2022-06-10

Trazirat në Kapitol, zbulohen detaje rrëqethëse. Trump kërkoi varjen e Mike Pence

 


trump 1280x720

Ish-presidenti Donald Trump orkestroi trazirat e viti të kaluar në Kapitol, në një përpjekje për grusht shteti. Kështu u tha në seancën e parë publike të komisionit që po heton sulmin ndaj Kongresit Amerikan nga ana e mbështetësve të Donald Trump, pas pretendimeve të ish-presidentit për manipulim të zgjedhjeve.

Liz Cheney, zëvendëskryetare e komisionit tha se Trump kishte qenë nxitës i trazirave. Komisioni zbuloi detaje rrëqethëse, që sugjeronin se atëherë kreu i Shtëpisë së Bardhë, ishte pajtuar me thirrjet se zëvendësi i tij, Mike Pence duhej të varej.

“Presidenti besonte se mbështetësit e tij në Kapitol, po bënin atë që duhej të bënin. Kështu i tha stafit që i lutej të qetësonte turmën dhe ta udhëzonte të largohej. Presidenti tha “ndoshta mbështësit tanë kanë të drejtë. Mike Pence e meriton këtë”, tha Liz Cheney

“6 janari i vitit 2021 ishte kulmimi i një grushti të dështuar shteti, një përpjekje e pacipë për të përmbysur qeverinë. Dhuna nuk ishte aksident. Ajo përfaqësoi mundësinë e fundit të dëshpëruar të Trump për të penguar transferimin e pushtetit”, deklaroi Bennie Thompson.

Pas një viti hetime, komisioni i drejtuar nga demokratët e dhomës së përfaqësuesve, nisi seancën në mbrëmjen e së enjtes, duke shfaqur klipe të intervistave që kishte kryer me pjestarë të rrethit të ngushtë të Trump.

Ish-prokurori i përgjithshëm, Bill Barr, dëshmoi se vazhdimisht i kishte thënë ish-presidentit se pretendimet për vjedhje të votave ishin të gabuara.

“Ia bëra të qartë se nuk jam dakord me idenë se zgjedhjet janë vjedhur dhe se këto pretendime ishin thjesht të pavërteta”, tha Barr.

Seanca përfshiu gjithashtu një intervistë të Ivanka Trump, vajza e manjatit të pasurive të patundshme, e cila tha se e kishte pranuar refuzimin e Barr lidhur me teorinë konspirative të të atit. “Unë e respektoj prokurorin e përgjithshëm, kështu e pranova atë që ai tha”.

Para nisjes së seancës publike, e para nga 6 të tilla që pritet këtë muaj, Trump e sulmoi atë duke e quajtur mashtrim politik.

Ish-presidenti ka sugjeruar në daljet publike se po mendon të rikandidojë për Shtëpinë e Bardhë në zgjedhjet e 2024-s.

Kërkesa e Scholz për njohjen e Kosovës, Moska: A janë këta miq të Serbisë? Beogradi nuk i ka borxh BE-së

 


moska sheshi i kuq 1275x720

Rusia reagoi me kritika ndaj mesazheve të kancelarit gjerman, Olaf Scholz, në vizitën e tij në Prishtinë.

“Beogradi nuk i ka borxh asgjë Brukselit”, u shpreh zëdhënësja e ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, duke komentuar deklaratën e Scholz për nevojën që Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës, në mënyrë që të anëtarësohet në Bashkimin Europian.

“A janë këta ‘miq’ të Serbisë?”, pyet Zakharova duke shtuar se perëndimi është borxhli ndaj serbëve. “Popullit serb tashmë po i thuhet vazhdimisht se çfarë dhe si të bëjë. Çfarë do të ndodhë më pas?”, shkruan në telegram zyrtarja e Ministrisë së Jashtme ruse. Duke raportuar këtë reagim, mediat në Moskë risjellin në vëmendje thirrjen e ministrit të Brendshëm serb, Aleksandër Vulin, që vendi i tij të rishikojë planet për integrim në BE.

