2018-04-19

I madhi Martin Camaj (1925 – 1992 )

Fritz Radovani


Asht le në fshatin Temal të Veriut të Shkodres. Prindët e dergojnë në Gjimnazin e Jezuitëve të Shkodres, ku merr mësimet e para. Në vitin 1944 shkëputet nga Shqipnia dhe per pak vite asht mësues. Në vitin 1949 i jepet mundësia me ndjekë studimet në Beograd, ku perfundon shkelqyeshem universitetin per gjuhen sllave dhe romane.

I hapet njëfarë “drite” që per arsye të studimeve fillestare në Shkoder, i shuhet edhe ajo.

Detyrohet me u largue nga Beogradi në vitin 1956, dhe shkon në Romë Itali, ku vazhdon studimet dhe konsiderohet Akademik.

Në vitin 1969 triumfon në zemren e Martinit dashunia per Gjuhen Shqipe të Nanës…

Perfundon studimet per Albanologji në Universitetin e Mynihut në Gjermani.

Ishte Profesor aty, kur me 12 Mars 1992 mbylli sytë vezullues të Tij si shkectar i vertetë, tue na lanë një perlë shumë të çmueshme artistike nder Veprat e Tij…

Në Letersinë Shqipe, Martin Camajt, vendin ia ka caktue Prof. Arshi Pipa…



NGA MARTIN CAMAJ



HIJA E GJERGJ KASTRIOTIT



Shum vjet mbas vdekjes barijt e panë

Gjergjin mbi majet e Dibrës në kalë

tue shkue për Krû.

Andej lumit i ecte hija shpatit

tue i prekun majet e lisave kryet;

“Gjergj, ndalu njiherë, pashë Zotin! -

I britte nji plak tue ngâ mbas tij kambzdathë.

-Turqit m’a vranë djalin dhe vajzën…

vajzen m’a shnderuen te votra.

Ndalu, ndalu, Skanderbeg e kthe dalë!

Shatorret anmiku në mbrame i dij ku i ngul

e shtiqet e ngushta n’udhtim ku i këput.

Un due me vdekë, o zot, i ngimë me gjakun e tyne,

përndryshej toka s’ka me më lanun mbrendë

me djalë, as qiella me thithun nji ajr me vajzë.

Nxire pallën, bre burrë!”.

Skanderbegu pa sjellun kryet ulej majes teposhtë,

parzmorja e hekurt e armët pa krisë.

-O plak fatkeq, pse e mundon ashtu hijen?

-Britne barít për së largut.

Lene Gjergjin me shkue për Krû!”.

Atbotë Skanderbegu u zhduk mbas malit,

por andej lumit hija i eci mbi lisa me qinda vjet

për rrugë tue shkue në Krû.



Shenim: Në këte Pervjetor, ky material u pergatitë nga Fritz Radovani.

Melbourne, Mars 2018.

Kur kritikohej Kadare dhe Agolli

Fotografia e Gezim Llojdia

Nga Gëzim Llojdia

1.

Kadarenë e kam vizituar në studion e tij në vitin ,86,ndërkaq isha veçse një student . Nga kjo vizitë mbajë mend ende pamjen e një murgu të letrave, që çuditërisht vinte nga bota e epërme hyjnore. Dua të shqyrtoj, se ai ishte një :”punëtor i letrave”, që e gdhinte dhe ngryste kohën me letërsinë. Nën syrin tim ky ishte mendimi i parë .Mirëpo edhe pse Kadare njihej ndërkaq tej kufirit të këtij vendi dhe botohej nëpër botë (në bibliotekën e tij në shtëpinë e tij,librat me kopertina të ndryshme ishin botimet në gjuhët e ndryshme të botës) , shkrimtarin e godisnin me forma dhe mënyra të ndryshme dhe më çuditërisht e më tepër të përhapura aso kohe ishin letrat, që mbrinin nëpër redaksi gazetash apo kritikat që i bënin jo në pak raste :” lexuesit që në disa raste shfaqen si lexues të porositur”. Aso kohe parimi ishte i qartë .Nëse ishe dikush, pra nëse ishe kaposh,ta prisnin bishtin dhe nëse s’ishe i tillë, të vinin krejt papritur bisht.I lexueshëm parimi i kohës :”Partia mbi të gjitha kudo dhe në çdo vend”.

2.

Mjafton për të shfletuar të përjavshmen :”Drita”,letrarore-artistike të 10korrikut 1966,për të kuptuar qartësisht si bëhej kritika nga lexuesit në shtypin letrar.Në dukje qartësisht kritika e ndershme, po në thelb a ishte e tillë?

Një tregim me shumë pik-pyetje,shkruan (B.Myftari,punëtor në stabilimentin:”M.Duri” Tiranë.) Ku midis të tjerave shkruan:Unë do bëj fjalë në këtë shkrim për një tregim të tillë,për tregimin:Zbërthimi” të Ismail Kadaresë,që është botuar nga fundi i vitit të kaluar në gazetën:”Drita”. Ja përmbajtja më dy fjalë:”Një fshatar nga një “fshat i humbur”, që nuk e ka parë luftën me sy’ gjen një natë në bregdet një minë të cilën e merr për fuçi vaji dhe duke e rrokullisur e çon në shtëpi. Kur kupton se është minë jep alarmin në të gjithë fshatin. Fshatarët të trembur nga kjo e papritur sikur tu kishte rënë kolera braktisin shtëpitë dhe dalin jashtë fshatit.

Duke vijuar me tregimin, autori shkruan se : djali i madh i fshatarit shkon në qytet për të mësuar si zbërthej mina .Fshatarët kërkojnë një mjeshtër, por as ai nuk e zbërthen dhe shpëtojnë vetëm kur vijnë partizanët. Mbasi përfundon së lexuari këtë tregim të lindin këto pyetje:” Ç’ka dashur të thotë autori me këtë tregim?.

Ku ndodhet ky fshatë i “humbur” që s’ka parë luftë me sy?

Ç’janë këta fshatarë që tremben kaq shumë nga mina?

Armikun. Ne qoftë se mina përfaqëson armikun,po ushtarët fashistë të postës çfarë përfaqësojnë?Autori ka dashur të thotë diçka, por nuk ja ka dal. Një fshat i tillë nuk ndodhet asgjëkund në Shqipëri. Vetëm në fantazinë e autorit. Fshatrat tona janë djegur e zhuritur nga fashistat e nazistat. Fshatarët, që përshkruhen në tregim nuk janë shqiptarë. Shqiptarët nuk tremben. Këtë e dinë shumë mirë edhe armiqtë. Pra janë krijuar nga autori .E marrin minën për një moment si simbol, që përfaqëson armikun. Por,autori e rrëzon vetë këtë si simbol kur thotë se aty afër ndodhej një postë me ushtarë fashistë .Pra u rrëzua simboli e bashkë me simbolin edhe tregimi,sepse ky tregim është bazuar në simbol.Ky tregim mund të mbetet si legjendë,por të edukon për keq. Fshatarët simbas autorit tremben nga mina(armiku) braktisin shtypit dhe largohen të tmerruar. Por legjendat e bukura të popullit na tregojnë të kundërtën.

Marrim shembull :”Gjergj Elez Alia”,Bajlozi i zi që ka dalë nga deti përfaqëson armikun...Me tej ky autor shkruan: Gjuha në tregim është e thatë. Ajo nuk është bazuar në pasurin e folklorit tonë,megjithëse autori përmend shpesh fjalët “tmerr”,”llahtarë” etj.

Tregime të tilla nuk dëshiroj të lexoj. Presim nga shokët shkrimtarë të na shkruajnë vepra të bukura,të bazuara ne gjuhën popullit,ku pasqyrohen bukurit e vendit tonë, shpirti i popullit tonë,vetëmohimi i popullit tonë për ndërtimin e shoqërisë sonë të re,për ndërtimin e socializmit,vrullit revolucionar,që ka pushtuar masat tona punonjëse. Besoj se shkrimtarët do të na e plotësojnë dëshirën sepse tani,ata janë më afër me masat dhe do ti njohin më mirë ato,përfundon letra e punëtorit të stabilimenit M.Duri” të Tiranës.

3.

Po në faqen dy të kësaj gazete letrare-artistike shfaqet edhe shkrimi i M.Zeqo,nxënës ,Durrës. Duke folur për edukimin komunist revolucionar të brezit të ri, ai merë në analizë, disa tregime të disa autorëve shqiptarë.

