2020
VITI I AT GJERGJ FISHTES
-8o VJET-1940 - 2020
AT
GJERGJ FISHTA O.F.M.ASHT
MENDJA, ZEMRA E SHPIRTI
I POPULLIT
SHQIPTAR
PLLAKAT NGA
FRITZ RADOVANI (2019)
Vllazen
e Motra Shqiptarë!
Me
daten 22 Nandor asht Dita e Alfabetit Shqip, që u punue në Shoqninë “Bashkimi”
të Shkodres në vitin 1908, nga Poeti Kombtar At Gjergj Fishta, dhe u aprovue në
Kongresin e Manastirit.
Ai
Alfabet na mësoi me shkrue fjalët Nanë, Babë e Shqipni…
Veprat
tjera të Atdhetarit At Gjergj Fishta i sherbyen gjithmonë Bashkimit Shqiptarve
nen tingujt e Hymnit Flamurit Kombtar, Flamurit të Gjergj Kastriotit –
Skenderbeut!
Në
këte 80 vjetor që i madhi At Fishta mbylli sytë pergjithmonë, mendoj se, Shqiptarët
duhet të kujtojnë Veprat e Tij të Perjetëshme tue i kushtue:
“VITIN 2020
VITI I AT
GJERGJ FISHTES”
Melbourne, 20 Nandor
2019. Me
respekt, Fritz RADOVANI
Kujtoj…Sot, mbas pak vjetësh:
FISHTËN BOTOJENI –
MOS E PËRDHOSNI
Prof. Skënder Buçpapaj
Zëra nga
Tirana këto ditë sikur kërkojnë që Fishta 'të përshtatet në shqipen e sotme'. Nuk kam dëgjuar
ndonjëherë deri sot një propozim kësisoj për Naim Frashërin, pararendësin e
tij, as për Andon Zako Çajupin, bashkëkohësin e tij. Po bëhen 25 vjet nga
vendosja e pluralizmit dhe ende Fishta realisht nuk është rehabilituar. Me
kërkesën për ta përshtatur në gjuhën e sotme, sikur po ia lënë fajin gjuhës së
Fishtës pse ata nuk e kanë rehabilituar dhe pse nuk e kanë ndërmend këtë as në
të ardhmen.
Nga padija ose edhe nga keqdashja e tyre, zërat për një
nevojë të përshtatjes së poetit kombëtar 'në shqipen e
sotme' i
kam dëgjuar qysh në vitin 1990. Kjo mua më shtrohej në formën e pyetjes: A nuk do të ishte mirë që krijimtaria e Gjergj Fishtës të
përshtatej si krijimtaria e Jeronim De Radës?
I kam hedhur kategorikisht poshtë këto mundësi. Kam
kërkuar, që, për t'i shmangur dhe për t'i tejkaluar këto paragjykime të
dëmshme, vepra e Fishtës të botohej sa më shpejt, pa humbur kohë. Lexuesit,
duke e pasur në duar këtë vepër, pas rreth një gjysmë shekulli, do të kenë
mundësinë disa të rifillojnë, disa të tjerë të fillojnë komunikimin e ndërprerë
apo komunikimin e munguar me një kolos të madh të fjalës shqipe, i cili bëri
revolucionin më të madh në lëvrimin e saj, duke sjellë me këtë gjuhë një
kryevepër të epikës si "Lahuta e Malcis", të cilën shumëkush e ka krahasuar me "Iliadën", ndërsa unë e kam krahasuar në atë kohë me romanin
"Lufta dhe Paqja"; duke sjellë me këtë
gjuhë satira të paarritshme nga poezia jonë; duke sjellë me këtë gjuhë lirika
të mrekullueshme; duke filluar me këtë gjuhë traditën e përkthimeve të
letërsisë antike, nëpërmjet sjelljes në shqip të këngës V të Iliadës; duke
sjellë me këtë gjuhë një publicistikë brilante, oratori, polemika dhe eseistikë
të pashoqe.
