Eraldo Rexho
Do të vijë sot në “Bluetooth” me bonsensinqë gjithmonë e ka karakterizuar, dhe me përgjigje shumë interesante, ish-opinionisti njohur i “Big Brother Albania”, Arjan Konomi. I ardhur në ekranet e shqiptarëve nga eksperiencat e tij në mediat italiane, nga studiot e RAI-it, nga përvoja si Këshilltar i Presidentit të Republikës, nga puna si drejtues mediash dhe editorialist, për dy edicione me radhë e kemi parë të ulur në kolltukun e opinionistit. I zhveshur nga petkat e opinionistit, por ama sërish i ulur në një poltron komod, Arjani rrëfen për ne arsyet e mungesës së tij nga ky reality show. Ishte kjo një mungesë e dëshiruar, apo e detyruar? Ne do të thonim një ndërthurje mes të dyjave, megjithatë një përgjigje më të saktë lidhur me këtë e jep vetë Arjani. Por sigurisht që ne nuk jemi mjaftuar me kaq... Opinionisti Konomi ndan me ne edhe mendimin e tij për pasardhësin, madje përmes kësaj interviste, ai jep në mënyrë të tërthortë edhe disa këshilla për të. Ndërkaq nuk mungojnë as mendimet për banorët e “Big”-ut, ndonëse këtë vit se ka ndjekur aq rregullisht sa një vit më parë. “Ç’mendim ke për të eleminuarit? Pse mendon se ishin pikërisht ata?”, do ta pyeste Arbana Osmani, opinionistin tonë nëse do të ishte në studio, megjithatë në mungesë të kësaj përgjigjeje përmes ekranit, ne ia kemi dalë ta vjedhim për në gazetë. Po si i janë dukur nominimet personazhit tashmë shumë të dashur të “Big Brother”? Cilin nga banorët do të cilësonte si më interesantin? Me çfarë do të merret ai tani? Për këto dhe të tjera pyetje po kaq interesante, ju ftojmë të lexoni përgjigjet në vijim...
Arjan, pse s’ju pamë këtë vit si opinionist të “Big Brother”?
Gjërat janë të bukura kur janë intensive dhe kur nuk zgjaten shumë në kohë, sepse fillojnë e humbasin vlerën dhe rëndësinë e tyre. Unë isha për dy vjet rresht opinionist dhe siç e kam thënë shpesh ishte një eksperiencë jo vetëm e veçantë por edhe bukur, nga e cila patjetër do të ruaj përshtypje dhe kujtime nga më të mirat. Uroj që kështu ta mendojë edhe publiku. Më ka pëlqyer gjithnjë të ndryshoj objektin e punës sime. Pavarësisht se kanë një lidhje më njëra-tjetrën nuk kam dashur që ta bëj të njëjtën gjë për një kohë të gjatë. Kam punuar Këshilltar i presidentit Moisiu dhe tani drejtoj një revistë socialo-kulturore që nuk ka të bëjë më politikën. Kam shkruar analiza politike për vitë me radhë për Ballkanin në Revistën Italiane Gjeopolitike “Limes” dhe kam qenë opinionist i një reality show për të komentuar njerëzit e zakonshëm, karakteret dhe veprimet e tyre. Nuk dua që një punë të bëhet aq e gjatë sa mund të bëhej monotone dhe të humbasësh interesin.
Domethënë s’ju mungon fare “Big Brother”-i?
Nuk mund ta fsheh që Big Brother-i më mungon sepse ndihesha pjesë e tij dhe nga reagime te njerëzve shoh se prisnin shumë të më shihnin. Por ky ndryshim ishte edhe një vendim i organizatorëve. Në vitet e kaluara unë kam punuar me një nga autoret dhe ekspertet e televizionit italian, Grazia Placido e cila ka qenë autore e ‘Grande Fratello’ 2 dhe 3 në Itali. Ishte pikërisht ajo që më zgjodhi dhe mua për opinionist. Fillimisht unë ngurova shumë ta pranoja këtë rol, por ajo insistoi duke më garantuar që në bazë të eksperiencës së saj 20 vjeçare televizive unë isha i përshtatshëm për opinionist dhe kisha për ta bërë mirë. Besimi i saj më shtyti që ta pranoja propozimin. Tashmë ajo nuk është më e programi organizohet vetëm me shqiptarë. Bashkëpunimi me të ka qenë i mrekullueshëm ashtu si ndodh me profesionistët e vertetë. Shpresoj që mungesa e saj mos të ndikojë në shikueshmërinë e programit.
