2011-03-05

nga Ilir Kalemaj: Mes Shilës dhe Karibdës së Nacionalizmit: Historia Politike e Bektashizmit

Monografia Bektashizmi në Shqipëri: Histori Politike e Një Lëvizje Fetare, e akademikut Albert Doja, botuar edhe në shqip nga Instituti i Studimeve Ndërkombëtare vitin e kaluar, është një nga studimet më të plota dhe përfaqësuese për një dukuri që është trajtuar pak ndërkombëtarisht dhe thuajse aspak nga studjues shqiptarë nën prizmin shkencor. Kjo vepër në një farë mënyre i jep një përgjigje dhe kritikës të artikuluar shpesh kryesisht në qarqet publicistike se pothuajse gjithcka me vlerë në lëmin e shkencës, sidomos në fushat e shkencave humane dhe shoqërore është shkruar nga të huajt, duke imponuar një farë inferioriteti kallp që nuk i përgjigjet domosdoshmërisht realitetit.

Autori ka botuar disa dhjetra artikuj në revistat studimore ndërkombëtare më në zë në lëmin e antropologjisë dhe sociologjisë, duke u përqëndruar sidomos në studimin e përdorimit politik të identitetit, fesë, gjinisë dhe marrëdhënieve fisnore, etnisë dhe nacionalizmit, antropologjinë e historisë, teoritë antropologjike dhe kulturore, strukturalizmin dhe post-strukturalizmin. Një vend të vecantë ka zënë studimi i përdorimit politik të fesë, duke u përqëndruar sidomos te bektashizmi, një fe kjo jo vetëm qartësisht e identifikuar me shqiptarët, duke qenë se dhe kryegjyshata botërore sot e ka selinë në Tiranë, por edhe për shkak të rolit të vecantë që ka luajtur në lëvizjen kombëtare në fund të shek. XIX dhe fillim shek. XX.

Studjues ndërkombëtarë si Nathalie Clayer, Ger Djuizing etj apo Fredrick Hasluck, i cili ishte dijetar i fund-shekullit XIX - fillim-shekullit XX, njohës dhe mbledhes i mirë të dhënash nga Turqia dhe Ballkani kanë kushtuar gjithashtu një vëmendje të vecantë proceseve të formësimit dhe rikrijimit fetar dhe nacional të shqiptarëve duke patur në qendër të analizës së tyre një lidhje shkakësore mes të dyve dhe janë përqëndruar gjithashtu te bektashizmi si një prej feve që ka luajtur një rol të vecantë në proceset komb-formuese dhe identitare të shqiptarëve. Doja pasi bën një analizë dhe kritikë të pjesës më të madhe të autorëve që e kanë cekur këtë temë, elaboron gjithashtu një kritikë shkencore duke iu referuar qoftë përdorimit të njëtrajtshëm të burimeve nga ana e disa prej autorëve, ashtu edhe një interpretimi më holistik të të dhënave empirike për të arritur në një sintezë më të përgjithshme dhe analizë më koherente jo vetëm të zhvillimit historik të një lëvizje fetare, sic është bektashizmi, por edhe deduksione të gjeneralizuara dhe mundësisht të aplikueshme në studime të tilla të ngjashme.

Doja vë theksin te ndryshimet, si strukturore, ashtu dhe organizative që kanë ndodhur me lëvizjen fetare të bektashinjve, të cilët kanë karakteristika të përbashkëta me atë që sociologu i shquar Max Veber i quan “grupe karizmatike” dhe që ndjekin një “vijë fetare jozyrtare” duke i përkitur familjes së mistikëve dhe sufizmit. Tej të parit e këtij grupimi si një homogjen dhe i pandryshueshëm, autori studion variacionin në variablin e varur (nëse përdorim terminologjinë standarte të shkencave sociale) dhe argumenton bindshë m si meritat, ashtu edhe dobësitë e kësaj lëvizje fetare që sot është në pozitë ambigue, ndërmjet statusit si një prej katër feve zyrtare të njohura nga shteti shqiptar dhe lidhjes që shumë prej teologëve të saj i bëjnë me myslymanizmin Sunit.

