Udhëtimet e gazetarëve të gazetave të njohura amerikane në Shqipërinë postkomuniste, duke zbuluar traditat dhe jetën e një prej vendeve më të mistershme të Ballkanit
"Pashkja u kthye në virgjëreshë të betuar, kur mashkulli i fundit i familjes së saj vdiq, dhe i la asaj emrin e shtëpisë dhe pasurinë. Duke respektuar Kanunin e Lekë Dukagjinit, ajo hoqi dorë nga jeta e saj prej gruaje dhe filloi të vishej dhe të vepronte si burrë e të thirrej me emër burri Pashk", kështu shkruante reporteri i revistës së njohur amerikane "National Geographic", i cili gjatë udhëtimit nëpër Shqipërinë e veriut kishte zbuluar një zakon të vjetër shqiptar. Një histori e pazakontë për gratë e perëndimit, të cilat as që mund të mendojnë një transformim të tillë të trupit të tyre, ku humbet forma e gruas për hir të ligjeve të vjetra. Ato nuk e njohin Kanunin, që në reportazhin e gazetarit mund t\u ngjasojë si emër mashkulli, por nga ata meshkuj që nuk dinë të duan një grua. Por, historia e Pashkës, gruas që provonte një gotë raki në odën e madhe të burrave, të mbushur me fotografitë e pjesëtarëve të familjeve në mur, ku pak më tej një tjetër burrë i veshur me këmishë me vija i bie çiftelisë, duket si një fotografi e marrë nga e kaluara dhe e servirur për të treguar Shqipërinë postkomuniste, dhe historitë që mund të gjesh aty. Por ky portret është i vërtetë, Pashk është ndoshta unifikimi i gjithë atyre grave që iu desh të jetonin si burra në atë sistem, dhe që më pas humbën të gjitha ndjesitë e të qenit femra. Një detaj interesant në përshkrimin që i bën kjo revistë këtij fenomeni është qasja ndaj historianit të famshëm grek Herodoti, i cili e krahasonte këtë zakon të malësisë shqiptare me atë të amazonave. "Njëri prej djemve, në të vërtetë një djalë i veçantë e bukurosh, kishte një tatuazh në krahun e djathtë të bërë sipas praktikës që ende është gjallë, e të cilën Herodoti e përmend si traditë të lashtë ilire, Pjetri e drejtoi gishtin nga njeriu me tatuazh dhe më tha: Ajo është grua-burrë. Nuk është martuar dhe as nuk martohet kurrë. Kjo thënie kaq interesante na bëri të njohim zakonin shumëshekullor të Malësisë së Madhe që është ndoshta po aq i vjetër sa ai i amazonave", shkruan revista "National Geographic". Duke marrë shkas nga takimi me Pashkën, revista hulumton në pasojat që ka lënë Kanuni i Lekë Dukagjinit te gruaja shqiptare. "Zakonet shqiptare janë të egra deri në rrezik dhe thuhet të jenë përcjellë brez pas brezi. Te shqiptarët ekzistojnë disa zakone të çuditshme. Të përshëndetësh një grua të pamartuar, për shembull, është një provokim që ndjell vdekje. Një gjakës është i falur për sa kohë që është i shoqëruar nga një femër. Një femër mund të qëllojë mbi të fejuarin, i cili e prish fejesën ose i kërkon babait të djalit që ai vetë ta vrasë ata". Në komentet që bëhen në këtë revistë për gratë shqiptare mund të gjejmë edhe këtë "Gratë shqiptare lindin trima. Kam parë me qindra në të vërtetë mijëra të tilla, të zellshme dhe punëtore, të ushqyera me bukë e më djathë, disa me fëmijë të vegjël, anës rrugës me ca pleq tek thyejnë gurë tërë ditën, në të nxehtë e në të ftohtë, për të përfituar nga qeveria italiane tri lira në ditë. Edhe fëmijëve u jepet e njëjta pagë për përpjekjet e tyre sadopak të vlefshme qofshin ato". Sipas revistës, për shekuj të tërë gruaja shqiptare ka gëzuar një zakon që nuk mbahet mend se kur është krijuar një status ligjor të tillë, që gratë në perëndim kanë luftuar dhe ia kanë dalë ta marrin vetëm në kohët moderne. Sipas tyre, shqiptari është i ndershëm në mënyrë të veçantë në qëndrimin ndaj grave. "Thuhet se para luftës një grua e vetme dhe e pambrojtur mund të udhëtonte e sigurt nga njëri cep i Shqipërisë në tjetrin...".
