"Unë kam pirë kafe. Çdo mëngjes më pëlqen që ta nis ditën duke pirë një kafe me time më në studion e time, me ato filxhanët e vegjël, të bërë në xhezve si dikur. Është një bisedim shpirtrash nga një kafe. Nëna dhe biri. Një dialog që unë e kuptoj nga sytë e saj. Ndërsa pasditeve ato filxhanë i mban në duar ime shoqe. Pasditet janë për dashurinë dhe më pëlqen ta pi kafenë me të". Ka veshur një këmishë të zezë, një jelek të jeshilët dhe me duar lëviz një mori fotosh, të cilat i ka marrë nga shtëpia për të mi treguar. Janë punë të tijat. Përshëndet me kokë pak më tej dikë nga tavolina dhe vazhdon sërish të flasë. Në këtë qytet të gjithë e njohin piktorin. Pak muaj më parë ata e nderuan edhe me titullin "Qytetar Nderi". Ai është i vetmi që nuk e ka braktisur kurrë qytetin. Ky burrë i lartë, i veshur me shije, me sytë të ngjashëm me trishtimin e liqenit, këtë të diel nuk ka dashur asnjëherë t\i largohet zërit të të parëve. Ato zëra që shoqëruan rritjen e tij, bashkë me pasionin për t\u bërë piktor, nuk e kanë lënë të ikë, edhe pse pikturat e tij mund të qëndrojnë në galeri të njohura të botës, edhe pse nuk ka asnjë të ngjashëm me të në këtë qytet. Ato zëra e kanë dënuar të jetojë përjetësisht në këtë "burg", të cilin thotë se e dashuron vazhdimisht.
Ky është Anastas Kostandini, artisti i madh i kësaj province, që e kalon ditën pikërisht në këto rrugë. Një njeri, i cili të fut menjëherë në biseda për artin, në biseda të cilat nuk mund t\i dëgjosh edhe në metropolin e madh, aty ku thuhet se "arti evoluon çdo ditë". Ndoshta artin dhe artistin e vërtetë do të na duhet gjithnjë ta takojmë në këto tavolina të thjeshta, në këtë qytet që nuk mund të mbajë dot as historinë e tij, ndërsa ky burrë vazhdon të shpjegojë pa u lodhur se sa e rëndësishme është të pikturojë...
Keni preferuar gjithnjë të jetoni në këtë qytet, ku dhe vetë shpreheni se ju duhet të dialogoni aq shumë me veten apo me pikturën. Përse nuk zgjodhët Tiranën apo ndonjë kryeqytet tjetër të huaj për të bërë jetën e një artisti, aty ku ndoshta flitet pak më shumë për art?
Unë mendoj se atje ku ka artist do të flitet për art patjetër. Edhe në rastin kur nuk ka dialog ka monolog. Sigurisht që Tirana është një qytet krejt i ndryshëm, të cilin unë ndonjëherë edhe e ëndërroj. Këto janë ëndrra, të cilat të tjerët i kanë realizuar lehtësisht. Fare lehtë mund të shkosh në Tiranë, por nuk ndihem 100% në hapësirën time. Janë cilësia e ajrit dhe cilësi të tjera të padukshme, të cilat nuk mi jep Tirana. Mbi të gjitha nuk më jep lirinë absolute, ose atë që quhet liri kohe. Unë nuk dua të bëj gjëra të tjera, dua të bëj vetëm pikturë, as të jap mësim në fakultet, dua ta kem të gjithë kohën për veten time. Provinca jonë është pak ndryshe, pasi jeton një lavdi nëpërmjet dy artistëve të mëdhenj, të cilat unë kam dëshirë t\i përmend në çdo intervistë dhe këtë nuk e bëj si përshpirtje, por pasi është një pjesë e dialogut që zhvillohet me të vdekurit e famshëm. Shumë enden këto dy personazhe në Pogradec e provokojnë gjithnjë biseda. Por ka edhe një farë jete në Pogradec. Një pjesë të mirë të dialogut tim rreth pikturës apo interesave artistike e zë edhe miku im, që ndodhet këtu me ne, Gjergji Lako, me të cilin këmbejmë shumë gjëra intime rreth artit apo qytetit tonë. Qyteti dhe liqeni janë lënda. Ndodh që ndonjëherë e ngatërrojnë qytetin me liqenin, por dua të them se liqeni është 90% e asaj që quhet Poradec, kurse Pogradeci është një qytet i rëndomtë, me shumë probleme.