Gjithashtu, edhe deklaratën e vetë presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, se Unioni Europian është një faktor i rëndësishëm në botë, por rëndësia e tij po bie bashkë me fuqinë e tij ekonomike.

NASA nis hetimin për UFO-t

 

ufo 1024x576

NASA i është bashkuar kërkimit dhe studimit të të ashtuquajturave fenomene ajrore të paidentifikuara, ato që dikur quheshin UFO. Agjencia Amerikane e Hapësirës ka njoftuar se në vjeshtë do të nisë një hetim 9-mujor të financuar me 100 mijë dollarë. Konkluzionet do të përfundojnë në një raport publik. Vendimi u mor për t’i dhënë një qasje shkencore ekzaminimit të fenomenit, për të cilin u shfaq interes edhe nga inteligjenca dhe parlamenti amerikan.

Hetimi do të kryhet nga ekspertë të autorizuar shkencorë dhe ekspertë të aeronautikës.

“Një nga rezultatet e këtij studimi, do të jetë që të gjithë të kuptojnë se procesi shkencor është i vlefshëm për trajtimin e të gjitha problemeve, përfshirë këto”, shpjegoi në një konferencë shtypi Thomas Zurbuchen, administrator i asociuar i NASA-s dhe autor i vendimit. Objektivat janë të mblidhen sa më shumë të dhëna (nga qeveritë, kompanitë private, shoqatat, individët), të përcaktohen ato që mungojnë dhe të vendoset se me cilat mjete do të kryhet analiza në të ardhmen.

Në qershor 2021, inteligjenca amerikane arriti në një raport se nuk kishte prova për ekzistencën e formave të jetës jashtëtokësore, por pranoi se dhjetëra fenomene të zbuluara nga pilotët ushtarakë, nuk mund të kishin një shpjegim. Sipas Pentagonit, një numër në rritje i objekteve të paidentifikuara, janë raportuar në qiell gjatë 20 viteve të fundit.

Covid-19 nuk doli nga laboratori.

 



Covid-19 nuk doli nga laboratori. Është ky qëndrimi zyrtar që mbështetet nga 22 ekspertë të rëndësishëm të botës për koronavirusët dhe virusët gjenetikë. Ata paraqitën prova në një raport të publikuar online.

Konkluzioni I shkenctarëve është që janë thuajse të sigurtë që Covid-19 doli nga një kafshë. Dilemat e mëdha për origjinën janë të shumta, saqë kanë mbërritur dhe në Shtëpinë e Bardhë Amerikane.

Shkenctarët thonë se është një rastësi që Covid-19 nisi në qytetin kinez me laborator virologjie.

Gjithashtu shtojnë se Wuhani u shndërrua në epiqendër pasi ka disa tregje për kafshët dhe është një vend tranziti për udhëtarët.

 Ndërkohë, pista që koronavirusi I ri të ketë dalë nga laboratori është rrëzuar edhe nga ekspertët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, të cilët disa javë më parë publikuan rezultatet e një hetimi në Wuhan.

OBSH: Origjina e paqartë e COVID-it, të studiohet teoria e rrjedhjes laboratorike

 






Një grup ekspertësh i krijuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), për të ndihmuar në hetimin e origjinës së pandemisë së koronavirusit, tha se nevojiten kërkime të mëtejshme për të përcaktuar se si filloi COVID-19, duke përfshirë një analizë më të detajuar të mundësisë së një aksidenti laboratorik.Ky qëndrim shënon një përmbysje të mprehtë të vlerësimit fillestar të Agjencisë së Shëndetit të OKB-së për origjinën e pandemisë. OBSH-ja, vitin e kaluar, arriti në përfundimin se ishte “jashtëzakonisht pak e mundshme” që COVID-19 është përhapur te njerëzit nga laboratori.

Shumë shkencëtarë dyshojnë se koronavirusi është transmetuar te njerëzit nga lakuriqët e natës, përmes kafshëve të tjera. Në raportin e publikuar të enjten, grupi i ekspertëve të OBSH-së tha se ende mungojnë “të dhënat kryesore” , të cilat do ta sqaronin se si filloi pandemia .

