2019-10-03

Prokuroria nis hetimet ndaj Ramiz Kelmendit


Prokuroria ka nisur hetimet ndaj biznesmenit Ramiz Kelmendi, me dyshimin se ka kërkuar votën nga të punësuarit në kompaninë e tij në mbështetje të PDK-së.


Përmes një komunikate për media Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinion se, pas deklaratave publike të biznesmenit, R.K., i cili është duke kërkuar votën nga të punësuarit në kompaninë e tij, me qëllim të favorizimit dhe votimit për njërën nga partitë politike të Kosovës, ka ndërmarrë veprime përkatëse hetimore, duke e iniciuar si rast paraprak penal, lidhur me veprën penale “Cenimi i paracaktimit të lirë të votuesve” nga neni 210 të KPK-së.

Po ashtu, kjo prokurori ka iniciuar edhe një rast tjetër për hetim, në bazë të qarkullimit të një video-incizimi, ku vërehet një person, i cili dyshohet se përmes një pakoje të shoqatës humanitare “Nëna dhe fëmijë të lumtur”, është duke zhvilluar aktivitet politik në lidhje me Zgjedhjet Parlamentare.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka autorizuar Policinë e Kosovës, në ndërmarrjen e veprimeve përkatëse hetimore, me qëllim të sqarimit dhe identifikimit të personave të implikuar në këto raste.

Kina furnizon Serbinë me dronë për të vëzhguar Kosovën


Serbia njoftoi muajin e kaluar blerjen e dronëve të armatosura nga Kina – e cila është shitja më e madhe ushtarake e Pekinit në Evropë që nga fundi i Luftës së Ftohtë. Po ashtu policët kinezë kanë patrulluar rrugët e Beogradit me homologët serbë që nga 18 shtatori.

Dronët Pegasus parashikohet të jenë të aftë të qëndrojnë në ajër deri në 12 orë me një rreze veprimi prej 100 kilometrash, duke e vëzhguar pjesën më të madhe të Kosovës fqinje – e cila ka një marrëdhënie të tensionuar me Serbinë.

Nëntë dronët kinezë Wing Loong do t’i dorëzohen Serbisë në gjashtë muajt e ardhshëm. Avioni i pilotuar nga distanca është në shërbim në një numër vendesh aziatike dhe afrikane, duke përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe, Nigerinë, Pakistanin, Indonezinë, Kazakistanin, Arabinë Saudite, Uzbekistanin dhe Egjiptin.

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë u ka kërkuar institucioneve të Kosovës që të mos vazhdohet me konkurset e shpallura javëve të fundit, të cilat i konsideron si joligjore.


Javëve të fundit, janë qindra konkurse për vende të reja të punës në institucionet në nivelin qendror dhe atë lokal, por problemi qëndron në faktin se të gjitha këto konkurse janë shpallur duke u bazuar në Ligjin për shërbimin civil, ligj i cili që nga data 11 shtator nuk është më në fuqi, pasi që nga ajo datë ka hyrë në fuqi Ligji për zyrtarët publikë.

Zyrtarë të Bashkimit Evropian në Kosovë në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, kanë thënë se “të gjitha konkurset për punësim në shërbimin civil të publikuara nga institucionet e administratës shtetërore, siç janë ministritë, agjencitë ekzekutive dhe rregullative, nuk mund të procedohen tutje”.

“Kjo është e vetmja mënyrë e ligjshme dhe e shëndoshë që nuk i ekspozon institucionet para sfidave ligjore, përndryshe do të rrezikohej që institucionet dhe partitë politike të ekspozoheshin ndaj akuzave dhe kritikave për politizim të administratës publike”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së BE-së.

“Ne i bëjmë thirrje Ministrisë së Administratës Publike që t’i informojë institucionet publike, që konkurset për punësim të shpallura aktualisht nga institucionet e administratës shtetërore, nuk mund të vazhdojnë tutje deri kur qeveria t’i ketë aprovuar aktet përkatëse nënligjore dhe t’i ketë marrë vendimet e duhura”, thekson Zyra e BE-së.

