2011-03-05

Apolinier, netët në shtëpinë e Konicës

"Enciklopedia që ecte në këmbë". 57 minutat që rrëfejnë jetën e Faik Konicës, sipas regjisorit Kujtim Gjonaj

"Kjo është biblioteka ime....". Në katin e dytë të shtëpisë së Faik Konicës në Londër, poeti i njohur francez, Giom Apolinier, do të ishte një nga mysafirët e përhershëm. Qëkur u takuan për herë të parë, në një ceremoni për kulturën në Paris, ku Konica si njohës i mirë i gjuhës frënge do të jepte në frëngjisht para elitës së zgjedhur pariziane edhe konceptet e tij për letërsinë, miqësia e tyre sa vinte e bëhej më e thellë. Apolinier e dinte se nëse ky shqiptar kaq i përkushtuar ndaj atdheut të vet, do t\‘i çonte deri në fund ato dhjetëra fletë të mbushura me letërsi, të cilat gjithnjë i linte në gjysmë, atëherë ai mund të kishte qenë një shkrimtar i mirë. Por kështu, ishte ai, Konica, një nga emrat më të njohur të kulturës shqiptare, që jetën e tij e shtriu jashtë hapësirave të Shqipërisë, por që në çdo moment kontribuoi për vendin e tij. "Ai ishte një enciklopedi gjithnjë në lëvizje", thotë Apolinier, në kujtimet për mikun shqiptar. Personazhi aq interesant i letërsisë franceze do të ndante me Konicën mendime të përbashkëta për shumë çështje të atyre viteve, gjë që do ta bënte miqësinë e tyre të ishte e vazhdueshme. Nëse kërkon arkivin e lënë pas nga Konica, ende ruhen korrespodencat që dy emrat e mëdhenj të letërsisë së Francës dhe Shqipërisë shkëmbenin me njëri-tjetrin. "Unë e adhuroj Stendalin, mund t\‘i lexoj sërish veprat e tij", i thoshte në një letër Konica. Ndërsa Apolinier nuk denjonte të shprehte habi për këtë burrë me vitalitet të plotë që e fliste frëngjishten sikur të ishte një francez. Por takimet dhe historia e tij me Apolinier, janë vetëm një pjesë e jetës së Faik Konicës. Jeta e tij në shërbim të çështjes shqiptare është e mbushur me aq shumë histori, të cilat nuk mund të rrëfehen në një dokumentar të vetëm. Në 57 minuta dje, regjisori Kujtim Gjonaj solli në ekranin e Festivalit të 12-të të Filmit jetën e Konicës, nëpërmjet një udhëtimi që ai vetë ka bërë për të ndjekur gjurmët e tij. Një udhëtim që nis nga Konica, vendi ku lindi e deri në Boston, Vjenë, apo SHBA, ku gjendet një pjesë e mirë e jetës së Konicës.

Enigmat

A mund të thuhet gjithçka në 57 minuta për këtë burrë që mban me aq finesë cigaren në dorën e tij të djathtë? Kjo ishte vetëm ajo çfarë mund të sillte regjisori Gjonaj, që nuk është pak nga ajo çfarë ne dimë deri tani për Konicën. Një dokumentar ku mund të shohësh një pjesë të jetës të këtij burri kaq pasionant, që diti të ishte një personalitet i rrallë i shqiptarëve. Kujtime që vijnë nëpërmjet bashkëkohësve, apo dokumenteve që gjenden në arkivat e Vjenës, apo Bostonit. Por të gjitha këto kujtime kaq të rralla nuk mund të japin deri në fund të fshehtat e tij. Enigmat e një burri që preferoi të jetonte gjithnjë vetëm, të ishte një pasionant i letrave, por dhe i kafeneve. Jeta e tij ishte kaq shumë e çuditshme. Emri i tij mund të përmendej në faqet e para të gazetës "Albania", duke trumbetuar çështjen shqiptare, ndërsa në mbrëmje Konicës i pëlqente të kalonte kohët në shtëpinë e tij ku kishte ngritur dhe një kotec me pula. "Në oborrin përpara shtëpisë, Konica mbante edhe pula. Atij i pëlqente të kishte në vendin ku jetonte dhe imazhe të së kaluarës. Kotecet janë vetëm një pjesë e gjërave të çuditshme që ndodhin në jetën e Konicës", thotë për të, kritiku kosovar, Bejtulla Destani.

