2013-03-04

Eno Koço: Leksionet që kam mësuar nga nëna ime Tefta Tashko


Bisedoi: Raimonda Moisiu
eno-koco-dirigjentDuke pasur një detyrim moral, intelektual e qytetar për të intervistuar dhe sjellë portrete me prirja të forta qytetarie e inteligjence, vlera të vërteta kombëtare e historike, sikundër është Dr/Prof.i Asoc.Eno Koco, në evokim të së bukurës, me maksimumin e talentit e profesionalizmit, i dashuruar me botën e artit, me muzikën, që e vendos atë në elitën e shquar intelektuale e të nderit të artit e kulturës kombëtare shqiptare e botërore, aty ku artistët çmohen e vlerësohen. Javën që kaloi në postën time mbërritën dy libra nga Eno Koçco; “Familja dhe Jeta” –EVOKIM- i Dr. Eno Kocos dhe ‘Tefta Tashko Koço” -Miti i Sopranos-nga kompozitori i shquar korçar Prof. Pandi Bello. Të kesh në bibliotekë ato libra që janë një kontribut i rëndësishëm, interesant, udhërrëfyes e historik për kulturën dhe artin kombëtar, është përkujdesja, vëmendja intelektuale e qytetare në dobi të vlerave tona kombëtare e identitetit kulturor, të artit kombëtar që është “pasaporta” e një kombi. Me emrin e mitit të sopranos dhe këngëtares lirike të shquar Tefta Tashko Koço do të njihesha që në adoleshencën time, kur qëndroja pranë radios dhe dëgjoja ato interpretime aq të bukura mbresëlënëse dhe të pavdekshme. Teksa shfletoj librin “Familja e Jeta”, të Eno Koço që në hyrje lexoj: ”Evokimi” im, në një kuptim më të gjerë të këtij nocioni letrar, i titulluar “Familja dhe Jeta”, përpiqet të zgjojë kujtime e episode jetike që kishin rënë në gjumë të thellë dhe që thirrja e tyre në jetë mund të sillej në kohë vetëm nëpërmjet një tërësie evokimesh të shkëputura ku çuditërisht ato më të hershmet vijnë sot më të kthjelltë e më të figurshme në mendje.” Në këtë intervistë Dr.Eno Koco rrëfen EVOKIMIN e jetës së tij në të kaluarën, të tashmen e të ardhmen, për veten e prindërit, veçmas për mëmën e tij, Mitin e Sopranos –Tefta Tashko Koçon, …dhe fëmijët e tij….
Bisedoi: Raimonda MOISIU
Përshëndetje Dr. Eno Koço, më pëlqen të jem e drejtpërdrejtë me ju. Jeni një nga artistët muzikantët më të shquar shqiptarë brenda dhe jashtë Shqipërisë. Çfarë iu shtyhu të studionit në këtë degë?
Ç’është e vërteta mua më vunë të studioja muzikë, nuk është se e zgjodha vetë këtë degë. Prindërit më kishin vdekur përpara moshës së shkollës dhe të afërmit e mi menduan se duke qenë se ata kishin qenë muzikantë, mirë do të ishte që edhe fëmija e tyre të bëhej muzikant. Liceu Artistik ku fillova të studioja violinë kishte dhe konvikt dhe kjo gjë ishte një rrethanë lehtësuese për të afërmit e mi.
Keni lindur në Tiranë, jetoni në Londër. Çfarë ju lidh me Korçën? Cilat janë kujtimet tuaja të hershme muzikore në familjen tuaj? Po në vendlindje apo lagjen ku ju u lindët e rritët?
Prindërit edhe pse ishin me origjinë nga Korça, u martuan dhe punuan në Tiranë dhe unë u linda po në Tiranë. Sidoqoftë Korça mbeti gjithë jetën origjina apo busulla e orientimit jo vetëm e prindërve por dhe e imja, edhe pse u linda e jetova në Tiranë. Është disi i pashpjegueshëm ky fakt, por asnjëherë nuk e kam ndjerë veten tiranas, ndërsa korçar, më shumë. Në kohët e sotme kjo gjë tingëllon disi e pakuptimtë, por ja që kjo ka qenë ndjesia dhe nuk e ç’bëj dot.
Keni studiuar në Tiranë e Leningrad dhe keni vijuar më tej punën në Leeds (Angli). Si do t’i krahasonit këto tre eksperienca?