Zeqir Bekolli, zëdhënës në Ministrinë e Administratës Publike, tha për Radion Evropa e Lirë, se kjo ministri është njoftuar për qëndrimin e Zyrës së BE-së dhe se mbi këtë bazë është duke punuar që sa më parë të njoftohen institucionet e administratës publike për veprimet që duhet të ndërmerren, deri në aprovimin e akteve nënligjore nga ana e Qeverisë së Kosovës.

“Ndërkaq, për institucionet, që kërkohet të merren vendime për procedim të mëtejmë me procedura të rekrutimit e nuk varen nga vendimet e Qeverisë, këtë mund ta bëjnë duke zbatuar drejtpërsëdrejti dispozitat ligjore të Ligjit për zyrtarët publikë. Ministria e Administratës Publike tashmë i ka të gatshme, të përgatitura, aktet nënligjore dhe javën tjetër do t’i procedojë për miratim në qeveri”, tha Bekolli.

Sipas të dhënave të prezantuara nga Ministria e Administratës Publike, vetëm deri më 19 shtator janë aprovuar 513 kërkesa për konkurse (duke përfshirë edhe datën para hyrjes në fuqi të Ligjit për zyrtarët publikë) për nivelin qendror, për ministri, agjenci të pavarura dhe nivel komunal.

Radio Evropa e Lirë më herët i ka verifikuar shumë prej konkurseve të shpallura në faqet e internetit të disa institucioneve shtetërore, siç janë faqet e internetit të Ministrisë së Drejtësisë, asaj të Infrastrukturës, Ministrisë së Diasporës, asaj të Administratës Publike, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, e po ashtu edhe në nivelin lokal, ku janë identifikuar Komuna e Prishtinës, e Podujevës, ajo e Prizrenit e komuna tjera, ku figurojnë shumë konkurse të hapura për punësime.

Që kur Radio Evropa e Lirë kishte raportuar për këto konkurse që kishin për bazë ligjin e shfuqizuar (më 19 shtator), gjendja kishte ndryshuar qysh pas datës 20 shtator, kur numri i konkurseve të shpallura nga institucionet publike kishte rënë dukshëm.

Kurse përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët kanë reaguar lidhur me konkurset e shpallura, shprehen se Ministria e Administratës Publike duhet që fillimisht të anulojë konkurset e shpallura në këtë institucion dhe më pas të dërgojë njoftimin edhe tek institucionet tjera.

Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se e vetmja mënyrë për të pasur një proces të drejtë, të paanshëm dhe jo të politizuar, është që këto konkurse, sipas tij të kundërligjshme, të anulohen dhe më pas të vazhdohet më konkurse të reja.

“Ministria e Administratës Publike, si autoritet qendror sa i përket shërbimit civil apo zyrtarëve publikë, e ka për obligim që të kërkojë dhe informojë të gjitha institucionet e administratës publike që konkurset e shpallura në kundërshtim me ligjin e ri (Ligjin për zyrtarët publikë) të anulohen. Si dhe në të njëjtën kohë, të fillojë menjëherë pa vonesë në hartimin e legjislacionit sekondarë, përmes së cilit do të përcaktohen procedurat dhe kriteret e rekrutimit të stafit publik”, thotë Miftaraj.

Ligji për zyrtarët publikë është miratuar në muajin shkurt në Kuvendin e Kosovës, ndërsa në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës është shpallur më 11 mars të këtij viti, ku thuhet se “Ligji hyn në fuqi gjashtë muaj pas publikimit në Gazetën Zyrtare”, që i bie më 11 shtator të këtij viti.

Strukturimin dhe hartimin e këtij ligji e ka përkrahur edhe Bashkimi Evropian, veçanërisht përmes këshillave të ekspertëve dhe dialogut të politikave, thuhet në përgjigje të Zyrës se BE-së, për Radion Evropa e Lirë.

