Aty nga mesi i 1990-s, erdhi në Tiranë një shkrimtar i ri italian me një mjekër të zezë, nëpër të cilën mund të dalloje zbehtësinë intelektuale të fytyrës, që të kujtonte fisnikërinë e poetëve të hershëm. Kjo fisnikëri zmadhohej ku me heshtjen e tij, ku me shkëmbimin e rrallë të fjalëve dhe mbi të gjitha me atë buzëqeshjen e lehtë, që shprehte herë drojtje dhe herë keqardhje.
Unë pata kënaqësinë ta takoja këtë shkrimtar tepër simpatik dhe ta ftoja në shtëpi për një kafe bashkë me gruan e tij të pashme dhe të çiltër, që nuk u shëmbëllente atyre grave mendjemëdha dhe të lehta të artistëve, të cilat nuk i duroj dot edhe sikur të jenë peri të zbritura nga qielli.
Ky shkrimtar ishte Rafaele Nigro, me të cilin vërtet u bëmë miq. Por kur u takuam për herë të parë, unë nuk kisha lexuar gjë prej tij. Nuk e dija se ai tanimë kishte botuar një roman të dëgjuar në Itali me titullin “Zjarret e Bazentos”, të lavdëruar nga shtypi dhe nga opinioni letrar; nuk e dija as se kishte mbaruar të dytin ende më të çmuar me emrin “Baronesha e Oliventos”. Po ta dija, mbase nuk do të kishte aq fragmente të rralla në bisedat tona, pasi vetë këta dy romane do të na shtynin të bënim kuvendime të gjata për gjyshërit tanë, gjyshërit italianë dhe gjyshërit shqiptarë. E them këtë, pasi Rafaele Nigro me elegancë e dashuri në “Zjarret e Bazentos” flet kryesisht për gjyshërit e tij italianë dhe në “Baronesha e Oliventos” flet për gjyshërit e mi shqiptarë dhe në të njëjtën kohë edhe për gjyshërit e tij italianë.
Po çfarë ishte ajo buzëqeshja e tij e drojtur dhe keqardhëse. Mos vallë ngaqë në Tiranë nuk e njihnin veprën e tij dhe i vinte keq e kishte drojtje? Mund të ishte edhe kjo. Shkrimtari nuk e ndien veten mirë, kur shkon në një vend që nuk e njohin, kur flasin, fjala vjen, për Moravian, për Shashën, për Levin e me radhë, dhe për atë heshtin. Megjithatë keqardhja në atë buzëqeshje nuk vinte nga mosnjohja si shkrimtar. Këtë unë e kuptova më vonë, kur lexova “Baroneshën e Oliventos”, ku tregohet për shqiptarët dhe shoqërinë shqiptare të shekullit të pesëmbëdhjetë, të kohës së Skënderbeut. Rafaele Nigro, pasi e kishte mbaruar këtë roman, erdhi në Shqipëri t’i shihte këta shqiptarë. Ai kujtoi se mund të gjente vetëm fosilet e shoqërisë shqiptare të shekullit të pesëmbëdhjetë, kujtoi se varfërinë dhe jetën plot mundime do ta zbulonte vetëm në folklore. Dhe kur pa me sytë e tij, se nuk kishte vetëm fosile të asaj shoqërie të shkuar, po edhe elementë të gjallë të mentalitetit, të jetesës dhe të varfërisë, nuk mund ta përmbante atë buzëqeshje keqardhëse gati të padukshme si në buzët e Aleksit apo të Vlaikës dhe të Stanislaos, personazheve të vet të romanit “Baronesha e Oliventos”, shqiptarë dhe gjysmëshqiptarë. Vërtet, ç’është ky roman i çuditshëm që na vjen që përtej detit, si “pëllumbi i Skënderbeut”, të cilin shpesh si refren e përsërit Rafaele Nigro në “Baronesha e Oliventos”, me gjuhën e përrallave të mahnitshme, që na kanë ardhur që nga lashtësia?
Megjithëse ky roman nuk tregohet, ai vetëm lexohet ashtu siç nuk tregohet poezia, unë do të rrëfej pakëz, për të bërë pastaj një vlerësim të shkurtër. Le të na falë Rafaele Nigro për zhveshjen e përmbajtjes nga poezia dhe fantazmagoria, duke e thjeshtëzuar me qëllim ritregimi në këto pak radhë që vijojnë. Romani ka për sfond ngjarje dhe njerëz të shoqërisë së shekullit të pesëmbëdhjetë në Shqipëri dhe në Itali, në epokën e Skënderbeut, të luftërave me osmanllinjtë dhe me
brigantët; në epokën e Mbretërisë së Napolit, të grindjeve dhe intrigave e princërve dhe feudalëve, të klaneve dhe të tarafeve; në epokën e fillimit të kërkimeve dhe zbulimeve përmes kundërshtimeve dhe pengesave të injorancës fetare dhe të klerit. Në këtë sfond një shqiptar me emrin Aleksi martohet rastësisht me një italiane të ardhur dhe me të bën dy fëmijë, Vlaikën që lind sakate pa këmbë e duar dhe Stanislaon, që rritet si njeri i prirur pas dijeve konkrete dhe të dobishme. Përmes aventurash nëpër Shqipëri, pas vdekjes së prindërve, Vlaika dhe Stanislao arrijnë në Itali dhe prej gjyshit të tyre nga ana e nënës trashëgojnë një copë tokë dhe një kështjellë të Lagopezoles.
