2011-03-01

Shkrimtari grek që shkruan për Shqipërinë



Shkrimtari Sotiris Dhimitriu ka lindur në vitin 1955 në fshatin kufitar Povla të Greqisë, është rritur në Igumenicë dhe jeton në Athinë.

E filloi karrierën letrare me vëllimin poetik me titullin “Prekje” (1975) dhe vazhdoi me vëllimet e tregimeve “Djalith im Kristaqi” (1987 - titulli në origjinal është në shqip),

“Një djalë nga Selaniku” (1989), romanin “Të dëgjofsha zënë e mirë!” (1993), vëllimet me tregime “Damari i qafës” (1998), “Ngadalësia e së mirës” (2001), romanin “Ua thotë Zoti” (2003) dhe romanin- ese “Pemët frutore të Athinës” (2005). Etj.

Dhimitriu është sot një nga shkrimtarët më të spikatur grekë për nga stili konciz dhe nga thellësia e humnerave të errëta të shpirtit njerëzor që përshkruan. Është vlerësuar dy herë me çmimin e parë të konkursit letrar që organizon Revista “Dhiavazo” për vëllim me tregime. Në festivalin e filmit arktistik me metrazh të shkurtër që zhvillohet çdo vit në Dhrama, regjisori Bujar Alimani u prezantua për vitin 2006 – madje mori çmim të posaçëm – me filmin “Petrogazi” sipas tregimit të Sotiris Dhimitriu.

 

Të dëgjofsha zënë e mirë!

nga Sotiris Dhimitriu
Roman
Shtëpia Botuese: Toena
Përktheu: Anthulla Kristo
Numri i faqeve: 120
Çmimi: 400 lekë


Zoti Dhimitriu, sa herë e keni vizituar ju Shqipërinë?

S.DH. - Për mua është e katërta herë që vij në Shqipëri. Më ka tërhequr ky vend. Kur isha fëmijë, kur shkoja nga Igumenica në fshatin tim, fshat në kufi, vendi i Shqipërisë ushtronte tek unë një magji të fortë. Shikoja në horizont malet e saj, dhe atje ku ishte perëndimi i diellit, vija re padashur një tendencë, një tërheqje rreth atij vendi. Tani që jam i rritur, kjo tërheqje nuk ka humbur. Madje, më dukej sikur nuk doja fare të vija, sepse kujtoja se do të humbiste ajo magjia e tërheqjes, por për habi të madhe nuk ka humbur. E kuptova mekanizmin psikologjik që krijohet te një mik i një kombi. Nuk është e rastit që romanet e mia i dedikohen me shumicë Shqipërisë. Kam botuar një vëllim me tregime me titull të shkruar në shqip “Djalith im Kristaqi”.

Zoti Dhimitriu, si ka qenë jeta juaj letrare në vendin tuaj dhe sa krenar ndihen ende grekët për letërsinë antike?

S.DH. - Të flasësh për letërsinë time dhe për letërsinë greke në përgjithësi është një çështje që ka brenda parajsën dhe vetë ferrin. Tani një çast parajse është që po shoh këtu një vajzë si ju (qesh). Por po të mos isha letrar nuk do mund të flisnim bashkë. Dhe errësira,dhe drita, dhe ferri në këtë jetë vinë me një forcë të madhërishme.Lumturisht jeta është e shkurtër dhe kjo na ngushëllon. Sepse nuk mund të rrosh dot një mijë vjet, e ta kesh ditë e natë mendjen në letërsi. Gjatë jetës unë i kam dedikuar një pjesë të madhe vetëm letërsisë. Përsa i përket krenarisë për letërsinë e vjetër greke ka dy anë të vështrimit e ndjeshmërisë për të: Është një lodhje e kombit që s’mund të shkëlqejë ashtu si në atë kohë, dhe nga ana tjetër – ato vepra durojnë edhe sot, nuk e lejojnë errozionin. Unë vetë do të preferoja një shkrimtar që nuk ka aq histori të gjatë në letërsinë e vendit të tij. Është e rëndë letërsia kur vjen nga shekujt.

Zoti Dhimitriu, kritika letrare e ka spikatur mënyrën tuaj të të shkruarit për “finesën e fjalës” e “thjeshtësinë e rrëfimit”, sa jeni dakord ju me këtë vlerësim?

S.DH. - Besoj se kam një estetikë të thjeshtë dhe kjo më pëlqen, pasi tregimet e mia nuk të lodhin dhe nuk janë të bujshme. Mendoj se ajo që unë shkruaj është një vepër që nuk mund t’i sillesh dot rrotull me aq mundim dhe me mungesë respekti si dhe të tërheq ta lexosh. Mund të përjetosh pra, atë që ndodh. Shkrimet nuk kanë atë anë hijerëndë të një letërsie që të detyron ta studiosh më thellë.

Intervistoi DHURATA HAMZA

Administrata e Trump-it ofroi një mundësi, por jo një zgjidhje për problemet që ekzistojnë mes Kosovës dhe Serbisë

  Search inside image Akademik  Mehdi Hyseni,PHD Profesor Dr. Mehdi Hyseni  , është Doktor i Marrëdhënieve Politike Ndërkombëtare dhe Bashkë...