2011-03-05

nga Alda Bardhyli:Kodet e "fshehura" të artit shqiptar

Arti nuk mund të ketë tabu. Në studion e tij prej vitesh eksperimentet janë bërë pjesë e punës së tij të vazhdueshme.

Sado i rritur të jesh në art, gjithnjë ka vend për ndryshime, për ide të reja, ashtu si pasionet në jetë. Reshat Ameti, një nga emrat më të njohur të pikturës në Maqedoni, ndihet mirë që piktura ka qenë fati i tij. Piktori, që i njeh mirë ndjesitë e këtij lloj arti, jep në një intervistë gjithçka mbi marrëdhënien e tij me pikturën. Por Ameti nuk do të qëndrojë jashtë kornizave të asaj çfarë ndodh në artin pamor brenda trojeve shqipfolëse. Ai flet për soc-realizmin, dhe për atë që ai e quan një "kod shqiptar" të krijuar në botë, duke bërë një analizë të hollë të fenomeneve më të prekshme të artit shqiptar.



Çfarë do të thotë për ju të jeni përjetësisht një piktor? Të inkuadroni jetën mes ngjyrave dhe koncepteve të ndryshme që të jep ky art?



Shpesh më parashtrohen pyetjet të tilla. S\‘ka qenë zgjedhja ime të bëhem piktor?! Kjo gjë ka ndodhur para se të vendos se me çka të merrem në jetë, thjesht kjo është pasoja e jetës, talentit... Merresh me diçka, që në hapat e para të jetës edhe ajo po ngulitet në identifikimin personal, pra zgjedhja kam bërë para se të kem një vetëdije për zgjedhjen e profesionit. Piktor lind dhe nuk bëhesh gjatë jetës, as me anë të studimit. Ndoshta kjo që them është e ngjyrosur me romantizëm, por të gjitha argumentet e deritanishme çojnë në këtë vlerësim. Shpesh po mendoj se jam i privilegjuar që të merrem dhe që realizohem në këtë botë të ngjyrave, ku jam sovran dhe i dirigjoj gjërat ashtu si ma do zemra dhe mendja dhe nuk lejoj që për hir të "kohës", "rinovimeve", "modernizmave" në artin bashkëkohor të influencohem në krijimtarinë time, pra unë jetoj në hapësirë dhe kohë dhe vepra ime duhet ta reflektojë kohën dhe hapësirën time.


A keni bërë eksperimente me artin tuaj? Ju ka ndodhur ndonjëherë të mendoni se "nuk do t\‘ia dilni dot kurrë"?

Provokimet për eksperimente janë shumë të fuqishme dhe nuk janë tabu për mua, pra kam bërë eksperimente në teknikat e shprehjes, përdorimit të materialeve të ndryshme, rërës, tekstilit, letrave të ndryshme, ngjyrave me përbërje të ndryshme kimike, por përherë nëse nuk e kam përjetuar me emocion, nuk kam vazhduar. Gjithashtu kam bërë eksperimente me artin konceptual, me artin multimedial, projekte ku gërshetohen arti muzikor, skenik dhe ai pamor... megjithatë, më i realizuar jam atëherë kur jam vërtet i sinqertë me atë që e dashuroj më tepër. Është ky pikturimi "tradicional" në pëlhurë të bardhë, në të cilën forca e provokimit është e pa krahasueshme me eksperimentet e tjera. Të them të drejtën, asnjëherë nuk kam pasur dilema se "nuk do t\‘ia dal dot kurrë" në konceptin tim artistik, por dilemat më të mëdha kanë qenë se në çfarë kohe jetojmë, a ia vlen që një shqiptar që jeton në Maqedoni të merret me art të bukur kur asgjë rreth nesh nuk është e bukur?! Çdo gjë ka qenë e ngarkuar me probleme esenciale; klima e pa përshtatshme politike, asnjë institucion që përkujdeset vërtet për kulturën shqiptare nuk shihej në horizont diç e përshtatshme për të krijuar, por historia ka treguar se edhe në këto rrethana artisti i mirëfilltë, nëse e ka forcën e vërtet krijuese, i tejkalon të gjitha barrierat, dhe ndoshta për hir të këtyre situata ato i japin vepra më të mëdha popullit që i takon dhe botës.


Ndërsa shihja disa nga punët tuaja, vija re një romantizëm, por dhe një përpjekje për të mos e humbur realizmin në të gjitha punët. Sa e vështirë është për një piktor të përcjellë mesazhet nëpërmjet veprës së tij?


