Se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e potencon jashtëzakonisht shpesh mundësinë për konflikt të hapur midis Kosovës dhe Serbisë, nuk e ka mohuar as vetë ai. Kurti ka treguar katër arsyet pse thotë se një gjë e tillë mund të ndodhë.
Sipas Kurtit, Beogradi zyrtar përveç se minon përpjekjet e Kosovës për t’u anëtarësuar në organizatat ndërkombëtare, po financon strukturat ilegale brenda Kosovës për ta minimizuar sundimin e ligjit dhe sovranitetin e kësaj pjese të vendit.
Në një intervistë me revistën zvicerane “Die Republik”, Kurti a thënë se arsyeja e dytë është që në Serbi nuk pajtohen me krimet e luftës që janë kryer në vitet e ’90-ta.
“Ata nuk kanë keqardhje”, ka thënë më tej Kurti derisa ka folur për këtë arsye.
Një tjetër gjë që sipas Kurtit mund të ndikojë në ndezjen e një konflikti të ri midis dy vendeve është se ndryshe nga Kosova, Serbia nuk është vend demokratik.
“Kosova është demokraci, Serbia jo. Kushdo që kufizohet me një autokraci është në rrezik”, ka thënë ai.
Dhe së kartërti, Kurti theksoi se Beogradi zyrtar mban lidhje të ngushta me presidenti despotik rus, Vladimir Putin.
“Vuçiqi e ka takuar Putinin gati 20 herë në 10 vjet, së fundmi më 25 nëntor të vitit 2021 në Soçi, tre muaj para fillimit të luftës”.
Për takimin e fundit Vuçiq-Putin, Kurti tha se ka qenë vetë presidenti serb që ka treguar se kanë diskutuar për veriun e Kosovës, madje duke ia treguar edhe në hartë Putinit se ku gjendet.
“Pyes veten, pse Putini është i interesuar për veriun e Kosovës”, ka thënë më tej Kurti.
Ai shtoi se për Putinin,ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999 kundër Serbisë ka qenë një fyerje.
“Ai kurrë nuk e njohu pavarësinë e Kosovës. Para luftës Putini foli jashtëzakonisht shpesh për Kosovën, madje e përdori si shembull për të mbështetur pushtimin e tij në Ukrainë”, tha kryeministri kosovar.
Për Kurtin konfliktin e krizën në Ballkanin Perëndimor e inkurajojnë vetëm zyrtarët serb.
Kjo nuk është intervista e vetme ku Kurti e ka përmendur potencialitetin e luftës. Një gjë të tillë e bëri edhe para disa ditësh në CNN.
Në intervistën e fundit është hera e tre në më pak se dy muaj që kryeministri i Kosovës flet për mundësinë e një lufte mes Kosovës dhe Serbisë në një medium ndërkombëtar.
Ai deklaroi se edhe përundër faktit se trupat e NATO-s janë në Kosovë, në kuadër të misionit paqeruajtës të KFOR-it, shqetësimet duhet të jenë evidente.
“Jemi të sigurtë, por kjo nuk do të thotë që s’duhemi të shqetësohemi”, tha ai.
Fjalën luftë Kurti e përmendi edhe në një intervistë për mediumin kroat, Vecernji List ditë më parë.
Aty tha se një prej arsyeve mund të përmendet armatimii Serbisë me pajisje ushtarake nga Rusia dhe Kina, për çka sipas tij, duhet të jetë i vëmendshëm Bashkimi Evropian.
Përveç armatimit, Kurti ka vënë theksin te vendosja e bazave ushtarake serbe në afërsi të kufirit me Kosovën.
“Marrë për bazë këto do të ishte e papërgjegjshme të thuash se nuk do të ketë kurrë konflikt, se nuk do të ketë më luftë. Nëse nuk ka përgatitje për luftë, pse Serbia dhe Rusia kanë pasur 104 stërvitje dhe aktivitete të përbashkëta ushtarake nga 91 që kishin planifikuar dhe në të njëjtën kohë, dy stërvitje më të rëndësishme ushtarake të quajtur ‘Mburoja Sllave’ dhe ‘Vëllazëria Sllave’?”, kishte pyetur Kurti.