Leningradi ka qenë një periudhë e shkurtër, dy vjeçare, por gjurmët që ka lënë tek unë kanë qenë tepër të mëdha. Atje mësova bazat e muzikës, mësova mbi mendësinë e të qenit muzikant dhe përkushtimin që duhet të ketë muzikanti. Tirana ka qenë e gjithë jeta ime, me të mirat dhe vështirësitë e saj. Në Tiranë mësova, punova, u martova, u bëra me fëmijë, pra gjithçka. Edhe sot Tirana vazhdon të jetë gjithçka për mua. Anglia më bëri të besoj në vetvete, të verifikoj arritjet dhe mos-arritjet, më zgjeroi horizontin jo vetëm të diturive por edhe të lirive, më bëri të ndjehem dikush për aq sa isha, as më pak e as më shumë. Në Angli u mata me nocionin e vlerës dhe më dhanë atë vlerë që kisha, aq sa meritoja, kudo që punova. Në Angli mësova të rri në rresht pa pretendimin për të qenë në krye, apo për të qenë i pari, dhe ky qëndrim sa i natyrshëm aq edhe filozofik më jep shumë kënaqësi.
Cilat janë përshtypjet tuaja të para në violinë me Orkestrën e Operës në Tiranë?
Periudha e Operës, 1966-1972, ka qenë periudhë jo nga më të pëlqyerat e jetës sime. Kjo për dy arsye; e para se isha fort nën ndikimin e biografisë sime nga që një daja im qe i dënuar nga Partia, së dyti, të qenit violinist në Orkestrën e Operës në kushtet e atëhershme të ‘revolucionarizimit’ të artit, nuk ishte ajo që aspiroja si muzikant. Megjithatë, kjo ishte periudhë e një refleksioni të madh vetjak. E vrisja kohën duke mësuar gjuhë të huaja.
Po si dirigjent me Orkestrën Simfonike të RTSH, kur e si ndodhi kjo?
Ndërkohë që punoja në Lice, ishte periudha që bashkëpunoja me Gjon Simonin për botimin e një libri mbi ‘Orkestracionin’. Gjoni punonte atëherë në Radio si përgjegjës i redaksisë së muzikës. Më kishte ftuar të bashkëpunoja me Orkestrën e Radios më1976, pastaj edhe më shumë më 1977, kështu që kur kalova në Radio pas Liceut më 1978, ky vazhdim erdhi i natyrshëm. Më duhet të them se distanca lineare nga Liceu në Radio ishte vetëm 100 metra, ndërsa ndryshimi në marrëdhënien e punës me orkestrën ishte kolosal. Nuk ishte vetëm çështje niveli, nga orkestër fëmijësh në orkestër profesioniste, por ajo e realizimit të njohurive që kishe e për t’i venë ato në jetë sipas konceptit dhe dëshirës sate. Vetëm një vit më vonë do të nisja ciklin e regjistrimeve me Gaqo Çakon të cilat kanë vlerë të madhe për Gaqon dhe mua, por edhe për historikun e muzikës vokalo-simfonike shqiptare të kryera me Orkestrën e Radios. Me këtë orkestër bëra koncerte pa fund dhe po kaq regjistrova muzikë shqiptare. Fryt i kësaj periudhe afro 15-vjeçare me Radion janë edhe pesë CD që kam emetuar në Angli dhe Rusi, të cilat përmbledhin repertorin simfonik shqiptar, me instrumentistë dhe këngëtarë, e mbi të gjitha, me veprat simfonike shqiptare që nga klasikët muzikorë shqiptarë të gjysmës së parë të shekullit XX (M. Shehu, F. Noli, Th. Nasi, M. Gjoka) dhe deri tek kolegët e mi, kompozitorët bashkëkohorë.
Ju gjithashtu keni dirigjuar koncerte në Europë (Angli, Poloni, Rumani, Belgjikë, Turqi, Maqedoni, Kosovë), por edhe më tej në kontinentin afrikan, pikërisht Egjipt, që do të thotë se keni bashkëpunuar me një sërë orkestrash e operash të huaja. A ishte e vështirë të bashkëpunoje me to? Cilat kanë qenë çastet më kulminante të kësaj karriere?
