2011-03-05

Antologji/ Neper viset e Lirikes shqiptare

Enver Kushi

ANTOLOGJI ZËFOLËSE
Puna per sendërtimin (nëse kjo fjalë jep kuptimin e duhur) e një antologjie i ngjet shumë atij të arkitektit, veçanërisht në fazën e parë, kur hedh në letër emra autorësh të fushës së poezisë apo prozës. Dhe më pas, kur ideja është ravijëzuar, nis faza më e vështirë: ngritja e ngrehinës. Ky proces i ngjan punës së inxhinierit zbatues. Vetëm me një ndryshim: hartuesi i antologjisë është vetëm, pa ndihmën e “brigadës” së muratorëve, siç ndodh me vilat, pallatet shumëkatëshe etj. Këtë ndjesi kam ndjerë dhe ndjej sa herë lexoj antologjitë e ndryshme botuar jashtë ose në Shqipëri. Duke lexuar botimin e fundit të Shtëpisë Botuese “UEGEN” “Antologji e poezisë lirike shqipe midis dy luftërave (1914- 1944)” hartuar nga shkrimtari, studjusi dhe kulturologu i mirënjohur Nasho Jorgaqi, bindesh jo vetëm për punën e madhe dhe serioze të tij që nga konceptimi e deri në realizim, por edhe për pasionin dhe shpirtin prej poeti që ai i ka dhënë në tërësi antologjisë. Kemi të bëjmë me një “ngrehinë” jo dosido , por me një “ngrehinë” të shpirtit njerëzor, shprehja më sublime e të cilit është poezia lirike.. Dhe në qoftë se mbetemi tek metafora “ngrehinë”, do të thoja se ngjitja kat pas kati në të do kohë, ndoshta muaj, stinë dhe vite. Sepse nuk janë pak, por plot 43 poetë, 43 zëra të ndryshëm, 43 kate shpirtërash. Secili prej tyre të mbanë gjatë, duke të nanurisur me zëra magjikë dhe fjalëshpirtëra herë të qetë, por në të shumtën e rasteve të dallgëzuar e të trazuar. Është e vështirë të shkëputesh prej tyre, sepse ndryshe nga Odiseu, ke dëshirë t’i dëgjosh këta zëra magjikë. Nasho Jorgaqi edhe më parë është marrë me hartimin e antologjive, që janë mirëpritur nga opinioni letrar dhe lexuesi shqiptar, por “Antologjia e poezisë lirike shqipe midis dy luftërave (1914- 1944), është unike në llojin e vet, sepse sjell zërin e lirikëve shqiptar në një nga periudhat më interesante e njëkohësisht më të çuditshme të historisë së Shqipërisë. Ky zë në këtë antologji është i veçantë, mbi të gjitha shqiptar dhe vetëm shqiptar por herë- herë edhe ballkanik e pse jo, edhe evropian. Ai ka ngjyrë, shpirt, atmosferë, mallë, shumë dritë, por edhe muzgje, dhimbje. Sepse kjo lirikë buron nga terreni shqiptar dhe është i patjetërsueshëm, siç është shpirti shqiptar. Zëri i lirikës shqiptare është i lidhur pazgjithmërisht me botën e trazuar shpirtërore të shqiptarëve në këtë periudhë, qiellin, retë, erërat, ndrrimstinët… Të gjitha këto bashkë dhe secila prej tyre, e bëjnë këtë antologji, zëfolëse ose më saktë shumëzërësi tronditëse shpirtërash vdektarësh të mëdhenj të lirikës shqiptare.