Duke e konsideruar domosdoshmëri urgjente të kohës
sjelljen e Fishtës në duart e lexuesve, kam paraqitur, bashkë me dy kolegë në
Shtëpinë Botuese 'Naim Frashëri', projektin për botimin
e veprës. Meqë unë kisha kohë që shfletoja dhe studioja në Arkivin e Shtetit
veprën e tij, u ngarkova me përgatitjen e saj, si dhe me parathënien
paraprirëse të të gjithë kolanës. Ndërsa dy kolegët e mi do të ishin redaktorë
të saj dhe do të përgatitnin parathëniet për vëllime të ndryshme të kolanës.
Një redaktor i brendshëm u caktua, ndërkaq, për ta ndjekur nga afër procesin e
botimit.
Iu vura një pune tejet të vështirë, delikate, të lodhshme
dhe përgatita parathënien e kolanës, përgatita veprën e parë "Epika", ku përfshihej vetëm "Lahuta e Malcis". Vëllimi i parë u bë gati plotësisht për të shkuar
në shtyp. Ndërkohë dërgova në shtëpinë botuese Vëllimin II, ku përfshihej
lirika dhe poema epike "Moisi Golemi e
Deli Cena", dhe po përgatisja me sukses Vëllimin III, satirat. Isha vënë në komunikim
me botuesin e Fishtës jashtë vendit, At Daniel Gjeçajn, i cili jetonte në Romë.
Kisha filluar edhe lidhjet me At Viktor Volajn, botuesin skrupuloz të
krijimtarisë së Fishtës dhe mendoja se duhej përfituar sa më shpejt ngaqë ai
ishte ende në jetë.
Kjo kolanë ishte pajisur me një aparat botues tejet
skrupuloz, duke përfshirë aparatin e mëparshëm të At Viktor Volajt dhe, nën
shembullin e tij, duke e pasuruar atë me të dhëna të reja. Do të ishte kështu
një botim që do t'iu drejtohej të gjitha shtresave e përkatësive të lexuesve në
shqip, si dhe nxënësve, studentëve e dijetarëve filologë.
Fishta, në të gjallë, e kishte menduar kolanën e tij në
këto vëllime: Epika, Lirika, Satirika, Dramatika dhe përkthimet, Proza. Në
projektin tim parashikohej edhe një vëllim me letërkëmbimin tejet të pasur dhe
intervistat e tij. Ato janë në shqip, në italisht, frëngjisht, sllavisht e
tjerë. Këto të fundit do të botoheshin nga njëra faqe të përkthyera në shqip,
ndërsa në faqen përballë do të ishin në gjuhën nga ishin përkthyer.
Ndërkohë, njëri koleg më vuri në dijeni se shtëpia
botuese e kishte hequr nga përparësitë botimin e veprës së Fishtës. Ai më
sqaroi se pengesë ishte bërë Kisha Françeskane, sipas së cilës të drejtën
ekskluzive për botimin e Fishtës e kishte Vatikani.
Me këtë koleg ne shkuam në Kishën Françeskane. Unë iu
tregova se e kisha shfletuar me duart e mia gjithë trashëgiminë e Fishtës dhe
se nuk kishte asgjëkundi një dokument ku të thuhej apo të nënkuptohej se këtë
të drejtë e kishte Kisha. Madje u përmenda se në shtratin e vdekjes ai ua
kishte lënë amanet njerëzve të tij më të afërt: Jo vetëm Kisha, edhe Kombi e ka
pjesën e vet në mue. Pra, me këtë amanet, me këtë testament, Fishta i kishte lënë Kombit
të drejta të barabarta me Kishën ndaj veprës dhe figurës së tij.
Pashë se pretendimi i Kishës ishte vetëm një pretekst që
i përshtatej Shtëpisë Botuese 'Naim Frashëri'.
Në një përurim të botimit të "Lahutës së Malcis" nga Salih Kabashi të
organizuar së bashku në Lidhjen e Shkrimtarëve, disa të pranishëm ngritën gjoja
shqetësimin e tyre pse po vonohej botimi i veprës së Fishtës. Shefi i redaksisë
së poezisë pranë kësaj shtëpie botuese i kundërakuzoi ata se ishin vetë që po e
pengonin duke e përdorur madje edhe Kishën për këtë qëllim.
