| |||||
Akademia Suedeze për Çmimin Nobel në Letërsi vlerësoi, për vitin 2006, shkrimtarin turk Orhan Pamuk me motivacionin e mëposhtëm: “Orhan Pamuk është zëri që në kërkim të melankolisë së trishtë të qytetit të tij të lindjes, Stambollit, zbuloi simbolet e reja të përplasjes dhe gërshetimit të kulturave.” “Unë jam e kuqja – është një roman i ngrohtë, i mprehtë, gazmor, vëzhgues, psikologjik dhe jashtëzakonisht i bukur.” The Independent | |||||
Në Stambollin e shekullit XIV, disa miniaturistë punojnë në atelienë e një sulltani. Papritur, një prej miniaturistëve vritet dhe një mori ngjarjesh trazojnë jetën e këtyre njerëzve, që mundohen të bëjnë art sallonesh ashtu siç ishte moda e asaj kohe.
|
Vetë Orhan Pamuk nuk e ka shpjeguar përse i ka vendosur ngjarjet shekuj më parë dhe pse kërkon të analizojë jetën e
miniaturistëve të këtij arti kaq pak të njohur në ditët e sotme.
Një roman që zbërthen një nga temat më të diskutuara sot në botë, atë të dy kulturave, Lindjes dhe Perëndimit, por jo me gjuhën e filozofisë, shkencës apo politikës, por gjuhën e bukur të artit, ajo gjuhë që e thotë aq thjesht gjithë atë mundim që mund t’u hajë studiuesve kjo temë delikate. “Unë jam e kuqja”, një roman sa simbolik aq edhe i thellë prek temën më të ndjeshme sot në botë, atë të dy kulturave që edhe pse kanë një bagazh të rëndësishëm historik sërish janë të përfshira në debatet se cila dominon mbi tjetrën.
Për të shuar të gjithë debatet që mund të lindnin pas botimit të këtij romani jo vetëm artistik, por dhe një prej problemeve më bashkëkohore të kohës, Pamuk shkruan në hyrje të librit se: “Lindja dhe Perëndimi i përkasin Zotit”, duke iu referuar kështu një thënieje të huazuar nga Kurani.
Ky roman që e bëri famën e këtij shkrimtari të kishte një sukses të jashtëzakonshëm në vitet ‘97-‘98 ka ardhur në shqip, nga
përkthyesja Drita Çetaku. Kjo përkthyese që e ka njohur për herë të parë këtë autor në vitin 1998, vendosi, ende pa e imagjinuar
si një nobelist të ardhshëm, ta sillte në gjuhën shqipe.
Kohët e përkthimit të këtij autori duket se kanë qenë të pazakonta për përkthyesen, e cila e quan edhe këtë si një sfidë që kërkon të bëjë në botën e bukur të përkthimeve. Ajo çfarë kërkon vazhdimisht ndërsa endej në faqet e këtij romani, ishte ideja që ky libër të kishte të njëjtat ndjesi si në origjinal.
Pasionet e shekullit XVI, nuk kanë pse të humbasin shkëlqimin në shekullin XXI, kur mesazhet vijnë për kohën që ne jetojmë. Për të është vetëm një gjë e rëndësishme, që përkthimi të jetë sipas standardeve të duhura, në mënyrë që nobelisti të mos zhgënjejë lexuesin shqiptar.
Si lindi ideja për të përkthyer një autor si Orhan Pamuk?
D.Ç. - Ideja ka lindur kohë më parë se ai të mendohej si një nobelist i ardhshëm. Unë e kam lexuar këtë roman në vitin 1998, kur
sapo ishte botuar në Turqi dhe sigurisht për vlerat që mbart më ngacmoi që unë ta përktheja duke ia prezantuar edhe lexuesit
shqiptar. Sigurisht që në atë kohë unë nuk e dija se cila nga shtëpitë botuese mund të ishte e interesuar për të përkrahur këtë
nismë timen dhe mbeti për një kohë të gjatë thjesht një ide. Vitin që kaloi u takova me zonjën Flutura Açka të shtëpisë botuese
“Skanderbeg Books” dhe të dyja e kuptuam se kishim të njëjtën dëshirë, shumë të madhe që ky libër të vinte në libraritë
shqiptare.
Cilat kanë qenë vështirësitë që keni hasur në përkthimin e një romani si “Unë jam e kuqja”, i cilësuar nga kritika si një nga prodhimet më të mira të këtij autori?
