2011-03-05

Në vend të përkujtimit për dy vigaj të letërsisë shqipe


Nga Alda Bardhyli:Një romantik i pandreqshëm




In Memoriam

DIN MEHMETI/ Emblema e poezisë kosovare rrëfehen për jetën si poet në një vend si Kosova, miqësinë me Azem Shkrelin dhe lidhjet me letërsinë e ish-Federatës Jugosllave

Ai është aty, në tryezën e mbushur me miq, të cilët e rrethojnë gjithnjë tavolinën ku ai ulet, i veshur me një këmishë të kaltër, të ngjashëm me sytë. Vitet nuk kanë mundur t’i ndryshojnë asgjë në atë portret tashmë të mbuluar me ca rrudha të lehta, në atë fytyrë aq romantike sa edhe ngjan Gjakova nga lart. Ky është qyteti ku ai ka ndarë gjithnjë jetën. Në ato mori shtëpish të ndërtuara me kujdes, ndodhet dhe banesa e tij, ku ndan jetën me të shoqen. Ky është qyteti të cilin nuk e braktisi as atëherë kur serbët u lëshuan të vrisnin çfarë të gjenin në ato shtëpi. Ai nuk bëri asgjë, madje edhe derën harroi ta mbyllë, duke dashur të mos besonte se “shkjau ishte aty për t’i shfarosur”. Ende i ka në mendje fytyrat e dy ushtarëve, të cilët hynë në shtëpi atë mbrëmje. I vendosën tytën e automatikut mbi kokë, duke e pyetur se “çfarë është kjo shtëpi e mbushur me libra”. Ai u tha se ishte shkrimtar, por në kohë lufte ushtarët nuk duan t’ia dinë për fjalët. “Ti gënjen”, i thanë ata. Dhe ky burrë, që tashmë kthen ngadalë me dorën ku i dallohen damarët e kaltër kafenë, rrëmbeu nga biblioteka disa libra të përkthyer në serbisht dhe ua tregoi... Librat sërish e shpëtuan nga vdekja, ashtu si gjithnjë e kishin shpëtuar nga dhembjet e gjata, nga netët e trishta, duke parë vendin e tij që s’po mund t’ia dilte nga robërimi... Din Mehmeti nuk do ta kujtojë Gjakovën apo Prishtinën e atyre viteve. I bindur se historia nuk ka qenë asnjëherë në anën e vendit të tij, ai e rrëfen këtë histori shkarazi në kafenenë ku zhvilluam bisedën, duke dashur t’ia lërë së shkuarës atë kohë. Sytë që kanë një blu të thellë, gati sa si përloten pas çdo fjalie, teksa rrëfen jetën e tij me letrat. Ndihet i lumtur se dikush ka shkuar ta takojë si poet, në këto kohë të trazuara për Kosovën. Kërkon të më tregojë vendin ku në çdo rrugë fshihet jeta e tij, kafenenë ku ulet për të medituar gjithçka... Të gjithë e njohin Din Mehmetin në këtë qytet. Ai është si një mbret i heshtur, para të cilit të gjithë ndalen për ta përshëndetur...

Por thellë brenda tij duket se ai ka mbetur një romantik i pandreqshëm, i cili nuk lodhet së foluri për orë të tëra për poezinë...

Mund të më tregoni rrugëtimin tuaj bashkë me poezinë, në një vend si Kosova, gjithnjë i paqëndrueshëm politikisht, plot drama... Si ka qenë jeta juaj prej poeti në një vend të tillë?

Unë si poet e kam ndier thellë në veten time peshën e ngjarjeve shoqërore apo politike që kanë shoqëruar jetën e vendit tim. Të gjitha ato ngjarje të vogla dhe të mëdha kanë qenë pjesë e jetës sime dhe si të tilla i kam paraqitur edhe në poezinë time, duke rrëfyer aty çdo gjë, duke i pranuar dhe refuzuar, duke bërë një luftë të vazhdueshme...

