Mustafa FERIZI – Studiues i artit
Piktori dhe profesori ISA ALIMUSAJ (1950), pa dyshim është njeri nga artistët më produktiv të artit pamor të Kosovës.
Arti, njësoj si jeta, është fenomen me shumë shtresa, me shumë kuptime dhe mesazhe, është për më tepër, mister përlotë sfida , të papritura dhe labirinte. Si fenomen i tillë mund të cilësohet edhe piktura e Alimusajt, në të cilën projektohet figura e njeriut që ka formë guri e përmbajtje lashtësie, që është reale, në atë masë sa është ideale. Pra mbi konceptin filozofik realo-ideal,(Shelin) ndërton Alimusaj botën e tij pikturale.
Prejardhja është si fati, si hija. Ajo e përcjellë krijuesin gjithkah: nëpër ëndrra, nëpër aventura imagjinative, përtej ylberit, përtej kohës. Mu për këtë piktori Isa Alimusal lidhet aq shumë gjenezën e tij, me vendlindjen, me Kosovën, Dhe ky kjo lidhje pasionante e këtij piktori me për prejardhjen e vet vjen e sublimohet në ciklin e pikturave “Profilët dardane”që është terësia tematike më e avancuar në opusin e tij kreativ. Pra ky cikël, përkatësisht dardanizmi është pikënisja obsesionale e çdo qasjeje pikturale të Alimusajt, është mbi të gjitha univers tematik mbi të cilin ai po e sendërton idealin e tij piktural tash e afro pesë dekada..
Arti i Isa Alimusajt është konglomerat elementesh figurative nga më të ndryshme. Në këtë tërësi figurash, në këtë gërshet vijash, trajtash e formash horizontale e vertikale, në këta njerëz prej guri, apo krushq të ngrirë, siç do ti quante shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare, ka diçka dehëse, diçka dioniziane që të shpien përtej logjikës së ftohtë, përtej realitetit mimetik, e drejt mitit dhe epikës kombëtare.
Krahas figurave që ndonjëherë ngjajnë në silueta amorfe, apo në qenie të fosilizuar e në silikate, piktori Alimusaj pikturon peizazhin e vendlindjes së vet, projekton kullat, pra shtëpitë tradicionale të popullit të cilit i takon. Ndonëse janë të pikturuara në formë fragmentesh, piktori na përkujton se brenda kullave, në të kaluarën e largët historike, lidhej besa, lihej peng fjala e burrit – dhe si në senatin antik - ndahej drejtësia, trajtohej morali dhe virtytet tjera njerëzore. Në të vërtetë, vetë nocioni “kullë” lidhet me ekzistencën, qëndresën dhe me shumë momente të jetës dhe jetesës shqiptare.
Problemi kryesor me të cilin ballafaqohet piktori Isa Alimusaj gjatë projeksioneve të tij dardane, është koha: si të bartet ajo nga lashtësia, në bashkohësi, apo të paktën, si të krijohet iluzioni për lashtësinë e saj. Mu për këtë, ai aplikon rrafshin njëdimensional të pikturës dhe plasticitetin tredimensional të skulpturës. Me këtë simbiozë, krijon figura, fytyra e profile që të shëmbëllejnë në relikte të gërmuara nga toka, e pastaj të vendosura në sfonde plazmatike, me çka njëmend krijon përshtypje lashtësie. Krejt këtë proces alkimik Alimusaj e realizon me anë të koloritit ku ekspresiv e të përndezur, ku impresiv e të heshtur, varësisht nga dhembja, agonia e figurave që i trajton. Autori e ndien dhe e përjeton ngjyrën, dhe në pikturat e tij ajo ka timbër kumbues, dhe kumbon si muzika, si akordi i lashtësisë, si heshtja.
Isa Alimusaj pra në mënyrë pasionante gjurmon nëpër lashtësinë historike për të mësuar për rrënjët dhe prejardhjen e vet. Dhe kur njeriu interesohet për qenien dhe qenësinë e vet, do të thotë se vetëdijesohet, apo siç thotë Hegeli, bëhet i vetëdijshëm për vete.
Në të vërtetë, krejt krijimtaria pikturale e këtij piktori të zellshëm i cili flet shqip mendon shqip dhe pikturon shqip, është pasion kreativ gjurmues, është mbi të gjitha, shprehje e vetëdijesimit të tij kombëtar, historik e krijues.