2011-03-05

"Paris 1919"

Si u vendos largimi i trupave të huaja nga Shqipëria

Margaret Macmillan duket aq e thjeshtë. Edhe pse ne nuk kemi mundësi ta takojmë zonjën që shkroi me aq pasion për Shqipërinë, ndërsa interpretonte Konferencën e Paqes në Paris të vitit 1919, ajo pranon të dialogojë me ne përmes tastierave të kompjuterit, për të bërë një intervistë me e-mail. Sigurisht që nëpërmjet këtij mjeti të ftohtë nuk do të mundnim të merrnim gjithë ato rrëfime interesante që kjo grua e magjepsur pas historisë mund të na i tregonte sikur me të të ishim takuar në Torino, vendin ku ndodhet tani, apo në Shqipëri, në vendin të cilin ajo na thotë se ka dëshirë ta vizitojë së shpejti. Por, edhe në këtë mënyrë, Margaret nuk nguron të na japë konceptet e saj për një prej evenimenteve më të rëndësishme të kohës, duke rrëfyer të mirat dhe të këqijat e muajve të nxehtë të "Paris 1919". Mbesa e ish-kryeministrit britanik, George Lloyd, arriti të tërhiqte vëmendjen e një opinioni të tërë kur hodhi në treg "Paris 1919". Tepër thjesht, mbesa e preferuar e Lloyd dhe tashmë një prej studiueseve më të njohura evropiane, analizon një prej ngjarjeve që ende ka lënë pasoja për shumë vende, duke dhënë të vërtetat e kësaj historie. Përshkrimet për Parisin, Macmillan i bën thjesht si një historiane, duke mos mbajtur kahun e vendit të saj, por duke dhënë atë çfarë ndjenë ata burra që përpiqeshin të merrnin më të mirën për vendin që përfaqësonin. Edhe pse nuk ka shkelur asnjëherë në Shqipëri, Macmillan e njohu atë përmes kërkimeve, ndërsa shkruante këtë libër. Ajo thotë se ende i ka mbetur në mendje vendi ku kalonin udhëtarë të rrallë, të cilët binin në dashuri me tokën apo me njerëzit. "Bajroni ka pikturuar veten me kostumin shqiptar, mbase pashmangshmërisht ai zgjodhi një zonjë shqiptare. Në fund të shekullit të 19-të, gazetarja Edit Durham shkoi atje me këshillën e doktorit të saj. Ai i kishte thënë se udhëtimi ishte i mirë për qetësinë mendore të saj, por Shqipëria nuk ishte ajo çka ai nënkuptonte me këtë. Ajo e eksploroi vendin nga cepi në cep para luftës, zakonisht vetëm ose me një shërbëtor. Shqiptarët nuk dinin si ta trajtonin këtë krijesë trashaluqe. Në fund, ata vendosën ta trajtonin atë si njeri të nderuar. Kur ushtarët britanikë po lëviznin përgjatë Shqipërisë lindore gjatë luftës, ata panë se nëse thoshin "Durr-ham", kjo ishte pasaportë kalimi për ta, ky është vetëm një moment i shkëputur nga përshkrimet që Margaret bën për Shqipërinë në këtë libër. Ndërsa këto janë disa momente romantike në lidhje me vendin tonë. Interesante janë momentet kur vetë George Lloyd pyet se "çfarë do të bëhej me Shqipërinë?" Margaret shkruan: "Vërtet nuk e di se çfarë ata do të bënin me të, u përgjigj George Lloyd, përveçse të presin fytet e njëri-tjetrit. Shqipëria do të bëhet si malësitë e Skocisë në shekullin e 15-të". "Mos fol keq për malet e Skocisë, iu përgjigj Willsoni, është vendi i origjinës së familjes sime". Të trishtueshme janë konstatimet e Macmillan për Shqipërinë në libër. Ajo thotë: "E mjera Shqipëri, me kaq shumë armiq të fuqishëm dhe kaq pak miq. Ajo nuk kishte as industri, tregti të zhvilluar, as hekurudha dhe vetëm 200 milje rrugë të shtruar...". Dhe ndërsa ky rrëfim për një nga vendet post-komuniste të Ballkanit vazhdon të qëndrojë në të gjitha libraritë e botës, ku ky libër është përkthyer, vetë Macmillan ka vendosur të shkelë në vendin për të cilin ka dëgjuar aq shumë. "Kam dëshirë të vij në Shqipëri, pasi kam dëgjuar që është një vend shumë i bukur", na shkruan ajo. Për gruan që tashmë është futur në kërkim të interpretimeve të tjera historike, për të shkruar rreth një ngjarjeje tjetër me rëndësi, atë të vizitës së Presidentit Nilson në Kinë në vitin 1972, Konferenca e vitit 1919 duhet t\‘u shërbejë vendeve të Ballkanit vetëm për një gjë, "se sa e lehtë është të bësh luftëra dhe sa e vështirë është për të arritur paqe...".



Si e gjeti Margaret veten të përfshirë në faktet historike të "Paris 1919"?


Kam qenë gjithnjë shumë e interesuar për atë periudhë historike, veçanërisht më kanë tërhequr çështjet, të cilat u diskutuan gjatë muajve të gjatë të konferencës, që konsiderohet si një prej më të rëndësishmeve të shekullit të kaluar për çështjet ndërkombëtare. Kam qenë shumë e interesuar edhe për personat që morën pjesë në atë ngjarje dhe që me vendimet e tyre ndryshuan historinë e Evropës.


Ndërsa shkruanit këtë libër, a keni reflektuar apo gjykuar mbi ato personazhe historike që "bënë lojë jo të ndershme" dhe me pasoja jo vetëm për Ballkanin? A mund të më përmendni disa nga këto momente refleksioni?