ETËRIT E LIRIKËS SHQIPTARE
Etërit e mëdhenj të lirikës shqiptare kishin kohë që kishin shkuar. Ato ishin mbuluar me dhera të huaja larg shumë larg Shqipërisë, që e kishin ribërë në qindra vargje brilante të lirikës së tyre. Kur lexon ata i jep të drejtë Lamartinit, i cili në një letër dërguar De Radës, shkruan për brigjet mitike të poezisë dhe rikthimin e saj në ato brigje…. Etërit e mëdhenj të lirikës shqiptare ishin shëmbëlltyra të përkushtimit deri në vetëflijim për mëmëdhenë. Vargjet e tyre me pathosin, dashurinë për çdo gjë shqiptare, jo vetëm rikthyen motet e të kaluarës së ndritur, duke ringjallur heronjtë e harruar, por e bënë Shqipërinë “lëndë” të prekshme dhe shpirt të gjallë. Ata sendërtuan një Shqipëri zonjë të rëndë krenare dhe me një bukuri ëndërre. Engjëlli mbrojtës i shqiptarëve, Naim Frashëri, me lirikën e tij nëpërmjet mijëra imazheve të rralla që krjoi, u bë pjesë e vetëdijes së popullit të tij. Ai ngriti fatin e Shqipërisë nga varri” dhe u shkri si qiriri për bashkëatdhetarët e tij…. Jeronim De Rada solli ca imazhe të rralla të Arbërisë, që shfaqej dhe rishfaqej e mjegullt përtej brigjeve të Adriatikut, ku “frynin erërat e maleve dhe rrëzonin hijet e lisave” e ku stinët ndërroheshin si “Lis jeta kish’ndërruar.” Vargjet e tij fluide dhe me një delikatesë të habitshme, janë të denja të qëndrojnë pranë çdo liriku të madh botëror. Përmenda vetëm dy nga etërit e mëdhenj të lirikës pa u ndalur tek të tjerët, që e bëjnë të plotë yllësinë e qiellit lirik shqiptare. Pa ta Shqipëria nuk do të ishte bërë. Pa ta kushedi sesi do të ishte zbehur, ndoshta edhe zhbërë shpirti shqiptar. Në aktin e mëvehtësimit të Shqipërisë më 28 nëntor 1912 dhe gurëthemelet e shtetit të ri, krahas bëmave dhe gjakut të atyre që luftuan me armë, janë mijëra e mijëra vargje të etërve të lirikës patriotike shqiptare ose thënë ndryshe , mijëra dritëshpirtëra të tyre.
LIRIKA GJUHË E SHPIRTIT DHE E QIELLIT
Është vështirë të spjegohet ose zbërthehet momenti i ngjizjes apo krijimit artistik në përgjithësi dhe i lirikës në veçanti. Dostojevski e cilëson njeriun krijues, pra për atë që me talentin e tij “prodhon” vlera si “zemër më e madhe që drithërohet”, ndërsa Stefan Cvajg shkruan jo vetëm për “fjalën që përcillet si mërmërimë drejt muzikës së gjithësisë”, por edhe për “gulç spazmatik të shpirtit, kundërshti e shpërthime të fuqishme, dehje e dalldi “mani” grekësh të lashtë”. Edhe Faik Konica ynë i madh, shkruan se “Bach, Bethoven, Schubert, Chopin janë emrat e perëndishëm, të atyre njerëzve të çuditshëm që flasin gjuhën e shpirtit dhe të qiellit, një gjuhë e përgjithshme që kuptohet prej të gjithëve, me pak durim dhe dashuri”.
Poezia lirike është gjuhë e shpirtit dhe e qiellit. Bindesh për këtë jo vetëm kur lexon “Antologjinë e poezisë lirike shqipe, midis dy luftërave (1914- 1944)”, por edhe lirikët e të gjitha kohërave. Gjuha e shpirtit dhe e qiellit është gjuha e zanafillës, atëherë kur njeriu, pasi nisi të përjetojë mrekullinë e natës dhe ditës, lindjen dhe perëndimin e diellit, yjet që binin, vetëtimat e largëta aromat e veçanta të stinëve, gjelbërimin e barit dhe lulëzimin e natyrës, rënien e gjetheve, erërat dhe flokët e borës, dremitjen e detit dhe liqenit dhe zërat e tyre, mallin për pranverën apo vjeshtën e mbi të gjitha poetizimin e marëdhënieve mes tij dhe natyrës, mes tij dhe jetës, mes tij dhe vendit ku kishte lindur e që më vonë do të quhej “mëmëdhe, por mbi të gjitha poetizimi i marrëdhënieve mes njeriut dhe jetës si vazhdimësi, ripërtëritje. Në qoftë se ndonjë ditë në çastin sublim të ringjalljes, befas lirikët e mëdhenj të të gjitha kohërave do të bëheshin bashkë, me siguri do të ndjenim dhe preknim tërë drithërimat e kohës njeri. Në mijëra e mijëra vjet të shfaqjes dhe historisë njerëzore, e pandryshuar ka mbetur jeta në kohëzgjatjen e saj jo horizontale ose drejtvizore, por jeta si përjetim emocional. Asnjë sofistikim modern, teknologji e përparuar shkencore, shpikje sado e sofistikuar e trurit njerëzor, nuk mund të zevendësojë gjuhën e shpirtit dhe të qiellit. Atëherë kur kjo gjuhë me të vërtetë globale do të shuhet, nuk do të kemi më kohë të njeriut, por kohë ndoshta të dinosaurve apo qenieve të tjera.

