2011-03-03

12 poet të rinj Mirditorë


PEISAZH VJESHTAK

Arratinë morën zogjtë,
më gjëkundi s'duken,
Era me fyllin e vdekjes
së botës ngjan,
Në shenjë lamtumire jetike
gjethet lëkundën
Përjetësisht përqafojnë
kraharorin e tokës nënë.
Çau rrufeja retë
drithërohet qielli,
Me gjuhë memece vajton
gjakun e shitur,
Bijtë e shqipes ikën,
votra shkret mbeti,
I vetëm harabeli
pranverën duke pritur.
Qyteti u mbulua nga perde e zezë
Filloi të shetiste muzgu i mbremjes
Bardhësinë e borës që ra përdhezë
Si magjistricë e mori errësira e natës.
Paralajmërojnë se makinat ikën
Zhurmat e mbytura mbi gurët e xhadesë
Fjalët e njerëzve që kishin bredhur ditën
Largohen tutje në shurdhërinë e mjegullës.
Vetmi e tronditur në trungun prej lisi
Lakuriq në vendin e shpresës së thyer
Deri në agim shtegtar dhe vetë plisi,
guri i mallkuar në sinagoga falur.
Të gjithë në këtë botë duke qarë trokasim
Tokë me shumë emra, po i njejti planet
Çdo ditë urrejmë, njeri-tjetrin flakim
Planet që e ha enigma e vet.



PRANVERA

U kthyen dallëndyshet nga shtegtimi i largët
Në folenë e vjetër përsëri,
I hoqen malet qeleshet e bardha
Jeta rilindi me madhështi.
Nxitojnë pemët lakuriqe
Të veshin fustanet ngjyra – ngjyra,
Largohen retë ngadalë të fshihen
Natyrës dhe njëherë i qeshi fytyra.
Ndjejmë flladin e lehtë
Faqeve ta na japë shuplaka lehtas,
Pas xhamit dridhet perdja e mëndafshtë
Pranvera paska hyrë në dhomën time fshehtas.

SYTË E TU

Dy sytë e tu
Fytyra e mrekullisë blu,
Qiell a det janë vallë
Që zemra ime për ta ka kaq mall?!
Dy sytë e tu
U tretën në sytë e mi
Formuan një lendinë të çmuar
Me emrin dashuri.
         

TI NUK JE SI TË TJERËT


Ti nuk je jeta,
por lumturia e saj.
Ti nuk je lulja,
por aroma që dehet.
Ti nuk je dituria,
por shkëlqimi i saj.
Ti nuk je fjala,
por kuptimi që mbart.
Ti nuk je goja,
por buzëqeshja e saj.
Ti nuk je buza,
por puthja që fal.
Ti nuk je bota,
por parajsa e saj.
Ti nuk je kulla Eifel ,
por madhështia ti je.
Ti nuk je thjesht një qenie,
por fryma e jetës.
Ti nuk je qyteti i ngurtë,
por rruga e ndriçuar.
Ti nuk je koncepti qiell,
por hapsira e tij.
Ti nuk je dora me thonj,
por ledhatimi i saj.
Ti nuk je trup i zjarrtë,
por ngrohtësia e diellit.
Ti nuk je si gjithë bota,
por, por ti je...
Je ai që më mungon mua.


    GJYSMAT

Shpirti im i ndarë në dy gjysma
Ngjan me një portokalle të prerë.
Gjysma më shetit me yjet,
Kridhet me zanat në ujëvarat e veriut,
Eksploron në kaltërsinë e universit,
Gjysma ime e papërlyer
në gënjeshtra
Gjysma ime e shkëputur
nga bota.
Gjysma tjetër, e imja, e mirë
Ngadalë tërheq mbi pasarela gjysmash
Gjymën time të padukshme
Gjysmën time të sinqertë.
Gjysma ime që justifikon
Gjysmën Time.

SHELGJET

Degë që u ngjajnë flokëve të një vashe
e që shpupurisen nga flladi verior,
degë që u ngjanë qërpikëve
e që përcjellin kristalet e ditës,
Degë që mbajnë të fshehta
të fshehtat që thuhen në netët me hënë.
Degë që ndoshta herë-herë lotojnë...


