Biblioteka Kombëtare ka botuar dy bibliografi të librit shqip: “Libri shqip. Bibliografi 1555-1912” dhe “Bibliografia e librit shqip 1913-1944”, në kuadër të përfundimit të veprimtarive për 90-vjetorin e themelimit të saj. Drejtori i kësaj biblioteke, Aurel Plasari, u shpreh gjatë promovimit të librave se këto botime janë një kulm i meritueshëm për stafin e BKSH-së në përfundim të 6-mujorit kushtuar 90-vjetorit të këtij institucioni. “Kjo është një vepër që 90 vjet më parë e kanë ëndërruar edhe ata që e kanë krijuar Bibliotekën Kombëtare”, tha Plasari.
Bëhet fjalë për “Libri shqip-Bibliografi 1555-1912” me autor Ramazan Vozgën dhe “Bibliografia e librit shqip 1913-1944” të autorëve Maksim Gjinaj, Margarita Mele dhe Myrvete Elmazi. Janë dy botime voluminoze, të cilët tregojnë për pasurinë e jashtëzakonshme që disponon Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë. Vëllimi i parë përmban më së shumti tituj dhe të dhëna për vepra, që datojnë qysh prej vitit 1555, deri në 1912. Janë libra të rrallë që dëshmojnë për rrugëtimin e librit shqip, qysh prej shek. XVI. Ndërsa vëllimi i dytë përfshin një periudhë më të ngushtë kohore (1913-1944), por përmban një listë të gjatë botimesh.
Drejtoresha e Arkivit të Shtetit, Nevila Nika, e pranishme në promovimin e librave, tha se ata që kanë punuar për këto vepra duhet ta kenë ndjerë veten shumë të privilegjuar, sepse sipas saj, është gjithmonë fat të bësh vepra të tilla. “Po ta kishim bërë para viteve ‘90 do ta kishim ndjerë veten shumë keq, pasi kishim shumë informacione që nuk i ndanim dot me asnjë njeri. Prandaj më mirë që u botuan vite më vonë”, tha znj.Nika.
Së bashku me promovimin e bibliografive të librit shqip, në mjediset e Bibliotekës u çel edhe ekspozita “Naim Frashëri: një aventurë editoriale 1882-1912”, me fotografi e botime të para të Naim Frashërit. Ky aktivitet përmbyll 6-mujorin e aktiviteteve organizuar për 90-vjetorin e Bibliotekës Kombëtare, që ka filluar në gusht të vitit të kaluar dhe që ka patur disa ekspozita, botime, konferenca e simpoziume.
Ekzemplarë të rrallë të botimeve të veprave të Naim Frashërit u nxorën nga fondi i bibliotekës, për të na dhënë një ide mbi krijimtarinë e poetit, por edhe mbi pasuritë që disponon kjo bibliotekë. Në tavolinat e xhamta janë vendosur libërthat e vegjël, të zverdhur nga koha. Janë botime që rrokin një periudhë 30-vjeçare, në kapërcyellin e shek. XIX-XX. Vijnë nga shtëpi të ndryshme botuese, kryesisht nga Selaniku e Bukureshti. Një pjesë e librave është botuar në gjuhën turke, të tjerat në shqip, por ajo që të bie në sy janë germat e përdorura. Është periudha kur ende nuk kemi një alfabet të unisuar dhe qarkullonin disa variante me germa greke, latine, cirilike. Kështu që në një farë mënyre, përmes librave të Naim Frashërit shihet edhe evoluimi, apo eksperimentet e ndryshme që po bëheshin në kërkim të alfabetit, me anë të të cilit do të materializohej gjuha shqipe. Ndër librat e ekspozuar janë disa variante të veprave “Lulet e verës”, “Vjersha”, “Historia e Skënderbeut”, “Qerbelaja”, por edhe vepra të përkthyera nga Naim Be Frashëri, si në rastin e “Iliadës” së Homerit. Për të shoqëruar vitrinat e librit janë ekspozuar edhe një sërë fotografish të Naim Frashërit, shkollës së parë shqipe, shoqërive atdhetare të kohës, etj.
Shtepia e Librit - Blog