Shkak për të shkuar në Itali bëhet Skënderbeu, i cili e dërgon Stanislaon në Napoli për të njoftuar se rajai Mabullah al Mansur do të shkojë të vrasë tinëz mbretin dhe do të ruajë “makinën e doktrinës” për ta marrë Pashai i osmanëve. Dhe po të merret makina e doktrinës nga osmanët “toka do të bjerë si një dardhë mbi çallmat e tyre… dhe drapri i hënës do të presë kryet e diellit”. Ja, kjo është përmbajtja e rrëfyeshme. Të tjerat nuk rrëfehen, pasi siç thashë, asnjë vepër e vërtetë nuk rrëfehet. A mund të rrëfehen tregimet e Çehovit? A mund të rrëfehen romanet e Garsia Markezit? Rrëfehen lehtë vetëm romanet dedektivë, të cilët kanë vetëm narracion, të zhveshur nga filozofia dhe nga idetë e mëdha të vetëdijes historike. Romani i Rafaele Nigros nuk është historik në kuptimin klasik, ai është një shkencë plot fantazi që shpreh jo vetëm veçoritë biologjike të njeriut si qenie e natyrës, por edhe ndërgjegjen e tij historike.
Prandaj, as thjesht antropologjik nuk mund ta quash këtë roman me një elegancë brilante. Ai është një roman fantazmagorik, ku mplekset realiteti historik me realitetin fantastik, ku bashkohen elementet e përrallës, baladës mistike, rapsodisë epike, maksimës së mprehtë dhe kronikës së thatë. Krahas gjuhës metaforike si “toka do të bjerë si një dardhë mbi çallmat e tyre”, do të gjesh edhe gjuhën e kronikës së akullt si “sot, më 21 të nëntorit 1450, filloi jeta jonë magjike në Lagopezole”. Mishi i romanit është shtresashtresa. Janë shtresat e hidhura të realitetit konkret, janë shtresat e ëndrrave të trëndafilta dhe të llahtarshme, janë shtresat mistike të vargjeve të baladave, janë shtresat enumerike të emrave të vendeve dhe të njerëzve, janë shtresat e shpirtrave të ardhur përmes mizave, grerëzave dhe zogjve, janë shtresat e zërave të mjeshtërve të antikitetit dhe të shpikësve në shkencat konkrete. E pra, ky mish me kaq shtresa të dendura dhe me kaq damarë është përherë në një lëvizje të çuditshme. Prandaj po të flasim figurativisht, nuk është aq i lehtë për t’u përtypur.
Ai kërkon dituri dhe kulturë. Këtë dituri dhe kulturë e kërkon jo vetëm për të ndjekur fillin e ngjarjeve që tregohen, por edhe për të kuptuar disa ide dhe tema novatore të romanit. Një ndër temat themelore është konflikti i utopisë me gjendjen konkrete të shoqërisë ku lëvrojnë trazirat, intrigat dhe luftërat, por edhe ku kanë filluar zbulimet gjeografike dhe tekniko-shkencore. Utopistët të përfaqësuar nga Bekadeli dhe Pontano, që ëndërrojnë për Republikën e Dijes së Platonit, bien në konflikt jo vetëm me gjendjen regresive të injorancës fetare, por edhe me synimet përparimtare. Për shembull ata nuk e pranojnë shpikjen e Gutenbergut për shtypjen e librave, pasi prish bukurinë e shkrimit të dorës. Kur njihet me këtë shpikje, Pantano thotë për librat e shtypur: “Madje, ndjeva një si bezdi tek mbaja në duar këtë libër, frut i mekanikës. I thosha vetes: këto makina budallaçka, që duan të zëvendësojnë format e bukurshkrimit!... Një lloj midis tyre, si një mori mizash, të njëllojta deri në mërzi.” Dhe më poshtë: “Petruçi mbronte me zjarr nevojën e makinës: falë saj, një libër i Pontanit do të përhapej shumë shpejt. I të njëjtit mendim ishte dhe Stanislao.” Doemos, Stanislao do ta përkrahte makinën e Gutenbergut, pasi ai nuk ishte një skolastik, por një njeri që kishte mësuar të punonte si karpentier dhe si murator, që donte të ndërtonte një belvedere për të pritur atje Skënderbeun.