Shkencëtarët thanë se grupi “do të mbetet i hapur për të gjitha provat shkencore që do të jenë të qasshme në të ardhmen, në mënyrë që të mundësojë testimin gjithëpërfshirës të të gjitha hipotezave të arsyeshme”.dentifikimi i burimit të sëmundjes tek kafshët zakonisht zgjatë me vite. U deshën rreth 15 vjet që shkencëtarët të gjenin llojet e lakuriqëve të natës që ishin rezervuar natyror për SARS-in, kushëri i COVID-19.

Grupi i ekspertëve të OBSH-së gjithashtu vuri në dukje se, duke qenë se aksidentet laboratorike kanë shkaktuar disa epidemi në të kaluarën, kjo teori, shumë e politizuar, nuk mund të hidhet poshtë.

Ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka spekuluar disa herë – pa prova – se COVID-19 u nis në një laborator kinez. Ai akuzoi gjithashtu OBSH-në për “bashkëpunim të fshehtë” me Kinën për të mbuluar epideminë fillestare, duke iu referuar faktit se OBSH-ja në vazhdimësi e ka lavdëruar publikisht këtë vend.

Grupi i ekspertëve të OBSH-së tha se drejtori i përgjithshëm i agjencisë së shëndetit të OKB-së, Tedros Adhanom Gebrejesus u dërgoi, në muajin shkurt, dy letra zyrtarëve të lartë të qeverisë kineze, duke kërkuar informacione, përfshirë detajet për rastet më të hershme njerëzore të COVID-19 në qytetin e Vuhan. Është e paqartë nëse kinezët u përgjigjën.










Ekspertët thanë se OBSH-së nuk i është dorëzuar asnjë studim, i cili do të vlerësonte mundësinë e përhapjes së COVID-19, si rezultat i një rrjedhjeje nga laboratori.Ata thanë se të kuptuarit e tyre, lidhur me atë se si u shfaq koronavirusi, ishte i kufizuar në disa faktorë, duke përfshirë faktin se jo të gjitha kërkimet e paraqitura nga shkencëtarët kinezë ishin publikuar.

Jamie Metzl, i cili është anëtar i grupit të pavarur këshillues të OBSH-së, sugjeroi që Grupi i shtatë kombeve të industrializuara të vendosë hetimin e vet për origjinën e COVID-19, duke thënë se OBSH-së i mungonte autoriteti politik, ekspertiza shkencore dhe pavarësia për të kryer një vlerësim të tillë kritik.Metzl përshëndeti thirrjen e OBSH-së për hetime të mëtejshme mbi mundësinë e një rrjedhjeje nga laboratori, por tha se kjo nuk ishte e mjaftueshme.

“Tragjikisht, qeveria kineze vazhdon të refuzojë të ndajë të dhënat bazë të papërpunuara dhe nuk do të lejojë auditimin e nevojshëm dhe të plotë të laboratorit në Vuhan”, theksoi ai dhe shtoi:“Marrja e qasjes në këtë informacion është thelbësore për të kuptuar se si filloi kjo pandemi dhe për të parandaluar pandemitë e ardhshme”.

Ekspertët shkencorë të OBSH-së thanë se nevojiten një sërë rrugësh kërkimore, duke përfshirë studime që vlerësojnë rolin e kafshëve të egra, të cilat konsiderohen se janë rezervuari natyror i COVID-19, si dhe studime mjedisore në vendet ku virusi mund të jetë përhapur për herë të parë, siç është tregu i ushqimeve të detit në Huanan, në Vuhan.

Në mars të vitit 2021, OBSH-ja publikoi një raport mbi origjinën e COVID-19, pas një vizite shumë formale të shkencëtarëve ndërkombëtarë në Kinë. Raporti arriti në përfundimin se sëmundja ka shumë të ngjarë të jetë përhapur te njerëzit nga lakuriqët e natës dhe se nuk kishte prova që të tregonin një lidhje me laboratorin.