Në mënyrë të veçantë, thuhet me tutje në përgjigje, BE-ja ka mbështetur kritere më të forta për rekrutim dhe ngritje në detyrë, të bazuara në meritë, integritet moral, paanshmëri dhe qëndrueshmëri.

BE kërkon që në të ardhmen, rekrutimet e politizuara dhe të pamerituara të pamundësohen apo të bëhen gjithnjë e më të vështira, duke siguruar transparencë më të madhe dhe kritere më të forta meritore gjatë testimit dhe përzgjedhjes së kandidatëve.

Që nga miratimi i këtij ligji në Kuvend, BE-ja, sipas Zyrës së saj në Prishtinë, është duke mbështetur edhe zhvillimin e akteve të nevojshme nënligjore të cilat, pasi të miratohen nga Qeveria, thuhet se do të sigurojnë që ky ligj të zbatohet mirëfilli. Tutje, BE-ja, thotë do të vazhdojë të mbështesë administratën e Kosovës në zbatim, si përmes ekspertizës ashtu edhe me dialog të politikave.

Zyrtarët e Beogradit nuk mund dhe nuk do të lejohen të bëjnë fushatë zgjedhore në zgjedhjet e Kosovës


Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës dy ditë më parë ka marrë vendim për t’u ndaluar hyrjen zyrtarëve serbë nga Beogradi në Kosovë për të bërë fushatë. E pas ankesave të Beogradit zyrtar, zëdhënësja e Bashkimit Evropian (BE), Maja Kocijançiq ka thënë  se palët duhet të sillen në linjë me marrëveshjet e arritura në Bruksel, por në këtë rast edhe në pajtueshmëri me ligjet e Kosovës.


Jeltir Zyberaj, këshilltar i ministrit në detyrë të Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli ka thënë se këtë vendim autoritetet kosovare e kanë marrë pas kërcënimeve që po iu bëhen komunitetit serb në Kosovë nga ana e Beogradit zyrtar.

“Zgjedhjet e 6 Tetorit janë zgjedhje të Republikës së Kosovës dhe të qytetarëve të saj. Zyrtarët e Beogradit nuk mund dhe nuk do të lejohen të bëjnë fushatë zgjedhore në zgjedhjet e Kosovës. E as nuk do të tolerohen kërcënimet kundër komunitetit serb të Kosovës nga Beogradi”, ka shkruar Zyberaj.

Ai ka shkruar se Beogradi e di realitetin në Kosovë dhe konform kësaj duhet të sillet, duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

Hyrja në Kosovë po ashtu, i është ndaluar edhe zëvendës drejtorit të zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Damjan Joviqit.

E, pas kësaj ndalese gjatë ditës së djeshme ka reaguar edhe e ashtuquajtura Zyre për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

Në kjo zyrë kanë thënë se Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka nxjerrë një ndalim që nuk mund të kalohet me asnjë ligj apo marrëveshje në Bruksel për të parandaluar përfaqësuesit e Qeverisë serbe të mbështesin popullin serb.

Madje, në reagimin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë është kritikuar edhe Bashkësia Ndërkombëtare për mosreagim.

“Është shqetësuese heshtja e përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare në Prishtinë, të cilët në heshtje vëzhgojnë përshkallëzimin e dhunës politike kundër popullit serb. Kjo është mjaftë shqetësuese”, është thënë në reagimin e tyre.

Agjencia e Lajmeve FaktePlus për këtë çështje dhe për kritikat e Beogradit ndaj Bashkimit Evropian ka pyetur në zyrën e këtyre të fundit, zyrtarë të së cilës kanë thënë se marrëveshja e dialogut e ndërmjetësuar nga BE-ja për vizitat zyrtare përcakton modalitetet dhe zyrtarët duhet t’i nënshtrohen një procedure njoftimi.