Edhe në gusht të vitit 2023, një javë pas tensioneve që ndodhën në veri të Kosovës për shkak të fillimit të implementimit të vendimeve të Qeverisë së Kosovës për targat dhe letërnjoftimet, në një intervistë për gazetën italiane “La Repubblica”, Kurti kishte folur për po të njëjtën gjë – rrezikun për konflikt të ri mes Kosovës dhe Serbisë.
Në vitin 1999 ka ndërhyrë për t’i dhënë fund luftës në Kosovë. Për 78 ditë me radhë, NATO-ja ka bombarduar caqet e ushtrisë së atëhershme serbe. Pas tërheqjes së saj nga Kosova, në qershor të ’99-ës, NATO-ja ka zbarkuar me misionin e saj paqeruajtës KFOR, të përbërë prej më shumë se 50.000 ushtarësh.
“Ne do të krijojmë një prani ushtarake, e cila do të garantojë mjedis të sigurt për kthimin e të gjithë refugjatëve dhe për të gjithë ata që janë të pastrehë brenda vetë Kosovës... Ne do të merremi direkt dhe me vendosmëri me secilin që përpiqet të na pengojë në arritjen e kësaj”, ka thënë atëkohë komandanti i NATO-s për Kosovën, Michael Jackson.
Që atëherë, KFOR-i është zvogëluar në pak më shumë se 3.700 ushtarë vitin e kaluar. Sot numëron mbi 4.600. Trupat janë shtuar këtë vit, për shkak të rritjes së tensioneve në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.
Aleanca ka dërguar qindra forca shtesë pas trazirave që ka shkaktuar instalimi i kryetarëve shqiptarë në katër komunat në veri - me ç’rast janë plagosur edhe dhjetëra ushtarë të KFOR-it - si dhe pas incidentit në Banjskë, ku grupe të armatosura serbësh kanë sulmuar policinë e Kosovës, duke vrarë një polic.
Ngjarja e 24 shtatorit në Banjskë është cilësuar si më e rënda që nga koha kur Kosova ka shpallur pavarësinë e saj në vitin 2008 dhe ka nxitur shqetësim ndërkombëtar për qëndrueshmërinë në vend. Kosova ka fajësuar aparatin shtetëror të Serbisë për sulmin, ndërsa Serbia serbët në Kosovë. Millan Radoiçiq që e ka marrë përgjegjësinë, vazhdon të jetë i lirë në Beograd.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka paralajmëruar fillimisht në Prishtinë, gjatë një vizite më 20 nëntor, se NATO-ja do të shqyrtojë shtimin e përhershëm të forcave në Kosovë, për ta mbajtur situatën nën kontroll.
Këtë javë, në margjina të një takimi të NATO-s në Bruksel, Stoltenberg ka përsëritur se aleanca do të bëjë çdo gjë që nevojitet për ta ruajtur qëndrueshmërinë në Ballkanin Perëndimor dhe se për këtë arsye do të diskutojë për shtimin e përhershëm të pranisë ushtarake në rajon.
“Tani po shqyrtojmë nëse kjo rritje [e trupave] duhet të jetë më afatgjate, nëse ka nevojë për kapacitete të reja, por deri më tani kemi ndërmarrë hapa të rëndësishëm, duke shtuar numrin e trupave tona”, ka thënë Stoltenberg.
Këtyre shqetësimeve u kanë bërë jehonë po këtë javë edhe Shtetet e Bashkuara. Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, James O’Brien, ka paralajmëruar si Kosovën, ashtu edhe Serbinë se shkaktimi i trazirave në veri të Kosovës, do të nënkuptonte përballje me NATO-n.
