Shtypi gjerman: Sa ka lidhje atentati me myslimanizmin e shqiptarëve
Disa ditë pas atentatit të një të riu të lindur në Kosovë dhe të rritur në Gjermani, autorët e shkrimeve në të përditshmet gjermane janë ende të paqartë nëse atentati ka lidhje me myslimanizmin në Kosovë Disa autorë bëjnë një analizë të lidhjes së shqiptarëve të Kosovës me fenë myslimane. Shkëputëm dy prej tyre: Në numrin e sotëm të gazetës Frankfurter Allgemeine Zeitung, në artikullin me titull "Shqiptarët e Kosovës - formalisht myslimanë, këmbëngulin që janë laikë dhe proamerikanë", autori pasi përmend shifrat se mbi 90 përqind e popullsisë së Kosovës pranon formalisht myslimanizmin shpjegon se shifrat nuk thonë shumë për rëndësinë faktike të islamizmit në Kosovë, sepse "feja e shqiptarëve është shqiptaria", siç thotë një shprehje që sipas mendimit të tij e tregon mirë gjendjen. Në jetën e përditshme ose në politikë mendon autori, islamizmi luan një rol të dorës së dytë. Një parti që kërkonte të fuste sherihatin, nuk pati asnjë shans për ta kaluar pengesën e kufirit minimal të votave për t'u futur në parlament: Elita kosovare thekson laicizmin. Asnjë politikan, shkruan autori i FAZ, nuk ka shanse të marrë vota me parulla islamike. Kjo nuk është një nga arsyet më të rëndësishme, por është njëra prej tyre, pse shumë vende islame nuk e kanë njohur deri tani pavarësinë e Kosovës, ose e kanë njohur pasi ka kaluar kohë. Autori përmend vendet si Pakistani, Egjipti,apo Indonezia prej të cilave Kosova pret të njihet. Pavarësisht aspektit të të drejtës ndërkombëtare, një arsye tjetër për këto rezerva është edhe qëndrimi tejet pro amerikan i popullsisë shqiptare të Kosovës. Dhe më tej: "Shqiptarët e Kosovës e dinë se jo vetëm dëbimi i ushtrisë serbe, por edhe krijimi i shtetit u bë falë Uashingtonit." Që islamizmi nuk gjen jehonë të madhe në Kosovë, mendon edhe Norbert Mappes-Niediek. Në shkrimin me titull "Feja e shtetit- Kombi", botuar në gazetën Frankfurter Rundschau, ai shkruan se megjithëse pjesa më e madhe e shqiptarëve të Kosovës janë pjesë e familjes myslimane, ata janë imunë ndaj joshjeve islamiste. Këtë e tregon edhe emërimi i një ish repisti si ministër kulture. Megjithatë mbetet të sqarohet nëse islamizmi në rritje atje ka lidhje me gjakderdhjen e shkaktuar nga Arid U. në Frankfurt. Një lloj feje e shtetit në Kosovë, është nacionalizmi shqiptar, "Islamizmi u detyrua tek shqiptarët". Kjo është formula me të cilën nacionalistët e vërtetë i kanë mbajtur larg muxhahedinët sauditë ose boshnjakë. Fëmijëve u ngjiten emra si Ilir apo Dardan, Vlora ose Teuta. Kush quhet Hajrudin, Nezir ose Muharrem, e zë turpi për emrin që ka. Dhe më tej, Mappes-Niediek pasi vëren se pas 11 shtatorit në Kosovë ka mbretëruar solidaritet i qartë me çlirimtarët amerikanë, shton se që prej asaj kohe midis nacionalizmit shqiptar dhe fundamentalizmit mysliman është krijuar një urë ideologjike. "Nëse nuk do të kishim pranuar islamizmin, do të kishim qenë sot serbë po grekë," citon autori Abdi Baletën, një "shqiptaromadh" i cili nuk ka pas vetes shumë ithtarë në Shqipëri. Ddhe Kosova prej kohësh ka qenë e lirë nga ide të tilla, mendon autori.
