2011-03-05

Isa Boletini “Burri me qeleshe të bardhë” në muzeun britanik

Intervistoi: Dr.sci.Fatmir Terziu,Londër 




Intervistë me mbesën e tij Rabije Murati Rrahmani

 
image 
  Rabije Murati Rrahmani,mbesa e gjeneral 
 Isa Boletinit


Rabije Murati Rrahmani, ju jeni një rrënjë e degës ku prehet rrjedha e Isa Boletinit. Ju lutem a mund të sqaroni lexuesit tanë më tepër?

Së pari do të doja që t’ju falenderoj që keni gjetë edhe kohën, edhe interesimin për të biseduar me mua në lidhje me Isa Boletinin, gjyshin tim. Në mënyrë që këtë intervistë ta bëjmë sa me të kuptueshme edhe për lexuesin unë do të doja që t’i japë edhe disa informata në lidhje me familjen time. Unë quhem Rabije Murati Rrahmani. Jam e lindur në Mitrovicë më 27 Shtator 1944 nga babai im Iliaz Murati dhe nëna ime Shehide Boletini (vajza e Isa Boletinit). Unë isha fëmija më e vogël nga fëmijët tjerë, Minire Murati Quna, Remzi Murati, Bahrije Murati Polloshka. Fati i jonë e deshti që ne të humbisnim babain tonë në moshë shumë të re. Unë isha vetëm një vjeçare asaj kohe. Peripecitë me të cilat na rriti nëna ishin të shumta. Lufta e Dytë botërore sapo kishte përfunduar në kohën kur unë kisha lindur dhe në të njejtën kohë regjimi i ri i cili instalohej në shtetin i cili asaj kohe do të quhej Jugosllavi, ishte komunizmi.

A mund të na sqaroni më tej vuajtjet që pasuan familjen tuaj në të dy anët e kufirit?

Po i njëjti sistem me përfundimin e luftës po instalohej edhe në shtetin tonë ëmë në Shqipëri, ku kishim edhe një pjesë të konsiderueshme të familjes. Mirëpo për familjen tonë do të nisnin edhe peripecitë e radhës, në të dyja anët e kufirit, edhe në Kosovë edhe në Shqipëri. Përpos humbjes së bashkëshortit të saj, nëna jonë Shehidja tani do të ballafaqohej edhe me sfidat e tjera siç ishin persekutimet dhe internimet e vëllezërve të saj (djemve të Isa Boletinit) nga regjimi komunist. Për të qenë edhe më absurde ky persekutim ishte po aq i fuqishëm dhe i pamëshirshëm edhe në Shqipëri. Arsyeja e cila qëndronte përmbas këtyre persekutimeve ishte sepse Isa Boletini kishte luftuar për bashkimin e trojeve Shqiptare dhe njëri apo më shumë nga djemtë e Isa Boletinit nuk pajtoheshin me idenë komuniste si dhe me ndarjen e trojeve Shqiptare për të cilat familja dhe mbarë populli kishin sakrifikuar aq shumë.

Po nëna juaj, e bija e Isa Boletinit si i përjetoi ato vite?

Nëna u ballafaqua me dëshminë e persekutimeve, internimeve dhe shtypjeve të ndryshme të cilat u bëheshin vëllezërve të saj si dhe meshkujve të tjerë edhe femrave të familjes Boletini. Familja e ndarë përgjysmë nuk dinin për fatin e njëri tjetrit si dhe për persekutimet që ju ndodhnin anëtarëve të saj në të dyja shtetet komuniste. Me shumë mund dhe sakrificë nëna na rriti ne katër fëmijët e saj që të rrugëtonim në integritetin tonë dhe pavarësinë tonë personale. Ashtu si edhe për babain e saj i cili personalisht nuk ishte i shkolluar, mirëpo i cili e dinte rëndësinë e shkollës dhe edukimin e brezave të rinj dhe i cili për atë qëllim kishte hapur dhe financuar edhe shkolla në Boletin e në fshatra të tjera rreth Mitrovicës ku fëmijët vijonin mësimet në gjuhën shqipe, ndërsa ai i bartte shpenzimet për mësuesit e shkollave. Ashtu edhe nëna jonë e dinte rëndësinë e shkollimit tonë dhe me shumë mund dhe sakrificë na e bëri të mundshme që ne të shkolloheshim.
Ju jeni diplomuar në gjuhën dhe letërsinë angleze. Si arritët që të integroheshit më tej në punë dhe në jetë?
Unë arrita që të diplomoja në Shkallën e parë në Fakultetin Filozofik, grupi i gjuhës dhe letërsisë Anglaeze në Prishtinë, ku gjithashtu fati e deshti që të takoja edhe fatin tim të jetës, Ali Rrahmanin, me të cilin do të lidhja kurorë nga e cila do të kishim dy djem Nolin dhe Asdrenin. Fillimisht jetuam në Gjakovë prej nga ishte Aliu. Unë isha arsimtare e Gjuhës Angleze në shkollën fillore “Mustafa Bakija”, ndërsa Aliu ishte profesor i Gjuhës Angleze në shkollën normale “Isa Grezda” në Gjakovë. Më pas në fund të viteve të 60-ta ne u shpërngulëm për në Prishtinë ku Aliu kishte pranuar detyra të reja e ku edhe unë shumë shpejt gjeta punë në Shkollën e Mesme Ekonomike të Prishtinës ku ligjëroja Gjuhën Angleze pastaj kalova në shkollën fillore “Ismail Qemali” në Prishtinë.





