2022-05-10

Letërsia shqipe dhe 6 çështje fundamentale të saj

 



Nga Arben Prendi


Letërsia shqiptare gjatë gjysmës së dytë të shek XX deri më sot, është një periudhë problematike por edhe interesante nga pikëpamja e studimit të saj, ndërkaq është ende një fushë e hapur dhe pa një vlerësim të përfunduar. Mund të themi se përgjatë saj dallojmë nga vështrimi i sotëm disa dukuri, tashmë të bëra objekt diskutimi dhe analizash shkencore vitet e fundit, në studimet tona letrare:


ÇËSHTJA E PARË: REALIZMI SOCIALIST ÇFARË TË BËHET ME TË

Dukuria themelore e periudhës 1945-1990 është realizmi socialist, që del si ndërhyrje politike e shtetit në procesin krijues të artit dhe letërsisë, ndërhyrje e cila kulmon me shpalljen e metodës së realizmit socialist si e vetmja metodë e lejueshme, gjë që solli mbytjen e lirisë krijuese dhe pluralizmit estetik. Si metodë e detyrueshme për letërsinë tonë 1945-1990, realizmi socialist erdhi më shumë e huazuar nga letërsia e Bashkimit Sovjetik sesa si prirje e brendshme e saj. Në letërsinë shqiptare realizmi socialist u shpall si model i detyrueshëm, në Konferencën e Tretë të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, në tetor 1949. Parimet e realizmit socialist në letërsinë tonë vijnë kryesisht nga ligjërata politike e udhëheqësve komunistë të kohës në formën e udhëzimeve, këshillave, orientimeve, kritikës etj. Ato mund të përmblidhen edhe në formën e disa parimeve bazë. Teoricieni kryesor i realizmit socialist qe shkrimtari dhe studiuesi Dhimitër Shuteriqi, njëkohësisht kryetari i Lidhjes në periudhën 1946-1973.

Moment me rëndësi në letërsinë e kësaj periudhe është viti 1961, kur zhvillohet një debat i gjerë kryesisht për poezinë, (por që përfshiu krejt letërsinë), mes krijuesve më të rinj në moshë (që sapo kishin botuar poezitë, apo vëllimet e para poetike)  dhe krijuesve më të vjetër. Poetët e grupit të parë ishin për “novatoren”, për më shumë liri artistike në poezi, për fuqizimin e shprehjes figurative, figurës letrare, për ikjen nga skematizmi, dhe për një përdorim më të gjerë të vargut të lirë në poezinë shqipe. Meritë kryesore e këtij grupi është se ata rivendosën kontinuitetin me poezinë e madhe të gjysmës së parë të shekullit XX(Çiraku, Y.2004). Ndërsa poetët e grupit të dytë, kritikonin “shthurjen” që po sillnin në poezi poetët e rinj, mbronin vargun e rregullt, kombëtaren, poezinë “tradicionale”, qartësinë dhe rregullsinë e saj metrike. Sigurisht debati zhvillohej brenda kufijve të lejueshëm për ta pasuruar më tej letërsinë e realizmit socialist dhe si i tillë me miratimin e regjimit i cili e përkrahu fillimisht grupin e poetëve më të rinj duke dhënë shenja të një liberalizimi të përkohshëm. Paralelisht me këto zhvillime vijnë në letërsinë që shkruhet në Kosovë poetët e viteve 1960, poetë që e ngritën poezinë shqipe në nivele cilësore.

Shkrimtarët nën realizëm socialist në mënyrë që të bëheshin të botueshëm ishin të detyruar të bënin kompromise me sistemin politik. Ndaj në vështrimin e sotëm mbi këtë letërsi rezulton, se: një pjesë e mirë e saj është një shkrim me domethënie ideologjike dhe me funksione të varfra estetike. Por kemi edhe raste kur nga të njëjtët shkrimtarë kemi vepra të kritikuara nga censura e kohës. Kjo dukuri shënon të gjithë procesin letrar: vetëdija letrare i nxit shkrimtarët t’i kundërvihen metodës skematike, metoda i detyron dhe i ndëshkon për këtë kundërvënie.

arben prendi foto shkrimiÇështja e rishikimit të letërsisë së realizmit socialist mbetet ende e hapur: Nga pozita e sotme e vlerësimit dhe e gjykimit të kësaj periudhe mbetet detyra e rishikimit në kompleksitetin e saj, duke veçuar çka i përket realizmit socialist dhe çka ndonjë modeli tjetër, si modelit realist, modern apo tjetër fare. Studiuesja F. Dado në studimin Letërsia e painterpretuar (2010) ka mendimin se: “Në marrëdhënien realizëm/realizëm socialist mund të ndodhë që shumë tipare të realizmit socialist janë në sipërfaqe, por realizmi të jetë në brendësinë e konceptimit artistik. … Duke e ndeshur këtë dukuri  te disa shkrimtarë, besoj se realizmi socialist është, në të vërtetë, një rrymë më e ngushtë se ç’është menduar”. Pavarësisht se të krijuara nën hijen e realizmit socialist, nuk janë të tilla të gjitha veprat letrare të tilla, kjo tashmë është e qartë. Për studiuesin Sh. Sinani: “Letërsia e realizmit socialist në të vërtetë bashkonte brenda vetes gjithë letërsinë që botohej nga institucionet e shtetit, pavarësisht se një pjesë e saj, sidomos ajo që trajtonte tema mitologjike, legjendare, historike të epokave dhe periudhave të shkuara, shmangej qartë, në mos tërësisht, të paktën pjesërisht, prej “pesë parimeve të metodës”.(Për letërsinë shqipe të shekullit të 20-të. (2010).

Realizmi socialist është mbizotërues në tërësi, në letërsinë tonë të gjysmës së dytë të shek. XX deri në vitin 1990, dhe duhet parë “si dukuri specifike, që i përket realitetit tonë historik dhe kulturor”(Dado, F. 2006)por është rishikuar çështja se në disa autorë kemi vepra që përputhen me parimet e realizmit socialist ashtu siç kemi vepra të cilat, sipas gjykimit tonë të sotëm, shmangen, biles janë një kundërvënie estetike ndaj tyre, pavarësisht se kronologjikisht i përkasin të njëjtës kohë(Çiraku, Y. 2010), etj. Kjo do të ndihmonte për të krijuar një pamje më të qartë të procesit letrar të gjysmës së dytë së shekullit XX, përkundër tendencës së viteve të fundit për të bërë objekt studimi vetëm veprat që i janë shmangur realizmit socialist a thua se ai nuk ka ekzistuar fare ose tendencës që veprat që përshkohen tërësisht prej këtij pseudorealizmi të paketohen si vepra realiste apo deri moderniste etj.

