2011-03-05

Shen Meria shqiptare në monumentin e Tarketës në Milano

Ilia S. Karanxha

Një farë paqartësie vërehet në literaturën shqiptare si për Aleks Tarketën, që deklarohej nga Shqipëria, po ashtu edhe për monumentin e tij në Duomo të Milanos i cili gabimisht është cilësuar skluptor. Disa saktësime mbi atë e veprën e tij ka dhënë studiuesi arbërsh Inoçenco Mazioti(‘Zjarri’, 1992/93) mirëpo del nevoja të rishikohet edhe ky shkrim. Fillimisht duhet sqaruar se Aleksi ynë nuk ishte skluptor dhe asnjë monument nuk është ngritur për nder të tij në këtë katedrale. Sipas vetë dëshmisë së Aleksit, që na trasmetohet mbi lapidar, ai
u adoptua qysh në fëmini prej Françesco Sforcës(1401-1466), dukës të Milanos, në oborin e të cilit pati një karrierë të shkëlqyer ushtarake e mbeti në shërbim të kësaj familje deri në momentet e fundit të jetës (23 prill 1490). Me 1478-1480 me shpenzimet e veta Aleksi kërkon të ngrihet një altar (monument) në katedralen e Milanos të cilën ja dedikon devotshmërisë të madh të tij kundrejt shën Mërisë por edhe mirënjohjes e respektit që kishte kundrejt familjes dukale Sforca e në mënyrë të veçantë për Françesko Sforcën (dukë nga 26 shkurti 1450-1466) i cili kish treguar një kujdes atëror për rritjen dhe edukimin e tij. Në të njëjtën kohë nuk do që të harrohet origjina e tij shqiptare, gjë të cilën e thekson me insistim e me një farë krenarie në tre strofat e vjershës së tij të skalitura në bazamentin e këtij monumenti.

Problemi i autorsisë të këtij monumenti ka qënë objekt diskutimi nga studiues të ndryshëm dhe me një farë rezerve tani pranohet si autor i veprës skluptori i shquar i shekullit të XV Xhiovani Antonio Amadeo (1447-1522). Në lidhje me këtë artist është i dokumentuar fakti që më 9 nëntor 1478 me kërkesën e Aleksit ai paraqet një vizatim, të themi projekt, mbi kompleksin monumental por mungojnë të dhënat e mëtejshme që të na vërtetojnë plotësisht në se ai u bë edhe ekzekutuesi i projektit të vet. (Società Storica Lombarda: Giovanni Antonio Amadeo. Documents/I documenti, 1989, f. 114) Janë të dokumentuara gjithashtu një sërë angazhimesh të tjera të këtij skluptori gjatë atyre viteve në Milano. Në shtator të vitit 1480, duka i këtij qyteti Gian Galeazzo Maria Sforza (Kont i Pavisë e dukë i Milanos 1476-1494) i kërkon Manastirit të Pavias që të bënte llogaritë në lidhje me ‘punimet e ndryshme’ që Xhiovani kishte bërë aty me që nuk ishte paguar prej dy vjetësh. Në këtë kërkesë të dukës nuk cilësohen se cilat kanë qenë këto ‘punime të ndryshme’, për të cilat ai ndjente detyrimin t’i paguante. Ndoshta prej këtij dokumenti ka lindur edhe ideja e gabuar se monumenti i Tarketës u pagua nga duka (tjetër gabim Francesco Sforza - vdekur më 1466) dhe u ngriti për nder të Tarketës. (M.Cesari: ‘Guida al Duomo di Milano’ 1987, p. 45 ‘...il monumento, che Francesco Sforza fece erigere in memoria di Alessandro Tarchetta, suo Capitano. Era il 1480...)
Një ide pak a shumë e mjegullt dhe e ngjashme gjendet edhe në: A. Musiari: ‘Pompeo Marchesi’, Gavirate, 2003 f.153 ‘Rrasa, që përmirësonte zonën qëndrore të rrafshit të gdhendur i ngritur më 1480 për kapitenin sforcesk me origjinë shqiptare, demostron influenca të reja atike që trasformohen nga shtylla funeralesh’.
Mirëpo në tre pjesët e poezisë dedikuese del qartë me një farë theksi rritës impenjim i Aleksit për realizimin e altarit duke konkluduar se vendi që i ishte caktuar brenda katedrales u zbukurua me ‘shpenzimet e veta’. Nga ky pohim munt të mendohet gjithashtu se në momentin e inagurimit - 14 gusht 1480 - pagesa duhej të ishte kryer gjersa fakti ishte gdhëndur edhe në pllakën lapidare prej mermeri. Ka të ngjarë, me që ishte një nismë e dëshira personale e Tarketës, pagesa të jetë bërë drejt përsëdrejti tek artisti dhe jo nëpërmjet kanaleve të administratës së katedrales ku do të kishin mbetur me siguri gjurmë të tyre.