Me gjithë ato çfarë ka ndodhur me të keqen tonë, qoftë individuale apo shoqërore, mund të them se poezia ime është një biografi e pikëllimit, e cila duke qenë e tillë është përpjekur të thotë diçka jo vetëm për atë çfarë unë ndieja, por për ekzistencën ku ajo inkuadrohet, atë shoqërore, historike, politike. Jeta ime është poezia ime dhe në këtë sens mendoj se ajo ka një kuptim. Ka brenda edhe zhgënjimin, por mendoj se brenda saj ka një sens shumë të fortë të qëndresës, ashtu natyrshëm siç kemi mundur të qëndrojmë ne. Por, qëndresa në poezi është krejt ndryshe nga qëndresa në jetë...

Le të shkojmë pas në kohë, në ato vite kur ju filluat të shkruanit. Kam lexuar biografinë tuaj, kur një djalosh nga fshatrat e thella të Kosovës, të cilit i pëlqente të këndonte këngët e traditës, nisi të shkruajë. Si do ta kujtonit këtë jetë me letrat?

Në jetën time letrare asnjëherë nuk kam qenë rob i një forme, apo i ideve të ndryshme. Sigurisht që jam udhëhequr nga ato, por gjithnjë kam dashur të ecë sipas ngritjeve të problemeve shoqërore dhe politike. Në fillim poezia ime ka qenë një poezi e peizazhit të vendlindjes. Në të mund të dëgjoja zërin e atyre njerëzve që e adhurojnë vendin ku kanë lindur, janë dashnorë të përjetshëm të natyrës, të cilët rrinë deri natën vonë dhe meditojnë gjatë për një jetë më të mirë. Këta njerëz, që unë i njoh aq mirë, i ka mësuar historia të durojnë e të besojnë pafundësisht, pasi gjithnjë kanë qenë të lodhur nga këto gjëra. Poezia ime është përpjekur të hyjë në botët e këtyre njerëzve, t’i identifikojë ata. Në këtë plan mund të them se jam pakëz romantik, për arsye se dikur besoja se me anë të artit mund të ndryshohet gjendja politike dhe shoqërore e një vendi. Besoja deri në verbëri, se fjala është një magji e madhe, që mund të bëjë ndryshime rrënjësore në shpirtin e njeriut për ta bërë atë më të përsosur sesa është, një njeri si duhet të jetë në rrethana të caktuara shoqërore, si mund të kontribuojë më mirë për historinë dhe vendin e tij. Por, më vonë, teksa rritesha unë bashkë me poezinë, teksa endesha në emrat e mëdhenj të letërsisë botërore, kam kuptuar me dhembje se nuk është letërsia ajo që i ndryshon gjërat. Ajo në të vërtetë është një art që e urtëson shpirtin e njeriut dhe e magjeps me të bukurën që të ofron, por në jetë ajo është e pamundur ta bëjë këtë, nuk ka mjete dhe forcë ta ndryshojë këtë. Kjo ishte ajo çfarë unë mendoja në fillimet e mia si poet, por me kalimin e kohës kjo ka ndryshuar tek unë, pasi jam përpjekur të ballafaqohem me tema të tjera, që m’i ka imponuar koha dhe rrethanat shoqërore. Gjithnjë rrethanat shoqërore kanë ndikim te poeti, ato mund t’i ndryshojnë poetët, pasi, në fund të fundit, poeti është një trup si gjithë të tjerët, madje me ndjeshmëri më të madhe, i pafuqishëm për të mos e ndier atë që e rrethon, ta braktisë atë. Por, gjithnjë është e rëndësishme mënyra sesi ti i rrëfen këto rrethana në art. Unë shumë vonë kam mundur t’i kap damarët e poezisë bashkëkohore shqiptare e botërore dhe haptazi e them se unë dhe shokët e mi poetë të brezit tim kemi mësuar shumë prej shkrimtarëve të mëdhenj botërorë. Natyrisht ne kemi marrë nga shumëllojshmëria e shprehjeve të tyre, të formave të ndryshme, pasi në Kosovë historiku i kulturës sonë ishte një historik i diskutueshëm, për shkak të robërive shekullore që është kanosur historikisht te ne. Gjërat kanë nisur të ndryshojnë më vonë, diku nga viti 1945.