Ai dinte të pikturonte dhe të bënte skulpturë. Dinte edhe të hidhte valle. Vinte nga konkretësia reale shqiptare. Konflikti me utopinë ndonjëherë arrinte deri në fyerje. Është rasti me don Porçelion që merrej me ëndërrime të vjetra. Për këtë Stanislao i thotë Pontanos: “Po ju, shkëlqesi bëjeni t’i bjerë kollarisja dhe përplasjani në fytyrë se sa pak vlejnë këto fjalë të vjetra. Se për t’u thënë shërbëtorëve se ka uri apo etje, duhet t’ua thotë me fjalët e të gjitha ditëve.” Don Pontano u thartua: “Ku dini gjë ju për latinishten tonë?” Është e befasueshme që në roman tepër tërthorazi dhe tepër mjeshtërisht zhvillohet e fshehtë tema e baladës së Konstandinit dhe Doruntinës me një ndryshim të madh. Konstandini udhëton me të motrën e vdekur, ndërsa Stanislao udhëton me të motrën sakate, me Vlaikën. Është balada e Stanislaos dhe Vlaikës.
Vlaikën i vëllai e fut në kosh dhe udhëton në kalë. Ajo kuvendon me mizat, grerëzat dhe me shpirtrat e të vdekurve. Njëkohësisht është mistike dhe pesimiste. Mistike është edhe Doruntina. Prandaj jo më kot Rafaele Nigro gjatë udhëtimit të këtyre dy personazheve përsërit vargje nga balada e Konstandinit dhe Doruntinës. Stanislao dhe Vlaika përbëjnë një simbiozë. Ata plotësojnë njëri-tjetrin. Optimizmi i tepruar dhe konkretësia e papërmbajtur e Stanislaos, frenohen nga mistika dhe pesimizmi i Vlaikës. Kur i vëllai luan një valle të shfrenuar para Tebaldës, që më vonë do të bëhet grua jo e zakontë e tij, Vlaika tmerrohet me paturpësinë e Stanislaos. Dhe çuditërisht, ato paturpësi të të vëllait në mënyrë të pavetëdijshme i kalojnë asaj vetë. Ajo dashurohet me mashtruesin karrierist, me don Antonelon, i cili më vonë e braktis. Atëherë asaj i shtohet pesimizmi për botën dhe për veten. Ashtu siç është ajo e gjymtuar, edhe bota është e gjymtuar. As njëra e as tjetra nuk ndreqen! Kjo është një metaforë e Rafaele Nigros, të cilën mund ta ketë zili çdo shkrimtar i madh. Ngjashmërinë e Stanislaos dhe Vlaikës me Konstandinin dhe Doruntinën e përforcojnë edhe vetë emrat e lashtë të personazheve, emra me një tingëllim balade dhe përralle, emra shqiptarosllavë- vllahë.
Këtë ngjashmëri kritika italiane nuk e ka vënë re. Unë mbase gaboj, por shpreh një mendim që ndiej përmes baladës, përmes frymës dhe erës së saj, si një njeri i rritur me balada. Edhe kjo ngjashmëri është një anë për ta bërë të afërt romanin ndaj shqiptarëve. Por ajo që do ta bëjë më të ndjeshme këtë vepër në Shqipëri është dashuria që e përshkon atë për shqiptarët dhe historinë e tyre, për luftërat e Skënderbeut, për simpatinë ndaj një populli të varfër, por të ndershëm, për respektin ndaj pasurive shpirtërore të tij dhe për lidhjet që në rrënjë mes italianëve dhe shqiptarëve, të cilët, siç thuhet, i ndan vetëm një mur prej uji të kripur. Edhe shqiptarët, edhe italianët flokët i kanë të kripur nga një kripë, nga kripa e Adriatikut dhe e Jonit. Por për gjërat e tjera të romanit “Baronesha e Oliventos” do të flasim më vonë, kur ta takojmë përsëri Rafaele Nigron. Atëherë ne do ta thyejmë heshtjen dhe nuk do të pyesim: përse dukej ajo buzëqeshje e drojtur dhe keqardhëse e një njeriu të mençur dhe fisnik, e një shkrimtari të vërtetë, e një shpirti poetik?
DRITËRO AGOLLI
Administrata e Trump-it ofroi një mundësi, por jo një zgjidhje për problemet që ekzistojnë mes Kosovës dhe Serbisë
Search inside image Akademik Mehdi Hyseni,PHD Profesor Dr. Mehdi Hyseni , është Doktor i Marrëdhënieve Politike Ndërkombëtare dhe Bashkë...
-
Genci Gora NË SHKOLLË TEK SHTRIGA Shkarko falas Begzat Rrahmani VALËT E GURRËS Shkarko falas Mehmet Bislim...
-
Akademik Prof. Kujtim Mateli Pak histori derisa nisa t ë shkruaj librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” (Pjesa e parë e para...
-
"Zëra nga burime të nxehta" mbetet një libër i veçantë i shkrimtarit Sabri Godo . Ai vjen për të dëshmuar se ka autorë dhe vepr...