2019-03-12

SHËNGJINI, LEZHA DHE EKSODI KOSOVAR, KJO HISTORI E RRALLË...!


Sejdi Berisha
Shkruan Sejdi Berisha 

Duke udhëtuar në Rrugën e Kombit  me mikun tim dhe krijuesin T. Bezhani, që kishte kohë që kishim planifikuar t’i kalonim dy-tri ditë në Shëngjin, gjithnjë isha i preokupuar se si do ta filloja dhe si do ta përfundoja një shkrim nga kjo “vizitë”, sepse, ndoshta siç edhe dini, mua më “përplasin” dhe më ngushtojnë por edhe me kënaqin e më madhështojnë shumë gjëra, kuptohet, ato që janë të lidhura më njeriun, por detyrimisht edhe me kombin dhe me atdheun tim! Dhe, kjo ishte edhe gjëja në këtë moment më e vështirë se si t’ia lidhja “grykën” këtij shkrimi, sepse e dija se në Shëngjin por edhe në Lezhë do të na prisnin edhe shumë miq dhe krijues, të cilët janë edhe pjesë e jetës dhe e shpirtit tim.
Por, bënte mirë miku im i cili ngiste makinën që më ndërpriste në mendime duke ma ofruar bisedën për letërsinë, për kulturën dhe për vlerat shpirtërore, të cilat tani e sa vite bashkë me te por edhe me shumë miq e shokë të tjerë po përpiqemi t’i vejmë në binarë të shëndosh por edhe t’i afirmojmë ato, sepse, ende në këtë fushë ka një boshllëk dhe ndoshta edhe papërgjegjësi apo edhe dembeli. Por, mirë ishte kjo, sepse, gjithnjë e më shumë dukë iu afruar Shëngjinit, më provokonte për të lëvruar nëpër mendimet e mia ndoshta të çuditshme. Por, pothuajse në gjysmë të rrugës, u ndalem për të pushuar pak dhe për ta “shpartalluar nga një byrek që i kishim blerë në një furrë bukë në Gjakovë. Them të drejtën, për kjo ishte e mirëseardhur, sepse, përveç se u furnizova me pak energji, tash në mendje më ngarkoheshin shumë gjëra
Duke shikuar gjithë ato bukuri dhe begati përrallore të kësaj ane të atdheut, pastaj këtë rrugë-rilindje historike, më trokiti në tëmtha mendimi i Ernest Hemingwayt, i cili kishte thënë se: Lumturia te njerëzit e mençur është gjëja më e rrallë që njoh”! Dhe, mendova pak, e cila sikur inatisht m’u lidh m’u lidh edhe me kombin edhe me atdheun... Nuk di se pse, bile nuk di as ta shpjegoja në thelb! Po ç’mu desh kjo, i thash vetës, por si turravrap më doli edhe mendimi nga unë shumë i pëlqyer i Martin Luther King-ut: “Askush nuk të hyp dot në kurriz nëse ti nuk përkulesh”!...
Në këtë lëmsh, m’u “erdhi” edhe mendimi im, se: “Drejtësia është vetëm kuptim që nuk prekë as tokë as qiell, e kufiri është paradoks i lindur kopil”! Tash, me këto mendime më përzihej vërdallë historia e njeriut, historia e kombit dhe e atdheut, por, pse jo edhe e botës. Dhe, tash rruga m’u se nuk ishte më tepër thuajse një metër!
Posa arritëm, u drejtuam menjëherë për tek Hoteli “Rafaelo”, sepse, aty ishim akomoduar edhe disa vite më parë. Por, hoteli i vogël dhe simpatik më nuk ishte. Në vend të tij po i zinte rrënjët një objekt tjetër hotelier dhe turistik me përmasa më të mëdha. Megjithatë u drejtuam tek hoteli tjetër në kuadër të kompleksit “Rafaelo”...
Një prej pamjeve të Shëngjinit
Hotel “Rafaelo”, akomodimi ynë dhe kultura e turizmit...!
Afrohemi tek recepcioni i kompleksit tjetër të “Rafaelo”, dhe zonja që e kishim takuar edhe vite më parë, na përshëndet, kurse ne pyesim për çmimin në këtë kohë kur nuk kishte ende sezon turizmi. Nuk ishin çmime që “xhepit” tonë por as realitetit nuk i përgjigjeshin. Ose, shkurt, zonja nuk tregoi, ky mendim imi, respekt as tolerancë të kulturës turistike. Prandaj, u larguam dhe u nisëm sipër këtij kompleksi deri tek Restorant “Iliria”. Aty na priti një zonjë modeste por shumë e afërt dhe komunikatave, dhe pa ndonjë hamendje u akomoduam këtu, ndërsa, znj. Bore, na informoi për gjithçka rreth kushteve. Edhe pse dhomat ishin modeste, por na pëlqeu sjellja e zonjës, e cila na shpjegoi se ishte nga Kosova, kurse bashkëshorti i saj, i cili edhe ai ishte së bashku me te, kishte qenë një zejtar-bukëpjekës, i cili për shumë vite kishte punuar me suksese në qytetin e Pejës.  Mirëpo, përveç të gjitha këtyre, më joshi edhe emri “Iliria”, dhe tash, pas akomodimit, miku im Tahiri insistonte që patjetër të kontaktonim me mikun tonë, Zeqir Lushajn, një njeri i jashtëzakonshëm, me virtyte të larta njerëzore dhe kombëtare, por edhe një krijues karakteristik, i cili, jo vetëm që i ruan por edhe i afirmon me fanatizëm doket dhe zakonet e njeriut të Krahinës së Tropojës, të Malësisë së Gjakovës, prej nga e ka edhe prejardhjen.
Ky njeri, i cili, një kohë bukur të gjatë ka jetuar edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e që siç thotë edhe ai vetë, e di peshën dhe plagët e kurbetit, me këmbëngulje na fton në drekë. Të gjitha i lamë dhe u nisëm me makinë për tek shtëpia e tij, e cila gjendet në një shpat pak më larg, e prej nga njeriu e ka në shuplakë dore tërë Shëngjinin dhe një pjesë të madhe të detit shqiptar.
Dreka, miqësia dhe rrëfimi historik te shtëpia e Zeqir Lushajt
Tani, këtu ku nuk ishim për herë të parë, fillimisht, të imponohet madhështia dhe bukuria e kopshtit, në të cilin, z. Lushaj kishte kultivuar shumë trupa dhe fidanë pemësh, të cilat, secila veç e veç e kishte historikun dhe karakteristikën e saj; si mandarinat, mollët gjyle-ngjyrë alle, të cilën e kishte sjellë nga Prekazi, respektivisht nga nipi i Ahmet Delisë...

Krijuesit, Zeqir Lushaj dhe Tahir Bezhani duke biseduar për bukuritë e kopshtit të shtëpisë së Z. Lushajt
Krijuesit, Zeqir Lushaj dhe Sejdi Berisha para oxhakut-vatrës që e ruan me fanatizëm z. Lushaj
Gjërat e kulturës dhe etnografisë ruhen me fanatizëm
 
