Një realitet pothuaj i harruar, e megjithatë një realitet që shënjon një epokë. “Kalifja”, një nga veprat emblematike të Alberto Bevilacqua-s, përkthyer së fundmi edhe në shqip, është historia e gruas italiane të pasluftës që mbijeton sipas mënyrës së saj, në realitetin e ashpër që nuk të jep shumë mundësi zgjedhjeje.
Ngjarja e librit është vendosur në kohën e pasluftës: pak më parë baballarët dhe vëllezërit kishin qenë në luftë, kurse gratë ishin detyruar të dilnin nga shtëpitë për të siguruar bukën e gojës. Për herë të parë në jetë, dolën vetëm, si dhe kërkuan një hapësirë ndryshe… Është koha kur për gratë bota është e egër. Ende nuk kishin filluar të ndiheshin sinjalet e ndryshimit të ardhshëm.
Irena Corsini, ose Kalifja, protagonistja e librit me të njëjtin titull, jeton në pjesën e varfër të qytetit. Ajo kish qenë gruaja e mirë dhe e bukur e një partizani pak negativ e pak hero, që shndërrohet duke ecur për nga negativizmi; nëna e një fëmije të pafat që nuk mund të jetojë gjatë; vajza e një nëne që ka rritur me përkushtim 10 fëmijë dhe ka bërë jetën e zhytur në mjerim të një pafundësie grash që u lindën në fund të viteve ’800. Pas vdekjes së të birit dhe më pas, të të shoqit, Kalifja e sheh veten në mes të katër rrugëve. Për vetë realitetin në të cilin jeton s’mundet të zgjedhë modele të ekuilibruara për t’iu përmbajtur. I duhet ose të jetë një e “përdalë” ose një grua e përkushtuar. Rrugë të mesme nuk ka. Por mbijetesa i mundësohet, në këtë rast, vetëm të përdalës. Kësisoj Kalifes, për t’i ikur botës së vet, të cilës i përket, për t’ia mbathur nga mizerja, për t’iu shmangur fundit, të cilit i kalon përkitazi, i duhet të ndjekë të vetmen rrugë: aventurën erotike. Përkushtimi, do t’i rrezikonte ekzistencën. “Të luash të përdalën do të thotë të hysh në një shtrat që nuk është i yti, natën e parë nuk fle, por pastaj…”. Irena pranon të bëhet e dashura e industrialistit të madh të qytetit, i cili është i prerë si me thikë në të dy lagjet e veta: atë të varfrën, të uritur, gri dhe të përbaltur dhe të pasurën plot me drita e pallate të reja. Por tek kërkon t’i afrohet druajtshëm pjesës së ëndërruar të qytetit, Kalifja është bërë sakaq armike e shpallur e të dy botëve, asaj së cilës i përket që nga lindja dhe asaj, të cilën e ka ëndërruar gjithmonë (si shumëkush e kategorisë së saj). S’mund të ndodhë ndryshe: bota është e egër, kallëpet e rinj e të preferuar, bashkëkohorët me dritë, ngjyra dhe shkëlqim luksi, nuk e zënë.
Skandali që bën i detyron ta përflasin moralistët, të cilët Kalifja kërkon t’i shpërfillë. Për një çast, duket sikur ka shanse që ta bëjë botën më të mirë. I jep industrialistit të egër, që nuk ngurron asnjëherë të rrënojë të tjerët për t’u pasuruar, edhe më shumë, diçka nga mirësia e saj. Por ka të ngjarë që bota të jetë e përcaktuar një herë e përgjithmonë. E mira nuk mund të shkojë bashkë me të keqen. I dashuri i plotfuqishëm i Kalifes, sapo ndien sinjalet e mirësisë t’i bulëzojnë brenda tij, vdes. Kurse Kalifes s’i mbetet veç të kthehet në botën e saj, atë së cilës i përket. Në të kundërt do t’i duhej të cenonte thelbin e vet. Fundja, ëndrrat nuk mund të bëhen realitet. Të paktën për ata që mbesin po aq besnikë sa në miqësi dhe në dashuri, besnikë të thelbit të mirë. Nuk është koha për ta.
Të gjithë e kishin quajtur Kalifja, një emërtim që nënkupton gruan autoritare, fisnike dhe pa paragjykime. Ajo gjithnjë kish qenë gruaja me një bukuri marramendëse, së cilës të gjithë djemtë i shkonin pas, kurse ajo i tërhiqte pas vetes nëpër qytet, me një butësi kryeneçe. Kjo i ngjante si një pasuri, të cilën mund ta përdorte. Dukej sikur kështu gruaja, mund ta bënte dhe botën për vete. Por… Duhet të kalojë ende shumë kohë që gjërat të ndryshojnë.
Kalifja është një personazh shumë kompleks tek e cila bëhen bashkë një pafundësi karakteresh të grave italiane - fshataret, të fejuarat, dashnoret, motrat, skllavet, miket, armiket. E tillë, ajo triumfon mbi të gjithë personazhet e tjerë të librit, karaktere specifike që krijojnë panoramën e përgjithshme: peshkopin, industrialistin, partizanin, prostitutën… që mbartin në vetvete gjithë elementet e skajshëm ose jo që skicojnë qenien njerëzore. Mbi këta qëndron për t’i lidhur e po aq për t’i identifikuar, Kalifja.
Bevilacqua në librin që e bëri të njohur botërisht, ka fotografuar realitetin italian të pasluftës. Por jo vetëm kjo e bën të vlerësuar librin e tij. Veç subjektit, është mënyra e të shkruarit që duhet marrë në konsideratë: “Poema e tij”, siç do ta cilësonte kritika italiane, është shkruar me dy zëra, atë të Kalifes dhe të rrëfyesit. Për të gjitha vlerat e saj “Kalifja” do të kthehej shumë shpejt në simbol. Vetëm 7 vjet pas botimit të librit, në vitin 1971, Kalifja do të bëhej personazh filmi që do të merrte jetë nëpërmjet interpretimit të Romi Shnajderit…
Tashmë në fillim të shekullit XXI, “Kalifja” përcjell jehonën e një epoke të largët prej këndej, reminishenca të së cilës, aty-këtu, ndihen ende.
Arta Marku
Administrata e Trump-it ofroi një mundësi, por jo një zgjidhje për problemet që ekzistojnë mes Kosovës dhe Serbisë
Search inside image Akademik Mehdi Hyseni,PHD Profesor Dr. Mehdi Hyseni , është Doktor i Marrëdhënieve Politike Ndërkombëtare dhe Bashkë...
-
Genci Gora NË SHKOLLË TEK SHTRIGA Shkarko falas Begzat Rrahmani VALËT E GURRËS Shkarko falas Mehmet Bislim...
-
Akademik Prof. Kujtim Mateli Pak histori derisa nisa t ë shkruaj librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” (Pjesa e parë e para...
-
"Zëra nga burime të nxehta" mbetet një libër i veçantë i shkrimtarit Sabri Godo . Ai vjen për të dëshmuar se ka autorë dhe vepr...