2011-03-03

PRENK BIBË DODA, ATDHETAR I MADH PËRTË DREJTËN KOMBËTARE

Duke shfletuar historinë


Ndër ato figura historike që lanë gjurmë të pashlyera në historinë kombëtare është edhe atdhetari i ndritur i kombit shqiptar Prenk Bibë Doda. Për veprimtarinë e tij patriotike një kohë të gjatë është heshtur, por edhe kur është përmendur, kjo është bërë në kontekstin negativ nga historianët që ishin në shërbim të djallit për të zhdukur çdo gjë shqiptare, prandaj u munduan që veprimtarisë së tij t'i mveshin kontekste negative, këtë shërbim të ulët e kishin bërë edhe ndaj njërës prej figurave më kombëtare shqiptare At Gjergj Fishtës e shumë atdhetarëve të tjerë që nuk kursyen asgjë për kombin shqiptar.
Ky atdhetar shqiptar u lind në vitin 1858 në fshatin Orosh të Mirditës, fshat i njohur për traditë patriotike, gjithnjë ka qenë në anën e dëbimit të Perandorisë Osmane. Prenkë Bibë Doda ishte dëbuar që në fëmijërinë e vet në stamboll, por ishte kthyer pas vdekjes së Bibë Dodës në Mirditë, për të vazhduar detyrën e Kapedanit në Mirditë. Në vitin 1876 e udhëhoqi kryengritjen e Mirditës së bashku me patriotin dhe atdhetarin e shquar Imzot Prenk Doçi. Prenk Bibë Doda u caktua Prijës i Mirditës, arsyeja që i dha shkase Imzot Prenk Doçit, i cili së bashku me të ta udhëhiqte kryengritjen ishte vdekja e Bibë Dodës, i cili ishte vrarë nga një shërbëtor i Turqisë, shtet okupues që kishte para vetes detyrën për ta zhdukur derën e Gjonmarkajve, të cilët nuk ishin nënshtruar gjatë pesë shekujve të robërisë.
Synimi i tyre ishte arritja në Mirditë dhe pengimi i familjes së Gjonamarkajve për të mos sunduar më në bazë të Kanunit të Lekë Dukagjinit, administrim që ishte bërë halë në sy për Turqinë. Pas disa kohe, Prenk Bibë Doda u lidh me krerët e lëvizjes kombëtare në Dibër, Lurë, Malësi të Madhe, Shalë e Shoshë, sepse kishin një synim të shenjtë dhe një qëndrim të drejtë për largimin e Perandorisë Osmane nga trojet tona shekullore. Pas dështimit të kësaj kryengritjeje Prenk Bibë Doda qëndroi ilegal në Lurë, ku i përpiloi kornizat e një kryengritjeje të përgjithshme kundër osmanlinjëve. Por edhe Prenk Bibë Doda, ashtu si krerët e Lëvizjes Kombëtare e dinin mirë se pas largimit të Perandorisë Osmane nga trojet tona do të ndeshen me probleme të ardhacakëve ballkanas që e luanin politikën dyftyrëshe, prandaj krerët u përgatitën të luftonin në dy fronte. Prenk Bibë Doda i njihte mirë traditat dhe historinë e kombit shqiptar, prandaj ishte i zgjedhur nga vetë populli për realizimin e të drejtave shekullore, kështu që për t'i përballuar të gjitha këto vështërsi ky kishte dy pikëmbështetje: njëra ishte vullneti që ia jepte Perendija e tjetra ishte ndërgjegja e lartë Kastriotike e historisë së lavdishme të dhëmbshme, por krenare. Dhe kështu, me hapa të sigurt Prenk Bibë Doda përgatiti terrenin për një luftë të përgjithshme shqiptare kundër Perandorisë Osmane, e kjo ndodhi në vitin 1878, kur Prenk Bibë Dodën e gjeti në krye të Lidhjes Shqiptare të Shkodrës. Për veprimtarinë e Prenk Bibë Dodës në përgatitjen e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dihet shumë, por e vërteta se ai ka qenë ndër figurat më emblematike për orientimin e duhur kombëtar, gati se ka rënë në hije. Në këtë shkrim po japim fjalën e disa fakteve shkencore të cilat dëshmojnë peshën e Prenk Bibë Dodës si atdhetar. Shkenctari libanez Gjergj Korma (Georges G. Krom), në tezën e tij të doktoraturës, të mbrojtur në Sorbonë, të botuar në Paris në vitin 1971 konstaton se " Lëvizja kombëtare shqiptare fillon në vitin 1878, kur Lidhja e Prizrenit, e drejtimit islam e udhëhequr nga Haxhi Ymer Prizreni dhe të Lidhjes Shqiptare të Shkodrës, e udhëhequr nga Prenk Bibë Doda, i drejtimit të krishterë, shpallin origjinën e vet të përbashkët etnike me ç'rast ndryshimet fetare janë fare të parëndësishme ". Ky zgjim kryesisht spjegohet me rilindjen kulturore dhe gjuhësore të trimëruar nga veprat e shqiptarëve në diasporë në SHBA, Itali e veçanërisht në Egjipt. Në atë zgjim në masë të barabartë marrin pjesë të krishterë dhe muslimanë, të cilët, duke tejkaluar rrethanat e veta fetare e gjejnë sërish përkatësinë e përbashkët etnike. Ndërkaq, filozofi dhe historiani gjerman Peter Bartels, në librin e tij: Albanien Vom Mitalalter bis zur Gegenvart ", f. 95, ku bënë fjalë për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, ai kontributin e Prenk Dodës dhënë Lidhjes Shqiptare e spjegon në këtë mënyrë: " Në këtë luftë kundër Turqisë nuk kanë qenë të angazhuar vetëm muslimanët, por edhe katolikët e dhëhequr nga Kapidani i Mirditës Prenk Bibë Doda ". Dhe vazhdon më tutje:
