Në 144 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit, Lidhja Shqiptare e Prizrenit u vlerësua si një nga ngjarjet më të rëndësishme në historisë tonë mbarëkombëtare. Kjo datë u shënua edhe sot dhe u vlerësua nga krerët më të lartë të shtetit.
Lidhja e Prizrenit kishte kulmuar me krijimin e një qeverie të përkohshme, në krye me Ymer Prizrenin, ministër të Jashtëm Abdyk Frashërin, ministër lufte Sylejman Vokshin dhe që kërkonte njohjen e një shteti nën sovranitetin e Portës së Lartë, Perandorisë Osmane.
Në fakt Lidhja e Prizrenit u krijua nën ideologjinë e rilindjes kombëtare, të mbledhur kryesisht asokohe në Stamboll.
Shqiptarët me 1878 shtriheshin përtej Nishit që sot gjendet në Serbi, shtriheshin deri në kufirin e sotëm të Maqedonisë me Bullgarinë, ishin shumicë në Selanik, dhe ende shtriheshin në gjysmën e Greqisë së sotme, ndërsa kishin edhe Sanxhakun, dhe një pjesë të konsiderueshme të Malit të Zi, përfshirë, Ulqinin dhe Tivarin.
Shumë prej këtyre qyteteve, si Tivarin dhe Ulqinin, detyrohen t’i braktisin pasi nga deti sulmoheshin nga fuqitë e mëdha e nga toka nga Perandoria Osmane.
“Lidhja Shqiptare e Prizrenit është një nga ngjarjet më të rëndësishme në historisë tonë mbarëkombëtare. Ky kuvend historik për kombin, nëpërmjet organizmit gjithëkombëtar politik dhe luftarak, paraqet organizim kulmor për çlirimin e trojeve shqiptare dhe mbrojtjen e tyre nga çdo kërcënim dhe pretendim i vendeve fqinje”, ka thënë Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Sipas presidentes, kjo Lidhje parqet bashkimin më të madh të shqiptarëve pas Kuvendit të Lezhës, ndaj sot në 144 vjetorin e saj, kujtojmë me respekt ideologët e saj si: Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri, Sylejman Vokshi e të tjerë, të cilët arritën unitetin e faktorit shqiptar, i cili është i nevojshëm edhe sot e kësaj dite.
“Lidhja Shqiptare e Prizrenit është frymëzim i përhershëm për emancipimin tonë kombëtar, konfirmimin e orientimit tonë evropian, si dhe referencë e fuqishme në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë e pavarësisë”, ka thënë Osmani, njofton zyra për informim e Presidencës.
Duke u lidhur më këtë përvjetor, për ‘Bota sot’ flet profesori universitar, Sulejman Mehazi. Ai thotë se përvjetorët e patriotëve më të spikatur të Rilindjes Kombëtare të Lidhjes së Prizrenit, në krye me vëllezërit Frashëri, vijnë e shkojnë, por idealet e këtyre burrave të mëdhenj për bashkimin e trojeve shqiptare sot e kësaj dite mbetën iluzione të parealizuara, krejt për shkak politikës së mbrapshtë e karrieriste të udhëheqësve shqiptarë që nga pavarësia e Shqipërisë, 1912 e deri më sot.
“Derisa ideali i Rilindësve të Lidhjes së Prizrenit ishte dashuria ndaj historisë së lavdishme të popullit tonë, dashuria ndaj gjuhës shqipe, bashkimi dhe krijimi i shtetit të Shqipërisë brenda gjitha trojeve shqiptare, politikanët shqiptarë pas pavarësisë e deri më sot jo që nuk i realizuan idealet e kolosëve të mëdhenj të Rilindësve, por i tradhtuan këto ideale kombëtare”, vlerëson ai.
Mehazi: Ku mbeti porosia e Sami Frashërit në Shqipëria ç'ka qenë, ç'është e ç'do të bëhet?
Madje Mehazi pyet se ka mbetur edhe porosia e shkrimtarit të madh, Sami Frashërit.
“Ku mbeti porosia e Sami Frashërit në veprën ideore, politike, ekonomike e shtetërore: "Shqipëria ç'ka qenë, ç'është e ç'do të bëhet" (1899)?, askundi, nga këto tre porosi të Sami Frashërit, dyqindvjet më pas vetëm njëra është realizuar, e para, "Shqipëria ç'ka qenë", kurse dy të tjerat, "çështë Shqipëria e ç'do të bëhet" mbetën vetëm dëshira popullore e asgjë më shumë. Shqipëria e sotme e Samiut, Naimit e Abdyl Frashërit është me Serbinë e Ballkanit të Hapur e jo me Lidhjen e Prizrenit të Kosovës, Shqipëria e sotme është e përçarë në shqiptarë të Shqipërisë, shqiptarë të Kosovës dhe shqiptarë të RMV-së, pikërisht nga politikanët e shitur e të korruptuar shqiptarë. Ardhmëria e Shqipërisë së Sami Frashërit është në Ballkanin e Hapur të Serbisë e jo në atë që dëshironte Sami Frashëri në BE tog e të bashkuar në një shtet”, thekson ai.
