Piet de Moor/ Reporteri i njohur belg rrëfen njohjen e tij me Shqipërinë dhe letërsinë e Kadaresë.
"Eshtë e çuditshme sesi një vend i vogël me një regjim totalitar si ai i Enver Hoxhës mundi të ruante shkrimtarë të mëdhenj". Kështu shprehet Piet de Moor, një reporter i njohur belg, i cili vetëm një vit më parë botoi në gjuhën e vendit të tij librin "Një maskë për pushtetin", kushtuar shkrimtarit të njohur shqiptar, Ismail Kadare. Me një anglishte të pastër, i veshur me një këmishë të bardhë, Moor, i cili dje la Shqipërinë pas një vizite tjetër në këtë vend, rrëfen se gjithnjë ka qenë i befasuar nga ky fakt. Ndërsa rrëmonte në qytete të ndryshme të Shqipërisë të gjente detaje nga jeta e këtij vendi për të cilin kishte lexuar aq shumë në librat e Kadaresë, Moor ka ndjerë se e kishte njohur qysh më parë. Qysh atëherë kur në tryezën e tij të punës vendosi librin "Ura me tre harqe", për të vazhduar më pas me kolanën e shkrimtarit të madh shqiptar. Shqipëria në vizionin e tij nuk ishte më një vend i vogël, por një vend, i cili mund t\u fliste evropianëve nëpërmjet letërsisë së saj, e cila sipas Moor, ishte e mrekullueshme. Teksa na rrëfen aventurën e tij për të njohur një vend postkomunist, Moor ndihet mirë që pati fatin të njihej me një shkrimtar si Kadare që ai do ta vendoste në kolanën e emrave më të mirë të letërsisë së sotme evropiane. "Shqiptarët duhet ta dinë këtë gjë", thotë ai. Burri, i cili jep edhe leksione gazetarie në universitet, i cili për vite me radhë ka udhëtuar në të gjitha vendet e Evropës Lindore, e sheh Shqipërinë si stacionin ku do t\i pëlqente të ndalonte sërish. Gruaja që e shoqëronte gjatë këtij udhëtimi, një profesoreshë psikologjie, nxjerr nga çanta e saj prej lëkure kafe një libër për të na treguar. "Ky është libri që unë po lexoj tani", thotë ajo duke buzëqeshur, ndërsa nxjerr ngadalë me duart e saj plot damarë të kaltër, romanin "Përbindëshi"...
Kur keni dëgjuar për herë të parë për Shqipërinë?
Kam dëgjuar qysh herët për vendin tuaj, që para se të mbërrija këtu. Prezantimin e parë me këtë vend e kam pasur nëpërmjet televizionit. Kam dëgjuar kronika për një vend komunist, sesi një Kryeministër vrau veten. Gjithnjë më dukej interesante të mbërrija në këtë vend, vetëm se atëherë ishte e pamundur. Duke qenë se më pëlqente të isha një reporter i lirë, kam udhëtuar shumë nëpër vendet e Evropës Lindore, për të parë nga afër gjithçka çfarë ndodhte në këto vende. Kështu, të gjitha vendet që mbartnin në vete një histori ishin për mua një stacion ku duhet të mbërrija. Kam udhëtuar drejt Rumanisë, në Turqi. Kur shkova në Rumani kam qenë i shoqëruar me një fotograf dhe qëndruam për dy javë. Më kujtohet se reportazhi im nga ai vend është komentuar për një kohë të gjatë mes kolegëve të mi. Kështu, pas kësaj eksperience, doja të zbuloja vende të tjera të Evropës.
Kështu kam udhëtuar nga Polonia në Rusi, në vendet e ish-Jugosllavisë dhe gjithnjë mendoja se një ditë unë duhet të mbërrijë patjetër në Shqipëri. Kështu, pasi diktatura këtu ra dhe të huajt ishin të lirë të udhëtonin në vendin që sapo kishte marrë frymë i lirë në Ballkan, unë vendosa të udhëtoja drejt Shqipërisë, dhe në udhëtimin tim të parë drejt vendit tuaj nuk kam qenë i vetëm. Bashkë me mikun tim filluam të eksploronim vendin për të cilin kishim dëgjuar aq shumë. Takuam njerëz të ndryshëm të njohur dhe të panjohur, shkuam në televizione për të parë nga afër gjithçka çfarë ndodhte. Vizituam qytetin e Krujës dhe të Gjirokastrës. Kështu, avash-avash, ne filluam të zbulonim Shqipërinë.
Pas udhëtimit në Shqipëri ju njohët letërsinë e Kadaresë, apo kishit lexuar më parë ndonjë vepër të tij?