Si konditë për realizimin e saj e lëshimin e lejës kërkohej nga administrata që mbikëqyrte punimet që ‘ajo të ishte e denjë si për lavdinë e Mbretëreshës së Qiellit (Shën Mërisë) po ashtu edhe për bukuritë mahnitëse e madhështore të katedrales’. Pra pretendimet ishin për një vepër me nivel të lartë artistik dhe Aleksi duke pranuar të gjitha kushtet që impononte vendi dhe koha u angazhua vullnetarisht me të gjitha forcat e tij që monumenti të plotësonte këto kërkesa. Zgjedhja e një skluptori të kalibrit të Xhiovani Amadeos ishte në të njëjtën kohë garancia më e mirë për atë që do të realizohej.

Kompleksi monumental që ka aritur deri në ditët tona përbëhet nga një pllakë e madhe mermeri në qendër, mbi të cilën me një reliev të ngritur është gdhendur Shën Mëria në një pozicion të çiltër e plot dhimbsuri drejt Fëmijës Jezus. Dy figurat në harmoni të plotë të kujtonë tipin e Shën Mërisë përkëdhelse në ikonat bizantine veçse këtu ato paraqiten plot plasticitet në stilin e artit greko-romak që rikthehet në artin e rinashimental italian. Anash saj qëndrojnë si dëshmimtarë e mbrojtës ligjorë të ngjarjes dy buste të shënjtorëve Jovan Pagëzori dhe Jovan Ungjillori. E gjitha mbështetet mbi një bazament mermeri, subjektet janë të ndara nga shtylla dekorative e dy shënjtorët qëndrojnë brënda kafazësh të ndërtuar qëllimisht. Një strukturë arkitektonike gjithmonë prej mermeri me zbukurime dekorative qëndron mbi gjithë kompleksin monumental.

Më 1843 G. Ferrario e quan veprën e Aleksit ‘një monument arkitektonik me një hijeshi shumë të mirë’\ (Giulio Ferrario : Memorie per servire alla storia dell’architettura Milanese...Milano, 1843, pp. 369-370) dhe në këto linja pozitive ka shkuar e ka mbetur kritika e artit në lidhje me këtë vepër. Autori i mësipërm që e klasifikon veprën në stilin e Donato Bramantes (1444-1514) (Ndryshe edhe ‘Bramante di Urbino’- arqitekt, piktor e inxhinjer i shquar italian) - sugjeron se projekti dhe ekzekutimi i saj është bërë nga Boniforti de Solari, në atë kohë kryearqitekti i punimeve në Katedralen e Milanos. Dokumentat e arkivit të zbuluara më vonë nuk konfirmuan këto sugjerime të Ferrario-s por ideja e përkatësisë së veprës në stilin e ‘bramantes’ u manifestua më vonë edhe tek të tjerë studiues duke e marë pikërishit ‘monumentin Tarketa’ si një provë evidente e gjurmave të tij, si diçka të veçantë e të re në artin lombard me që ekzekutimi i Shën Mërisë me një veshje pala-pala që derdheshin nga lart poshtë e konfermonte më së miri këtë. Influenca e këtij stil u duk më tej edhe në artistët e tjerë lombardë. (Amiço Riçi: ‘Storia dell’architettura in Italia dal secolo IV al XVIII’, ff. 615-616) Duke ju referuar bazorelievit ‘Arratia në Egjypt’ të veprës së Amadeos, që është me nënëshkrimin e tij, tek portreti qëndror i Shën Mërisë vërehen elementë të përafërt me Shën Mërinë e ‘monumentit Tarketa’ (‘I maestri della scultura. Giovanni A. Amadeo’ Fabbri ed. Milano 1966, tav. XIII.)
Ky monument, që ndodhet akoma sot në krahun e majtë të katedrales (kishëza apo altari i pestë nga hyrja), është e njohur me emrat: ‘monumenti tek Tarketa’, ‘edikola Tarketa’ apo ‘kishëza e Ilirikut’ ose Shën Mëria e shpëtimit(Madonna del soçorso) mbasi besimtarët e kanë (apo e kishin.) za