ÇËSHTJA E DYTË: LETËRSIA E PABOTUAR DHE E NDALUAR

Dukuria  e parë solli dukurinë e dytë,letërsinë e ndaluar dhe letërsinë e pabotuar. Në valën e parë të dhunës së shtetit komunist do të bien intelektualë dhe shkrimtarë. Komunikimi me disa shkrimtarë të rëndësishëm të traditës u ndërpre. Vepra e tyre letrare u hoq gradualisht nga qarkullimi dhe studimi. Se sa komplekse ishte letërsia nën diktaturën komuniste e shpreh edhe përcaktimi tjetër i studiuesit Sh. Sinani, në studimin Për prozën e KadaresëKishte shkrimtarë e artistë të dënuar për arsye të lidhura drejtpërdrejt me veprën e tyre- ose me një vepër të vetme. (Rasti i Visar Zhitit). Por kishte edhe të tjerë të dënuar për arsye joletrare, – vijon ky studiues, – që megjithatë ishin shkrimtarë të dënuar me vepra të dënuara (K. Resuli, K. Trebeshina). Kishte shkrimtarë të padënuar me vepra të dënuara (I. Kadare). Kishte shkrimtarë shqiptarë që jetonin në Perëndim dhe nuk botoheshin në Shqipëri, duke zhvilluar një proces letërsie krejt të ndryshëm nga ai i realizmit socialist (Camaj, Pipa, B. Pogoni, Isuf Luzaj, B. Xhaferri). Kishte një letërsi “alternative”, edhe kjo “e realizmit socialist”, që zhvillohej në Kosovë, letërsi që ribotohej me përzgjedhje edhe në Shqipëri, më e lirë ideologjikisht. Kishte shkrimtarë të realizmit socialist që përpiqeshin të arrinin maksimumin e cilësisë, pa cenuar kornizën e përgjithshme të realizmit socialist. Kishte një letërsi brohoritëse të shkrimtarëve mesatarë të realizmit socialist, të cilët me vullnet të plotë, me bindje të padiskutueshme shkruanin në përputhje me kërkesat e partisë. Ka ekzistuar edhe një letërsi që megjithëse drejtpërsëdrejti dukej konformiste dhe më e partishme se partishmëria, në fakt me ekzagjerimin, shkaktonte përqeshjen e sistemit politik. (Kadare, Agolli etj.).

Gjithashtu nuk u lejua komunikimi me veprën letrare të disa autorëve të rëndësishëm të periudhës, që të arratisur nga Shqipëria, e botuan veprën e tyre jashtë vendit: Martin Camaj në Itali e Gjermani, Arshi Pipa e Bilal Xhaferri në SHBA etj. Ndërkaq për shkaqe ideologjike të ndërhyrjes së shtetit komunist, gjatë kësaj periudhe kemi edhe fenomenin e letërsisë së “sirtarëve”, ose të letërsisë së shkruar në burgjet komuniste nga disa autorë, si: Arshi Pipa, Kasem Trebeshina, Pjetër Arbnori, Visar Zhiti, Astrit Delvina etj., apo autorë të tjerë që veprat i mbajtën në sirtar, si: Zef Zorba, Primo Shllaku etj.

Nga pozitat e sotme të vlerësimit dhe gjykimit vazhdon të mbetet detyra e integrimit të autorëve të ndaluar, apo edhe veprave të ndaluara të autorëve të “lejuar”. Shembulli më domethënës i këtij integrimi është vepra letrare e M. Camajt, poet e prozator, por edhe e K.Trebeshinës, B. Xhaferrit etj., autorë për të cilët tashmë kemi artikuj studimorë, punime doktoraturash, monografi etj.

Si pasojë nga kjo periudhë vijojmë të kemi një gjendje komplekse: a) letërsinë e botuar, nga autorë të pranuar nga sistemi, por që ka vlera të dyshimta estetike: letërsia e realizmit socialist b) letërsinë e botuar, nga autorë të pranuar nga sistemi, por me vlera të mirëfillta estetike c) letërsinë e pabotuar, – nga autorë të pranuar dhe të përjashtuar, e cila ka vlera të mirëfillta estetike por ka mbetur pjesërisht e paintegruar, c) letërsinë shqipe që shkruhet në degët e saj: letërsinë shqipe në Kosovë, në Maqedoni, dhe në Malin e Zi, dhe te arbëreshët e Italisë ç) letërsinë shqipe në diasporë.

ÇËSHTJA E TRETË: QARQET LETRARE SHQIPTARE

Me dukurinë e parë, – realizmin socialist – lidhet edhe komunikimi i zbehtë me degët e tjera të letërsisë shqiptare bashkëkohore. Ky komunikim për arsye të brendshme ideologjike, por edhe për arsye të jashtme deri në vitin 1990 është i vakët ose tërësisht mungues. Kështu vetëm nga vitet 1970 kemi një përpjekje për ta bërë të njohur edhe në Shqipëri, letërsinë shqiptare që shkruhej në Kosovë, kryesisht përmes disa përmbledhjeve poetike të disa poetëve. Vlen të veçohet fakti se shkrimtarët shqiptarë në Kosovë e kundërshtuan importimin e realizmit socialist nga Shqipëria, megjithëse gjurmë të tij janë të ndjeshme në këtë letërsi, në vitet 1950-1960. Kundërshtim i ngjashëm me terma të tjerë është në Shqipëri debati i viteve 1961(Çiraku, Y.2010). Ky kundërshtim u shpreh veçanërisht në artikullin me titull “Vox Clamantis in Deserto” botuar në gazetën “Rilindja”  në vitin 1971. Jo rastësisht në këtë kohë forcohet kërkesa për shprehjen artistike dhe gjuhën artistike të veprës letrare kërkesë e cila sjell frymën dhe ndjeshmërinë moderne; një ikje nga komunikimi masiv dhe i thjeshtë i gjuhës së drejtpërdrejtë drejt një gjuhe me nivel më të ulët komunikimi dhe që i drejtohet një lexuesi më elitar(Çapriçi, B. 2005). Madje për letërsinë e këtyre viteve në Kosovë mund të flitet edhe për prirje avangardiste(Islami, N. 2004) brenda tipareve moderne të kësaj letërsie.

