Kapidani Ndue Gjon Marku
ishte alfa dhe omega në luftën kundër komunizmit
E gjithë treva e Veriut dhe qarqet diplomatike e shoqërore të komunitetit shqiptar në atdhe asokohe e kanë njohur e vlerësuar lart figurën e madhe të Kapidan Gjon Marka Gjoni dhe të birit të tij të madh Dr. Mark Gjon Marku (Ministër i Brendshëm), kanë qenë shumë aktiv dhe janë marrë përherë me politikë, kurse Ndoja sikurse e thotë edhe vetë ka pas më shumë kënaqësi në jëtën private e familjare.
At e bir, duke nuhatur afrimin e furtunës së tërbuar komuniste, që kishte bërë kërdi në Europën Lindore dhe kryesisht në Rusi, fillojnë të përgatisin terrenin për të rizgjuar ndërgjegjën e forcave nacionaliste, që t’i bëjnë ballë komunizmit, që ishte një ideologji e shkatërrimit, moral, material, filozofik, ateist dhe paatdhe të njerëzve që jetojnë historikisht në trojet stërgjyshore autoktone. Koha kërkonte, që bijtë e shqipes më shumë se kurrë të tregojnë atdhetashurinë, për të ruajtur vlerat e lënë trashëgim nga të parët, dinjitetin e shqiptarit, fenë, pasuritë private të individit, pluralizmin e mendimeve, përparimin ekonomik dhe lidhjen shpirtërore, ekonomike dhe politike me vendet e Europës Perëndimore. Për të bërë një politikë më të konsoliduar Kapidan Gjoni, në pranverë (mars) të vitit 1944 i jep jetë themelimit të “Grupit Nacional Indipendent”, ndërsa i biri Dr. Marku, duke gjetur përkrahje dhe mbështetje në nismen e vet krijon “Lidhjen e Shkodrës”, duke mbledhur rreth vetës të gjithë eksponentët kryesorë antikomunistë, që ishin rreshtuar në organizatat e mirënjohura nacionaliste “Legaliteti”, “Balli Kombëtar” dhe “Grupi Nacional Indipendent”.
Jo rastësisht, por interesat e larta patriotike, e bëjnë Ndojën që të përfshihet menjeherë në politikë dhe sapo merr vesht se forcat e ashtëquajtura partizane po i afrohen vendlindjes së tij të dashur Mirditës, lajmëron vëllain e vet në Tiranë, se krahina dhe e gjithë Shqipëria e Veriut po sulmohet nga bisha e kuqe, që për fat të keq kishte emër e gjak shqiptari. Ai ndër të tjera kërkon të lëshoj kushtrimin e qëndresës me vullnetarët e vendosur antikomunist. Menjëherë i vjen përgjigjja pozitive dhe inkurajuese e vendosmërisë nga i vëllai i tij Dr. Marku, që ishte shumë i shqetësuar për fatet e brishta të vendit. Ai, sikurse kujton Kapidani Ndue Gjon Marku dhe shkruan edhe studiuesi i mirënjohur Idriz Lamaj për këtë cështje i thotë se: “Ndue i dashtun, sot fillon nji kthesë e re në historinë e Derës sonë, të Mirditës e Shqipnisë mbarë. Mbledh sa më shumë vullnetar e fillo qëndresën kundër brigadave komuniste. S’kemi rrugë tjetër”. (Idriz Lamaj, Vep. e cit., fq.102).
Organizimi i forcave politike dhe luftëtarëve nacionalistë bënë që një ditë Ndoja të takohet me përfaqësuesit më të lartë të grupimeve nacionaliste të “Legalitetit” dhe “Ballit Kombëtar”, të cilët gjatë përleshjeve të tyre të mëparshme kishin pësuar humbje në forca, por që nuk iu dorëzuan komunistëve. Ata tashmë kishin arritur në Veri të Shqipërisë. Udhëheqësi i Organizatës “Balli Kombëtar” patrioti Mit’hat Frashëri dhe drejtuesi i “Legalitetit” Abaz Kupi, kishin mbërritur në shtëpinë e Gjon Fushës në Bulger të Mirditës. Mit’hat Frashëri, që mbetet në Mirditë, sëbashku me ballistët e tjerë shkojnë në Sh’Pal, ku i pret Ndue Gjomarku atë natë dhe të nesërmen i përcjellë me besnikët e tij për në Shkodër. Me shërbestarin e kombit Mirt’hat Frashërin (i biri i patriotit të flaktë të Rilindjes Kombëtare Abdyl Frashërit), Ndoja do të ketë edhe takime të tjera dhe bashkëpunime të frytshme në luftën e rezistencës kundër komunizmit në Shqipëri, Europë dhe ShBA.