“Të gjithë zyrtarët e tjerë nga Kosova ose Serbia që nuk i nënshtrohen një procedure njoftimi kanë të drejtë të përfitojnë nga dispozitat për lirinë e lëvizjes. Ne presim që të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadrin e dialogut të lehtësuar nga BE të respektohen dhe zbatohen, gjithashtu gjatë fushatës zgjedhore”, ka thënë zëdhënësja e BE-së, Maja Kocijançiq.

Ajo ka thënë se këto ndalesa nuk janë në përputhje me marrëveshjet e arritura në Bruksel, porse kur këto vizita lidhen me zgjedhjet në kohë fushate, atëherë secili duhet t’i respektojë ligjet e Kosovës.

“Ndalimi i zyrtarëve serbë për të hyrë në Kosovë nuk është në përputhje ose në një linjë me këto marrëveshje të arritura. Të gjithë ata që janë pjesë e fushatës për këto zgjedhje në Kosovë, pritet nga ta që të veprojnë në pajtueshmëri me ligjet e Kosovës dhe standardet ndërkombëtare”, ka thënë Kocijançiq.

Kujtojmë se kjo nuk është hera e parë që Qeveria e Kosovës merr vendime të tilla ndaj zyrtarëve serbë, për shkak të fushatës së egër që këta të fundit po vazhdojnë të bëjnë kundër Kosovës

Ramush Haradinaj: Përjetë mirënjohës dhe falënderues për kontributin e Gjermanisë në Kosovë



Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj sot mori pjesë në ceremoninë e organizuar nga Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt dhe zonja Alexandra, për nder të 29 vjetorit të bashkimit të Gjermanisë.

Këtë e ka bërë të ditur vet Haradinaj me anë të një postimi në Facebook.

Ai ka thënë se Kosova dhe populli i saj do të jenë gjithmonë falënderues për rolin dhe kontributin e Gjermanisë, në të gjitha etapat e zhvillimeve në vend.

“Në ceremoninë e organizuar nga Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt dhe zonja Alexandra, për nder të 29 vjetorit të bashkimit të Gjermanisë. Kosova dhe populli i saj do të jenë gjithmonë falënderues për rolin dhe kontributin e Gjermanisë, në të gjitha etapat e zhvillimeve në vend. Jemi me fat, që orientimin tonë strategjik e kemi vendosur përkrah vlerave të larta demokratike dhe përkrah aletëve tanë, siç është Gjermania”, ka thënë Haradinaj.

Hallet e pensionistëve dhe kërkesat e tyre për politikanët


Të jesh pensionist në ditët e sotme në Kosovë është e kuptueshme që nuk do të jetosh dhe gëzosh kushtet që ka kjo kategori në vende të tjera të Evropës apo të botës.

Rezultate imazhesh për pensionistet flori bruqi

Por, së paku pensionistët në kryeqytet kanë një vend ku mblidhen dhe i qajnë hallet njëri tjetrit.

Një numër i madh i tyre mblidhen thuajse çdo ditë në qendrën që kanë në Prishtinë, ku kalojnë kohën duke kuvenduar, luajtur shah, domino apo duke lexuar shtypin ditor.

Edhe pse shihet se janë të kënaqur me shoqërinë e kohën që kalojnë mes vete, pensionistët thonë se kushtet dhe të ardhurat e dedikuara për ta janë ende të pamjaftueshme.

Rezultate imazhesh për pensionistet flori bruqi

E për Sinan Duli njëri nga shahistet më të mire të sallës Sinan Dulin kjo shoqatë është si një shtëpi e dytë, ndërsa kishte një porosi për politikanët.

Kurse për Nezir Hajdari edhe pse kalon një pjesë të madhe të kohës aty, kjo Shoqatë nuk i plotëson as kushtet elementare, ndërsa kërkon që të krijohen hapësira të reja.