Ndërsa lidhur me shtrirjen dhe përkatësinë gjeografike dhe etnike të letërsisë shqipe (kuptohet edhe kjo e Pasluftës së Dytë Botërore) mendimi i mbizotërues në studimet tona është se duhet përfshirë në objektin e studimit e gjithë krijimtaria letrare e shkruar nga autorë shqiptarë, pavarësisht vendndodhjes së tyre. Pra, letërsia shqipe nuk duhet t’i drejtohet një lexuesi shtetëror(Sinani, Sh., 2015)por mbarë lexuesit shqiptar.

Edhe gjatë gjysmës së dytë të këtij shekulli dhe dekadës së parë të shekullit XXI letërsia kombëtare shqiptare vijon t’i ruajë ende disa forma të qarqeve letrare. Këto qarqe u krijuan në kontekste të ndryshme kulturore dhe politike. Një histori e përbashkët e letërsisë shqiptare, kudo që krijohet prej shqiptarëve,një njësim i vazhdueshëm i sistemit letrar shqiptar(Jorgo, K.,2005), pavarësisht veçorive e dallimeve që ekzistojnë për shkak edhe të realiteteve dhe konteksteve të ndryshme, në të cilat është krijuar apo krijohet kjo letërsi, është në të mirë të kulturës dhe letërsisë sonë, nëse në të ardhmen nuk do të na duhet të pyesim: “Sa letërsi shqiptare kemi?”(Jorgo, K.,2005). Praktikisht mungon uniteti në zhvillimin e degëve të letërsisë kombëtare. Kjo mungesë sa vjen e bëhet më problematike sidomos me mundësinë për krijimin e një identiteti të ri letrar për pjesën e letërsisë shqipe,tashmë në shtetin e ri të Kosovës, e cila për ndonjë studiues do të duhet të fillojë me Pjetër Bogdanin(Shala, Kujtim M.,2009).Vazhdon të jetë e pranishme dukuria e qarqeve letrare, përsëri për arsye kryesisht politike dhe paaftësisë për të realizuar këto integrime por sa kohë që ato janë të tilla, duhen parë edhe si pasuri e letërsisë shqipe(Çiraku, Y., 2010).

Gjithashtu edhe lidhja me letërsinë bashkëkohore arbëreshe gjatë kësaj periudhe është një lidhje e vakët, fare pak njihet dhe publikohet në Shqipëri, me ndonjë autor si Zef Skiro di Maxho apo Vorea Ujko (Domeniko Bellizi), Xhuzepe del Gaudios apo në ditët e sotme Karmine Abate e ndonjë tjetër. Ndërsa për arsye të kuptueshme deri pas ’90-ës është i ndaluar komunikimi me letërsinë shqipe në diasporë, autorët e së cilës ishin automatikisht të padëshiruar.

ÇËSHTJA E KATËRT: VËSHTIRËSIA E EMËRTIMIT ME TERMA STILISTIKË

Periudha 1945- deri më sot duhet dalluar për shumë arsye nga letërsia e mëparshme. Për qëllim studimi letërsinë e shkruar dhe të botuar në gjysmën e dytë të shekullit të njëzetë dhe në dekadën e parë të  shekullit XXI, mund ta ndajmë në dy periudha: 1) periudha e parë: 1945 -1990 dhe 2) periudha e dytë: 1990 – deri më sot. Kjo prerje është konvencionale sepse nga pikëpamja stilistike edhe pas viteve 1945 kultivohen tipare të letërsisë së mëparshme, si: sentimentalizmi, romantizmi, realizmi, elemente moderniste, dhe këto elemente janë të pranishme edhe pas viteve 1990, kur realizmi socialist nuk është më i detyrueshëm. Në studimet tona letrare, termat më të përdorur për ta emërtuar këtë periudhë janë: “Letërsi e sotme”, “Letërsi bashkëkohore”, “Letërsi e Pasluftës së Dytë Botërore”, “Letërsi e gjysmës së dytë të shek. XX” apo “Letërsi e modernitetit bashkëkohor”. Asnjëri nga këto emërtime nuk është i natyrës teorike/estetike, por ka karakter përcaktues kohor, kështu që çështja e emërtimit teorik mbetet një çështje e hapur(Vinca, A.,1996).

Do të shtonim sepse kjo periudhë është e pamundur të cilësohet as si letërsi realiste, as e realizmit socialist, as moderne dhe as postmoderne, në kuptimin që rryma letrare, stili, poetika të jetë mbizotëruese mbi një grup autorësh, mbi një brez letrar apo mbi një periudhë kohore sado të shkurtër. Megjithëse ka studiues që  kanë shprehur mendimin se në periudhën 1945-1990, kemi të pranishme elemente të poetikës realiste dhe moderne, përveç realizmit socialist (brenda Shqipërisë) që u bë modeli mbizotërues. Në studimin “Periodizimi i letërsisë shqipe” (1973), studiuesi R. Qosja, konsideron, se: kemi të bëjmë me letërsi realiste sociale, në periudhën nga vitet 1934-1960; ndërsa nga vitet 1960 deri 1973, me letërsi të realizmit integral, një term i krijuar nga studiuesi. Studiuesi I. Rugova në studimin “Çështje praktike të romanit bashkëkohor” (1987) duke analizuar veçoritë e romanit vlerëson se “…del në planin e poetikës së romanit, kryesisht të romanit tonë bashkëkohor aplikohet prosedeu realist dhe prosedeu modern”.

Studiues të tjerë si B. Kuçuku, shpreh qëndrimin se në letërsinë shqipe, në vitet 1930-1990, kanë bashkëjetuar metoda, struktura dhe stile të ndryshme, si realizmi, realizmi socialist dhe moderniteti bashkëkohor[1](Kuçuku, B., 2004).Listës që bën ky studiues me vepra realiste, moderne, mund t’i bashkëngjitim edhe lista me kryeveprat e realizmit socialist. Ndërsa studiuesi S. Hamiti në studimin Shkollat letrare shqipe(2005) dallon gjatë kësaj periudhe:shkollën socrealiste, shkollën disidente dhe shkollën moderne në Kosovë. Studiuesi Robert Elsie në tekstin Historia e letërsisë shqiptare (1997)për paraqitjen e letërsisë nga vitet 1945 e tutje përdor herë kritere politike-historike, herë letrare, herë kronologjike.

