2011-03-05

U promovua monografia “Flakadani i Arsimit Kombëtar”



“Flakadani i arsimit kombëtar” përkon me mësuesin e gjithë mësuesve të Kosovës, i cili do të mbetet i papërsëritshëm dhe unikat në arsimin tonë kombëtar, u tha me rastin e promovimit të kësaj monografie kushtuar Mehmet Gjevorit, autorit të abetares së parë shqipe në Kosovë.
Në prag të 7 marsit, Ditës së Mësuesit, të premten në Bibliotekën Kombëtare Universitare të Kosovës u promovua libri “Flakadani i arsimit kombëtar”, i bashkautorëve Mehmet Gjevori dhe Mehmet Halimi.
Në promovimin e këtij libri morën pjesë drejtues të MASHT-it, përfaqësues të Ambasadës së Shqipërisë në Kosovë, intelektual, familjarë dhe miq të Mehmet Gjevorit.
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), Ramë Buja, duke folur për kontributin e çmuar ndër vite të Mehmet Gjevorit, ka thënë se Gjevori nuk është marrë më politikë, por ka krijuar politikanë. “Krejt kjo që ai ka bërë nuk pas mundësi të jetë jashtë politikës, ai s’është marrë me politikë, po politika është marrë me të. Ai s’është marrë me politikë, por ka krijuar politikanë, ai s’është marrë drejtpërdrejt me armën, por ka krijuar luftëtarë lire, ka krijuar bartës të lirës. Kjo është mrekullia që ne e imitofshim dhe paçim mundësi që disa të tillë të realizojmë e vështirë, besoj shumë e vështirë”, ka thënë Buja.
Bashkëautori i librit, Mehmet Halimi, pasi ka falënderuar vlerësuesit e librit, ka ilustruar me një anekdotë librin e tij dhe të autorit Gjevori duke thënë se ai mbetet i papërsëritshëm në arsimin tonë kombëtar.
“Dikur kur erdh Mehmet Gjevori në Kosovë, kur e gjeti Kosovën me 99 për qind analfabetë, e njerëzit i paskan thënë, ‘Lumi ti lumi që po di gjithçka, po tha di diçka, ata u çuditën, e thonë, e unë di diçka, të gjitha’. E sot të gjithë ne së bashku dimë, por megjithatë Mehmet Gjevori mbetet i pa përsëritshëm, unikat në arsimin tonë kombëtar”, është shprehur Halimi.
Me një fjalë rasti të pranishmit i ka përshëndetur edhe djali i autorit Mehmet Gjevori, i cili ka falënderuar të gjithë ata që janë angazhuar për botimin e këtij libri.
“ Përmes babait, miqësisë dhe bashkëpunimit që kemi pas me të, unë gjithnjë kam ushqyer respekt ndaj jush dhe punës tuaj. Respekt për angazhimin për botimin e këtij libri dhe kujtimet që mbani për Mehmet Gjevorin”, ka thënë Gjevori.
Për jetën dhe veprën e Mehmet Gjevorit folën edhe Ramiz Kelmendi, Mark Krasniqi, Jusuf Osmani, Andi Gjoi, këshilltar në Ambasadën e Shqipërisë në Kosovë, dhe shumë intelektual të pranishëm.
Monografia “Flakadani i arsimit kombëtar” nuk do të jetë për shitje, por ajo do t’i dhurohet BKUK-së dhe institucioneve tjera arsimore në Kosovë dhe Shqipëri.
Autori i abetares së parë Shqipe në Kosovë, mësuesi, pedagogu, dhe veterani i arsimit, Mehmet Gjevori, ndërroi jetë në vitin 2007, në moshën 93-vjeçare.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...