2017-12-15

Deutsche Welle: Shqipëria e Madhe, gogol apo ëndërr në diell?



Ideja e Shqipërisë së Madhe – bashkimi i të githë shqiptarëve në një shtet të vetëm – është bërë sërish temë e nxehtë në Ballkan, njofton Deutsche Welle.

Edhe pse krerët në Prishtinë dhe Tiranë mohojnë ambiciet pan-shqiptare, deklaratat e tyre të fundit kanë shkaktuar alarm.

Nacionalistët nga shumë kombe të Ballkanit kanë akuzuar prej kohësh krerët shqiptarë për një përbetim djallëzor për krijimin e ‘Shqipërisë së Madhe’ duke shkëputur territore nga fqinjët. Në anën tjetër, shumica e politikanëve shqiptarë vazhdimisht kanë hedhur poshtë këtë ide si frikësuese.

Sidoqoftë, me zbehjen e ndikimit të BE-së në Ballkan dhe konfliktet e moçme që pluskojnë në sipërfaqe, krerët gjithandej rajonit po i mëshojnë miteve nacionaliste për të zhvatur vota. Në një intervistë dhënë për Politico më pak se dy javë më parë, kryeministri i moderuar shqiptar Edi Rama ka thënë se ai nuk mund të përjashtojë një ‘bashkim të vogël’ mes Shqipërisë dhe Kosovës nëse BE e heq nga tavolina anëtarësimin.

Ditën tjetër, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka deklaruar se ‘të gjithë shqiptarët në rajon do të jetojnë në një shtet të vetëm’ nëse BE i mbyll dyert e saj. Kjo ishte mënyra për të vazhduar ‘integrimin në familjen evropiane’, ka sqaruar Thaçi.

Sidoqoftë, krerët e Kosovës mohuan se ai po shtynte Shqipërinë e Madhe kur u pyetën nga Deutsche Welle për të qartësuar deklaratat e tij. Duke folur në një konferencë shtypi në Prishtinë, ai e cilësoi konceptin si ‘një sajesë të Beogradit, me qëllim të përligjjes së ambicieve për Serbinë e Madhe’.

Thaçi akuzoi BE-në se është ‘naive dhe po mashtrohet nga propaganda serbe’.

Drejtuesi i Këshillit Nacional Shqiptar në Serbi, Jonuz Musliu, ka rritur kërkesat duke thënë se edhe qytetet me shumicë shqiptare në Serbi – Bujanoci, Presheva dhe Medvegja – duhet t’i bashkohen Kosovës dhe Shqipërisë.

‘Serbia duhet të jetë mirënjohëse’ që shqiptarët nuk po kërkojnë më shumë territore, ka thënë ai.

Ish komandanti Ramush Haradinaj, pas kthimit të tij nga Franca pasi ishte kërkuar të arrestohej nga Serbia, foli për t’i treguar Serbisë ‘vendin e saj’.

Beogradi u përgjigj me shqetësim. Kryeministri serb Aleksandër Vuçiç bëri thirrje për qetësi, por komentoi se ai do të ‘varej në shtizë në Bruksel’ nëse do të bënte deklarata të tilla për bashkimin e të gjithë serbëve. Shumë serbë jetojnë ende në republikat e dikurshme të Jugosllavisë dhe kontrollojnë entitetin e tyre në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Ministri serb i Jashtëm Daçiç ka thënë se BE, Shtetet e Bashkuara dhe Britania ‘do të jenë drejtpërdrejtë përgjegjëse’ nëse shqiptarët vazhdojnë të shtyjnë përpara ambiciet e tyre territoriale.

“Për fat e gjithë kjo është thjesht ëndërr. Por, përvoja na ka mësuar se rruga që çon prej ëndrrës në makth është e shkurtër”, ka thënë Daçiç.

Përgjigjja nga Perëndimi në fillim nuk ishte tumirëse. Javën e kaluar, komisioneri për Zgjerim i BE-së Johannes Hahn ka folur kundër thirrjeve të krerëve shqiptarë.

“Do të doja të shpreh zhgënjimin tim dhe mund të them edhe hidhërimin për deklaratat nxitëse të krerëve të caktuar në rajon”, ka thënë ai pas takimit me Daçiçin në Bruksel. Deklaratat që nënkuptojnë ‘ndryshime kufijsh janë të papranueshme dhe të panevojshme e kundërproduktive’.

