Ky burrë i shkurtër, me mustaqet e prera drejt mbi buzët e trasha, nuk ka reshtur kurrë së dashuri të shkruarin. Askush nuk ka mundur t\ia shuajë pasionin që i orvatet ende në trupin e imët edhe tashmë që po i kalon të 70-at. Mjekun e njohur të qytetit të Pogradecit mund ta gjesh pothuajse çdo ditë në rrugën buzë liqenit. Ashtu si dikur kur shoqëronte Lasgushin pasditeve në shëtitjet buzë liqenit, ai nuk e ka hequr atë zakon edhe tani që poeti nuk është më. Me miqtë që nuk i mungojnë në këtë qytet, ai vazhdon të njëjtin ritual, të hedhë hapat lehtë dhe të bisedojë për artin. Në këtë qytet, bisedat për artin mund t\i bësh me këdo. Tashmë, mjeku nuk ka frikë të thotë se ai është dramaturgu i triologjisë për Gjergj Kastriotin, apo njeriu që ka bërë libretin e operës "Zgjimi". Kanë kaluar kaq shumë kohë dhe liria është në duart e tij, vetëm se fuqitë nuk janë më si më parë. "Vazhdoj të shkruaj, në shtëpi kam shumë drama, të cilat ende nuk i kam botuar dhe të tjera që kam në proces", thotë ai. Teksa rrëfen ngadalë historinë e jetës së tij, sytë nuk mund t\i fshehin trishtimin që i fle prej vitesh, atë të dëshirës për të shkruar novela apo romane. Por tashmë kanë kaluar kaq shumë vite dhe historitë që strukeshin në mendjen e tij duken aq të largëta. Misto Marko, ose i njohur në shtyp apo dramaturgji me emrin Mirosh Markaj vazhdon të bëjë jetën e një dramaturgu pa braktisur profesionin e tij. Nipi i Mitrush Kutelit, mjeku i afërt i Lasgush Poradecit dhe një prej personaliteteve më të njohura të jetës së qytetit të Pogradecit, një nga ikonat e rezistencës në regjimin komunist, sot në mbrëmje do të nderohet nga bashkia e këtij qyteti me titullin "qytetar nderi", gjatë një ceremonie që do të mbahet me rastin e 99-vjetorit të lindjes së shkrimtarit të madh, Mitrush Kuteli. Njeriu që e mbajti gjithnjë si një idhull dajën e tij, që u mundua të bënte një letërsi ashtu si e tija, tregon kujtimet nga koha kur Kuteli ishte gjallë.
Mendja e një burri
Nëse dikush mund të tregojë diçka reale nga jeta e Lasgushit apo Mitrush Kutelit, ai mund të jetë vetëm Misto Marko. Mjeku që shoqëronte dajën e tij gjatë vizitave që ai bënte në qytetin e Pogradecit, apo që rrinte aq gjatë me mikun e tij më të afërt, Lasgush Poradecin, duket se nuk do t\i rrëfejë kurrë të gjitha intimitetet nga jeta e dy kolosëve të letërsisë shqipe. I besuari i dy gjenive tregon aq sa është për të treguar, duke besuar se shumë gjëra duhet të mbeten si thesare në kujtimet e dy artistëve. Flet ngadalë dhe emocionohet sa herë që kujton Mitrush Kutelin, njeriun që e këshillonte vazhdimisht se duhet të shkruante. Misto i kujton ende kohët kur kërkonte të studionte për letërsi. "Por familja ime nuk donte, duke pasur parasysh vuajtjet e dajës. Nëna ime nuk donte që unë të bëhesha letrar dhe të shkruaja si Kuteli. Ndaj vendosën që unë të studioja mjekësi", thotë ai. Por djaloshi që u nis drejt Beogradit për të studiuar artin e mjekësisë nuk do të linte pa marrë me vetë në mendje shkrimet e dajës, apo fletoret ku shkruante pafund. Fati do t\i paracaktonte të njëjtën rrugë, si të Kutelit, do të jetonte në dy shtetet, në Beograd dhe Rumani. "Vetëm një vit ndeja në Beograd, pasi më pas u prishën marrëdhëniet me këtë vend, kështu që u nisa drejt Rumanisë për të vazhduar studimet atje", thotë ai. Teksa rrëfen ngadalë, Misto është i tëri i shndërruar në një kujtim. I kujtohen kohët kur krahas studimeve të mjekësisë ndiqte dhe veprimtarinë letrare në Rumani. Mësonte përmendësh vargje të Emineskut, apo të poetëve të tjerë të njohur. Kthimi në Shqipëri pas studimeve do ta përballte atë sërish me realitetin që kishte lënë vite më parë. Ai nuk duhej kurrë të shkruante të kishte të njëjtin fat si daja i tij, dhe e ëma ia përsëriste gjithnjë këtë gjë. Teksa nisi punën si mjek në qytetin e Korçës, ai do të përfshihej në jetën letrare të qytetit, duke shkruar edhe në një gazetë lokale. E njëjta gjë ndodhi edhe kur u transferua pa gjashtë muajsh në qytetin e Pogradecit, vetëm jo me emrin e tij, por me pseudonimin Mirosh Markaj. "Nëse do ta merrnin vesh se isha unë mund të kisha probleme, apo njerëzit në qytet do të thoshin se edhe mjeku bën nga këto". Por edhe pse me përparësen e bardhë të mjekut, Misto Marko ishte njeriu që ndiqte me aq vëmendje gjithçka që ndodhte në jetën letrare në vend. Lexonte dorëshkrimet e dajës së tij dhe nuk humbte asnjë intimitet nga takimet me të. "Kur botova variantin e parë të dramës për Gjergj Kastriotin, Mitrushi më tha se duhet ta bëja trilogji", thotë ai. Kështu iu fut punës për të realizuar një nga dramat më interesante për Heroin tonë Kombëtar. Gjithnjë vetëm në fushën e historisë, pasi nuk mund të prekte tema për të cilat daja i tij e kishte pësuar keq. Nuk mund të shihte sytë e trishtuar të së ëmës, e cila mund të jetonte një dhembje të dytë.