Në fillim ai analizon tregimin e A.Cergës :”Ne ishim tetë” duke shqyrtuar fjalët se ky ishte një tregim i mirë. Ndërsa tregimi tjetër:Ujqërit’ i Agim Cergës,shkruan M.Z është i zbehtë dhe ka tinguj fallco. Në këtë tregim vihet re një tendencë humanizmi të sëmurë. Autori me anë të këtij tregimi e zbut figurën e oficerit fashistë i cili ka ardhur në vendin tonë. Ky oficer ka lëkundje shpirtërore dhe nuk donë, që të luftoj kundër shqiptarëve. Autori e justifikon këtë duke thënë se është arbëresh. Pra oficeri nuk don të luftoj kundër shqiptarëve se është arbëresh, por sikur ky oficer të ishte në nj shtet tjetër,a do të luftonte?

Dua të theksoj se ky oficer duhej të kish merita në ushtrinë fashiste,përderisa kishte gradën oficer.Nëpërmjet tregimit ky njeri me merita fashiste na del njerëzor dhe i dhembshur .

Më poshtë autori analizon tregimin e autorit T.Laco “Larashi” duke quajtur një tregim të mirë.

Duke analizuar D.Agollin, ai shkruan:”Tregim i dobët dhe pa vlerë është tregimi”Kamerad,kamerad” i D.Agollit.

Se kuptoj ce ka shqetësuar D.Agollin të shkruante këtë tregim. Një doktor italian dezerton nga ushtria e tij dhe vjen tek partizanët .A nuk kishte ndonjë cilësi të shquar. Sish trim,por nga ana tjetër ish i dhënë mjaft mbas dashurisë,megjithëse në një moment autori e ngre doktorin kur ky ndodhet pranë një gruaje,që po lindte,prapë se prapë figura e doktorit është e zbehtë .Ku qëndron fabula e këtij tregimi?

Duke mbyllur këto shënime dua të theksoj edhe njëherë se ne të rinjtë,duam të lexojmë tregime, që na mësojnë,duam të gjejmë në letërsi heronj,që të mund ti marrim shembull në punën e jetën tonë. Mbyllet po me këto fjalë letra e nxënësit nga Durrësi.

Gjurmë jete e dritë historie


Sejdi BERISHA:

TINGËLLIMA E VARGUT-GJURMË JETE E DRITË HISTORIE

(Fatmir Terziu: “Lumenjtë e ëndrrave”- poezi, botoi Shtëpia Botuese “Lulu” UK-USA Janar, 2012)

Po të lexosh krijimtarinë letrare të Fatmir Terziut, vëren një rrugëtim karakteristik dhe me plot temperament të dellit krijues gjithnjë me qëllim për të afirmuar vlerat shpirtërore dhe kulturore dhe krijimtarinë jo vetëm të vetvetes, i cili temperament, as autorin por as lexuesin nuk e lë të qetë pa u futur në brendinë ndijimit, të mendimit dhe të mesazhit, faktorë këta të cilët janë mirë të kompozuar me ankthin, makthin, dashurinë, me dritën, mallin dhe me etjen, por edhe me lumturinë e njeriut, me mirëqenien e tij dhe të atdheut. Të gjitha këto elemente, thekshëm dhe me amanetin e etjes shtrohen për ta ngritur lapidarin e dritës, e kjo, veçmas bëhet më domethënëse dhe me kuptim shumëdimensional, kur gjërat shkruhen e analizohen me shkrumbin dhe mallin për vendlindje, për atdhe, por edhe kur shkruhen nga ai këndi i shikimit të pafund në horizont, të cilin ta imponon kurbeti. Këtë karakteristikë me peshë filozofike e hasim edhe tek libri i pestë me poezi “Lumenjtë e ëndrrave” të shkrimtarit, Fatmir Terziu.

Vargu sinonim i shpërthimit shpirtëror

Vargëzimi dhe këndimi poetik në këtë vepër, prej fillimit ecën plotë dashuri e dhembje, por edhe, thënë figurativisht, edhe trishtueshëm, mu ashtu si ora në dhomën e vetmisë, rrjedhë mahnitshëm si lumi, por, ç’është ajo dhembja që dot nuk hiqet qafet, por, gjithnjë e më shumë zë vend në shpirtin e njeriut, në shpirtin e poetit, është se: “Dhe prapë nga e para/një zanafillë/një grahmë që s’na puqet/e djeshmja/e sotmja.../e mbara”. Andaj, kështu, që në fillim, autori na imponon mendimin të përcjellë me ritmin e jetës, ndërsa, jeta edhe pse na këshillon, ajo ndonjëherë, edhe pse i besojmë, nuk del e saktë në shkronjat e vargut dhe të jetës. Ndërkaq, peizazhet, edhe pse, si tek piktorët ashtu edhe tek poetët, janë simbol i madhështisë, i jetës fragmentare mbase edhe historike, këtë formë ravijëzimi, poeti na sjellë me një subtilitet dhe ndërtim vargu duke i hapur shumë tema për debat: “...Fati i një viti të plotë/Mbledhur në grusht”, dhe “...Dasma ka nisur vitesh/Çafkat i ka flakur tutje/Biznes i vetëm glasat që lënë pas/Një bust i ndotur prej tyre/Ashtu vesh këputur/Gojëlidhur nisi të flasë”!

Vargjet e tilla, që janë metaforë e veçantë dhe karakteristike, sikur para nesh sjellin nyjën, jo të Gordiut, por një tjetër për ta zgjidhur, atë i cili me shekuj e decenie ngulfatë për gjithçka! Këtë lëvizje zjarri të mendjes, poeti e ngre edhe më lartë kur na bezdis me përplasjet e “ëmbla” shpirtërore të tij: “Mos më pyesni për kërcitjen e gishtave/...Më ndje qenia ime tokësore/...Të ndjej edhe Ty/...Edhe kur nën zë bilbilat këndojnë”. E theksova këtë me një qëllim, sepse, këndimi nën zë, shpeshherë është sinonim i shpërthimit shpirtëror, sinonim i ankthit për diçka, mbase edhe atëherë nuk di ta shpjegosh deri në fund, gjë kjo e cila e bën edhe më të fuqishëm vargun, poezinë!


Prof. Dr. Fatmir Terziu

Kur lexuesi i lexon me kujdes dhe me përkushtim vargjet dhe poezitë në këtë vepër, ato duken sikur janë të zgjedhura e të përzgjedhura për të na sjellë panorama kohërash për të na fërkuar e përplasur qëllimshëm mendjen me etapa e periudha, duke na nxjerrë kështu nga fundit i fundit përjetimin dhe ndijimin, duke na provokuar mendjen që edhe opinioni lexues për të hartuar një hartë dhembjeje, historie, matematike, qortimi, lumturie e krenarie, e të cilat gjëra, pastaj na detyron t’i sublimojmë në një mendim të arsyes, i cili binarët e jetës do t’i pajtonte me peshën e tillë të mospajtimit dhe të pajtimit në të njëjtën kohë. E këtë, si nismë provokimi për lexuesin e hasim tek poezia “Albania” kushtuar Faik Konicës: “...Jeta tek vjen me mua/Shëtit rrugë më rrugë/Dhe botës i thua/”Albania” s’vdes kurrë”!

Kurse, karshi kësaj teme, kurbeti është shqetësimi më i madh shpirtëror, i cili kalon normalen e zjarrit dhe të etjes, por që për gjithçka bëhet piramidë kënge e dashurie; për vendlindjen dhe atdheun si dhe për njeriun të cilit trupi i merr frymë ilirisht dhe ka erë dheu e shkëmbinjsh të vendit, ku shqiponjat fluturojnë lirisht, e vëzhgojnë tokën e cila ka peshën e mallit dhe madhështinë e Zotit: “...Si qenka kjo bota kështu/...Çdo ditë unë e vuaj largësinë/...Të ftohtit e ndjej edhe në verë/Dhe shiut as këngën s’ia ndjej”.
Por, kur lumenjtë marrin veten, dhe me ujin e kthjellët mahnitin gjelbërimin e tokës dhe bukurinë e fushave, ata, jo rrallë buzë vetes vjedhurazi prekin e lagin tokën dhe kështu tinëzisht i puthin ngjyrat e luleve që kanë petale përrallore. Andaj, për këtë, edhe poeti ka të drejtë të vargëzojë duke shmangur ndonjëherë rrugën e mallit dhe të zgjimit, e për të kujtuar “kalërimin” e jetës, duke shprehur në mënyrë të përzier edhe dhembjen edhe dëshirën, por ngjitur me to edhe mallin dhe vetëm mallin: “...Eh. Se ç’më zgjojnë takat nga gjumi/Dhe dijeni miq se s’është sekret/Pa taka na duket se na merr lumi/Dhe dheu më shpejt na tret...”!