Ja, boça e misrit në derë që simbolizon shumëçka
Dua të theksoj, se posa zbrita nga makina për ta hapur derën e oborrit mu si në shtëpinë time, Zeqir Lushaj, në vend të rezës së derës, e kishte vënë një boçë të misrit, e cila menjëherë më asocoi në simbolikën e bereqetit dhe të mikpritjes së shtëpisë shqiptare.
Qëndrojmë një kohë bukur të gjatë në oborrin dhe kopshtin e shtëpisë së këtij burri, duke na shpjeguar për gjithçka çfarë kishte kultivuar e bërë këtu. Por, dua ta them një veçori tjetër. Posa doli tek dera e oborrit për të cilën fola, Zeqir Lushaj na flet me pietet dhe me ngrohtësinë e shpirtit sesi pas sa kohësh jete në Amerikë, ishte kthyer në atdhe:
-Tash jetoj, pushoj, krijoj, kuvendoj e këndoj lirshëm se më nuk jam në kurbet, i cili shumëkujt ia ka nxirë jetën, ia ka bluar mushkëritë... Tash, e di se një ditë këtu do të prehëm qetë e pa shkrumb mëmëdheu,...! –thotë Zeqiri, të cilit iu skuq fytyra nga ndjenja dhe malli, iu mbushen sytë më lot, dhe kështu më bëri edhe mua të tërin, që më dukej vetja se isha si një lypës me një strajcë të mbushur e stërmbushur me historinë e kombit dhe të atdheut tim! Më duket se ishte ky një provokim, që nuk do t’ia bëj “hallall” mikut tonë që na priti me këtë “peshqesh”, i cili më vonë na shërbeu për muhabet e biseda të gjata...
Tash, Zeqiri bashkë me bashkëshorten e tij, znj. Sabrije nga ftojnë që të ulemi në tyrezën e zemrës dhe të bereqetit e të madhështisë së Zeqir Lushajt, në dhomën e tij në katin përdhesë, e cila i ngjante një hapësire të rrallë solemne.
Në çdo kohë dhe në çdo stinë e situatë shtrohet sofra me të gjitha begatitë dhe bereqetet në shtëpinë e Z. Lushajt(Znj. Sabrije duke seruar gjellën)
Pos bukës dy lloje, një lakrori të shkëlqyeshëm gatuar nga duart e zonjës Sabrije, çorbës së gatuar enkas, mishit të viçit, por edhe kosit dhe sallatave, në tryezë sikur buzëqeshë një shishe specifike me verë të kuqe, të cilën unë edhe pse rrallë e konsumoj, shumë e kam për qejfi. Por kishim rënë në hallë si ta hapnim, sepse, çepin e kishte specifik, mirëpo, në këtë drejtim na doli në ndihmë, miku dhe krijuesi nga Gjakova, Tahir Bezhani. Por, mos të harroj se edhe rakia e veçantë ishte aty njëherë për z. Zeqir Lushaj dhe pak edhe për z. Bezhani... Ndërsa, Uji Lajthize kishte zënë avull në shishet e ftohta...
“Eja një natë ta bëjmë krypën mjaltë...!”
Ishte drekë edhe e paharruar, por edhe e gazepshme. E gazepshme, sepse, si z. Lushaj ashtu edhe znj. Sabrije, pandërprerë nuk na linin “rehat” duke na lutur që ta ndjenim vetveten sa më shlirë...!
Dhe, nuk do ta zgjasë rrëfimin këtu, sepse, do të nevojitej një kapitull i tërë libri. Mirëpo, folëm për letërsinë, për kulturën, për historinë e vjetër dhe të re...! Folëm për urat krijuese, për Mitingun e Poezisë në Gjakovë edhe për Orën Letrare në Bajram Curri,... Folëm për detin  dhe Rërën e Hedhur,... Folëm për vlerat e pavlerat,... Folëm për Naimin, për Konicën e Nolin, folëm për Ismail Qemalin, Ibrahim Rugovën, Adem Jasharin e shumë të tjerë... Folëm edhe për Enver Hoshën e Fadil Hoxhen,... Folëm për bashkimin e rrugëtimit kombëtar,... Folëm për Evropën, Ballkanin e Botën...!
Folëm edhe për babën tim dhe për prindërit e të tjerëve, që na sollën në jetë, na rritën e na ruajtën dinjitetin, faqen e bardhë, dhe duke i thënë z. Lushajt:
-Zoti ta dhashtë bereqetin dhe shëndetin...! –ai u provokua nga kjo dhe iu kujtua babai i tij, të cilin, për kontributin e tij në bukëdhënie në krahinën e Tropojës, vitin e kaluar e nderoi kjo anë e Shqipërisë me mirënjohje të veçantë, dhe tha:
-Babai, njëherë e kishte ftuar një mik të vetin në konak dhe i kishte thënë: “Eja një natë ta bëjmë krypën mjaltë”!
Tash, nëse zbërthehet kjo fjali, s’ka se si ndryshe përveçse del madhështi e njeriut të tokës së shqiponjave. Kaq... Dhe nuk dua të flas më për drekën, por në fund, kur dolëm për t’u përshëndetur, në kopsht pimë edhe nga një kafe në atë tavolinën historike që qëndron aty.
Te dera u përshëndetem për t’u takuar sërish. Dera e oborrit sërish u mbyll me boçën e misrit!
Çaste mbrëmjeje në Shëngjin
Te Restoranti “Iliria”, më shikim kah plazhi, në buzëmbrëmje, valët e detit dhe poezia më provokonin... Çfarë nuk më sillej vërdallë në këtë kokën time... Aty e takojmë Kozeta Zavalanin, krijuese dhe humanitare me disa nga miqtë e saj..., takojmë edhe shumë miq nga Kosova... Por tash, valët përkëdhelëse të detit e dielli në perëndim, krijonin piktura të rralla, të cilat mund të bëhen e shijohen vetëm këtu në Shëngjin e në tokën e kombit tim...
Një kujtim prilli 2016 në plazhin e Shëngjinit(Krijuesit, Tahir Bezhani dhe Sejdi Berisha)
Takimi me krijuesit e Lezhës në Shëngjin ose, Kosovën e mësova më mirë nga axha se sa nga historia!
Në mëngjesin e së shtunës, pasi pimë kafenë e mëngjesit, presim të takohemi me krijuesit lezhjanë, të cilët na kishin premtuar se do të vinin në Shëngjin. Dhe, ashtu edhe ndodhi. Viktor Gjikolaj dhe Azem Baliaj të mbushur plot energji krijuese por edhe madhështi e miqësi, posa u takuam dhe pimë nga një kafe te “Iliria”, ata “zgjodhën” një ambient tjetër, i cili edhe pse ishte i vogël, dukej shumë i ngrohtë dhe intim, ashtu siç e dëshirojnë edhe poetët, krijuesit. Në këtë “aheng” shpirti e miqësie, kuptohet, na u bashkua edhe Zeqir Lushaj.
Takim i përzemërt krijuesish i cili afirmon dhe i forcon hallkat dhe vlerat krijuese kombëtare(Viktor Gjikolaj(Lezhë), Sejdi Berisha(Pejë), Zeqir Lushaj(Shëngjin), Tahir Bezhani(Gjakovë) dhe Azem Baliaj(Lezhë)
Tash, këtu, sërish ia nisë “odisejada” e ngrohtë për kulturën, por edhe për problemet dhe historinë... Bisedat, edhe pse fragmentarisht, na sjellin shumë kujtime e gjëra që janë të lavdishme por edhe trishtuese... Shumë fitore, por edhe dështime nga vetvetja... Në këtë kontekst, krijuesi dhe humoristi e satiristi me peshën dhe mesazhin aq të mprehtë e intelektual dhe njeri gjithmonë plot buzëqeshje, Azem Baliaj, në një kontekst e tha:
-“Kosovën e mësova më mirë nga axha se sa nga historia...”! –ishte kjo një dëshmi e hidhur që edhe sot peshon mllef e plagë!
Por, vera e kuqe e “ngriti” ndjeshmërinë... Tani, nuk munguan recitimet e poezive të shoqëruara me sinqeritetin krijues, e gjithsesi edhe me “zjarrminë” e verës së kuqe. Në këtë “llahtari” shpirti, më shumë u shquan krijuesit nga Lezha, Viktor Gjikolaj dhe Azem Baliaj. Azemi., pasi ia dhurova librin “Konflikti me vetveten” dhe atë me poezi “Në lumë bie shi”, ai, më vonë kishte thurë një poezi plot satirë, poezinë “Kinezët në Shëngjin...(?!)”, e cila u mirëprit dhe u komentua nga shumë lexues,...
Ja, kjo poezi:

KINEZËT NË SHËNGJIN...(?!)
(-“Mosmarrëveshje me Sejdi Berishën”-)

Vëllai im prej Peje, poet i dëgjuar,
Nervat m'i grrith' duke folë përditë...
Për lumin, me shi lotësh turbulluar,
Që derdhet në det arat pa vaditë!

Ky lumë i madh, shpirt i pejanit trim,
Edhe ndenjen nganjëherë e prish...
Shi...i lëshonte, dje nëpër Shëngjin,
Dhe pse dielli po na digjte si pishë!

Duhet të bashkohemi, të mblidhemi
Bërtiste, si të parët kur nxehnin motin!
Prej një imazhi filluam të dridhemi...
"Vëllezërit" kinez po firmosnin portin!

Vëllai prej Peje dhe poetët e tjerë
U kontraktuan, pamja krejt i hutoi!
"Tollumbace" fjalësh, flatruan në erë...
Vetëm At Zef Pëllumi,"diçka" arkivoi!

(Lezhë,17 prill 2016. (ab)
Edhe diçka. Këtë njeri kaq alegro e virtuoz, e pashë sot se lotët ia përlanë sytë. Edhe kjo ishte dëshmi se ky njeri është i veçantë dhe njerëzor!
Edhe Ramiz LUSHAJ sikur ishte me ne...
Ramiz LUSHAJ, një krijues i palodhur dhe i devotshëm, vizita jonë në Shëngjin sikur e nxori edhe njëherë me ndijimin e tij shpirtëror, i cili brenda vetvetes ka madhështinë, peshën dhe vullnetin për ta bërë dritë çdo gjë që është me vlerën dhe madhështinë historike, historiografike dhe kulturore të të gjitha trojeve shqiptare.
Këtë e dëshmon edhe poezia e tij e botuar në kuadër të qëndrimit tonë në Shëngjin:

HAPIN E DYTË E BAJNË BASHKË

Berisha i Pejës e Bezhani i Gjakovës
Vetëm një hap janë larg.
Hapin e dytë e bajnë bashkë.

Toka, historia, eposet e Alpeve,
Iu dhanë talent, iu burimojnë frymëzim.
Fjalët iu ujëvarojnë në shkrime, e vargjeve…
Me libra i numërojnë hapat në të gjatin udhëtim.

Në hapat e tyre me lartësi burri,
I kanë veprat me lang qielli, me palcë guri,
Iu mjaltojnë hojet e jetës e të vetvetes:
Bezhanit të Gjakovës e Berishës të Pejës.

(Tiranë, 17 prill 2016)
Shpejt e shpejt duke e zënë ndonjë kujtim krijues para nisjes për në Lezhë
Edhe këtij takimi iu afrua fundi dhe u përshëndetëm me lezhjanët, për t’u takuar të nesërmen në Lezhën e Skënderbeut.
Në mbrëmje, sërish valët e detit dhe peizazhi në perëndim të diellit e bën të vetën, më përmalluan por edhe më madhështuan, dhe ec e ç’kapi këta dy faktorë, që pothuaj se janë pjesë e jetës së çdo njeriut dhe atë ndër vite, decenie e shekuj...!
Ikja për në Lezhë e pastaj për në Kosovë
Të mos harroj. Në mbrëmje, kur u kthyem në dhomë, mua dhe Tahirin sikur na “zigloi” nevoja për të ngrënë edhe nga pak bukë, të cilën e kishte sjellë Tahiri nga shtëpia e tij. Dhe, këtu unë e pata fatin që të ha pite me hitha, të cilën e kishte gatuar për merak bashkëshortja e Tahirit. Piten atij nuk ia kishte ënda, por ai “rrasi” djathë, suxhuk dhe sallatë...
 
Edhe një kujtim në plazhin e Shëngjinit(Tahir Bezhani dhe Sejdi Berisha)
E theksova këtë, sepse, kjo darkë e paplanifikuar na shërbeu që të vazhdojmë bisedat dhe komentet në mënyrën tonë. Mirëpo, ai, kësaj radhe më “lodhi” me rrëfimin se kur policia serbe e kishte maltretuar dhe rrahur e pastaj e kishte dërguar në burgjet serbe... Edhe kjo ngjarje ishte rrëqethëse si edhe shumë të tjera në Kosovë...
Tash, pasi në mëngjes i përgatitëm plaçkat për të udhëtuar, së pari në Lezhë e pastaj për në Kosovë, duke pirë kafenë e mëngjesit te “Iliria”, erdhi dhe në shoqëri na u bashkëngjit z. Sadri Ferati, nga Kosova, i cili është një njeri i devotshëm i kauzës kombëtare dhe njeri që angazhohet për zhvillimin e vlerave shoqërore dhe politike të Kosovës. Edhe këtë takim, e shfrytëzuam për biseda të përzemërta dhe konstruktive në të gjitha fushat, duke përfshirë këtu edhe letërsinë por edhe rrjedhat aktuale shoqërore dhe politike jo vetëm në Kosovë.
Në shenjë respekti dhe kujtimi ia dhurova dy veprat e mia që më qëlluan aty; librin me poezi “Në lumë bie shi” dhe librin me ese dhe shkrikme të tjera “Konflikti me vetveten”. Dy vepra të veta ia dhuroi edhe miku im, krijuesi nga Gjakova, Tahir Bezhani dhe pastaj u përshndetem dhe u nisëm për në Lezhë.
Pas bisedave padyshim se preferohet edhe një foto për kujtim-Shëngjin, 16 prill 2016(Sejdi Berisha, Sadri Ferati dhe Tahir Bezhani)
 