" Me 13 qershor të vitit 1878, në mbledhjen e parë të Kongresit të Berlinit, Lidhja Shqiptare e Shkodrës, e udhëhequr nga Prenk Bibë Doda, i dërgoi një memorandum kryeministrit të Britanisë Lord Beaconsfildit që edhe delegacioni shqiptar të merrë pjesë në kongres ". Në memorandum thuhet: " Ne shqiptarët jemi popull i vetëm në Ballkan që nuk i kemi përfaqësuesit tanë në Kongresin e Berlinit. Ne ende se kemi një qeveri të përbashkët, por nuk dëshirojmë që të na prezantojë Qeveria e Turqisë. Ne shqiptarët jemi popull me kulturë të njejtë, me gjuhë dhe tradita të përbashkëta. Ne i kemi dy besime të ndryshme, por, kurrësesi nuk e kemi harruar prejardhjen tonë të përbashkët ", përfundon memorandumi i dërguar kryeministrit të Britanisë së Madhe, Lordit Beaconsfild, nga Lidhja Shqiptare e Shkodrës e udhëhequr nga Prenk Bibë Doda. Pas gjithë kësaj veprimtarie atdhetare të Prenk Bibë Dodës dhënë Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, atë do ta gjente fati, ashtu siç i gjeti shumë udhëheqës të saj, shtypja e tij me shpatë e hekur të nxehtë nga Turqia. Prenk Bibë Doda, në vitin 1881, do të internohet për të dytën herë në Turqi, në Anadoll, ku do ta mbajnë turqit plot 17 vjet në internim, deri në vitin 1908. Por shkaku që Prenk Bibë Doda të rikthehet Kapedan i Mirditës është kryengritja e organizuar nga Mirdita në vitin 1903, e cila kërkoi kthimin e tij. Kthimi i Prenk Bibë Dodës në Mirditë u shndërrua në festë të madhe, jo vetëm për mirditasit por edhe për tërë Shqipërinë e Veriut, të cilët atë e shihnin si udhëheqës të ardhshëm të Shqipërisë së Pavarur dhe të bashkuar me të gjitha vilajetet shqiptare. Pas kthimit në Mirditë në vitin 1908, Prenk Bibë Doda vazhdon aktivitetin atdhetar edhe pas shpalljes së Pavarësisë së shtetit Shqiptar. Për këtë angazhim dhe zotësi, nderin dhe respektin që e gëzonte Prenk Bibë Doda në mbarë Shqipërinë, e sidomos në Shqipërinë veriore, flet raporti i dërgatës së Qeverisë së Vlorës i vendosur në Shkodër. Raport i zotërinjëve L. Gurakuqi, H.B Vrioni dhe E.B. Vlora. " Qeverisë së Përkohshme në Vlorë, gusht 1913. Kemi nderin t'ju shtrojmë raportin në vijim mbi punën që menduam ta bëjmë në Shkodër, pas barrës që na keni vënë, të shkojmë në atë qytet dhe të shohim se në ç'mënyrë mund të nisej një marrëveshje e ngushtë dhe e drejtë në mes të Qeverisë sonë dhe atyre viseve të sundimtarëve të Shkodrës ku nuk arrinë fuqia e komisionit ndërkombëtar. Me të arritur në Shkodër, patëm një pritje aq të mirë, së cilës i mbetemi përgjithmonë mirënjohës, nga i tërë populli i qytetit. Mendimi jonë ishte që t'i paraqesim komisionit ndërkombëtar për t'u marrë vesh me të duke i treguar qëllimin tonë. Jemi të gëzuar të themi se pjesëtarët e ndershëm të atij komisioni patën mirësinë dhe u sollën në mënyrë njerëzore me ne. Të gjithë na siguruan se e shihnin me sy të mirë punën e na uruan një përfundim të gëzueshëm.
Në fillim të veprës sonë, u mbështetëm në parime që t'i këshillojmë qytetarët e Shkodrës, në prezencën e tyre, ashtu edhe banorët e fshatrave të maleve, për të bërë fillimisht bashkimin e lidhjes mes tyre e pastaj edhe marrëveshjen me qeverinë tonë. Duke u bazuar në këto dy pika, që në ditët e para patëm shumë takime e marrëveshje, si me të krishterë ashtu edhe me muhamedanë të Shkodrës dhe me disa nga krerët e maleve të Dukagjinit dhe të Mirditës. Kur erdhi Prenk Bibë Doda në Shkodër i gjithë populli e priste me padurim dhe pati ndërime të mëdha, takimet e marrëveshjet tona u bënë më të shpeshta e më miqësore. Ditë për ditë mbledhje të mëdha u mbajtën në Klube të Shkodrës apo në shtëpi të Prenk Bibë Dodës dhe në të gjitha bisedat që u bënë u pa haptas dëshira e paqës, e bashkimit dhe e lidhjes. Qëllimi ynë ishte t'i takojmë dhe t'i afrojmë me një mendim e një dëshirë të vetme krerët e maleve e të fushave të qytetit të Shkodrës. Këto qëllime dhe dëshira u gjetën në të gjitha mendjet dhe zemrat e tyre, kështu