2011-03-05

"Bunker gënjeshtar"

Tiranë-Paris

Një francez në gjurmët e vrasjes së një shqiptareje

Paris-Tiranë. Për një nga romancierët më të njohur francezë, Olivier Douyere, ky ka qenë një udhëtim i zakonshëm gjatë kohës kur në mendjen e tij ndërtohej romani i ardhshëm policesk "Bunker gënjeshtar". Një histori të cilën e kishte dëgjuar diku në sallat e artit parisien, aty ku emri i Shqipërisë depërtonte i veshur me aq mister në vitet \‘90, Oliver vendosi ta kthente në subjektin e librit të tij të ri. Shkrimtari që ka brenda shpirtin e aventurës do të bënte gjithçka për të rigjetur personazhet e këtij historie në letërsinë e tij dhe t\‘i sillte lexuesit francezë jo më një histori nga ato që janë plot në tregun e librit, por një histori e cila në qendër do të kishte pikërisht Shqipërinë postkomuniste. Oliver, i cili quhet nga kritika franceze si një shkrimtar i pamëshirshëm me përshkrimet që bën në librat e tij, këtë herë tregohet i butë, ndërsa kërkon të përshkruajë veset dhe trishtimin e këtij populli që kërkon ndryshimin. Ai e di se letërsia e madhe gjendet pikërisht aty ku zien e vërteta. E ku tjetër se në Shqipëri, në vendin më të virgjër të Ballkanit, pas viteve \‘90, ai mund të gjente një subjekt që do ta ndryshonte disi temën e librave që ai shkruan. Rruga nga ambasada franceze, pluhuri i gjatë në tylet e thjeshta të hoteleve shqiptare në atë kohë, gjellët që serviren në restorantet tona, janë përshkruar me aq hollësi nga Oliver. Ajo që vihet re nga fillimi i librit deri në fund është një dashuri e fshehur që ky francez ka ndaj këtij vendi, një dashuri që e jep në mënyrën sesi i trajton personazhet shqiptarë që orvaten në galerinë e subjektit të tij. Ai e vesh me gjithë sensualitetin e duhur një femër shqiptare dhe është i aftë të dallojë karakteristikat mes jugut dhe veriut të Shqipërisë, edhe pse mund të ketë ndjekur në këtë vend shumë pak. Vetëm bindja se Shqipëria është vendi i duhur për të realizuar një triller të tillë e ka çuar Oliverin drejt Tiranës për të ndërtuar romanin me të cilin do t\‘i rrëfente diçka ndryshe lexuesit të tij. Romani është përkthyer në gjuhën shqipe nga Irena Rambi dhe është botim i shtëpisë botuese "Ora".


Subjekti



Një mjeke shqiptare mbërrin në Francë me një gisht kufome për të kryer një analizë që do ta ndihmonte të kuptonte shkakun e vdekjes së çuditshme të disa pacientëve, banorë të të njëjtit fshat, diku në veri të Shqipërisë. Por ajo vetë përfundon sakaq e masakruar, me gjuhë të prerë, në një trotuar të Belleville, lagje në periferi të Parisit. Policia e trajton çështjen si një krim ordiner dhe e mbyll. Gabriel Lecouvreur, ose Piovra siç e thërrasin miqtë e tij, një personazh i lirë, kurioz dhe kurajoz, që do të mbushte 40 vjeç në vitin 200, nuk bindet nga ky version zyrtar dhe vendos të gërmojë pa ia kërkuar askush dhe pa marrë përsipër të përfaqësojë ndonjë ligj e as moral. Vjen në Tiranë dhe gjendet i mbërthyer nga një rrjetë merimange, ku më së paku rrezikon t\‘i priten krahët. Kjo është me pak fjalë subjekti mbi të cilin është ndërtuar "Bunker gënjeshtar", ajo çfarë kritika franceze e ka quajtur " një roman policor modern, plot të vërteta të hidhura nga Shqipëria postdiktatoriale". Por duket se vetë Oliver është ndjerë mirë ndërsa ka shkruar një histori të tillë në rrugët e një vendi të cilin e ka njohur vetëm në pak kohë. Idetë e tij se mund ta njohësh dikë edhe vetëm duke e parë, mund të kuptohen shumë mirë në zgjedhjen që ai kërkon t\‘u japë situatave të ndryshme në këtë roman. Ai e di se të hulumtosh në një vrasje nuk është një punë e lehtë për një shkrimtar, aq më tepër kur ai e zhvendos këtë histori në një vend tjetër. Oliver përshkruan me aq vendosmëri gjithçka që ka parë në Tiranë në skenat që ka krijuar në libër, sikur të kishte jetuar prej vitesh këtu. Duket sikur Oliver i njeh mirë shqiptarët dhe kërkon të analizojë atë çfarë ky popull kërkon të bëjë pas viteve të diktaturës. "Nuk kalohet pa kaos dhe pa një fazë tranzicioni nga errësira staliniste në dritën e liberalizimit. Ta keni nga unë, e dini ç\‘u mungon atyre njerëz? Durimi. Nuk fitohen gjërat menjëherë, e pamundur! Po hëngre për një javë të tërë ushqim spitali, kur del, nuk mund të shkosh drejt e në restorant me pesë yje, apo jo?", shkruan ai. Oliver ka depërtuar jo vetëm për të gjetur çelësin e një romani që mund të ecë në treg, por edhe në psikologjinë e shqiptarëve, në fazat e trancizionit që ata po kalonin në periudhën postkomuniste. Çdo gjë i shkon më së miri sfondit ku ai ka vendosur personazhet, mënyrës së tyre të jetesës dhe asaj çfarë ata kërkojnë.


