Enver Petrovci, aktori i njohur kosovar flet për pasionin e tij për artin.
"Unë dua, unë di, unë mundem", i përsërit shpesh këto fjalë edhe tashmë kur karriera e tij është në kulmin e saj. Ky refren, i cili tashmë mund të lëvizë si një film në mendjen e tij, është edhe sekreti i të qenurit i suksesshëm. I ulur në një bar të Tiranës, Enver Petrovci, aktori më i njohur në trevat shqiptare, i cili ndodhet këtu për të parë nga afër Festivalin e 12-të të Filmit Shqip, thotë se çelësi i suksesit të tij është dashuria. Gjithë krijimtaria e tij në teatër a kinema është udhëhequr nga kjo moto dhe ai ka falur gjithçka nga vetja e tij për të realizuar ashtu siç duhet një rol. Për të, arti është gjithçka, dhe asnjëherë nuk është ndier i lodhur nga kjo punë të cilën e adhuron ende. Aktori thotë se tashmë puna e tij është ndalur më tepër në profesionin e profesorit. Mësimi për studentët e aktrimit është diçka e rëndësishme, një obligim, të cilit ai i është përkushtuar. Në një intervistë, aktori komenton situatën në artin shqiptar këto vite, duke dhënë dhe disa detaje interesante nga jeta e tij.
Si do ta vlerësoje ecurinë e kinemasë shqiptare si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë këto vite?
Kam parë filma të nivelit të lartë në Festivalin e 12-të të Filmit. Por do isha më i lumtur që këto filma që janë shfaqur gjatë ditëve të këtij festivali, të ishim prodhim vjetor, e jo prodhim i gjashtë viteve. Kam takuar shumë njerëz, shumë artistë ku kam këmbyer mendime të ndryshme, kemi kritikuar njëri-tjetrin për atë çfarë do ishte më mirë dhe po e ndiej veten mirë nga ky takim. Vërejtja ime e vetme dhe e madhe është që të prodhojmë më shumë filma. Eshtë vërtet një format i mjerë që prej gjashtë vjetësh. Kosova ka prodhuar tre filma dhe ky nuk është numri i madh që edhe Shqipëria në gjashtë vjet të prodhojë dhjetë filma. Por sido që të jetë, jam i lumtur që jam këtu dhe i gëzuar që ndodhi ky eveniment.
Çfarë do quaje pozitive në evoluimin e kinemasë këto vite dhe çfarë duhet të ecte më mirë sipas jush?
Unë kam vërejtur edhe më parë një vetëkritikë të kinematografisë shqiptare ndaj vetes. Jo vetëm një vetëkritikë, por një kritikë shumë e madhe ndaj asaj çfarë ka ndodhur dhe po ndodh në Shqipëri. U kam thënë kolegëve të mi regjisorë që jam lodhur duke parë kritika për veten në këto filma. E keni bërë Shqipërinë një bërllok të madh, gjë që nuk është e vërtetë. Ndoshta ata jetojnë këtu dhe nuk e vërejnë se me çfarë hapash gjigantë po shkojnë përpara. Më kujtohet ardhja ime e parë këtu para 13 viteve dhe shumë gjëra kanë ndryshuar që atëherë. Unë jam për ta kritikuar vetveten, por jam edhe për ta nxjerrë në pah edhe të bukurën dhe anën pozitive të gjërave që po ndodhin këtu. Jam për atë që të mos e hedhim poshtë vendin tonë, por t\i nxjerrim në pah edhe anët e bukura. Kjo ishte ajo që unë doja të shihja në të ardhmen për sa i përket Shqipërisë. Ndërsa Kosova, një nga mangësitë e mëdha të Kosovës është fakti që nuk bëhen filma për luftën, e cila është një temë aktuale. Ballkanasit të gjithë kanë bërë filma dhe vazhdojnë të bëjnë, duke mbrojtur tezën e tyre. Shqiptarët kanë ngecur në këtë punë. Këta filma që u shfaqën këtu në festival janë edhe filmat e parë që flasin për luftën, por kjo nuk mjafton. Ky është një marketing shumë i vogël për t\i treguar botës ndodhitë që kanë ndodhur në Kosovë.