Mirëpo përkujdesi ndaj tyre vjen vetëm në kohë të fushatave zgjedhore thotë Neziri .

Imazh i ngjashëm

Mes tjerash pensionistë thonë se jeta e tyre, është shumë e vështirë, pasi pensioni nuk u mjafton as për gjërat elementare. Ata presin e kërkojnë nga Qeveria e ardhshme që të kenë pak më shumë kujdes për këtë kategori.



E brengë dhe preokupim tjetër përpos vetes, pensionistët kanë edhe ikjen e të rinjve nga vendi.

Sipas statistikave të publikuara më parë në Kosovë llogaritet të jenë rreth 200 mijë pensionistë.

Prej tyre, rreth 125 mijë janë shfrytëzues të pensionit të pleqërisë, që marrin nga 90 euro në muaj, ndërsa rreth 45 mijë janë kontribut-pagues, që ndahen në katër kategori, e të cilët marrin nga maksimalisht deri në 264 euro në muaj.


http://floripress.blogspot.com/2012/09/nga-flori-bruqirreth-60-e-vetevrasjeve.html

Mulliri i Bërdynajve



Ndonëse sot më tepër shërben si një monument i rrallë i arkitekturës vendase që pëlqehet nga vizitorët, Mulliri i Bërdynajve – që ndodhet në fshatin Radavc të Pejës – dikur shërbente si një objekt solidar i nevojave të rajonit ku ndodhej.



I ndërtuar nga materiali prej guri, realizim i mjeshtërve popullorë me përvojë të përkujton teknikën e realizimit të kullave dukagjinase.

Pasardhësi i familjes që e ka ndërtuar mullirin, Qerim Bërdynaj ka theksuar se ky objekt ka shërbyer jo vetëm për bluarje, por ka qenë edhe objekt solidar i nevojave të këtij vendi.



Kjo “kullë – mulli”, sipas Bërdynajt thuhet se është ndërtuar para 300 viteve, njëkohësisht është ndër më të njohurit në të gjithë Kosovën.

“Deri në vitin 1960, kanë punuar tri mullinj, por kur dolën mullit me rrymë atëherë njerëzit filluan me u largu. Këtu kanë bluar, që unë i mbaj mend, prej rajonit të Skenderajt, Drenasit, Sanxhakut, Bjellopoljes e deri të Pazari i Ri, etj. Unë i mbaj mend kur kanë ardhur prej Malit të Zi, nëpër grykën e Zhlepit, me 40 ose 50 kuaj në Pejë, ku e blenin drithin, e bluanin këtu edhe ktheheshin prapa. Ato quheshin karvane, të cilat ishin të gjata 100 ose 200 metra. Derisa është bluar drithi karvanet është dashur të presin 2 ose 3 ditë, derisa të dy mullinjtë i kanë pasur dhomat për fjetje”, ka shtuar Qerimi Berdynaj.


Pasardhësi i familjes Bërdynaj ka thënë se ata historikisht janë ndër familjet më të njohura në Dukagjin, ku dalloheshin për urtësinë, ishin punëtorë dhe nuk e kanë prekur sipas tij, djersën e huaj.

“Zot shtëpie ka qenë Tahir Lush Bërdynaj, për të cilin ka shkuar edhe akademik Mark Krasniqi. Sa ka qenë gjallë Tahiri kur nuk i ka lënë të bluajnë në mulli meshkujt e tij, sepse është frikësuar nga ujemi (kompensimi) që ata mund ta marrin, me të vetmin qëllim që mos me shti haramin në shtëpi e me e humb bereqetin.



Sipas tij, nga ky mulli janë furnizuar të gjitha grupet ballistë, e më vonë, në luftën e fundit, edhe ushtarët e UÇK-së.

Ai ka theksuar se mulliri është ende funksional, duke e pasur funksionin që e ka kryer ndër vite, por që njëkohësisht sipas tij, shërben edhe si vend që vizitohet nga turistë të shumtë.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...