2011-03-01

Suksesi letrar i shkrimtarit arbëresh flet në gjuhën amtare

Karmine Abate, ky arbëresh nga fshati Karfici i Kalabrisë dhe një ndër shkrimtarët më të njohur të Italisë së dy dhjetëvjeçarëve të fundit, vjen për herë të dytë në takim me lexuesit shqiptarë. Herën e parë ai u paraqit në fillim të viteve ’90 me romanin me titull tingëllues për ne “Shtegtimi i unazës”. Ndërsa tani vepra, me të cilën ai na vihet para vëmendjes, titullohet “Mes dy detesh”.

Ndoshta edhe një politikë botuese e kujdesshme nuk do të kishte arritur të kryente një përzgjedhje kaq fatlume në veprimtarinë letrare përgjithësisht të suksesshme të Abates, sa kjo që kanë bërë në largësi kohore prej afër 15 vjetësh dy shtëpi të ndryshme botuese duke kaluar nga njëri skaj ideo-estetik i kësaj veprimtarie, i përfaqësuar nga romani “Shtegtimi i unazës”, në skajin tjetër të përfaqësuar nga vepra “Mes dy detesh”.
Sido që të jetë e sido që të analizohet, letërsia e Abates mbetet në thelb krijesë e një arbëreshi. Ajo trajton problemet e njeriut të sotëm të Italisë së Jugut parë nga këndvështrimi i arbëreshit. Dhe këto probleme janë kryesisht dy: të ikësh, i detyruar hallesh dhe prej dëshpërimit, nga toka jote e të shkosh si emigrant në vendet e tjera të zhvilluara të botës perëndimore; të qëndrosh e të luftosh me të gjitha forcat reaksionare, që mbajnë prej shekujsh të skllavëruara energjitë e kalabrezit, përfshirë këtu edhe ato të arbëreshit.
E veçanta e arbëreshit? Qëndron në atë që jeta e tij, më saktë e komunitetit arbëresh, përmban edhe disa energji shpirtërore pothuaj mistike, sipas Abates, të cilat, përmes shekujsh, kanë mundur ta mbajnë të gjallë frymën jetike të përparimit. Te këto energji hyjnë trashëgimia historike e përqendruar në figurën e Skënderbeut, trashëgimia kulturore e përqendruar në gjuhën, folklorin dhe veçoritë e veshjes dhe jetesës, si dhe trashëgimia psikologjike e përqendruar te qëndresa.
Këto elemente themelore parashtrohen e shtjellohen në të gjitha veprat e Abates, i cili nuk pushon së luftuari për integrimin e arbëreshit kalabrez në një botë gjithnjë e më globale duke vënë në pah e duke vlerësuar epërsitë e pamohueshme, që sjell kontakti i emigrantit të varfër me qytetërimin global. Në të njëjtën kohë e me të njëjtën forcë ai lufton për ruajtjen e identitetit kulturor të këtij arbëreshi kalabrez duke dënuar emigracionin si dukuri të dhunshme, të imponuar nga një sistem i caktuar shoqëror jo vetëm lokal, por edhe global, e duke denoncuar fatin e rëndë në metropolet e Perëndimit të emigrantëve, “të të tjerëve”, “të të huajve”. Parë nga ky këndvështrim i emigrantit, fati i arbëreshit kalabrez nuk është i ndryshëm nga ai i emigrantëve të tjerë të mbarë botës.
Ndërkaq, në veprën “Mes dy detesh” Abate e sheh realitetin e sotëm të shoqërive moderne e të globalizuara nga këndvështrimi tjetër, ai i njeriut që nuk largohet emigrant, por që vendos të luftojë për ta jetuar jetën e për të siguruar vazhdimësinë normale të saj atje ku ka lindur e ku më tepër se kudo gjetkë ka të drejtën të kërkojë të gëzojë të gjitha ato që shpallen në mënyrë bombastike si të drejtat e natyrshme (por jo edhe qytetare, ndërkohë që njeriu nuk është vetëm qenie natyre, por edhe, e sidomos, e pashmangësisht, qenie shoqërore) të njeriut. Dhe në këtë rast Abate për herë të parë del nga rrethi i komunitetit arbëresh dhe hyn në komunitetin më të gjerë të kalabrezëve. Le të themi shkarazi këtu që fati i kalabrezëve në shekuj ka mjaft pika të ngjashme jo më me fatin e arbëreshëve, por edhe të vetë ne shqiptarëve. Dhe kjo rrethanë na ndihmon të kuptojmë se përse Abate kësaj radhe del nga bota arbëreshe dhe trajton problemet e një komuniteti të mirëfilltë kalabrez.
Në rastin e parë, ai ka dashur të thotë se arbëreshi i ikur është një i ikur si gjithë të ikurit e tjerë dhe fati i tij nuk mund të jetë i ndryshëm e as më i mirë se fati i të gjithë të ikurve të tjerë të botës.