ÇËSHTJA E PESTË: LETËRSIA E PAS ‘90-ës

Pas përmbysjes së regjimit komunist më 1990, bie edhe realizmi socialist si metodë e detyrueshme në letërsinë shqiptare. Në dhjetëvjeçarin e fundit të shek XX dhe në dhjetëvjeçarin e parë të shekullit XXI, krahas autorëve të mëparshëm vijnë në letërsinë shqiptare autorë të tjerë, prozatorë dhe poetë të brezit më të ri, si: A. Tufa, R. Dibra, B. Shehu, A. Kyçyku, B. Blushi, K. Rrahmani, R. Gjini, E. Dones, L. Lleshanaku, E. Hatibi, L. Dushi,A. Leka, L. Kola etj. Në letërsinë e shkrimtarëve pas 1990, funksioni parësor i veprës letrare është rikthimi i funksionit estetik. Letërsia e tyre nuk është propagandë, nuk është edukim moral, as brumosje, por kënaqësi estetike dhe larmi përjetimesh emocionale, meditim apo shqetësim artistik për njeriun dhe botën ku jeton, shprehje e kompleksitetit të qenies njerëzore etj. Ajo nuk i drejtohet lexuesit për ta manipuluar, ajo i jep lexuesit një këndvështrim interesant mbi natyrën dhe problemet e shoqërisë e në mënyrë të veçantë të individit, i cili në këtë letërsi mendoj se ka një vend të posaçëm. Në këtë drejtim mund të themi se letërsia e autorëve që shkruajnë pas viteve 1990 është një çlirim i madh estetik dhe shpirtëror është edhe një arritje për letërsinë shqiptare e cila tashmë është e hapur ndaj përvojave të letërsisë europiane e më gjerëKoha dhe studimet letrare do të verifikojnë vlerën estetike të kësaj letërsie e cila simbolikisht për arsye studimi por edhe për arsye estetike duhet dalluar nga letërsia e mëparshme.

Për ndonjë studiues që i referohet një grupi poetësh që u shfaqën në këtë kohë, letërsia shqipe e viteve 1990 lindi si një lëvizje tipike avanguardiste (Marku, M., 2004) ndërsa për ndonjë studiues tjetër letërsinë e avangardës së viteve ’90 e krijuan autorë të afirmuar më parë, ashtu edhe të tjerë më të rinj, që u afirmuan më pas(Jakllari, A., 2004) etj. Faktikisht një prerje agresive nuk mund të ketë por, disa prozatorë dhe poetë që vijnë nga letërsia e para viteve 1990, janë në përpunim të mëtejshëm të veprës letrare dhe stilit të tyre edhe pas vitit 1990.

Dallimet ndërmjet këtyre autorëve janë më shumë të stilit individual sesa të lidhura me momentin kohor, por është e kuptueshme që brezi më i ri letrar ka më shumë kërkesa për të eksperimentuar me formën, me gjuhën artistike të veprës letrare duke asimiluar lirisht përvojat e letërsisë moderne e postmoderne por sigurisht nga një kërkesë e tillë nuk përjashtohen edhe disa autorë të mëparshëm. Sikurse shprehet studiuesi S. Hamiti, vitet 1990 nëse nuk janë vite të thyerjeve të mëdha janë vite të vetëdijesimit të madh letrar dhe se zbulimi apo sprovimi më i madh i këtyre viteve është të sprovohet autenticiteti duke u provuar me universalitetin. Do të thotë komunikimet letrare zhvillohen me të njëjtin intensitet në të gjitha pikat e vlerave të kësaj letërsie, në një anë; dhe komunikimi i këtyre vlerave me vlera të letërsive e kulturave të tjera (Hamiti, 2005).Një kufi simbolik në një periodizim të ardhshëm sigurisht që duhet vendosur këtu.

ÇËSHTJA E GJASHTË: LETËRSIA SHQIPE NË GJUHË TË PARË, GJUHËN E HUAJ

Një dukuri tjetër lidhet me dekadën e parë të shekullit XXI, se si duhen vlerësuar veprat letrare të autorëve shqiptarë të shkruar prej tyre në gjuhë të huaj dhe jo në gjuhën shqipe ose në gjuhën shqipe, por në mërgim, larg lexuesit shqiptar. Sikurse shprehet studiuesi Sh. Sinani, duke qenë një letërsi dygjuhëshe, në shumë raste dhe vetëm në gjuhë të huaj, kjo letërsi gjendet para pyetjes nëse është pjesë e rrjedhave dhe jetës kulturore shqiptare apo duhet parë brenda një sistemi tjetër, nëse është në periferi të letërsisë shqipe dhe mbetet gjithashtu në periferi të letërsive të tjera, me të cilat i bashkon vetëm gjuha(Sinani, Sh., 2015). Do të shtonim edhe pyetjen se si duhet t’i qasemi kësaj letërsie të panjohur? Duke e lexuar në gjuhë të huaj apo si letërsi shqiptare të përkthyer?!

VII. REZULTATI I LETËRSISË SHQIPE TË GJYSMËS SË DYTË TË SHEK. XX

Pavarësisht prej çështjeve të mësipërme të cilave mund t’u shtohen edhe të tjera, nga kjo periudhë vlen të veçohet fakti i “çudive” të letërsisë bashkëkohore shqiptare, e cila nga zymtia dhe burgu i diktaturës më të egër të perandorisë komuniste,i dha letërsisë evropiane një shkrimtar të përmasave botërore si Ismail Kadare (kandidat për çmimin Nobel prej shumë vitesh), i përkthyer sistematikisht në gjuhët evropiane, prej vitit kur boton romanin që e bëri famshëm “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1963). Ndërsa nga ana tjetër, nga kahu i kundërt, nga bota europiane perëndimore ku jetoi, pas vitit 1990 iu kthye letërsisë shqipe, lexuesit të parë të saj, vepra letrare e shkrimtarit Martin Camaj, pak i njohur në publikun perëndimor dhe aspak në publikun shqiptar, e cila me vlerësimin e njëzëshëm të studiuesve zuri përfundimisht vendin që i takon në historinë e letërsisë shqiptare, duke e tejkaluar kohën e humbur. Megjithëse në kushte krejt të tjera,edhe në rrafshin gjuhësor, këta autorë sjellin arritjet kulmore të gjuhës standarde (Kadareja) arritjet kulmore të variantit të gegërishtes (Camaj), çka do të ishte një çështje tjetër e hapur lidhur me ligjërimin artistik të veprës letrare në gjuhën shqipe.

Profesor dr.Sali Berisha ka vendosur ta paditë edhe multimiliarderi n Xhorxh Soros etj.