Kur ndryshoi dhe si situata ndaj familjes suaj më tej?

Në vitin 1976 me një dekret të posacëm nga ana e Presidentit të Republikës së Shqipërisë Enver Hoxhës, Isa Boletini shpallet “Hero Kombëtar” dhe vetëm atëherë pjesës së mbetur të familjes në Shqipëri sadopak filluan t’u përmirësoheshin gjërat dhe persekutimet të binin nga niveli. E njëjta gjë nuk vlente në ish Jugosllavinë ku persekutimet ndaj anëtarëve të familjes Boletini ishin të vazhdueshme në fakt mund të them që pas zgjimit të Shqipërisë në njohjen e figurës kombëtare të Isa Boletinit regjimi Jugosllav vetëm sa e shtoi edhe më tepër interesimin për familjen si dhe veprimtarinë e tyre. Kaluan dekada të tëra familja mbeti e ndarë dhe në pamundësi të takimit me njëri-tjetrin. Vetëm në vitin 1976 nënës sime Shehides iu lejua një udhëtim në Shqipëri për takimin me anëtarët e saj të familjes. Mirëpo edhe në atë udhëtim ajo do të përcillej gjatë gjithë kohës nga “distanca” nga ana e shërbimit sekret të Shqipërisë e me siguri edhe spiunëve Jugosllavë. Në vitin 1978 ne patëm një vizitë nga tezja jonë Ajete Boletini, ndërsa në vitin 1980 vizitën nga Djali i dajës tonë*

(*Adem Boletinit ndaj të cilët u bë atentat nga ana e Komunistëve të Shqipërisë respektivisht nga ana e Vasil Shantos) Isa Boletini. Këto të gjithat ishin momente prekëse për familjen ne njiheshim si emra mirëpo kurrë nuk ishim takuar kështu që gjatë këtyre takimeve kishte emocione të shumta.

Çfarë kujtoni nga rrëfimet e të tjerëve për Isa Boletinin?

Kujtoj bisedën me tezen Ajete dhe me nënën time Shehiden të cilat e përshkruanin jetën në Boletin në kullat e babait të tyre. Për bukuritë dhe begatitë natyrore, për bujarinë dhe mikpritjen, traditat, zakonet, burrërinë, besën dhe fjalën e Shqiptarit. Njëra nga bisedat ishte në lidhje me kohën kur Isa Boletini kishte qenë në internim në Pallatin e Sulltanit në Stamboll per tri vite rresht. Isai kishte rënë dakord që të shkonte në atë internim mirëpo vetem me kushtin që Perandoria Osmane mos të lejonte instalimin e Konsullatës Ruse në Mitrovicë. Isai vetem se kishte përzënë Konsullin e parë të dërguar nga ana e Rusisë Cariste gjë që i kishte shkaktuar shumë probleme Perandorisë Osmane në raport me Rusinë Cariste. Kjo ishte në një mënyrë zgjidhje për të zbutur zemërimin e Rusisë me veprimet e Isa Boletinit në Mitrovicë me Konsullin e parë Rus. Isa kishte lënë pas vehtes në Boletin edhe kalin e tij të bardhë – Gjogun i cili prej momentit që Isa kishte lëshuar Kosovën dhe ishte internuar në Turqi ishte bërë nja kalë i pa-përdorshëm dhe i pa-ndëgjueshëm për anëtarët e tjerë të familjes. Edhe nëna edhe tezja e kujtonin shumë mirë Gjogun dhe sjelljet e tij si dhe madhështinë e atij kali fisnik. Pas tri vitesh kur Isa i dërgoi fjalë Sulltanit se do të kthehej për në Kosovë dhe se vetëm të vdekur mund ta ndalnin, Sulltani vihet para një akti të kryer dhe nuk pati zgjidhje tjetëer përvec se ta lironte Isën që të kthehej për në Kosovë. Me të ndëgjuar për lirimin e tij Isës i ishte bërë një pritje madhështore nga njerëzit, bashkëluftarët dhe qytetarët e shumtë që kishin ardhur nga Mitrovica si dhe viset e ndryshme mbarëshqiptare për te pritur Isën në Stacionin e trenit në Shkup ku Isa do të vinte nga Selaniku. Djali i vëllaut të Isës Tafil Boletini – Axhoku kishte qenë përkrah Isës gjatë gjithë kohës, ai gjithashtu kishte shkruar shumë në lidhje me të qenurit “Pranë Isa Boletinit” që titullohet edhe vepra e tij.