Revolja e përdorur nga i dyshuari Arid Uka, nga Kosova, në vrasjen e dy ushtarëve amerikanë në aeroportin e Frankfurtit, ishte bllokuar gjatë sulmit, duke parandaluar humbjen e mëtejme të jetëve, tha sot prokurori gjerman, Rainer Greisbaum.
I dyshuari Arid Uka, 21 vjeçar, kishte refuzuar të fliste kur formalisht ishte akuzuar para gjyqtarit për vrasje dhe përpjekje për vrasje, por kishte bërë deklarata të gjata në polici, pak kohë pas sulmit të së mërkurës, ka theksuar zoti Griesbaum.
Mëtutje, Griesbaum theksoi se Arid Uka, u kishte thënë autoriteteve se ai kishte shkuar në aeroport në mënyrë specifike për t’i vrarë amerikanët “si hakmarrje për misionin amerikan në Afganistan”.
Kur ai e ka parë autobusin me 15 persona të armatosur, të parkuar jashtë Terminalit 2, ai i është afruar një personi të armatosur dhe, nën pretekstin e kërkimit të duhanit, ka pyetur nëse të armatosurit ishin në rrugën e tyre për në Afganistan.
“Kur ushtari tha po, ai e qëlloi atë nga prapa në kokë”, tha Griesbaum. Ushtari i vrarë ishte 25 vjeçar.
Arid Uka pastaj depërtoi në autobus dhe duke brohoritur “Zoti është i Madh”, e vrau shoferin, tha prokurori Griesbaum.
Pastaj, ai e qëlloi një ushtar 25 vjeçar dhe një tjetër 21 vjeçar, duke i plagosur që të dy, tha Rainer Griesbaum.
Imami i xhamisë Abdullah Bejta, i cili ndihet i fyer nga veprimi i nipit të tij
Imami i xhamisë Abdullah Bejta, i cili ndihet i fyer nga veprimi i nipit të tij
“Pastaj, ai u përpoq ta qëlloj një 22 vjeçar”, tha Griesbaum dhe shtoi se “ai e mbështeti revolen në kokën e tij dhe e tërhoqi këmbëzen dy herë, por revolja u ndal dhe nuk pati të shtëna”.
Megjithqë mendohej se në revole ishin edhe gjashtë plumba, bllokimi i saj i parandaloi të shtënat e tjera dhe Arid Uka iku nga autobusi.
Por, ushtari i fundit, ndaj të cilit Uka provoi të qëllonte, u dha në ndjekje ndaj Ukës në terminalin e aeropoertit, së bashku me dy policë federalë gjermanë dhe e kapën atë.
Arid Uka ishte i armatosur edhe me dy thika.
Agjencia AP raporton se autoritetet e Gjermanisë besojnë se Uka ishte radikalizuar aktualisht dhe kishte vepruar vetëm, por prokurori Griesbaum tha se incidenti tregon se ekziston rreziku serioz, edhe nëse ekstremistët nuk janë pjesë e rrjetit radikal.
“Kjo nënvizon rrezikun nga islamistët, që veprojnë vetëm”, tha Griesbaum.
Pranë xhamisë së fshatit Zhabar në Mitrovicë jetojnë dajallarët e Arid Ukës. Atentati i Frankfurtit ka shokuar familjarët e tij.
Imami i xhamisë së Zhabarit është gjyshi nga e ëma e Aridit, Abdullah Bejta, i cili ndihet i fyer nga veprimi i nipit të tij.
“As kurrë s’e kisha besuar se do të bëhej nga djali kjo punë, por e morëm vesh nga televizori”, thotë ai.
Duke dënuar ngjarjen imami thotë se nuk do ta besonte kurrë që nipi do të bënte një gjë të tillë, aq më tepër ndaj ushtarëve amerikanë që ndihmuan aq shumë në clirimin e Kosovës.