Në rastin e dytë, ai ka dashur të thotë se fati i arbëreshit që vendos të qëndrojë në vendlindje nuk ka për të qenë i ndryshëm dhe as më i mirë se ai i kalabrezit që vendos të bëjë të njëjtën gjë. Dhe ky fat është, edhe në rrethanën shoqërisht më pozitive, atë të qytetarit të ndershëm e punëtor, fati i heroit të librit “Mes dy detesh”, Xhorxho Belushit.
Si mund të përmblidhet fati i këtij kalabrezi të thjeshtë? Ai mund të përngjasohet me fatin e Sizifit të mitologjisë: të ngrejë deri lart në majë gurin e jetës, të cilin forcat reaksionare marrin dhe rregullisht ia rrëzojnë poshtë. Me një dallim nga mitologjia: ndërsa atje Sizifi do ta kryejë përjetësisht mundimin e tij, këtu, në jetën reale, njeriu nuk e ka këtë mundim të përjetshëm, pasi vetë jeta e tij nuk është e përjetshme. Sizifin Xhorxho Belushi, kur nuk e kandisin dot t’u dorëzohet “traditave” dhe “rregullave” të asaj që quhet mafie dhe që nuk është veçse klasa shoqërore, e cila kundërshton përparimin, e heqin qafe. Natyrisht, ashtu si reaksionarja nuk ndalet në përpjekjet e saj për ta mbajtur botën të mbërthyer në vend, edhe përparimtarja nuk ndalet në luftën e saj për ta ndryshuar këtë realitet vdekjeprurës. Xhorxho Belushit ia zë vendin i nipi, kalabrezit që kishte vendosur të rrinte e të luftonte ia zë vendin kalabrezi-emigrant, i cili njeh një botë tjetër dhe për këtë arsye është edhe më i vetëdijshëm se ç’kërkon të arrijë.
Dy fjalë edhe për forcat reaksionare. Abate, në përputhje me normat e pashkruara të artit të vërtetë, nuk na i përmend hapur ato, nuk na i paraqet as para ndonjë trupi gjykues, që merr përsipër në emër të shoqërisë e të demokracisë t’i gjykojë e t’i dënojë praktikisht fajtorët konkretë. Por lexuesi i vëmendshëm do të vërejë që e gjithë skena e hareshme e triumfit të veprimtarisë krijuese të Xhorxho Belushit, skenë ku si në veprat e mëdha artistike shfaqet edhe masa e gjerë e njerëzve të thjeshtë, befas errësohet dhe nguroset, kur në të shfaqet – e pabesueshme! – përfaqësuesi më i lartë i pushtetit vendor, i paraprirë nga djem të rinj, të fuqishëm, me fytyra pa shprehje e me syze të zeza. Lexuesit, të ushqyer edhe me pamjet e shumta të ngjashme të filmave, patjetër që diçka i vegon në përfytyrim, kur lexon këtë skenë, kur njihet me përshkrimin e kësaj force shoqërore, që vjen dhe errëson gëzimin masiv. Ata që vijnë ashtu papritur si një re e zezë, që nxin qiellin dhe natyrën, janë aq të ngjashëm me të fuqishmit e botës së krimit. E ç’do të duhej të na thoshte më shumë autori? Nuk mjaftojnë paralelizmat, nuk mjafton ngjashmëria e simboleve?
Karmine Abate vjen për herë të dytë të takohet me lexuesit tanë. Herën e parë, në fillim të viteve ’90, kur ne morëm rrugët e botës, ai na tha se vepruar kështu shqiptari jo vetëm që nuk ka për të pasur fat më të mirë se fati i gjithë emigrantëve të gjithë botës, por edhe duhet të jetë tepër i vëmendshëm të ruajë identitetin, që është pasuria e vetme që ka dhe pjesa më e rrezikuar e qenies së tij.
Këtë herë të dytë, kur ne, ashtu si aq e aq herë gjatë gjithë historisë sonë të re e jo vetëm të vjetër, përpiqemi të ngremë atë që nganjëherë na duket si guri i Sizifit, pra, të bëjmë një shoqëri të organizuar që synon vetëm përparimin, ai na thotë se të gjithë ata që kanë vendosur të qëndrojnë në vendlindje, shkurt populli, duhet ta mbledhin mendjen se kanë punë, madje në një ndeshje për jetë a vdekje, me të gjitha ato forca reaksionare, që pavarësisht titujve që mbajnë, fjalëve publike që thonë dhe pamjes së jashtme, përpiqen me çdo mënyrë, edhe ato thjesht kriminale, të na e errësojnë të sotmen, pale më të ardhmen, pra, ta mbajnë shoqërinë brenda “traditave” të nënshtrimit dhe skllavërimit.
është në interesin e të gjithë neve që lexuesit tanë t’i rrokin e bluajnë mirë këto porosi letrare të arbëreshit Karmine Abate.

Shpëtim Çuçka

Administrata e Trump-it ofroi një mundësi, por jo një zgjidhje për problemet që ekzistojnë mes Kosovës dhe Serbisë

  Search inside image Akademik  Mehdi Hyseni,PHD Profesor Dr. Mehdi Hyseni  , është Doktor i Marrëdhënieve Politike Ndërkombëtare dhe Bashkë...