Vite më vonë, në Prishtinë, në formë kolane iu bë një
ribotim veprës së Fishtës. Ishte një botim i tipit fotografike, pra, pa prekur
asgjë. Nuk pashë të protestonte dikush ndaj këtij botimi, i cili, krahasuar me
tërësinë e vërtetë të veprës së Fishtës, do të ishte një botim cung. Dhe nuk
pashë që ky botim të luante ndonjë rol në rivendosjen e komunikimit mes autorit
dhe lexuesve.
Krahas përgatitjes së kolanës së plotë, kryesisht për
nxënësit dhe studentët, unë atëbotë përgatita dhe arrita të botoj në Shtëpinë
Botuese 'Naim Frashëri' vëllimin me lirika
"Mrizi i Zanave", një ndër librat poetikë më të mirë shqip të botuar
në Shekullin XX. Në këtë botim, nga satirat përfshiva kryeveprat "Metamorfoza" dhe "Dredha
e Djallit". Ia lejova vetes këtë liri botimi, duke pasur parasysh se ato kishin
tematikë patriotike të afërt me "Mrizin e
Zanave" dhe se vetë autori, kur kishte qenë në jetë, kishte bërë përfshirje
të kësaj natyre në ribotimet e librave të tij poetikë.
Gjergj Fishta kishte një vetëdijë gjeniu ndaj gjuhës.
Pasuria e fjalori të tij krahasohet me pasurinë e fjalorit të Shekspirit. Duke
mos pasur formim të mirëfilltë filologjik vetë, intuitën e tij ia nënshtronte
edhe këshillimeve me gjuhëtarë të mirëfilltë si Justin Rrota. Më vonë ai do të
kishte botues të tijin një filolog të mrekullueshëm si At Viktor Volaj. Fishta,
gjithashtu, kishte pranë vetes sekretarë të shkolluar jashtë vendit në
linguistikë. Dhe versionet përfundimtare të krijimtarisë së tij janë të gjitha
në bukurshkrim nga dora e këtyre sekretarëve.
Gjatë shfletimit të trashëgimisë së tij në Arkivin e
Shtetit, unë kisha vënë re se ai iu bënte përmirësime të vazhdueshme gjuhësore
veprave të tij, duke u nisur nga drejtshkrimi i kohës si dhe nga ecuria e
lëvirimit të shqipes në çastin e dhënë. Pra, supozohej se, po të kishte pasur
ribotime të tij, nisur nga e njëjta logjikë, atëherë vepra e Fishtës do të
kishte pasur përmirësime të tjera gjatë atij gjysmë shekulli që iu mungonte
botimeve shqipe, natyrisht në atë nivel dhe masë që iu janë bërë pararendësve
apo bashkëkohësve të tij të letërsisë shqipe.
Edhe në botimin që ia bënte në Romë më 1958 "Lahutës së Malcis", At Daniel Gjeçaj i bënte
asaj përmirësime të reja gjuhësore.
Nisur nga ky parim, unë pa prekur dhe pa cënuar tekstin,
i hoqa të gjitha apostrofet e panevojshme në trajtat e bashkuara të peremrave
dhe apostrofet e vëna brenda fjalëve për hir të ruajtjes së numrit të rrokjeve
apo vendit të theksave në vargje. Gjithashtu e lehtësova veprën nga një pjesë e
shenjave të shumta diaktritike që diktoheshin nga veçoritë dialektore, sidomos
të natyrës së të folmeve veriperëndimore të shqipes, posaçërisht të
shkodranishtes.
Nga fundi i vitit 1992 apo nga fillimi i vitit 1993,
shtëpia botues "Naim Frashëri" shpalli falimentimin.
Nuk u muar vesh më fati i rreth 2 000 faqeve, të përgatitura nga unë, të veprës
së Fishtës.
Gjatë këtyre 25 viteve kam dëgjuar gjithandej ankesa pse
Fishta nuk zë vendin e merituar në botimet, në kulturën shqiptare, në programet
shkollore e tjerë. Por nuk kam dëgjuar asnjëherë se u bë ndonjë përpjekje apo u
ndërmuar ndonjë nismë për këtë, ndonëse me Fishtën e kanë gojën plot që nga
politikanët e deri tek më të rëndomtit.