Megjithatë, pas kritikave të rëndësishme, përfshirë nga disa shkencëtarë nga ekipi i OBSH-së, kreu i OBSH-së, Tedros Gebrejesus, pranoi se ishte “e parakohshme” të përjashtohej rrjedhja nga laboratori dhe tha se i është lutur Kinës që të ishte më transparente në shkëmbimin e informacioneve.Në raportin e saj të ri, OBSH-ja tha se ekspertët kanë fituar qasje në të dhënat që përfshijnë mostra të papublikuara gjaku nga më shumë se 40,000 njerëz në Vuhan, në vitin 2019. Mostrat u testuan për antitrupa ndaj COVID-19. Asnjë nuk u gjet, duke sugjeruar se virusi nuk u përhap përpara se të identifikohej për herë të parë në fund të dhjetorit të atij viti.

Ekspertët e OBSH-së kanë bërë thirrje për një numër studimesh, duke përfshirë testimin e kafshëve të egra, për të zbuluar se cilat specie mund të jenë nikoqire të COVID-19.

Për të hulumtuar nëse pandemia COVID-19 mund të ketë qenë rezultat i një aksidenti laboratorik, ekspertët e OBSH-së thanë se kërkimi duhet të kryhet “me stafin laboratorik të ngarkuar për menaxhimin dhe zbatimin e sigurisë biologjike”, duke thënë se kjo do të sigurojë më shumë informacione për atë se si janë menaxhuar viruset e ndërlidhura me COVID-19.

Më herët, Kina e vlerësoi si “të pabazuar” sugjerimin se COVID-19 e kishte origjinën në laborator dhe deklaroi se virusi mund të kishte origjinën në objektet amerikane, për të cilat dihej gjithashtu se po hetojnë koronavirusët te kafshët.

Qeveria kineze tha se e mbështet kërkimin për origjinën e pandemisë, por se vendet e tjera duhet të jenë në fokus.

Shkencëtarët e lidhur me OBSH-në paralajmëruan në gusht të vitit 2021 se kërkimi për origjinën e pandemisë kishte ngecur dhe se dritarja e mundësive po “mbyllet shpejt”. Ata paralajmëruan se mbledhja e të dhënave, të cilat tani janë të vjetra të paktën dy vjet, është gjithnjë e më e vështirë.

Sa kemi humbur territor, cilat shtete na i gllabëruan/ 144 Vjet nga themelimi i Lidhjes së Prizrenit

 


Hava Orana XhukolliNGA HAVA ORANA XHUKOLLI 
Lidhja e Prizrenit

Në 144 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit, Lidhja Shqiptare e Prizrenit u vlerësua si një nga ngjarjet më të rëndësishme në historisë tonë mbarëkombëtare. Kjo datë u shënua edhe sot dhe u vlerësua nga krerët më të lartë të shtetit.

Lidhja e Prizrenit kishte kulmuar me krijimin e një qeverie të përkohshme, në krye me Ymer Prizrenin, ministër të Jashtëm Abdyk Frashërin, ministër lufte Sylejman Vokshin dhe që kërkonte njohjen e një shteti nën sovranitetin e Portës së Lartë, Perandorisë Osmane.

Në fakt Lidhja e Prizrenit u krijua nën ideologjinë e rilindjes kombëtare, të mbledhur kryesisht asokohe në Stamboll.

Shqiptarët me 1878 shtriheshin përtej Nishit që sot gjendet në Serbi, shtriheshin deri në kufirin e sotëm të Maqedonisë me Bullgarinë, ishin shumicë në Selanik, dhe ende shtriheshin në gjysmën e Greqisë së sotme, ndërsa kishin edhe Sanxhakun, dhe një pjesë të konsiderueshme të Malit të Zi, përfshirë, Ulqinin dhe Tivarin.

Shumë prej këtyre qyteteve, si Tivarin dhe Ulqinin, detyrohen t’i braktisin pasi nga deti sulmoheshin nga fuqitë e mëdha e nga toka nga Perandoria Osmane.