kon të preknin pjesët e trupit që ju dhembnin në bazamanti i mermertë i statujës së Shën Mërisë e cila - siç mendohej - kishte ‘veti shëruese’.

Me që monumenti mbas disa shekujsh kishte dhënë shënja dëmtimi administrata e katedrales vendosi të bëjë restaurimin e saj duke ja besuar këtë detyrë në tetor të vitit 1832 përsësri një skluptori të shquar Pompeo Markezit (Pompeo Marchesi 1783-1852) i cili i përfundoj ato më 1840 (G.B.Cremonesi: ‘Nuovo basso rilievo di Pompeo Marchesi nel duomo di Milano per monumento di Alexio Tarchetta inagurato il giorno 11 gennaio 1840’.) Para kësaj ndërhyrje, që me siguri ka qënë më e specializura, duhet të ketë pasur edhe ndërhyrje të tjera të mëparshme. Me sa duket një podium prej druri ishte adoptuar në bazamentin e saj për mbajtjen e gjithë strukturës në pozicion të drejtë. Kjo strukturë drusore u hoq nga P. Markezi dhe u zëvëndësua me një bazament prej mermeri nga i cili ridolën në dritë dy mbishkrimet (apo dy strofat e poezisë) të Aleks Tarketës në pjesët anësore të këtij bazamenti. Por G. Ferraro na referon se para vitit 1650 në bazamentin e këtij monumenti ka qënë edhe një mbishkrim i tretë i Aleksit i cili duket është eleminuar gjatë ndërhyrjeve restauruese të mëparshme për të cilat nuk ka dokumente. (G.Ferrario: Memorie ...eç. f. 369-370.)

Fillimi i poezisë nga
shqiptarët (1480)

Një variant i pjeshshëm i poezie të Tarketës është publikuar në ‘Les letters albanaises’ n* 4, Tiranë 1989: ‘Les poesie d’un Albanais eminent du XV siècle’ po ashtu edhe Innocenzo Mazziotti (Zjarri, 1991-92,) ka dhënë variantin e dy mbishkrimeve të mbetura deri më sot në bazamentin e këtij monumentit. Një përkthim letrar në shqip të këtyre mbishkrimeve të para ka bërë M. Zeqo prej të cilit u përforcua mendimi i gabuar i të qënit të Tarketës si skluptor. Më poshtë - në interes të këtij studimi e për të shmangur ndonjë keqkuptim mbi ‘Monumentin Tarketa’- po japim një përkthim të tre mbishkrimeve (strofave) edhe pse për publikun shqiptar dy të parat nuk janë krejt të panjohura.

(Lapidari i majtë:)
Virgjëreshë e shënjtë burimplotë mëshire
devotshmërisht të gjithë të lutemi
që për mirësinë tënde të pa fundme
Për ne u sakrifikove për atë që Adami
Sa mëkatoi ai u shpërblye mbi kryq
Që ç’do kush gjithmonë të jetë i mjerë
Fatkeqësisht bërtasin me zë të lartë.
‘Këtë vepër bëri që të ngrihej Aleksi
i Tarketës të Shqipërisë
Kapiten i oborit të Larengo-s
në vitin e 1480-të të ditës
14 të muajti të gushtit.

