të shtyjë drejt veprimit për ta shijuar këtë stinë edhe në realitet. Jargavanë jo vetëm në stinën e ëndrrave, por jargavanë në stinët e jetës. Jargavanë që nuk sjellin më, nuhatjen e pranverave të përgjakura, por aromën pranverore të Lirisë. Lirisë që kërkon vetsakrifikim.

florabrovina

Ajo lloj vetje që rritet si bimë e si dhimbje shndërrohet kështu në vetjen historike, në shërbim të idealeve që e bëjnë robërinë, jo më një gjendje me të cilën pajtohemi, por një nostalgji të një të kaluare të makthshme. Rrëfimi i fundit “Nositi” merr statusin e një teksti palimsest. Mënyra parabolike e të rrëfyerit, më një bukuri të llaftaruar poetike, na shpie drejt mesazheve të mëdha morale, filozofike dhe shoqërore. Njësoj si Lasgushi ynë i madh, Brovina na flet me zjarr mes rreshtash mbi ontologjinë e qenies, kuptimin e vërtetë që mbart fjala atdhe dhe mbi varrin që ka hapur ne kraharorin e saj dhimbja dhe pamundësia për të mos e sjellë dot e vetme stinën e jargavanëve. Duhet më shumë se një nosit që të vijë liria. Një nosit i vetëm nuk mund ta sjellë dot lirinë. Duhet të saktifikohet një gjeneratë e tërë që jargavanët të jenë vetëdija jonë e përhershme dhe jo vetëdija e përkohshme, ajo ëndërrtarja që nuk e njeh asfare, vetflijimin, dhe kështu nuk ka për të njohur me themel as lirinë.
“- Ti gjithnjë deshe të jesh Nuse. Ti u bëre nuse sa herë u kërkua flijimi në bregun e lumit, sa herë filluam ndërtimin e Urës , – më thua.
– Dashuri me llahtari, kacafytje me tmerrin për fluturimin e lirë të zogjve. Flijim! Le të marrin grimca grimca nga gjiri im atë që iu përket. Le të rriten e fluturojnë në qiellin e lirë!
Nositi nuk është qyqe, ai nuk rri i vetmuar. Flijimi nuk është vdekje.”

Flora-Brovina-foto-10
Në këtë prozë poetike, përmes metaforave të fuqishme ekzistenciale, Brovina jep edhe mesazhin e bashkimit kombëtar. Vetmia do të na vrasë ne shqiptarëve, parasheh Brovina me një kthjelltësi të pashoqe. Do të na vrasë si na vrau në shekuj pushtuesi. Vetmia nuk është për ne. Vetmia është vdekje. Është qyqe. Ne kemi nevojë për pëllumba, ndaj duhet të jemi të pandalur në rrugën drejt lirisë. Liri ka vetëm kur jemi të bashkuar. Liria është atdheu dhe atdheu është liria. Liria është stina e jargavanëve që shpërthen në aroma pa pasur frikë nga ora policore. Është Nusja që vjen me krushqit e Lirisë, në një atdhe shpirtëror me emrin Shqipëri etnike.

Flora Brovina: ‘Stinë jargavanësh’ – tjetër dëshirë për të rilindur



Para pak kohësh lexova romanin e Flora Brovinës Stinë jargavanësh, botuar nga Lidhja e shkrimtarëve të Kosovës. Për të lexuar romanin e Flora Brovinës, poete, gazetare, aktiviste e shquar e të drejtave të njeriut, personalitet – simbol i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, kërkon, padyshim, një qasje të veçantë.

Nga Diana Çuli


Para pak kohësh lexova romanin e Flora Brovinës Stinë jargavanësh, botuar nga Lidhja e shkrimtarëve të Kosovës. Për të lexuar romanin e Flora Brovinës, poete, gazetare, aktiviste e shquar e të drejtave të njeriut, personalitet – simbol i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, kërkon, padyshim, një qasje të veçantë. E njohur më shumë në letërsinë shqipe si poete, Brovina e ka këtë vepër romanin e saj të parë, ndonëse dikur, që më 1995 ka botuar si tregim tek Bujku. Më vonë, siç ndodh në proceset krijuese të autorëve, ajo me siguri e ka lënë për një periudhë. Ndërkohë Kosova ishte në prag të luftës e më pas në luftë e ajo vetë në persekutime e burgosje. Kuptohet se romani do të priste një stinë tjetër për të rilindur, për të marrë formë dhe për të shprehur tashmë nga largësia kohore atë që dëshiron autorja.