Pranë shtatores së At Zef Pëllumbit
Por, para se të niseshim për në Lezhë, kisha dëshirë që të bëja një foto pranë shtatores së A’t Zef Pëllumbit, që ishte mu pranë plazhit. Shumë më intrigon vepra, por sidomos titulli i librit të tij “Rrno për me tregue”! Dhe, këtë besoj se nuk ka nevojë shumë për ta shprushur... Është edhe histori, por edhe formulë e pavdekshme mësimi e qortimi...!
Takimi në Lezhë dhe vera e kuqe “Kallmet”
Posa arritëm në Lezhë rreth orës dymbëdhjetë, kishin qenë duke na pritur si dy yje që bëjnë dritë në pikë dite, krijuesit Viktor Gjikolaj dhe Azem Baliaj. U ulem në një restorant pranë lumit, por, paraprakisht, z. Viktor Gjikolaj na i dhuroi tre litra verë të sojit “Kallmet”; një për mua, një për Tahirin dhe një për krijuesin Muharrem Kurti, i cili aktualisht ndodhej në Gjakovë.
Takimi me krijuesit lezhjanë në Lezhë-17 prill 2016(Sejdi Berisha(Pejë), Tahir Bezhani(Gjakovë), Azem Baliaj(Lezhë) dhe Viktor Gjikolaj(Lezhë)
Edhe këtu, duke pirë kafe, biseduam e për çfarë nuk biseduam. Letërsia, vlerat por edhe afirmimi më i mirëfilltë dhe mbështetja morale mbase e materiale e krijuesve, ishte një prej temave. Por, kësaj radhe, më insistimin e Azem Baliajt, biseduam për eksodin e shqiptarëve të Kosovës gjatë luftës, gjë e cila kishte mobilizuar të madh e të vogël në të gjitha trevat shqiptare, për t’i strehuar familjet, gratë, fëmijët, pleqtë dhe të tjerë, të cilët kishin mësyrë pa adresë me gjithfarë mjeti transportues, e më së shumti me traktorë, disa prej të cilëve edhe ishin të mbuluar me plasmas apo edhe çadra të improvizuara.
Dhe tani, shpirti i madh prej njeriut plot jetë, gaz e hare edhe në situata më të ndërlikuara dhe tragjike, ai i Azem Baliajt, një fragment të rrëfimit të tij për ato situata ia vlen ta veçojmë.
Ai shpjegonte se si kishin vërshuar kosovarët për të shpëtuar gra, fëmijë e pleq, dhe në ato raste patjetër se kanë qenë prezentë edhe përfaqësues të shoqatave të huaja humanitare. Dhe ai thotë:
-Ishte natë. Rimorkiot e traktorëve plotë e përplot me njerëz. Por, aty-këtu vërehej se rimorkiot lëkundeshin pandërprerë, kështu që një përfaqësuese ndërkombëtare, nga kureshtja pyeti: çfarë po ndodhë kështu?!... - ky i ishte përgjigjur:
-Edhe në situatat më tragjike dhe më të rënda, ky popull nuk hamendet për t’u shumuar dhe se nuk ka forcë që mund ta pengojë në ecjen përpara dhe në ruajtjen e identik dhe të historisë së vetë ...!
Edhe ky ishte një biser i së vërtetës të popullit tonë, që është më vitali dhe më i qëndrueshmi.
Dhe, nuk di se a puthitet fortë ky mendim, por megjithatë ia vlen ta theksoj për fund: “Kur ta hedhësh dheun mbi trupin e më të dashurve tu, atëherë e kupton se sa vlerë dhe peshë ka njeriu, kombi dhe atdheu mbase edhe njerëzimi...! Kaq.

Cikël poetik nga Shqipe Hasani



Shqipe Hasani u lind në Prishtinë. Shkollën fillore dhe të mesme (mjekësinë e përgjithshme) e mbaroi në Prishtinë. Fakultetin Filologjik, dega Gjuhë dhe Letërsi shqipe në Universitetin e Prishtinës. Punon në QKU, Klinika Radiologji dhe Onkologji – teknike e Rengenit. Është anëtare e Kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës.
Në vitin 2009 është shpërblyer me çmimin e parë letrar për veprën më të mirë të vitit “Akuareli dhembjes”, si dhe është fituese e dy çmimeve në Tiranë nga Lidhja e krijuesve “Pegasi”, dhe Lidhja shkrimtarëve nga Tirana (me çmime të vendeve të para). Autorja jeton dhe punon në Prishtinë.
Krijimtaria e saj letrare është shpërblyer me çmime dhe mirënjohje të ndryshme.

Botoi këto vepra me poezi:

“Shiu i vetmisë”, Pena 1997,
“Qielli i varreve”, Rilindja 2000,
“Shtigjet e gjakut”, 2001
“Akuareli dhembjes”, Flormed 2008,
“Premtim i lënë peng”, 2009 LSHK dega në Prizren, dhe dramën
“Qëndistarja s’ka mort” , 2011 botuar nga Sh. B. “Orfeu” Prishtinë.
“Okteti i vajzave” 2012, Sh. B. ”Orfeu” Prishtinë.
“Prillin ma solle ti”, 2013, Sh. B. “Orfeu” Prishtinë
“Ç’gjuhë flasin lulet”, 2013, Sh. B. “Orfeu” Prishtinë
“Sytë kërkojnë përtej vdekjes” – Dramë 2014 Sh. B “Orfeu’’ Prishtinë
“Nimfa vjen të martën’’ 2014 Sh. B “ Orfeu” Prishtinë

Poezi nga Shqipe Hasani

SAGË PËR TRUALLIN

Atje një limf i përgjakur
Po më thërret me gjuhën cipëplasur
Zgjohem mallit të vluar
Pa më lag shiu i vjeshtës
Rri në portë të kullës
Flas me 101 copëra eshtrash
Të zhveshur gjer në palcë të amshimit
Nëse vonohem gjer në nëntor
Mos ma ndalni kohën
Do t’i zgjoj ninullat e moçme
Nga vdekjet e diellta
Gjinjve të ndrydhjes u jap qumësht lirie

Mbrëmjes vij në këpucë pa take
Pa u zbeh zjarrit të pergamenës
Pa u lodhur natës pa emër
Nga klithmat e kambanave
Më djeg një buzëqeshje e ngrirë
Më dhemb gjaku yt atdhe
E di se vetëm ti m’a përbiron dashurinë
Imazhin mbi kraharor gruaje.

Dikur kthehem buzë Ibrit
Shoh si luajnë sagat plot gjak
Si e mbajnë dritën në pranga
Si I fshehin mëkatet labirintit
Në kantatë shpirti thur një apologji
Populli im me dashurinë në qepallë
Puth trojet e lashta me një serenade çlirimi .


DRITËSIM HIJESH
( ESAT MEKULI )

I lash dritaret e hapura gjithë ditën
T’i shoh “brigjet“ si frone të lakmuara
Nën diellnajën e syve rrijnë zgjuar
Pa u plakur kurrë
As në qiell dimri, as pranverës me pergamenë

Më duhet pak kohë të mëkojë ëndrrat
Botën e ndezur me eshkun e fjalëve
“Ç’farë të ngeli në majë të gjuhës “
Liria që shqiptari këndon
Apo etja si klithmë e mishëruar

Dimër i brejtur ç’ma ke pirë gjakun
Për fëmijët që ngjyejnë gishtërinjtë me jargë terri
Për lotin e nënës në cep të greminës
Për vëllanë që barte sharrën në krah
Përtej 70 bjeshkëve ta zë një copë diell
Me trupin shkrumb tej shprese

Ç’farë murose në fund të gjuhës
Dhembje të copëtuara që nuk qetoheshin
Kur flinin tingujt në cipën e nates
Atdheu gjëmonte me buzë të ngushëllimit

Dikur larg “sytë që panë botën“
Rrefyen plagën e kuqërremtë si relikt të lashtë
Ofshamat, buzëqeshjet i lage në oqean dritash
E përsëri mbete lakmitar i heshtur

Rrugëtove me dhembjen Kosovë
Shtrive hartën e fisit
“Mos më thirr me emër të huaj “
Ne tokë lulekuqesh këndove himnin e dritës
Gjallë valsit të kohrave
Bbete poet me dhembjen sa bjeshka.


SERENADË PËR ÇAMËRINË

Atje ku thërrohet kupa e padukshme e dritës
syri i majtë çelet me lot
bebëzave te heshtjes I prehen buzëqeshjet
syri i djathtë digjet me mall.
Mos më kërkoni shtatë ditë të javës
valët që kullohen si gjëmë ankthi
m’i lagin gishtërinjtë e këmbës
me plagën e hapur në shiun e shekujve.

Ditën e mërkurë gjenden në zgripin e stuhive
do te gjunjëzohem kur emri im
mbush njëqind vjet kur u nda nga shpirti
e mbeti në skelet klithmash .
Mos më thirr nënë derisa Çamërisë
i’a prek rrezet e zëna rob.

Vazhdoj t’a gjej gjakun e mpiksur nën akull
t’a afroj pranë vetes ...
me perden e grisur të veriut
t’a mbështjell telave të pakëputur gjembor.

Udha ime zgjat një muaj
andej bregohem gjinjëve të etjes
nëpër qiellin e kotur me thikë
ditën e enjte të një lule të bardhë
që u kurorëzua me lirinë.

Të premten e fundit do të çlodhem
nga ëndrrat mbetur në çengel
nga gjëma që djeg kujtimin.
Nënë atëherë më prit me fustan gjaku
se dasmorët e mi do të çlirohen
ne pranverën e ardhshme


PËR VARKËN E LOTIT

Kur më ranë ca trosha buke nga goja
E dija se dikush lëshon gjëmë të urisë
Larg rri nga mëkati kur në gishtat e kujtimit
Mbaj mëshirën
Nuk dua t’më verbojë djersa
Po qe se e shihja të mbramin muzg .

Rrëqethjet s’mund t’i nxjerr nga trupi
As pelerina e bardhë s ’ mund t ’mi mbuloj
Pikëllohet Van Gogu në pikturë
Me një vesh dëgjon vetëvrasjet e reja
Çerret baladohen në një kor antik
Karriga e lagjes prit dhe përcjell mall
Varkat e lotëve a do të mbyllen ndonjëherë ?

Porta e qytetit mban çelësin e përjetimit
Një foshnjë qan me vajin e braktisur
As zjarri i Trojës nuk e fal
T’ a djeg at nënë të pashpirt
Kur dikush I kërkon nëpër etje dielli
Le të ruhet nga toka se një ditë
Druaj të vërshohemi me dhembje

Diku në qoshe të udhës rri një plak I lodhur
Mbledh shkrumbin xhepave te shqyer
Pëshpërit me statujat e natës
Për njëmijë poema të shqetësimit
O zot çdo shpjegim është I tepërt
Qepallat e lagura më dridhen nga pezmi
Ndiej se sagat janë plot shtrëngata.