“Mendja s’ma kishte marrë kurë. Jemi zemërthyer. Na vjen zorr”, shprehet Bejta.
Familja e Arid Ukës prej më shumë se 13 vitesh jeton në Frankfurt të Gjermanisë dhe ka vite që s’e ka vizituar Kosovën.
Ndërkohë, banorë të qyteteve të ndryshme në Kosovë kanë ndezur qirinj për viktimat, ndërsa ambasada amerikane në Prishtinë është vizituar nga krerët e shtetit, mes të cilëve presidenti Pacolli, që ka shprehur ngushëllimet e tij për ngjarjen.
Reagime kanë ardhur edhe nga bashkësia islame e Kosovës. Myftiu Naim Tërnava, përmes një njoftimi për shtyp është shprehur:
“Të sulmosh ushtarët e një vendi mik, aq më tepër ata amerikanë, është një akt makabër dhe terrorist, por edhe një sulm ndaj Kosovës”.
Bashkësia islame shqiptare në Gjermani dënon aktin e 21 vjeçarit, që vrau dje dy ushtarë amerikane dhe plagosi dy të tjerë. Ata mendojnë se akti i tij nuk ka lidhje me asnjë lloj feje, as me atë myslimane.
Rexhep Sulejmani, imam në qendrën shqiptare myslimane në Shtutgart- Feuerbach dhe nënkryetar i Unionit të qendrave islame shqiptare në Gjermani tha për DW: "Ne i kemi dëgjuar njoftimet me shumë pikëllim, na vjen keq që ka ndodhur një gjë e tillë. Ne mendojmë se një person i tillë, që ka bërë një vepër të tillë ka një nivel shumë të ulët dhe nuk ka asnjë lidhje me islamin, me fenë, me kombin apo me diçka tjetër."
Imam Sulejmani mendon se akti ka bërë një dëm shumë të madh qoftë në aspektin kombëtar qoftë në aspektin fetar. "Ne jemi në lidhje me bashkësinë fetare myslimane në Franfkurt, me dy imamët në Hanau dhe në Franfkurt, me siguri ai ka marrë frymëzime të tilla diku tjetër," thotë i bindur imami Rexhep Sulejmani.
Ne nuk e njohim atë djalë
I të njëjtit mendim është edhe Ahmed Kajosevic, sheik në komunitetin mysliman shqiptaro -boshnjak në Frankfurt: "Unë nuk e njoh atë djalë, as në xhami nuk ka ardhur ndonjëherë. Ai s'ka shkuar në xhami, edhe në ka shkuar, ka shkuar me siguri në ndonjë radikale, nuk ka shkuar në xhami normale. Po kam frikë se nuk ka shkuar kërkund ai".
Bashkësia myslimane shqiptare në Gjermani dënon aktin
Sheiku Kajosevic, shton se nuk ka dëshirë për të folur për këto çështje sepse: "Për me thënë diçka duhet me dit çka është puna e tij, cili ka qenë shkaku, a është i marrë, ka ndodh diçka, apo çfarë. Ne nuk mund të flasim për një gjë që nuk e dimë. Ajo që ka bërë është gabim, nuk bëhet në këtë mënyrë edhe me pat probleme."
Dëmi shumë i madh
Ai mendon se ky akt sigurisht e dëmton bashkësinë myslimane në Gjermani. Këtë e përforcon edhe imami Sulejmani. "Dëmi është shumë i madh".
Të dy klerikët theksojnë se nuk kanë parë tendenca radikalizimi, as nga predikuesit as nga praktikuesit. Por duket se tema diskutohet nga pjesëtarët e komunitetit mysliman. "Pasi kryem faljen e namazit të drekës me një shok isha duke biseduar dhe ne shtrojmë po ashtu pyetjen si ka mundësi që një person që ka lindur këtu, është rritur këtu, është edukuar këtu të marri një vendim të tillë? - shtron pyetjen imami i bashkësisë myslimane shqiptare në Shtutgart.