Romani Stinë jargavanësh është ndërtuar me kapituj të shkurtër, si copëza jete që të duket sikur ndjekin kohën reale dhe pastaj papritmas, lexuesi e kupton se përkundrazi, ata kapituj janë njëkohësisht e shkuara dhe e ardhmja – tredimensionalë. Jeta e një familjeje kosovare, e babait, nënës, fëmijëve të tyre, e personazhit kryesor që është një grua, është jeta e Kosovës së viteve të prag-luftës dhe e fillimit të luftës. Është jeta e vetë kosovarëve, patriotizmit të tyre në breza, lidhja e tyre ekzistenciale me lirinë. Vlera e lirisë qëndron mbi gjithçka – ajo mbizotëron të gjithë jetën dhe zvogëlon dëshirat e zakonshme, synimet e vogla ose të mëdha të jetës personale, sepse nuk ka jetë personale pa lirinë.

Mund të quhet edhe roman biografik, sepse padyshim ka elemente biografike, siç mund të jenë elementët familjarë, përdorimi i helmit Sarin tek fëmijët kosovarë me të cilët vetë Flora Brovina u mor gjatë dhe shpëtoi një numër të madh të tyret. Për këtë arsye atë e pushuan nga puna, më pas e burgosën, edhe për të gjitha veprimtaritë e saj politike. Secili shkrimtar e di mirë se shpesh – ose gjithnjë – elementët biografikë mund të jenë një kurth, një pengesë, një lehtësi e rreme në realizimin e veprës letrare. Hollësi të ndryshme, të dashura e kuptimplote në jetën reale nuk janë të tilla, nuk marrin peshë në “jetën e krijuar letrarisht”. Ato mund ta dëmtojnë librin, i cili mund të dalë prozaik, jo –interesant, sepse i mungon fantazia – që është një element kryesor në krijimtarinë aritistike.

Por Flora Brovina ia ka dalë me sukses ta kapërcejë këtë rrezik dhe të na japë në dorë një roman të vërtetë, tërheqës, dramatik e lirik njëherazi. Padyshim, qënia e saj si poete ndikon në frazën e saj plot kolorit e figuracion, në lirizmin që përmendëm, në metaforat dhe simbolet. Vetë titulli i romanit: Stinë jargavanësh është simbolik. Gjatë gjithë zhvillimit të subjektit, i cili të duket sikur zhvillohet nën dëborë dhe të ftohtë, pritet kjo stinë jargavanësh. Madje, skena e arrestimit të personazhit kryesor nga policia ka ngarkesë të madhe emotive, me djalin që e ndjek nga pas të ëmën dhe i thotë: – Nënë , vishu trashë.

Në këtë jetë kaq të vështirë dhe kaq nën presion njeriu gjen pika te tij të referimit, na thotë autorja. Dashuria njerëzore, identiteti, legjendat, miqësia, romanca, poezia, historia – gjithçka i jep kurajë dhe bazë të fortë për të vazhduar dhe për të mos humbur thelbin njerëzor brenda vetes.

Në roman kemi jetën e Florës dhe të familjes së saj, jetën e familjeve kosovare që përjetuan ankthin, ëndërrën dhe zhgjëndërrën, fëmijërinë e humbur, baballarët e burgosur, nënat që nuk kanë kohë për fëmijët e tyre, sepse, mbi të gjithë mbizotëron ajo që thamë dhe më sipër: liria, lufta për të. Romani ka një tis të veçantë të ndjesive femërore në rrethana të tilla ekstreme: janë të paharrueshme faqet ku përshkruhet dashuria e nënës, frika e gruas se mos aborton fëmijën në bark gjatë çasteve të vështira të kësaj jete, ëndërrat e vajzave, të grave, të nënave. Asgjë nuk është e burrëruar me zorr, asgjë nuk tingëllon mashkullore në këto gra që luftojnë kundër shtypjes, forca e tyre është shpirti dhe mendja.

Romani është një dëshmi e fortë dhe e qartë e luftës së popullit të Kosovës për pavarësi. E gjitha e përçuar përmes një force artistike e mjetesh shprehëse letrare të arrira. Jo më kot autorja ka vendosur si hyrje të një prej kapitujve të romanit fjalët e Kadaresë: “ E halli i Kosovës është sot kolosal. Hermetizmi është ndërprerje, është pengesë serioze për dëshmi. E Kosova më fort se kurrë ka nevojë sot ta dëshmojë tragjendinë e vet”.

Romani i ri i Margaret Atwood “The Heart Goes Last”.