PËRJETIM
Shumë vite më parë, jam mrekulluar nga një film kushtuar poetit të madh Pablo Neruda, veçanërisht me një episod që nuk do ta harroj kurrë…Poeti ishte larg, shumë larg vendlindjes së tij. As kujtimet, as letrat, as fotot dhe as lajmet që merrte, nuk ja shuanin mallin për vendlindjen. Atëherë një nga miqtë e tij incizoi gurgullimën e ujërave të lumit, dallgët e detit, fëshfërimën e gjetheve, zërat e fëmijëve të vegjël dhe pikat e shiut që binin mbi çatitë e shtëpive. Të gjitha këto ja dërgoi Nerudës, i cili kur i dëgjoi nisi të lotojë si fëmijë. Viset e vendlindjes i kishin ardhur nëpërmjet gjuhës së shpirtit të rrënjëve të tij dhe prej andej ai poeti i madh, i kthente në vargjet e poezive, që të ngrenin peshë zemrat e miliona njerëzve.


SI TRASHËGIM JU LËMË SHPIRTIN TONË
Etërit e mëdhenj të lirikës shqiptare, megjithëse prej vitesh kishin shkuar dhe Shqipëria kishte fituar mëvehtësinë, shfaqeshin dhe rishfaqeshin si në vargjet naimjane:

Jam i gjallë e jam në jetë
Jam në dritë të vërtetë.

Dhe jo vetëm atëherë, pra në çastet e mëvetsimit, por edhe më pas, në vitet e tollovive që shoqëruan foshnjërinë e shtetit shqiptar. Edhe në vitet e mbretit Zog, shpirti i etërve të lirikës shqiptare ishte i pranishëm në botën letrare dhe kulturore të Shqipërisë. Edhe në vitet e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare ata do të frymëzonin me pathosin për liri brezin e poetëve të rezistencës.
Hartuesi i antologjisë, duke qenë njohës shumë i mirë i lirikës shqiptare të viteve 1914- 1944, ka ditur të përzgjedhë ata poetë dhe ato krijime që japin jo vetëm vazhdimësinë dhe frymën e etërve të lirikës shqiptare në to, por edhe ndryshimet thelbësore në përmbajtje dhe formë të kësaj lirike. Kështu, ndjejmë tek poetë të tillë si Ndre Mjeda, Gjergj Fishta, Asdreni, Faik Konica, Fan Noli e ndonjë tjetër shumë nga lirika e etërve të mëdhenj të saj, por edhe atmosferën e epokës së re. Në një farë kuptimi, emrat e sipërpërmendur me krijimtarinë e tyre, janë ura kalimi mes dy brezave të shquar të lirikës shqiptare. Disa prej tyre herë- herë në ngjyrat e mantelit të tyre, kanë shumë ngjashmëri me ato të mantelit të paraardhësve… E megjithatë, edhe në poezitë e përzgjedhura në këtë antologji, ndjejmë motive dhe frymë tjetër. Lexuesi i vëmendshëm e ndjen menjëherë këtë. Mendoj se kjo është meritë e Nasho Jorgaqit që ka ditur të na japë me këtë antologji portretin e ri të lirikës shqiptare, në një nga periudhat më të çuditshme të historisë së Shqipërisë, pra në vitet 1914- 1944. Në rrafshin historik sociologjik dhe atë kulturor, vitet 1914- 1944 janë me shumë hijedritë, ku mbizotëron grija, një gri e thellë ankthi, që lidhet me ekzistencën dhe më pas me ringritjen e shtetit të ri shqiptar. Do të veçoja periudhën e 1914- 1917, por edhe më pas së paku deri në Kongresin e Lushnjës, ku Shqipëria e vogël ngjante me skenën e një teatri tragjik. Largimi i Ismail Qemalit, fronëzimi i