Vëzhguesit e huaj nuk besojnë se shqiptarët do të përpiqen t’i bashkojnë tokat e tyre as përmes dhunës dhe as përmes diplomacisë. Deklaratat provokative me gjasmë ishin premtime politike për zgjedhjen e këtij viti në Kosovë dhe Shqipëri, thonë ekspertët për DW.

Çështja për bashkim është një ‘ëndërr në diell’, thotë Frederik Wesslau, analist politik në Këshillin Evropian për Marrëdhënie me Jashtë. Sidoqoftë, kjo është mjaft e dobishme si për politikanët shqiptarë dhe ata jo-shqiptarë që kërkojnë vota.

‘Gogoli i Shqipërisë së Madhe është diçka që shfaqet herëpashere -përdoret nga krerët shqiptarë, por edhe politikanët e tjerë në Ballkanin Perëndimor’, thotë Wesslau, që ka kaluar disa vite si punëtor i OSBE-së dhe Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

Deklaratat e fiundit të Ramës dhe Thaçit ‘nuk duhet të merren seriozisht’, pajtohet Erdoan Shipoli, ligjërues në Shkollën për Marrëdhënie Publike dhe Ndërkombëtare në Universitetin Ndërkombëtar të Virgjinas.

“Ajo çka duan të arrijnë politikanët shqiptarë me këto deklarata janë votat nga grupet më nacionaliste’, ka thënë ai për DW. ‘Shumë politikanë shqiptarë akuzohen se janë blerë nga SHBA, BE, nga ky vend apo ai grup, kështu që në këtë mënyrë ata duan të thonë se janë patriotë’.

‘Shumica e shqiptarëve, me aq sa mundem të shoh, mendojnë se mënyra më e mirë për bashkim është nën çadrën e BE-së’, ka thënë ai.

‘Shqiptarët e dinë se do të ishte tejet e vështirë, për të mos thënë e pamundur, për të zgjedhur kryetarin e Shqipërisë së Madhe, e lërë më për ta bërë funksionale. Mbështetja për një nismë të tillë është minimale’, ka shtuar ai.

Edhe kështu, diskutimi për Shqipërinë e Madhe mund të jetë i rrezikshëm, sipas ekspertëve. Njerëzit gjithandej rajonit janë të drobitur nga korrupsioni dhe papunësia, shqiptarët pro-perëndimorë ndjejnë se BE ka dështuar të mbrojë interesat e tyre në Maqedoni dhe Serbi, dhe qytetarët e Kosovës janë të zemëruar në BE-në që nuk po i lejon të lëvizin pa viza. Në rrethana të tilla, është e natyrshme që sentimenti nacionalist të rritet’, ka thënë Shipoli.

‘Hëpërhë nuk ka mbështetje por nëse BE vazhdon t’i dështojë shqiptarët në përgjithësi dhe Kosovën në veçanti, ky mendim do të fitojë më shumë momentum dhe do të ketë më shumë pranueshmëri’, ka thënë Shipoli për DW.

Fetishi ynë: Albini


Nga Salih Mehmeti


Skizma e madhe në Vetëvendosje, sado groteske e meskine, është e paprecedentë.

Derisa peisazhi politik që fqinjëron përreth nesh është i fytyrëzuar ideologjikisht deri në finesat e fundit (fjala bjen, në Greqi, Rumani, Kroaci e Serbi), Vetëvendosja e ka primatin që ngarkesat e brendshme ose luftën brenda llojit (çështje terminologjie kjo) po ei ngre në lartësinë e teorizimeve goxha të stërholluara në një diskurs të nuancuar neomarksist.

Natyrisht se këtu nuk bëjnë pjesë lumpen-partizanët e rrjeteve sociale që mbështesin njërin krah ose tjetrin në Vetëvendosje.
Fotografia e Albin Kurti
Ndarja brenda Vetëvendosjes nuk filloi me fyerjen që deputetja Aida Dërguti (përndryshe një nga themelueset e kësaj lëvizje) i këputi kolegut të saj bashkëpartiak Albin Kurti, të cilin në një bashkëbisedim të personalizuar në Viber e kishte quajtur ‘m**’.

Ndarja latente është e kahershme, rezultat i një mbishtresëzimi të grupeve të përkundërta të interesit.