Ndër meritat kryesore të bektashizmit që i janë veshur bektashizmit nga studjues të ndryshëm, janë natyra e tij liberale, sinkretike, rebele ndaj autoritetit qëndror të Perandorisë Osmane, njëherazi kozmopolite dhe nacionaliste, duke përligjur shpresat e një pjese të mirë të elitës përparimtare dhe duke shërbyer si burim legjitimiteti që ngrihet kundër rregjimit në fuqi. Një “fe e vegjëlisë” sikundër e quan vetë autori.

Një aspekt i vecantë i punimit të Dojës është edhe tejkalimi që i bën thjesht parashtrimit të fakteve historike apo riteve të tyre simbolike në mënyrë deskriptive dhe fokusimi “tek analiza e dinamikës politike dhe sociologjike të lindjes dhe rilindjes së tyre” (fq. 13). Doja i jep kredon e të qënurit një “lloj teologjie clirimtare, si një lëvizje dhe partner gjysëm politik në harmoni me lëvizjet kombëtare, si dhe si një bazë të fuqishme ideologjike për përforcimin e autoritetit politik” (f. 16). Nga ana tjetër, cilësimi që ai i bën bektashizmit si “shprehja më e kulluar e fetarisë së shqiptarëve dhe ruajtja e traditave shqiptare në atë masë, sa të merrej për të vetmen fe me të vërtetë kombëtare” dhe roli i patjetërsueshëm “në zgjimin kombëtar të Shqipërisë në gjysmën e dytë të shek. XIX, duket se përqaset me qëndrimin e studjueses frënge N. Clayer e cila te vepra e saj Feja dhe Kombi mes Shqiptarëve, vë theks të vecantë te lidhja shkakësore mes kësaj lëvizje fetare dhe zhvillimit të nacionalizmit shqiptar.

Autori e kritikon Clayer për një njohje të sipërpërfaqshme të realitetit historik, ashtu sikundër edhe autorin tjetër Ger Djuizings për përdorim selektiv të burimeve dhe krijimin e lidhjeve të shkurtra mes faktesh që mund të mos kenë asnjë lloj korrelacioni, duke iu referuar “karakterit afetar të nacionalizmit shqiptar” (f. 68) që ai e zhvillon si tezë tjetërkund. Mendoj se ndryshimi themeltar me Clayer-in mund të jetë fakti se ndërsa autorja vë theksin te bektashizmi si shkaku dhe nacionalizmi romantik ndër shqiptarët si pasoja. Doja e kthen përmbys këtë ekuacion duke u ndërruar vendet dhe duke folur më tepër për “etnicizimin e fesë” sesa fetarizmin e lëvizjes kombëtare. Por edhe po të pranohet impakti i bektashizmit në frymëzimin e lëvizjes kombëtare, ky ka qenë vetëm i pjesshëm dhe kurrsesi faktori kyc sikundër lë të nënkuptohet Clayer.

Po ashtu, kritika që i bën Djuizings, kur ky i fundit bën një lidhje të drejtëpërdrejtë të efektit që ka patur “Qerbelaja” e Naim Frashërit si një impakt direkt në formësimin e miteve të shekullit të XIX-të me mitin e Car Llazarit në Serbinë fqinje, duke iu referuar qoftë ndryshueshmërisë substanciale të tyre, qoftë shkallës së përhapjes në popullatë, është mjaft e qëlluar dhe dekonstrukton në mënyrë bindëse analogjinë e autorit hollandez. Ndërsa miti serb ishte një mit i institucionalizuar, poezitë epike të N. Frashërit, si “Qerbelaja” apo “Histori e Skënderbeut” as që mund të vihen në të njëjtin kandar, madje as me poemën epike të Njegoshit, princit malazez e cila u kthye në himnin nacionalist të serbëve të shekullit të XIX dhe XX-të. Sikundër shprehet vetë Doja në f. 75, “të krahasosh ideologjinë kombëtare të Naim Frashërit me nacionalizmin serb, është një lloj si të krahasosh romantizmin e Herderit me nacional-socializmin e Hitlerit!” Doja e përmbledh argumentimin e tij, duke konkluduar se “duket e arsyeshme të mendohet se bektashizmi i ri shqiptar mund të jetë krijesë e lëvizjes kombëtare shqiptare, vencarisht pas përpunimit të ndjeshëm të doktrinave të tij heretike të kryera nga Naim Frashë ri” (f. 84).