Mirëpo, poeti menjëherë i kthehet realitetit që tronditë e dhemb për fatin e njeriut, për historinë e jetën, që janë të thurura e të ndërtuara edhe me shumë ngjarje-pasqyrë e çuditshme e njeriut që ia zë frymën kombit e atdheut: “Eh, sa gurë janë hedhur/Qëmoti për të gjakosur/Vrarë e nëpërkëmbur Fjalën/Të lirën e të bukurën”. Por, kur e analizojmë këtë, nganjëherë, më të vërtetë na duket mendim i tejkaluar dhe naiv, sepse, jeta është aritmetikë, mirëpo “Jeta rrokullisej përditë/Mes numrash me ankth e me frikë”.
E tërë kjo, na shpie për t’u ndërlidhur me poezinë “Mall”, e cila reflekton përjetimin e thellë shpirtëror të autorit me rastin e vdekjes së poetit Tahir Desku, i cili me vargun e tij karakteristik atëbotë i ushqente “Engjëjt e lirisë”, por edhe duke kënduar: “Në cilin gjeth e kam vdekjen”. Të gjitha këto, autorin e librit “Lumenjtë e ëndrrave”, e bëjnë shtegtar të jetës edhe të të tjerëve, për çfarë dëshmon se krijuesi, i tëri i është përkushtuar njeriut dhe jetës së tij, të cilat gjëra i rrumbullakon në rrethin e zjarrtë që quhet mall!
Në poezi, loti i nënës si faqe historish

Në “Lumenjtë e ëndrrave”, F. Terziu, gjithnjë ecën duke prekur çdo gjë që e ka në vetvete, që e ka të gjakut dhe të tokës e të vendit që i takon. Por, kjo merr pezëm e fuqi edhe më shumë, kur ai, larg atdheut thotë, këndon e ligjëron: “...Ditë-netët e mia/Murashë të largësisë/Garojnë në takimin tim me Ju”. Kjo, sepse, poeti në asnjë moment dhe në asnjë mënyrë nuk mund të pajtohet me largësitë që e kanë katandisur nga vendlindja dhe toka e rrahur, e përgjakur dhe trazuar nëpër shekuj, por gjithmonë stoike, krenare dhe përherë ishte pip në këmbë-vertikalisht, toka arbërore: “Në motin qaraman, të ngrirë, të bufatosur/Si troshanak pas një cope buke përditëso/Magazinoj kujtesën time/Dita-ditës/Struk e ngjesh në të/Si emigrant valixhen e detyruar/Në udhëtimin drejt vendlindjes”.
Lumenjtë e ëndrrave, njeriun e sjellin edhe tek thelbi i dashurisë dhe i dhembjes. Këto dy drejtëza prush e zjarr, takohen, ku tjetër pos tek nëna. Prandaj, F. Terziu na i “lidhë” duart dhe na ngushton mendjen për lotin e nënës: “Një pikë loti nëne/I ardhur nga Zoti për tu derdhur/Djepeve/Odave/Frëngjive/Sa herë që është e nevojshme/Loti i nënave!/Dobësia e tyre e vetme/Një lot për njerëzimin”!

Përmes këtyre vargjeve, poeti, si formulë matematike na sjell një histori të tërë, e cila ngjit me lotin e nënës na i shfleton edhe faqet më të vështira dhe më të ndritshme të kombit. Për këtë, loti i nënës dhe pesha karakteristike e tij na ofrohet si univers i veçantë.
Autori, jeton larg atdheut. Andaj, siç kemi thënë edhe në fillim, ai është shpirt i trazuar, është me mijëra plagë nga më të ndryshmet, por është edhe me mijëra pikëpyetje për fatin e vet, të njeriut dhe të atdheut. Për këtë arsye, dhembjen e tij na ofron si pikturë: “Vite të tëra larg/Vragë në shpirt/Sy e duar ngatë/...Edhe pse mua pa Ju/Distanca më gërryen/Atdheu im, i vjetër i ri/Ndjej mall/para teje përkulem”!

Një gjendje të tillë në “Lumenjtë e ëndrrave”, e hasim edhe tek shumë poezi të tjera, si “Kredhje hutaqe”, “Në vend të ikjes”, “ Dhuratë e munguar”, “Gëlltitje” etj.

Kur vargëzimi bëhet dritë dhe portë e lumturisë

Vargu peshon më rëndë dhe shprush mendimin kur ngritë zërin për të shpjeguar se sa dhemb kurbeti, kjo plagë shekullore që ka goditur njeriun tonë. Andaj, poeti, kujtimet bashkë me kohën, të cilat korrespondojnë si valët e detit dhe të lumenjve, dëshiron ato dhe çdo gjë tjetër që ia rëndon mendjen e zemrën, t’i bëjë jehonë dhe pjesë të pashkëputshme edhe të lexuesit: “Ej, ndjesi të lumturisë/Ecni të paktën pranë meje/Ju ndjej/Ju prek/Ju njoh”, ose: “Ej, miq më dëgjoni/Këngën të paktën/Ma ndini/Vargun të paktën/Ma lexoni/Miq të vargut/Mikesha të fjalës/Më kuptoni që tretëm/Mes jehonës suaj/Më besoni”!

Pikërisht, për këtë arsye, poeti na rrëmben mendjen e zemrat edhe me poezitë: “Zbrastësi”, “Ne, 20-vjeçarët”, “Kacafytje guralecësh me ujëkripë”, “Kthinë” etj. Duke ndje mallin për atdhe, autori në “Lumenjtë e ëndrrave”, u këndon edhe shumë figurave dhe personaliteteve që atij ia “trazojnë” ecjet, si: Aleko Likajt, Vasil Qesarit, Pendeli Koçit etj. Poeti, thjeshtë shpreh rebelim, i cili edhe më shumë ia madhështon mesazhin poetik, sepse, siç dihet, përjetimet nuk rrinë galuc, por gjithnjë ecin dhe trazojnë e ngacmojnë njëri-tjetrin kudo që ndodhet poeti: “...Pastaj ndizem i tëri nën jorgan/Kaploj male, fusha oqean”. Shih se çfarë “rehatie” jete bën autori. Edhe nën jorgan, duke e braktisur gjumin, kush e di se çfarë bën duke shëtitur e duke vrarë mendjen, dhe pastaj sikur e “qetëson” shpirtin: “...Tani jam këtu bija ime/Jam këtu në këtë anë/Që të thërras ëndrrën time”, për të vazhduar: “Kush na trazoi bija ime/Kush na dredhoi rrugën e mirë/Kush na la në thërrime/Kush na la të ngrirë”!
Me këtë formë të vargëzimit, autori fuqishëm prezanton përplasjet shpirtërore të tij dhe jo vetëm të tij, të cilat, pastaj sikur shndërrohen në një rrëfim romani ku gërshetohet gjithçka që trazon, që sjellë dilema, por edhe njeriun e zbërthen në qëndresë të çuditshme, e cila bëhet si dritë që vjen nga lartë, kurse dera e lumturisë hapet njëherë, por përgjithmonë mirë. Bile, edhe atëherë kur “edhe gurët nën lumë pikojnë gjak”.
Të kësaj natyre fuqishëm tingëllojnë dhe bëhen gjurmë historie edhe poezitë: “Butrint”, “Janinës ia pashë sytë” e kështu me radhë.

Kthehemi tek mesazhi i veprës. Duke e njohur bukur mirë timbrin krijues të Fatmir Terziut, libri “Lumenjtë e ëndrrave”, në një mënyrë shpreh dhe prezanton një formë të biografisë së autorit, e cila shpalos faqe interesante, duke i gërshetuar ato, e nganjëherë edhe duke i shndërruar në periudha dhe etapa historike, që bashkërisht dhembin, djegin e përcëllojnë: “Ujëra pafund në ëndrrat e mia/Lumenj që rrjedhin pa pushim/Aty pastaj krihet vetmia/Aty nis çdo mendim”.

Në këtë vargëzim të “tensionuar”, autori mëton dhe dëshiron për të na bërë me dije, se: “Lumenjtë e mi kurrë s’flejnë/Lumenjtë ka kohë që janë egërsuar/Ëndrrave të mia të netëve dimërore/S’di ç’duhet për t’i qetësuar/Ndoshta, rikthim te ëndrrat rinore”!
Libri “Lumenjtë e ëndrrave” i F. Terziut është një vepër e cila edhe provokon edhe intrigon për vlerat letrare dhe të mendimit të thellë filozofik, për metaforën e vargut, të cilat, bashkë i ngjajnë bukurisë së kohës jo vetëm në katër stinët e vitit. Në këtë aspekt, mendimi dhe ndijimi sikur shndërrohen në një hartë e cila akoma e ka të paidentifikuar peshën dhe hapësirën e vetë, por që i ngjanë kopshtit me lule e plot gjelbërim, e që aty-këtu përvidhen edhe therra të cilat në aspektin metaforik e zbukurojnë qilimin e jetës!
Andaj, këtë analizë libri do ta përfundoj me disa nga vargjet e kësaj vepre: “Kohën e gozhduam mureve/E futëm në dosje/E kyçëm në sirtarë/E flijuam stendave, muzeumeve/Në parcela, kënde e qoshe...”! Pra, e tërë kjo dëshmon se rrugëtimi i mëtejmë është i domosdoshëm, por që do akoma më shumë ndërgjegjësim, vetëdijesim, angazhim, flijim e sakrificë dhe studim mbase edhe këndim poetik.