VIOLINA QAN POETIN
( Ali Podrimjes )

Diku nën diellin e Ulpianës
Një heshtje e pëlcitur
Shkrin gurët në kohëra
Copëton harenë e ditës

Violinë e qytetit qan
E mbush peizazhet e Arbrit
Ballkoneve të pezullta
Vyshken degët e këputura

Askund s’ndalet loti
As kujtimet nuk heshtin
Ato rrinë pezull
Në vargje të ndrydhura
E vapën verës ia shtojnë

Herët ia prek diellin mëngjesit
Natës ia le ëndrrat e vendlindjes
Lumit ia mbolle lulet rreth shtratit
Që një ditë vërshoi
Duke ia marrë gjuhën antikës
Trëndafilin e çelur
Në etje, në luftë, në vargje.

SHQIPE HASANI ” QËNDISTRAJA S’KA MORT” DRAMË




Rezultate imazhesh për shqipe hasani
Shqipe Hasani e lindur me 18 dhjetor 1971 në Prishtinë pas mbarimit të shkollës fillore , mbaroi shkollën e mesme të mjekësisë, pastaj edhe në Fakultetitin e Filologjisë në Unversitetitn e Prishtinës. Aktualisht ëshhtë në mardhënie pune në Qendrën Emergjente si teknike e Radiologjisë në Prishtinë. Është anëtare e Lidhjes së shkrimtarëve të Kosovës . Shqipe Hasani ka të botuar këto përmbledhje:



- “ Shiu i vetmisë” poezi. 1997

- “Qielli i varreve” poezi. 2000

- “ Akuarel i dhembjes” poezi. 2008

- “ Premtimi i lënë peng “ poezi. 2009



Lidhja e shkrimtarëve të Kosovës, përmbledhjen poetike “ Akuareli i dhembjes” ju dha çmimi si libri më i mire i vitit në Mitingun e poezisë.



Por fare në fund të vitit 2011, shkrimtarja jonë e talentuar Shqipe Hasani, para lexuesve solli një befasi të këndëshme në bagazhin e saj krijues vjen me një qëndisje aq të bukur krijuese, të një zhanri jo edhe aq të lehetë, u fut kësaj gjinie që do përkushtim, do perceptim intelektual, artistik, por megjithatë do edhe shpirt për t’i dhënë secilit përsonazh në vete, duket se ajo e bëri me shumë devocion artistik krijues, solli librin e saj të parë të këtij lloji në krijimtarinë e saj artistike, ajo që ishim mësuar deri këtë vit Shqipen ta njihnim dhe lexonim, si poetet , tani do ta lexojme edhe si dramaturge. Veprën e saj dramturgjike e titulloi:

“ Qëndistarja s’ka mort” Dramë 2011. . Shtëpia botuese “ Orfeu” Prishtinë Bibilioteka “Talia “ Redaktor : Rushit Rambaja, libri ka 117 faqe .



Përsonazhet: Hirushja, Bardi,, Njerku, Çakalli, Nili,Sara, , Sjellësi i Pusullës, Paramilitari, Çetniki i parë, Çetniku i dytë, Veshatorja e pare, Veshatorja e dytë, Jevga vithkërcyer, Jevga e Nagjallme, Ushtarja Flokëartë, Ushtari, Gra , burra. Në strukturën e saj kjo dramë ka tre akte. Skena e hapjes pasta skena e I,II, III. Akti i dytë: skena I, II,III.Akti i tretë: skena I,II,III dhe skena e mbylljes.



Për rëndësinë e kësaj vepre dramaturgjike, para lexuesve po sjellim edhe mendimin e Editorit të shtëpisë botuese “ Orfeu” Prishtinë dhe redaktorit të këtij libri Rushtit Ramabaja:



“ Derisa në katër librat me poezi të Shqipe Hasanit, veç tjerash,lexohen një kronikë lirike e shqiptuar nga një zemër gruaje, në dramën e pare të saj dhe shumë të sukseshëme “ Qëndistarja s’ka mort”, ajo me një dialog, stil dramatic të veçantë, projekton fatin e gruas sonë, që mëkohet në gjirine mitit po aq edhe në magjitë e kohës moderne.

Hirushja , kryeheroina, ikën nga përralla e ndjekur nga Njerka zemërkeqe, por në jetë takon Njerkun po aq zemërlig, që njëlloj nxirëos fatin e saj. Hirushja që e thrrasinedhe Qëndistare, megjithatë, ia del ta kapërcej rrethakun e trishtë dhe të gjej ngushllim e dashuri te Bardi.

Mpleksjae mynxyrës së luftëssë mbramë shqiptaro-serbe me fatin e kryeheronjëve( Hirushës e Bardit) e bënë këtë dramë më jetësoree më dinamike duke e shkrirë natyrshëm dhembjen individuale në atë kolektive”(Arsim Halili)

"NË FRONIN E SHKRIMIT"


Me rastin e festes jubilare të pavarësisë së Kosovës, doli nga shtypi libri më i ri i shkrimtarit Ryzhdi Baloku me titull "Në fronin e shkrimit".

Në këtë vepër prej 220 faqesh janë përmbledhur një sërë shkrimesh, kryesisht letrare.

Autori i ka sistemuar vështrimet, analizat dhe recensionet, të cilat i ka shkruar për veprat e krijuesve të tjerë, e po ashtu sipas kësaj forme të radhitjes së shkrimeve, në pjesën e dytë të librit i ka sistemuar vështrimet, analizat dhe recensionet që të tjerët i kanë shkruar për veprat e tij.

Këto punime autori i ka publikuar, gjatë një periudhe kohore në gazetat elektronike: "Zemra Shqiptare", "Fjala e lirë", "Revista Drini", "Bota Sot info", "Kosova Sot Online", "Epoka e Re", "Portali Pikpress", "VOAL - Voice of Albanians", "Bota Press info", "Gazeta Shqiptari" etj., apo edhe në gazetat ditore të shtypura në Kosovë si: "Bota Sot", "Kosova Sot" dhe "Epoka e Re", në gazetën e komunitetit shqiptar të Britanisë së Madhe "Albanian News" të Londrës, në gazetën javore letrare dhe kulturore "Nacional" të Tiranës.

Autori këtu ka sistemuar edhe shkrime të natyrave tjera.

Ja disa komente të përzgjedhura të disa shkrimtarëve për shkrimet e autorit të këtij libri.

Ksenofon M. Dilo, shkrimtar, Tiranë

Studim që ndihmon të dalin në dritë fakte të rëndësishme historike, ...

E Shtunë, 24.09.2011

* * *

Sejdi Berisha, shkrimtar, Pejë

Miku im, z. Baloku jeni duke e bërë një punë të mirë, me peshë dhe me vlera që i nevojitet studimeve historiografike.

E hënë, 31.10.2011

* * *

Ilir Dardani, Kryeredaktor i ZSH, Belgjikë

Në "Zemra Shqiptare" kemi publikuar disa pjesë nga libri tepër i çmuar i z. Baloku, ku vetë titulli tregon se është një libër që duhet lexuar nga të gjithë.

E diel, 29.01.2012

* * *

Zeqir Lushaj, Redaktor i përgjithshëm i ZSH, SHBA

Urime, z. Baloku.

Një shkrim shumë i mirë, me informacione të nevojshme, e i trajtuar drejt nga ana historike, si dhe leksikologjike.

Çdo shtyp, revistë a gazetë, ka nevojë për sa më shumë shkrime të tilla.

E hënë, 26.03.2012

* * *

Vangjush Saro, shkrimtar, Tiranë

... Fraza rrjedh. Rrethanat dhe personazhet japin një siguri që do të karakterizohen.

Stili është i kohës.

Shpresoj të kemi vërtet një vepër të mirë.

E enjte, 05.09.2013

* * *

Flori Bruqi, shkrimtar, Prishtinë

Suksese miku im!

Je i bekuar nga Hyji për dizajnimin me sukses të kësaj "trilogjie" artistike, ashtu siç Ti di ta mbarështosh skenarin që mund të jetë syzhe edhe për një film!

Sinqerisht ju përgëzoj dhe ju përshëndes!

E enjte,16 Shkurt 2017

* * *

Fatmir Terziu, shkrimtar, Londër

... pa marrë parasysh sa herë jemi pikëtakuar me shkrimet dhe analizat e Ryzhdi Balokut, dhe ky një emër kompleks i fushës së letrave..., ndjejmë se gjithnjë për ne është një ardhje e re, si në lexim dhe në ndjesi...

Urimet më të mira...

Dr. Fatmir Terziu

(ISMAIL QEMALI “KUJTIME” Toena, Tiranë, 2009)



Ryzhdi Baloku: 

Një thesar i çmuar i burimeve historike



Libri “Kujtime” i themeluesit të shtetit shqiptar, shkëlqesisë së tij, Ismail Qemal Bej Vlorës, është një thesar i çmuar i burimeve historike të përmbledhura në këtë vepër nga mendja e ndritur e këtij burrë-shteti.

Këtë vepër, autori e ka shkruar në gjuhën angleze, botimi i të cilës u realizua me 1920 në Londër, një vit pas vdekjes së tij.

Nga anglishtja në shqip ky libër u përkthye për herë të parë nga Reshad Agaj, i cili qe botuar në vitin 1968 në Toronto të Kanadasë, ndërsa për herë të dytë po ashtu nga origjinali në shqip u përkthye në Shqipëri nga Abdurrahim Myftiu, të cilin më 2009 e botoi shtëpia botuese “Toena” Tiranë, në formatin A5 (14 X 20 cm.) prej 495 faqesh.

Libri është i shkruar në trajtë autobiografie, në të cilin autori Ismail Qemal Bej Vlora i ka prezantuar ngjarjet më me peshë, përmes të cilave ofron të dhëna historike me rëndësi të veçantë për ato periudha kohore, të cilat ai ia ka parashtruar vetes si objekt trajtimi.

Libri si tërësi është i ndarë në dy pjesë kryesore. Në pjesën e parë janë përmbledhur ngjarjet që kanë të bëjnë me zhvillimet historike të kohës, përderisa autori ishte duke punuar në shërbim të Perandorisë Osmane, ndërsa në të dytën ato që kanë të bëjnë me Shqipërinë dhe shqiptarët.

Autori i këtij libri, shkëlqesia e tij, Ismail Qemal Bej Vlora nis librin e tij autobiografik me përshkrimin e të dhënave personale, për të kaluar pastaj më tutje në prezantimin e disa shënimeve për trungun e tij familjar, me qëllim që ta pasqyrojë lashtësinë e kësaj dere fisnike vlonjate, për të cilën thotë: “Themeluesi i derës Vlora, prej nga vija unë, ka qenë Sinan Pasha, i cili pasi kishte pasur postin e Vezirit të Madh, vajti në Vlorë në kohën e Sulejman të Madhërishmit, si Kapiten Pasha, ose Kryeadmiral i Flotës Ushtarake. Ai u ngul me banim aty përfundimisht dhe po atje i mbylli ditët e jetës” (f.25,26).