(Lapidari i djathtë:)
Sa më shumë mendoj në ato mirësira të mëdha
që mua më ke bërë o Virgjëreshë e shënjtë dhe e kulluar
në madhështi e ndere e gjithë ofiqet
kaq shumë tepër jam i detyruar në pamja jote
se nga Shqipëria erdha vocërak
morra këtë zotërinë tim tepër të lartë
dukën Françesko Sforca unë i varfëri
më rriti në fillim dhe prej tij u lavdërova
për shërbimin tim të shquar në çdo drejtim
dhe prej andej e bijtë e tij gjithmonë i nderuar
unë kam qënë për të madhin fatin tim
më shumë se meritat e fuqitë e mija
për të cilat dhunti unë me kurajo besnike
o Virgjëreshë e bekuar akoma të lutem.
Kur do të zgjohem me kalimin e kësaj jete
Shëndeti im nuk do të mohoet
për të cilin qëllim kam zbukurua këtë vend
me imazhin tuaj unë jam i pandarë
Aleksi gjithmonë debitor, veç mos qoftë pakë

(Strofa e pa njohur:)
Virgjëreshë Shënjtore e Papërlyer dhe e Mirë
Që linde Shpëtimtarin tonë
Ki mëshirë mbi mua e Shënjta Mari
Aleksi unë jam, Juaji i vërtetë shërbëtor
I lindur në Shqipëri nga Zoti i Madh
Françesko Sforcën pata me Nderime të Mëdhaja
Këte fisnik, zotërinë tim, si Ulkonja e Mirë
Më stërviti në luftime të lavdishme
As unë kurrë s’refuzova ndonjë martirizim
Në ngjarje të jashtëzakonshme e gjëra të rezikshme.
Më mbajti pranë gjithmonë për shëndetin e tija
Prandaj Ai, akoma një dashuri më të madhe më tregoi.
Lutjet e mia kurrë nuk mbetën të heshtura
Drejt teje o Nënë Mëshirmadhe.
Me që nderime të mëdhaja më ke ridhënë
Dhe vetëm për Mirësinë tënde
Kështu unë për gjithë Begatinë tuaj
Me që kaq shumë merita drejt meje u derdhën.
Virgjëreshë e Kulluar, e pamasë Mëshirmadhe
Me shpenzimet e mia zbukurova këtë vënd.

Ajo që bije në sy në variantin origjinal është mungesa e uniformitetit në shkrimin e saj gjë e cila duhet të vijë jo vetëm nga mos njohja e mirë e gjuhës italiane nga ana e Aleksit por edhe nga influencat e gjuhëve të tjera (spanjisht) me të cilët duket se ai ka qënë i detyruar të komunikojë. Kështu p.sh. po aty gjejmë: bontade dhe bontate; questo locho dhe questo luocho; Vergine sacra dhe Vergene sancta; fonte de pietade por edhe Madre de pietate. Ndërsa tek vargu QVEL NOBILE MJO SIGNORE IN LUPEE MIRE ai duhet të jetë shërbyer nga konstrukti gramatikor i gjuhës shqipe bile edhe nga një fjalë shqip për të nderuar e krahasuar zotërinë e tij si një Ulkonjë e Mirë (Lupë e Mirë). Këtë poezi të Tarketës për momentin mund ta konsiderojmë si piknisja e poezisë shqiptare, pa çka se në një gjuhë disi të përzjrë, por ama të frymëzuar e të nxitur edhe nga ngjarjet e kohës.
Aleks Tarketa
dhe ambienti i tij
Disa të dhëna biografike mbi Aleks Tarketën munt të nxiren vetëm nga mbishkrimet megjithëse na del e vështirë të fiksojmë data. Duke ju referuar fjalëve që ai ka futur në këtë poezi si ‘picoletto’(shumë i vogël), ‘poveretto’(shumë i varfër), si dhe lutjet ekstreme për mëshirë tek Shën Mëria të krijojnë përshtypjen e një fëminije plot vuajtje e sakrifica e cila jo pa qëllim vihet në antitezë me pozitën princore në ambientet e familjes Sforza.