Lidhur me përvjetorin e Lidhjes së Prizrenit, edhe historian Jahja Drancolli ka ndarë disa të dhëna interesante. Ai në faqen e tij në Facebook, duke folur për këtë ngjarje ka thënë se kur është themeluar kjo Lidhje, kishte një organizim politik gjithëkombëtar, ndërsa jep edhe disa statistika për numrin e popullsisë shqiptare nëpër qytetet kryesore, ku rezulton se aso kohe Prizreni ishte qyteti më së shumti banore, dhe gati pesëfish më i madh se Prishtina.
“Si sot, në vitin 1878 është themeluar Lidhja Shqiptare e Prizrenit, një organizim politik gjithëkombëtar: Sipas statistikave europiane të kohës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, botuar në "Nouvelle Géographie Universelle" (Gjeografia e Re Universale/Botërore), Paris, 1876, Prizreni rezulton të jetë qyteti më i madh në Shqipëri me 46.000 banorë. Pas Prizrenit vinin sipas këtij rendi: Manastiri 40.000 banorë, Shkodra 35.000, Shkupi 30.000, Janina 25.000, Gjakova 25.000, Tetova 22.000, Peja 20.000, Prishtina 10.000, Tirana 10.000, etj”, shkruan Dran[olli.
Historiku i Lidhjes së Prizrenit
Lidhja e Prizrenit ishte lëvizja e parë shqiptare e madhe e organizuar në mënyrë administrative, politike dhe ushtarake që prej kohës së Skënderbeut. Të detyruar nga rrethanat specifike të vitit 1878, shqiptarët thirrën një Kuvend Mbarëkombëtar, i cili synonte bashkimin e Shqipërisë.
Pas firmosjes së Marrëveshjes të Shën Stefanit mes Rusisë dhe Turqisë, ku Shqipërisë nuk iu njoh asnjë e drejtë territoriale, dhe në pritje të Kongresit të Berlinit, i cili me shumë mundësi do t’i hiqte hartës shqiptare krahina të shumta, atdhetarët shqiptarë ideuan këtë mbledhje, ku do të shpallnin ndarjen përfundimtare nga sundimi osman.
Më 10 qershor 1878 në Prizren të Kosovës, Kuvendi hapi dyert për të pritur delegatët, të cilët do të vinin nga të katërt Vilajetet e Shqipërisë: Shkodrës, Manastirit, Janinës dhe Kosovës.
Edhe pse fraksione të ndryshme penguan organizimin e kësaj mbledhjeje dhe një pjesë e mirë e të ftuarve arritën me vonesë, Kuvendi i nisi punimet. Dy ishin rrymat kryesore që u debatuan: atdhetarët të cilët mbrojtën idenë e një bashkimi kombëtar dhe territorial, dhe fraksionet osmane të cilët ushtronin presionin që edhe nëse Shqipëria do të funksiononte veç administrativisht, sërish të varej nga Porta e Lartë. Kuvendi, i cili themeloi Lidhjen e parë mbarëshqiptare zgjati 5 ditë dhe numri i delegatëve shkoi në 110.
Një nga fjalimet që u mbajt mend aty ishte ai i Abdyl Frashërit: “Qëllimi i Kuvendit është që t’ua presim hovin armiqve të pashpirt, duke lidhur besën shqiptare dhe duke u betuar që t’i mbrojmë me gjak trojet që na kanë lënë gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë”. Dy aktet e para që mori Lidhja e Prizrenit ishin një peticion nisur Kongresit të Berlinit dhe një tjetër Perandorisë osmane. Aty i bënin të qartë se Shqipëria nuk mund të jepte asnjë pëllëmbë tokë nga viset e saj, të shoqëruara me dhjetëra firma nga atdhetarët pjesëmarrës.
Një nga hapat e tyre të parë ishte të hartonin një memorandum për Earl of Beaconsfield, përfaqësuesi britanik në Kongresin e Berlinit, ku formuluan parimet:
“Ashtu siç nuk jemi ose nuk duam të jemi turq, ne do të kundërshtojmë me gjithë forcën tonë këdo që dëshiron të na kthejë në sllavë, austriakë apo grekë. Ne duam të jemi shqiptarë. ”
Ndërsa territoret e pushtuara nga Mbretëria e Serbisë u braktisën, trupat e Lidhjes mbronin territoret që i ishin caktuar Principatës së Malit të Zi dhe qytetet Janina dhe Preveza në rajonin e Epirit të pretenduara nga Mbretëria e Greqisë .
Anëtarët kryesorë të Lidhjes ishin Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri, Sulejman Vokshi, Pashko Vasa, Idriz Seferi, Isa Boletini, shumë të tjerë. Meqenëse liga nuk mund të parandalonte copëtimin e zonave të populluara me shqiptar, ajo filloi të përqendrohej në zbatimin e kërkesave të brendshme politike.