Rruga "Albania"

Rruga e njohur e shqiptarëve që ndodhet në Londër ende vazhdon të komentohet nga banorët e asaj lagjeje. Në banesën dykatëshe, e cila ka shërbyer për të nxjerrë në treg gazetën "Albania" të Konicës, ende vazhdojnë të hyjnë vizitorë. Banorët përreth nuk e kanë të vështirë të shpjegojnë historinë e asaj ndërtese të thjeshtë, por kaq domethënëse për shqiptarët. Një incident që Konicës i ka ndodhur në një nga ato mbrëmjet kur kthehej nga puna në shtëpi, ende tregohet nga banorët. "Ndërsa kthehej natën vonë për në shtëpi, Konica ndalohet nga një polic. Ai e pyet se nga është, Konica i përgjigjet "Albania"? Ku jeton? Në rrugën "Albania", thotë ai. Ku punon e pyet polici?, "Në Albania", thotë ai. Polici e merr si një shaka dhe Konicës i duhet të kalojë një natë në polici. Kjo rrugë e pagëzuar me emrin e një prej vendeve me historinë ndoshta më të dhimbshme në Ballkan, vazhdon të jetojë bashkë me historitë në Londër, në vendin nga ku trupi elegant dhe i imët i Konicës luftonte bashkë me miqtë për të trumbetuar idetë për një Shqipëri të lirë dhe demokratike. Peter Minar, një personazh që e ka njohur nga afër Konicës, rrëfen në dokumentar mbresa nga vizita në gazetën "Albania". Ai mban mend mirë dhe kohët kur Konica nuk shkonte aq mirë me mikun e tij, Nolin. "Konica më mësoi të doja librat", thotë ai, duke treguar se i kërkonte shqiptarit shumë libra hua. Minar është i vetmi bashkëkohës i mbetur gjallë nga koha e artë e shqiptarëve që në këtë rrugë tashmë të heshtur të Londrës kërkonin të provokonin për të mbrojtur identitetin e tyre.

Box

Firma e Konicës, pranë asaj të Henri Miller e Hemingway

Në kafenenë që sot nuk ka ndryshuar asgjë nga imazhi i atyre viteve, ku njerëz të njohur të letërsisë vinin për të kaluar kohët duke pirë pijet e tyre të preferuara, Konica kalonte një pjesë të kohës kur ndodhej në Paris. Në murin e kësaj kafeneje përkrah firmave të shkrimtarëve të njohur si Henri Miller, Ernest Hemingway ndodhet edhe firma e Faik Konicës. Regjisori Gjonaj kishte ndaluar me kamerën e tij aty, për të sjellë këtë detaj interesant nga jeta e personalitetit të njohur shqiptar. Konica nuk gjendet vetëm në arkivat e bibliotekave të mëdha, por edhe në këto bare tepër moderne të asaj kohe, ku shkrimtarët hidhnin idetë për librat e tyre të ardhshëm. Letërsia shqipe do të ketë ardhur në këto tryeza tashmë të drunjta nëpërmjet rrëfimeve të Konicës.






Divergjencat me Nolin

Faqja e parë e gazetës "Albania" për muaj me radhë do të fokusonte në qendër karikaturat e Fan Nolit. Miqësia e madhe mes dy shqiptarëve të mëdhenj që papritur u kthye në një divergjencë mes tyre ende mbetet një fakt interesant në jetën e Konicës. Biografët apo njerëzit që kanë njohur nga afër këto dy figura kërkojnë t\‘i japin edhe shpjegime të thjeshta këtyre debateve, duke u shprehur se "Noli vinte nga një familje fshatare, ndërsa Konica nga një familje aristokrate, megjithëse të dy kishin studiuar në Haward", ndërsa dikush tjetër mund të thoshte se "Noli adhuronte Bethovenin, ndërsa Konica Vagnerin". Me gjithë këto debate, të cilat në thelb kishin vetëm një gjë, çështjen shqiptare, figura e Nolit dhe Konicës vijon të vijë në ditët tona përmes kujtimeve të tjera që i bashkojnë këto dy personalitete, kujtime që gjenden në arkivat e vendeve ku ata kanë jetuar. Ja një moment interesant që vjen nga kujtimet e Nolit, kur do ta takonte për herë të parë Konicën, pas një korrespodence të gjatë letrash". E kam takuar Konicën për herë të parë në 1909-ën. Më kishte shkruar nga Londra se do të vinte i veshur me kostum kombëtar, me mendimin se po të dilte në gazetë me këtë veshje do të ndihmonte çështjen shqiptare. Unë shtanga. E dija që mjekra ime e dalë mode nuk u pëlqente djemve të Bostonit dhe kushedi sa do të dëfreheshin duke më parë rrugës me një burrë të veshur me fustanellë. Unë isha i shkurtër, i bëshëm. Kurse Konica i gjatë. Dukeshim si Don Kishoti me Sanço Pançon, por u befasova se djemtë e Bostonit e harruan mjekrën time e vështronin Konicën me adhurim. Atëherë e kuptova se fustanella jonë, nuk ishte fustanella qesharake greke, por diçka që i ngjante himnit të skocezëve".

Por nuk janë vetëm këto kujtime të përcjella nga Noli që tregojnë se kohët e tyre nuk kanë qenë vetëm të përfshira nga divergjenca. Në prag të vdekjes, Konica lë një letër ku i shkruan Nolit se "ka lënë disa para mënjanë për të organizuar ceremoninë e varrimit sipas zakonit". Dy personalitetet treguan me jetën e tyre se nuk ishin vetëm përsos ideve ndryshe që mund të shoqëronin dhe tezave që mbrojtën në jetë, në fund të fundit mbetën dy miq të përjetshëm.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...