2011-03-01

Margriet De Moor,Një sonatë për dashurinë




Momentalisht Moor konsiderohet si një nga përfaqësueset femra më të denja të letërsisë bashkëkohore. Në veprën e saj gërshetohen disa lloje arti. Letërsi, muzikë, pse jo edhe pak skulpturë. Kjo e bën veprën e saj më universale.

Për përkthyesin e saj të parë, Virgjil Kule, vepra e Moor ishte sa e bukur aq edhe e vështirë. “Vështirësi paraqiste mënyra se si autorja përdorte vetën e tretë në raport me vetën e parë dhe një tjetër vetë të parë, që shkon thellë në kujtesën e personazheve dhe m’u desh të mendohesha shumë që të gjeja një zgjidhje në përputhje me gjuhën shqipe”, - tregon Kule.

Për përkthyesen Edit Dibra romani “Sonata e Krojtzerit” është një histori dashurie. Dashuri për dashurinë dhe dashuri për artin.

Për të, të shkruarit është një lloj çmendurie që të mbërthen pa kuptuar. Prej vitesh është e përfshirë në këtë hulli, që i fal një kënaqësi të veçantë, ashtu si edhe muzika, një nga pasionet e saj të mëdha. Shkrimtarja holandeze Margriet de Moor mori pjesë në Panairin e Librit “Tirana 2006”, për të prezantuar te lexuesit e saj romanet “Në fillim gri, pastaj e bardhë, pastaj blu” dhe “Sonatën e Krojtzerit”.
Promovoni krijimtarinë tuaj në Tiranë, çdo të thotë për ju ky takim me lexuesin shqiptar?

Jam me të vërtetë e kënaqur. Ajo çka më bëri përshtypje gjatë promovimit është që jo vetëm që ju e njihni librin, e keni lexuar, por edhe e keni kuptuar dhe e doni këtë libër. Madje ndër ato që u thanë mësova gjëra që nuk i dija më parë mbi librin tim. Kjo është një shenjë e mirë që libri po kryen misionin e tij. Fillimisht libri është i shkrimtarit, por pasi kalon një periudhë kohe ai shkon te lexuesi dhe kritika, dhe në këtë moment libri i takon lexuesit.

 

Në fillim gri, pastaj e bardhë, pastaj blu


nga Margriet de Moor

Roman

Shtëpia Botuese: Dituria

Përktheu: Virgjil Kule

Numri i faqeve: 216

Çmimi: 700 lekë



Sa i rëndësishëm është për ju procesi i përkthimit dhe si e vlerësoni ardhjen e librit tuaj në shqip?

Që zinxhiri nga autori te lexuesi të funksionojë, duhet patjetër të jetë ndërmjetësi, përkthyesi dhe unë i falënderoj të dy përkthyesit e mi, që kanë sjellë në shqip librin tim dhe e kanë bërë atë të kuptueshëm për lexuesin. Në mënyrë që ai ta lexojë, ta prekë, ta ndiejë atë që përcillet në faqet e librit. Ashtu si në një orkestër që ka nevojë për një dirigjent, edhe në këtë rast është përkthyesi ai që përkthen, interpreton dhe i ofron veprën lexuesit.

Gjithmonë ka një arsye pse njeriu nis të shkruajë, juve si jeni përfshirë në krijimtarinë letrare?

Zellin për të shkruar ia dedikoj dy pasioneve të mia të mëdha, muzikës dhe leximit. Kur isha e vogël, isha e çmendur pas leximit dhe lexoja jo vetëm letërsi holandeze, por letërsi nga e gjithë bota. Lexoja çdo përkthim nga letërsia frënge, ruse, polake, gjithçka. Dhe në njëfarë mënyre besoja se letërsia botërore ishte letërsi holandeze. Dhe mendoj se kjo ndihmon shumë për shkrimin e biografive dhe autobiografive, jo vetëm për mua si lexuese, por edhe për lexuesit e mi. Si një lexuese e apasionuar harrova të shkruaj dhe m’u deshën 40 vjet për të shkuar te të shkruarit.Një ditë mendova përse të mos shkruaj edhe unë? E mbaj mend. Ishte ditë e hënë, ora tetë, kur u ula pas një tavoline me disa fletë të bardha përpara. Nisa të shkruaj një histori prej 10 faqesh dhe prej atëherë nuk kam pushuar së shkruari.