Tash dilet me tezën e përshtatjes apo ripërshtatjes së
gjuhës në veprën e Fishtës. Kjo iu është bërë autorëve arbëreshë, për shkak se
arbërishtja është një dialekt i shqipes i cili i ka shkëputur pothuajse
krejtësisht prej shumë shekujsh me dialektet e tjera.
Vepra e arbëreshëve është përshtatur në një toskërishte
që do të ruante gjithsesi ngjyrimet e arbërishtes. Dhe nuk mund të përfytyrohej
që vepra e tyre të përshtatej në gegnishte. Ndonëse gegnishtja i ruan disa
forma lakonike të shprehjes që kishte edhe toskërishtja në kohën kur arbëreshët
filluan eksodin masiv për në Apenine. Nuk është e rastit që këtë e bën pjesë të
stilit të vet në poezinë e tij një autor si Martin Camaj, i cili vjen nga të
folmet veriperëndimore të shqipes.
Ndaj autorëve që vijnë nga kjo e folme ka pasur gjithnjë
tundime për t'i përshtatur në letrarishte. Kësaj s'i ka shpëtuar as Migjeni, më
i botuari dhe më i studiuari i autorëve të kësaj përkatësie. Kjo ia humbte atij
pa masë koloritin gjuhësor.
Unë kam parë si veprohet në Perëndim ndaj autorëve të
para disa shekujve, si Dante Aligieri, për shembull, apo Shekspiri.
Për nxënësit, studentët dhe dijetarët ata botohen në
origjinal,siç janë botuar kur ishin gjallë, pa asnjë ndryshim, por
të shoqëruar me aparate të gjera e të hollësishme, tejet eksperte, ku
shpjegohen fjalët e panjohura, si dhe trajtat e të folurit që nuk janë më në
përdorim, po ashtu figurativiteti që nuk është më aktual. Për lexuesin e gjerë
botohen me përmirësime të kujdesshme, të cilat pothuaj nuk bien fare në sy.
Ndërsa autorët latinë botohen me origjinalin majtas dhe me përshtatjen në
italishten e sotme djathtas.
Tek ne me përmirësime të ndjeshme e kompetente mund të
ribotohen Buzuku, Budi, Bogdani. Gjithnjë duke pasur përballë orijginalin.
Natyrisht, duke i sjellë në gjendjen e sotme të lëvruar të të folmeve
përkatëse.
Gjergj Fishta sivjet ka 75 vjetorin e vdekjes. Ndërsa
vitin e ardhshëm ka 145 vjetorin e lindjes. Kjo, mendoj unë, duhet të bëhet
shkak që qeveria e Shqipërisë të ndërmarrë botimin e plotë të veprës së
Fishtës, duke përfshirë krijimtarinë e botuar kur ai ishte gjallë, atë të
botuar pas vdekjes së tij, si dhe krijimtarinë e tij që nuk është botuar
asnjëherë deri sot. Po ashtu Fishta të ndriçohet në të gjitha anët e tij, si
politikan, si veprimtar kombëtar, si klerik e tjerë. Askush nuk ka pse t'iu
trembet kundërthënieve që e karakterizojnë figurën e tij, sepse asnjë figurë
ndonjëherë nuk iu ka shpëtuar kundërthënieve. Madje, sa më të mëdha kanë qenë
ato vetë, aq më të mëdha kanë qenë kundërthëniet e tyre.
Letërsia jonë kombëtare, kultura jonë kombëtare tejet e
pasur me relieve, ato janë një natyrë me plot relieve të larta apo shumë të larta.
Duke e mbajtur në hije apo gjysmëhije Fishtën, ne i shërbejmë vetëm varfërimit
të dhunshën të letërsisë sonë, kulturës sonë, konstitucionit tonë kombëtar.
Dhe, le ta dimë: Fishta nuk është nga ata që mund ta mësosh si të flasë,
Fishta është nga ata që na mëson ne si të flasim.
02.02.2015.
Shenim F.Radovani: Botohet pa asnjë ndryshim nga
origjinali.
Melbourne, 5.VI 2020.