Me rastin e përshkrimit të kësaj historie familjare, ai më tutje kthen kujtesën mbrapa edhe në pasqyrimin e marrëdhënieve në raport me pushtetin osman, me ç’rast thekson: “Për më se katër shekuj familja e jonë ka gëzuar respekt të lartë nga Perandoria Osmane, ndonëse herë pas here edhe ka vuajtur së tepërmi nga mbrapshtitë e sundimtarëve absolutë osmanë. Nganjëherë, kur i kaloj në kujtesë të gjitha peripecitë e jetës së stërgjyshërve të mi, habitem si ka mundësi që, me gjithë trajtimet e padrejta të përsëritura vazhdimisht, kjo familje të ketë mbetur e lidhur me Perandorinë” (f.26).

Pos tjerash, në këtë vepër hasim edhe në shpjegime për kohërat e hershme të qytetërimit njerëzor, ku autori, Ismail Qemal Bej Vlora ka për qëllim dokumentimin e lashtësisë së popullit shqiptar si pasardhës të pellazgëve. Kështu, në kujtimet e tij ai flet edhe për Janinën, në të cilin vend kishte kryer studimet, e në të cilin rajon zbulon gjurmët e qytetërimit pellazg, nga ku kishte mbirë qytetërimi njerëzor, e prej të cilëve buron gjeneza e shqiptarëve.

Libri në vete përmban një numër të madh të të dhënave të trajtuara në formë bisedash, të cilat janë zhvilluar në mes të pushtetarëve të Perandorisë, e ndonjëherë edhe të bisedave me diplomatë të akredituar, qofshin ato me karakter të bisedave të lira apo zyrtare, institucionale apo shoqërore, brenda zyrave të institucioneve apo jashtë tyre. Ato biseda na japin mundësinë që para vetës ta kemi një pasqyrë të zhvillimeve historike për ngjarjet e caktuara të asaj kohe dhe njëkohësisht ta kuptojmë edhe mënyrën se si ka funksionuar shteti otoman.

Po ashtu, në këtë libër autori na ofron mjaft të dhëna, të cilat e pasqyrojnë edhe historinë tonë kombëtare në raport me pushtetin osman, siç janë ngjarjet që do të pasojnë pas marrjes së vendimit nga Porta e lartë për zbatimin e ligjit të “Tanzimatit” në Shqipëri, për çfarë pati edhe gjakderdhje të mëdha pas kryengritjes së përgjithshme të shqiptarëve etj.

Pos shënimeve të cekura, dhe prezantimit të letërkëmbimeve me personalitete të rëndësishme jashtë qeverisë perandorake, siç është rasti me kolonelin anglez Gordon, ai në librin e tij shkruan edhe për ngjarje që ishin rrjedhojë e politikës së brendshme të shtetit, siç ishte rasti i shkarkimit të reformatorit të madh me pikëpamje liberale, Vezirit të Madh – Mit’hat Pashës në vitin 1877 dhe dhënia e dorëheqjes nga detyra e autorit të këtyre kujtimeve, mandej internimi i tij në Anadoll, e që më vonë Sulltani do ta emërojë guvernator në Bejrut, si dhe vali e guvernator në shumë rajone tjera të Perandorisë Osmane.

Pas Revolucionit Xhonturk të vitit 1908, Ismail Qemali zgjidhet përfaqësues i sanxhakut të Beratit në parlamentin osman, mandej në vitin 1909 zgjidhet edhe kryetar parlamenti, por pas pak ditësh detyrohet të largohet nga Stambolli përgjithmonë. Pas kësaj kohe, karriera e tij politike do të përqendrohet vetëm në çështjen kombëtare.

Lidhur me këtë qëndrim, ja se çka thotë Ismail Qemal Bej Vlora, në librin e tij: “Veziri i madh, Qamil Pasha, nguli këmbë të qëndroja përkrah tij dhe më ofroi një portofol në qeveri. Në rrethana të tjera do ta kisha pranuar këtë detyrë të nderuar me kënaqësi, por tani një detyrë më e lartë më shtrëngonte ta hidhja poshtë. Nuk e kisha më vendin aty, e kisha tek atdheu im, të cilit ia kisha borxh t’i shërbeja deri në fund” (f.415).

Pos rrjedhave të shumë ngjarjeve brenda Perandorisë, në këtë libër trajtohen edhe çështje të rëndësishme të politikës botërore të kohës dhe të zhvillimeve tjera, siç ishin: lufta franko-prusiane dhe pasojat e saj në Lindje, Traktati i Parisit, misionet e Bismarkut në Lindje, kryengritja bullgare dhe shtypja e saj, lufta ruso-turke, Traktati i Shën Stefanit, Konferenca e Londrës etj.

Meqë autori i këtij libri, ndërron jetë në rrethana të dyshimta, para se ta përfundonte së shkruari këtë vepër, ky botim i përgatitur në gjuhën angleze do t’i rrumbullakojë ngjarjet nga kujtimet e Ismail Qemal Bej Vlorës me një shkrim të tij, i cili qe publikuar si artikull në vitin 1917.

Ky shkrim fillon me përshkrimin e një telegrami të dt. 26 korrik të vitit 1880, që i adresohej Lordit Granville nga Lordi Goschen, një përkrahës i fuqishëm i çështjes së Shqipërisë, asokohe ambasador në Stamboll, në të cilin shkruan: “Si racë e lashtë dhe e shquar po aq sa të tjerat me të cilat kufizohen, ata (shqiptarët) kanë parë sesi kombësitë e këtyre racave fqinje janë marrë në mbrojtje nga fuqitë Evropiane të ndryshme, me çka u janë përmbushur aspiratat për ekzistencë kombëtare më të pavarur. Ata kanë parë bullgarët plotësisht të çliruar dhe zotër të Rumelisë Lindore. Ata kanë parë dëshirën e flaktë të Evropës për të çliruar territorin e banuar prej grekëve nga sundimi turk. Ata i kanë parë sllavët në Malin e Zi të mbrohen nga perandoria e madhe sllave e veriut me energji e vendosmëri. Ata kanë parë sesi Çështja Lindore është zgjidhur duke u bazuar në parimin e kombësisë dhe sesi Gadishulli Ballkanik ka ardhur ca nga ca duke u ndarë, siç ka ndodhur në fakt, ndërmjet racave të ndryshme mbi bazën e atij parimi. Ndërkaq, ata shohin sesi vetë nuk po gëzojnë të njëjtin trajtim. Kombësia e tyre po shpërfillet, kurse territori i banuar prej shqiptarësh po u jepet në veri malazezëve për të kënaqur Malin e Zi, nën mbrojtjen e Rusisë, dhe në jug Greqisë, nën mbrojtjen e Anglisë dhe Francës…

Nëse do formuar një Shqipëri e fortë, arsyeja për pushtimin nga një Fuqi e huaj në rastin e shpërbërjes së Perandorisë Osmane do të jetë mjaft e dobët. Një Shqipëri e bashkuar do të bllokonte hyrjet e mbetura nga veriu, kurse Gadishulli Ballkanik do të mbetej në duart e racave që banojnë aty dhe nën pushtetin e tyre. Përndryshe shqiptarët mund të përbënin një vështirësi të pakapërcyeshme në një kohë kur të kemi turbullira. Një popullsi në pjesën më të madhe myslimane do të ishin burim vështirësish të mëdha për vendet sllave a greke përreth… Mendoj se, në përpjesëtim me masën që shtetësia shqiptare mund të vendosej, gjasa e ndërhyrjes së Evropës në Gadishulli Ballkanik do të pakësohej” (f.398,399).

Për këtë përkufizim vizionar të Lordi Goschen të cilin e ka shprehur në telegramin e cekur, Ismail Qemal Bej Vlora nënvizon: “Kjo paraqitje e shënuar dëshmon sa e drejtë ka qenë pikëpamja dhe sa e madhe mprehtësia e një shtetari anglez, i cili shumë kohë më parë jo vetëm e kuptonte dhe e përcaktonte statusin e Shqipërisë dhe pozitën, që me të drejtë i takonte …” (f.399).

Në vazhdim të kësaj pjese të librit, autori flet edhe për doket e zakonet e shqiptarëve, organizimin e brendshëm shtëpiak, për të drejtën e gruas, për mbajtjen e fjalës dhe nderit, për besën dhe besnikërinë e këtij populli etj.

Gjatë këtyre shpjegimeve që kanë të bëjnë lidhur me besën apo fjalën e dhënë, ai sqaron: Shqiptari nuk e ka përfillë fjalën e dhënë vetëm atëherë kur pala tjetër e ka thyer atë, dhe më tutje shkruan: “… Kur Turqia, në kohën e Muradit të II, kishte pushtuar shtetet e tjera të Ballkanit, ajo u ndal prej qëndresës së befasishme e të vendosur të Shqipërisë. Në atë kohë kreu i dashur e i respektuar i vendit tim ishte Gjon Kastrioti. I ndodhur përballë dy rrugëve, të vazhdon një luftë të pasigurt kundër forcave më të mëdha në numër të Sulltanit apo të pranonte një zgjidhje miqësore me të, ai qëndroi në këtë të dytën, si plan që i garantonte autonominë e vendit të tij. Ai madje i dërgoi të katër bijtë në Edrene, kryeqytet i atëhershëm i Perandorisë, si peng; dhe për dhjetë vjet me radhë i mbeti rreptësisht besnik marrëveshjes. Pra Gjergji, më i vogli i djemve, bëmat e shquara të të cilit në luftë më pas hynë në thesarin e legjendave kombëtare, kur luftoi me emrin Skënderbeg, qysh në moshë të njomë ishte në oborrin e Muradit II, i cili i dha edukim të shkëlqyer dhe e çmonte shumë. Konsideratës së Sulltanit për të, Gjergj Kastrioti i përgjigjej me përkushtim të sinqertë. Mirëpo, kur Gjon Kastrioti vdiq dhe si trashëgimtar duhet të shkonte i biri Gjergj, Sulltani, në vend që ta dërgonte djaloshin në Shqipëri, dërgoi atje trupa për të pushtuar Krujën, kryeqendrën e vendit. Pavarësia e Shqipërisë mori fund; por, po ashtu, mori fund edhe besnikëria e Gjergj Kastriotit” (f.405,406).

Gjatë këtij shpjegimi, lidhur me Skënderbeun – Gjergj Kastriotin, po në këtë kapitull, autori i këtij libri në mes tjerash shkruan: “Për tridhjetë vjet me radhë Evropa oshtiu nga gjëmimi i armëve dhe lavdia e emrit të tij, në një luftë të gjatë kundër fuqisë turke, deri atëherë e parë si e pamposhtur. Në prag të vdekjes, ai ia besoi të birin, ende i mitur, Republikës së Venedikut, i bindur se kjo qe më e mira që mund të bënte për trashëgimtarin e fronit e për sigurinë e vendit të vet. Por zhgënjimi qe i rëndë. Në vend që t’ia merrte të birin në mbrojtje, Venediku ia dorëzoi vendin e tij Turqisë; dhe kështu, edhe një herë Perandoria Osmane mori me ujdi atë që nuk mund ta merrte me forcën e armëve” (f.406).