Nuk mendoj që kishte shumë persona, të cilët bënë një lojë të pandershme. Në këtë konferencë, të gjitha vendet përfaqësoheshin nga njerëz me integritet të fortë politik dhe njerëzor. Secili nga këta përfaqësues sigurisht që kishte për synim të bënte më të mirën për vendin e tij. Në lidhje me pjesën e parë të pyetjes suaj, sikurse do ta gjeni edhe në librin tim, mendoj që rumunët ndoshta avancuan më shumë sesa duhet, duke marrë nga toka hungareze më shumë sesa u takonte. Një fakt është i vërtetë, se pjesa më e madhe e kufijve ballkanikë u vendos para Luftës së Parë Botërore. Bullgaria humbi goxha territor, por në atë kohë ajo ishte një ndër fuqitë e mundura. Për sa i takon Serbisë, ajo përfitoi një territor shumë të vlefshëm nga shtetet fqinje. Ishte pikërisht ky territor, i cili shërbeu për krijimin e Jugosllavisë dhe gjithë shteteve përbërëse të saj. Kufijtë e Shqipërisë nuk ndryshuan, edhe pse Shqipëria ndodhej nën sundimin e disa forcave të huaja për pak kohë. Sikurse e thashë edhe në fillim, të gjithë përfaqësuesit e kombeve që morën pjesë në këtë konferencë, kishin si synim të bënin më të mirën e mundshme për vendin nga vinin. Sigurisht, konferenca nuk ishte një zgjedhje perfekte e problemeve, kryesisht atyre territoriale ballkanike, pasi vitet e më pasme treguan që një zgjedhje e re ishte e domosdoshme për të vendosur paqen mes popujve të Ballkanit, por ajo ishte padyshim më e mira e mundshme dhe rezultatet e saj më të ekuilibruarat e mundshme.



Libri juaj është përkthyer dhe botuar në shqip. Një kapitull i rëndësishëm është edhe ai për Shqipërinë. Çfarë njohurish keni për Shqipërinë dhe mund të na thoni se çfarë domethënie kishin për Shqipërinë vendimet e Parisit?


Unë jam në dijeni vetëm për çështjet kryesore të historisë së gjatë dhe shumë interesante të Shqipërisë. Në tërësi, vendimet e marra në Paris nuk kanë të bëjnë shumë me Shqipërinë, përveç faktit që në fund u vendos largimi i trupave të huaja.


Si e vlerësoni pozicionin aktual të vendeve të Ballkanit? Sa pozitive janë zhvillimet e fundit, kryesisht ato në Kosovë?


Disa vende ballkanike, si Sllovenia dhe Kroacia, të cilat u çliruan më së pari nga suaza e shtetit të shpërbërë të Jugosllavisë, po ecin shumë mirë si ekonomikisht, ashtu edhe politikisht. Vende të tjera, si Serbia dhe Maqedonia, ende përballen me vështirësi të konsiderueshme. Kryesisht, Serbia nuk ka dalë akoma nga e shkuara e saj e dhembshme, sidomos në lidhje me dorëzimin e kriminelëve të luftës së Bosnjës në Gjykatën e Hagës. Formalisht ajo është e gatshme për bashkëpunim, por në fakt, mospasja e asnjë rezultati tregon që klasa qeverisëse në Serbi ende ndikohet nga segmente të së kaluarës. Për sa i takon Kosovës, më duket se ende është një çështje e pazgjidhur. Pjesa më e madhe e popullsisë shqiptare nuk do të jetë pjesë e Serbisë dhe nga ana tjetër, serbët nuk e lëshojnë Kosovën. Për momentin, situata mbetet nën kontrollin e ndërkombëtarëve. Tashmë Kosova është një nga çështjet që duhet të marrë zgjidhje për Ballkanin.


Cili ka qenë pozicioni i Francës në lidhje me Shqipërinë dhe krijimin e shtetit shqiptar?


Nuk mendoj që Franca ka pasur ndonjë interes të veçantë ndaj Shqipërisë, sidomos në periudhën kur Shqipëria u shpall shtet i pavarur para Luftës së Parë Botërore. Por, do të thosha se, sipas fakteve historike Italia është vendi vetëm gjeografikisht më pranë Shqipërisë, e më pranë saj edhe përmes interesave konkrete. Këtë lloj afrimiteti Italia e ka treguar vazhdimisht ndaj Shqipërisë.


Përse Konferenca e Versajës e la jashtë pjesën e Kosovës dhe Çamërisë?


Fuqitë e Mëdha kishin vendosur të merreshin me kufijtë e Ballkanit dhe të mos bënin ndryshime të mëdha në to.


Çfarë duhet të mbajnë mend dhe çfarë duhet të harrojnë shtetet evropiane nga kjo konferencë?


Ato duhet të mbajnë mend se sa e lehtë është të nisësh luftëra dhe sa e vështirë është të bësh paqe.


Nga të gjitha opinionet dhe komentet në lidhje me librin, si ndihet Margaret?


Më vjen mirë që libri ka pasur shitje të mbara dhe ndoshta i ka ndihmuar njerëzit të kuptojnë diçka më tepër përmes së shkuarës për atë çfarë jetojnë sot.


A keni dëshirë të vizitoni Shqipërinë?


Sigurisht që kam shumë dëshirë ta vizitoj, sepse kam dëgjuar që është një vend i bukur.


Me çfarë po merreni aktualisht?


Sapo kam mbaruar së shkruari një libër mbi vizitën e Presidentit Nilson në Kinë, në vitin 1972.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...