Image result

https://en.wikipedia.org/wiki/Margaret_Atwood

Shkrimtarja kanadeze Margaret Atwood do të publikojë romanin e saj të parë pas 15 viteve, në shtator të këtij viti. Romani mban titullin “The Heart Goes Last”.

Temë e romanit që botohet më 24 shtator është një e ardhme e afërt ku njerëzit e mirë mbyllen, ndërsa ata të këqinjtë janë të lirë. Në të njëjtën ditë do të botohet edhe përmbledhja me histori të shkurta, “Stone Mattress”.

Autorja kanadeze është nominuar pesë herë për çmimin Booker Prize, të cilin e fitoi në vitin 2000. Ajo njihet për romanin “The Handmaid’s Tale” të vitit 1985, si dhe për trilogjinë “Oryx and Crake”, “The Year of the Flood” dhe “MaddAddam”.


****

Rrëfimi i shërbëtores, nga Margaret Atwood


Botimet PEGI na sjellin përsëri një roman të mrekullueshëm, nga një autore e famshme, e panjohur në Shqipëri deri më sot, por e njohur në të gjithë botën prej shumë dekadash: është fjala për romanin Rrëfimi i shërbëtores (titulli origjinal Handmaid’s tale) i Margaret Atwood-it. Shkurtimisht disa rreshta për këtë autore: Margaret Atwood ka lindur më 1939 në Ottawa të Kanadasë, ku dhe jeton. Ajo është romanciere, poete, kritike letrare, veprimtare e mbrojtjes së mjedisit dhe feministe. Ka fituar çmimin Arthur C. Clarke, çmimin e Princit të Asturias për letërsinë, çmimin tjetër prestigjioz Booker Prize ( ku ka qenë pesë herë finaliste) dhe dy herë çmimin e Guvernatorit të Përgjithshëm, i cili jepet nga kryeministri kanadez. Atwood përmendet vazhdimisht në sondazhet për pretendentët për çmimin Nobel dhe, kur juria ia dha këtë çmim shkrimtares tjetër kanadeze Alice Munro, në Kanada pati shumë pro dhe kundra për propozimin dhe për përzgjedhjen. Por, këto janë peshoret e vështira të vlerësimit të mendjeve dhe talenteve të mëdha dhe për ne lexuesit ka rëndësi që vepra e tyre ndikon në mendjet e miliona njerëzve, siç ka ndikuar deri më sot edhe pena e Atwood-it.


Romani që na vjen sot në shqip, Rrëfimi i shërbëtores, është botuar për herë të parë më 1985, është përkthyer në 35 gjuhë të botës dhe është shitur në miliona kopje. Romani nuk ka dalë kurrë nga qarkullimi.

Rrëfimi i shërbëtores është quajtur gjithashtu një vepër distopiane. Utopia dhe distopia janë zhanre letrare që zbulojnë struktura politike dhe shoqërore. Krijimi letrar utopik është krijimi i një shoqërie ideale, ose i utopisë. Krijimi distopik (ndonjëherë i afruar dhe me letërsinë apokaliptike) është e kundërta: krijimi i një shoqërie të tmerrshme dhe të degraduar, që e shpie njeriun tek harrimi i plotë dhe mohimi i vetvetes. Si utopia edhe distopia ndeshen në veprat fantastiko shkencore dhe në zhanre të tjera, por gjithnjë si një metaforë për drejtimet e ndryshme që njerëzimi mund të zgjedhë për të ecur përpara. Dhe, ky roman i Margaret i Atwood-it, që të kujton shumë Orwell-in, për atmosferën mbytëse të totalitarizmit, por kësaj radhe të totalitarizmit të teokracisë së krishterë, e cila, në vepër, e ka përmbysur qeverinë e SHBA-ve dhe ka vendosur pushtetin e saj okult të nënshtrimit të popullsisë, të mohimit të të drejtave, nën dhunë dhe terror. Një lëvizje e quajtur Bijtë e Jakobit, vret Presidentin dhe shumicën e anëtarëve të Kongresit, me pretekstin se po vendos rendin në vend. Regjimi i ri, Republika e Xhileadit e konsolidon me të shpejtë pushtetin e tij të krishterë përmes riorganizimit militarist, hierarkik e shtypës të shoqërisë. Veçanërisht ky regjim ka nënshtruar dhe dhunuar gratë, të cilat i sheh vetëm si mjete riprodhuese, u heq çdo të drejtë njerëzore, madje as të lexojnë libra, u mohon familjen, fëmijët e tyre dhe i përdor për qëllimet e kastës në fuqi.