“Lidhja Shqiptare e Prizrenit është një nga ngjarjet më të rëndësishme në historisë tonë mbarëkombëtare. Ky kuvend historik për kombin, nëpërmjet organizmit gjithëkombëtar politik dhe luftarak, paraqet organizim kulmor për çlirimin e trojeve shqiptare dhe mbrojtjen e tyre nga çdo kërcënim dhe pretendim i vendeve fqinje”, ka thënë Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Sipas presidentes, kjo Lidhje parqet bashkimin më të madh të shqiptarëve pas Kuvendit të Lezhës, ndaj sot në 144 vjetorin e saj, kujtojmë me respekt ideologët e saj si: Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri, Sylejman Vokshi e të tjerë, të cilët arritën unitetin e faktorit shqiptar, i cili është i nevojshëm edhe sot e kësaj dite.

“Lidhja Shqiptare e Prizrenit është frymëzim i përhershëm për emancipimin tonë kombëtar, konfirmimin e orientimit tonë evropian, si dhe referencë e fuqishme në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë e pavarësisë”, ka thënë Osmani, njofton zyra për informim e Presidencës.

Duke u lidhur më këtë përvjetor, për ‘Bota sot’ flet profesori universitar, Sulejman Mehazi. Ai thotë se përvjetorët e patriotëve më të spikatur të Rilindjes Kombëtare të Lidhjes së Prizrenit, në krye me vëllezërit Frashëri, vijnë e shkojnë, por idealet e këtyre burrave të mëdhenj për bashkimin e trojeve shqiptare sot e kësaj dite mbetën iluzione të parealizuara, krejt për shkak politikës së mbrapshtë e karrieriste të udhëheqësve shqiptarë që nga pavarësia e Shqipërisë, 1912 e deri më sot.

“Derisa ideali i Rilindësve të Lidhjes së Prizrenit ishte dashuria ndaj historisë së lavdishme të popullit tonë, dashuria ndaj gjuhës shqipe, bashkimi dhe krijimi i shtetit të Shqipërisë brenda gjitha trojeve shqiptare, politikanët shqiptarë pas pavarësisë e deri më sot jo që nuk i realizuan idealet e kolosëve të mëdhenj të Rilindësve, por i tradhtuan këto ideale kombëtare”, vlerëson ai.

Mehazi: Ku mbeti porosia e Sami Frashërit në Shqipëria ç'ka qenë, ç'është e ç'do të bëhet?

Image
Profesori Sulejman Mehazi
FOTO GALERI

Madje Mehazi pyet se ka mbetur edhe porosia e shkrimtarit të madh, Sami Frashërit.

“Ku mbeti porosia e Sami Frashërit në veprën ideore, politike, ekonomike e shtetërore: "Shqipëria ç'ka qenë, ç'është e ç'do të bëhet" (1899)?, askundi, nga këto tre porosi të Sami Frashërit, dyqindvjet më pas vetëm njëra është realizuar, e para, "Shqipëria ç'ka qenë", kurse dy të tjerat, "çështë Shqipëria e ç'do të bëhet" mbetën vetëm dëshira popullore e asgjë më shumë. Shqipëria e sotme e Samiut, Naimit e Abdyl Frashërit është me Serbinë e Ballkanit të Hapur e jo me Lidhjen e Prizrenit të Kosovës, Shqipëria e sotme është e përçarë në shqiptarë të Shqipërisë, shqiptarë të Kosovës dhe shqiptarë të RMV-së, pikërisht nga politikanët e shitur e të korruptuar shqiptarë. Ardhmëria e Shqipërisë së Sami Frashërit është në Ballkanin e Hapur të Serbisë e jo në atë që dëshironte Sami Frashëri në BE tog e të bashkuar në një shtet”, thekson ai.

Lidhur me përvjetorin e Lidhjes së Prizrenit, edhe historian Jahja Drancolli ka ndarë disa të dhëna interesante. Ai në faqen e tij në Facebook, duke folur për këtë ngjarje ka thënë se kur është themeluar kjo Lidhje, kishte një organizim politik gjithëkombëtar, ndërsa jep edhe disa statistika për numrin e popullsisë shqiptare nëpër qytetet kryesore, ku rezulton se aso kohe Prizreni ishte qyteti më së shumti banore, dhe gati pesëfish më i madh se Prishtina.