Për këtë, kujtoj se libri me poezi “Lumenjtë e ëndrrave” i Fatmir Terziut është edhe një vepër e cila begaton letrat dhe krijimtarinë letrare kombëtare.

Të ndjesh dhe të mësosh të jetosh



Vjollca Tiku Pasku



Jetonte para shumë kohësh, në një fshat, buzë një mali, një djalë me zemër të artë. Ai shëronte njerëzit me bimë mjekësore. Ngrihej në mëngjes herët, lante sytë me vesë dhe shkonte atje, ku dielli hidhte rrezen e parë mbi pllajën malore. Ulej tek një shkëmb i moçëm dhe meditonte, duke e lënë shpirtin e lirë të lahej me dritën e bardhë. Aty hynte qetësisht në ëndrrat e luleve dhe ato me ngjyrën, aromën dhe pëshpëritje fërfërimash i thoshin: “Më këput mua sot” Ai i njihte më së miri të gjitha bimët dhe efektet e tyre tek të sëmurërt... E kështu ditët kalonin njëra pas tjetrës. Djali i gëzohej punës se tij, dashurisë së njerëzve, dritës së artë brenda shpirtit. Një ditë doli shumë herët nga shtëpia. Ishte një nga ato ditë të freskëta të majit, kur të gjitha aromat e mëngjesit formonin frymëmarrjen e lumturisë. Dielli nuk kishte lëshuar akoma një shkëndijë, kështu që meditimin e bënte bashkë me të. Atë ditë duhej të kërkonte në lëndinën e malit, për të gjetur “çanga” një kërpudhë parazitare, që rritej në lëvoret e mështeknës. Ajo quhej bimë e mbifuqishme. Papritur dëgjoi një zë të zgjatur me “Ooooooooooooooooo!”. Ëmbëlsia e zërit, ishte si ajo e bilbilit, e shkrirë në gojën më të ëmbël të njeriut. Për çudi atë çast rrezet e diellit, ranë si një unazë gjigante dhe ngjyrat e luleve morën zjarr. Dukej sikur nga jargavani qiellor kishin zbritur disa qenie të çuditshme. Por jo... Shpirti i tij kristal mundi t’i dallonte më qartë. Ishin mbledhur aty të gjitha vlerat e njeriut: vullneti, dëshira, durimi, ëndrra,shpresa, suksesi, vuajtja me lotin shoqërues, suksesi, pikëllimi etj. Por më e bukura mes tyre, ishte dashuria. Ajo rrezatonte një shkëlqim mahnitës, fytyra e saj dukej si një engjëllore, ku syve i lodronte buzëqeshja e sythave të pranverës dhe në duar mbante një harpë vezulluese. Nëse dy zemra dëgjonin tingujt e saj, ato binin në dashuri. Dashuria ndjeu se dikush ishte aty pranë. Zemra e djalit filloi të rrihte fort. Emocionet iu transformuan në fjalë:

-O Zot, çfarë bukurie!... Kush i ujit lulet e syve të tu, të çelin margaritarë, e të dashuruarit të pyesin petalet e bardha?...

Kush i kreh flokët e tu si katarakte, me fjongo të endur nga dritëza hëna? Trëndafilat e kuq ngjyrosin mollëzat e faqeve të tua, por nuk e di nëse ata kanë marrë nga rrjedha e venave të tua! Nga buzët e tua aromat e pranverës formojnë dy zemra që qeshin nga lumturia. Drita që lëshon ti, i jep shpresë ëndrrave dhe lumturisë të afrohet. Dua të qëndroj me ty, si ndjenja qe jeton në zjarrin e pashuar!

Dashuria iu përgjigj:

-Unë e di, ti je djali me shpirt të pastër si kristal, dhe zemrën e ke si ylli i parë i mëngjesit. Dashuria ime i përket mbarë njerëzimit. Po të rri me ty do të isha vlerë vetëm për ty. Vendi dhe detyra ime është të jem pranë vëllezërve dhe motrave të mia, ndërsa vendi yt është pranë njerëzve, ku ti do të gjesh dashurinë tënde... - i tha ëmbëlsisht ajo. Shpirti i djalit, i prekur nga vet harpa e dashurisë shpërtheu të gjithë dëshpërimin, si rrjedhat e shiut që bien me forcë mbi tokë... Atë çast vlerat e tjera erdhën të shohin se ç’farë ndodhi. Ai i zemëruar në kulm u tha:

-Ik dashuri, ikni të gjitha ju vlera, nuk dua asnjë prej jush, nuk dua të jem njeri e të ndjej trazimin tuaj. Këtë dhimbje nuk e duroj dot. Të ëndërrosh një jetë dhe të mos prekësh, të dëgjosh tingujt më të mrekullueshëm të zemrës dhe t’i stonosh, të shohësh vet Perëndinë dhe të verbohesh... Jo, jo, më mirë të jem një gur se sa njeri!

Atëherë të gjitha vlerat e braktisen atë. Zemra e tij e artë, u kthye në gur. Ai s'mund të ndiente më asgjë... U kthye në një njeri pa ndjenja, si një gjallesë që lëviz për inerci. Ishte krejtësisht bosh, si një hije mbi dhe. Energjia që e shoqëronte, kishte shterur dhe gjithçka në të, ishte venitur. Asgjë nuk kishte më kuptim, as dita, as nata. Asgjë mbi tokë dhe nën tokë, asgjë qiellore e zjarrtë, apo e ftohtë. Por pasi e pa veten në atë gjendje, djali mendoi: “Askush mos e provoftë ketë zbrazëti shpirti, më mirë të vuaja refuzimin e dashurisë se sa të katandisem si një erë e çmendur... Ngushëllimi im do te ishte puna dhe dashuria e njerëzve”. Me këto mendime u nis ti kërkonte përsëri vlerat e njeriut. I gjeti në majën e malit, Ai u afrua dhe u kërkoi të falur atyre. Ato e falën, sepse dinin që njeriu nuk mund të jetojë pa vlera. Dashuria i tha:

-Edhe nëse refuzohet një dashuri, e rëndësishme është të jesh njeri me vlera, more djalosh!

Xha Uani


Nga Përparim Hysi

Kishin ardhur nga Komiteti i veteranëve të rrethit që të hiqnin eshtrat e një partizani dhe kishin vendosur që,pasi të bënin në fshat një ceremoni funebre,me një grup të vogël,eshtrat të futura në një arkë të vogël mortore do varroseshin tek " Varret e dëshmorëve". Në këtë ceremoni,do fliste më plaku i fshatit se jovetëm qe (siç thoshte,jam nga koha e sulltanit) më i moshuari,por dhe kallausi që udhëhoqi grupin e kërkuesëve tek varri që veç xha Uani e dinte. Xha Uani qe,me të vërtetë, nga "koha e sulltanit",se,siç tregonte:"... mahere, në Hyrrjetin ishnjam 10-vjeç,po,kur u shpallti PAMVARËSIA plot 14-bukësh! 14-bukësh, or babam, po edhe ndonjë lakruar pjekur nën çerep e kam ngrënë una, dhe llogoriti vet se ti je me kalem. Fliste pa doganë dhe as nuk të kishte në hesap,se "fjala pa doganë", në kohën kur fliste, e kishte taksën të rëndë. Epo,- thoshte,- kjo radakja ime do e kishte ngrënë hapjen me kohë,nëse gavnjej. Puppu,- lëshonte kuje si gratë nga frika,kur fliste për gavnjeshtrën (gënjeshtrën). Gavnjeve je më i keqi i ropëve që ka toka. Se gavnjeshtra bën dhe më dëm edhe se lufta. E the fjalën në shesh të burrave, thuaje pa merak,se nuk të gjen gjëkafshë. Epo këtë që them, e kam me prova una.

* * *

Aty nja njëzet sene më parë, vjen në fshat tonë një delegacion turk. Epo me pëlqim të partisë erdhi. Si të gjithë,shkova dhe una. Una veshur ashtu myzeqarshe hesapi,por dhe ata nuk e kishin atë yrnekun e veshjes mahere. Veshur kassabasshe që thuaj ti dhe për t'i dhënë pak vazhdë muhabetit, brrita una:-Rroftë sulltani i Turqisë!!! Ke parë ti që ai,turku (opo do ketë qenë shqiptar ai se nga më kuptoi muana?), qeshi dhe tha:-Aferim! Turku tha"Aferim" dhe qeshi,por nga mrapa qe avazi i brritmës sime: më thirrën në zyrat e hyqymetit dhe ma zhulatën mirë fytyrën. Epo larg nga dynjallëku,larg dhe do vërvitësh popla. Opo mirë se Tili im ka qenë partizan se desh ma treguan zananë.Por nuk i ka ardhur radha punës së Tilit....