“NATO-ja është përgjigjur me vendosmëri ndaj aktorëve që synojnë ta destabilizojnë veriun e Kosovës. Ne kemi dislokuar trupa shtesë në KFOR. Po ashtu, kemi thelluar bashkëpunimin me forcën e udhëhequr nga Bashkimi Evropian në Bosnje e Hercegovinë”, ka thënë Blinken.
Në dritën e këtyre zhvillimeve, diplomacia perëndimore është duke u bërë trysni Kosovës dhe Serbisë për ta përshpejtuar procesin e normalizimit të marrëdhënieve. Nga Prishtina kërkon themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa nga Beogradi njohjen de facto të Kosovës.
Në këtë frymë e komenton edhe Charles Kupchan, nga Këshilli amerikan për Marrëdhënie me Jashtë, paralajmërimin e NATO-s për shtim të përhershëm të forcave në Kosovë.
“Unë nuk mendoj se kjo ‘e përhershme’ nënkupton disa qindra vite. Ideja është të blihet kohë për të ndihmuar Kosovën dhe Serbinë që të bëjnë përparim drejt formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, drejt marrëveshjes që BE-ja ka vënë në tavolinë për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre. Unë mendoj se NATO-ja do të qëndrojë për aq kohë sa i nevojitet. Ajo do ta ofrojë ndjenjën e sigurisë mes shqiptarëve dhe serbëve, se ajo do të ndihmojë në ruajtjen e paqes, derisa diplomatët bëjnë punën e vështirë”, thotë Kupchan për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.
Jasmin Mujanoviq, ekspert i politikave në Evropën Juglindore, thotë për Exposenë se shtimi i përhershëm i forcave të NATO-s në Kosovë, do të ndihmonte në stabilizimin e rajonit në mënyrë të konsiderueshme dhe do të dërgonte sinjal se NATO-ja i merr seriozisht kërcënimet e dukshme në Ballkanin Perëndimor.
“Kjo nuk është e mjaftueshme. Mendoj se NATO-ja, përfundimisht, duhet të punojë drejt zgjerimit të mëtejshëm në Ballkanin Perëndimor, duke i konsideruar Bosnjën dhe Kosovën si prioritete më urgjente. Por, për momentin, ky është një hap i mirë i ndërmjetëm”, thotë Mujanoviq.
Ai shton se dy figurat që përfitojnë nga këto tensione janë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili ende ka pretendime territoriale ndaj Kosovës, si dhe presidenti i Republikës Sërpska në Bosnje dhe Hercegovinë, Millorad Dodik, i cili ka tendenca secesioniste. Për situatën e krijuar edhe disa dekada pas përfundimit të luftërave në Ballkan, Mujanoviq, një pjesë të fajit e hedh mbi vetë bashkësinë ndërkombëtare.
“Qeveritë perëndimore kanë ndaluar t’i kushtojnë vëmendje Ballkanit dhe kanë besuar se procesi i rindërtimit dhe demokratizimit pas luftës mund të arrihet me kontribut minimal dhe me përfshirje minimale nga ana e tyre. Kështu nuk ka qenë më herët. Kur mendojmë për rindërtimin e pasluftës në Gjermani dhe në Japoni, përfshirja e aleatëve ka qenë në një shkallë shumë, shumë më të madhe”, thotë ai.
Dezinformimi në rrjetet sociale përhap panik për 'luftën' Kosovë-Serbi
Ndërkohë që barrikadat e serbëve të Kosovës që bllokojnë rrugët për në dy pika kufitare në kufirin me Serbinë janë hequr në rrjetet sociale dhe në disa platforma mediatike në mbarë botën po përhapen dezinformatat rreth konfliktit.
Kosova aktualisht është në trend në Twitter me mbi 250,000 postime në këtë rrjet social.
Përdoruesit e Twitter-it, kryesisht nga Ukraina, Rusia, Turqia, Spanja, Serbia, Kosova dhe Shqipëria, po shpërndajnë dezinformata për një gjoja “luftë” që ka shpërthyer midis Kosovës dhe Serbisë ose po shpërndajnë propagandë kundër pavarësisë së Kosovës.