që puna jonë u lehtësua tepër e na dhanë premtime të mira. Autori më i madh dhe më i lartë i marrëveshjes dhe i bashkimit në krahinën e Shkodrës është sot për sot i përndershmi Prenk Bibë Doda i Mirditës, i cili përveç emrit dhe nderimit që ka kudo në ato vise ka edhe një mënyrë fjalë e veprimi aq të ngrohtë e të arsyeshme që ofron, lidhë dhe bashkon. Pas të gjitha atyre vërejtjeve që bëmë në ato ditë që qëndruam në Shkodër, e pas marrëveshjeve e bisedimeve që patëm me krerët dhe pas premtimeve e sigurimeve që morrëm mund të themi me gëzim që Krahinën e Shkodrës e gjetëm dhe e lamë shumë më mirë sa që menduam. Po e përsërisim edhe një herë se të gjithë kanë dëshirë për paqe e bashkim e sa për të kryer këtë qëllim krerët dhe të parët e maleve të fushave e të qytetit së shpejti do të mbajnë një mbledhje të madhe ku shpresojmë të hedhim themelin e një bashkimi të plotë nga i cili do të rridhte pastaj edhe marrëveshja me Qeverinë tonë të Përkohshme. Mbledhja do të mbahet ose në Shkodër ose në Lezhë, ndërsa zgjedhja e vendit do të bëhet pasi të kthehet z. I. Tije, arqipeshkvi i Shkodrës, i cili pritet të vijë këto ditë. Përfundojmë, duke ju sjellë shëndet e urime të gjithë vendasve të asaj krahine, me përshëndetje personale të të përndershmit Prenk Bibë Doda, të të përndershmëve peshkopë të Lezhës të Zadrimes e të Mirditës, e të gjithë kryesisë së Klubit, të cilët na kanë porositur t'ju sigurojmë se si janë të lidhur me zemër ashtu të lidhen shpejt edhe me punë me Qeverinë e Përkohshme. " Përlindja e Shqipërisë, 10 -23 gusht 1913). Pas mbajtjes së Kongresit të Triestës, prej 1 deri 4 mars 1913 dhe pas aprovimit të kërkesave që dolën nga ky kongres i madh gjithshqiptar, ku merrnin pjesë nga Preveza e Janina, Shkupi e Manastiri, nga Shkodra e Saranda, nga Kalabria e Sicilia, nga Kosova e vende të tjera, Prenk Bibë Doda ishte përshëndetësi dhe përuruesi i parë i këtij kongresi për punën e mbarë dhe të sukseshme në realizimin e kërkesave. Pas një kohe në Shqipëri erdhi Princi Vilhelm Von Vidi, me ç'rast u formua Qeveria e Re, me kryeministrin Turhan pasha. Në këtë Qeveri, Prenk Bibë Doda e kishte postin e Ministrit të Punëve të Jashtme. Pasi para se të vinin në Shqipëri forcat austriake në vitin 1916, ata kishin lajmëruar popullin shqiptar dhe politikanët e asaj kohe, që ata nuk po vinin si pushtues në Shqipëri, por po vinin që ta shpejtojnë atë nga orekset e fqinjëve ballkanikë, ardhjen e së cilëve e përshëndetën Prenk Bibë Doda dhe Ahmet Zogu, i cili u aktivizua për të parën herë politikisht. Pas gjithë kësaj veprimtarie atdhetare, pasi i shpëtoi dy internimeve në Turqi, Prenk Bibë Dodën për një kohë u mundua ta përvetësojë kryeqeveritari serbo-malazez dhe armiku më i madh i shqiptarëve në këtë kohë Nikolla Pashiq, por pasi ky e pa se nuk mund ta përvetësonte në asnjë mënyrë, Prenk Bibë Dodën, ngritjen e së cilit fuqitë perendimore e shihnin me sy të mirë, Pashiqi përgatit atentat kundër Prenk Bibë Dodës, pikërsht në momentin kur ky përgatitej që me ndihmën e këtyre fuqive të bëhej udhëheqës i Shqipërisë së Pavarur. Ardhja e Prenk Bibë Dodës në krye të Shqipërisë nuk i shkonte për shtat kursesi sllavëve, por edhe një pjese të shqiptarëve të cilët ishin të mjerë shpirtërisht dhe të shitur poshtërisht. Këta përgatitën atentatin kundër Prenk Bibë Dodës, i cili u vra në verën e vitit 1919, në moshën 61 vjeçare, pikërisht atëherë kur e kishte arritur stadin më të lartë të pjekurisë politike. Vrasja e Prenk Bibë Dodës shkaktoi zemërim dhe indinjatë të thellë në mbarë Shqipërinë dhe më gjërë. Por, ky atdhetar shqiptar përveq që la gjurmë të pashlyeshme në dokumentet e kohës u përjetësua edhe në këngë. Kështu, vëllezërit Pjetër dhe Ndue Lleshi do të këndojnë: " Prenk Bibë Doda dhe At' Gjergj Fishta kësi dragojsh ka rritë Mirdita ! " Barazimi i Prenk Bibë Dodës me atë të At' Gjergj Fishtës tregon se të dytë jo vetëm se jetuan në një periudhë kohore, por kishin ngjashmëri. Jetët e tyre, ajo politike e Prenk Bibë Dodës dhe ajo letrare e At' Gjergj Fishtës ishin jetë të bujshme. Prenk Bibë Doda u përjetësua në këngë të popullit, të cilat flasin për vrasjen e tij. Një këngë ende e papublikuar është ajo e rapsodit tonë të ndjerë Mark Oroshit, i cili ndër të tjera do të këndojë:

" Shka ka dielli
Që s' bënë dritë,
Vranë Prenk Bibë Dodën
Mos paqin ditë! "

Ndalja e diellit që shpreh rapsodi vërteton ndjenjën e dhëmbshurisë që kishte populli shqiptar për vrasjen e Prenk Bibë Dodës. Pastaj në vargjet tjera:

Prenk Bibë Doda i gatë e i hollë
Dy allti i majke n'dorë,
M'paqi n'qafë more ju malësorë,
N'qafë më paq mori Malësi,
Jam kon Mbret për me dal n'Shqipni! "

Siç shihet nga këto vargje, por edhe nga të dhënat e drejtëpërdrejta të njerëzve të vjetër shihet qartë se Prenkë Bibë Doda ishte vrarë nga dora shqiptare që punonte për interesa të Nikolla Pashiqit dhe per interesa te tjera antishqiptare. Për jehonën ndërkombëtare që bëri vrasja e Prenkë Bibë Dodës, në këngën e rapsodit Mark Oroshi thuhet kështu:

" Jam kon djalë për me dalë n'Shqipëri,
Mos me jau que djemt asqeri,
Mos t'jau rreh djemtë me kamxhi.
Mos t'jau rrehin djemtë e t'jau mundojnë
Mbretit gjerman letra po i shkon ".