Romani, i shkruar në vetë të parë, është rrëfimi i shërbëtores me emrin e çuditshëm Efrediti, të cilën regjimi e ka shkëputur nga familja, i ka zhdukur burrin dhe fëmijën, i ka mohuar emrin e vërtetë dhe e detyron – bashkë me gra të tjera në të njëjtën gjendje, të jetë makina riprodhuese e pushtetarit të lartë të quajtur në libër “Komandanti”. Meqenëse, sipas subjektit të librit, shumë familje të pushtetshme dhe të pasura nuk lindnin dot më fëmijë për shkak të ndotjes së ambientit dhe “të këqijave të tjera të shoqërisë moderne” , regjimi u mundëson këtyre shtresave të skllavërojnë gra të shëndetshme të lindin për ta fëmijë dhe t’ua marrin pastaj. Gratë pësojnë tortura, vriten, varen etj, si dhe burrat që nuk e pranojnë këtë regjim.

Mjeshtëria e Atwood-it është e tillë që këtë rrëfim të një regjimi të përfytyruar, ta bëjë të tillë që lexuesi të mos e lëshojë librin nga dora për të ndjekur fatin e protagonistes, të mos marrë frymë nga tensionet e përndjekjes dhe të persekutimeve, të përjetojë vuajtjet, ndjenjat, dhimbjet e këtij komuniteti të shtypur grash, të cilave lavazhi i trurit nuk ka mundur t’u shuajë ndjenjën e lirisë dhe të pavarësisë njerëzore.

Margaret Atwood-i i ka fituar me këtë roman çmimet e saj më të larta letrare botërore. Ai është ekranizuar disa herë, ka shërbyer si subjekt për radio-drama e për opera.

Lexuesi ka fatin që këtë vepër ta lexojë të shqipëruar nga Engjëllushe Shqarri, me përvojën e saj të gjatë në këtë lëmë dhe njohjen e saj të thellë të letërsisë e të kulturës anglosaksone. Vepra, e cila ka disa shtresëzime metaforike, skena të ndërlikuara dhe thellësi të pashprehura mendimi – përveç zhargonit të përdorur nga personazhet e niveleve dhe regjistrave të ndryshëm leksikorë – ka qenë padyshim një sipërmarrje tepër e vështirë për t’u përballuar. Që Engjëllushe Shqarri, si përherë, ia ka dalë me sukses.(Diana Çuli)

Ismail Kadare: Skënderbeu nuk luftoi myslimanët, por osmanizmin.

Ismail Kadare: Skënderbeu nuk luftoi myslimanët, por osmanizmin. Shqipëria do bëhet faktor i klasit të parë në Ballkan, para Greqisë
Shkrimtari i njohur Ismail Kadare ka bërë komentet e tij rreth debateve më të fundit për Skëndërbeun duke hedhur poshtë tezën se heroi kombëtar luftoi dhe përndoqi myslimanët.

Në një intervistë për Eni Vasilin, Kadare tha se ka një boshllëk të lënë nga komunizmi rreth debatit se çfarë përfaqëson Skëndërbeu.

“Figura e Skëndërbeut mishëron Perëndimin.

Ai nuk e bëri luftën për të hequr myslimanizmin, e bëri për ta hequr Shqipërinë nga osmanizmi.

Në qoftë se ai donte ta hiqte vendin nga Perandoria Osmane, kjo na nderon neve të gjithëve.

Ka një gjë shqetësuese, nuk duhet të ishte ky debat, Shqipëria duhet ta kishte sqaruar më përpara.

Vendi komunist i pengoi ca gjëra të sqaroheshin.

Unë kam një mendim të prerë, Shqipëria është një vend europian i natyrshëm, jo artificialisht, është eropian me tokë, me gjuhë, me zakone, ky është një realitet objektiv.

Skëndërbeu është një i krishterë shqiptar dhe ai është i të gjithëve dhe 500 vjet histori shqiptare nuk e ndau historinë e tij, po e bëjnë sot”, theksoi Kadare.

Sipas shkrimtarit, ardhja e komunizmit devijoi qasjen europiane të Shqipërisë, por sipas tij, shqiptarët janë një popull qartësisht europian dhe shumë shpejt do të jenë faktor në Ballkan.

“Shqipëria sot mund të jetë vetëm europiane dhe për këtë duhet të na mbushet mendja, shqiptarët shumë shpejt do bëhen faktorë të klasit të parë në Ballkan.

Greqia nuk e ka këtë kujdes sepse është mbajtur peng pas historisë bizantine.

Jemi në një moment shumë të favorshëm, që syri i zakonshëm nuk i shikon dot”.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...