Tweetet e deputetit ukrainas Oleksiy Goncharenko të dielën morën mijëra pëlqime, shpërndarje dhe komente pasi ai shkroi: “Ukraina është gati të veprojë me trupat tona në terren. Serbia po përpiqet të nisë një luftë agresive”.
Në fakt, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka deklaruar gatishmërinë për të ndërhyrë “nëse rrezikohet stabiliteti në veri të Kosovës”. Megjithatë, asnjë trupë ukrainase nuk është në terren në Kosovë. As Ukraina nuk e ka njohur sovranitetin e Kosovës.
James Ker-Lindsay, profesor vizitor në London School of Economics, LSE, i cili fokusohet në konfliktin, paqen dhe sigurinë në Evropën Juglindore, dënoi postimin e Goncharenkos në Twitter, duke i kërkuar atij që të “mos i përkeqësonte gjërat”.
“Ky është një koment i papërgjegjshëm dhe i panevojshëm. Dhe gjithashtu ngre të gjitha llojet e pyetjeve komplekse për të cilat nuk jam i sigurt se Ukraina është gati t’u përgjigjet. Nëse vërtet besoni në paqe, mos u bëni pjesë e problemit në Ballkan. Fokusohuni në shtëpi”, ka shkruar Ker-Lindsay.
Serbët e Kosovës ngritën barrikada të përbëra nga kamionë të mbushur me zhavorr për të bllokuar rrugët drejt dy pikave kufitare me Serbinë përpara se të hiqeshin të hënën.
Ato u ngritën pasi Qeveria e Kosovës vendosi të zbatojë të ashtuquajturat masa të reciprocitetit me Serbinë mbi targat e automjeteve dhe ID-të për një muaj, përpara se të binte dakord të shtynte masat nëse hiqen barrikadat.
“Pikakalimet në Jarinje dhe Bërnjak mbeten të mbyllura”, tha kryeministri Albin Kurti të hënën për mediat, duke shtuar se “të gjitha pikat kufitare po nxjerrin dokumentin [e ri] 90-ditor të daljes-hyrjes. Deri në 1501 qytetarë janë pajisur me këtë dokument, duke pritur 20 sekonda”.
Në qershor Qeveria e Kosovës vendosi që çdo person që dëshiron të kalojë kufirin shtetëror duke përdorur letërnjoftime personale të lëshuara nga autoritetet serbe t’i lëshohen formularët e deklarimit të përkohshëm të vlefshëm për 90 ditë që zëvendësojnë dokumentin e lëshuar nga Serbia.
Vendimi i përgjigjet mosnjohjes nga autoritetet serbe të letërnjoftimeve të lëshuara nga Kosova, duke futur të njëjtën masë që Serbia zbaton ndaj qytetarëve të Kosovës.
Një përshkallëzim i ngjashëm ndodhi në shtator të vitit 2021, pasi qeveria e Kosovës kërkoi që automjetet me targa serbe të ndërroheshin me ato të përkohshme të lëshuara nga Kosova në kufi. Qytetarët e Kosovës që kanë targa me shkronjat RKS, shkurtesë e Republikës së Kosovës, kanë vite që duhet ta bëjnë këtë në kufirin me Serbinë.
Fotot e vitit të kaluar po shpërndahen në rrjetet sociale sikur ngjarja të kenë ndodhur të dielën, më 31 korrik 2022. Predikuesi mysliman shqiptar Elvis Naçi me 1.2 milion ndjekës në Instagram, ka shpërndarë një foto të forcave speciale të Kosovës duke lëvizur drejt barrikadave më afër kufirit. nga shtatori 2021 me mbishkrimin: “Zoti i ruajtë shqiptarët e Kosovës si dhe trimat e njësisë speciale që vendosin paqen dhe sigurinë”.
