2011-03-05

Intimitetet e "ngujuara" të Skënderbeut

Në Krujë, në qytetin që çdo ditë e më shumë humbet shkëlqimin e tij historik

Përulja e tij në prehrin e së ëmës është ndoshta një nga momentet më emocionuese për një vizitor që endet në Muzeun Kombëtar "Gjergj Kastrioti Skënderbeu" në qytetin e Krujës. Nëse një pjesë e detajeve nga jeta e një prej personaliteteve më të mëdha të historisë së Ballkanit mund të gjenden në muze të ndryshme të botës, intimitetet nga jeta e tij, mund t\‘i gjesh vetëm këtu në këtë muze që shtrihet i qetë diku në anën perëndimore të këtij qyteti të vogël. Studioja e kalorësit e improvizuar vite më pas, kambana origjinale që njoftoi krutanët për vdekjen e tij në Lezhë, qëndron prej vitesh në një kënd të këtij muzeu. Në tavolinën e drunjtë, më këmbë të mëdha, sipër së cilës janë vendosur disa dokumente, disa vizitorë të huaj vazhdojnë të hulumtojnë duke dashur të përfytyrojnë kohët kur strategu i Evropës mbante lidhje diplomatike me mjaft shtete si: Franca, Gjermania, Austria Italia, Greqia etj. "Skënderbeu nuk ishte thjesht një strateg dhe ushtarak, por edhe një politikan, një diplomat për kohën", u thotë cicëroni çiftit francez që këmbëngul të dijë për domethënien e atyre fletëve. Teksa ecën në labirintin e shtruar me një tapet jeshil, para teje shfaqet gjithë jeta e improvizuar e njeriut për të cilin studiuesit kudo në botë vazhdojnë të bëjnë kërkime. Disa hapa më tej një bibliotekë e madhe ruan gjithë veprat e shkruara për të. Mbi 1000 libra të gjinive të ndryshme në 73 vende të botës në 25 gjuhë tregojnë histori për të. Pothuajse çdo vit, një sirtar i kësaj biblioteke do të hapet për t\‘u vendosur tituj të rinj librash. Eshtë si një joshje për studiuesit, thotë Mehdi Hafizi, drejtor i këtij muzeu, që vazhdon të riprodhojë historinë që fshihet kudo në këto mure sipas mënyrës së tij. Ky burrë që administron një nga qendrat më të rëndësishme të historinë sonë, ndien kudo në trup çdo fjali që thotë për këtë figurë historike. Ai nuk mund të lërë kurrsesi të largohesh nga ky muze pa shkelur në verandën e madhe nga ku shtrihet trishtueshëm Kruja, 608 metra mbi nivelin e detit, dhe nga ku vite më parë Skënderbeu shihte ardhjen e ushtrive turke. Hafizi, që flet turqishten në mënyrë të shkëlqyer, i ka shpjeguar betejat e këtij qyteti edhe para vizitorëve turq që nuk kanë munguar në këtë muze. Historia është e njëjta për të. Dhe çdo ditë që e përsërit atë aq më tepër ndien dëshirën për ta përsëritur sërish. Për të është bukur t\‘u tregosh të huajve historinë e vendit tënd, të krenohesh me personazhet që tashmë janë thjesht ikona të vendosura në muze. Ai e di se në fytyrën e ndonjë të huaji ka pikasur shpesh dëshirën që kjo histori të ishte e tyre, ka parë sytë e ngazëllyer të një anglezeje ndërsa shihte sallën e rezistencës, e cila dëshmon për luftën dhe përpjekjet e popullit shqiptar pas vdekjes së Skënderbeut. Ajo grua e imët do të kishte dashur që ky burrë i madh të ishte paraardhësi i saj, që t\‘u tregonte fëmijëve apo qoftë edhe këtij drejtori që dje luante rolin e një cicëroni se "kjo është historia ime".


Historia mbaroi...