MË MERR

O Zot
Më merr atje
Ku ekziston veç heshtja
Atje ku mëkate nuk ka
Atje ku gjithçka e merr vdekja.
Më merr atje
Ku zhgënjimi si një hije
Venitet para nesh
Atje ku s'mundem të qaj
Ku s'mundem të qesh.
Më merr
Por ti je kaq i madh o Zot
E di
S'më merr dot…

RETË

Retë e bardha
Si lejlekë të përgjumur
Zvarriten hapsirës së qiellit
Me nge
Nxjerrin nga xhepat e tyre
Të bollshëm
Shiun që bie, shkulmon
Mbi ne
Pastaj largohen
Po si të përgjumura
Me një nënqeshje pafajësie
Mbi buzë
Duke lënë pas
Një mjegull turbulluese.
Retë…



NJË DITË


Një ditë do të rrëmbej
Petalet dhe rrënjët e luleve të reja
Dhe do t'i rimbjell në dheun
E brishtë të trupit tim.
Një ditë si vetvetja do të riçelin
Në emrin e një stine,
Gjethe të parëna të një ëndrre.
Një ditë do të bëhen
Fletët e dyndjes së një kohe…
Një ditë do të rrëmbej
Petalet dhe rrënjët e luleve të reja
Do t'i hedh në një mrekulli,
Një mrekulli ndër të tjera…

LARGIM I HESHTUR

Po ikën…
Meteorët si qirinj po fiken.
Malli do vijë i zhveshur,
E plotë heshtja do bjerë,
Vetmia mbi supin tim
Kokën do mbështesë
E tanishmja s'do ta kuptojë
Fletën e shkruar…
Dhe një lot të dlirë.
Ti po ikën… matanë
oqeanit ta pa anë.



TI S'JE


Gjithmonë orientohemi nga tabela
Që tregojnë drejtim
Dhe rruga ngjan me perin e lëmshit
Që mblidhet me rrembim.
Semaforët janë vendosur kudo
Bashkë krijojnë një labirint
E ne vijmë rrotull vorbullës
Pa e gjatur daljen.


IKJE

Tani ti larg po shkon
Gjithçka pas mbeti si blozë
Unë do të pres këtu në stacion
Deri sa të shoh bluzën tënde rozë.
Stoli i pritjes është i lagur
Më vonë akull do të ngrijë,
Deri sa të gjej shpresën e humbur
Trishtim do fshehin sytë e mi.
Platforma po zbardhet e tëra
Tej xhamave të akullt kurrgjë
Ndjesitë e zemrës s'i mbushi
As dita, as ëndërra e re…

 





ILUZION


Në labirintet e shpirtit tim
fytyra e globit magjik
humbi rrugën.
Me gjakun e venave të mia
spërkati maskën e hekurt,
në çdo skutë të shpirtit tim
fshehu dhimbjet
dhe si një foshnje e pafajshme
doli prej andej
iluzioni i përjetësisë.
Skalitur në mendjet e njerëzve
ishte ajo botë hyjnore e ëmbël,
vërtetësia e saj e shtangur
nga larg na shihte vëngër...

DERI KUR

Qendroj e ngrirë si statujë
Përpara udhëkryqit e hutuar,
Nuk di nga të shkoj
Ç'drejtim të mbaj
Majtas – djathtas
Të eci përpara a prapa.
Ç'të bëj
Ku të shkoj
Kë të pres
Përse hutohem.
Deri kur do të zgjasë kjo dhimbje
Ky ankth.
O Zot më merr, veç hijen më lër.




DUA DHE NESËR…


Dua dhe nesër të qesh
Dua dhe nesër të luaj
Të numëroj petale lulesh
Të flas me engjëj
Të fluturoj lart me erën
T'i dhuroj diellit emrin tim
Dua që dhe nesër…
Të kem një të nesërme.

NATA ËSHTË VETEM

Sa e ëmbël kjo natë
Aromë dashurie
Me notat e yjeve
Thur skica dritë-hije,
Luan me flokët e erës,
Jehona zërash dëgjon,
Nata është vetëm
Më vjen keq për natën
Vuan në vetmi
Kushedi si ndihet
Kur ne bëjmë dashuri.