* * *

Xha Uani në fshat qe si ai,barometri, që mat klimën. Po shkonte 80-vjeç dhe nga goja qe brisk.Kishte një humor therës dhe ishte nga ata pleqtë e zgjuar që nuk ia hante qeni shkopin. Qe burrë i drejtë dhe kurrë të zezës nuk i tha e bardhë dhe as të bardhës, e zezë. Thoshte Xha Uani dhe nuk e luante topi. As që donte të dinte, në të kish mbetur hatëri ty apo dikujt tjetër. Ore,- thoshte,- ZOTI (kur thoshte Zoti,bënte kryq) e solli në këtë dynja ropin jo për të gavnjyer,por për të thënë të drejtën. Ti nuk e thua këtëna, të drejtën,aha ke dalë nga rruga e Zotit dhe me, muana,nuk ke punë. Sene për sene,xhëku më thërresin për ca"hesape të vjetra" nga koha e luftës. Se vërtet në luftë kundra taljanit dhe as kundra jermënit nuk mora pjesë,por nuk lëviza nga fshati dhe i kam parë me sy:ata që luftuan dhe ata që betohen se kanë luftuar.

Në më dëgjojnë muana dhe, në duan t'i japin hakën secilit, kësaj pune i jepte dum kështu:- Për hesapet e mia, një trim kemi patur në fshat. Dhe ky qe TARJA,-ndjesë pastë! Epo e pashë vet me këta dy sy: vinte një"koshadhe"(çetë) që matana; nga Mujallia dhe po hidhej në lumë,për në fshat. Këta që janë si"trima sot, me demek", e panë koshadhen,se,më atë kohë,ishin në Bajrak.Epo në Bajrak që përveç atij SADUSHIT nga Vërzhezha e Skraparit,u vrati dhe një cucë nga Mallakastra; Feride ia thoshin emrin kësaj cucës,se nuk është se i preva kërthizën asajta,po i ngritën këngë."Mu tek kodra në Vajkan/Lule,Feride, moj xhan". E kënga shkon gojë më gojë dhe rron më shumë se ropi. E, që thashë qenë në Bajrak, dhe,për këtë trok dheu,nuk zbrazën një pushkë që ta trembnin "koshadhen",por i bën "trragë bythës". I bën ata, por më të ngrihet TARJA (epo atij i them burrë una), që thuaj ti dhe mu tek "Rrapi i Kupes", zë pozicion dhe u brret atyre të koshadhes:-Kthehuni se këmbë nuk do bëni për në fshatin tim! Dhe ata,siç kërcen prifti nga belaja,u kthyen andej nga erdhën. U kthyen, or të keqen xha Uani tyja, por nuk e harruan pusinë e TARES. Një ditë futen "abasës"(fshehurazi a papritur) në fshat dhe një të lidhur TAREN e shkretë dhe e pushkatuan. Larg nga fshati, thonë andej afër Beratit. Po kush e pa,xhanëm? Po iku i shkreti Tare si naxhakja pa bisht.Por në e zë me gojë këtë delitrim una, nuk kam si mos u zemërohem këtyre komunistëve una. Shkuan këta të familjes dhe kërkuan që TARJA të shpallej dëshmor. E dini si i tha një piciruk që nuk kishte parë luftë me sy? Pse nuk luftoi TARJA,por e kapën të gjallë dhe zvarras e morën me vete? Epo kësaj,e di si i thonë këtu.në Myzeqe? "Kush "pordhi" dhe kush mori groshin"? Se luftoi Tarja,por atë paranë që jepet për luftë, e merr mysebeti që bënte sehir. Kjo dynja është kthyer përmbys. Ca rrojnë e bëjnë pallë, ca të"vdekur" si të gjallë.

* * *

Se dhe lufta është pakëz"han-bërdush". Kush di ta dredhi,jo vetëm shpëton,por të vjen dhe të kapërdiset si maçoku në thekër dhe më t'i numëron taljanët e jermënët e vrarë,sikur ka bërë qametin. Gorrica në shëndre! Ja çfarë di una. Vajti Todi i Nakës ( Naka,plakë dhe Nastua,ndjesë pastë, kish vdekur pa ardhur lufta) dhe shkoi me ata të Xhindoles, me Ballin. Vajti dhe, në fund të fundit, shqiptarë qenë dhe këta, pavarësisht damkës,por nuk ta paç aty fjalën. Ore luftoi Todi i Nakës a nuk luftoi,nuk e di una,se,po nuk ma pa syri, nuk e hap kamaren,por një gjë e pashë dhe nuk e harroj una:- I zinte dora,or tynjatjeta Todit, dhe m'u rregulluati nga dynjallëku dhe Naka. Bëri apo nuk bëri zullume Todi, nuk di gjëkafshë una,se në fshat nuk trazoi gjë. Kurse Tili im (epo komshinj me Todin) jo të vejë pas Todit,si më i madh qy, po yrysh dhe me partizanët, me këta Bozollarët e Kolonjës. Epo si apalla ka qenë Tili im dhe , në vend të bënte ndopak prokopi si Todi i Nakës, u kthyeti nga lufta me opinga qepur me tel. Epo teste- teste qo dynja: Todi me prokopi,Tili im me gjisht në gojë. Sado që qy,Todi, nuk hëngri me lugë floriri, e pagoi atë"luftën" pak si me"kamatë të rëndë".Mirë që vdiq dhe Naka se nuk i panë gjë sytë. Po as Tili im,nuk po ha me lugë floriri.Po,bereqarti vesën, e kanë bërë brigadierë në komprativë.

* * *

Ja ky është xha Uani që 80-vjeçar, sot do flas nja dyfjalë për atë partizanin që nuk i dihej varri.

NGaqë isha prezent në atë ceremoni funebër, gjithmonë më shfaqej frika, se Xha Uani do zbrazte ndonjë nga ato bumjet që sikur i mbante fshehur në xhep.

E dija,- foli ai,- që qy i shkreti qe groposur atje. Qeshë kullosja lopën dhe dy qetë atje afër. E varrosën shokët e tij se u bëhej barrë.Lanë një shenjë ( me demek,është këtu dhe do kthehemi ta gjejmë).Mirëpo nga e thëna,tek e bëra është një det i tërë në mes. U çliruati vatani, por "iksani" harron. E harruan dhe shkoi e vate. Nga lufta ka mbi 30 sene dhe nuk u kujtua për të njeri. Se, kur je mirë, harron ç'ke hequr. Po më mirë vonë se sa hiç. Është kush është,unë nuk e di.Po birnëne është dhe ZOTI t'ia bekojë atë "shtëpizën" e re. Pas tij, foli dhe i dërguari i Veteranëve të rrethit, që, pasi "gavnjeu",kur thotë xha Uani, e morën "arkëzën mortore" me eshtrat e atij partizanit që ishte vrrë nëafërsi të fshatit dhe larg nga shtëpitë. Vetëm Xha Uani e mbante mend "varrin" e panjohur.

Sejdi Berisha: Refugjat në atdheun tënd


Sejdi BERISHA:

E S E

KUR MBETESH REFUGJAT NË DHEUN E ATDHEUN TËND...!

(Ose kombinimi i durimit dhe i qëndrimit të babait me forcën dhe vullnetin e nënës për jetë)

...E nisa këtë shkrim kështu, ngase kur jam lindur, familja ime paska qenë e strehuar tek daja im. Dhe, si kishte ndodhur e rrjedhur ngjarja me rastin e lindjes sime, për të cilën gjë ishin gëzuar edhe çatitë e shtëpive, edhe rrugët, edhe gurët e bjeshkët, edhe fushat e malet! Kështu më pat thënë njëherë nëna ime, të cilën, o Zot, po aq shumë e kam dashur, edhe tash e dua.

...Por, ky gëzim nuk e di pse kishte qenë aq i madh për lindjen time?!...

...Që nga ajo kohë, nëna më kishte ëndërruar duke kalëruar me kali të bardhë dhe duke i pushtuar hapësirat qiellore. Kjo ëndërr dëshire e nënës, sikur menjëherë ishte futur në qenien dhe trupin tim, e cila për asnjë moment nuk më la të vetmuar por as të qetë, dhe u bëra ky që jam!...

...Kombinimi i durimit dhe i qëndrimit të babait me forcën dhe vullnetin e nënës për jetë, më kanë bezdisur shumë, gjithnjë e përherë, sa që kjo është reflektuar edhe tek babai, edhe tek nëna, edhe tek e tërë familja, tek i tërë gjaku im...

...Ndoshta, për këtë e ka fajin lindja ime nën çatinë e vjetër e jo në shtëpinë time, dhe që tërë jetën u përpoqa të mësoj për te dhe ta kam si të gjithë të tjerët, por më mungoi, dhe këtë e kam shkrumb...