Duke u bazuar në faktin se asgjë nuk është abstrakte, nismën në pikturë e kam nga format konkrete. Më parë kam paraqitur forma gjeometrike, të cilat i plotësoja me tekstura të ndryshme, me qëllim që format gjeometrike të jenë më lirike. Ngjyrat kanë qenë në funksion të ndërlidhjes së formave mes veti, ashtu që në tërësi kompozimi të jetë në një harmoni. Kohëve të fundit kam paraqitur interes për folklorin shqiptar, duke marrë motive nga dekorimet e tekstilit të përparëseve, qilimave, xhamadanëve etj. Jam habitur nga kreativiteti dhe pasuria koloristike që i kanë përdorur stërgjyshet tona në artzanate, por, të kuptohemi, unë nuk i imitoj ato, por u jap një dimension tjetër, ku vula ime krijuese i paraqet si motiv artistik e jo si dekorim. Populli ynë ka traditë të jashtëzakonshme në artin pamor, ndaj pse të mos e shfrytëzojmë këtë thesar. Pra, burimi im për motivim është ajo tradicionalja, e pastaj nga eksperienca botëror. Pikturoj ashtu siç mendoj dhe i ndjek emocionet e mia. Ndodh që opinioni të mos i kuptojë mesazhet e mia, por ajo s\‘është aq me rëndësi sa është që piktori të ndihet vetë i realizuar në krijimtarinë e vet, të jetë i lumtur në atë që bën, e jo të ngarkohet me emocione a do ta pranojnë mirë të tjerët artin e tij...


Cila është jeta juaj në Maqedoni? Sa komod ndiheni me punën tuaj?


Më lart përmenda se në çfarë sfidash të kohës jetojmë ne shqiptarët në Maqedoni dhe diç me duket se jam bërë më imun në këto situata historike, sociale, politike... Sikur më është bërë rutinë të jetoj në situata "jo normale", duke e trajtuar atë si një përditshmëri të zakontë? Pavarësisht prej dëshirës, për shkak të antagonizmave të marrëdhënieve shqiptaro-maqedonase, padashur shqetësimet më të mëdha kanë qenë më tepër ato politike se sa artistike? Pra, kam jetuar me një presion të madh që nuk i takonte botës të artit. Personalisht jam edhe vetë i habitur se sa mirë jam gjendur në këtë labirint jetësor dhe jam inkuadruar shumë mirë në botën e artit pamor në Maqedoni, ku qëndroj si një piktor i mirënjohur, dhe kjo situatë më jep një siguri dhe komoditet të vazhdoj edhe më tej.


Si do ta vlerësonit artin pamor në trevat shqiptare këto vite? A mund të flasim për tendenca bashkëkohore në këtë art?


Numri më i madh i popullit tonë jeton jashtë shtetit amë (në këtë jemi të parit në botë?!), në shtetet dhe sistemet e ndryshme të shoqërive të ndryshme dhe është e natyrshme që edhe sensibiliteti artistik të jetë më i larmishëm. Por, megjithatë mund të identifikohet një kod i përbashkët. Është ky individualiteti i theksuar. Nuk kemi një shkollë shqiptare, por kemi një tentativë që çdo krijues të jetë një krijues individual, pra ende nuk mund të themi "art tipik shqiptar", por mund të themi "kod tipik shqiptar". Kemi një larmi të shprehjeve artistike prej atyre klasike e deri te posmodernizmi. Tendencat për art bashkëkohor reflektohen më tepër tek artistët që e kanë prejardhjen nga shteti amë, siç është rasti me Anri Salën, si dhe organizimin dhe menaxhimin e artit nëpër botë, siç është rasti me Fatmir Velaj. Ka edhe shumë artistë të tjerë shqiptarë nga Maqedonia, si Omer Kaleshi, që jeton në Paris dhe shumë kosovarë që gravitojnë nëpër Evropë. Pra, kemi një invazion të "kodit" artistik shqiptar në Evropë dhe në botë. Mund të themi se jemi një popull që zbulohet me plot kapacitete qe i kemi, pavarësisht se ku jetojmë.


Për sa i përket Shqipërisë, a mendoni se brezi i ri i piktorëve ka mundur të japë një imazh krejt tjetër nga ajo e piktorëve të realizmit socialist?

Soc-realizmi shqiptar tashmë është histori. Por edhe ai, nëse ia heqim vijën ideologjike, ka pasur cilësi artistike. Brezi i ri veç ka hyrë thellë në tendencat e reja artistike shumë origjinale, por do të ishte mirë që të kishim edhe artistë që shumë e shumë nuk kanë ndikim, por artisti të krijojë vetë tendencat artistike e jo të jetë nën ndikimin e qendrave të ndryshme artistike. Kemi pasuri të madhe në artin shqiptar, por sërish na mungon menaxhimi më i mirë, si ai institucional, ashtu edhe ai privat, se vetëm ashtu mund të prezantohemi si një popull i organizuar, i cili di t\‘i mbrojë dhe prezantojë vlerat e veta. Tani për tani më tepër kemi depërtime individuale.


Ç\‘mendoni për piktorët e brezit tuaj dhe cilat janë lidhjet tuaja me ta?