Si ekspert i fushës tanimë, si po ju duket pasardhësi? Po e bën siç duhet punën?
(qesh) Ekspert mund të jem për programin, por jo për opinionistin. Nuk e di nëse e kam thënë herë tjetër, por kam patur shumë emocione çdo natë spektakli dhe ishte si të shkoje në një provim, shumë ndryshe nga bisedat televizive. Ndaj e kuptoj edhe vështirësinë e opinionistit të tanishëm. Ai është një njeri i përgatitur dhe me mendim. I uroj shumë suksese e mbi të gjitha i uroj që të jetë sa më i vërtetë në mendimet e tij, të jetë i pavaruar dhe mos të ndikohet nga mendimet dhe sugjerimet e të tjerëve. Nëse ai do të bëjë këtë ka për të qenë një opinionist i mirë, ndryshe do t’i humbiste atij vendi individualitetin dhe rëndësinë që ka.
Mund të na e sqaroni më mirë këtë?
Kuptohet që vendi i opinionistit është i rëndësishëm për zhvillimin e “historisë” së bashëkjetesës që lind midis banorëve të shtëpisë që nga fillimi deri të finalistët dhe fituesin. Nga kjo edhe presioni që ushtrohet mbi të është i madh e vjen nga njerëzit në rrugë, që të japin mendime apo të kërkojnë “llogari”, nga miqtë e tu që komentojnë gjithë kohës, nga artikujt e gazetave dhe nga psikologjia kolektive që krijohet nga publiku mbi banorët. Për mos të thënë ato të stafit. Bashkëpunimi im me Grazia Placidon ka qenë perfekt, sepse edhe kur e pyesja unë sesi mendonte ajo në lidhje me një ngjarje të caktuar apo mbi një karakter të caktuar ajo thoshte: “Nuk ta them se nuk dua të ndikoj në mendimin tënd. Ti duhet ta thuash ashtu si e mendon dhe si të të vijë në moment”. Kjo ka qenë një gjë shumë për t’u vlerësuar e besoj që janë të rrallë ata që do të vepronin si ajo. Po ashtu me jep mundësinë që meqënëse po flas për këtë eksperiencë të falënderoj drejtuesit e ‘Top Channel’ për besimin që më dhanë në dy vitet e kaluara dhe për respektin që kanë treguar ndaj meje.
Këtë vit i keni ndjekur banorët?
Të them të drejtën i kam ndjekur pak ditët e para. Pikërisht ato ditë kam humbur një nga njerëzit e mi më të dashur dhe të them të drejtën harrova fare që fillonte BB4. Por me aq sa kam parë më janë dukur personazhe interesantë, të zgjedhur, me intuitë dhe zgjuarsi. Ajo që nuk më pëlqeu është se të gjithë vinin nga jashtë dhe kjo i bënte shumë të ngjashëm me njeri-tjetrin dhe jo lehtë të identifikueshëm, duke qenë se eksperiencat jetësore të tyre janë pothuaj të njëjta. Me një fjalë kishte shumë pak Shqipëri. Kjo ka një pasojë tjetër. Unë kam folur shumë që gjëja më interesante dhe e dobishme e “Big Brother”-it është që nëpërmjet argëtimit të dalin në pah probleme e fenomene të shopërisë shqiptare, mbi të cilat të debatohet, të diskutohet e të jepen mesazhe pozitive publikut. Pra, e shoh të vështirë të ndodhë ajo përplasje mentalitetesh e formimesh, të ardhura nga eksperienca jetësore e realitete sociale të ndryshme, që e bëjnë më interesante shown. E pikërisht këtu qëndronte edhe e veçanta e ‘Big’-ut shqiptar në krahasim me ato të vendeve të tjera.
Cili prej tyre ju është dukur më interesanti?
Këtu jam shumë subjektiv për faktin se nuk i kam ndjekur dhe nuk di të jap një përgjigje të menduar. Por nëse duhet patjetër mund të marr si parametër vlerësimi cilat emra më kanë mbetur në mendje. Dhe mund të them nga vajzat Neda dhe nga djemtë Hënesi. Të tjerëve nuk ua mbaj mend emrat, që do të thotë se për aq sa i kam ndjekur nuk është faji im që nuk më kujtohen, por i atyre që nuk më kanë lënë përshtypje.