                      Shkruan Akademik Prof.dr.Flori Bruqi





Profesor dr.Sali Berisha , nga Tropoja nuk është  antiamerikan , zoti Blinken.


Ish Presidenti, Kryeministri  i Repblikës së SHqipërisë Profesori dhe Doktori i  Kardiologjisë zt.Sali Ramë Berihsa , së pari kishte vendosur ta akuzonte Sekretarin shtetëror të SHBA zotin Blinken, sepse mendonte se ai është përgjegjësi kryesor që ia varën teneqen me mbishkrimin persona non grata dhe kujt  ish themeluesit të Partisë Demokratike, ish përmbysësit të diktaturës komuniste, ish organizatorit të demonstratave të dhjetorit dhe ish organizatorit për rrëzimin e statujës së diktatorit Enver Hoxha etj.



Sot kur ditët me shpejtësi po kalojnë zoti Sali Berisha tash për tash vetëm PD ka arritur ta rrëmbej, por nuk po i zihet vendi – vend, si ta largoi njollën non grata që po ia gërryen shpirtin.





Gjyqi me zoti Blinken mund të zgjas në pakufi, prandaj zoti Sali Berisha po mendon që ta hedh në gjyq edhe multimiliarderin Xhorxh Soros, pse jo edhe Edvin Kristaq Ramën dhe Lulzim Bashën-Bravën.

Prof.dr.Sali Berisha derisa e paramendonte seancën gjyqësore me multimiliarderin Xhoxh Soros u thellua në mendime, se çka do ta akuzonte kundërshtarin në seancën gjyqësore.

Unë nuk jam as milioner, desha të them miliarder, por unë nuk kam kundërshtuar që ju të përziheni në punët e brendëshme të Republikës së Shqipërisë.. Unë ju kam kundërshtuar fuqishëm për ketë, derisa isha udhëheqës shtetëror.





 Rregullimin shtetëror e bëjmë ne pa ndihmën tuaj, prandaj ju kundërshtoi edhe tash, pavarësisht që ju dhe djali i juaj me radhë e vizitoni Edi Kristaqin dhe Aleksandër  Vuçiqin e Serbisë. 




Duhet ta dini se unë nuk shitem, sepse mua më thonë Sali Berisha ,jam nga Tropoja, i cili gjithmonë do t´i mbroj interesat e shqiptarëve.




Ky ishte momenti kur unë haptas ju pata kundërshtuar dhe ju pastaj m´u hakmorët, me lidhjet e juaja në administratën amerikane.




Ju zoti Xhorxh Soros jeni mësuar që të përziheni në punët e brendshme të shteteve të ndryshme nëpër rruzullin tokësor, e sidomos në Evropë. Ju haptas i luftoni partitë e djathta demokratike dhe i favorizoni të majtat, sidomos në çështjen financiare, që kjo do të thotë shkelje e ligjeve ndërkombëtare.





Ju i keni sjellur në pushtet  Aleksandër Vuçiqin e Serbisë dhe Edvin Kristaq Ramën  e vendit tim, i favorizoni dhe akoma i mbani sot në pushtet me paratë e juaja.





Unë këtu para këtij trupi gjykues ju akuzoj ju se me ndikimin e juaj politik, jeni munduar të ma shkatërroni karrierën time të bujshme politike.







Unë i kam mbrojtur dhe do t´i mbroj interesat e Shqipërisë dhe popullit tim, pa marr parasysh synimet e juaja politike që keni.




Ju zoti Xhorxh  Soros ju jeni miliarder, po nuk do të thotë që ju mund ta sundoni botën. Këtë nuk do ta lejojmë forcat e djathta politike në mbarë botën.




 Ju duhet të tërhiqeni nga interesat e juaja personale politike dhe t´i lejoni shtete dhe popujt të vendosin për të ardhmen e tyre politike, pa ndikimet dhe ndërhyrjen tuaj .





Këto mendonte zoti Sali  Berisha t´ia thoshte troç multimiliarderit Xhorxh Sorosit në sallën gjyqësore, para të gjithë të pranishmëve.




Deri më sot nuk ma ka hedhur mua askush. E pata mundur Hoxhën, Fatos Nanon, Edvin  Kristaq Ramën ,Ilir  Metën dhe të gjithë ata që mu kishin kundërvënë.




Këtë e dëshmova edhe tash, kur Lulzim Bashën e lash me gishta në gojë.

2022-05-09

“PROBLEM KOSOVAR” I FATOS KLOSIT DHE VAJZA ME EMRIN PRISHTINË E IRAKLI KOÇOLLARIT

 

           



                  

                                   ShKRUAN : REXHEP SHAHU

 


 

Në emisionin Dosje të hapura të RTSH, të vitit 2021, kushtuar Ministrit të mbrojtjes të Kosovës, Ahmet Krasniqi, vrarë në pritë në Tiranë natën e 21 shtatorit 1998, Fatos Klosi fyen e nënçmon vrazhdë “kosovarët”, i ndan në shqiptarë e kosovarë, flet me nënvlerësim për kosovarët e FARK-ut e të qeverisë Bukoshi dhe i shet heroj kosovarët e LPK  e të UÇK.

(https://www.youtube.com/ëatch?v=68pyxz8njZ8&ab_channel=RTSH-)

Më erdhi shumë keq dhe u trishtova se pse duhet të ndodhë kjo gjë dy dekada pas lufte për Kosovën. Pse duhet të flasë ashtu një njeri që ka qenë dikush në këtë vend, profesor fizike në universitet, kryetar i sherbimit sekret të vendit. Pse duhet ta bëjë pis edhe Kosovën me atë lloj ligjërimi të ndotur me urrejtje. Unë e kam parë shpesh, se ai të del pothuaj përnatë ekraneve e përditë gazetave dhe flet për gjithë gjërat e botës, por nuk ia kam vu re kur bën gjithologji për punët e brendëshme të Shqipërisë. Më trishtoi me përçmimin, shpërfilljen e nënvleresimin ndaj kosovarëve, sikur kosovarët janë të huaj, janë diçka e diku tjetër e ai Klosi është më i zgjedhuri për t’ua bërë gjyqin atyre kosovarëve… U ndjeva keq që ka njerëz  të tillë.