Sado që gjuha e përdorur në këtë rast është e ndragur me një objektifikim derogator, pushteti i gjuhës zbuloi ‘vijat e kuqe’ brenda Vetëvendosjes, fetishizimin absurd të Albin Kurtit dhe përpjekjen donkishoteske për të mos sakrilegjuar me brerorën e tij prej mbinjeriu urban.

Megjithëse ka përpjekje që gjithçkaje t’i jepet shpjegimi simplicist për ndarje ideologjike apo puritanizëm mes të majtësh, apo edhe për një sedër të lënduar ‘pafajësisht’ si ajo e Albinit, çështja është diku tjetër: këtu kemi të bëjmë me një rravgim për të uniformuar lëvizjen nën diktatin e një inteligjenti të madh, por një njeriu të vogël.
Fotografia e Albin Kurti
Gjithë kjo frenezi e brendshme për të ekskomunikuar ‘puçistët’ anti-albinistë ngjan sikur është një lexim bythëprapë i filozofit Alain Badiou dhe përvijim tragjik i shokut Mao Ce Dun.

Ky i fundit, me kinezllëqet e tij psikomatike, e tejradikalizonte fshatarësinë e gjerë kundër asaj që e pandehte si burokratizim i kupolës së partisë.
Fotografia e Albin Kurti
Ngjashëm është edhe përpjekja e ‘albinistëve’ në Vetëvendosje: në mënyrë postemocionale ndërkyhen aktivistët e thjeshtë dhe i objektifikojnë ‘puçistët’, aq sa krijohet përshtypja sikur kemi të bëjmë me një frenezi alla-erdogan.

Se Vetëvendosja në gjeologjinë e saj është një mishmash idesh, interesash e synimesh të përkundërta, kjo dihet. Por për syrin e pastërvitur është zor të pikaset fakti se ka qenë pikërisht Albini ai qe e ka atomizuar lëvizjen, duke e ndërsyer njërin grupim kundër tjetrit.

P.sh, rryma enveriste nxitej prej Albinit kundër sendimenteve titiste në Vetëvendosje (ku ka plot djemë e nipa të ish-funksionarëve jugoshqipfolës), ose këta kundër enveristëve, militantët e vjetër kundër FER-istëve (partia prej nga erdhi Shpend Ahmeti) ose këta kundër militantëve të vjetër, nacionalistët kundër trefërtalshëve dhe trefërtalshët kundër nacionalistëve.

Për aq sa shkojnë informacionet e mia, skizma e parë brenda Vetëvendosjes ngjau pas zgjedhjeve të qershorit dhe suksesit të stuhishëm të këtij subjekti.

Aty pati një përfytje mes Albin Kurtit dhe Dardan Molliqajt, i cili kishte krijuar staturën e njeriut të dytë më të fortë në lëvizje, shëmbëlltyra e të cilit asocionte me policimin e brendshëm, përjashtimet e aktivistëve dhe mbajtjen në këmbë të një ortodoksie ideologjike.

Rrëzimi nga fiku i Molliqajt sikur përqaset me atë anekdotën e Milan Gjilasit kur mori pjesë në përurimin e një burgu diku në ish-Jugosllavi…dhe disa javë më vonë, ai do të bëhej banori i parë i qelive për ‘fajet’ e tij.

Lufta brenda llojit që është kreshpëruar brenda Vetëvendosjes po zbulon një perversion të ri në teatrin kosovar: përtej sedrave e egove që gjakojnë për pushtetizim personal është mbimitizimi i liderit dhe prodhimi serik i klonëve të vegjël, sipas po të njëjtës shëmbëlltyrë…

Dhe tragjedia e pluralizmit shqiptar në të dy anët e kufirit është një kohëzgjatje prej krijimit të një miti politik deri në demitizim (ose kur miti kthehet në m**, siç po thuhet me ironi në Prishtinë): Azem Hajdari, Sali Berisha, Ibrahim Rugova, Hashim Thaçi, Edi Rama, Albin Kurti…

Faik Konica, eruditi i madh i penës dhe shqiptarisë




Më 15 dhjetor të vitit 1942, u nda nga jeta, publicisti më i shquar shqiptar, figurë politike dhe shkrimtari, Faik Konica. Mbarë shqiptarët e njohin atë si, eruditi që rrëfeu realitetin në të cilin ndodhej Shqipëria, po edhe atë që e priste, ku mënyra e komunikimit direkt të tij, për shumë mbase u dukej dhe duket e frikshme, nga mënyra e përçimit që e përcillte atë, vetë Konica.