Brezi im e ka pasur këtë "fat", që të jetojë dhe të jetë dëshmitar i ndryshimeve të mëdha, si në shtetin amë - ndryshimi i sistemit politik, ashtu edhe në Maqedoni, Kosovë dhe Mal të Zi - ndryshimi i shtetit dhe sistemi politik. Jemi formuar dhe pjekur hap pas hapi me këto ndryshime dhe kjo ka ndikuar qind për qind edhe në formatizimin tonë krijues. Por, këto tranzicione janë me plot kurthe. Besoj se një numër i mirë i brezit tim i ka tejkaluar të gjitha këto sfida. Lidhjet më të shumta i kam me piktorët nga Kosova, se me ata nga Shqipëria. Kjo nga fakti se me kosovarët kemi jetuar në një shtet të përbashkët. Por, bashkëpunimi i mirë është edhe me artistë që janë nga Shqipëria, siç është rasti me Fatmir Velaj, një personalitet i fuqishëm në botën e artin jo vetëm në Ballkan, por edhe në Evropë. Gjithashtu, përpiqem që eksperiencën time në këtë lëm ta bart te brezi im, ashtu që ta kenë më "lehtë". Unë kam ndihmuar një numër të madh të artistëve pamorë, qoftë kjo në formë të këshillave, informatave, gjetjen e financave për t\‘u organizuar ekspozitë, si dhe ndikime direkte për pjesëmarrje në ndonjë eveniment artistik. Unë jam i idesë se duhet me i përkrah kolegët. Kështu e ngrit veten dhe kulturën personale. Besoj se xhelozia e theksuar në mes shqiptarëve, që ndonjëherë merr përmasa të çuditshme, infantile, duhet të jetë vetëm një histori, se vetëm me bashkëpunim mund t\‘iu dalim përballë popujve të tjerë dhe të jemi faktor serioz në botën e artit.


Për sa i përket kritikës, por edhe ekspozitave që mund të keni hapur në vende të ndryshme, cilat do të jenë komentet tuaja për to?


Kam shumë përjetime nga ekspozitat që i kam pasur, por është e pamundshme me i përcjell në këtë intervistë. Pas vendit kam lënë një numër të konsiderueshëm të ekspozitave individuale nëpër botë: Paris, Nju-Jork, Vjenë... dhe një numër jashtëzakonisht të madh të ekspozitave kolektive, kështu që jam mirë i njohur te kritika artistike. Për krijimtarinë time kanë shkruar personalitete të njohura kulturore dhe intelektuale, si për shembull nga letërsia Ismail Kadare, estetika Kadri Metaj, kritik arti V. Velickovski, Klime Korobar, publicistika Luan Rama, piktori i njohur Adem Kastrati, poeti Lulëzim Haziri etj... Dua të theksoj se, pavarësisht çka do të thotë kritika e artit ose opinioni, së pari piktori duhet t\‘i pastrojë dilemat që ndoshta i ka në vetveten. Me rëndësi është që të jetë i realizuar në atë që e bën dhe të mos ko ketojë me kritikun, por të japë "mesazhet" e veta. Unë personalisht jam i kënaqur me atë që e kanë shkruar për mua, për shkak se me shkrimet e tyre janë afruar shumë në filozofinë time artistike.


Për çfarë ka më shumë nevojë një piktor?


Uh?! Nevojat janë të shumta dhe të llojeve të ndryshme, pavarësisht nga piktori. Së pari është hapësira ku mund të krijojë. Me këtë nuk kuptohet vetëm hapësira fizike, por edhe ajo shpirtërore. Unë kam dy studio ku mund të pikturoj, që do të thotë se relativisht e kam zgjedhur problemin hapësinor, por ëndrra ime është që të kem një studio të madhe në natyrë. Me rëndësi është edhe rrethi ku graviton artisti, por besoj se ky problem në këtë botë globale është tejkaluar. Mjafton ta kesh internetin në shtëpi dhe e ke çdo informatë për artin, kështu që mund të themi se nevojat e piktorit ndryshojnë sipas kohës. Mungesë e madhe është që piktorët shqiptarë nuk kanë menaxher profesional. Është shumë vështirë që piktori ta shesë produktin, siç është "nënçmuese" që vetë t\‘ia caktojë çmimin veprës së tij...


Si do vlerësonit evoluimin e kritikës? Sa e ndjeshme është ajo sot ndaj asaj çfarë ndodh në art?


Arti pamor shqiptar ka ecur shumë më përpara se kritika e artit. Pse është ashtu? A mund ta fajësojmë sërish kohën? Që të kemi kritikë të mirëfilltë na duhen persona që janë të përgatitur mirë në këtë drejtim. Brenda natës nuk mund të krijohen kritikët e artit. Ata duhet të kalojnë disa etapa, siç është diplomimi në historinë e artit, estetika, menaxhimi artistik, që nuk i kemi nëpër institucione universitare. Pra, duhet të presim edhe pak kohë. Fatkeqësisht mund të themi se nuk kemi kritikë të mirëfilltë që mund të ndjekin ndodhitë artistike.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...