Flet për “kosovarët” e punët e Kosovës si për gjëra të rëndomta që nuk i sheh as i ndjen si të tijat por të huaja, të atyre kosovarëve…

Shfaqet si çelësi i sekreteve të botës, si pjesa e padukshme e ajzbergut, si copë e madhe diamanti, sikur ai e ka mbrojtë Kosovën, ia ka sjellë lirinë, sikur është arkitekti i sherbimit sekret të Kosovës, që i ka në grusht lidhjet me partnerët, CIA e gjithë sherbimet e vendeve aleate e përralla me iranianë e arabë sikur ai është gardiani i sekreteve e lirisë së Kosovës.

Fatos Klosi në ligjërimin e tij në dokumentar, me gjithë redaktimet e krehjet…, ka nënçmim,  për kosovarët edhe pse thonë se servilët e tij e kanë shpallë veteran të luftës në Kosovë, për turpin e tyre, nëse është e vertetë.

Klosi thotë si me mllef se, “Ministria e mbrojtjes e Kosovës kishte shumë objekte në Shqipëri në atë kohë. (Duket që Klosi ka deshpërim për këtë gjë, nuk i vjen mirë, nuk e përshëndet një gjë të tillë…). Ishte një pjesë e kësaj ushtrie që kryesisht përbëhej nga oficerë, nuk kishte ushtarë… (zgërdhihet këtu Klosi kur i thotë këto fjalë), oficerë të paguar nga qeveria e Kosovës, oficerë që kishin qenë oficerë të ushtrisë jugosllave që kishin mbaruar nëpër akademitë jugosllave dhe që po përgatiteshin për t’u futur në Kosovë, por mesa dukesh asnjëherë nuk kishin ndërmend të hyjnë... Një ushtri vetem me oficerë nuk funksionon…”

Klosi flet edhe si ekspert ushtrie këtu dhe ndoshta nga Klosi ka burue ajo urrejtja kundër oficerëve të Kosovës se janë shkollue në akademitë jugosllave, se janë titista siç është Klosi enverist, kur gjithë shqiptarët e Kosovës janë shkolluar në shkolla jugosllave se kanë jetuar 87 vjet, gati një shekull nën Jugosllavi… dhe nuk janë shkolluar as në Tiranë as në Rusi. Janë shkolluar në Beograd, në Zagreb e Lubjanë…

Sipas Klosit është turp të jesh oficer i Kosovës, i shkolluar në Akademitë jugosllave dhe nuk është turp të jesh pedagog fizike i universitetit të Enver Hoxhës të cilin e caktuan në krye të Shqipërisë jugosllavët, serbët, as nuk është turp të bëhesh shef i shërbimit sekret të shtetit pa pasë lidhje me atë shkencë e disiplinë apo teknologjinë moderne të informacionit.

“Për ne nuk ishte ndonjë shqetësim, vijon të thotë Klosi. I vetmi shqetësim që kishim ishte se ata njerëz nga ato kampet ku ishin, qoftë në Mamurras a në Kavajë, Karpen, shpesh e shpesh me uniforma të UÇK që ata s’ishin UÇK (Klosi duhet ta caktonte kush ç’ka ishin, kush ishte titist e kush enverist) dilnin nëpër Tiranë, (Tirana duhej ishte më shumë e Klosit se sa e çdo shqiptari të Kosovës, Klosi nuk u lejon hise në Tiranë shqiptarëve të Kosovës…), e kishin me qejf të dukeshin që jemi kosovarë (nënqesh dhe zgjat a-në te fjala kosovarë), jemi të UÇK… dhe këto i patëm thënë, që normalisht UÇK operon në Kosovë, nuk mund të ketë ushtarë të veshur me uniformë nëpër Tiranë, prandaj mos na i krijoni këto probleme…”

Ata njerëz të UÇK që rrinin me Klosin e me Milon e me zyrtarë të tjerë socialistë, ata lejoheshin “të luftonin” nëpër Durrës e Tiranë me Klosin e nuk kishte nevojë që ata të luftonin në Kosovë… Klosin e shqetësonte ose edhe e trembte mbase ndonjë situatë e mundshme që mund të krijonin trupat speciale të Kosovës që stërviteshin në Karpen të Kavajës në ambiente private. Të gjitha ambientet ku janë stërvitë trupat e Kosovës kanë qenë ambiente private jo shtetërore dhe u është paguar qiraja pronarëve të tyre.

Klosi kishte dy standarte për UÇK, ca i puthte e ca i pështynte sipas ligjërimit të tij në dokumentarin e Noljan Loles.

Klosin, sa e lexoj unë rrëfimin e tij nervoz me përqeshje e zgërdhirje, e shqetësonte shqiptari i Kosovës në Tiranë, nuk e donte, nuk e duronte shqiptarin e Kosovës në Tiranë. Klosi mendon se shqiptari mallakastriot ka më shumë hise në Tiranë se gjakovari… drenicaku, llapjani apo i shqiptari i Gjilanit. Edhe ata shqiptarë të Kosovës që i lëpiheshin dhe e quanin si zot ai i nënqeshte, i nënçmonte, i ironizonte. Disa nga ata donin më shumë Klosin se vëllezërit e tyre… Sa më shumë që ata e adhuronin aq më shumë ai i nënçmonte. Duke parë emisionin mendoja se më shumë e njoh unë Hondurasin se sa e njeh Fatos Klosi Kosovën…

Klosi nuk thotë të vertetën kur thotë se pjesa e kësaj ushtrie të Kosovës (është fjala për trupat e FARK-ut) përbëhej nga oficerë e nuk kishin ushtarë. Vetem në Kukës, në dy qendra stërvitje, në Kolsh e në Kalimash kjo ushtria e Kosovës kishte ushtarë disa herë më shumë se sa kishte divizioni i Kukësit në Kukës, pa llogaritë sa ushtarë kishte në kampet e stërvitjes në Tropojë, Mamurras apo Karpen ku ishin trupat më speciale të Kosovës, që nuk di pse e shqetësonin dhe e frikësonin Klosin... 