Shumë kritikë shprehen për ngjashmëri mes pikturës tënde dhe poezive të Lasgush Poradecit. Çfarë ndikimi ka pasur poezia e tij në pikturën tuaj?
Padiskutim që ka pasur ndikim. Të gjithë ata piktorë të formës së pastër, të cilët pretendojnë dhe nuk duan të dinë për asnjë gjë, duke e përbuzur vendin e tyre, e kanë gabim. Unë do t\i quaja ata formalist të formalizmit, kurse të jesh formalist dhe të merresh me formën është diçka tjetër. Për sa i përket Lasgushit, dua të them se ai s\ka qenë vetëm poet, por edhe piktor, sigurisht pjesa e poezisë së tij është ajo që reflekton, e cila na bën të jemi ende në atë trysni. Nuancimet piktorike të tij vazhdojnë të jenë të jashtëzakonshme. Unë dikur kam thënë se dua të jem afër figurës së Lasgushit dhe këtë gjë e bëj sipas mënyrës sime dhe e konstatoj gjatë gjithë këtij përkthimi shumë special të Lasgush Poradecit, ndiej se në shumë vende unë dyzohem me të, bëhem një pjesë. Por mund të them se ende nuk e kam thënë fjalën time në këtë pikë. Kam bërë sa kam mundur, por nuk kam përfunduar. Kam dëshirë ta ilustroj në mënyrën e duhur Lasgush Poradecin. Të bëj një ilustrim të të gjitha poezive të tij dhe sigurisht që vazhdoj të pikturoj në frymën lasgushiane, por që nuk dua që kjo të më shndërrohet në një burg. Qëllimi im nuk është të bëj vetëm Lasgush Poradecin, por të kuptoj se në një botë shumë të hapur, qoftë historike, takimi me Lasgush Poradecin është si një takim që nuk shpjegohet me kohën dhe me qytetin, por vetëm me faktin se një piktor kërkon veten e tij dhe unë gjej një mbinatyrë. Lasgushi për mua është një fraksion i natyrës, ku unë shikoj disa gjëra më speciale që i ka rezervuar natyra, si një tortë në fund të një dasme. Unë e kam njohur Lasgush Poradecin, por nuk pretendoj se kam qenë miku i tij. Distanca në moshë ishte e tillë që nuk mund të ishim miq. Por ai e dinte shumë mirë që unë isha djali i një mikut të tij dhe herë-herë kthjellohej për këtë gjë. Ai e dinte shumë mirë se isha edhe piktor. Në vitin 1980, kur ai ka pasur vetëdije të plotë, më ka kërkuar ngjyra dhe telajo për t\i bërë portretin të ëmës së tij. Ka qenë një nga vizitat e mia në shtëpinë e tij në Tiranë dhe atje kemi bërë goxha bisedë, më ka treguar shumë gjëra, më ka treguar disa mistere të bibliotekës së tij, disa letra.
Çfarë ishin ato letra?
Ishin letra që i dërgonte një piktor i famshëm dhe miku i tij austriak, Rubel. Ky ishte kryetari i Shoqatës së Miqësisë Austri- Shqipëri dhe ishte një piktor i famshëm. Madje, kur ka ekspozuar veprat e tij në periudhën post-Hoxhe, vepra e tij ishte deri në kufijtë e abstraksionit. Për shkak të statusit të tij të veçantë, ai ka bërë një vizitë zyrtare dhe ka bërë një edhe në Pogradec. Vizita e tij kuptohet nuk ishte për ne. Ai erdhi i shoqëruar me Kujtim Buzën ku u shtrua një drekë pikërisht në këtë turizëm. Në fund të darkës ai pyeti: "Ku ndodhet Lasgush Poradeci?" - pasi ishte personi, letrën e të cilit Lasgushi ma tregonte shumë vite më përpara. Po i rikthehem sërish letrës që Lasgushi ma tregoi në atë kohë në shtëpi, e cila nuk ishte gjë tjetër, por e shoqëruar edhe me një letër tjetër të një piktori gjerman, i cili kërkonte të ilustronte Lasgushin dhe për këtë i kërkonte leje Lasgushit. Por Lasgushi ishte i përfshirë edhe nga një shpirt nacional shumë i lartë dhe mendoj se shpirtrat më të kualifikuar nacionaliste shqiptare janë ngjyer në botën gjermanike dhe një prej tyre ishte edhe Lasgush Poradeci. Ai i kishte dërguar edhe faksimile të veprave të tij, për t\i treguar se ai ishte një piktor vërtet i mirë. Por Lasgushi u kthye nga unë e më tha: "Këtë gjë do e bësh ti, jo ai!" Ti do ta ilustrosh veprën time. Ende nuk e di përse e tha ai këtë gjë. Unë dua t\i shpjegoj historitë e mia në mënyrë modeste. Mbase Lasgushi kishte përpara një pogradecar në Tiranë, djalin e një mikut të tij, dhe i përfshirë nga një ngashërim për qytetin e tij, ma ka bërë mua një ftesë të tillë.