Postimi i deputetit ukrainas Goncharenko nuk ishte i vetmi që sugjeronte se një luftë tashmë ka shpërthyer midis Kosovës dhe Serbisë.
Shkrimtari turk Huseyin Hakkı Kahveci shkroi në Twitter në turqisht: “Lufta shpërtheu mes Serbisë dhe Kosovës. Zjarri FILLOI NË BALLKANIN e trazuar”.
Tweet-i i tij, i cili mori mbi 200 pëlqime dhe mbi 80 shpërndarje, pretendonte se “Forcat Speciale të Kosovës dërguan trupa shtesë në pikën kufitare Jarinje me Serbinë. Jemi në periudhën kur lufta fillon të përhapet në Evropë përmes BALLKANIT dhe në Rusi përmes KAUKAZIT”.
Nebojsa Malic, një kolumnist serb i Bosnjës për faqen Anti-War, përmes Twitter tha se “Kosova” e preferuara e NATO-s po përpiqet të fillojë një luftë me Serbinë tani,” duke pretenduar se kjo shpjegon se sa “mirë po shkon konflikti në Ukrainë. për Perëndimin”. Tweet-i i tij mori mbi 2000 pëlqime.
Krahas postimeve për shpërthimin e luftës ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, shumë përdorues të rrjeteve sociale, si dhe platforma mediatike, kanë shpërndarë informacione të pakonfirmuara për të shtëna mes forcave kosovare dhe serbe.
Llogaria në Twitter ConflictTr, me mbi 200,000 ndjekës, shkroi në Twitter: “Ushtarët kosovarë të lënduar në përleshjet në kufirin Serbi-Kosovë janë transferuar në spitalin shtetëror të Mitrovicës”.
Disa media kosovare si Nacionale dhe Indeks Online ndër të tjera kanë raportuar se një zyrtar i policisë së Kosovës dhe dy shtetas serbë janë plagosur nga të shtënat me armë zjarri mes policisë dhe qytetarëve që kanë ngritur barrikadat. Kjo nuk ishte e vërtetë. Nacionale më vonë e fshiu këtë lajm.
Ministri i Brendshëm i Kosovës Xhelal Svecla tha të hënën për media se “11 qytetarë janë lënduar dhe kanë marrë trajtimin e nevojshëm dhe disa automjete të qytetarëve dhe policisë janë dëmtuar nga strukturat e armatosura kriminale”. Policia e Kosovës po heton.
Megjithatë, nuk ka shpërthyer asnjë konflikt i armatosur mes Policisë Speciale të Kosovës dhe forcave policore apo ushtarake serbe.
Disa llogari në Twitter shpërndanë gjithashtu pretendimet “Kosova është Serbi”, të cilat shpesh janë pjesë e diskursit nacionalist serb.
Përdoruesja e Twitter-it, Inga Canarias, me mbi 1.5 mijë ndjekës, ka shpërndarë një foto të një murali ku shkruan “Kosova është Serbi” me përshkrimin në spanjisht: “Meqë duket se ka telashe mes Serbisë dhe Kosovës, duhet thënë edhe një herë. se Kosova është pjesë integrale, e patjetërsueshme e Serbisë”. Disa llogari spanjolle shpërndanë twitte të ngjashme.
Ish-i dërguari i administratës së Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, u përfshi në këto publikime, duke fajësuar kryesisht kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti për situatën, por edhe duke ndarë informacione të pasakta për ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.
“Le të jemi shumë të qartë, evropianët e shtynë Hagën të arrestojë (ish-presidentin) Hashim Thaçi pas 20 vitesh hetime thjesht sepse ai po negocionte me (Donald) Trump”, tha ai.
“Ata nuk kanë asgjë mbi të dhe e mbajnë në paraburgim për shkak të politikës. Kjo është arsyeja pse ICTY (Tribunali Ndërkombëtar i Krimeve për Jugosllavinë) duhet të shpërbëhet ”, tha Grenell në një postim në Twitter, i cili mori mbi 500 pëlqime