Ende edhe sot mbeten reale thëniet e tij për shqiptarët para Evropës:

“Shqiptarët e mjerë presin që Evropa të vijë sot a nesër t’i shpëtojë. Është nevojë të themi, të bërtasim të vërtetën: Evropa shqiptarët i ka për të egër e për të humbur… Le të themi pra të vërtetën, gjithnjë të vërtetën… të përpiqemi t’i fryjmë popullit tonë pak jetë e pak guxim”.


Denoncimi i parë publik i Faik Konicës për pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste
Konica me veshje kombëtare në vitin 1909. Rrëfimet e Fan Nolit:



“Ta dini se ne në sy të Evropës së qytetëruar, jemi të prapambetur, dhe asgjë më shumë; ca na shajnë, ca na përqeshin, ca të pakëve u vjen keq. Hiqni dorë ju them, se u bëmë palaçot e dheut”.

E po ashtu, thuajse në përmbyllje ai saktëson se: “Armiqtë e Shqipërisë janë shqiptarët, jo të tjerë. Shqiptarët kanë shkruar me gjakun e tyre më tepër se një faqe në histori të Evropës”.

Nuk mjafton që të shkruash për gjeniun Konica, faqe të tëra, – por në materialet e mëposhtme do gjeni “copëza përmbledhëse” nga ky gjeni i madh i shqiptarisë, i cili ceku gjithashtu përmes intuitës që në gjenezë edhe konfliktet mes çamëve dhe grekëve, – duke e njohur mjaft mirë këtë vend, pasi ai ishte bir i tokës shqiptare, të Konicës.

Më poshtë, Konica.al, iu paraqet tre pjesë të shkëputura nga dokumentari “Enciklopedi që ecën me këmbë”; kushtuar Faik Konicës, nga Kujtim Gjonaj dhe nga Shtëpia Filmike “Bota Shqiptare” dhe F&S SATKA Enterprice L.L.C.

:Bardha Nergjoni E rrallë, kur intelektualët reagonin për bursën e Lasgush Poradecit



Në periudhën e punimit të doktorraturës, Lasgush Poradeci u përball me një problem ekonomik pasi iu hoq edhe bursa që merrte nga ministri i atëhershëm i Arsimit. Një prej intelektualëve të njohur elbasanas në këtë situatë mendoi t’i kërkonte ndihmë Lef Nosit që ky i fundit të ndërhyjë që t’i rikthehet bursa vjershëtorit tonë që po punon për një komb.



Fort i dashuni Zoti Lef!

Më vjen mirë se sot po gjej rastin t’ju vë një barrë sa do e randë por aq dhe e ambël për t’i shërbye një djal letrar fort të çmueshëm. Asht fjala për Llasgush Poradecin. Juve që dini sa vleftë ka për Shqipninë t’onë të mjerë një mjeshtër si Llazgushi sigurisht që do më epni të drejtë pse ju drejtohem juve. Natyrisht Juve që për veten t’uaj mbani një modestië me gjith që të gjithë ju çmojnë juve përkit detyrë(!!) të ndërmjetësoni atje ku lypset për përmirësimin të jetesës të një Llazgushi. Mjerisht, fort i dashuni Zoti Lef, këtu tek neve ku shpenzohet mijëra napolona kot vetëm për të përmbushë një egoizëm të poshtër dhe një ambicie të turpshme nuk gjenden disa pak të holla për përmbajtjen me shpirt ndër dhëmbë një vjershëtor? Këtu tek neve ku gjenden me duzina Prefektë, Ndërprefektë, oficera gjith lloj armësh në disposition nuk u gjendka një burim jetese për Llazgushin tonë? Me anë tjetër njerëzit nuk maten me një kutë.


