Artistja Lala Meredith Vula tregon udhëtimin e saj dyvjeçar në banjat e vjetra, për të fokusuar në fotografi intimitetet e trupit.
Ajo kërkonte të fokusonte në aparatin e saj fotografik pikërisht atë intimitet midis trupit dhe ujit. Jo në banjat me peshqirët rozë, apo ku uji i vaskës të fton të rrish gjatë, por në ato që në Ballkan quhen thjesht "banja turke". Pikërisht në këto banja, Lala Meredith Vula për gati dy vjet u end për të zbuluar intimitete të grave të ndryshme, duke i fotografuar përmes derës gjysmë të hapur, ku avulli i ngrohtë i ujit mund t\ia prishte aparatin. Për gati dy vjet kjo grua artiste mundi të krijonte kolazhin më interesant të punëve të saj, të realizuara pikërisht në ato ambiente ku të gjithë jemi mësuar t\i shohim si një bashkëbisedim me paqen dhe vetveten. Pikërisht në ato banja të thjeshta, ajo vështronte trupin paksa të deformuar të gruas maqedonase, teksa fërkonte ngadalë këmbët e së bijës, apo ritualin e dhembshëm të një gruaje tjetër që mund të kishte frikë nga intimiteti i saj. Copëza të shkëputura nga një botë, të cilën e prekim shpesh, por rrallë ndalojmë për të kuptuar se çfarë ndodh në të. Pikërisht këto momente, që artistë të ndryshëm të artit pamor janë munduar t\i zbulojnë duke vendosur modele të kryejnë këtë ritual, Lala ka preferuar t\i bëjë fare rastësisht, duke rënë në kompromis me të fotografuarat që në pjesën më të madhe të rasteve janë gra rome, të fotografohen thjesht duke u larë, pa pozuar, apo bërë veprime të cilat nuk do të ishin dhe aq të vërteta. Lala ka dashur të shohë gjithçka që bëhet spontanisht në ato momente ku ndjehemi më shumë se asnjëherë pranë vetes. Përmes këtij kolazhi ajo na ofron një botë të cilën të gjithë duam të shohim për të mësuar të vërtetat tona, një botë të cilës të gjithë duam t\ia gjejmë kuptimin. Të gjitha këto punë ajo i ka realizuar në formate të mëdha, duke i ekspozuar në galeri të njohura në botë. "Syri magjik", do të shprehej një gazetë e huaj për artisten shqiptare. Por Lala, teksa kujton atë periudhë, e sheh si një formë të hulumtimit të saj në fotografi. Ajo gjithnjë ka besuar se fotografia ndonjëherë mund të shprehë më shpejt atë çfarë ne druhemi ta themi. Banjat që ajo i quan hamam, kanë qenë gjithnjë një botë të cilën kërkonte ta zbulonte, duke u nisur nga fakti se gjithnjë i ka pëlqyer arkitektura dhe se banjat turke kanë disa forma të çuditshme. "Gjithnjë kam qenë e pasionuar pas arkitekturës otomane. Kam parë shumë hamame në vende të ndryshme të botës. Por pjesën më të madhe të këtyre banjave të vjetra e kam zbuluar në Maqedoni. Më duket shumë i bukur trupi i femrës në këtë ambient të vjetër. Është një jetë e vërtetë e fotografuar aty", thotë ajo.
Dhe ato që ajo i quan trupa të bukur, janë një pasqyrë për të treguar në art se si mund të jemi ne përpara vetvetes. Sa të dhembshme janë ndonjëherë takimet tona me të, duke na bërë ta duam më shumë trupin tonë.