4 eleminimet e para si do t’i komentit?
Si strategji loje e vëllait të madh m’u duk një gjetje shume e bukur që i dha fillimit të spektaklit emocionet e një finaleje dhe i vuri ata në situatë të atillë që mos të strukeshin, por të shfaqeshin sa më shpejt. Ajo çfarë nuk më pëlqeu është mënyra e votimit për të preferuarin dhe bërja publike e klasifikimit të personave në bazë votash preference. Kjo ndikon shumë tek ata dhe besoj që banorët e shtëpisë nuk duhet të dinë në asnjë moment asnjë lloj klasifikimi, qoftë për të preferuar, qoftë e kundërta. Sepse në mënyrë të padiskueshme do të ndikojë në psikologjinë e tyre e rrjedhimisht edhe në sjelljen e komportamentin përkatës brenda mureve. Ka shumë ndryshim në rezultat nëse voton të preferuarin apo voton atë që dëshiron të dalë nga shtëpia. Rezultati është krejtësisht i kundërt në të dy rastet. Ndaj mendoj se duhej të votohej kush të dilte dhe të dilnin ata të votuar më shumë e jo ata të votuar më pak. Në këto dy lloje votimi mekanizmi psikologjik që vepron tek një njeri i publikut që voton është krejt i ndryshëm e për pasojë edhe rezultati. Që banorët mos të bëhen viktimë e manipulimit psikologjik të votuesit duhet të votohet vetëm në një mënyrë, pra në atë të banorit që dëshiron të largohet.
Po nominimet e para si ju janë dukur?
Të tre konkurrentët e nominuar, më kanë lënë përshtypje si konkurrentë të fortë. Si Toros, Emiljo apo Hënes, janë duke bërë të pamundurën për të rënë në sy, e veç kësaj gjatë javës që po lëmë pas edhe sjellja e tyre ka ndryshuar për mirë. Emiljo është përpjekur për të krijuar lidhje, duke ngjallur kështu më shumë kurreshtje tek shikuesit.
Po nga banorët që janë brenda kë shikoni si më të fortin?
Është ende herët. Shpresoj që mos të imitojnë edhe pse në mënyrë instiktive fituesit e edicioneve të kaluara.
Cili nga ata do të meritonte kopertinën e revistës që ju drejtoni?
Janë të shumtë ata që të paktën estetikisht do të meritonin kopertinë reviste. Por kjo varet edhe sesa simpatike apo antipatike do të shfaqen ata me kalimin e javëve në sytë e publikut. Sepse për të qenë një kopertinë reviste e suksesshme nuk mjafton vetem paraqitja fizike, por edhe simpatia që publiku ushqen për personin. Nëse nuk do të ishte kjo do të ishte një kopertinë e dështuar edhe me forma trupore të përsosura. Më lejo të them që në dallim nga edicionet e kaluara vajzat e këtij viti më pëlyen shumë dhe në total janë më lart se djemtë.
Me sa dimë ju jeni i vetmi që i keni thënë jo një projekti të Top Channel. Si ndodhi?
Kjo ka ndodhur para një viti kur ideuam një program televiziv të cilin unë e kisha me shumë dëshirë. Por nuk ramë dakort në disa pika që për punën time ishin të rëndësishme dhe unë nuk pranova të isha autor i atij programi. Është në natyrën time që nuk mund ta bëj një gjë nëse nuk më plotësohen ato elementë që më shtyjnë ta bëj një punë me dëshirë e me qejf. Nuk më pëlqen të bëj kompromise. Ndoshta do ta bëja nëse do të kisha nevoja financiare.
Çfarë planesh keni për momentin?
Do të filloj së shpejti një punë tjetër, gjithnjë pa u shkëputur nga Revista që unë drejtoj. Një punë që pres ta filloj me shumë dëshirë dhe me shumë përkushtim. Por më lejoni ta them pas disa ditësh.
Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)
Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës. Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...
-
Genci Gora NË SHKOLLË TEK SHTRIGA Shkarko falas Begzat Rrahmani VALËT E GURRËS Shkarko falas Mehmet Bislim...
-
Akademik Prof. Kujtim Mateli Pak histori derisa nisa t ë shkruaj librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” (Pjesa e parë e para...
-
"Zëra nga burime të nxehta" mbetet një libër i veçantë i shkrimtarit Sabri Godo . Ai vjen për të dëshmuar se ka autorë dhe vepr...