Kur shkruante historitë e Kutelit
Kuteli ishte si totem për të. Këshillat për dramat gjithçka që kishte lidhje me letërsinë ai do ta diskutonte me dajën e tij. I kujtohen kohët kur ai vinte në Pogradec, por edhe takimet me të në Tiranë. "Unë vija shpesh te daja, pasi ai ishte i sëmurë. Unë nuk mund të shkruaja prozën e tij, megjithëse kam bërë edhe disa novela ku kam marrë spunton nga jeta e tij", tregon Marko. Për burrin që vazhdon të ndiejë deri në gjak gjithë historinë e letërsisë, është e dhimbshme se si Kuteli, një njeriu me aq shumë histori të bukura edhe të jetuara, nuk mundi t\i shkruante të gjitha për shkak të sistemit. Por Misto ka provuar të hedhë vetë në letër diçka nga rrëfimet e dajës. Një histori dashurie që ai ka pasur me një aristokrate në Beograd, ai e ka hedhur në një novelë të quajtur "Idil i këputur". "Kam bërë disa novela dhe tregime ku kam marrë nga jeta e tij si "Idil i këputur". Fati im ishte se edhe unë kisha qenë në Beograd dhe e njihja pak jetën atje. Daja më tregoi për një idil që kishte pasur në Beograd me një aristokrate atje. Unë i mora rrëfimet e tij, të cilat ai nuk i ka shkruar dhe bëra një novelë. Sigurisht që Kuteli nuk mund të qëndronte atje", thotë ai. Por kjo është vetëm një histori që Misto ka mundur ta shndërrojë në letërsi nga jeta e Kutelit. Ndërsa dhjetëra të tjera të jetës së kolosit të letrave shqipe vazhdojnë të flenë në mendjen e këtij burri që respekton intimitetet që i takojnë vetëm Kutelit.
Dorëshkrimet e humbura
Misto ende nuk i ka fshirë nga mendja vuajtjet e gjata të Kutelit. Kohët në burg apo dorëshkrimet që shpesh ia besonte atij. I kujtohet se një kopje të dorëshkrimit "E madhe është gjëma e mëkatit" e ka ruajtur prej vitesh. Kur erdhën për vizitë në Shqipëri disa shkrimtarë nga Kosova dhe ai ua dha për ta lexuar, ata u shprehën se "ky dorëshkrim duhet të botohet patjetër". Por do të duhej ndërhyrja e Ibrahim Rugovës që ata të hiqnin dorë nga kërkesa për ta botuar. "E lexuat u pëlqeu, mjaft tani", se ne nuk i dimë rregullat këtu", thotë Misto, duke shtuar se "nëse do ishte botuar do kishte bërë skandal". Por jo të gjitha dorëshkrimet e Kutelit patën fatin e "E madhe është gjëma e mëkatit", e cila u botua pas viteve \90-të. Një pjesë e mirë e dorëshkrimeve të tij do të humbnin. "Shumë dorëshkrime të tijat kanë humbur si romani "Për kampin e Prishtinës", apo disa tregime nga lashtësia ilire si "Dashuria e barbarit Artan për të bukurën galate". Shumë vepra i humbën, mbeti vetëm "E madhe është gjëma e mëkatit", thotë Misto.