Faktin e origjinës shqiptare e gjejmë të përmëndur në të tre strofat. Në të parën thekson se vepra u ngrit me kontributin (fatto fare) e ‘Aleksit nga Tarketa e Shqipërisë’. Në strofën e dytë mësojmë se nga Shqipëria erdhi shumë i vogël dhe shumë i varfër. Në strofën e tretë përsëritet e njëjta ide në formën e prezantimit para Shën Mërisë që ai është shërbëtori i saj më i devotshëm dhe se ka lindur në Shqipëri nga Zoti i Madh. Në vargun e fundit përsëri del ideja se vëndi u zbukurua, pra monumenti u ngrit, me shpenzimet e tij. Ideja e të qënit shqiptar mer kështu të njëjtën ngarkesë emocionale që ka ai për devocionin kundrejt Shën Mërisë.

Po të analizohen me kujdes të dhënat e mësipërme e të kihet parasysh raportet mes Aleksit – si bir - dhe dukës Françesko I Sforca - si atë, si dhe angazhimin e tij në shumë misione të rëndësishme mund të hamendësojmë se Aleksi ka lindur aty rreth viti 1430 dhe në Itali duhet të ketë mbritur pas viti 1440. Problematike paraqitet edhe fakti i qënjes nga Shqipëria për të cilën Aleksi bën be dhe rufe. Ajo vështirësohet nga e panjohura e kësaj qëndre banimi me emrin ‘Tarketa’. Aleksi e shkruan emrin e tij ‘Alexio de la Tarchetta de Albania’(1480) e në dokumentat e gjejmë ‘Alexandri della Tarcheta’(1479). Në të dy rastet kemi ‘nga Tarketa’ e vetë ai na thekson se kjo qendër banimi ndodhet në Shqipëri dhe se ai ka lindur po aty. Ndërkohë në shërbim të familjes dukale Sforca gjenden edhe të tjerë shqiptarë si komandantë p.sh. një Nikolla Shqiptari por edhe persona me të njëjtin mbiemër ‘Tarcheta’ veçse cilësohen si ‘schiavonë’ d.m.th. sllavë. Në një pasazh që i referohet luftës të Milanos kundra gjenovezve e francezëve më 1461 gjejmë: ‘..kështu arriti mesdita, e beteja ishte e dyshimtë. Ndërkohë ja ku arijnë Karlo Kadamozo nga Lodi, Gjergji nga Tarketa skiavone, e Nikolla Shqiptari, burra të fuqishëm e në krye tè kompanive të çmuara që i kishte dërguar Duka.’ (Giovan Pietro Cagnola ‘Cronache Milanesi’ Firenze 1842)

Në kufi mes Slovenisë e Italisë ndodhet një qëndër e vogël banimi me emrin ‘Tarketa’ dhe origjina e skiavionëve mund të ketë prejardhjen nga ky vendbanim. Për Aleksin tonë çështjen po e konsiderojmë të hapur për hulumtime të tjera. Sidoqoftë nuk munt të themi se Aleksi ngatëronte e nuk i kishte të qarta konceptet gjeo-etnike Shqipëri, Epir, Peloponez, Maqedoni, Dalmaci etj. Përderisa luftonte krah për krah e drejtonte mercenarë (stradiotë) të ardhur nga këto krahina të Ballkanit. Pa folur këtu për raportet mes dukatit të Milanos dhe përfaqësuesve të Skëndërbeut sidomos më 1464 kur për Aleksin mund të hamendiesohet, me shumë mundësi afër të vërtetës, edhe interesimin e tij për çështjen e madhe të luftës së shqiptarve. Mbi vdekjen e Aleksit, jepet data 23 prill 1490 dhe mëtej se kish banuar në zonën e faltores të Shën Andrea tek ‘Muro Rotto’ (Milano) të dhëna të cilat duhen marë me njëfërë rezerve.