Pra, krejt çfarë jam munduar të bëj është që të përcjell besnikërisht ngjarjet e mëdha dhe të vogla shoqërore e politike. Gjithashtu jam përpjekur t’i shpreh ato në mënyrë subjektive, duke u dhënë formën e ndjenjave të mia, të pikëpamjeve të mia, jo duke u ndenjur gjithnjë besnik atyre ngjarjeve, por në bazë të tyre, duke krijuar paralelizma herë-herë fantastike, herë-herë edhe forma të cilat nuk mund të ngjasin në jetë. Edhe shprehjet metaforike kanë qenë shprehje të një ëndrre të poetit për diçka më të mirë në jetë.

Ju i përkisni atij brezi intelektualësh të cilët krijuan elitën e mendimit në Kosovë. Mund të na rrëfeni diçka më tepër për këtë periudhë. Dhe doja të dija mbi komunikimin që keni pasur me poetë apo shkrimtarë të ish-Federatës Jugosllave?

Së pari, mund të them se ne kemi krijuar një mënyrë specifike.

Ne gjithnjë kemi qenë të mbikëqyrur, për ne janë kujdesur të tjerët, pasi ishim letrarë dhe gjithçka çfarë bënim shikohej se mos devijohej nga vijat dhe mos gabonim. Nuk ka qenë e lehtë të krijoje nën një atmosferë të tillë, të jesh gjithnjë i përndjekur në mendimet e tua. Gjërat ndryshuan disi pas viteve ‘70, atëherë kur ne filluam të kishim autonominë tonë. U krijua një hapësirë ku ne mund të shkruanim me një frikë disi më të minimizuar, sigurisht që ishim sërish të mbikëqyrur, por jo sa të mos i shfaqnim mendimet tona. Gjatë viteve 1972-1974, kur u krijua autonomia e Kosovës, ne ishim në kontakte të vazhdueshme me shkrimtarë të republikave të ish-Federatës Jugosllave. Duke qenë se ishim një brez i shkolluar në fakultete të ndryshme të ish-Jugosllavisë, ne nuk ramë në kontakt vetëm me letërsinë jugosllave, por edhe me letërsinë botërore nëpërmjet saj. Në atë kohë, në ish-Jugosllavi kishte potencë njerëzish që përkthenin nga letërsia e huaj, ndryshe nga çfarë mungonte në Kosovë. Ata kishin njohje të gjuhëve të huaja, duke sjellë në gjuhën e tyre emra të njohur të letërsisë së huaj. Kështu, ne i kemi njohur burimet e letërsisë së huaj nëpërmjet gjuhës jugosllave. Kjo ka qenë përparësi, nga e cila kemi fituar, pasi librat kanë qenë të dobishëm për krijimin e një bërthame të re në letërsinë shqiptare. Nga ky brez i poetëve të viteve ‘60 dolën emra që krijuan elitën e mendimit, si Azem Shkreli, Ali Podrimja, Rajmond Deda, këtu bëj pjesë edhe unë. Ne supozohemi nga kritika që jemi krijuesit e poezisë moderne shqiptare në Kosovë. Ne kemi mundur të sjellim në poezinë tonë forma dhe përmbajtje të njëjta, si në poezinë e shkruar në Europë, por të brumosur me jetën kosovare, me jetën shqiptare, me përpjekjet tona drejt një aspirate, të cilën ende nuk e kemi arritur. Ne kemi mundur t’u japim këtyre përpjekjeve një formë moderne, në mënyrë që të mos mbesin të lokalizuara, por t’i drejtohen botës me metafora nga më universale. Nëse u referohemi përkthimeve që janë bërë deri tani nga letërsia kosovare jashtë, kuptojmë se ajo është e pranueshme dhe pranohet, pikërisht për faktin se europianët duan të njohin shpirtin e Kosovës, shpirtin e shqiptarëve dhe përpjekjet e tij nëpërmjet vargut të poetëve dhe metaforave origjinale të tyre. Kjo është ajo që mund të quhet një nga fitoret e poezisë sonë. Kjo poezi mund të quhet e stabilizuar në formën e atij brezi dhe ka mbetur një poetikë, e cila nuk mund të përsëritet, pasi e kanë konservuar në vetvete një pjesë të kohës dramatike të popullit shqiptar, duke i sjellë ato me tone origjinale, të drejtuara nga tonet europiane dhe botërore nëpërmjet mjeteve artistike.

Ju keni qenë mik i Azem Shkrelit. Mund të më flisni pak për të?