Oficerat e Kosovës natyrisht që paguheshin nga qeveria e Kosovës për punën që bënin, siç paguhej vetë Klosi nga qeveria e Shqipërisë (nuk e di a paguhej me ndonjë honorar nga Koosva, nuk di gjë për këtë gjë). Ata oficerë të Kosovës kishin lënë punët dhe familjet nëpër botë dhe ishin bashkangjitë luftës por nuk kishin lënë ngrënien e bukës, pirjen e ujit, nuk kishin lënë ushqimin. Klosi firmoste dietat e tij veç rrogës dhe nuk harronte kurrë të merrte shpërblimet… Ndërsa oficerët e Kosovës nuk duhej të merrnin asnjë lloj rroge, ata dhe familjet e tyre duhej të hanin bar…

Por duhet pyetur mirë e duhen parë borderotë legale e të fshehta të Kosovës të UÇK, të Ministrisë së mbrojtjes të Kosovës nëse paguheshin nga dy herë oficerë, nënoficerë e kuadro të Shqipërisë që angazhoheshin me punë e probleme të luftës për Kosovën…

UÇK - në, thotë Klosi e njihja mirë dhe e dija se ata po luftonin në Kosovë. Ku Klos, kush, ku po luftonte... kush ta tha… Po këto ushtarë e oficerë të FARK – ut që hynin në Kosovë a bënin atje mbrëmje vallëzimi me serbët, bënin kurvëri e hajni, apo luftonin, Klos? Ligjërim përçarës.

Klosi thotë se Ahmet Krasniqi nuk ishte emëruar ministër. Klosi e LPK i dinin sekretet e punët e Kosovës. Po Klosi nuk thotë si është e mundur që Ministrin Krasniqi ta dëgjonin mijëra njerëz, oficerë (se nuk kishte ushtarë…), të krijonte struktura ushtarake, të kishte fuqi të lëvronte shuma të mëdha parash, miliona marka edhe pjesës tjetër të UÇK që Klosi e njihte mirë…. Këto para ia jepte qeveria Bukoshi me firmën e Bukoshit. Si është e mundur Klos. Një njeri jo ministër si mund të vepronte kështu me autoritet ministri, të negoconte me të gjithë palët, të udhëhiqte çdo operacion, të firmoste, urdhëronte e lëvronte miliona dojçmarka gjermane institucionalisht, fonde të qeverisë.

Po të shohësh portretin e Fatos Klosit duke u ngërdheshë e zvarritë fjalët në dokumentar të mbulon trishtimi, merr inat gjithë shtetin shqiptar e zyrtarët e tij.

Ndërsa po flas për Fatos Klosin si kreu i shërbimit sekret të Shqipërisë në vitet 1998 – 1999, që flet pa dashuri e shpirt për punët e Kosovës të cilën nuk e sheh si pjesë tonën por si të huaj, si “problem kosovar”, si punë kosovarësh, më shfaqet përballë tij ish shefi i dikurshëm e shërbimit sekret të vendit, Irakli Koçollari.

Nuk kam ngelë unë të gjykoj a amnistoj askënd e asgjë për veprimtarinë e tyre, por unë mund të tregoj një histori të rrallë, mbresëlënëse.

Rastësish në Akademinë e Shkencave në Tiranë ne 2021 njoha ish kryetarin e shërbimit sekret të Shqipërisë, Irakli Koçollarin, sot akademik, dikur edhe diplomat në Greqi e në rininë e tij, në kohën e demostratave të 1981 në Kosovë, oficer zbulimi a sigurimi në Kukës.

I thashë duke qeshë në kafe, si s’më ke njohur kur ke qenë në Kukës që të më bëje spiun që  të bëja karierë në Tiranë këto vite që jam pa punë…

Duke i dhënë librin “Shtatë fletore” me 5548 vargje të poetit të varur Havzi Nela që kam përgatitë dhe botuar unë, po i tregoja si kuriozitet se Havziu i ka kushtuar më shumë se dymijë vargje Kosovës dhe demonstatave të 1981 në Kosovë, si askush deri sot nga poetët shqiptarë.

Kam kaluar muaj të tërë në majen e malit të Pushtrikut ato kohë protestash të 1981, më rrëfeu Irakliu. Kosova protestonte, ne rrinim roje në kufi…

E kujtoj se sa e tensionuar ka qenë situata atë pranverë të 1981. E besoja për çfarë fliste Irakliu pasi unë banoja në fshat në Bardhoc afër kufirit me Kosovën, në atë kohë i sapokthyer nga Durrësi ku kisha bërë shkollën e mesme. Por ne e përjetonim atë që ndodhte në Kosovë se në familje flitej gjithë kohën për Kosovën, ne ishim pjesë e Kosovës… 

Nga ato protesta e nga ajo kohë kam kujtimin më të bukur të jetës, vijoi Irakliu, në Kukës më lindi fëmija i parë, vajzë dhe ia vura emrin Prishtinë…

Hapa sytë si për ti thënë ma përsërit edhe njëherë se nuk di a e dëgjova mirë…

Vajza jote, fëmija yt i parë, ka emrin Prishtinë…?!

Po, Prishtinë e ka emrin, qeshi lehtë Irakliu…

Irakli Koçollari, një baba i ri, nga Zagoria e Gjirokastrës, oficer sigurimi a zbulimi i shtetit komunist shqiptar, i sapo dalë nga shkolla, që ato muaj të demostratave të Kosovës të vitit 1981 ruante në kufi në malin e Pushtrikut të Hasit, fëmijës së tij të parë, vajzës së tij të parë, ia vë emrin Prishtinë..!

Mbeta pa tekst si i thonë fjalës. Më erdhi turp pa shkak pasi shpesh bëhemi spektatorë në raste akuzash e përfoljesh qoftë me shaka e gjysmë shakaje ndaj njerzve të ndryshëm duke dëgjuar t’i thonë dikujt grek, dikujt serb, dikujt shka dhe gjykojmë bardh e zi në jetë kur në fakt jeta ka më shumë ngjyra e nuanca se sa mendon e din njeriu…

Më shumë se e mrekullueshme kjo që dëgjova. Çfarë lidhje me Kosovën!

Nuk e ka urdhëruar as nxitur partia as shteti as sigurimi i shtetit komunist këtë djalë njëzet vjeç nga fshatrat e Zagorisë së Gjirokastrës që fëmijës së tij të parë, vajzës së tij të parë, t’ia vendosë emrin e kryeqytetit të Kosovës, Prishtinë. Prishtina atëhere ishte gjak, dhimbje, mall, Atdhe, Kosovë, ishte gjysma jonë e munguar. Këtë Irakli Koçollari e shkruan në fëmijën e tij, në identitetin e tij pasi e sheh Kosovën jo të huaj, por pjesë të tij, pjesë të shpirtit të tij.