Historia mbaron aty ndërsa zbret shkallët e lehta të këtij muzeu historik të ndërtuar gati 25 vjet më parë. Zëri i një gruaje rreth të 60-ave të veshur me veshjet karakteristike të këtij qyteti që të fton të blesh disa nga mbulesat e saj të punuara me grep, të kujton se tashmë historia ishte vetëm aty, në ato minuta apo orë endjeje brenda mureve të muzeut. Ndërsa jashtë, fytyra e kësaj gruaje të tregon realitetin e këtij qyteti. Drejtori i muzeut, Mehdi Hafizi, thotë se ka një disnivel midis asaj çfarë ofrohet në muze nga ana kulturore dhe historike dhe realitetit me të cilët turistët e huaj përballen sapo zbresin nga muzeu në pazarin karakteristik të qytetit. Ndërsa ai kërkon që të rishihet ky kontrast, i cili sjell një imazh jo të mirë te vizitorët e huaj që udhëtojnë nga larg për të parë këtë qytet, kjo grua që të fton të blesh mbulesa mund të jetë lodhur duke ruajtur historinë. Ajo kërkon që ato perde apo centro të punuara me aq kujdes të mund të blihen në mënyrë që ekonomia e saj të ndryshojë disi dhe nuk mund të mendojë më gjatë se zëri i saj mund të dëmtojë impresionet që një vizitor mund të ketë marrë nga historia e dëgjuar në muze. Rrugëtimi në pazarin karakteristik të qytetit pothuajse nuk ka ndryshuar nga ai rrugëtim, që mund të keni bërë vite më parë në këtë qytet. Gjithë ajo strukturë historike vazhdon të ruhet nga këta banorë që janë të vetëm në iniciativën e tyre për të ruajtur historinë. Megjithëse një pjesë e tyre pranojnë se të ardhurat që mund të marrin nga shitja e objekteve tashmë është ulur dhe nuk mund të jetë mjet jetese. Suporti apo mbështetja që këta shitës të vegjël kanë nga ana e shtetit është shumë e vogël, ndërsa rrugët karakteristike të këtij pazari vazhdojnë të kenë të njëjtin shkëlqim, falë kujdesit të tyre të vazhdueshëm. Disa gra pak më tej, mësojnë në tezgjah një vajzë të vogël. Në mënyrë instiktive, ato e prodhojnë historinë duke u kujdesur për to, të bindura se një ditë gjërat do të ndryshojnë.


Asnjë gjurmë


Historianët vazhdojnë të nxjerrin në dritë fakte interesante nga qyteti ku mendohet se ka pasur vendbanim ilir që në shek III para lindjes së Krishtit. Epiqendra e shtetit të parë feudal shqiptar 1190-1215 duket se nuk e ka më shkëlqimin e dikurshëm. Ky qytet që mund të ishte kthyer në një nga perlat e trashëgimisë sonë kulturore, ka ndoshta sot një nga pamjet e zakonshme të provincave tona. Perdet e vendosura në shtëpitë e krutaneve që vazhdojnë të kenë ende ato të qëndisura me dorë janë ndoshta të vetmet që tregojnë traditën e këtij qyteti. Qendra e qytetit që duhet të ishte një nga më të zhvilluarat për vetë turistët që mbërrijnë çdo ditë aty nuk ka asgjë që të tregojë se pak më tej ndodhet një nga kalatë më historike në Ballkan. Ndërsa ecën në rrugët e Krujës nuk mund të gjesh asnjë shënim lidhur me betejat që mund të jenë bërë aty, asnjë gjurmë që të çojë në një nga muzetë më të mëdhenj etnografik në Shqipëri, apo ndonjë detaj që të tregojë se dikur këtu ka jetuar një prej personaliteteve më të njohura të Ballkanit, një personalitet që ende sot përmendet në sallonet diplomatike në botë dhe që është totemi shpirtëror i shqiptarëve në shekuj.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...