Unë kam qenë mik i ngushtë me Azem Shkrelin, sepse jemi bashkë edhe nga një krahinë. Kështu bashkë na bashkoi ambienti nga kishim ardhur, kujtimet e rritjes sonë nën të njëjtën frymë, psikologjia, motivet dhe e menduara jonë disi e njëjtë. Kemi qenë miq shumë të mirë. Unë e konsideroj atë si një nga poetët ndër më të mirët që kemi sot andej dhe këtej kufirit. Ai ka një stil aq origjinal sa askush nuk mund ta përsërisë dhe të mos brejë nën ndikimin e tij. Atë nuk e mbajnë shumë temat, por stili. Stili i tij është një stil azemian. Ashtu si Floberi në romanin e tij është i përsosur në stil. Unë nuk di nëse ka poetë kosovarë të ketë aq stil origjinal sa Azem Shkreli.

Më lejoni t’ju pyes se cilat kanë qenë vitet tuaja më të bukura dhe vitet që ju kanë lënduar më shumë?

Ah, kjo është një pyetje jashtëzakonisht e mirë, por në të njëjtën kohë është një pyetje që më kthen nëpër disa shtigje të pikëllimit personal. Vite, të cilat kur e kthej kokën në të kaluarën hesht, kam dëshirë të hesht dhe shpeshherë, më shumë se kurdoherë tjetër, të pështy, të pështy zi, vrer, kuq, të pështy e të pështy, për çdo gjë çfarë kaloi, pasi kemi parë hidhërime të tepruara që e mbulonin gëzimin. Por, sa herë kthehem në të kaluarën më paraqiten edhe disa xixa të gëzimit që kam arritur të jem gjallë e të jem këtu me ty sot, duke folur për poezinë. Ndiej, në njëfarë mënyre, gëzim, pasi jeta ime nuk më ka kaluar krejtësisht bosh, sepse në biografinë e jetës sime kam mbjellë një farë, e cila i ka nxjerrë produktet e veta në njëfarë kohe, megjithëse verdiktin është koha ajo që e jep. Por, kam pasur dhe gëzime përkundër gjithë asaj dhune të ushtruar mbi ne, pasi ne qëndruam dhe ajo qëndresë e luftë e pareshtur na ka sjellë deri në këtë fazë ku jemi tani. E kaluara ime është e kaluara kosovare dhe si e tillë ka qenë një përpjekje ekzistenciale, përpjekje për të ekzistuar. Ka qenë një rrugë e ndjekjeve, një fobi e tmerrshme se dikush po na ndjek mbrapa. Ne duhet të shkruanim, të punonim, por, gjithsesi, ishim të ndjekur. Tragjedia qëndron këtu, se në vitin 1945, kur Kosova iu bashkua Serbisë, atëherë ne e kuptuam se janë shkelur idealet e luftës sonë në Luftën e Dytë Botërore, kur flitej se pas çlirimit, Kosova do t’i takonte Shqipërisë dhe kjo nuk u realizua. Kur Kosova iu bashkua Serbisë, ne si njerëz të kulturës ishim të zhgënjyer dhe të tjerët e dinin se në çfarë gjendje psikologjike ishim. Ne, atëherë, kemi qenë të zhgënjyer dhe kemi ecur nëpër zhgënjime personale dhe jemi munduar që nëpërmjet zhgënjimit të bëjmë diçka, që të mos vdesin idealet. Të mbjellim diçka në tokën tonë. Dhe vërtet, diçka kemi mbjellë. Kemi krijuar një shtresë të kulturës, kemi libra, kemi biblioteka etj.

Mendoni se gjithnjë do të dominojë kjo frymë në poezinë kosovare?