...Të mbetesh refugjat në dheun e atdheun tënd”?!... Dramë, roman, tragjedi,... histori, të cilat së bashku, nuk kanë gojë, laps, letër as tekst!...

...Por, mirë është kur kënga të bëhet dhe mbetët shoqërues i përhershëm së bashku me lotin që përcëllon dhe që e shpon edhe tokën, i cili i rritë dhe e nxitë dashurinë dhe urrejtjen si binjakë...

...Edhe tash rrugëtim i zorshëm, i mundimshëm, por që vertikalisht më mbanë familja ime, nderi e puna, të cilën, mendoj se e kam bërë dhe e bëj gjithnjë skajshmërisht pastër, ndershëm dhe pa hile. Por, për të gjitha këto, shumë herë dhe shpesh, më kanë thënë se janë naivitet dhe vetëm naivitet!...

...Kur të takohem, apo kur të arrij në këtë fundin që po shihet, as nuk kisha dashtë, por as nuk kam guxim për ta zgjatur dorën e “lamtumirës”, sepse, një varg poezie më është fshehur diku thellë në mua, i cili po m’i dikton shumë gjëra dhe gjithnjë më kërcënohet për t’i mos i thënë lamtumirë askujt, e më së paku shkrimeve të mia!...

1.

Ka ndodhur e ndodhë shpeshherë që njeriu të lindet në rrugë, në fushë, në arë, në livadh, edhe në shtëpi të huaj, edhe në karrocë, në anije, në tren e më rrallë edhe në aeroplan. Është e vërtetë kjo, por edhe karakteristikë me domethënie gjithfare. Duke i interpretuar gjërat e tilla, thurën thashetheme, intriga, drama e romane, e, edhe poezi, të cilat nuk shprehin vetëm ndijimin dhe brendinë shpirtërore, por janë edhe pasqyrë më reale dhe provokative e rrjedhave historike.

E nisa këtë shkrim kështu, ngase kur jam lindur, familja ime paska qenë e strehuar tek daja im. Dhe, si kishte ndodhur e rrjedhur ngjarja me rastin e lindjes sime, për të cilën gjë ishin gëzuar edhe çatitë e shtëpive, edhe rrugët, edhe gurët e bjeshkët, edhe fushat e malet! Kështu më pat thënë njëherë nëna ime, të cilën, o Zot, po aq shumë e kam dashur, edhe tash e dua. Por, ky gëzim nuk e di pse kishte qenë aq i madh për lindjen time?! Ndoshta, më mirë të kishte qenë e kundërta. Por, nejse. Kjo, le të jetë për koment, për shkrime e mendime që do të vijnë dikur më vonë, apo, hiq fare të mos jetë asgjë.

Nëna, më kishte lindur, pra, tek i vëllai i saj, nën një çati të vjetër e të lodhur nga motet e ngjarjet, nën një trysni të jetës së babait tim, por edhe të forcës së nënës, e cila, duke qëndruar pip në këmbë më kishte nxjerrë në këtë botë. Në atë moment, sikur iu paska ndezur një dritë e fortë, e cila tërë ambientin për një çast e kishte shndërruar në lulishte parajse. Që nga ajo kohë, ajo më kishte ëndërruar duke kalëruar me kali të bardhë dhe duke i pushtuar hapësirat qiellore. Kjo ëndërr dëshire e nënës, sikur menjëherë ishte futur në qenien dhe trupin tim, e cila për asnjë moment nuk më la të vetmuar por as të qetë, dhe u bëra ky që jam!

Kombinimi i durimit dhe i qëndrimit të babait me forcën dhe vullnetin për jetë të nënës, më kanë bezdisur shumë, gjithnjë e përherë, sa që kjo është reflektuar edhe tek babai, edhe tek nëna, edhe tek e tërë familja, tek i tërë gjaku im. Ndoshta, për këtë e ka fajin lindja ime nën çatinë e vjetër e jo në shtëpinë time, dhe që tërë jetën u përpoqa të mësoj për te dhe ta kam si të gjithë të tjerët, por më mungoi, dhe këtë e kam shkrumb. Si të doni pedateni këtë problem, i cili mund t’iu provokojë e intrigojë për shumë gjëra, ndoshta edhe për të shkruar e për të hedhur diçka në letër edhe për shpirtin tuaj! Kjo, gjithnjë më ka frikësuar mbase edhe më ka bindur, se, nëse zogu nuk lindet në folenë e vet, atëherë, kjo do të shkaktojë dilema, indinjatë e probleme. Kështu, edhe pse asnjëherë nuk kam thënë dhe as nuk dua të them, por unë dhe familja ime kemi ngelur refugjatë në dheun e atdheun tonë...!

Prandaj, me njëfarë ironie, sepse edhe ironia është virtyt i njeriut, disa gjërave më të dashura, me indinjatë e dhembje dua t’u them,... Por, jo. Dot nuk e them fjalën e fundit. Thuajeni ju nëse doni...! Më bëni nderë, nëse këtë obligim ma hiqni ju nga mendja e qafa. Dua t’u them, se, sa herë e kam dëgjuar fjalën “lamtumirë”, më ka therë zemra, mendja e shpirti. Kështu ka qenë gjithnjë: në fëmijëri, në rini, dikur, edhe tash! Fjalë që shqetëson e trazon është “lamtumira”, prandaj, dot në fjalorin tim me një mendje nuk e kam pasur. Phi,... të mbetesh refugjat në dheun e atdheun tënd”?!... Dramë,... roman,... tragjedi,... histori, të cilat së bashku, nuk kanë gojë, laps, letër as tekst. Për këtë, kësaj pjese të shkrimit i them, ama përgjithmonë i them, “lamtumirë”...!

E di. Më kujtohet shumë mirë, kur isha shumë i vogël, dhe njëherë kur dola në rrugë me motrën time të madhe, kisha rastisur para një kamioni. Në vend që të skajohesha nga rruga, para tij vrapoja me sa fuqi që kisha dhe dot nuk ia lëshoja rrugën. Shoferi, tërë kohën e përdorte borinë, nuk ndalej me kamionin e tij dhe gjithnjë më afrohej por kujdesshëm. Dikur, vetvetiu, nuk di as si ta shpjegoj, u skajova dhe kamioni iku me një të qeshur idiotësie të shoferit. Pata thënë, si nuk më zuri ai far kamioni, që atëherë ishin makina të rralla, dhe kështu tërë jetën kisha udhëtuar me “tamabil”...!

2.

Vdekja e motrës së vogël këtu e pesëdhjetë e më shumë vjet më parë, si fëmijë, si duket ma ngacmoi talentin e lindur por ende të fjetur, për të menduar për shkrimin, për këndimin përmes vargut e poezisë, e cila gjë pastaj tërë jetën më rriti, më ngriti e më bëri të qëndrueshëm, më gëzoi e më rrënoi, më bëri rrugëtar e luftëtar të urtë e të butë, rebel e me plot dhembje, por edhe shumë të vendosur. Më bëri njeri, gjithnjë të shoqëruar dhe të dashuruar në rrugëtimin dhe dhembjen, të cilave gjëra ua di për faleminderit, sepse më kanë ushqyer me atë që jetën e ngacmojnë dhe i japin kuptim, por edhe krijojnë dilema, nebulozë, marri e tragjedi, mendim e filozofi, e që së bashku janë shkatërruesit e vet jetës dhe të vet njeriut.

Por, mirë është kur kënga të bëhet dhe mbetët shoqërues i përhershëm së bashku me lotin që përcëllon dhe që e shpon edhe tokën, që i rritë dhe e nxitë dashurinë dhe urrejtjen si binjakë. Shoqërues, që ëndrrën e bën përjetësi e përjetësinë ëndërr. Këto janë të gjitha ato, që, si të them, ia di për nderë vdekjes të sime motër. Edhe sot e kësaj dite e kam në shpirt motrën, të cilën atë botë sikur ma kishte vjedhur vdekja. Aq shumë e desha, aq shumë e dua edhe tani,... edhe pse, ndoshta e tërë kjo duket e pakuptimtë,... naive dhe bjerrakohësi.

Po, e tërë kjo, çfarë më solli?!! Më solli shumë ngacmime, për ta sfiduar jetën. Më dhuroi bekimin për ndershmërinë dhe sinqeritetin, dhe, nëse mund të thuhet, këto veti e thesar, s’janë gjë pos thjeshtë naivitet dhe bjerrje nëpër gjemba e baltë, në të cilat, shpeshherë kam hasur e hasi edhe në mjaltë! Po, po. Kështu e ka jeta...

