Antologjia e krimit komunist/ Historia e persekutimit të vlerave intelektuale shqiptare pas vitit 1944
Ende vazhdojnë të mbeten disi në hije ai kalvar i pafund intelektualësh, shkrimtarësh dhe artistësh, të cilët përfunduan në burgjet komuniste, apo u pushkatuan. Nëse rrëmojmë në të kaluarën dhe mund të gjejmë një roman të shkrimtarit Astrit Delvina, pakkush mund të ketë lexuar librat e shkruar nga ky njeri që jeta i shkoi në burgjet komuniste. Një stil sa i thjeshtë aq edhe modern i shkruar nga një mjek gjatë kohës së realizmit socialist mund të renditet shumë mirë në veprat më të mira të letërsisë shqipe. Por, nuk është vetëm Astrit Delvina një personazh i mbështjellë me mjegull në ditët e sotme, një njeri i cili nga letërsia mori vetëm dënimet pafund dhe vdekjen. Eshtë e pafundme lista e emrave të atyre intelektualëve që guxuan të ishin ndryshe në një sistem totalitar dhe për këtë e paguan me jetën e tyre. Vetëm pak ditë më parë ka dalë në shtyp libri "Antologjia e krimit komunist", një libër i botuar nga Qendra Shqiptare e Rehabilitimit të Traumës dhe Torturës. Një vend të veçantë në këtë libër zë dhe masakra e bërë në ato vite ndaj vlerave intelektuale, mendimit për progres. Gjyqet speciale, ekzekutimet burgimet e internimet, përveçse eliminuan lirinë politike dhe njerëzore kryen një masakër edhe ndaj ngrehinës intelektuale, që kish arritur të krijonte deri në vitet 1940-të një shtrat të qëndrueshëm trashëgimie kulturore kombëtare. Njerëzit që ishin të parët që u vunë nën shënjestrën e regjimit dhe ranë pre e ndëshkimeve çnjerëzore më parë se kundërshtarët politikë ishin mendimtarët, shkencëtarët, studiuesit e fushave të ndryshme, shkrimtarë e artistë, që me veprimtarinë e tyre kishin krijuar një elitë interesante në atë kohë. Goditjet e pamëshirshme do të vinin pas vitit 1944, duke sjellë pasoja të rënda për secilin nga ata njerëz që me punën e tyre kishin krijuar një identitet në letrat shqipe. Përveç ndëshkimit fizik, atyre iu ndëshkua edhe vepra që kishin lënë ndër vite. Biblioteka të tëra u rrënuan apo u dogjën, mijëra dorëshkrime të vlefshme u zhdukën, shumë veprimtari shkencore e krijuese u ndërprenë në mes, duke goditur kështu trurin e vendit. Për afro pesë dekada i gjithë korpusi i veprave të trashëguara prej kësaj elite intelektuale u ndalua të qarkullonte. Ende ky korpus veprash përjeton harresën dhe shpërfilljen e ende gjendet në pluhurin kur për vite me radhë janë hedhur bashkë me autorë e tyre. Në këtë libër mund të gjesh si autorët që u detyruan të emigrojnë dhe të japin kontributin e tyre si emigrantë, ai dhe ata autorë që u detyruan të ndërprisnin krijimtarinë e tyre.