Ngjarjet asokohe zhvilloheshin me shpejtësi. Si gjithnjë truri dhe kryet e lëvizjes antikomuniste mbetën në Veri të Shqipërisë me seli në Mirditë. Nga ana e tjetër Dr. Mark Gjonmarkaj, me të gjithë forcat vullnetare që kishte nën kontroll, duke mos u demoralizuar më 26 nëntor 1944 len qytetin e Shkodrës dhe merr rrugën drejt malëve të Veriut. Tashmë Ndoj me bashkëluftëtarët e tij për pesë muaj në shi e dëborë, luftojnë pa u mposhtur me të gjithë brigadat partizane të drejtuara nga Mehmet Shehu me urdhër direkt të gjeneralit e komandantit asokohe Enver Hoxha. Forcat e brigadave komuniste, duke pasë ushtri të madhe në numër dhe të armatosur mirë pushtojnë krahinën e Lumes dhe Lurën, duke iu afruar shumë pranë trevave të Mirditës. Forcat nacionaliste, të drejtuar nga Ndue Gjon Marku gjenden para një rrethimi shumë të vështirë, kur brigadat komuniste sulmojnë në tre drejtime menjëherë, pa i dhënë mundësi nacionalistëve që të organizohen mirë. Në këtë situatë të rëndë të krjuar, sikurse kujton Kapidan Ndoj, asokohe nuk i mbeti asgjë tjetër vecse të ngujohet në Sh’Pal. Nis një luftë e ashpër midis komunistëve, që kërkonin të gjunjëzonin e pushtoin me dhunë krenarinë e historisë së lavdishme të Mirditës dhe nacionalistëve, që kërkonin të mbronin vlerat demokratike dhe lirinë e popullit nga një robëri internacionalistëve proletarë, që ishin për një botë pa Zot dhe robëri, nata e zezë e së cilës filloi më 28 nëntor 1944 në tërë Shqipërinë.
Megjithë rezistëncën e madhe për tre ditë me radhë, duke parë edhe humbjet e mëdha në radhët e forcave nacionaliste Ndue Gjomarkaj jep urdhër për tërheqje në drejtim të Shkodrës, një qendër e madhe e rezistencës antikomuniste. Kapidan Gjoni, Dr. Marku dhe Ndoj takohen dhe zhvillojnë bisedën e fundit për planin e ri që kishte menduar Dr. Marku. Kështu, ai kishte vendosur sipas logjikës së tij të shëndoshë, që i ati Gjon Marka Gjoni dhe vëllai i tij i dytë Ndoja, duhet të largoheshin nga Atdheu, me arsyetimin, se nuk duhet të shuhet dera e tyre nga përpjekjet që do të bëhen me komunistët. Vërtetë e dhimbshme, por e domosdoshme kjo zgjidhje e menduar shumë mirë nga Dr. Marku, të cilën pas 9 dekadave mbi supe Kapidani Ndue Gjon Marku e kujton me dhimbje, kur flet për momentin e ndarjes me antarët e tjerë të familjes. Ka qenë pikërisht Kisha e Kastratit në Malësi të Madhe, kur Ndoj ka shtrënguar dorën për herë të fundit me Dr. Markun.
At e bir nisën prej Kastratit në Tuz, Kolashin, Vishegrad, Sarajevë, Zagreb, në Vjenë, Linz dhe në Insbruk, në një dimër të ashpër dhe nën breshërinë e bombardimeve të shpeshta nga forcat e aleatëve. Nga qëndrimi për disa ditë në Insbruk me një makinë udhëtojnë drejt Italisë, duke kaluar në “Passo di Resia” afër kufirit të Zvicrës. Për pesë muaj ata qëndruan në Merano deri në gusht të vitit 1945 dhe më pas morën drejtimin drejt Romës, që mbetet edhe stacioni i fundit i tij. Me të mbërritur në Perëndim (Itali), Kapidani Ndue mendoi për të bashkuar forcat nacionaliste dhe antikomuniste, për të hedhë bazat e krijimit të një organizate të mirëfilltë politike kundër rregjimit të kuq të Tiranës zyrtare, që po e zhyste popullin në mjerim. Fryt i këtyre përpjekjeve është edhe krijimi i partisë politike me emrin “Bloku Kombëtar Indipendent” në vitin 1946 e cila do të ketë jetëgjatësi deri me përmbysjen e komunizmit në Shqipëri më 13 dhjetor të vitit 1990, duke qëndruar me dinjitet deri në fund.