Kështu, pas sa kohe, që më ka ikur motra; edhe përpara por edhe tash, ktheva tek varrezat që nuk ekzistojnë më, sepse, ne e kemi vergi të mos i ruajmë shenjat, gjurmët dhe dëshmitë tona ashtu si duhet, por, e di se pranë një lisi prej rrapi, atëherë e kishin shtrirë trupin e njomë të motrës sime për të fjetur përgjithmonë bashkë edhe me ëndrrat e saja fëmijërore. U drejtova kah lisi më i vjetër, të cilin e kishte vrarë koha dhe ishte plotë plasje e plasaritje, por që tani kishte një pamje madhështore, e cila komponohej me gungaçet e nyejve por edhe me shtrirjen e degëve të reja. U solla disa herë rreth tij, duke dashur ta bindi vetveten se aty do ta hasi frymën dhe së paku një shenjë të varrit të motrës, por, jo! Aty kishte vetëm shkurre dhe fier shtat hedhur, që sikur donin të më thoshin se me trupin e sime motër janë ushqyer dhe ushqehen edhe tani!

Në këtë rreth dhembjeje e kërkimi, tek këmbët, sikur m’u mbi një qen, bubulak i vogël, i cili m’u afrua dhe më shikonte ledhatueshëm duke ma lëvizur bishtin cubel, për të mu lutur për diçka, apo për të ma thënë ndonjë fjalë për vetveten e tij apo për lisin. Në atë ngarkesë, s’ia bëra mall fort tërë atë afërsi miqësore që ma ofroi qenushi, të cilën gjë ma shpërbleu me një të ngritur të këmbës dhe me shurrën që ia hodhi trungut të lisit plak.

Me vdekjen e motrës, m’u përzien dhe përthurën të gjitha, dhe ashtu m’u bë se duke u larguar nga vendi ku ishte varrosur motra, e shqiptova fjalën “lamtumirë”, por shkrimi i ri ma ngacmonte provokimin i cili nxjerrke zjarr nga brendia ime. “Lamtumirë”?!... Po, pse lamtumirë,... po, edhe pse jo, lamtumirë?! Lamtumirë dhe lamtumirë, pra! Ani pse, edhe kjo do shpjegim, sepse, përbrenda dot nuk e gjej lamtumirën. Hej,... lamtumirë motra ime...!

3.

E kisha ëndërr dhe dëshirë shkollën-shkollimin, për dy arsye. E para. Ngase, babai im i përvuajtur gati si më ishte përkulur me lutje që të shkollohem. Për këtë, ma kishte ofruar tërë atë mundësinë e vet: kafshatën e bukës do ta heq nga goja vetëm e vetëm që të arrish të bëhesh dikush për vetveten, për familjen dhe shoqërinë. Kështu më kishte thënë, sepse, mjaft e kishte djegur atë, e kishte përcëlluar dhe regjur djersa me punën fizike që bënte, e cila gjë, edhe mua qysh në fëmijërinë e hershme, kishte filluar të më rëndonte por edhe të ma lëndonte shpirtin. Dhe e dyta. Që të mësoj, e kështu t’i dhuroj diçka popullit tim të përvuajtur.

T’iu them të drejtën, e tërë kjo disi kaloi me telashe, me probleme e pengesa të natyrave të ndryshme, të cilat, sfidat m’i bënin barrikada, vetë njerëzit e kësaj toke! Gjatë tërë kësaj ecjeje, shkolla e mesme ishte kaptinë e veçantë. Krahas shkollimit, shpirti gjithnjë më rebelohej nga padrejtësitë të cilat m’u kishin bërë tunxh në zemër e zjarr në mendje. Pakëz e “tradhtova” babain për premtimet që i thashë më lartë, sepse, në shkollë çdo ditë një bust më dilte para dhe ma zinte frymën, kështu që një ditë e bëra copë e grimë. Këtë e bëra së bashku me shokun e bangës. Pasoi përjashtimi nga shkolla, pastaj lotët dhe dridhjet e babait për fatin tim, por edhe zotimi im sërish me betimin para plakut se do ta tejkaloj edhe këtë, e cila edhe u realizua ashtu.

Dhe, erdha ku erdha. Ku jam edhe tani. Punova dhe mendja më thotë se arrita diçka. Shkrova e botova diçka, të cilat gjëra tani, sikur më duket se janë një hiq nga ajo çfarë kam dëshiruar t’ia dhuroj njeriut dhe kësaj toke...! Andaj, ja ku jam tani! Edhe tash rrugëtim i zorshëm, i mundimshëm, por që vertikalisht më mbanë vetëm familja ime, nderi e puna, të cilën, mendoj se e kam bërë gjithnjë skajshmërisht pastër, ndershëm dhe pa hile. Por, që të gjitha këto, shumë herë dhe shpesh, më kanë thënë se janë naivitet dhe vetëm naivitet!

Oh, sa më shtrëngon dhe më bën të fortë ky “naivitet”. Dhe, tani nuk e di deri ku kam arritur, në cilin dhe në çfarë stacioni. Në cilën rrugë dhe në cilin drejtim?! Por, një gjë e di. E di se, diku po shihet një fund, ku, edhe atje më pret dhembja e loti, por më pret edhe dashuria dhe lumturia, ashtu siç di t’i bashkoj e përjetoj unë, dhe të cilat gjithnjë kanë qenë dhe janë besnikë dhe bashkudhëtarë të mi. Edhe diçka. Kur të takohem, apo kur të arrij në këtë fundin që po shihet, as nuk kisha dashtë, por as nuk kam guxim për ta zgjatur dorën e “lamtumirës”, sepse, një varg poezie më është fshehur diku thellë në mua, i cili po m’i dikton shumë gjëra dhe gjithnjë më kërcënohet për t’i mos i thënë lamtumirë askujt, e më së paku shkrimeve të mia!

Ky varg poezie, e ndjej, por edhe Zoti më thotë, qenka mbëltyer në mua si një lloj fidani, i cili gjithnjë do të mugullojë duke hedhur sythet e luleve, e,... luleve të pranverës... Për këtë arsye, i druaj kësaj se kurrë nuk do të ketë “lamtumirë”. Po që se mund të ndodhte kjo, atëherë vargu do të hidhërohet dhe do të më provokojë e do të më detyrojë për vazhdimin e këndimit...! Por, çfarë më duhet edhe ky shkrim. Thjeshtë, tash çfarë më nevojiten shkrimet e mia?! Nëse do kush, le t’i konsiderojë apo t’i trajtojë si kujtim lodrash të shkronjave, si dhembje, e ndonjëherë si gënjeshtër loti, si lumturi apo trillim i së bukurës, edhe pse, edhe kështu, dikend do ta kënaqin, dikujt do t’ia ndezin zemrën, dikujt do t’ia shkrumbojnë shpirtin, e dikujt do t’i sjellin disponim për t’u zbrazur në gaz për marrinë e këtij vrapimi të pakuptimtë. Pra, edhe kështu, nëse doni, thuani! Dhe. Lamtumirë e lamtumirë...

4.

Të them të drejtën dhe sinqerisht, kur u lind djali im, kisha një lloj freskie shpirti dhe më dukej se më janë hapur dyer e rrugë të reja dhe më të ndritura të jetës. Ashtu edhe doli. Sepse, siç thotë populli, u gëzuan edhe lisat në bjeshkë, edhe zogjtë e malit, sikurse edhe dikur për mua. Por, veç kësaj, djali tani më shoqëronte si përgjegjësi për ta ndërtuar shëndetin dhe vullnetin e gatishmërinë e mendjes. Më bëhej se kjo tablo jete i ngjante asaj të babit tim me mua, kur është fjala tek mesazhi për ndërgjegjen dhe mësimin. Sfidë pas sfide e deri tek kurorëzimi i pjesës intelektuale të tim bir.

Atë botë, në maturën e djalit më patën dalë nga brendia ca vargje për pjekurinë e tij, dhe pata thënë se tani e tutje rrobat kat dhe kravata i shkojnë për shtat djalit tim. Kështu u hapen rrugë edhe më të reja, të cilat më trokitnin në fjalën “lamtumirë”, por nuk e dija se kjo a kishte të bënte me mjerimin e mëtutjeshëm, me varfërinë, vuajtjet dhe me dhembjet, apo “lamtumira” më trokiste vetëm sa për të ma kujtuar për më vonë këtë fjalë, sa të dhembshme aq edhe të këndshme...!

