Konsumatori i Kosovës vazhdon të mbetet kategoria më e nënçmuar, më e eksploatuar dhe më e diskriminuar nga ata që i zgjodhi dhe tek të cilët i delegoi detyrat, obligimet, kompetencat, autorizimet dhe të drejtën e përfaqësimit ?!
Çuditërisht edhe ata, edhe familjet e tyre, edhe elektorati i tyre janë konsumatorë ?!
Mënyra se si është ndarë “ kulaçi “ është edhe një arsyetim i kërkesës për themelimin e Ministrisë për mbrojtjen e konsumatorit. Anise as kjo ministri, e rrezikuar nga rrymat politike dhe logjika e ndarjes ( në vend të logjikës së bashkimit ) të intereseve nuk ofron shumë garanci se do të bëhet më mire, prap se prap ofron, të paktën, më shumë pavarsi, më shumë qasje e përqëndrim në detyrën bazike, më shumë interaktivitet, më shumë…
As Buxheti i propozuar i Kosovës për vitin 2012 doli se nuk i përcjellë nevojat, kërkesat, intereset, shijet, specifikat, emergjencat…e konsumatorit, të palës, të klientit taksapagues. Jo të gjitha formatet, trajtat, entitetet e etnitë e konsumatorëve janë të përkrahura proporcionalisht e denjësisht, sipas meritës e kontributit, sipas prioritetit, sipas…Edhe ky Buxhet “ kundërmon “ të jetë fryt i diktimit politik, i “ koncenzusit “ politik, i inercionit të përfaqësimit të intereseve të partive dhe të grupeve të interesit. Edhe kësaj rradhe mbi interesin e Shtetit, mbi interesin e popullit, qytetarit, konsumatorit…u ngrit interesi partiak, interesi grupor ?! Ose, kjo “ elitë “ politike është ndarë e është larguar aq shumë nga konsumatori sa që nuk e njeh as vetvehten si konsumator, as kërkesat, as nevojat, as shijet, as intereset, as të drejtat…e veta ?!
As kësaj rradhe konsumatorin taksapagues për paratë e veta nuk e përfaqësoi askush, nuk e pyeti askush, nuk e konsultoi askush, nuk ia dha shansin askush, nuk do ta përfaqësojë e nuk do ta mbrojë askush ?! Çfar taksirati ?!
As në Buxhetin e propozuar të Kosovës për vitin 2012 nuk është paraparë asnjë cent për konsumatorin. Kështu, tetë të drejtat themelore të konsumatorit, të mbrojtura edhe me Udhëzimin e OKB-së, do të vazhdojnë të kontestohen në zbatim sepse konsumatorit nuk do t i jipet Shansi të shprehet, të vlerësoje e evaluojë produktet, mallrat e shërbimet që do t i ofrohen dhe, Përkundër obligimeve morale e etike; Përkundër obligimeve që dalin nga Ligji për mbrojtjen e konsumatorit dhe ligjet komplementare ( rrjedhimisht edhe nga obligimet kushtetuese ); Përkundër “ Programit… 2010 – 2014 “; Përkundër këshillave nga “ Raporti i Progresit 2011 “; Përkundër përkrahjeve, participimeve, donacioneve… konsumatori mbetet pa të drejtën për të shijuar, për të konsumuar…por edhe pa të drejtën për të evaluuar cilësinë, sasinë, çmimin, afatin, kontinuitetin…dinjitetin…?! Asnjë shenjë përkrahjeje konsumatorit me motivim të dinjitetshëm kuadrovik, teknik e material të institucioneve të mbikqyrjes dhe të inspektimit; Asnjë sinjal për laboratoret e cilësisë e lërë më për laboratoret e pavarura, të pandikuara të cilat do ta mbronin konsumatorin por edhe Shtetin, asnjë sinjal për këshillimoret e (pa)pavrura..
Qeveria, ministritë shpenzuese nuk e diskutuan fare mundësinë, detyrën dhe obligimin që, të paktën pjesërisht të gjenerojnë mjetet e Buxhetit, duke ia lehtësuar kështu barren vehtes dhe konsumatorit taksapagues. Kjo në veçanti do të duheshte të zbatohet te subvencionet të cilat duhet ndërlidhur me ngritjen e cilësisë, performansave, efektshmërisë, afateve…Kështu, vetvetiu imponohet pyetja: Cilat ishin kushtet e subvencioneve deri më tani, ose ato nuk ekzistonin fare…e paratë e konsumatorit taksapagues “ digjeshin “ ?! U pa se me numrin e kombajnave të subvencionuar doli e dyshimtë sasia e deklaruar e bereqetit të sivjemë të grurit ?! Ndërsa KEK-u ka harruar t i këthente mjetet e subvencionimit ?!