PËR TY


Se si i erdhi fundi kësaj dite S'e di e s'dua t'ia di... O gjithçkaja ime momentale, Kuptimin ditës, ia merr e jep veç ti.
Imazhi i shpresës po ikën tanimë E shpirti nuk ngopet më nga ti, Pesimistit që s'ndien më asgjë I vodhe atë që e dinte lumturi.

GJYSHËRVE

Simboli i së shenjtës ka mbetur te ju, Engjëllorja, e brishta, po ashtu. Kjo botë nxiton e ju harron ngapak, E unë aq më shume ju ndjej Ndoshta dhe nga ky shkak.

DAL NGA ENDRRA
Njerëz që vrapojnë rrugëve të vjetra në këmbë. Bëj kilometra t'i ndjek.
Botë e re, botë e bukur?! Më thotë mos... Më thotë ti s'je!
Po unë dëgjoj kambanën time, puth kryqin që më jep jetë dhe eci, eci.
Pastaj vjen weekend - i, të gjithë këndojnë; S'kam zë të bukur, pres të kalojë.
Hapat e mi më bëjnë të lumtur; kjo qenka jeta, ky qenka çasti.
Padova, tetor 2003

EPILOGU I NJË DITE TË PAZAKONTË

(Prozë poetike)
S'e mbaj mend se ç'ditë ishte. Kujtoj thjesht se ishte vjeshtë, madje ishte tetor; qante bashkë me mua ai mëngjes. Ti ishe bërë gati të ikje. Unë vuaja duke menduar kohën që kaloi aq shpejt. Nuk e kisha besuar që do te ikje një ditë, ose s'kisha dashur ta besoj. Por, për çudi, sot po e kuptoj se ti ke jetën tënde; ishim rritur, por s'do rrinim gjithmonë bashkë, s'do luanim përherë bashkë. Pikërisht kjo gjë më vriste, më brengoste. Nga brenga fillova të urrej, urreja vjeshtën që e kisha dashur gjithmonë. Në këto përjetime erdhi çasti. Ti ike dhe unë dola në dritare. Shiu, stopat e makinës dhe lotët e mi po krijonin një trishtim që do të zgjaste dhe s'do të harrohej lehtë... Erdhe përsëri pas një jave; do ikje dhe do ktheheshe... Meraku më i madh që kam, je ti, motra ime. Fakti që s'do të kem gjithmonë pranë më frikëson, por ngushëllohem: “Jeta kështu e paska, qenka vërtet një lojë.”
Shkurt 2001

ENDËRR E VJETËR


Dhe ëndrra u nis në shtegtim,
Mbi krahët e një zogu fluturoi,
U nis pa e ditur në ka më kthim,
U nis se zogun dashuroi.
Dimri në shpirt ishte më dimër,
Ngjyra e syve më gri se vetë koha,
Në zemër s'ndriçonte asnjë rreze drite,
Gjithçka humbi për fajin se dashuronte.
Ëndrra iku bashkë me kohën,
Ajo për të vdiq, mbase lind një tjetër
Por gjithmonë shpirti do të kujtojë
Atë ëndër që iku në kohën e vjetër.

PËRSE


Ti erdhe dhe ike përsëri,
Të desha, të dua dhe tani,
Ti gdhende disa fjalë te unë
Dhe rrjedhin ende si lumë.

Ti preke lehtë zemrën time
E shpirtin me shpirt e preke,
Të desha shumë zemra ime
Do të dua deri në vdekje.
Dhe ike, ike atë ditë
Me ikjen lëndove një zemër,
Dielli lëshonte një mallkim,
Mallkonte atë ikje të çmendur.

SA LARG

Sa larg i qendrova zhurmës së bubullimave
me çadër nën strehë. Po shiu pikonte
larg vajit të vashës së vejë,furishën pikonte larg brengës
së lagur në kohë, larg vetvetes, sa larg.
Mendja ime largohej, po trupi mbetej aty
ku një re gjithnjë lëshonte shi.

BRAKTISUR

Macja e mplakur lepin kthetrat
të ngjyera në hi,
minjtë nëpër rafte
shetisin pa muzikë.
Qentë lehin ndonjëherë dhe kot,
shtëpia fle
e tëra bosh.
Lulet tharë deri në rrënjë
se ujin s'ua hodhi fqinja
Kullës me gurë të lashtë
ç'ia bren gurin vetmia...
Përgatiti për botim  për "Floripress" Flori Bruqi
            







Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...