Gjithashtu Doja merr në konsideratë mbështetjen e fuqishme që ky sekt mori asokohe nga Ali Pashë Tepelena, duke argumentuar se në fakt qëllimet dhe objektivat e Aliut që donte të shkëputej dhe të fitonte autonomi përherë e më shumë nga qendra në Stamboll dhe disidenca e tij, përkonin fare mirë me bektashizmin si një rrymë fetare nacionaliste, liberale dhe disidente ndaj autoritetit qëndror islam. Pra më tepër se instrumentalizim i bektashizmit nga Ali Pasha apo ky i fundit i vënë në shërbim të rigjallërimit të kësaj lëvizjeje fetare, Doja e sheh si një ndihmesë të dyfishtë që këto dy qendra pushteti autonome i dhanë njëra-tjetrës në funksion të mbijetesës përballë pushtetit qëndror dhe kësisoj ndikuan së bashku në zhvillimin e frymës kombëtare dhe kërkesave për mëvetësi.

Gjithashtu monografia ka vlera përsa i përket vështrimit si diakronik, ashtu edhe sinkronik të zhvillimit të bektashizmit, duke u ndalur në zhvillimet paskomuniste ku njëherazi shihet si disidenca e kundërshtimit të autoritetit të Tiranës nga ana e bektashinjve të diasporës (f.105), ashtu edhe influencat radikale pro-iraniane përkundër influencave të traditës vendore. Kjo e fundit të sjell ndërmend të njëjtën situatë në komunitetin islamik, ku përballë përkrahësve të rrymës së Hanafit të moderuar të bazuar në vlerat e trashëguara dhe që i jep islamit shqiptar një karakteristikë të vecantë si europianë, kemi rryma më radikale si wahabi, importuar nga klerikët e rinj shqiptarë të shkolluar në disa nga vendet arabe.

Doja e përmbyll punimin e vet shkencor duke risjellë në vëmendje të lexuesit se cdo sekt fetar, pra një lëvizje shoqërore apo fetare në disidencë me pushtetin qëndror apo fenë zyrtare, pajtohet në fund me këtë të fundit, duke bërë një përgjithësim teorik që vlen të testohet empirikisht edhe në raste të ngjashme. Sikundër ka argumentuar më në detaj në një punim pararendës, autori beson se lëvizjet e reja fetare të lindura si pasojë e krizave shoqërore, kulturore apo kombëtare, duhen parë ose “si përligje e lëvizjeve fetare, ose si një ideologji që përligj sundimin” (p.110). Në rastin e bektashizmit shqiptar, autori ka demonstruar qartë se kemi të bëjmë me të dyja rastet, në kohë të ndryshme.

Leximi im është se Doja tenton të cmitizojë rolin e patjetërsueshëm në zgjimin kombëtar të shqiptarëve që studjues të tjerë apo bektashinjte vete i kanë mveshur bektashizmit dhe përqëndrohet te pergjithësimi i rëndesishëm teorik se bektashizmi, ashtu sikundër cdolloj lëvizjeje tjetër fetare që ka filluar si heretike, protestuese etj, me kohë është përshtatur dhe kthyer ne fe konservatore. Jo vetëm kaq por më e rëndësishmja dhe si në raste analoge u është bashkangjitur kauzave të caktuara ideologjike-politike që i shërbejnë si burim legjitimiteti për të rritur numrin e pasuesve të vet dhe/ose u ka sherbyer si burim legjitimiteti kauzave të ngjashme. Këtu ka vend për kritikë pasi kemi të bëjmë me një tautologji që në fakt nuk është se thotë ndonjë gjë të re nga pikëpamja teorike, përvecse inkuadron apo pozicionon bektashizmin në tablon e përgjithshme të lëvizjeve heretike që në përpjekje për të rritur numrin e pasuesve adoptojnë qëndrime tradicionaliste dhe kombëtariste, ndërsa empirikisht merret pak me studimin e impaktit që kishte kjo fe sinkretike në unifikimin kombëtar të shqiptarëve, theks ky i vënë me apo pa të drejtë nga studjues të ndryshëm. Parë nga ky këndvështrim, libri i Dojës komplimenton studimet e tjera në këtë fushë dhe është një prurje interesante për nxitjen e një debati ndër-disiplinar mbi përdorimin politik të fesë, shdërrimet identitare, lidhjes mes etnisë, fesë dhe nacionalizmit etj.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...