Princ Vidit, intrigat për rrëzimin e tij, Haxhi Qamili me rrebelët e tij, plaçkitje dhe djegie fshatrash dhe qytetesh, shqiptarë tuafë dhe delirantë, që vishnin dhe zhvishnin uniformat e ish Perandorisë Osmane, kryeministra dhe qeveri të vetshpallura ushtri të huaja, refugjatë nga Dibra, Kosova dhe Çamëria … Pastaj do të vinin vitet 1920- 1924, të një lufte brenda vendit me disa qeveri, që nga disa orëshe, disaditëshe apo muaj deri në periudhën e konsolidimit të shtetit dhe institucioneve të tij gjatë viteve 1925- 1939, për t’ia lënë vendin pushtimit italian dhe gjerman dhe rezistencës antifashiste.
Në këtë atmosferë, thënë ndryshe, në këtë lëndë inkadeshente, janë krijuar lirikat e përmbledhura në këtë antologji. Shqipëria si lëndë,, pra Shqipëria me hapësirat e saj lumentë, malet fushat, luginat detet liqenet dhe Shqipëria si shpirt, me dramën, dhimbjen, gëzimin, mjerimin, lindjen dhe vdekjen e njeriut, është pjesë e kësaj lirike. Poetët lirikë të viteve 1914- 1944 pikërisht këtë Shqipëri jo atë të etërve të lirikës shqiptare, pasqyruan në veprën e tyre.
Kur lexon lirikët e viteve 1914- 1944 ke dëshirë të rrugëtosh nëpër viset ku është krijuar ajo, të prekësh një Shqipëri tjetër me gëzimet dhe dhimbjet e saj, duke dëgjuar ca zëra ndryshe nga ato të sotme, të ulesh brigjeve të liqenit të Poradecit, duke shijuar dhe ndjerë shpirtin e tij e pastaj në ca vise të tjera me hënë, yje, re, shira, erëra, dëborë, muzgje, stinë dashurie, zëra fëmijësh mallë, puthje rinore, ëndrra… Këto vise poetike të lirikës shqiptare vinë me një reliev të mahnitshëm. Është meritë e hartuesit të kësaj antologjie, falë kulturës së tij të gjerë dhe njohjes në themel të kësaj lirike, por edhe i faktit se ai është shkrimtar, që ka ditur të na japë të plote viset poetike dhe relievin sa të larmishëm, aq edhe origjinal të lirikës së viteve 1914- 1944. Lexuesi i vëmendshëm, krahas atyre që përmendën më lart , nuk ka sesi të mos dallojë në këtë reliev , disa nga më të shquarit, do të thoja majat e lirikëve shqiptarë, siç janë Lasgush Poradeci, Ali Asllani dhe Migjeni. Janë me fat ata popuj që nxjerrin nga gjiri i tyre poetë të këtyre formatëve. Shqiptarët një nga popujt më të lashtë të Ballkanit dhe Evropës, siç dihet e kanë këtë fat me një poet si L. Poradeci, që siç shkruan në parathënie Nasho Jorgaqi: “Një poezi e tillë u bë nga emblemat e lirikës jo vetëm të kohës së tij, por të mbarë poezisë shqipe”. I beftë, spontan, me vrulle të papërballueshme shpirtërore, dallgëzime, erëra, ajër të tejdukshëm, mjegull, liqen, borëra, yje, vagëllime të purpërta perëndimi, zjarr i prushtë, Lasgush Poradeci është një nga talentet më të mëdha jo vetëm shqiptare, por nga lirikët e mëdhenj botëror. Në poezinë e tij ai është i papërsëritshëm, i papërballueshëm e mbi të gjitha i paimitueshëm. Fjala tek ai ka edhe ngjyrë, edhe tingull, edhe aromë. Fjala tek ai ka diçka nga fillesa e njerëzimit dhe gjuha e perëndive.