Me Lasgushin dhe Kutelin
Askush më shumë se ai nuk e njeh më mirë Lasgush Poradecin. Misto thotë se gjithë ata që ngrihen e shkruajnë libra e kujtime për të nuk kanë qenë miqtë e tij. Pikërisht në rrugën që shtrihet poshtë kafes ku qëndrojmë me dramaturgun dhe mjekun, poshtë turizmit të ri të qytetit, ai dilte çdo mbrëmje shëtitje me Lasgushin. Ishte miku i tij i mirë, me të cilin mund të bisedonte për pikturën, poezinë. "Lasgushi vinte më shumë se daja në Pogradec, pothuajse rrinte gjithë verës. Shëtisnim gjer në mes të natës. Kam qëndruar pranë tij gjatë kohës kur ishte i sëmurë, askush nuk e njeh më mirë se unë, të gjithë ata që shkruante nuk e kanë njohur aq mirë, pasi unë e njihja që nga koha e miqësisë me Kutelin", thotë Misto. "Sa herë që Kuteli vinte nga Rumania kur ishte student, më merrte në biçikletë përpara dhe shkonte te shtëpia e vjetër e Lasgushit. Rrinin gjatë atje dhe bisedonin. Unë nuk mund t\i kuptoja të gjitha, pasi shpesh bisedonin edhe në rumanisht, pasi ishin të dy të kulturës rumune", thotë ai. Ky burrë që vazhdon të shkruajë drama, duke besuar se ky ishte dhe fati i tij letrar është një thesar i madh kujtimesh për dy kolosët e letrave shqipe. Edhe pse rrëfen aq pak ai nuk mund të fshehë se jeta e tyre ishte po aq interesante sa dhe letërsia e tyre. Kur e pyet se përse nuk shkruan kujtimet për Kutelin, ai shprehet se i takon familjes të shkruajë për të, ndërsa ai nuk mund të bëjë asgjë tjetër veçse të ndihet mirë që pati fatin të ishte aq pranë tij.
Box
Sot, Kuteli 99 vjeç
Mjeshtri i madh i letërsisë shqipe, Mitrush Kuteli, nëse do të ishte gjallë, sot do të festonte 99-vjetorin e lindjes. Në qytetin e Pogradecit, sot do të organizohet një ceremoni për nder të tij. Emrin Kuteli ai e kishte pseudonim letrar, ndërsa emri i tij ishte Dhimitër Pasko. Ai mbahet sot si një prej prozatorëve më të mirë të letërsisë shqipe. Mësimet e mesme i kreu në Selanik, kurse të lartat në Bukuresht, ku më 1934-ën mori titullin "Doktor i Shkencave Ekonomike". Më 1942-in u kthye në atdhe, ku punoi në fillim si ekonomist dhe më vonë e derisa vdiq, më 4 maj 1967, si përkthyes. Mitrush Kuteli, si një personalitet demokrat që i shpalli hapur e me guxim pikëpamjet e tij, u keqtrajtua nga shteti monist deri sa u dënua edhe me burgim. Keqtrajtimi i tij vazhdoi edhe pas daljes nga burgu, kur ai u detyrua ta vazhdojë punën e tij krijuese në kushte të vështira ekonomike dhe i lënë në harresë nga shtypi zyrtar. Veprimtarinë letrare e nisi me botimin e vjershave e tregimeve, po edhe me artikuj që kishin një frymë antizogiste në gazetën "Shqipëria e re", në Kostancë (Rumani). Vepra letrare të tij janë vëllimet: "Net shqiptare", "Ago Jakupi", "Kapllan aga i Shaban Shpatës", "Dashuria e berberit Artan", "Shënimet letrare", "Sulm e lot", "Këngë e britma nga qyteti i djegur", "Mall e brengë", "Havadan më havadan", "Tregime të moçme shqiptare" etj. Si përkthyes ai pasuroi kulturën shqiptare me kryevepra të letërsisë botërore si "Kujtimet e një gjahtari" të Turgenjevit, "Tregimet e Petërburgut" dhe "Shpirtra të vdekur" të Gogolit, "Zotërinj Gollovlinovë" të Sllatikov Shçedrinit, vepra të Gorkit, të A.Tolstoit, të Paustovskit, poezi të Pablo Nerudës etj. Mitrush Kuteli zë një vend të veçantë në kulturën shqiptare edhe si studiues kritik. Ai shkroi mjaft artikuj, por studimi, vlerësimi i drejtë e botimi që u bëri ai veprës së dy poetëve të shquar të viteve \20-\30 Fan Nolit dhe Lasgush Poradecit, e renditi atë në radhën e kritikëve të talentuar shqiptarë, me shije të përparuar, me intuitë artistike, gjykim të thellë e kulturë të gjerë. Ai gjithashtu, mbetet një folklorist i pasionuar. Materialet që ai mblodhi me durim e kujdes, i përmblodhi në vëllimin "Këngë e britma nga qyteti i djegur", fryt i përpunimit me mjeshtëri i materialeve folklorike ishte edhe vëllimi "Tregime të moçme shqiptare" etj.
Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)
Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës. Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...
-
Genci Gora NË SHKOLLË TEK SHTRIGA Shkarko falas Begzat Rrahmani VALËT E GURRËS Shkarko falas Mehmet Bislim...
-
Akademik Prof. Kujtim Mateli Pak histori derisa nisa t ë shkruaj librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” (Pjesa e parë e para...
-
"Zëra nga burime të nxehta" mbetet një libër i veçantë i shkrimtarit Sabri Godo . Ai vjen për të dëshmuar se ka autorë dhe vepr...