Pos përshkrimit të ngjarjeve të caktuara nga koha e Perandorisë Osmane dhe prezantimit të zhvillimeve historike të cilat Ismail Qemal Bej Vlora si një dëshmitar kohe në cilësi të nëpunësit qeveritar, pastaj si funksionar-qeveritar, diplomat e deputet i atij shteti që ishte për një periudhë bukur të gjatë kohore, në librin e tij “Kujtime” pasqyron njëkohësisht edhe anën shpirtërore të njerëzve, atëherë kur të tjerët e identifikonin fenë me kombin, e që ky parim i asaj kohe për shqiptarët nuk vlente. Kështu, në këtë vepër për këto veti autori shkruan: “Ndonëse në përgjithësi ndikimi i fesë në mendjen dhe shpirtin e njerëzve nuk mund të mohohet, po ashtu as fuqia që Islami ka pasur në asimilimin e racave (lexo: kombeve, ngase shpeshherë Ismail Qemali i identifikon racat me kombe, vr. R.B.), Shqipëria përbën një përjashtim nga ai rregull aq i përgjithshëm në Lindje, se feja përbën kombësi” (f.407). Po aty, ai vazhdon me shpjegim dhe shkruan: “… edhe pse janë të devotshëm për fetë e tyre gjegjëse… ata nuk bëjnë kurrfarë dallimesh mes tyre për shkak të fesë dhe askush syresh nuk i jep vetes, po për kësi shkaku, epërsi apo privilegje” (f.407).

Nismën për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, Ismail Qemal Bej Vlora e përshkruan në këtë vepër, si vijon: “… Rrugës së kthimit u ndala në Bukuresht, ku jetonte një koloni e madhe shqiptare. Nga mbledhja që bëra atje, pesëmbëdhjetë bashkatdhetarë të mi vendosën të ktheheshin me mua në Shqipëri. U telegrafova të gjitha krahinave të Shqipërisë për të njoftuar se po vija, dhe deklarova, se kishte ardhur koha për të përmbushur aspiratat tona kombëtare. Njëkohësisht kërkova që nga çdo krahinë e vendit të niseshin delegatë për në Vlorë, ku do të mbahej një kuvend kombëtarë” (f.415,416).

“Meqë Vlorën e kishte bllokuar flota greke, u gëzova që zbrita në Durrës”… (f.416).

“Aty vumë re se populli i Durrësit nuk dinte kurrgjë fare për çka kishte pas ndodhur rreth e rrotull. I gënjyer prej lajmeve të rralla të ardhura nëpërmjet kanalesh të njëanshme, ata kujtonin se ushtria turke ishte fitimtare, se kishte pas pushtuar Filipopolin dhe se po marshonte t’i binte Sofjes dhe Beogradit. Ata madje as e dinin se serbët ndodheshin para portave të tyre. Ardhja e jonë shkaktoi njëfarë ankthi në qytet, i cili nxitej nga elementi turk, …” (f.416,417).

“Rrugën e bëmë me kuaj dhe, para se të sosnim te vendi i parë, ku do të pushonim, mora vesh nga njëri prej parisë së krahinës, i cili erdhi tek unë, se komandanti turk i Janinës i kishte dhënë urdhër me telegram xhandarmërisë vendore të më arrestonin e të më shpinin te shtabi i tij” (f.417).

“… Duke iu shmangur rrugës ku na kishin vënë re, morëm një drejtim më të sigurt dhe në fund sosëm në Vlorë. Këtu pritja qe ku e ku më e ndryshme se ajo në Durrës. Qyteti im i lindjes ishte ndezur i tëri nga flaka e patriotizmit dhe kudo populli na përshëndeste me gaz e hare. Brenda pak kohe u gjenda në mes të tetëdhjetetre delegatëve, myslimanë e të krishterë, të ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë, nga ato të pushtuarat ose jo prej ushtrive ndërluftuese…” (f.417).

“Porta e lartë, sapo mori njoftimin për shpalljen e pavarësisë, u vu kundër aspiratave tona” (f.419).

Autori i këtyre kujtimeve, siç edhe e kemi cekur më lart, ishte i punësuar në pozita të tilla shtetërore që nga mosha e re, të cilat pozita ia mundësuan prezencën pranë udhëheqësve më kyç dhe me ndikim më në Perandori. Shikuar nga ky aspekt, mund të thuhet se, ky libër ka karakterin edhe të një burimi shënimesh në cilësi të dokumenteve të dorës së parë të karakterit historik, për shumë ngjarje të asaj kohe.

Pra, shikuar nga një këndvështrim gjithëpërfshirës, mund të nxirret përfundimi se kjo vepër e Ismail Qemalit me titull “Kujtime” është një arkiv i ngjarjeve me tematikë historike të dokumentuara nga mendja dhe njohuritë e një eruditi, lidhur me zhvillimet historike të kohës, pjesën dërmuese të të cilave i ka përjetuar ai vetë.


“PEIZAZH I JETËS SIME” I AUTORIT SEJDI BERISHA


Rezultate imazhesh për ruzhdi baloku

Nga Ryzhdi Baloku

Është botuar libri më i krijuesit Sejdi Berisha me titull "Peizazh i jetës sime", i cili i ka 148 faqe, me  93 poezi të përzgjedhura, të cilat i ka sistemuar në një njësi sipas renditjes tematike të një kronologjie që i përgjigjet edhe përmbajtjes së tyre.

Pas leximit të vëmendshëm të vargjeve nga kjo vepër me poezi, mund të themi se titulli i librit korrespondon bukur si një binjak edhe me jetën e këtij poeti, i cili në muajin qershor do ta festojë ditëlindjen e tij të radhës.


Këtë vepër poetike autori e fillon me një shkrim të titulluar "Në vend të parathënies", në të cilin shkruan: "Qysh në vegjëli, por edhe gjithnjë, tërë jetën jam përpjekur që njerëzve t’ua bëj jetën të lumtur, me aq mundësi e fuqi që kisha dhe që kam edhe tani. Kjo ishte dhe ka mbetur thesari, kënaqësia, ushqimi im shpirtëror dhe pasuria ime më e madhe, të cilat gjëra, më duket se i kam përjetësi, mu si shtatoren e atij njeriut i cili nuk ekziston, por që botën e sodit nga një lartësi që askush nuk e sheh,...".

Për të na bërë sa më të qartë mesazhin e kësaj vepre, më tutje po në këtë shkrim autori vazhdon mendimin e tij dhe thekson: "...duke qenë i vetëdijshëm dhe i etur tej mase, në këtë formë vendosa t'i shtroj dhe t'i radhis në vargje disa nga ndijimet e mia për botën e njeriun, por edhe për respektin që kam ndaj njeriut...

Ndoshta, do t’u pëlqejë, ndoshta do t’u provokojë shumëçka brenda këtij libri. Sido që të jetë, në këtë mënyrë m’u duk se e laj edhe një borxh që kam ndaj procesit të lezetshëm, të përgjegjshëm dhe të ngrohtë, por ndoshta edhe të çuditshëm, që quhet jetë! Megjithatë, unë prapë, njerëzve u kam shumë borxh, sepse, etjen e kam shokun i cili nuk më lë rehat, nuk më lë të qetë, që ta bëj ashtu si duhet bile asnjë sy gjumë...!

Këtu e mbështes edhe madhështinë dhe qëndresën e jetës sime, të krijimtarisë sime... ".

Autori Sejdi Berisha, këtë vepër poetike e nis me poezinë "Unë dhe Zef Serembe në Brazil... ", për ta përmbyllur këtë rrugëtim poetik me poezinë me titull "Amanet pasardhësit tim".

Me tematikën e pasur dhe të larmishme, me gjuhën e zgjedhur poetike, me semantikën shumështresore, dhe me mesazhin që e përçojnë, këto poezi i prezantojnë lexuesit një botë të pasur artistike, por edhe meditative për njeriun, për jetën dhe botën që na rrethon.

Bisedë me akademikun kroat me origjinë arbneshe Prof.Dr.Hrvoje Mazijen

Nga Sylejman Morina

Në fillim shkencëtari Hrvoje shprehu falënderim për interesimin tim për veprimtarinë shkencore hulumtuese e veçanërisht, në lidhjen i tij gjenetike arbneshe (Shqiptare). Babai i tij Ivan Mazija ishte shpërngulur nga Zara para okupimit italian(1918), dhe ishte i vendosur në Zagreb. Po aty jetojnë edhe arbneshëtë tjerë të shpërngulur për shkaqe të ndryshme.




Djemtë e Ivanit dhe Marisë, Marini dhe Hrvoja ishin të lindur në Zagreb, në këtë metropol të njohur evropiane. Si të rinj vëllezërit Mazija ishin marrë me sportin e mundjes, ku edhe kishin arritur edhe rezultate të lakmueshme në nivel republikan dhe jugosllav. Shkencëtari kroat me origjinë arbneshe , novatori, hulumtuesi dhe Akademiku Hrvoje Mazija, është i lindur më 2 korrik 1940 në Zagreb. Fakultetin e veterinarisë e ka mbaruar më 1964, po aty më 1966 ishte zgjedhur edhe asistent. Gjatë studimeve kishte qenë bursist i institutit hulumtues “Rugjer Boshkoviq” të Zagrebit. Ndërkaq, me 1978 ishte zgjedhur prof.docent në Fakultetin e Veterinarisë, ndërsa më 1981 ishte prof. i asocuar e më 1986 prof. i rregullt. Postin e prodekanit e ka udhëhequr në Fakultetin e Veterinarisë 1991-1993, ndërsa më 2004 zgjidhet anëtar i rregullt i Akademisë Kroate të Shkencave Mjekësore. Punoi në Qendrën e Shpendarisë, të Instituti për Fiziologji dhe Patologji të Fakultetit të Veterinarisë, deri në vitin 1976, pastaj kalon në institutin e Patologjisë së Shpendëve në kultivim dhe prodhimin e tyre deri në pensionim më 31 dhjetor 2010. Ka qenë udhëheqës i studimeve pas-diplomike edhe të doktoratës nga Shpendaria në Fakultetin e Veterinarisë 1978 -2005. Më tepër se 15 vite ka ligjëruar në Fakultetin e Veterinarisë në Sarajevës edhe në studimet pas-diplomike. Biografia e tij është e pasur me suksese e rezultate, aktivitete dhe përgjegjësi. Ai kreu detyra me përgjegjësi udhëheqëse në institucione, shkencore e pedagogjike, shoqërore është interesant se gati në të gjitha pozitat udhëheqëse ishte në dy mandate të pandërprera. Zhvillimi i veterinarisë në Kroaci, para luftës dhe pas saj është i lidhur me kontributin e Akademik Hrvoje Mazijes. Më 1999 prof. Mazija kishte arritur që nga mushkëritë e zogjve të ngordhur të izolojë një virus të ri. Ndërkaq, hulumtimet e më vonshme me bashkëpunëtorët e tij, kanë treguar se është një virus që shkatërron shumë qelizat tumorale dhe mund të bëhet vaksinë ose ilaç kundër tumoreve te njerëzit . Virusi është emërtuar ZG1999HDS – ZG, ku janë edhe inicialet e tre shkencëtarëve; Hrvoje, Dinko dhe Sinisha.
Funksionet me përgjegjësi:

Ai e ka udhëhequr Qendrën Kroate të Shpendarisë të Fakultetit të Veterinarisë dy mandate 1982-85,pastaj ka qenë Drejtor i Institutit për sëmundjet e shpezëve 1994. Kishte qenë nënkryetar e pastaj Kryetar i Komisionit Shkencor i lidhjes së shpendarive të Jugosllavisë, Nënkryetar i komisionit universitar për punë shkencore 1989-1991.Një kohë të shkurtë, 1999-2000, ishte Kryetar i Shoqatës së Veterinave të Kroacisë, dy mandate ka qenë Kryetar i Lidhjes së Novatorëve të Kroacisë 1998 -2002, nënkryetar nga viti 2001, kryetar i komunitetit të shoqatës së kulturës teknike të Zagrebit.

Po ashtu dy mandate 1999 -2002 ka qenë Kryetari komunitetit për punë inventive në Odën Ekonomike të Kroacisë.

Kontributi në zhvillimin e shpendarisë

I rëndësishëm ishte kontributi i tij në zhvillimin shpendarisë në ish Jugosllavi, Qendra për Shpendari që e udhëhiqte prof.Mazija, ishte institucioni prijës jo vetëm në nivel të regjionit, ajo në aspektin shkencor ishte në nivelit evropian.

E kishte themeluar laboratorin e virusologjisë në Qendrën e Shpendarisë më 1966, pastaj Institutin për sëmundjet e shpezëve 1990, si dhe ishte bashkëthemelues i ambulancës specialistike për sëmundjet e shpezëve, pranë institutit për sëmundjet e shpezëve, e para e këtij lloji në Kroaci

Kontributi i tij i veçantë ishte edhe në novatorizëm dhe në kulturën teknike, ka bashkëpunuar edhe në projektin e ndërtimit të strategjisë zhvillimore të Kroacisë,

Anëtarësimi në shoqata e organizata të ndryshme

Ishte anëtar i Shoqatës së Mikrobiologjike të Kroacisë, pastaj i Odes Veterinare Kroate, anëtarë nderi i odes flamane-kroate që nga viti 1992, pastaj i Organizatës Botërore Veterinere të Shpendarisë (WVPA), kryetar aktual i degës për Kroaci, që nga viti 1993.Anëtar i shoqatës për mikroskopi elektronike, anëtar i këshillit ekzekutiv të lidhjes së novatorëve të Kroacisë. Ndërkaq , më 2010 bëhet anëtarë i institutit ndërkombëtar për zhvillimin e Kroacisë.

Akademik Mazija, qoftë për ngritje profesionale, apo ligjërues i ftuar shpesh herë ka qëndruar në institucione kërkimore dhe shkencore më të avancuara, në Gjermani, Shtetet e Bashkuara, Danimarkë, Spanjë, Skoci, Çeki, Francë, Austri, Hungari, Itali, Holandë, Algjeri dhe Libi. Ai me autoritetin e tij shkencor i ka ndihmuar kuadrot e reja në avancimin e tyre, duke ndikuar që ata të pranohen në specializime në institucionet më eminente botërore për shpendarinë. Deri më tani ka botuar 218 punime shkencore (23 në revista CC), dhe profesionale i vetëm apo si bashkautor. Ka qenë bashkëpunëtor në enciklopedinë e përgjithshme të Kroacisë. Ka botuar nëntë vepra, disa i vetëm e disa me koautor. Ka qenë mentor në 24 magjistratura dhe në 23 doktorata.

Ai ishte udhëheqës i 13 projekteve vendore dhe tre ndërkombëtare, ndërsa si bashkëpunëtor

në dhjetë projekte tjera, gjithashtu udhëheqës aktual i programit për hulumtime shkencore në pesë projekte. Akad. Mazija , i ka regjistruara tetë patenta, kryesisht lidhen me fushën e mbrojtjes së shëndetit të shpezëve, indirekt dhe të njerëzve.

Për kontributin shkencor, shumë herë u shpërblye me shpërblime e mirënjohje ndërkombëtare e vendore. Që nga viti 1993 e deri më 2016 janë 18 shpërblime shumica individuale e disa së bashku me bashkëpunëtorët.

I nderuari Akad. Mazija , mund të shtoni edhe diçka tjetër ?

Unë mund të shtoj vetëm një koment: përderisa ndihemi të aftë për të menduar, nuk duhet të ndalemi. Puna nuk pushon me mbushjen e 65 viteve të jetës. Mirëpo, kur ju detyron fuqia e ligjit (në Kroaci) të shpie në pension. Unë mendoj se kjo është një humbje e madhe për njerëzit (shtetin dhe shoqërinë), nëse nuk lejon që individët, të cilët kanë përvojë dhe arritje shkencore, nuk u lejohet që përvojën e fituar dhe njohuritë e tij të mos transferohen në gjeneratat e reja. Nëse asgjë tjetër, ne, të vjetrit ndonjëherë do të jemi të mirëseardhur në vlerësimin e ndonjë projekti, nëse asgjë tjetër, kemi përvojën jetësore që të rinjve u mungon.

A është viti i vitit 1999 i realizimit të ëndrrës suaj, a janë shpaguar përpjekjet tuaja dhe angazhimi me dekada?

Realizim të ëndrrave nuk ka, mirëpo nuk duhet të heqim dorë. Për mua ishte shumë e rëndësishme për të ruajtur vijimësinë e Institutit kroat të Onkologjisë Eksperimentale dhe Translationale (HIETO-HIETA), i cili ka ekzistuar që nga viti 2013.( që tani po hynë vitin e gjashtë të funksionimit). Është e nevojshme t’i them ca fjalë për atë institut. Një grup i shkencëtarëve entuziastë nga lëmit e ndryshme shkencore me bazë të fuqishme të diturisë (guxoj të them shkencëtarë të njëmend) vendosi qysh më 2011, krijimin i një Qendre për Onkologji Eksperimentale (CEO) në Universitetin e Zagrebit duke marrë vendim logjik që ai selinë ta ketë në Fakultetin e Veterinarisë se aty ka pacientë të mundshëm, kafshë që vuajnë nga sëmundje kanceroze, të cilët adhuruesit e tyre kërkojnë dhe qajnë për të shpëtuar kafshët e tyre të parapëlqyera. Propozuesit e CEO-s ishin shkencëtarë nga; Instituti “Rugjer Boshkoviq”, Instituti për tumoret në Zagreb, Instituti i Shkencave të Jetës në Split, Fakultetin e Mjekësisë në Lubjanë, Ambulanca e Përgjithshme Mjekësore në Zagreb, një ekonomist i shkëlqyer (për fat të keq që ka vdekur), dhe unë vetë si (veterinar). Siç e dini, HIETO ka një virus me kualitet të lartë onkologjik që është depozituar në një institucion përkatës në Paris dhe është në dispozicion të gjithë të interesuarve. Për fat të keq, administrata jonë nuk e kuptoi rëndësinë e ekzistimit të një institucioni të tillë. Sipas mendimit tonë, ka qenë e domosdoshme themelimi i institucioni HIETO.

Një pjesë e ëndrrës u realizua, dhe ka nxitur interesimin e shumë institucioneve, me të cilat HIETO bashkëpunon, janë shkruar punime shkencore, të cilat janë të publikuara në revistat përkatëse ose të paraqitura në kongrese ndërkombëtare. Theksi në këto vepra është, jo vetëm trajtimi i sëmundjes së kancerit, por të kontribuojnë edhe për sëmundje tjera, në përgjithësi për shëndetin e njerëzve. Autorët janë anëtarë të HIETA–s.dhe institucioneve të tjera që kanë interesa të ngjashme-ndihmë në shërimin e njerëzve dhe kafshëve.

Ishte një gëzim i madh i njerëzve për këtë zbulim që mund të përdoret për të trajtuar kancerin tek njerëzit, por ende nuk ka filluar prodhimi i vaksinave, çfarë lloj problemesh ekzistojnë?

Ju nga përgjigja ime keni mundur që të identifikoni problemet, ato janë administrative dhe materiale. Kërkimet janë të shtrenjta dhe mund të bëhen në një mënyrë që unë e quaj reciprocitet-çdo institucion i përfshirë në kërkime, e jep një bashkëpunëtor, një autor që shpenzon një pjesë të fondeve të HIETO-s. Dhe kjo nuk duhet të jetë një institucion i centralizuar. Bëhet fjalë për grumbullimin rreth një projekti të përbashkët. Hulumtimet kanë përparuar deri në atë nivel që virusi i njohur tashmë mund të përdoret i vetëm ose në kombinim me agjentë të tjerë të njohur që veprojnë në kancer. Disa nga këta janë mjaft "të çuditshëm" sepse ato kryesisht shërbejnë për të shkatërruar parazitët e sëmundjeve ( te njerëzit dhe kafshët), ndërsa njëkohësisht i vrasin qelizat tumorale. Kombinimet e mundshme janë të shumta, por të gjitha përjashtojnë efektin katastrofal të kimioterapisë jo selektive duke vrarë të gjitha qelizat e reja (rruga e palcës së eshtrave, humbja e flokëve, thonjve dhe shumë dukuri të tjera të pafavorshme). Duhet të theksohet se ndihma materiale ( konkretisht paratë ) vijnë nga donacionet e atyre që janë të interesuar drejtpërsëdrejti në rezultatet e hulumtimit, por edhe nga ata që nuk kuptojnë pjesën konkrete dhe shkencore, por që u besojnë shkencëtarëve dhe duan të jenë të dobishëm për shoqërinë në tërësi. Ne të tillët më së shumti i vlerësojmë.

Publiku më parë ju ka njohur si sportist, tani si shkencëtar që nuk ka lidhshmëri me sportin?

Sporti tek unë ishte një fazë e bukur e jetës sime. Kam tentuar që të jem më i miri, njëherit isha i vetëdijshëm se nga sporti i mundjes, me të cilin merresha nuk mund të jetohet,(kjo askujt nuk i ka shkuar për dore).