Ka njerëz që janë për dobië të përgjithshme dhe atyre nuk aplikohet ligja integral por bëhet si kur nuk shifet në qoftë se u bë nonjë faj. Ministri i ynë i Arsimit ka gabue mbesoj, tyke i tërhekë bursën Llazgushit. Mbasi Llazgushi i jonë nuk po punon për veten e tij, por për një komb, kombi i tonë ka detyrë t’a përmaj gjall në mos me mish e pilaf ntombaren me bukë e me djath. Zoti Lef jam i sigurtë se fjala juaj ka të shkue shumë dhe më fort në Hili (Hil Mosi- shënim i imi) prandaj guxoj t’ju lutem t’i shkruani Hilit ose më mirë të vini vetënë Tiranë për të siguruë bursën e Llazgushit. Llazgushi, ashtë tepërt t’ju a thom, meriton çdo sakrificë. Ministria e Arsimit pretendon se bursa t’i jepet Llazgushit po qe se niset për Austrië. Zoti Lef lutem që të dihet Llazgushi në qoftë se rri këtu nuk rri për çështje tjetër veçse ka nevojë për erë të pastër dhe veçanërisht këtu nuk rrij pa punë: Llazgushi këtu po pregatit tezën për doktorat e cila asht ja 600 faqesh dhe po sa të maroj së shkruari domosdo do të shkoj që ta paraqisi tezën në Universitet për aprovim dhe për shtypie. Kjo asht e vërteta. Llazgushi s’ka seç kërkon sot në Austrie.
M’a falni Zoti Lef që ju drejtohem juve por juve jeni në shkallë që t’më kuptoni ma mir se çdo njeri tjetër.
Për çështjen e Llazgushit mbesoj sigurisht se do të gjini përkrahjen dhe të Z.Mit-hat Frashëri.
Juaj me nderime
Filip Papjani
10.X.1930 Pogradec
Foto : Letra origjinale, Dr. Filip Papajani, Lef Nosi…

Andreas Dushi:Akti me të cilin fillon historia shqiptare tregon shumë për karakterin tonë

Shqipëria e sotshme, përmes viteve ka kaluar në disa faza të ndryshme thelbësore, duke filluar qysh nga emri i saj. Eqrem Çabej në studimin e tij “Shqiptarët mes Lindjes dhe Perëndimit” i kushton vëmendje të madhe emrit të Shqipërisë të cilin e analizon historikisht qysh nga shekulli II pas Krishtit, kur Ptolemeu përmend për herë të parë një vend gjeokrafikisht të përcaktuar në mes të Shqipërisë së sotshme me emrin Arbanum.

Më pas, pas një heshtjeje shumëshekullore, ai tregon për trajtat fillestare të emrit: arb- dhe alb- ku, sipas tij, arb është një shekull më e lashtë se alb. Ndërsa për emrin shqiptarë dhe Shqipëri flitet shumë shekuj më vonë.

Është e vërtetuar dhe nuk besoj se është i domosdoshëm citimi i kësaj, se Arbëria është pararendëse e Shqipërisë. E thashë këtë për të kuptuar atë çka do të lexoni në vazhdim.

Fallmerayer në librin e tij “Das Albanesiche Element”, vëllimi II, të cituar nga Aurel Plasari në librin “Shqipëria dhe shqiptarët në Europën e Piut II”, thotë “…historia arbërore zë fill me një akt flagrant rebelimi.” Në përpjekje për të zbërthyer këtë frazë, Plasari shkruan: Fjalën e ka pasur për përfshirjen e arbërve jo vetëm në rebelimin ushtarak të megastategut të Siçilisë dhe Italisë së Jugut Gjergj Maniakes, por edhe për rebelimin ndaj Dukës së Durrësit Nikefor Brieni, të dukës zëvëndësues të tij Nikefor Vasiliakes e të tjerë.

Por arbërit ishin të pranishëm edhe në kryengritje të tjera, ku njërën syresh Plasari e përmend si në vijim: Prania e arbërve mund të llogaritet edhe në kryengritjen e vitit 1040-1041, kur kryengritësit “hodhën poshtë zgjedhën bizantine” – kronografët bizantinë i paraqesin këto si “barbarë” – me Pjetër Delianin që mbërrinte deri në Durrës duke formuar të ashtuquajturin “Shtet të Ohërisë”.

Pra, siç shihet, qysh në fillim të shekullit XI, arbërit e hershëm e shqiptarët e mëvonshëm nuk e kanë pranuar si opsion të mundshëm pushtimin, ndaj të cilit herë pas here, janë rebeluar. Të shtyrë nga dikush që synonte pushtet për vetveten apo nga ndjenja për liri, nuk mund të konkludojmë qartazi. Ama ato janë rebeluar ndaj së keqes dhe kështu duhet të bëhet edhe sot!