Si ishte historia e tij me Oper Rubelin, çfarë ndodhi më vonë mes dy artistëve?
Për sa i përket Oper Rubelit, historia me Lasgushin ishte një histori e trishtuar. Ai i kishte sjellë një pako me ilaçe për Lasgushin dhe kërkonte ta takonte vetë. Lasgushin e ftuan të vinte në Turizëm për të bërë takimin me Oper Rubelin, me një mikun e tij, por në momentin e fundit ai ndërroi mendje, duke thënë se "kam një shtëpi dhe e pres në shtëpinë time". Dhe gjithë këta inskenuesit nuk e çuan në shtëpinë e Lasgushit, pasi shtëpia e tij ishte varfër, por ai ishte një monark në mbretërinë e tij dhe për këtë ndihej shumë i lumtur, në mes të asaj varfëria. Por këta mendonin se ajo mund të shihej si një diskreditim që i bënte sistemi një poeti të madh.
Le të kthehemi sërish te piktura. Dukeni kaq legal në kërkimet tuaja artistike. Nëse shumë artistë takuan lirinë pas viteve \90, çfarë ndodhi me ju, me artin tuaj?
Unë jam përgatitur për të qenë legal në kërkimet e mia artistike. Edhe kur të vinte viti \90. Në vitet \90 fillova të eksperimentoj abstraksionizmin e kubizmin dhe kjo aventurë vazhdon ende. Edhe mbasi kam qenë student, edhe në periudhën më të ngurtë të sistemit, nuk kanë qenë vite të njëtrajtshme te mua. Janë të përfshira nga disa periudha. Edhe në atë kohë ekzistonte një literaturë moderne, pavarësisht se nuk mund të bëja ekspozitë në këtë frymë. Unë i takoj piktorëve që kanë vendosur të jenë të tillë që 14 vjeç dhe kanë bërë shkollë për këtë punë. Nëse mund të them se ndryshe nga kolegët e mi, të cilët nuk i paragjykoj, unë jam i përfshirë nga dilema shumë të mëdha rreth artit. Kjo është arsyeja përse kam improvizuar edhe udhëtime. Ato janë gjithnjë aq të mëdha, sa më kanë bërë të veproj gjithnjë jashtë dëshirës sime, duke prishur gjithnjë statuquonë, për të prishur gjithmonë një lloj pjekurie formale të pikturës. Dikush e ka menduar se unë e kam gjetur veten, duke më thënë se duhet të përpiqem të realizohem tani. Por fjala realizim për mua do të thotë përsëritje. Unë nuk dua ta përsëris veten. Tani që flasim ne kemi hapur një ekspozitë bashkë me kolegun tim. Në qershor unë kam bërë sërish një ekspozitë në Pogradec me 80 peizazhe dhe ishin të gjitha peizazhe që unë i kam bërë në natyrë.
Dy vjet më parë, më thatë se u jeni kushtuar peizazheve. A nuk ju duket një gjini, e cila lëvrohet pak sot?
Të bësh peizazh për mua do të thotë të pikturosh në natyrë, ky është kuptimi i parë. Mua më pëlqejnë udhëtimet. Jam pak nervoz dhe dua ta ndiej ajrin. Të bukurën, të cilën e prezanton natyra, unë dua ta rrok. Ndonjë njeri mund të thotë se këtë gjë mund ta bësh shumë lehtë me fotografi. Sigurisht që unë e bëj këtë gjë, bëj me mijëra fotografi dhe asnjë nga ato nuk i përdor për pikturë, pasi i përmbahem teorisë se ajo që fotografohet nuk pikturohet dhe ajo që pikturohet nuk fotografohet. Pra, peizazhi në natyrë impresionist për mua është një argëtim i pamasë, pasi më jep mundësinë të prenetoj në një ajër. Duke qenë në natyrë mund të prenetosh në telejo dhe këtë gjë nuk mund ta bësh dot nëse je në studio. Kjo më bën mirë, pasi çdo ditë unë jam ndryshe. Vendet që mua më befasojnë me konfiguracionin dua t\i pikturoj. Nëpërmjet këtyre peizazheve unë dua të tregoj se vendin ku unë jetoj nuk mund ta përbuz. Dhe pikturimi i tyre është një vërtetim i kësaj gjëje. Nuk mund të duroj dot se një artist që udhëton në vende shumë të bukura dhe emocionale të mos marrë asnjë shenjë prej tyre. Ne kemi hapur një ekspozitë bashkë me Lakon dhe e kemi quajtur "Dialog Tasho-Lako". Kemi shkëmbyer një dialog mes kolegësh, madje i kemi bërë edhe shkrime njëri-tjetrit. Ajo që ndodh midis nesh është interesante.