Gjatë vitit 1948 në bashkëpunim me aleatët perëndimore anglo-amerikan, Kapidan Ndojt i paraqitet rasti për të dërguar vullnetar për të përmbysur komunizmin në Shqipëri, duke krijuar në këtë mënyrë Komitetin Kombëtar “Shqipnia e Lirë”, ku bënin pjesë shumë antarë të Blokut. Në lidhje me këtë mision Kapidani kujton: “Në pikëpamje morale ishem kryenalt, tue marrë në konsiderim luftën kundër rregjimit komunist, vendosa me ftue dy luftarë besnikë të cilët pranuen pa kurrfarë kundërshtimi. Kështu filloi ndërmarrja e jonë kundër rregjimit komunist në Shqipni”.
Bloku bëri hapin e parë dhe ruajti linjën e përpjekjeve qëllimmirë për të bërë bashkimin e të gjithë forcave antikomuniste shqiptare në mërgatë, që ishin ndarë dysh në Komitet dhe jashtë Komitetit. Kjo inisiativë synonte afrimin e grupeve të ndryshme dhe harmonizimin më të plotë e të qartë të veprimtarisë së tyre në dobi të atdheut dhe në një front të përbashkët kundër komunizmit. Mirëpo rruga e nisur nuk ishte e kollajt mbasi fillojnë polemikat dhe pengesat ndaj inisiatorit të saj mirditor.
Përpjekjet e Kapidanit Ndue Gjon Markut hasin në pengesë për mospranimin e tij në Komitetin e parë nga ana e përfaqësuesve të organizatës Balli Kombëtar, që zotëronte asokohe të gjitha postet e organizatave. Ndërhyrja energjike e diplomacisë angleze dhe amerikane (ku përfaqësuesit amerikanë këmbëngulën që Kapidani të pranohet pa kushte), bëri të mundur që të zgjidhet ky problem dhe kështu Kapidani i Mirditës bëhet një ndër drejtuesit e Komitetit, falë kulturës së shëndoshë perëndimore, vizionit largpamës për të ardhmen, origjinës me emër shumë të mirë të familjes nga ai vinte, kontributi me armë në dorë që kishte dhënë drejtpërdrejtë kundër komunizmit etj. Ndoj do të ketë takime të rëndësishme në Itali, me ushtarakë të lartë italianë, sikurse ishte admirali i marinës italiane zotin Talarigo dhe të misionit anglo - amerikan, përfaqësues të lartë të Ministrisë së Jashtme Italiane. Takime të tjera ka pasur edhe me z. Herbert, një përsonalitet i njohur britanik për çështjen shqiptare, amerikanin z. Mc Lean etj. Gjithashtu Ndoj këmnguli, që në këtë Komitet duhet të përfshihet patjetër edhe intelektuali i shquar ing. Xhafer Deva, mbasi ai ishte një njeri me influencë të madhe në Kosovë dhe në malësitë e Shqipërisë politike. Kapidan Ndoj, ka organizuar hedhjen e parashutistëve të grupit të ing. Xhafer Devës në Shqipëri.
Kapidani kishte dhe ruan ende sot një respekt të veçantë për atdhetarin e flaktë Mit’hat Frashëri. Për figurën dhe veprën e tij Kapidani flet me një admirim të vecantë, për arsye sikurse thotë se “ishte nji njeri me nji prestigj të naltë kombtar dhe pinjoll i nji familje me merita të mëdha atdhetare”.