Ndërsa Irakliu fliste për vajzën e tij me emrin e bukur Prishtinë e për Kosovën, mua më përfytyrohej Qazim Bllaca, i Suharekës, ish kryetari i parë i Bashkisë së Prizrenit, deputet në parlamentin shqiptar, njëri nga shtatë themeluesit e Lidhjes së dytë shqiptare të Prizrenit, ish zevendës ministër i punëve botore në qeverinë e Rexhep Mitrvicës në Tiranë, i dënuar me 31 vite burg e internim nga regjimi i Enver Hoxhës, i cili mbijetoi në burgun e Tiranës nga ushqimet që ia sillnin në burg dy vjet rrjesht, një ditë njëri e një ditë tjetri, Skënder Gega prej Gjirokastre dhe Muhedin Dino nga Libohova. Ose Avni Bejkova prej Erseke e Xhafer Butka prej Kolonje që ndanë për vite me radhë kafshatën e gojës me Qazim Bllacën në burgun e Burrelit ku mbijetonin 38 të burgosur në 40 metër katrore kaush…

Nuk po flas më shumë e më tej, le të jetë çfarë të dojë Irakli Koçollari, shiks, operativ, sigurims, kryetar sherbimi, diplomat, akademik, kryetar akademie, por ka një shekull distancë, është një mijë vjet dritë larg Fatos Klosit sa u përket raporteve e lidhjeve të tyre shpirtërore me Kosovën, dashurinë për Kosovën e për “ata kosovarët që fryheshin një çikë…, që vdisnin për tu dukur me uniformë e me armë udhëve të Tiranës… pjesë të një ushtrie që kryesisht përbëhej nga oficerë, nuk kishte ushtarë (zgërdhihet), oficerë të paguar nga qeveria e Kosovës, oficerë që kishin qenë oficerë të ushtrisë jugosllave që kishin mbaruar nëpër akademitë jugosllave dhe që po përgatiteshin për t’u futur në Kosovë por mesa dukesh asnjëherë nuk kishin ndërmend të hyjnë. Një ushtri vetem me oficerë nuk funksionon…”.

Ku ta kishte atë luks Kosova që të kishte aq shumë oficerë sa thotë Klosi i tmerruar prej oficerëve të Kosovës që i dukej se mburreshin me uniforma UÇK-je nëpër Tiranë…

Urrejta, përgojimi e nënçmimi nuk ka brirë.

Fatos Klosat nuk e bëjnë dot “close” Kosovën.

Ka kohë që e urdhëroj veten me heshtë, por nganjëherë nuk më dëgjon vetja, më del vetja prej vetes.


*****

Rexhep Shahu është poet i njohur. Rexhep Shahu u lind në vitin 1960 në Bardhoc të Lumës, mes Kukësit e Prizrenit. Fëmijërinë e kaloi në breg të Drinit të Bardhë me Pikëllimin në shpinë e Pashtrikun në sy, aty, në mesin e dheut, ku pajtohen e bëhen një dy Drinat, i Bardhi dhe i Ziu dhe rendin bashkë me ëndrrat e tyre drejt detit.

Në Durrës kreu shkollën e mesme teknike-mekanike. Atje u mëkua me det dhe lau ëndrrat në të. Universitetin për letërsi e kreu në Shkodër.

Ka provuar gjithfarë lloj punësh e profesionesh në fusha e male me bujq e blegtorë, kosëtarë e korrës gruri... Ka jetuar me mineral kërkuesit, minatorët, vagonistët, ka punuar si motorist e xhenerik, ka bërë sekretarin në prokurori, shpesh duke u dridhur për fatet e të tjerëve, ka qenë drejtues kulture, tregtar, ka themeluar një kompani ndërtimi, ka punuar gazetar në Radio Kukësi, në Radio Tirana, në Top Albania Radio e në organe të shumta shtypi të Tiranës e Prishtinës, zëdhënës në Qarkun e Kukësit, zëdhënës shtypi në Ministrinë ë Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit në Tiranë, më pas drejtues i sektorit të Informacionit Bujqësor në këtë Ministri.

Ka drejtuar si kryeredaktor revistën kulturore “Dy Drina”, revistën për fëmijë “Kallz”, organe këto të Qendrës Kulturore “Dy Drina”, të përkohshmen “Gazeta e Kukësit” dhe shtatë vite edhe revistën kombëtare “Bujqësia Shqiptare”, organ i Ministrisë së Bujqësisë, Tiranë.Tani eshte Botues dhe Kryeredaktor i illz, reviste letrare e Tiranes.

Rexhep Shahu ka botuar keto libra :
1. MALI I HËNËS - vëllim poetik (Tiranë, 1998);
2. BREGU I BRENGËS - vëllim poetik (Prizren, 2000);
3. MISIONI PËR PAQEN - publicistikë, krizes së Kosovës 1998-1999 (Tiranë, 2001);
4. BLLACA – (monografi) – 2002;
5. MARSI I MINAVE – publicistike, për ngjarjet e Kosovë 1998-2000 (Tiranë, 2006);
6. LIS I VETËM NË FUSHË - Vëllim poetik, (Tiranë, 2011);
7. APOLOGJI PER UDHEN E KOMBIT - Publicistike (Tirane, 2012);
8. QYTETI I LUTJEVE – Poezi, Tirane 2014;
9. BUKEN TONE TE PERDITSHME, publicistike, (Tirane, 2014);
10. ISMAIL RAKA – SYTË E LIRISË – Monografi per heroin e Kaçanikut, (Tirane 2014);
11. KJO VERË MËRZIE – Vellim poetik, (Tiranë, 2015);
12. KU ISHE TI HERO - Publicistikë, Tiranë, 2016;
13. SHKRIMTARËT PËR HAVZI NELËN - SHPIRTI I LIRË I LUMËS, - Përgatitës, Tiranë, 2018;
14. HAVZI NELA – SHTATË FLETORE, Vepra e plotë me 5548 vargje, - Përgatitës, Tiranë,2018;
15. BISEDË ME HAVZI NELËN, - Publicistikë, Tiranë, 2019;
16. FALEMINDERIT DOKTOR ALUSHANI, - Rrefime, Tiranë, 2020;
17. DITA E GJASHTË, - Poezi, Tiranë, 2020;
18. RRAHMAN ZEQIRAJ – NJE STATUJE KUJTIMESH, monografi, Tiranë, 2020

Rexhep Shahu është kryetar i Klubit të Poezisë, organizatë Kulture që synon të mbledhë bashkë gjithë poetët shqiptarë në hapësirën e tyre dhe në diasporë.


 

Ndërrimi i motmoteve, ripërtëritje e dashurisë vëllazërore

                   Kërko brenda në imazh                 Nga :  FLORI BRUQI  Për të festuar Viti i Ri 2025 , ja disa urime që mund të ndani ...