"Ikjet" e një profesoreshe
Profesoreshës së Arteve të Bukura në "De Montfort University" në Leicester, një qytet që është vetëm 100 km larg Londrës, i pëlqen shpesh të arratiset nga ky profesion dhe të jetojë jetën e saj si artiste. Por jo gjithnjë fati është me të, dhe ajo mund të udhëtojë në vende të ndryshme të botës për të zbuluar artin. Por këto dite nëntori duket se fati i ka dhuruar disa muaj liri, krejt e vetme për të udhëtuar në vendet ku mund të realizojë projektin që ajo e pëlqen aq shumë. "Kufijtë, të lëkundshëm" quhet projekti që ajo e ka fituar në Londër në një konkurs për profesorët që duhet të çlirohen disi nga profesioni i tyre. Tashmë Tirana është një stacion ku ajo do të gjejë një pjesë të këtyre kufijve. Lala shpjegon se ky projekt kërkon të sjellë në fotografi identitetin e vërtetë të shqiptarëve që jetojnë kudo në botë. Ajo do të sjellë momente të jetës nga Tirana, Prishtina, për të realizuar një cikël fotosh ku jeta e vërtetë e shqiptarëve ndër vite, por edhe tani, qëndron tepër koherent për të shpjeguar historinë e tyre. Edhe pse ka lindur në Bosnjë, dhe është rritur në Angli, ajo nuk ka mundur ta harrojë asnjëherë gjuhën që u fol në familjen e saj, shqipen. Ajo shpjegon me një shqipe të pastër se "ky projekt synon të sjellë në fotografi identitetin e vërtetë të shqiptarëve". "Kam shpresë që pas realizimit të këtyre fotografive të hap një ekspozitë në Londër, Kosovë dhe Shqipëri", thotë ajo. Ajo kërkon të krahasojë jetën e shqiptarëve që jetojnë nëpër botë me jetën që bëhet realisht në vendin e tyre, apo atë jetë që ka ekzistuar në vite. Një punë jo e lehtë për një fotografe të fotografojë të vërtetat e vendit dhe gjuhës që e ka dashur aq shumë. "Mendoj që këto foto të kenë pamje tipike të shqiptarëve, diçka që mund të ndodhë në rrugë, për të treguar copëza nga jeta e vërtetë...", thotë Lala.
Ajo çfarë është interesante, ndërsa sheh punët e Lalës, janë përmasat e mëdha të fotografive të saj. Jo vetëm në ekspozita, por edhe në faqen që ajo ka hapur në internet www.lalameredithvula.com, ajo preferon të flasë nëpërmjet këtyre përmasave. Ajo e shpjegon këtë ndjesi për t\i sjellë të gjitha fotot në këto përmasa, me faktin se në ato përmasa fotoja mund të flasë më tepër dhe mund të rrijë më gjatë në një ekspozitë. Vetëm pak kohë më parë ajo ekspozoi në Romë një mori fotosh me përmasa të tilla që u prit shumë mirë. Stacionet e galerive ku kjo artiste ndalon janë të shumta. Tashmë për të është koha e punës, për t\iu rikthyer sërish më pas ekspozitave apo leksioneve. Çfarë është arti në mendjen e kësaj artisteje? Ajo mund ta shpjegojë shumë mirë vetëm nëse ti e pyet për një punë të sajën. "Arti është një foto që mund të thotë më së miri atë çfarë unë kam brenda vetes". Por përkufizimet për artin janë të pafundme, ajo mund ta krahasojë atë edhe me djalin e saj dy vjeç e gjysmë me flokët e bukur të verdhë, që sheh punët e së ëmës.
Arti është ai që e bën të vrapojë kudo, kjo do të ishte fjalia që mund të qëndronte më afër natyrës së saj këto momente. Lala nuk është një artiste e zakonshme. Në CV-në e saj numërohen një sërë çmimesh të rëndësishme dhe një mori punësh që janë ekspozuar në galeri të njohura në botë. Dikur kishte ëndërruar të ishte piktore, një ëndërr e cila fle thellë brenda saj, dhe tashmë e zbutur nga pasioni për fotografinë. Edhe pse e do aq shumë pikturën, ajo asnjëherë nuk ka tentuar atë që ndodh shpesh me shumë artistë të kthejnë në pikturë një fotografi. Ajo nuk mund të përkthejë në ngjyra atë që fotoja mund ta thotë shumë mirë. Tashmë ajo vazhdon të mendojë se fotografia është një proces të cilin e njeh mirë, një proces të cilin ka nevojë ende ta ndjejë.
Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)
Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës. Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...
-
Genci Gora NË SHKOLLË TEK SHTRIGA Shkarko falas Begzat Rrahmani VALËT E GURRËS Shkarko falas Mehmet Bislim...
-
Akademik Prof. Kujtim Mateli Pak histori derisa nisa t ë shkruaj librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” (Pjesa e parë e para...
-
"Zëra nga burime të nxehta" mbetet një libër i veçantë i shkrimtarit Sabri Godo . Ai vjen për të dëshmuar se ka autorë dhe vepr...