“Si sot, në vitin 1878 është themeluar Lidhja Shqiptare e Prizrenit, një organizim politik gjithëkombëtar: Sipas statistikave europiane të kohës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, botuar në "Nouvelle Géographie Universelle" (Gjeografia e Re Universale/Botërore), Paris, 1876, Prizreni rezulton të jetë qyteti më i madh në Shqipëri me 46.000 banorë. Pas Prizrenit vinin sipas këtij rendi: Manastiri 40.000 banorë, Shkodra 35.000, Shkupi 30.000, Janina 25.000, Gjakova 25.000, Tetova 22.000, Peja 20.000, Prishtina 10.000, Tirana 10.000, etj”, shkruan Dran[olli.

Historiku i Lidhjes së Prizrenit

Image
Lidhja e Prizrenit
FOTO GALERI

Lidhja e Prizrenit ishte lëvizja e parë shqiptare e madhe e organizuar në mënyrë administrative, politike dhe ushtarake që prej kohës së Skënderbeut. Të detyruar nga rrethanat specifike të vitit 1878, shqiptarët thirrën një Kuvend Mbarëkombëtar, i cili synonte bashkimin e Shqipërisë.

Pas firmosjes së Marrëveshjes të Shën Stefanit mes Rusisë dhe Turqisë, ku Shqipërisë nuk iu njoh asnjë e drejtë territoriale, dhe në pritje të Kongresit të Berlinit, i cili me shumë mundësi do t’i hiqte hartës shqiptare krahina të shumta, atdhetarët shqiptarë ideuan këtë mbledhje, ku do të shpallnin ndarjen përfundimtare nga sundimi osman.

Më 10 qershor 1878 në Prizren të Kosovës, Kuvendi hapi dyert për të pritur delegatët, të cilët do të vinin nga të katërt Vilajetet e Shqipërisë: Shkodrës, Manastirit, Janinës dhe Kosovës.

Edhe pse fraksione të ndryshme penguan organizimin e kësaj mbledhjeje dhe një pjesë e mirë e të ftuarve arritën me vonesë, Kuvendi i nisi punimet. Dy ishin rrymat kryesore që u debatuan: atdhetarët të cilët mbrojtën idenë e një bashkimi kombëtar dhe territorial, dhe fraksionet osmane të cilët ushtronin presionin që edhe nëse Shqipëria do të funksiononte veç administrativisht, sërish të varej nga Porta e Lartë. Kuvendi, i cili themeloi Lidhjen e parë mbarëshqiptare zgjati 5 ditë dhe numri i delegatëve shkoi në 110.

Një nga fjalimet që u mbajt mend aty ishte ai i Abdyl Frashërit: “Qëllimi i Kuvendit është që t’ua presim hovin armiqve të pashpirt, duke lidhur besën shqiptare dhe duke u betuar që t’i mbrojmë me gjak trojet që na kanë lënë gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë”. Dy aktet e para që mori Lidhja e Prizrenit ishin një peticion nisur Kongresit të Berlinit dhe një tjetër Perandorisë osmane. Aty i bënin të qartë se Shqipëria nuk mund të jepte asnjë pëllëmbë tokë nga viset e saj, të shoqëruara me dhjetëra firma nga atdhetarët pjesëmarrës.

Një nga hapat e tyre të parë ishte të hartonin një memorandum për Earl of Beaconsfield, përfaqësuesi britanik në Kongresin e Berlinit, ku formuluan parimet:

“Ashtu siç nuk jemi ose nuk duam të jemi turq, ne do të kundërshtojmë me gjithë forcën tonë këdo që dëshiron të na kthejë në sllavë, austriakë apo grekë. Ne duam të jemi shqiptarë. ”

Ndërsa territoret e pushtuara nga Mbretëria e Serbisë u braktisën, trupat e Lidhjes mbronin territoret që i ishin caktuar Principatës së Malit të Zi dhe qytetet Janina dhe Preveza në rajonin e Epirit të pretenduara nga Mbretëria e Greqisë .