Të drejtat e konsumatorit preken kudo me ndarjen e tillë të Buxhetit. Por, ulja e “ hises “ së MTI-së e godet më shumë. As me 500.000 € më shumë gjatë vitit të kaluar MTI-ja nuk bëri asgjë për konsumatorin ( u theksua edhe në “ Raportin…2011 “ ) e pa këto mjete vitin e ardhëshëm kamë frikë se MTI-ja më së shumti do t i “ hakmerret “ konsumatorit. Kjo nga se MTI-ja në agjendë nuk i ka kryesoret të drejtat, intereset dhe dinjitetin e konsumatorit por ekonominë, bizneset, tregtinë e industrinë - të gjithat këto që mund t i hynë në hak konsumatorit e që, një raport i tillë, mund të prodhojë konflikt interesi të llojit të vet. Ky konflikt është një nga arsyet se përse ka kohë që jamë angazhuar dhe po angazhohem për themelimin e Ministrisë së veçantë për mbrojtjen e konsumatorit ?!
Ndarja simbolike e mjeteve për MAPH, njësoj si edhe rritja për vitin e ardhëshëm, do të “ kompenzohet “ gjetiu, psh në shëndetsi e cila duhet t i shërojë konsumuesit e dhuntive natyrore të cilët vazhdimisht helmohen nga bizneset e ndryshme që ndotin mjedisin. Ky “ kompenzim “ do t i hakmerret konsumuesve tjerë të shërbimeve shëndetsore, pacientëve pra, të cilëve nuk do t ju mjaftojë rritja e propozuar në MSH për vitin 2012 ?!
Duke pasur parasyshë faktin se të gjitha ministritë janë shpenzuese, se nuk kanë staf dhe nuk dëshmojnë se dine e bëjnë përpjekje për generimin e parasë, edhe ky Buxhet, kamë frikë se paralajmëron mjerim ?!
Garat mes partive politike në parlament për poena politik elektoral kanë lënë nën hije intereset bazike, kruciale, substanciale të konsumatorit – për ç gjë ai paguan me para dhe mbështetë me vote.
Performansat e dobëta në planifikimin / ndarjen e deritanishme të Buxhetit dhe shpenzimet e tij ( si në nivel Qendror poashtu edhe në nivelin Komunal ) bëjnë të imagjinojmë performansat e zymta të përmbushjes së kërkesave, nevojave, intereseve, të drejtave të konsumatorit…të satisfaksionimit të tij në raport me ligjet, standardet…me shijet dhe dëshirat. Prap konsumatorin nuk do ta dëgjojë askush, prap do të kemi “ Raport Regresi “, prap do t ia nisim nga fillimi, prapë do t i shkollojmë ca politikanë e zyrtarë të rinjë të cilët do të na kushtojnë shumë shtrenjtë, prapë…?! Prapë do të vendnumrojmë sepse konsumatorit taksapagues i është mbyllur goja, i është marrur vota e me paranë e tij menaxhojnë ata të cilët nuk ia njohin të drejtat, intereset e as dinjitetin ?!
Nuk e tha vetëm FMN-ja, se edhe konsumatori e di mire dhe po e bartë këtë mbi supe: Kosova ka kapacitet për mbi 4 MLRD/€ Buxhet - e nuk e ka ?! Kjo, nga se nuk jemi në gjendje t i eliminojmë strukturat ilegale ( paralele ) në Veri e Jug, të cilët bashkupunojnë e veprojnë edhe brenda instritucioneve, asociacioneve e agjensive të Kosovës duke e goditur pas shpine Kosovën. Mungesa e vullnetit, e gatishmërisë dhe e performansave të duhura brënda institucioneve të Kosovës lejon funksionimin e mbi 60.000 bizneseve “ paralele “ të cilat nuk i paguajnë asgjë arkës së Shtetit, figurojnë si të papunë, bëjnë konkurrencë jolojale, e rrezikojnë konsumatorin me produkte e shërbime të dyshimta…Mungesa e vullnetit më së shumti vërehet te organet e drejtësisë të cilat akoma nuk po munden ta gjejnë vehten mes Kanunit e Kushtetutës, gjë të cilën me shkathtësi po e shfrytëzojnë ” figurat e forta “, ortakët e arkës së Shtetit duke na imponuar seicili ligjin e vet, ligjin e më të fortit – si në Veri, si në Jug ?!
Këto janë disa nga arsyet përse na mungon mirëqenia dhe pse jemi të pakënaqur.
Kush i lejon, kush i mundëson, kush i “ sponzorizon “ të gjitha këto ?
Unë gjithëmonë kamë menduar se të gjithat këto i dinë, ose të paktën do të duheshte të dine të japin e përgjigje e përgjegjësi ata qe na e morën votën.
Konsumatori e meriton, i takon që nga taksat e veta t i ketë fondet e veta për vetkujdes e për vetëmbrojtje. Konsumatori nuk kërkon lëmoshë por e kërkon ate që i takon me afro 3 MLRD veprime e transaksione që i bën brënda muajit.
Selatin Kaçaniku, dhe KONSUMATORI, Prishtinë, Kosovë,
31.10.2011