Libri Francez i 1804 : Veshja e grave shqiptare në Athinë dhe mënyra e tyre e kërcimit në ceremonitë martesore





Nga Aurenc Bebja*, Francë


Në librin “Recherches sur les costumes, les mœurs, les usages religieux, civils et militaires des anciens peuples. – Hulumtime mbi kostumet, zakonet, ushtrimet fetare, civile dhe ushtarake të popujve të lashtë.”, të Joseph Malliot (1735 – 1811), botuar në Paris në vitin 1804, nga shtëpia botuese P.Didot, gjejmë një shkrim që trajton veshjen e grave shqiptare dhe mënyrën e tyre të kërcimit në dasmë.

Në fakt, autori francez, në veprën e tij, duke folur për “shqiptarët e lashtë, popull Ilir, të cilët nxitohen të largojnë trupat e atyre që vdesin me të gjitha objektet që u përkasin”, citon bashkëkombasin e tij, njohës i çështjes shqiptare, Julien-David Le Roy (1724 – 1803).

Në vijim, do të gjeni përshkrimin e Le Roy për gratë shqiptare, të sjellë në shqip nga Aurenc Bebja – Blogu “Dars (Klos), Mat – Albania” :

“Veshja e ceremonisë së shqiptarëve – thotë Le Roy, duke folur për ato të sotmet , në veprën e tij mbi rrënojat e Greqisë – më dukej shumë e lashtë ; ajo ngjan me atë të heronjve të Greqisë, që na kujton medaljet dhe statujat.

Mënyra e përgatitjes së grave të tyre është e veçantë ; duket se i përket kohëve të hershme, ku përdorimi i stolive nuk njihej ende.

Gratë e pasura nuk patën menduar asgjë më të mirë për të treguar pasurinë e tyre, sesa të vinin monedha prej ari ose argjendi në qafë ; dhe kam parë në Athinë disa gra shqiptare, të cilat kishin një sasi kaq të madhe piastrash mbi stomak, sa që gratë tona do të konsideronin mbajtjen e këtyre stolive si një punë të rëndë.

Gratë shqiptare i bëjnë flokët gërsheta dhe i hedhin nga mbrapa ; ata mbulojnë pjesën e bishtit që është pranë kokës me monedha shumë të mëdha dhe pjesën tjetër me monedha më të vogla deri në majat e flokëve.

Siç mund ta imagjinojmë, ato nuk duhet të jenë shumë të lehta me këto zbukurime.

Kështu, unë vëzhgova se burrat lëviznin shumë kur kërcenin vetëm ; ndërsa vallet ku kërcejnë gratë realizohen me më shumë rëndësi.

Në këto valle, burrat renditen në rresht dhe mbahen dorë për dore, ndërsa gratë të gjitha së bashku gjenden në mesin e grupit.

Ata kërcejnë duke kënduar disa melodi me ritme të ngadalta dhe vetëm prindërit mund t’i mbajnë për dore gratë (vajzat)”

Kush e tha që “Në epoka të ndryshme shqiptarët kanë “pushtuar” Greqinë kontinentale dhe Peleponezin…”


Nga Xherardo Nikjari



Shoseul Gonfier (1752-1817) shkrimtar dhe diplomat francez, ambasador në Stamboll (1784), ministër shtetit, drejtor i Akademisë së Arteve të Bukukura, kont dhe kalorës i Legjionit të Nderit.

Botoi veprën “Udhëtimi piktoresk në Greqi” në tri vëllime. Në veprën “La Greece moderne” (Greqia moderne) përshkruan udhëtimet e tinë Greqi dhe gjendjen e saj nën sundimin osman.

Ndërsa në njërin nga vëllimet e librit për shqiptarët e Livadhjasë shkruan: “Në të hyrë të kishës gratë dhe vajzat i lënë të lëshuara gërshetat….

Në Greqi ka dy lloj racash njerzore që njihen lehtë, raca shqiptare dhe ajo helene. Në epoka të ndryshme shqiptarët kanë “pushtuar” Greqinë kontinentale dhe Peleponezin…”

Për Shqiptarët në Eube thotë:“Shqiptarët nuk e çajnë kokën shumë për të ardhmen e tyre. Ata janë shumë ekspresivë dhe zhurmëmëdhenj në momentet e gëzuara. Ne kënduam këngë franceze, greke e shqiptare.

Një djalosh 13-vjeçar ia dha me një zë të lartë dhe bashkëpatriotët ndërkohë përsërisnin në kor refrenin e këngës. Në malin Athos pashë një shqiptar që shoqëroi ambasadorin francez me shkrepje të pushkës, duke paralajmëruar para mureve të manastirit ardhjen tonë.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...