Fotot e Kullës së Isa Boletinit janë të bëra nga djali im Asdreni


Dikush nga nipat e tjerë të Isës kishte sjellë me vehte edhe Gjogun në stacionin e trenit dhe në momentin kur treni është ndalur Gjogu kishte filluar që te hingërlliste të shqelmonte dhe njerëzit të cilët e dinin atë kalë nuk e kishin parë kurrë ashtu të shqetësuar në atë masë dhe nuk kishte kush se si ta frenonte dhe ta vente nën kontroll Gjogun. Në atë moment Isa zbret nga treni dhe e sheh gjith popullin aty të mbledhur për arritjen e tij mirëpo zhurma e cila vinte nga anash trenit kishte qenë e pamundur mos të vërehej. Isa e dallon kalin e tij Gjogun dhe e thërret me zë shumë të lartë “GJOG, GJOG urt”, kjo kishte qenë e tëra që Isa i kishte thënë atij kali dhe ai ishte zbutur dhe ishte afruar te Isa i cili më pas edhe e shalon gjë që Gjogu nuk e kishte lejuar askend për tri vitet të cilat Isa i kishte kaluar në Pallatin e Sulltanit në internim. Nëna dhe tezja i’u referuan kësaj si” babi i jonë e kishte atë orën” që d.m.th që vet paraqitja e tij nuk ishte vetëm paraqitje e një njeriu të rëndomtë mirëpo ishte paraqitje që lente mbresa edhe tek njerëzit e edhe kafshët.


Po Londra si është në kujtimet tuaja në lidhje me Isa Boletinin?

Isa Boletini gjithashtu la mbresat e tij edhe në Londër gjatë vizitës së Delegacionit Shqiptar me rastin e Kongresit të Londrës të vitit 1913. Mirëpo unë kësaj radhe nuk do ti ngarkoj edhe lexuesit e juaj në lidhje me atë ngjarje, sepse mendoj që te gjithë janë në dijeni të atyre ngjarjeve që ndërlidhen me Isa Boletinin dhe rastin që ndodhi në Ministrinë e Mbrojtjes së Britanisë së Madhe. Fati i jetës është interesant bëhen 16 vite qysh se unë erdha në Londër tu ribashkohesha fëmijeve të mi e gjithashtu në qytetin i cili në muzeun e tij kombëtar mban portretin e gjyshit tim Isa Boletini “Burri me qeleshe të bardhë”.





Info rreth fotove:



Fotografia e Isa Boletinit është e bërë në Durrës nga ana e Kolonel Thomson-it i cili ishte i angazhuar në formimin e Xhandarmërisë së parë Shqiptare dhe në foto është mbishkrimi “me nder e conj Isa Bey Boletini – Thomson”. Origjinale i kësaj fotoje ka qenë pronësi e nënës sime dhe gjithmonë ka qëndruar e varur në murin e shtëpisë sonë, më vonë shtëpisë së vëllaut tim të ndjetë Remziut. Origjinali i kësaj fotoje është në bardh e zi ndërsa kjo foto është e përpunuar nga origjinali në një laborator të fotografisë në Vienë nga ana e nipit të Isa Boletinit, Adrian Boletini.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...