Kadarenë e kam njohur përmes veprës së tij përpara se të mbërrija në Shqipëri. Ndoshta 20 vjet më parë kam lexuar librin e tij "Ura me tre harqe" dhe menjëherë pasi mbarova së lexuari këtë libër, mendova se ky është një shkrimtar shumë i mirë. Mund të them se ishte magjike për mua gjithçka çfarë lexova në atë libër dhe vendosa që nga ai moment të lexoja gjithçka nga ky shkrimtar. Në fakt, zbulimi i njerëzve më të rëndësishëm të një vendi në letërsi, ishte diçka që unë e bëja sa herë që mbërrija në një vend. Por Kadare ishte ndryshe, letërsia e tij nuk i përkiste vetëm shqiptarëve, ai ishte universal në mendimet që përcillte. Por gjatë udhëtimit për në Shqipëri, librat e tij më kanë shërbyer si një lloj guide për të zbuluar shpirtin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Vetëm letërsia mund të ndihmojë për të zbuluar atë çfarë vërtet mendojnë njerëzit e një vendi, kështu unë do ta quaja një eksperiencë magjepse njohjen me letërsinë e tij.
Gjithçka që kam gjetur në udhëtimin tim në Shqipëri ka qenë ashtu siç e kisha parë të përshkruar në librat e tij. Gjirokastra mbetet për mua qyteti i frymëzuar aq bukur te "Kronikë në gur". Ndërsa ecja në atë qytet, mundoja të sillja në mendje ngjarje e ndodhi që i kisha lexuar në atë roman. Gjithçka ishte e gjallë në atë qytet ashtu si Kadare e ka përshkruar. Nëse ke ndenjur vetëm disa ditë në Shqipëri, ke kuptuar se shqiptarët janë një popull mikpritës ashtu si ai i ka përshkruar në librat e tij. Më kujtohet takimi im i parë me të, është një moment i rëndësishëm për mua. M\u duk pak i zemëruar dhe dyshues dhe i dhashë plotësisht të drejtë, pasi mendoja se do të kishte eksperienca jo të mira me reporterë të tjerë. Por ndërsa flet me të dhe ai e sheh që ti i ke lexuar librat e tij, ai bëhet njeriu më i këndshëm që t\i mund të kesh takuar ndonjëherë. Për mua, takimi i parë me të ka qenë shumë mbresëlënës, pasi i kisha lexuar të gjithë librat e tij. Ndërsa si shkrimtar, ai di të ofrojë gjithnjë diçka të re për lexuesin. Në këtë mënyrë, ai krijon një univers të tijin. Ndonjëherë ndërsa lexoj romane të tij më duket i ngjashëm me Balzakun, stili i tij është i përkryer.
"Një maskë për pushtetin" quhet libri që ju keni botuar në vendin tuaj për shkrimtarin Kadare? Përse vendosët të shkruanit këtë libër dhe çfarë donit të tregonit aty?
Këtë libër nuk e kam shkruar për shqiptarët, por për vetë Kadarenë. Prej kohësh kisha shumë dëshirë të shkruaja për novelat dhe romanet e tij që kisha lexuar, duke dashur të ndaja mendimet e mia me të tjerë. Doja t\u thosha njerëzve të vendit tim që çdokush duhet ta lexojë këtë shkrimtar të madh dhe këto libra kaq cilësorë. Kjo ishte shtysa e parë për të shkruar këtë libër. Arsyeja e dytë ishte dëshirë për të hyrë në universin e tij dhe për të zbuluar aty gjithçka. Kuptohet për të njohur universin e Kadaresë, unë duhet të njihja vendin tuaj, shqiptarët. U mundova të njihja mentalitetin e këtij populli që ishte ashtu siç e kisha lexuar në romanet e tij. Por në librin tim, vështrimi im ka shkuar më tej, duke e trajtuar shkrimtarin në krahasim me regjimin komunist. Ishte magjepse të shihje sesi ai kishte mundur të mbijetonte në atë regjim aq të egër dhe të dilte që andej me një letërsi cilësore. Të shihje sesi një shkrimtar mund të rrezikonte nga momenti në moment të burgosej me artin e tij dhe asnjëherë nuk e braktisi atë. Eshtë shumë interesante që të huajt të dinë historinë e krijimtarisë së tij që është aq interesante sa dhe vetë librat që ai ka shkruar. Unë do ta cilësoja atë si një shkrimtar me stil unik, si një shkrimtar që i përket plejadës së shkrimtarëve më të mirë që ekzistojnë sot në botë. Ai është i krahasueshëm vetëm me rangun e Homerit apo Dantes dhe Shekspirit për kualitetin e lartë. Unë mund të shprehesha se "nëse ke mundësi që të takosh atë, atëherë do të thotë se nesër ti ke mundësi të takosh edhe Shekspirin...Janë gjithë këto detaje që i thashë më lart që ndikuan që unë të ulesha dhe të shkruaja një libër për këtë shkrimtar, që unë do ta quaja të vogël në krahasim me atë që në të vërtetë përfaqëson ai si shkrimtar. Në librin tim përshkruhet jeta e Kadaresë në regjimin totalitarist. Njerëzit në Belgjikë dhe në shumë vende perëndimore nuk mund ta kuptojnë ende se sa e vështirë është të jetosh si artist në një regjim të tillë. Të jetosh në një vend ku nuk ke asnjë alternativë, ku nga momenti në moment mund ta gjesh veten në pranga. Ky është thjesht një libër sipas vizionit tim. Ndërsa për të kuptuar se çfarë ka ndodhur realisht këtu mund ta kuptosh nëse lexon veprat e tij. Unë jam munduar të tregoj Shqipërinë në historinë e një shkrimtari.
