Kryetarët e komunave dhe bashkive shqiptare nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës janë mbledhur në Prizren për ta shënuar 144-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Ata janë pritur i pari i komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, të cilët së bashku ecën nëpër qytetin e Prizrenit për t’u ndalur në oborrin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ku u mbajt edhe manifestimi qendror.
Në fjalimet e rastit ata vlerësuan se nevojitet krijimi i më shumë urave te bashkëpunimit në mes të vendeve dhe se ky takim duhet të shërbejë për lidhje të reja në mes të shqiptarëve.
Qytetarët e pranishëm ishin tepër entuziastë për këtë organizim. Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj tha se ky takim duhet të shërbejë për intensifikim të marrëdhënieve në mes te komunave shqiptare me qëllim të përmirësimit të mirëqenies se qytetarëve.
Ndërsa Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se synohet rritja e bashkëpunimit në mes të shqiptarëve dhe mes komunave që përfaqësojnë.
Historianët sollën fakte rreth kësaj ngjarjeje që shënoi edhe kthesën e madhe të shqiptarëve për bashkim.
Ndërsa kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama pati disa kërkesa për Shqipërinë, që të ndihmojë Kosovën në rrugën e saj euroatlantike. Nga ana e tij kryetari i Preshevës, Shqipërim Arifi kërkoi interesim më të madh nga Qeveria e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës për shqiptarët e Luginës.