Rëndësia e veprës së
Tarketës në mjedisin
shqiptar

Në literaturën shqiptare në lidhje me veprën e Tarketës vëmëndja më e madhe i është kushtuar mbishkrimeve(poezisë) ndërsa monumenti në tërësinë e tij nuk njihet. Është folur pak e në të shumtën e rasteve me ide të paqarta e të gabuara pa ç’ka se stili triumfant dhe ekzaltues nuk kanë munguar. Për vlerat artistike të veprës u fol më lart ndërs përsa i përket lidhjeve të saja me ambientin shqiptar deri më sot ajo është parë e trajtuar në një prizëm shumë të ngushte duke u kapur thjesht pas faktit se lidhej me emrin e një shqiptari.

Në literaturën italiane është kapur kryesisht aspekti i vlerave artistike të monumentit duke nxjerë në pah të rejat që sjell ky monument brenda këtij arti. Kuptohet meritat këtu i atribuohen gjenisë krijuese të Amadeos dhe Tarketa përmëndet thjesht si financues i saj. Mirëpo përtej këtyre mentaliteteve, që reflektohen në trajtesa monografike apo shkrime gazetareske, nuk është shkuar asnjëhetë.

Tani çështja shtrohet në dy plane. Elementët: komandanti Tarketa, monumenti, poezia, në veçantinë apo kompleksitetin e tyre, duhen parë thjesht si kuriozitete artistike e letrar prej një shqiptari apo tërësia e ngjarjes ka pasur të bëjë me Shqipërinë e shqiptarët e përtej Adriatikut? Pra duhet ta konsiderojmë si një pjesë të historisë shqiptre, apo një bukuri e rastësishme në kulturën e rilindjes italiane?

Perceptimi i parë kur lexohet poezia është ai i një komandati të shquar që i shpreh mirënjohjen e tij dukës të Milanos duke ngritut një monument për shën Mërinë drejt të cilës ai është shumë i devotshëm dhe i atribuon asaj gjithë sukseset e tij në fushën ushtarake.

Po ta krahasojmë Monumentin e Tarketës në Milano (1480) me ikonostasin e Gjergj Shqiptarit në Porta San Giorgio(1470) bie në sy një hop cilësor. Kuptohet jo aq nga ana artistike se sa nga ana e përmbajtjes dhe mesazheve që këta dy shqiptarë tresmetojnë tek pasardhësit. Ndërsa Gjergji është i mbytur nga dëshpërimi dhe kufizohet vetëm me një thirje drejtuar Shën Mërisë ku lutet që të mos mbete i braktisur, tek Tarketa kemi një prezantim tjetër të tij kundrejt Shën Mërisë. Kemi mirënjohjen e tij drejt Mbretëreshës së Qejve. Pra një akt liberator, një pikmbritje, që kishte mundur të konfermonte me nder vetvehten, nga një pozitë e ulët dhe e mjerueshme shoqërore (picoletto, poveretto), në një nga dyert më fisnike të rilindjen italiane siç ishin Sforca-t.