Ky është udhëtimi juaj i dytë në Shqipëri. Si do ta shihnit progresin e bërë në këtë vend, apo në letërsinë shqipe në përgjithësi?
Gjithçka ka ndryshuar qysh nga udhëtimi im i parë. Ndërsa për letërsinë nuk mund të flas shumë, pasi duhet të jetoj këtu për të dhënë një konkluzion të qartë. Nuk mund ta quaj veten një ekspert të letërsisë shqiptare. Të vetmit shkrimtarë që unë njoh janë Ismail Kadare dhe Dritëro Agolli dhe këtu mund të bëj krahasime. Gjithsesi, në një vend postkomunist mendoj se çdokush mund të bëjë komente për progresin e bërë. Mendoj se është normale që ndikimi i letërsisë në këtë kohë nuk është rritur, por zvogëluar, sepse njerëzit kanë shumë gjëra të tjera për të bërë. Është një situatë normale, e cila mundet të krahasohet edhe me Evropën Perëndimore. Disa njerëz lexojnë, por jo të gjithë dëshirojnë ta bëjnë këtë gjë. Përpara regjimit ishte një burim shumë i rëndësishëm informacioni. Tani gjithçka ka ndryshuar, po kështu dhe letërsia. Letërsia ka filluar të luajë një rol normal në këtë shoqëri ashtu si në Belgjikë, Holandë. Pas shokut të regjimit, njerëzit dëshirojnë të bëjnë gjëra të ndryshme, të kenë variacion, por kjo situatë pas disa vitesh do të normalizohet dhe letërsia do të luajë një rol të rëndësishëm ashtu siç luan në të gjithë botën.
Si do ta vlerësoje letërsinë e Kadaresë në raport me letërsinë e sotme evropiane, dhe si do ta cilësojë letërsinë e tij për shqiptarët?
Unë do ta klasifikoja Kadarenë, por jo vetëm unë në rangun e shkrimtarëve më të mëdhenj sot në Evropë. Ai e di këtë gjë dhe nuk është modest. Në pak vjet, njerëzit kudo do ta kuptojnë koherencën e letërsisë së tij. Për mua ai ia kalon edhe Gunter Grass apo Heminguejit. Mendoj se shqiptarët e kanë një pasaportë evropiane veprën e tij. Mendoj se në regjimin e kaluar, ai ka qenë burimi më i rëndësishëm i informacionit. Ashtu si në vendet sovjetike dhe lindore që shkrimtarët luajnë një rol shumë të rëndësishëm për shoqërinë civile. Regjimi në Shqipëri ka qenë më i vështirë se në Poloni dhe në Çekosllovaki. Nuk mendoj se njerëzit në Perëndim e dinë ende se çfarë ka qenë në të vërtetë regjimi i Enver Hoxhës. Mbi të gjitha, Kadare ka qenë një njeri shumë kurajoz dhe kritik, i cili u ka dhënë shpresë njerëzve nëpërmjet veprave të tij. Ai u ka dhënë njerëzve shpesë në një regjim të pashpresë. Në veprat e tij, ai krijon një urë mes jetës publike dhe asaj private. Shqiptarët duhet të jenë krenar që kanë një shkrimtar si Ismail Kadare dhe këtë nuk e bëj për të pasur sukses të lirë, por mendoj se tani për tani është shkrimtari më i mirë në Perëndim dhe jo vetëm. Esetë e tij janë të pazëvendësueshme. Ai është universal dhe është një novelist, eseist dhe për këtë e pëlqej Kadarenë aq shumë. Kështu që ai bën pjesë në kulturën botërore. Duhet t\i lexojmë librat e tij për të parë se një vend i vogël, edhe pse me një regjim si ai i Enver Hoxhës, ruan shkrimtarë të mëdhenj si Kadareja. Hapi tjetër është se Shqipëria do t\i përkasë Evropës Perëndimore dhe ne evropianët mund të mësojmë diçka nga shqiptarët ashtu siç bëra unë.
Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)
Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës. Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...
-
Genci Gora NË SHKOLLË TEK SHTRIGA Shkarko falas Begzat Rrahmani VALËT E GURRËS Shkarko falas Mehmet Bislim...
-
Akademik Prof. Kujtim Mateli Pak histori derisa nisa t ë shkruaj librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” (Pjesa e parë e para...
-
"Zëra nga burime të nxehta" mbetet një libër i veçantë i shkrimtarit Sabri Godo . Ai vjen për të dëshmuar se ka autorë dhe vepr...