Por, gjërat të përplasin, dhe ndonjëherë të plandosin. Pikërisht në ditëlindjen e vajzës sime, nipi, i biri i saj, fryti i parë i saj, e pëson në një fatkeqësi, tragjedi kjo e cila për disa muaj Yllin tim e solli në gjendje kome, mu atëherë kur përgatitej për t’i mësuar shkronjat e para. Prej atëherë, pasuan dilema dhe qëndresa, të cilat luftonin njëra-tjetrën, apo tentonin të bashkëjetonin. Çfarë kombinimi ky; rrëfimi për djalin dhe tregimi për nipin?! Sërish më troket fjala “lamtumirë”! Tash me frikën e ikjes së Yllit, i cili, më të vërtetë ishte Yll i familjes. Por, nganjëherë, kur e lexoja shpresën dhe bindjen e vajzës sime në fytyrën e saj për Yllin, atëherë fjala “lamtumirë” më trokiste në zemër e mendje për lamtumirën e vdekjes, për ikjen e saj nga ne...! Çfarë përzierje e “lamtumirës”... Ani,... lamtumirë dhe lamtumirë...!

5.

Disa miq të mi, me këmbëngulje kishin insistuar që të shënohet 40-vjetori i veprimtarisë sime krijuese. Dua t’u siguroj se nuk kisha dëshirë, sepse, një gjë e tillë do të më ngacmonte në shumë aspekte. Por, kjo u bë realitet, dhe ishte një perfomansë e eveniment që për një kohë të gjatë do të mbetet në kujtesën e gjithë atyre miqve dhe dashamirëve të mi e të kulturës që ishin prezent atë mbrëmje.

Ani. Nga zemra e shpirti u falënderohem të gjithëve, të gjithë atyre që janë në mua e me mua, e të tillë ka shumë, shumë, shumë. U falënderohem edhe atyre që më duan shumë e në mënyra të ndryshme, atyre që më respektojnë dhe më çmojnë. U falënderohem edhe atyre që pa asnjë shkas më kanë zili (tek e fundit nuk e besoj se ka shkase dhe asnjë arsye për zili). U falënderohem të gjithë atyre që flasin me zjarrmi për mua dhe krijimtarinë time, edhe atyre (nëse ka) që tmerrësisht dhe verbërisht merren me intriga, me inate e të paqenët. I falënderoj edhe ata, të cilët në mënyrën e vet dhe për qejfin e teket e tyre kanë thënë e kanë mundur të flasin, të gjithë ata të cilët kanë menduar, mendojnë edhe do të mendojnë për mua dhe krijimtarinë e veprat e mia (pa marrë parasysh se çfarë e si mendojnë). Sepse, të gjitha këto që i përmenda, për mua janë gjëra shumë të çmueshme dhe të mëdha, me vlerë dhe domethënie të veçantë, edhe atëherë kur janë trill dhe hiq gjë...!

Dhe, pas të gjitha këtyre, ai vargu im poetik, të cilin e kam përmendur disa herë edhe më lartë, e i cili është fshehur diku në qenien time e që dot nuk mund ta hasi, si larvë më shëtitë në mendje, për të më thënë diçka. Ani, le edhe të thotë lirisht çfarë të dojë, sepse, kam vendosur dhe kam vendosur për ta mos kënaqur kurrë vetveten, por, kësaj here, po,...! Do të them lamtumirë, sepse, edhe kjo fjalë, që pak kush e di dhe e vlerëson kështu, e ka vlerën, begatinë, mesazhin e madhështinë, por edhe dhembjen, e cila, as tash nuk dyshoj, ashtu sikurse edhe vargu im hajn apo i fshehur, nuk do të më zhgënjejë por do të më shoqërojë me dashurinë ndaj njeriut dhe të njeriut,... me dashurinë. Oh, sa kënaqësi!

Ani. Do të pres, sepse gjithmonë kam pritur,... Por, megjithatë, në mos paça unë mundësi të them: lamtumirë shkrimet e mia, këtë, ua preferoj dhe u jap leje që ju ta bëni, apo ta shkruani, Ju. Sepse, besoni, sapo e përgatisë mendimin se si të them lamtumirë, ai vargu im poetik s’më lë ta bëjë një gjë të tillë! Po, pse more i uruar nuk më lejon ta them këtë fjalë kaq të rëndë, ka të bukur, pasi që unë kam vendosur pa fije hidhërimi, por me një porosi të them: lamtumirë shkrimet e mia...! Dhe shih, prapë: për lamtumirë jam unë këtu, e jo ti, më thotë vargu poetik, me të cilin, për herë të parë nuk u pajtova! Në këtë fund shkrimi, m’u kujtua dhe dot nuk më hiqet nga mendja një mik imi, është mjek i syve me profesion (me qëllim e thash, i syve e jo oftamolog), i cili njëherë më pat thënë: ia ke parë sherrin diturisë sate!

Haj, more Zot, po ç’është kjo punë...?! Hajt, lam-tu,...! Pa e përfunduar mirë këtë fjalë, sërish dëgjoj zërin qortues të vargut poetik, i cili edhe tash më ka lënë kështu, zvarrë...

Ujku qimën e ndërron por zanatin kurrë se harron !

Secilin vit e më pak serb po ka në Kosovë




Të mbledhurve, Vuçiq u ka thënë se shteti serb dëshiron që serbët në Kosovë të jetojnë të pasur, më mirë dhe të sigurt.

“Dua t’ju falemnderoj të gjithëve që me gjithë këtë kiamet (borë e madhe) keni ardhur në këtë numër kaq të madh. Dua që në këtë momente pas vrasjes mizore të Oliver Ivanoviqit, t’ju them se nuk jeni vetëm dhe se sonte do të bisedojë me të gjithë juve që keni ardhur nga pjesë të ndryshme të Kosovës dhe të shohim se si ta ndihmojmë popullin tonë në Kosovë”, ka thënë ai, transmeton lajmi.net.

“Siç e dini, Serbia në mënyra të ndryshme jo vetëm që mund të ndihmoj, por të ndikoj edhe në jetën tuaj në Kosovë. Kjo jetë është e vështirë, askush nga ju nuk është mjaftueshëm i pasur, por për fat të keq, ka edhe të atillë që i marrin nga tri ose katër rroga. Do t’i kontrollojmë të gjitha këto, që t’i ndihmojmë ata që kanë nevojë”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se nuk i frikësohen askujt dhe se është në interesin e tyre që në dialog me shqiptarët të ruhet paqja dhe stabiliteti.

“Nuk i frikësohemi askujt, por mendoj se ka ardhur koha që qëllimet tona t’i arrijmë në mënyrë tjetër”, ka thënë Vuçiq.

“Ju duhet të jeni mjaftueshëm të fortë, të guximshëm dhe të fuqishëm që të mbesni në shtëpitë tuaja, trojet tuaja, e ne sa më shpejt t’ju ndihmojmë.

Sipas tij, gjithnjë e më pak ka serb në Ranillugë, Partesh dhe Kosovën Qendrore.

“Serbia do t’ju ndihmoj aq sa mundet, por në fund megjithatë varet prej juve nëse dëshironi të qëndroni këtu ose jo”, tha tutje ai.

Vuçiq ka ardhur në Llapnasellë pasi vizitoi Manastirin e Graçanicës dhe Mitrovicën. Ai po shoqërohet nga shefi i zyrës për Kosovë, Marko Gjuriq dhe shefi i BIA-s (Shërbimi informativ serb), Bratisllav Gashiq.






Serbët kërkojnë armë dhe kthimin e ushtrisë serbe në Kosovë, ja si iu përgjigjet Vuçiq?


Presidenti i Serbisë u ka thënë sot serbëve në Kosovë se nuk ka asgjë më të rëndësishme se qëndrimi në Kosovë, pasi që sipas tij shteti i Serbisë do të ndihmojë në këtë aspekt, para se gjithash me paqe politike, politikën e mbrojtjes së serbëve dhe investime në zhvillim.
Aleksandar Vuçiq, kur bëhet fjalë për sigurinë e qytetarëve në veri të Kosovës, ka thënë se shpreson që askush as mos të mendoj që t’i largoj serbët nga shtëpitë e tyre, vendlindja e tyre.
“Dua të besoj në këtë, por ne do të zhvillojmë politikë në mënyrë që t’i mbrojmë serbët”, ka thënë Vuçiq, transmeton lajmi.net.

Presidenti i Serbisë pas takimit me përfaqësuesit politik të serbëve dhe biznesmen, ka thënë se ka pasur kërkesa që lidhen me respektimin e Rezolutës 1244, por edhe kërkesa që Serbia t’i armatos serbët, por se përgjigjja e tij ka qenë se shpreson që Serbia të ndihmoj në dhënien e parave për kopshte, shkolla dhe shëndetësi.

Kërkesa për të tilla për Vuçiqin ka pasur edhe para se ai t’ju drejtohet serbëve.

“I kuptoj njerëzit, por nuk mundem të gjithëve t’u përgjigjem”, ka thënë ai.

Kjo përgjigje ka ardhur pasi që serbët e mbledhur kanë brohoritur “president, na ndihmo”, “Mitrovica është qytet i unitetit”, “ndihmo”, “ktheje ushtrinë dhe policinë në Kosovë”, “me jetë do ta mbrojmë Mitrovicën”…

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...