* * *
Duhet venë në dukje se gjithnjë shqiptarët në mërgatë nuk kanë gjetur gjuhën e bashkëpunimit të përhershëm me njeri tjetrin dhe grupin apo partinë ku bënin pjesë, cka ka sjellë për pasojë edhe mungesë serioziteti dhe besueshmeri nga ana e qeverive perendimore dhe asaj amerikane për krijimin pse jo më pas të një qeverie paralele në ekzil që me përmbysjen e komunizmit në Shqipëri do të kishin marrë frenat e pushtetit në dorë. Kështu është vepruar shpesh herë me shtetet e tjera ish - komuniste apo diktatoriale asokohe. Kjo shpiegon edhe një nga arsyet pse komunizmi u rrëzua i fundit në Shqipëri dhe se populli duhet t’i besonte e mbështeste më shumë forcat nacionaliste se sa fjalët e bukura të ideologjisë ateisto - komuniste mbi kurrizin e së cilit ra shtypja, varfëria, mjerimi, që zgjati për 50 vjet me radhë.
Në vitin 1956 Kapidani Ndue Gjon Marku hap familje të re, duke u martuar me zonjushën romane Maria Teresa Agustini, një vajzë e diplomuar në gjuhët frëngjisht dhe anglisht në Universitetin Internacional “PRO DEO” në Romë. Çifti i ri do të gëzohet me lindjen e tre vajzave Kristina, Bardha, Aleksandra dhe Gjoni djali i vetëm, që ruan emrin e gjyshit të vet shumë të mirënjohurit Kapidanit Gjon Marka Gjonit. Kapidan Ndue u interesua qysh në fillim që të shkollojë fëmijët në të gjitha nivelet. Kështu vajzat dhe djali mbasi përfundojnë shkollën e mesme, ndjekin dhe përfundojnë me rezultate shumë tw larta kolegjet më të njohura në ShBA.
Me vdekjen e prindërve të gruas së Kapedanit dhe të babait të tij Kapidanit Gjon Marka Gjoni, në vitin 1966, familja e tij emigrojnë në ShBA. Edhe këtu fillon një etapë e re e lëvizjes antikomuniste, ku aktiviteti i tij zgjerohet dhe respekti për kontributin e tij rritet edhe më shumë kur zgjidhet si Kryetar i Blokut dhe për vetë faktin tjetër, se ai tashmë është trashëgimtar i Derës si Kapidan i Mirditës, krenari dhe nder të cilën e mban edhe sot në moshën 90 -vjecare.
Në New York Kapidani humb bashkëshorten, dhimbje e cila, nuk e mposht në luftën kundër komunizmit. Veprimtaria e Kapidanit është shumë e madhe me shkrime publicistike në organet zyrtare të Blokut, gazetat: “L’Albanie Libre” dhe “Lajmëtari i të Mërguemit”, që asokohe botoheshin në New York dhe Rome.
Famlja do të ruajë marrëdhënie shumë të mira me klerikët katolikë shqiptarë në emigracion, një traditë e trashëguar edhe nga të parët e kësaj Dere brez pas brezi dhe shekuj pas shekujve në Mirditë. Kështu qysh në Itali, ruajti lidhje të ngushta me atdhetarët e antikomunistët konseguentë, studiesin e meshtarin e palodhur në “Fe - Atdhe e Përparim” At Daniel Gjecaj OFM dhe bashkëvendasin e bashkëemigrantin, klerikun e nderuar në të gjithë komunitetin shqiptaro - amerikan, nacionalistin e madh, që luftoi me pushkë e pendë, themeluesin e Kishës së parë shqiptare në ShBA, të nderuarin e respektuarin Dr. Mons. Zef Oroshin.
Gjatë këtyre viteve, ai po merret me saktësimin e disa interpretimeve të gabuara, që janë bërë gjatë kohëve të ndryshme veprës së At Shtjefen Kryeziu Gjecovit me titull: “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, të cilin e ka në dorëshkrim dhe shumë dorëshkrime të tjera që priten së shpejti të dalin në botim. Fryt i këtyre hulumtimeve serioze është edhe botimi në vitin 2002 në New York të veprës së parë me titull kuptimplotë: “Mirdita Dera e Gjomarkut Kanuni”, për të cilin mund të lexoni më poshtë.
Ajo që më nxiti si shtysë, qysh në fillim edhe të vetë titullit të shkrimit tim: “Mirdita krenaria dhe lavdia e dinastisë së Derës të Kapidanit”, është vetë historia e pasur e Mirditës dhe Derës së Kapidanit bijtë e nderuar të së cilës njeri pas tjetrit bënë një epokë të lavdishme gjatë shekujve. Ata sëbashku plotësojnë njera tjetrën dhe janë dy anë të së njëjtës medalje të çmuar në xherdanin e pasur të historisë së popullit shqiptar.