Kancelari gjerman, Olaf Sholz, nis sot vizitën e tij të parë në Ballkanin Perëndimor. Shteti i parë që do të vizitojë është Kosova, ku do të takohet me kryeministrin Albin Kurti. Kancelari pritet të takojë edhe kontingjentin gjerman të trupave të KFOR-it.
Në fokus të vizitës, do të jetë perspektiva e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE, si dhe kontributi i Gjermanisë në përmirësimin e bashkëpunimit rajonal.
Më 4 maj, kryeministri Kurti ishte në Gjermani për një vizitë zyrtare me ftesë të kancelarit gjerman, Olaf Scholz. Në një konferencë të përbashkët pas takimit të zhvilluar me dyer të mbyllura, Scholz theksoi se çështjet e hapura mes Kosovës dhe Serbisë duhet të zgjidhen hap pas hapi, për të mundësuar paqe dhe stabilitet rajonal.
Mes të tjerash, Scholz pati theksuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe krijimit të një tregu të përbashkët rajonal brenda Procesit të Berlinit.
Po të premten, kancelari gjerman do të vizitojë edhe Beogradin, ndërsa të shtunën do të ndalojë në Maqedoninë e Veriut dhe Bullgari, në kuadër të turneut të tij në Ballkanin Perëndimor.