Poezia lirike e Ali Asllanit vjen në këtë antologji me vokacion dhe dimension tjetër. Ndryshe nga poezia lirike e Lasgush Poradecit, që qëndron mes tokës dhe qiellit, pra ne ca hapësira që është vështirë t’i prekësh ose kur i prek, vargjet duken të mbështjella me mister të frikshëm, lirizmi i Ali Asllanit është i prekshëm, konkret. Edhe Ali Asllani është i beftë dhe spontan në lirikën e tij dhe duket sikur në çdo hap që hedh poeti apo në çdo gjë që ai prek, befas kthehet në varg, kënge,mall, dashuri.
Lirika e Asllanit është dehëse dhe përkundet me erërat, dallgët, kaltërsinë e brigjeve të Vlorës si dhe me tërë botën e veçantë të Labërisë.
Në veri të Shqipërisë, në një nga qytetet më me tradita, bashkëkohës me dy të parët, jetoi dhe krijoi një nga poetët më të trazuar, i quajtur fenomen, novator, uragan.
Lirika e tij të trondit jo vetëm me motivet e reja që solli, trazimet e thella deri në ulërimë, por edhe për pathosin e veçantë të tyre.
Poezia e Migjenit me motivet e saj, noton jo në liqene, por në dete dhe oqeane dhimbjeje. Mjerimi në të është klithës dhe buron nga një realitet, që siç shkruan poeti “kudo valojnë flamujt e një melankolie të trishtueshme”.
Ai është poeti “i frymëzimit të pafat” dhe “vullkan që fle i fashitun”.
Krijuesit e këtyre poezive që nga i pari që çel antologjinë, Ndre Mjeda dhe deri tek i fundit që e mbyll Bardhyl Pogoni, kanë qenë nga njerëzit më të kulturuar të kohës, njohës të shkëlqyer të kulturës botërore, veçanërisht asaj europiane. Për ta Parisi, Vjena, Roma, Bukureshti, Athina etj nuk ishin vetëm qytetet ku kishin kaluar rininë shkollore dhe atë studentore, por prej tyre kishin marrë kulturë të gjerë, në të gjitha fushat e veçanërisht në atë të letërsisë, duke njohur mjeshtrat e mëdhenj të poezisë, modelet e shkëlqyera të vjershërimit dhe qytetërimin e madh europian. Kjo kulturë ndjehet dukshëm në lirikat e përmbledhura në antologji. Do të zgjateshim nëse do të analizonim secilin nga poetët lirikë të viteve 1914- 1944. Nasho Jorgaqi në parathënien e antologjisë, bën një analizë serioze për lirikët dhe lirikën e përmbledhjes në fjalë. Lexuesi i vëmendshëm do të prekë në këtë antologji shpirtin e patjetërsueshëm të Shqipërisë dhe ndjejë rrahjet e zemrave të një brezi që e deshi si askush tjetër popullin dhe vendin e tij. Ata nuk janë më…. Kanë shkuar një nga një, në mote dhe stinë të ndryshme. I fundit që shkuar ka qenë Dhimitër Shuteriqi, kulturologu i shquar dhe një prozatorët e poetët e veçantë shqiptarë…. Jeton dhe vazhdon të krijojë lirika të ndjera Myzafer Xhaxhiu, profesori im i mrekullueshëm dhe liriku me rini të përjetshme. Ata kanë shkuar duke marrë me vete trazimet e mëdha shpirtërore, rininë e tyre, brengat, dhimbjet dhe duke na lënë pas shumë nga shpirti i tyre. Ka të drejtë Asdreni kur shkruan:
Por na ju lënë, shkojmë, si shkon vesa,
Asgjë mbi dhe s’qëndron përgjithnomë,
Si trashëgimi ju lëmë shpirtin tonë.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...