Por, si do të jetë përgjegja e udhëheqësve perendimorë rreth kësaj vrasjeje, e në veçanti atij gjerman, pasqyrën reale na japin vargjet e fundit të kësaj kënge:

" E mur letren, mbreti pe këndon
Lot për faqe po i shkojnë.
Ja nis mbreti po vajton,
Krejt shqiptarët mbetshin shkretë,
Vranë Prenk Bibë Dodën djemtë e vet,
I madhi Zot, tradhtari i laftë shkretë ! ".

Vrasja e Prenk Bibë Dodës vërtet tradhëtarët i la të shkretë, por la një zbraztësi të madhe në popullin shqiptar dhe kështu ajo që nuk i shkoi për dore princit të Mirditës që të bëhej udhëheqës i Shqipërisë, sepse e vranë për të mos vdekur kurrë, i shkoi për dore princit të Matit Ahmet Zogut që të udhëheqë Shqipërinë, por të cunguar, pa kokë e pa zemër.

Marre nga Libri Deshmi Koherash i Nue Oroshi ShB Lumbardhi Prizren 2003

KRAJLI I SHQIPNISË


Ne po rrimë pa za
Se reja e madhe na ra
Se ke kenë pasha i Shqypnisë
Ke kenë pasha i bajrakve të Mirditës
Pesë Bajrakë me sodet i ke rrxue
Emni i Mirditës me sodet ka mu harue
Por ne mos u idhnojshin sod pak
Ata mos laqin djal në oxhak
Deken tande në breg të Mates kush se ka prit
Me katër vetë at ditë se të kishin mytë
Se gjithëherë ke hec me djelmni
Tash disa vjet tuj u përpjek për Shqipni
Por mos të madhnohet aji që të ka vra
Se ska ra në gjak si çdo gjak
Pse ka vra ma të parin oxhak në pes bajrak
Pesë bajrakëve sot po u them një fjalë
T'mos t'u dhimet të tanve ka i djal
Me que me dek për nder e për hall
Se Mirdita përnjëmend posht ka ra
Por gjithmon larg asht ndie me za
Ku ka ra gjithmon ka lan namë
Në lufta të largëta gjithmon ka shkue
Dera jote gjithmon i ka que
Me të parët në luft kan ra
Me faqe të bardh gjithmon jan da
Ma së pari i jot ka met në kala
Ti se ke ken një oxhak i xanun vonë
Por ke qenë oxhak i ken gjithmon
Te krajlat e mreti e keni pas zan
Se zoti ju pat fal nishan
Gjtihmon ju desht e ju aviti mreti
Ju preku petkat e ju vu nishan si veti
Se besa për princ si ke kenë
Ke hjek ditën e sikletit
Ke shkue jetën në shpinë të detit
Tridhjet e disa vjet ke ndej i tretun
Sarajet tueja gjithmon i ke dëshirue
Nanë e motër për të gjallë të kanë lotue
Por kur të shkojsh mram në atë fushë të gjan
Tash të qohen të gjithë në kambë
Tash të qohen të tan temenan
Tash të dalin para babë e nanë
Ata tash të bertasin ndo i fjalë
Ti Preng si ke lanë oxhakut djal
Sarajet tueja me robët e ke rrënue
Djelm e rrogtar i le shkretnue
Tash nuk po të vajton veq ty
Por po vajton edhe kët Shqypni
Se për të sod e në bajrak të zi
Dij qi u ba në vrasë tënde hiletar
Aj mos u vuftë kur në farë






Ky vaj është bër në ditën e vdekjes së Preng Bibdodës prej Gjeles së Frrok Matës së Gomsiqës në Shkodër 1919
Është mbledhur nga At Shtjefën Gjeqovi

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...