Anëtarët kryesorë të Lidhjes ishin Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri, Sulejman Vokshi, Pashko Vasa, Idriz Seferi, Isa Boletini, shumë të tjerë. Meqenëse liga nuk mund të parandalonte copëtimin e zonave të populluara me shqiptar, ajo filloi të përqendrohej në zbatimin e kërkesave të brendshme politike.

Grimca plastike vërtetohen shkencërisht në gjakun e njeriut

 

Kjo është një çështje serioze për shëndetin. Grimcat nga plastika që përdorim çdo ditë e që jetojnë për qindra vjet, konsumohen po prej nesh në mënyrë të pavetdijshme përmes ushqimit, ujit dhe frymëmarrjes.

Është shumë e thjeshtë. Ndotja nga përdorimi masiv i qeseve plastike dhe produkteve të tjera plastike ka kontaminuar gjithë planetin – nga maja e malit Everest deri në oqeanet më të thella.

Por nëse themi planet, Everest apo oqean nuk do të thotë se problemi ëhstë i largët dhe se këtu në Shqipëri nuk po përballemi me të njëjtin shqetësim dhe situatë alarmante. Pjesë e këtij problemi është edhe shëndeti jonë.

Në një mënyrë apo tjetër, çdo produkt ushqimor në tryezë është i kontaminuar me grimca plastike mjafton të përmendim më bazikët, uji dhe kripa për të vijuar me gjithë varietetet, frutat e detit dhe ato të tokës, perimet, produktet dhe nën produktet shtazore, ato të paketuara, ato të eksportuara – pothuajse gjithçka që ne konsumojmë.

Jo pa arsye, rreziku plastik tek shëndeti është shndërruar në mision shkencor. Në mars të këtij vitit, ndotja mikroplastike është zbuluar për herë të parë në gjakun e njeriut, ku shkencëtarët gjetën grimca të vogla plastike në pothuajse 80% të njerëzve të testuar.

Zbulimi tregon se grimcat mund të futen nëpër trup dhe mund të mbeten në organe. Për këtë arsye, shkencëtartët kanë ngritur shqetësim alarmues pasi mikroplastika e analizuar në laborator rezulton se shkakton dëme në qelizat njerëzore. Grimcat e ndotjes së ajrit hyjnë në trup duke dëmtuar muret qelizore, krijojnë alergji të ndryshme deri tek shkaktimi i sëmundjeve vdekjeprurëse.

“Dëmtimi i qelizave është në shumë raste nisja fillestare e efekteve shëndetësore” konfirmon Evangelos Danopoulos, studiues shkencor Hull York Medical School në Britaninë e Madhe. “Duhet të shqetësohemi. Tani për tani, nuk ka vërtet një mënyrë se si mund ta mbrojmë shëndetin ndaj këtij fenomeni.”

Kujdesi më i mirë është shmangia e problemit në fillesën e tij, përkatësisht zvogëlimi i përdorimit të plastikës në jetën tonë të përditshme. Dhe kjo kërkon një përfshirje kolektive me përfshirjen e shoqërisë ku jetojmë, kompanive që prodhojnë plastikë dhe organeve rregullatore. Ne duhet të veprojmë pa vonesë të mëtejshme për të mbrojtur zinxhirin tonë ushqimor.

Në mbrojtje ndaj këtij fenomeni, Shqipëria po hyn në një fazë të re të kujdesit ndaj rrezikut që ndotja plastike shkakton në shëndet, mjedis dhe ekonomi. Muaji qershor 2022 shënon një kthesë në shmangien e qeseve plastike. Por ndërsa ligji tashmë i miratuar në Parlament hyn në fuqi dhe institucionet publike dhe ato ndërkombëtare janë duke drejtuar fushata me rëndësi ndërgjegjësimi – faktori kryesor që do ta bëjë nismën të jetë e suksesshme dhe jetesën tonë më të shëndetshme jemi vet ne konsumatorët!

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...