Poezia kosovare dhe poezia e popujve të tjerë të vegjël, që për një kohë të gjatë kanë qenë nën sundimin e të huajve, i ka ngjyrat e veta karakteristike, ka ngjyrë militante, thuajse se ajo ka dëshirë të ndihmojë me çdo kusht tjetrin, ka tendencë të jetë disi surrealiste. Poezia udhëhiqet nga një ide për ta ngjallur njeriun, për ta ndihmuar atë drejt ngritjes së tij individuale. Por, kjo është ngjyra e poezisë provinciale, e popujve të vegjël me kultura gati-gati fillestare, të varfra në krahasim me të tjerat. Tani, definitivisht mund të them se një poezi e tillë do të mbetet gjallë për aq sa kanë për të qenë aktuale ngjarjet që ajo i përshkruan, për aq sa koha do të kërkojë t’i identifikojë ato ngjarje e ato përpjekje që janë brumosur në poezinë e poetëve të ndryshëm. Mirëpo, kjo poezi është e tejkaluar. Poezia është jashtë kohës dhe hapësirës në Europë. Ajo nuk do të jetë poezi e rrethanave shoqërore, por e rrethanave shpirtërore të poetit, ama të poetit që nuk i dihet në cilën kohë jeton. Është një poezi universale e gjërave që flasin e s’flasin. Është një metaforikë që shpërthen nga shpirti i poetit, por jo e angazhuar. Sado që një poet thotë se ne nuk jemi të angazhuar dhe se shkruajmë vetëm për vete, ky është një mashtrim, pasi një gjë të tillë mund ta bëjnë vetëm snobët. Është e pamundur të mos mendojë poeti se do të shkruajë për lexuesin.

Doja të dija mbi komunikimin që poetët në Kosovë kanë pasur me kohën kur në Shqipëri zhvillohej një letërsi tjetër, ajo e socrealizmit?

Letërsia shqipe e këtyre dy kaheve përbëjnë tërësinë e letërsisë kombëtare shqiptare. Kjo letërsi është një letërsi, jo dy letërsi. Është një letërsi, pasi shkruhet në një gjuhë, në atë standarde e të unifikuar, prandaj ne jemi të integruar si shqiptarë dhe kjo nuk na lë shumë hapësirë të ndahemi. Megjithatë, gjatë këtyre 40 viteve shkrime që bëheshin në Shqipëri, dallonin nga ato që bëheshin në Kosovë në disa pikëpamje. Thirrjet e poezisë shqipe në Shqipëri kishin frymë socrealiste.

Ndryshe nga ne në Kosovë, poetët në Shqipëri, gjatë asaj periudhe, ishin të detyruar të shkruanin nën moton e “njeriut të ri”. Ata nuk mund të shkruanin të lirë, jashtë rregullave të vendosura të kohës, larg ideologjisë komuniste, pasi kjo gjë kushtonte shumë dhe unë i di të gjitha rastet e burgosjeve në burgjet komuniste. Është e trishtë e gjithë ajo çfarë ka ndodhur atje. Por mendoj se edhe në atë mënyrë të robëruar ata mundën të rrëfenin situatën reale në të cilën ndodhej kjo letërsi, ai vend dhe për këtë gjë ajo letërsi është pjesë e historisë sonë. Prandaj, poetët në Shqipëri nuk kanë mundur të jenë më modernë, ashtu siç ndodhte në të njëjtën kohë në vende të ndryshme të Europës. Ata nuk kishin mundësi të lexonin, ta përsosnin formën dhe mendimin e tyre, pasi ishin vetë rrethanat e tilla... Ndërsa në Kosovë, pavarësisht se ishim të përndjekur, ne kemi mundur të jemi më të lirë, të kemi më shumë mundësi komunikimi.

Në një libër për Ballkanin, cili është vendi që do t’i linit poezisë shqipe?

Poezinë shqipe, në të dyja anët e kufirit, në tërësi në një libër karshi librave të tjerë të poezive ballkanike, do ta vendosja aty ku ajo e meriton. Ajo e meriton të jetë karshi poezisë më të mirë të popujve ballkanikë, me të veçantat e veta natyrisht. Poezia shqipe sjell të veçantat e veta, ngjyrën e vet. Dhe kjo ngjyrë është e veçantë në këtë libër, mund të jetë e ngjashme edhe me ndonjë popull tjetër ballkanik. Mendoj se kulturat e huazuara e ndihmojnë njëra-tjetrën, unë po them me bindje se poezia shqipe sot në botë edhe mund të konsiderohet një poezi, e cila ka një pamje moderne. Unë e lexoj poezinë bashkëkohore të vendeve të ndryshme, si të Greqisë, ish-republikave të Jugosllavisë, sllovene, franceze etj., por poezia jonë është një farë indi, një farë skeleti i fortë i jetës, i historikut të shqiptarit, i ngjyrës, i natyrës së tij, e cila i jep mundësi asaj të futet në poezinë e botës. Pasi, poezia e botës nuk mund të jetë e njëtrajtshme.