D.Ç. - Është një roman jashtëzakonisht i bukur dhe cilësor, por të gjithë autorët e mëdhenj, përveç kënaqësisë së leximit kanë edhe vështirësinë gjatë përkthimit, për faktin se edhe tema që trajtohet është
paska e vështirë. Është një temë pak e panjohur për shqiptarët. Është një lloj diskutimi për artin e Lindjes dhe atij të
Perëndimit duke e konkretizuar me miniaturat. Miniaturat janë format e pikturave të aplikuara në shekujt e kaluar në shtetet e
lindjes. Sigurisht që kjo është diçka fare e panjohur për lexuesin shqiptar, dhe vështirësia niste që në termat që përdoren në
këtë drejtim.
Mund të na flisni se për çfarë flet romani?
D.Ç. - Duke e thënë fare thjesht, ngjarjet zhvillohen në fund të shekullit XVI në Stamboll, kryeqytetin e Perandorisë Osmane, në
atë periudhë dhe kryesisht ngjarjet lëvizin nga atelieja e sulltanit në shtëpitë e disa miniaturistëve që punojnë për llogari të
tij. Romani hapet me një vrasje të kryer dhe njëri prej këtyre miniaturistëve papritur zhduket, vritet nga dikush dhe megjithëse
në pamje të parë ngjan si një roman policesk i rëndomtë, ecuria duke kaluar nga faqe në faqe të jep të kuptosh se ke të bësh me
shumë plane brenda këtij romani. Nga plani policesk ke të bësh me lidhjen dashurore të një çifti, në dilemat e një artisti të
lindjes, ku ai papritur ndihet me artin e perëndimit. Sigurisht që romani nuk mund të shpjegohet kaq thjesht, pasi është një
orvatje e Pamuk për të treguar kulturën, themelin kulturor të Perëndimit dhe Lindjes.
Cilën anë të këtyre dy kulturave mban Pamuk?
D.Ç. - Do t’i përgjigjesha kësaj pyetjeje me një fjali të shkurtër që ai vetë e ka huazuar nga një libër i shenjtë,
Kurani, ku thuhet se “Lindja dhe Perëndimi i përkasin Zotit”, dhe këtë ai e ka vënë në hyrje të librit të tij.
Cilat kanë qenë pikat tuaja të takimit, përveçse atij nëpërmjet procesit të përkthimit me këtë autor?
D.Ç. - Unë, personalisht, nuk e kam takuar Pamuk, por thjesht e kam admiruar si shkrimtar. Shtëpia Botuese “Skanderbeg Books” në momentin që nisëm të merreshim me përkthimin e librit, ka kontaktuar me këtë autor, duke e ftuar të vijë në Shqipëri dhe ai e ka pranuar me kënaqësi këtë ftesë për të ardhur në panairin e librit në nëntor, por siç duket marrja e “Nobel”-it e shtyu edhe ardhjen e tij në Tiranë. Përveç librit “Unë jam e kuqja” që pritet të dalë këtë javë në treg ne kemi në proces edhe disa libra të tjerë të këtij autori për t’i sjellë në shqip. Po të shohësh librat e tij, ata janë shumë interesantë. Në disa prej tyre që në tituj ndeshim ngjyrat. Si “Libri i Zi”, “Bora”. Ai luan me kontrastet jo vetëm brenda librave, por që në titull, si romani “Kështjella e bardhë”, “Fytyra e fshehtë” që është bërë edhe film në Turqi, “Shtëpia e heshtur”. Romanet e tij janë tetë dhe unë mund të them se ato të fundit sa vijnë e bëhen gjithnjë e më të suksesshëm.
Sa kohë ju është dashur për ta përkthyer këtë roman?
D.Ç. - E gjithë puna ime për të sjellë në gjuhën shqipe Orhan Pamuk ka qenë gati një vit, duke pasur parasysh se gjatë kësaj kohe kam pasur edhe shkëputje normale për një proces pune.
A jeni njohur me modele të tjera përkthimi në gjuhë të tjera që ka pasur ky autor, apo jeni bazuar vetëm në botimin origjinal?
D.Ç. - Përkthimi im është bazuar në përkthimin nga origjinali, por gjatë këtij procesi pune më është dashur të shikoj edhe përkthimet që i janë bërë këtij autori në gjuhë të huaj. Kam parë një përkthim në anglisht të Erda Dognar,i cili e ka bërë këtë përkthim për në Amerikë dhe për mua ka qenë një përkthim jashtëzakonisht i suksesshëm. Por unë jam munduar të jem një përkthyese sipas origjinalit.
Intervistoi ALDA BARDHYLI