Megjithatë sporti në jetën time ka lënë gjurmë të thella, më nxori jashtë monotonisë të jetës së përditshme dhe varfërisë, dhe ma ka forcuar vullnetin që mos të heqë dorë edhe kur të humbas, po ashtu më ka forcuar si njëri që vazhdimisht të përpiqem ta arrijë atë (veprën) të cilën e kam filluar. Si ua merr mendja, po të më mungonte ai motivim unë në moshën 79 vjeçare merrem me punë shkencore. Ose duke u kënaqur duke pushuar. Jam i sigurt, që sporti më ka shpëtuar nga situatat e krizave. Prandaj, të gjithë i kisha porositur që të merren me sport, në veçanti shkencëtarët e rinj, nxënësit, studentëtdhe njerëzit e pjekur.

Ndërsa në pyetjen tonë si është gjendja e veterinarisë në Kroacinë e pas luftës?

Akademik Mazija ishte shkurtër i nuk jam kompetent të përgjigjem në këtë pyetje, për atë do tua dërgoj një punim më të ri të autorit prof.dr.sc.MarkoTadiqa:hrvatsko veterinarstvo u tranziciji(1991-2011), të cilin material e ka dërguar, por për mungesë të hapësirës nuk e kemi paraqitur shpjegimin e përgjigjes e tij. Kjo do të jetë në pjesën e dytë të librit tim.

Shoqëria,institucionet, i kanë vlerësuar rezultatet e juaja, shkencore duke i’u ndarë shpërblime e mirënjohje, a mund ta ndani ndonjërin si më të dashur?

Nuk ka shpërblim më të dashur, ato janë të përfshira në punimet e publikuara, sepse dëshmojmë se askush nuk mundet, i vetëm, vlerësohet edhe puna me bashkëpunëtorët me të cilët vepron. Kam marrë të gjitha llojet e shpërblimeve, si edhe atë për vepër jetësore, por formalisht, hyrja në shtëpinë e të famshmëve të shoqatës botërore për veterinari dhe shpendari. (Hall o Honour, World veterinary poultry associacion) në vitin 2016. është arritja më e madhe. Megjithatë, shpërblimi më i madh, si është zhvilluar shpendaria në Kroaci dhe në ish shtetin e në veçanti në Kosovë, ku është arritur një shkallë e lartë. Prapa atij suksesi qëndrojnë njerëzit e arsimuar, disa nga ata ishin studentët e mi.

Pasi që jeni të lindur në Zagreb ,sa jeni të lidhur me Arbneshët e Zarës?

Nuk kam më lidhje të afërt të gjakut, por jashtëzakonisht me miqtë e mijë të llagapit tim), me të cilët rregullisht shihem dhe dëgjohem. Ata janë pjesë e jetës sime rinore dhe të tashmen.

Në Zagreb jeton një elitë e arbneshve, sa keni kontakte mes veti?

Mjerisht rrallë,pas vdekjes së prof. Al. Stipçeviqit, i cili e ka udhëhequr shoqatën Kroato–Shqiptare të Miqësisë, në të cilën edhe unë isha anëtar për momentin i kam humbur lidhjet. Edhe pse rregullisht jam i ftuar në manifestime të organizuara nga arbneshët apo nga shqiptarët. Rrallë po iu përgjigjem, sepse koha po e bën të veten.

A është e veçanta e arbneshve–identitet i tyre, marrja me muzikë dhe sport?

Sigurisht, keni të drejtë, nuk ka arbnesh që nuk ka veshë për muzikë apo që nuk di të këndoj, këngëtarët arbnesh janë të njohur në botë, si dhe sportistët arbnesh. Fatkeqësi që disa sporte kanë vdekur. Duhet tubuar të rinjtë të interesuar për sport, dikur ishin të suksesshëm ishin në çiklizëm, futboll, basketboll, mundje, lundrim etj. Akademik, Mazija ka qenë kampion i mundjes Kroacisë për seniorë, në stilin greko- romak dhe atë të lirë(1962-63), kampion i Jugosllavisë në kategorinë e mesme në stilin greko-romak, po ashtu e ka fituar medaljen e argjend në stilin e lirë në kampionatin e ish Jugosllavisë të mbajtur në Tetovë, si dhe fitues në turnirin ndërkombëtar në Itali.

Arbneshët si një komunitet i vogël, me një fuqi të madhe shpirtërore,dhe me kreativitet në shkencë, sport,muzikë,tregti,politikë, kulturë,-a është kjo dhunti e hyjnore ?

Gjenetikisht është ruajtur autenciteti-ose dominon në komunitetin e arbneshve edhe te të tjerët–nevoja e lashtë për mbijetesë, le të më falin kokëfortësia e tyre (që fjala–këmbëngulje –do të ishte shumë e butë për atë që e kanë arritur dhe atë që e bëjnë sot). Në këtë mënyrë e kanë arritur nivelin më të lartë.

Në fakultetin e Veterinarisë ka pasur student shqiptarë,a keni mbajtur kontaktet dhe bashkëpunimin edhe pas përfundimit studimeve?

Natyrisht, ishte një numër studentësh, të cilët më kanë njohur për shkak të origjinës sime për të cilën jam krenar, ndërsa në njëfarë mënyre isha person i afërt për ta. Ata nga kërkonin ndihmë, veçanërisht për shkak vështirësive gjuhësore (kroatishtja nuk është e lehtë për t’u mësuar). Disave u kam qenë mentor në punimin e diplomave, ndërsa bashkëpunimin e drejtpërdrejtë e kam mbajtur edhe me kolegët e mi nga Kosova.

Në vitin 1995, kam fituar disa shpërblime: Dekoratën e Kryetarit të Republikës së Kroacisë «RED DANICE HRVATSKE s likom Nikole Tesle», Ultrasonic Nebulizer for Marek'sand Other Diseases. medalja e artë, INPEsoXSM XI, Pittsburgh, USA, medalja e artë IENA «Ideen-Erfindungen» Nürnberg, Çmimi i madh, INOVA 95, Çmimi i parë i Shoqatës Kroate të novatorëve,çmimi shtetërorë i kulturës teknike”Faust Vrançiq”për kontributin në zhvillimin kulturës teknike në vitin 1995 dhe Shpërblimi i Qytetit të Zagrebit për vitin 1995. Këto çmime i kanë nxitur studentët e mi shqiptarë të cilët në këtë rast të më dhurojnë dy libra të bukura,me këtë dedikim ”Të nderuarit prof.dr.Mazija ,me rastin e ndarjes mirënjohjeve për zbulime shkencore, studentët e nacionalitetit shqiptarë të Fakulteti të Veterinarisë”. Ku pasojnë dhe nënshkrimet e tyre. A duhet për mua ndonjë arritje më të madhe si mësimdhënës?

Lidhjet me shqiptarët të krijuara nga jeta studentore janë vazhduar edhe më vonë,thotë akad. Mazija. Me kolegët e mi të dashur të studimeve dhe mikun prof.dr.sc.Xhevat Domin, profesor në Fakultetin Veterinarisë në Prishtinë, në bashkëpunim me prof. Remzi Bakallin(mjerisht ka vdekur më 2007)kam arritur të realizoj një punë të rëndësishme shkencore, që ka vënë në dukje helmimin e mjedisit nga plumbi.

A keni qenë, ndonjë herë në Kosovë apo në Shqipëri?

Shumë shpesh para Luftës Atdhetare (Domovinskom Ratu)kam ardhur në Kosovë, kam marrë pjesë në të gjitha kongreset kushtuar shpendarisë të cilat janë mbajtura atje. Po ashtu shpesh kam qenë edhe si sportist. Gjithherë kujtimet ishin për t’u mbajtur në mend, për njerëzit e mirë, të cilët i kisha takuar atje, dhe ajo që ishte trishtueshme për shkak të gjendjes ekonomike e cila një kohë të gjatë i ka ndaluar përpjekjet që Kosova të shkoj kah përparimi. Më kujtohet, ikja nga Kosova në boten e pakthim, prof. Remzi Bakallit, si e keqja e madhe që kishte ndodhur Ai në shtëpinë e tij private Athens Georgia, SHBA, vazhdimisht ka pritur mysafir nga Kosova të cilët shkonin në SHBA dhe ktheheshin në Kosovë.

Në mesin e tyre kam qenë edhe unë si mik bashkë me asistentin tim Zheljko Gottstien, gjashtë muaj–natyrisht pa pagesë. Me Kosovën më lidhin miqësitë menjerëz të rëndësishëm nga (Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë–drejtorin Murteza Osdutaj, z.Enver Mekolli zv. Ministër z. Nehat Mustafa. Poashtu njihemi me z.Veprim Shehun, z. Avni Krasniqin dhe, Hilmi Morinen. Në Zagreb kam pasur rastin menjohtë ish ambasadoren e Shqipërisë në Zagreb, Lili Koci, tani kryetare e artistëve shqiptarë në Kroaci. Jam i afërtdhe me ish ambasadorin e Kroacisë në Shqipëri Mr. sc. Rade Mareliq, me të cilin shpesh shoqërohem .

Në Shqipëri kam qenë tri herë, së pari me rastin e promovimit të vijës ajrore të Adria Airlines, e cila një kohë të shkurtër e ka mbajtur këtë vijë-Tiranë –Zagreb. Me këtë rast e kam shfrytëzuar mundësin e takimit me kolegun dr. Kujtim Duxhangi, veterinar me të cilin jemi njoftuar në një simpozium shumë herët më 1971në Skotlandë. Herën e dytë, jam gjend në Tiranë në vitin 2000 i ftuar si ligjërues në simpoziumin internacional, zoonosis in Albania. Merita për këtë është e mikut tim dhe profesorit Kristaq Berxholi,i cili ishte mikpritësi im. Ai vizitën ma ktheu pas disa viteve me bashkëpunëtorët e tij.

Vizita e tretë ishte në institucionet e veterinarisë në Shqipëri,( atëherë isha prodekan i fakultetit të veterinarisë),kishim biseduar për bashkëpunim, me drejtorin e institutit të veterinarisë dr. Edmond Panaritin. Mjerisht, ajo nuk u realizua për shkak të ndërprerjes së funksionit tim të prodekanit në ngjarjet e asaj kohe. Me prof.Berxholin ende ndër kohë shkruajmë në emajle.

Edhe pse jeni i pensionuar, nëse ju ftojnë institucionet e Kosovës apo të Shqipërisë, për bashkëpunim shkencor, a do ta kishit pranua ftesën e tillë?

Çfarë pyetje është kjo? Natyrisht, edhe atë me një kënaqësi shumë të madhe.

Familjen e Akad. Mazijes e përbejnë, gruaja Vesna , vajza Mirna dhe djali Gorani..

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...