Bumi intelektual
Vitet 1904 deri në vitet 1944 pas të cilave do të niste edhe masakra mbi vlerat kulturore do të ishin vitet e mbushura me një sërë aktivitetesh në jetën intelektuale shqiptare. Një sërë gazetash filluan të dilnin prej vitit 1904. Në dhjetor 1925 del në Berat "Idea Kombëtare" një gazetë politike dhe kulturore, e cila drejtohej nga Islam Vrioni. Në shtator të vitit 1925 në Tiranë nën drejtimin e Namik Delvinës del "Rilindja shqiptare". Më 1928 botohet "Gazeta e re" ku botoheshin edhe shumë shkrime gjuhësore e letrare e drejtuar nga Xoi Xoxe. Një sërë organesh shtypi do të dilnin në ato vite duke promovuan në faqet e tyre konceptin për një vend të ri, me ide të reja. Në mars të vitit 1932 del edhe numri i parë i Minervës, një gazetë shkencore e letrare, e cila drejtohej nga Nebil Çika. Ndërsa në mars të vitit 1933 grupi redaksional i përbërë nga Asim Gjakova, Branko Merxhani, Ernest Koliqi, Vangjel Koça, Karl Gurakuqi, Anton Logoreci, Odise Paskali etj., nisin botimin e revistat letrare "Ilyria" një nga organet më gjurmëlënëse në mendimin kritik shqiptar, e cila vijoi të botohej vetëm në 52 numra. Në shkurt të vitit 1944, Mitrush Kuteli bashkë me Vedat Kokonën, Nexhat Hakiun dhe Sterjo Spasen themelojnë të përmuajshmen "Revista letrare". I gjithë ky bum vlerash intelektuale, të cilat ishin duke krijuar imazhin e një mendimi në letërsinë apo jetën kulturore shqiptare do t\i shihje pas viteve \44 në listën e emrave të burgjeve komuniste apo shumë prej tyre do të përfundonin të pushkatuar. I shohim në këtë libër në bankën e të akuzuarve të gjyqeve speciale, përpara togës së pushkatimit në burgjet e regjimit, nëpër kampet e rrethinat e internimeve.
Shkrimtarët që vuajtën diktaturën
Eshtë e gjatë lista e atyre që jetuan burgjet komuniste apo pësuan më keq vdekjen në to. Jakov Milaj studiuesi që më 1944 do të botonte studimin antropologjik "Raca shqiptare" do të ishte një nga personazhet më të përndjekur nga regjimi. Po ashtu edhe Baltzar Benusi apo Xhevat Korça. Vepra e Vinçens Prenushit do të kishte të njëjtin fat si mijëra vepra të tjera, të cilat do të humbnin. Pas humbjes së dorëshkrimit "Rrënimet e Jeruzalemit" në tërmetin e vitit 1905, shkrimtarit do t\i humbin një sërë veprash të tjera. Po kështu emra të tjerë si Bernardin Palaj, Donat Kurti, Et\hem Haxhiademi, Lazer Shantoja. Në këtë kalvar të gjatë përfshihen dhe emra si Petro Marko, apo Mitrush Kuteli, apo një prej emrave më të njohur të publicistikës shqiptare të atyre viteve Nebil Çika, i cili do të dënohet me pushkatim. I njëjtë është fati edhe i Mustafa Gërblleshit, shkrimtarit që solli një erë rozë te "Grehina e dashurisë", apo Musine Kokalari, e cila shkruante në vitin 1944 një vëllim sipas traditës popullore "Si më thotë nënua plakë". Eshtë e gjatë lista me emrat e atyre shkrimtarëve apo publicistëve, të cilët rebeluan në emër të pasionit për artin dhe për këtë e pësuan keq. Por, sa më e madhe bëhet dhembja për fatin e tyre aq më shumë duhet të ngrihet sot përgjegjësia jonë për t\i vënë këto emra në vendin që meritojnë. Ende historia jonë flet shumë pak për këto personazhe, vepra e të cilëve u flet ende kohërave tona edhe pse kanë shkruar vite më parë.
Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)
Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës. Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...
-
Genci Gora NË SHKOLLË TEK SHTRIGA Shkarko falas Begzat Rrahmani VALËT E GURRËS Shkarko falas Mehmet Bislim...
-
Akademik Prof. Kujtim Mateli Pak histori derisa nisa t ë shkruaj librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” (Pjesa e parë e para...
-
"Zëra nga burime të nxehta" mbetet një libër i veçantë i shkrimtarit Sabri Godo . Ai vjen për të dëshmuar se ka autorë dhe vepr...