Për çfarë ka nevojë filmi kosovar?
Mendoj se filmit kosovar i nevojitet një skenar i mirë . Nuk mjafton vetëm informimi në një film, por dhe që ai të jetë i madh, që bota ta shohë filmin e mirë dhe të kuptojë çfarë ka ndodhur në Kosovë. Të ketë në radhë të parë anën artistike dhe pastaj atë informative. Mendoj se shumë pak është bërë në këtë drejtim. Më vjen çudi që nuk investohet nga qeveritarët tanë për ndodhitë që kanë ndodhur në Kosovë, gjatë luftës dhe para luftës. Kjo është një situatë shumë e pakuptueshme për mua.
Si artist dhe intelektual në Kosovë. Sa mendoni se e ndihmon arti procesin e negociatave në Kosovë?
Mjerisht, ata që po e udhëheqin kulturën kosovare nuk e kanë këtë vetëdije dhe as që u intereson kjo pyetje. Njerëzit që udhëheqin kulturën janë njerëz egoistë të cilët mendojnë të jenë vetëm nëpër posteje edhe të bëjnë diçka për informimin e botës përmes filmit, apo artit në përgjegjësi. Po të kishte qenë ndonjë qeveritar më entuziast në këtë aspekt, me siguri që do të kishte pasur mundësi të prodhoheshin filma më të mirë dhe të kishte informata më të mëdha për këtë çështje. Bota nuk di shumë gjëra çfarë ka ndodhur në Kosovë, asaj nuk i intereson ta dijë. Ju shikoni Vietnamin, apo Palestinën dhe sërish ka shumë njerëz që nuk kanë informata për atë çka bëhet atje. Ne mendojmë se e gjithë bota duhet ta dijë dhe të sillet rreth Kosovës për atë çfarë na ndodh neve. Kosova, gradualisht po harrohet në botë dhe ne nuk duhet ta lejojmë këtë gjë. Ambasadori më i mirë i mos-harresës së ndodhive që kanë shoqëruar jetën në Kosovë është filmi. Mjerisht, nuk ka kush e kupton këtë. Unë nuk jam i kënaqur me investimet në këtë aspekt. Nuk mjafton fjalia që nuk gjenden të hollat, unë mendoj se duhet të gjenden të hollat për këtë punë, pasi është momenti kur Kosovës i duhen të paktën dhjetë filma në vit. Tani mendoj se është shumë e nevojshme të prodhohen sa më shumë filma për temën e Kosovës, pasluftës dhe gjatë luftës.
Jeni komentuar shpesh si një nga aktorët më të mirë në trevat shqiptare. Çfarë ju bën të veçantë në këtë profesion?
Mendoj se është dashuria. Unë e dua këtë çfarë bëj, përkushtimin. Mendoj se nuk duhet të jesh i talentuar për të qenë i suksesshëm. Unë për vete mendoj shpesh që nuk jam i talentuar. Unë jam pedagog dhe kur shoh studentët e mi që janë më të talentuar se unë, vetëm se mjerisht nuk janë të përkushtuar në punë me atë zell që kam pasur unë dhe që e kam ende tani. Ajo që u mungon atyre është ambicia për t\u bërë aktori më i mirë në botë. Ambicia e tyre është që të bëhen më të mirët në mëhallë, që komshinjtë dhe mëhalla të thonë se u bë filani aktor dhe ka dalë në televizor. Ndoshta ata nuk kanë faj, pasi janë shkolluar nëpër bodrume dhe nuk e kanë parë botën. Mua kjo gjë nuk më ka munguar. Gjithnjë kam punuar me ambicien që të jem më i miri në botë. Për të pasur këtë ambicie duhet të kesh sakrifica, besim dhe shumë dashuri. Mua më pëlqen shprehja e vjetër "Unë dua, unë di, unë mundem". Këto të tria gjithnjë i kam në mendje, pasi unë vërtet dua, unë vërtet di dhe unë me të vërtetë mundem.