Tarketa e ka përfundar me sukeses misionin e vet në beteja shumë të ashpra, të rezikshme e të pabesueshme. Qënja e tij shqiptar dhe adhurimi i Shën Mërisë, të cilës i dedikon monumentin, e kanë nxjerë atë faqebardhë. Ai nuk mburet, thjesht dëshmon një fakt një devocion e një mirënjohje të pakufishme, që ka një parlele të drejt përdrejtë në kohë, me luftëtarët shkodranë që ndesheshin në bedenat e kalasë me një nga shtet më të fuqishme të kohës.
Ideja për ngritjen e monumentit lind pikërisht në momentin më kulmor të dramës shqiptare. Këto ngjarje ndiqeshin nga oboret princore të Italisë por edhe të Evropës me një ankth të jashtëzakonshëm. Mbyllja e luftimeve në truallin shqiptar desh të theshte hapja e frontit të ri në gadishullin Apenin. Shkodra shikohej nga turqit si një nga kështjellat më të forta të krishtërimit evropian e fill pas saj rradha duhej t’i vinte Romës. Kjo ishte strategjija e madhe e vetë sulltanit Mehmetit II e ushtarët kishin plot arsye kur para mureve të saj nxiteshin të thërisnin ‘Roma! Roma!(1478-79). Gjthçka ishte e ditur në Itali e ngjarjet e Shqipërisë ndikonin në ngritjen e tensionit e të pasigurisë gjithmonë e më shumë. Në lidhje me gjëndjen në Itali pas paqes që Venecianët bënë me turqit Xhiovani Tarkanjota do të shkruante: Kjo paqe që u bë më 1478 trembi shumë pjesën tjetër të Italisë, që dyshovi se me qëndrimin e venecianëve si sehirxhinj, do të kishte pasur mundësi Turku të depërtonte fuqishëm në gjirin e kësaj pjese të mjeruar të Evropës(G. Tarchagnota : Delle Historie del Mondo..1562, f. 500-501)

E papritur dhe e jashtëzakonshme ishte fitorja gjatë rrethimit të parë (1474) apo qëndresa e pabesueshme e heroike e shkodranve në rrthimin e dytë(1478-1479). Ngjarja në të dy rrethimet u perceptua si një mrekulli e Shën Mërisë me që ajo ishte edhe shënjtorja që adhurohej në mënyrë të veçantë nga shkodranët. Të gjithë në kala venecianë, marinarë italianë luftonin trimërisht por mbi të gjithë u shquan djelmoshat e malësive të Shkodrës që ishin të kudogjendur për të përballuar sulmet më të egra e që zgjithnin situatat më të rezikshme gjithmonë në favor të të rrethuarve. Ata i faleshin e i luteshin me gjithë shpirt Shën Mërisë besonin plotësisht se ajo ishte gjithmonë pranë tyre prandaj edhe fitoret i konsideronin si një dhuratë apo mrekulli që ju vinte nga Mëma e Zotit. Mbi bedenat e kalasë së Shkodrës në një dyluftim për jetë a vdekje lindi e u lartësua një kulti tepër i veçantë. Lindi kulti i Shën Mërisë si adhuruese e shqiptarve firimtarë. Lindi kulti i Zonjës së Shkodrës si tipar dallues i shqiptarit luftëtëtar të papomposhtur. Nga realiteti u konkretizua kulti biblik i Shën Mërisë shqiptare dha nga kulti biblik u gjenerua e u përhap në art, historiografi, folkor dhe fe në shekujt që do të vinin jo vetëm rikujtimi i kësaj ngjarje, por edhe identiteti e kultura e një kombi të tërë që vononte të ringjallej.

Aleks Tarketa që nuk e ndjente vehten të ndryshëm nga luftëtarët e Shkodrës, edhe pse fjala Shkodër aty nuk përmëndet, por si shqiptar ai i përket pikërisht kategorisë të luftëtarve të pamposhtur adhurues të Shën Mërisë. Lind pra në katedralen e Milanos i pari prezantim ikonografik i Shën Mërisë si mbrojtëse e luftëtarit shqiptar fitimtar. Nën këtë prizëm ajo u trasmetua ndër shekujt që do të vinin. Aleks Tarketa instiktivisht apo me ndergjegje e bëri detyrën e tij po ashtu si do të bënin shqiptarët në Venedik me tabllotë e Karpoçios apo Marin Beçikemi me veprën e tij historike -letrare Rrethimi i Shkodrës. Nisin këtu hapat e para për reflektimin e një kulture kombëtare shqiptare: në pikturë, sklupturë, letërsi e histori. Herë herë të pavlerësuar apo të paditura dhe herë-herë të injoruara, të keqinterpretuara apo të shkatëruar me qëllime të mbrapshta.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...