Shqipëria pas rënies së komunizmit
Dushko Doder, korrespondenti i gazetës "Uashington Post" në Moskë, autor i disa librave, zgjedh të udhëtojë në Shqipërinë postkomuniste, për të parë nga afër e për ta përcjellë më pas kudo në botë ndjesitë që gjeti në vendin e sapoçliruar nga tirania. Me një dashuri të veçantë, por edhe me një sens sa emocional aq edhe kritik, paraqet atë tablo të fillimit të transformimeve që po ndodhnin me tërë padurimin, zemërimin, mungesën e përvojës, shpresën, dëshirat e zjarrta për të "kapur" botën që demonstronin shqiptarët. Ja si shkruan ai "Duke lënë pas autobandën e mbushur plot e përplot me makina, hyra në rrugën që të çonte në një vend të mbyllur. Po ndiqja shenjat e vjetruara, duke lënë pas një re pluhuri si dhe botën e zhurmshme jugosllave. Po ecja drejt tokës së ashpër shqiptare. Në çdo km që përshkoja, rruga sa vinte bëhej më me shumë gropa e pengesa. Shekujt largoheshin... Nën regjimin e Enver Hoxhës, i cili e udhëhoqi si feudal që nga viti 1944 deri në vdekje, në vitin 1985, vendi u kthye në një nga diktaturat më të ashpra, ku bashkëshortet e anëtarëve të përjashtuar nga partia urdhëroheshin t\i ndanin burrat, ku njerëzit nuk mund të mbanin mjekra, ku të gjitha huatë, kreditë apo bizneset e huaja ishin të ndaluara, ku feja ishte jashtë ligjit, ku po të kritikoje cilësinë e bukës mund të përfundoje vetë edhe familja në burg... Madje edhe turistët nuk ishin të mirëseardhur. Sikundër vetë Hoxha thoshte: "Pse ta kthejmë vendin tonë në një han me dy porta, ku të hyjë derri e dosa". Gazetari, i cili kishte një lidhje gjaku me Shqipërinë duke qenë se gjyshja e tij nga e ëma kishte lindur në Shkodër, ka bërë ndoshta reportazhin më interesant për Shqipërinë postkomuniste, duke ndërthurur ndjenjat më përshkrimet e një vendi, ku dhembjen mund ta gjeje kudo. "Përvoja që kisha, më bënte të kuptoja sesa shumë propaganda e përparimit socialist të Enver Hoxhës përbënte një akt teatror ballkanik. Ndonëse diktatori kishte vdekur prej më shumë se pesë vitesh, shpirti i tij jetonte. Në fillim të vitit 1991, statuja e Enver Hoxhës ende dominonte çdo qytet dhe qytezë, pamja e tij ishte bërë e tillë që të dukej i pashëm, i zgjuar i kujdesur dhe prindëror...". Tirana do të ishte një stacion dramatik për gazetarin. Në mendjen e tij janë ende rrëfimet e një gruaje. "Ai ma mori burrin më shumë se 30 vjet më parë, për shkak se po lexonte biblën. Burri më vdiq në burg...".
Këto janë vetëm disa momente që gazetari i "Uashington Post" përcillte nga vizita e tij në Shqipëri, momente që janë ngulitur në arkivat e vendeve perëndimore sa herë që duan të kujtojnë historinë e shqiptarëve, këtij vendi me dramë të madhe historike, ndoshta më të madhe në Ballkan. Një mori shkrimesh të tjera të gazetarëve të huaj që prekën vendin e nxehtë të Ballkanit kanë ardhur të gjitha në një libër me titullin "Shqiptarët lisa mbi truallin ilir", të përgatitur nga Mal Berisha.
Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)
Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës. Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...
-
Genci Gora NË SHKOLLË TEK SHTRIGA Shkarko falas Begzat Rrahmani VALËT E GURRËS Shkarko falas Mehmet Bislim...
-
Akademik Prof. Kujtim Mateli Pak histori derisa nisa t ë shkruaj librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” (Pjesa e parë e para...
-
"Zëra nga burime të nxehta" mbetet një libër i veçantë i shkrimtarit Sabri Godo . Ai vjen për të dëshmuar se ka autorë dhe vepr...