Do të pëlqente të luaje në një film një burrë të dashuruar të moshës tënde apo një regjisor që do të bëjë një film të madh për Kosovën?
Të dyja këto role do më pëlqenin. Unë nuk jam aktor i përcaktuar, pasi luaj që nga komedia deri te tragjedia apo tragjikomedia. P.sh., po ju tregoj një detaj. Kur e kam parë filmin "Kolonel bunker" e kam pasur shumë lakmi rolin e Agim Qirjaqit. Do me kishte pëlqyer shumë ta luaja unë atë rol. Do më pëlqente të isha në rolin e atij gjenerali. Nuk e kam parë atë rol as si regjisor, apo si aktor apo si patriot shqiptar, por thjesht si një rol. Do më pëlqente një rol i tillë. Për momentin kam disponim të luaj një inspektor tragjikomik. Mua më pëlqen tragjikomedia, pasi dhe jeta është pak a shumë tragjike. Nuk më pëlqente tragjedia e pastër, as komedia e tillë. Pasi jeta nuk është as komedi as tragjedi, ndaj më pëlqejnë pjesët e tilla.
Ju shkruani drama. Mund të na flasësh pak për këtë proces, apo për dramat që ke shkruar?
Të gjitha dramat e mia flasin për atë çfarë jetoj unë. Drama e parë bën fjalë për problemet e ish-shtetit jugosllav, një shtet me shumë gjuhë e shumë fe. Drama ime bën fjalë që përmes personazheve të tregoj mundin e përcaktimit kombëtar në atë shtet. Projekti i dytë me titullin "Kush më ka faj që jam shqiptar", bën fjalë për një artist, i cili është kthyer në vendin e vet në emër të kombit dhe vendit të vet dhe pyetet në ka bërë mirë apo jo. Kjo është një dramë pothuajse biografike e imja. Drama e tretë quhet "Valseri i fundit në Prishtinë", ku tregoj një ngjarje që ka të bëjë me disa ditë para luftës në Prishtinë. Eshtë profesori dhe studentja dhe shumë shpejt mendoj ta vendos në teatrin tim që e kam hapur para disa kohësh.
Sa e lehtë është të luash dramat e shkruara vetë?
Nuk është vështirë të luash, por të shkruash. Çdo rol që unë e kam shkruar, pikësëpari e kam luajtur. Të gjitha rolet i luaj pastaj i shkruaj. Asnjë fjali nuk shkruhet në letër derisa ta kem luajtur unë vetë. Kështu, në këtë mënyrë, unë shkruaj. Fjalitë që unë shkruaj janë shumë të pastra shumë skenike, dhe aktori nuk mundohet me to.
Sa mirë ndihesh kur përçon ide te studentët?
Ndihem mirë vetëm atëherë kur studenti im tregon rezultate më vonë. Ajo është kënaqësia ime më e madhe. Unë kudo që shkoj jam krenar për atë çfarë kam bërë për studentët e mi. Nëse nuk kanë rezultate studentët e mi, menjëherë kisha për ta lënë këtë punë që quhet pedagogji në aktrim. Këtë e bëj duke menduar se dikush po më dëgjon dhe dikë po e ndikoj, nëse kjo nuk ndodh atëherë nuk ka kuptim që unë jam aty dhe do ta kisha lënë këtë punë. Kjo është një punë që unë e bëj nga motivi që disa të rinj po më dëgjojnë.
Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)
Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës. Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...
-
Genci Gora NË SHKOLLË TEK SHTRIGA Shkarko falas Begzat Rrahmani VALËT E GURRËS Shkarko falas Mehmet Bislim...
-
Akademik Prof. Kujtim Mateli Pak histori derisa nisa t ë shkruaj librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” (Pjesa e parë e para...
-
"Zëra nga burime të nxehta" mbetet një libër i veçantë i shkrimtarit Sabri Godo . Ai vjen për të dëshmuar se ka autorë dhe vepr...