Libra jo të zakonshëm


Ajo çfarë kritika franceze shënon nëse kërkon të dish më shumë për Oliver Douyere është fakti se ai kërkon të dalë nga kornizat e zakonshme të të shkruarit të një libri policesk dhe ta veshë atë sa me letërsi, aq edhe me mesazhe bashkëkohore. Ndërsa shkruan për shqiptarët, një vend që edhe vetë e ka prekur vetëm pas rënies së diktaturës dhe që ditët e gjata që mund të ketë ndenjur këtu nuk mund t\‘i kenë shpallur gjithë tablonë e dhembshme të këtij populli që jetoi mbi 40 vjet diktaturë, Oliver e dinte se nuk mund të shkruante për këtë vend thjesht për të treguar një histori triller. Ai përqendrohet aq qartë në dialogët e personazheve, duke dhënë nëpërmjet fjalëve të tyre, atë çfarë vërtet kishte në këtë vend. Rrëfimet e Mimozës, personazh femër që jo rastësisht është zgjedhur nga Oliver për të qenë ajo udhëheqësja e aventurës në viset shqiptare të Gabrielit, personazhit kryesor të këtij romani, nuk janë thjesht rrëfime të një femre në një situatë të caktuar para një të panjohuri. Ajo flet në emër të gjithë atyre femrave që janë rritur në një sistem totalitar dhe që mbartin nga ai sistem kujtimet më të dhimbshme.

"Shqiptarët janë të mësuar me konspiracionin. Në kohë të Enverit, gjithsecili ndihej pak tradhtar dhe konspirator, sepse dihej që gjithkush mund të denonconte për hiçmosgjë. Unë isha e vogël, por e ndieja që njerëzit kishin frikë. Edhe unë kisha frikë. Sepse mund të bëhesha konspiratore, revizioniste, tradhtare ndaj atdheut. Fëmijët ishin të rrezikshëm, sepse një ditë edhe ata do të rriteshin. Sepse prindërit mund t\‘u arrestoheshin një ditë të bukur dhe në këtë rast e gjithë familja bëhej bashkëfajtore e një krimi të sajuar nëpër procese politike. Ti je francez dhe nuk e kupton dot. Më flet për një konspiracion në një zyrë pranë Parisit, por mos e ke keqkuptuar ose imagjinuar...çfarë di ti për konspiracionin e vërtetë? Te ju kjo nuk është e mundur, ju jeni të lirë, prej shumë kohësh", kështu i thotë ajo në një moment Gabrielit, të huajit që kërkon të zbardhë vrasjen e një shqiptareje. Libri, i cili prej dy vitesh ndodhet në libraritë e Parisit apo të qyteteve të tjera në Francë apo jashtë saj, është një udhëtim interesant nëpërmjet subjekteve që sot janë aq në modë në Evropë, atyre të romaneve policeske, ku këtë herë nëpërmjet një rrëfimi aq modern mund të shohësh pamjet e një vendi postkomunist si Shqipëria, të trajtuar me dashurinë e një shkrimtari të ri francez.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...