Cilat ishin temat që preferuat fillimisht dhe që ju shtynë të shkruanit?

Ka shumë tema për të cilat unë mund të shkruaj. Rrjedh prej një familje të madhe, prej 10 fëmijësh, prindërit e mi vijnë gjithashtu prej familjesh të mëdha nga 13 deri në 16 fëmijë, kështu që mund të merrja tema pa fund nga familja ime. Por mund të rimerrja edhe tema që i kisha lexuar nëpër libra, një bazë e mirë kjo, sidomos kur fillon të shkruash.


 

Sonata e Krojtzerit


nga Margriet de Moor
Roman

Shtëpia Botuese: Dituria

Përktheu: Edit Dibra

Numri i faqeve: 116

Çmimi: 500 lekë



Ju jeni njëkohësisht edhe një pianiste shumë e zonja. Sa ka ndikuar kjo në procesin e të shkruarit?

Muzika, formimi im në konservator si pianiste ishte një bazë shumë e fortë për të shkruar, madje t’ju them të vërtetën ndihem më shumë muzikante sesa shkrimtare. Për mua muzika është arti më abstrakt, megjithatë duhet thënë se ajo depërton në zemrën e njerëzve në mënyrë më të drejtpërdrejtë se çdo lloj arti tjetër. Që do të thotë që një art edhe pse abstrakt nuk të pengon të jesh i ndjeshëm dhe t’i bësh apel shpirtit njerëzor. Pra formimi muzikor ka ndikuar tek unë si shkrimtare dhe unë para se të krijoj një personazh shoh stilin, mënyrën e kompozimit të romanit, si të ishte një vepër muzikore. Por muzika nuk është i vetmi art që ka ndikuar tek unë. Bashkëshorti im është skulptor dhe kjo eksperiencë më ka bërë të kuptoj që një vepër arti duhet të qëndrojë, duhet të jetë solide.

Çfarë ju shtyu drejt “Sonatës së Krojtzerit”, përse kjo temë?

Në një kohë kur ekzistojnë qindra tema, kjo është pyetja më e vështirë. Ajo që më tërhoqi në këtë temë ishte loja me motivin estetik, që më zhvendosi nga muzika në letërsi. Por është edhe një lojë evropiane, pasi zhvendoset nga Gjermania në Rusi, në Çeki, pastaj në Holandë dhe jam kurioze të di se ku do të shkojë më tej. Çfarë njihni nga letërsia shqipe dhe cili është mendimi juaj? Nga letërsia shqipe njoh vetëm shkrimtarin e madh Ismail Kadare dhe mund të them se e njoh shumë mirë atë. Kur dëgjoj për Shqipërinë ndër mend kam Shqipërinë për të cilën Ismail Kadareja shkruan. Kështu që mendoj vetëm për Shqipërinë letrare, atë të pasqyruar në libra.

Patët ndonjë lloj ngurrimi përpara se të vinit në Shqipëri?

Në të vërtetë gjithmonë kam dashur të vij e ta vizitoj këtë vend. Nuk ka pasur asnjë lloj ngërçi, apo frike. Madje po të kisha më shumë mundësi do rrija më gjatë në Shqipëri, për të parë sa më shumë prej saj, pse jo për të mësuar. Këtu takova një punonjëse të shtëpisë botuese, e cila vetë i përkiste besimit ortodoks, bashkëshorti ishte mysliman, ndërsa nëna katolike. Për mua si holandeze ky ishte një rast shumë interesant, pasi momentalisht në Holandë ekziston një debat i madh në lidhje me ardhjen e shumë myslimanëve në shoqërinë tonë, gjë që është parë si problematike nga ana e holandezëve. Kështu që në këtë drejtim ne mund të mësojmë shumë nga Shqipëria. Është kënaqësi të dëgjosh historinë e kësaj familjeje, e cila nuk ka pasur kurrë probleme fetare, edhe pse brenda saj ekzistojnë tre syresh.

Intervistoi ALMA MILE

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...