Poezia shqipe është poezi botërore. Nëse poezia jonë do të ishte moderne, siç është poezia moderne franceze, nuk do të vlente.

Çfarë mendon Din Mehmeti tashmë në këtë moshë? Cilat janë ato që orvaten në mendjen tuaj?

Kjo është një pyetje shumë e mirë. Përgjigjja e saj është sikur unë të ulem e të shkruaj një roman, por romani është i mundimshëm tani për mua. Unë vetëm mendoj, unë gjithçka mendoj, unë tani vetëm meditoj, unë meditoj e meditoj për tema për jetën. Kam dëshirë të shkruaj një vepër, e cila do të mbetet. Në këtë moshë të kap shpesh mendimi se nuk ke mundur t’i thuash të gjitha. Prandaj, gjithnjë kam përshtypjen se nuk e kam kryer siç duhet detyrën time, mendoj të shkruaj një vepër, e cila qëndron, e cila bën rezistencë. Nuk mund të dal jashtë natyrës sime të dikurshme. Më pëlqen të meditoj për natyrën, lumenjtë, drurët, me gjithçka. Por, ajo çfarë më mungon, është fakti i të qenit më i qetë. Shumë gjëra kanë ndryshuar në kohë dhe njerëzit nuk më duken më si dikur. Janë më të ftohtë, gati sa nuk kacafyten me njëri-tjetrin dhe kjo nuk më pëlqen.

Nuk mendoja se ishin kështu njerëzit përpara. Tashmë kur bëj rezymenë më dalin njerëzit sikur shpërthejnë nga toka, si gjarpërinjtë ndaj vetes. Unë jam i ftohtë ndaj tyre, por shoh dhe fjalët që i thonë të tjerët nuk zënë vend, kacafyten në luftë mes vetes, gjë e cila më bën të më duket vetja sikur kam dalë jashtë kohës. Ndoshta është mosha kjo që më bën t’i shoh këto gjëra. Kam një alergji ndaj këtyre gjërave, por shoh se edhe sinqeriteti është një formë e tepërt në këtë kohë.

Është një jetë pa formë, ashtu siç unë e kam shprehur në një varg “Tokë pa qiell”. Njerëzit ikin nga njëri-tjetri... Njeriu ikën nga njeriu, bisha ikën nga bisha, gjarpërinjtë ikin nga gjarpërinjtë. E shoh jetën tashmë me një sy krejt kritik. Kam dëshirë të shkruaj diçka për këtë gjë, por nuk e di në do mund t’ia arrij...

Cila është poezia e fundit që keni shkruar?

Vetëm dy ditë më parë kam nisur një libër me poezi në Tiranë për t’i botuar te shtëpia botuese “Toena”. Janë 80 poezi të reja të miat. Por, poezia e fundit, ajo që është në atë përmbledhje dhe më ka mbetur në mendje, është: “Është diku një plak si unë”...

E mbani mend?

“Është diku një plak si unë”. (Mbledh pak buzët dhe mbyll sytë). E kam të pamundur ta them...

Kur ka qenë poezia më e bukur tek ty, gjatë kohës kur ishe i ri apo tani?

Kur isha i ri poezia ka qenë shpërthimi i shpirtit tim, me një tendencë të caktuar për ta ndryshuar botën dhe jetën. Ishte optimizmi im, ka jetuar me mua dhe fizikisht, edhe në pikëpamje shpirtërore. Unë jam gëzuar me të, pasi ajo më ka ndihmuar, ishte angazhimi im shpirtëror që më ka ndihmuar mua si qenie, më ka dhënë forcë. Poezia e tanishme është disi më intelektuale, më meditative, më metaforike. Ajo nuk është ajo poezi që mediton për ekzistencën njerëzore, por jo me atë vrullin djaloshar, me atë zjarrin e dikurshëm. Është një poezi e frenimeve, ndërsa më përpara ajo ishte një poezi e zjarreve, e vullkaneve të vogla brenda meje. Ndoshta edhe tani është e tillë, por është një zjarr që nuk i duket tymi...

Botuar në gazetën "Shqip",më 22 korrik 2007

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...