Shumë artistë thonë se arti nuk mund të shpjegohet. Ndërsa me ju ndodh e kundërta, ju mund ta shpjegoni aq mirë një pikturë?
Shumë kolegë, të cilët thonë se nuk dinë të flasin bukur, hedhin një hije dyshimi rreth vetëdijes së tyre artistike. Vetëdija në art nuk është aspak e përjashtuar dhe unë e quaj një vlerë. Të gjithë ata që mendojnë se në art piktura nuk mund të shpjegohet, ose mbivlerësojnë veten e tyre, ose nuk dinë të shpjegohen, ose nuk e përjetojnë siç duhet artin e tyre, por si një aksident. Unë dua ta dëgjoj edhe me fjalë nga të tjerët, dua të shoh se çfarë mendojnë ata për punën time, edhe nëse ata duan të denigrojnë punën time. Ky është një argument që unë të bëj një pikturë. Së shpejti dua të vij në Tiranë me një ekspozitë të madhe, e cila do të jetë një ekspozitë kompozicionale, ku një vend të rëndësishëm zënë edhe idetë e mia, sjellja e një bote të caktuar në kohë dhe hapësirë, me një stil ku tregohet mënyra sesi e përjetoj unë krijimtarinë time gjatë gjithë këtyre viteve, gjë të cilën ti mund ta shohësh edhe në ekspozitën time këtu, ku pjesa ime është tërësisht abstrakte. Thelbi i saj është vënia e një rregulli në një kaos. Qyteti për mua është thelbi kryesor. Ndonjëherë më duket sikur nuk ka ndryshime mes Tiranës dhe Pogradecit apo Parisit. Në të tria këto qytete unë shoh elemente të ngjashme, të dramës sociale dhe kaosit. Raporti nëpërmjet rregullit dhe antirregullit është ajo që më shqetëson dhe më takon me artin postmodern.
Ku e gjen dashurinë Kostandini në këtë qytet?
Dashuria në këtë qytet është kudo, por është si një dashuri për veten. Por ka dy anë, atë të shpjegueshmen dhe atë të pashpjegueshmen. Ka anët e bukura, por ka edhe ato gjëra që unë i urrej e i përbuz. Ndonjëherë gjërat që unë i përbuz më mbajnë më fort në këtë qytet. Një gjë që e dua pamasë dhe jam i ndërgjegjshëm për një dashuri të kulluar, është historia ime familjare dhe ky peizazhi me liqenin e malin e thatë, të cilin unë nuk e ndërroj me asgjë tjetër. Ky është sfondi i kësaj historie familjare. Në fund të fundit, njeriu përbëhet nga pjesa shpirtërore e tij. Nganjëherë jam i përfshirë nga një gjendje reaksionare për t\i hedhur poshtë gjërat që bëj, pasi bëj gjëra krejt të kundërta edhe gjatë ditës. Kjo është një gjendje paniku, që tregon temperaturën e një intelektuali i cili jeton në rrethina, edhe të një provokimi që i bën shoqëri. Ai është në prag të dëshpërimit. Drama dhe dilema është nëse duhet ta bësh zap këtë gjë, duke marrë hak ndaj kësaj gjëje, që shpesh të duket sikur po të dënon me vdekje. Por këto nuk më pengojnë, pasi vazhdoj të gjej pika takimi me qytetin.
Alda Bardhyli
Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)
Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës. Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...
-
Genci Gora NË SHKOLLË TEK SHTRIGA Shkarko falas Begzat Rrahmani VALËT E GURRËS Shkarko falas Mehmet Bislim...
-
Akademik Prof. Kujtim Mateli Pak histori derisa nisa t ë shkruaj librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” (Pjesa e parë e para...
-
"Zëra nga burime të nxehta" mbetet një libër i veçantë i shkrimtarit Sabri Godo . Ai vjen për të dëshmuar se ka autorë dhe vepr...