Kësaj pyetje nuk i përgjigjesh dot shkurt, pasi kjo përmbledh të gjithë jetën time artistike. Megjithatë, disa momente mund t’i përmbledh. Në Angli kam dirigjuar mbi 20 vjet. Kuptohet kam shumë mbresa të gjithfarë llojesh. Kam bashkëpunuar me disa orkestra dhe kore të Anglisë së Veriut (Leeds, York, Harrogate, Ëakefield, Ilkley e vende të tjera), por eksperienca më e pasur dhe më mbresëlënëse ka qenë padyshim puna që kam zhvilluar me Orkestrën Filarmonike të Universitetit të Leeds-it, institucion në të cilin kam qenë i punësuar si Senior Teaching Felloë i këtij Universiteti por dhe si krye-dirigjent i Orkestrës. Regjistrimet e çdo koncerti të orkestrës dhe solistëve të saj si dhe shkrimet (revieë critics) në gazeta janë treguesi më i mirë se sa çdo fjalë e dalë nga goja e ime, prandaj po e lë me kaq këtë pikë. Ndër koncertet e dhëna jashtë Anglisë dhe Shqipërisë do të veçoja dy momente, ndoshta kulmore: Bukureshtin dhe Kajron. Bukureshtin sepse jo vetëm se orkestra që dirigjova është më e mira e Rumanisë (Filarmonica ‘George Enescu’) dhe niveli i saj njihet si për nga më të lartët e Europës Lindore, por edhe pse Rumania për mua është vendi i babait tim, Kristo Koços, i cili u rrit atje, u edukua atje, për t’u ç’vendosur më vonë përfundimisht në Tiranë. Gjithsesi, në Bukuresht jetoi e motra e tij, Vangjelia, me të cilën u bëra tërë jetën deri sa vdiq. Rumania është dhe vendi i shumë mirësive dhe lidhjeve të tjera, por këtu nuk është vendi. Egjipti është vendi tjetër që ka lenë gjurmë të pashlyera në qenien time. Vetëm 100 km në jug-perëndim të Kajros ndodhet një qytet i vogël i quajtur Fajum. Më në veri-perëndim të këtij qyteti, pranë liqenit Karun, ndodhej hoteli i gjyshit tim nga nëna, Thanas Tashkos, dhe e gjithë familja e tij u shumua me gjashtë fëmijë pikërisht në Fajum. Më e vogla e fëmijëve ishte nëna ime, Tefta. Kur dirigjova Orkestrën Simfonike të Kajros më 1986 dhe kur morën vesh origjinën e nënës sime filluan të më quajnë ‘gjysmë-Fajum-ija’. Madje edhe në gazeta lajmërohesha si i tillë. Vajta dhe në shtëpinë ku kish lindur nëna si dhe në hotelin, që kish qenë dikur pronë e gjyshit. Pronari i ri mbeti i mahnitur nga fotografitë që i tregova të hotelit të dikurshëm më 1906.
Një nga aspektet më interesante të punës tuaj duhet të jetë me siguri sfida e koordinuar me instrumentistët. Cili është sekreti i komunikimit të ideve tuaja me ta në një vepër muzikore?
Shumë pyetje nxitëse. Dikur në botë, flas para 50 vjetëve a më shumë, komunikimi midis dirigjentit dhe muzikantëve të orkestrës ka qenë deri dhe autokratik, dirigjenti imponohej edhe me të bërtitura dhe muzikanti ishte i detyruar të rrinte urtë e t’i binte instrumentit. Me kalimin e viteve, në Europën Perëndimore dhe në ShBA kjo lloj sjellje konsiderohej e pa lejueshme dhe ishte dirigjenti ai që duhej të ndryshonte e jo instrumentisti. Kërkesat e dirigjentit për të arritur një nivel sa më profesional e të bërit muzikë, por edhe sa më etik komunikimi, kanë bërë që sot më shumë se sa kurrë dora e dirigjentit të mirë ndihet ndjeshëm nga ajo e atij më pak të mirë, për të mos thënë të dobët. Në se shpjegimet e dirigjentit janë bindëse, të qarta, koncize, efikase, me lëvizje manuale (të duarve) po aq të qarta që zëvendësojnë fjalët e tepërta, atëherë misioni i tij ja ka arritur qëllimit. Nuk ka dyshim që kultura muzikore ndihmon së tepërmi në procesin e shpejtë të punës, jo thjesht për t’u treguar muzikantëve dijet e tua, por për t’u zbërthyer atyre më mirë idetë e tua apo qëndrimin tënd ndaj një pjese të caktuar. Njohja e mirë e formës muzikore, e stilit të epokës që mbart vepra, e konotacioneve historike të subjektit të veprës e shumë të tjera, të gjitha këto jo vetëm i shërbejnë punës, por diferencojnë qartë dirigjentët. E fundit, jo më pak e rëndësishme, është që dirigjenti duhet të jetë edhe muzikant i talentuar! Simfonitë e Beethoven-it, fjala vjen, në këto dyqind vjet janë luajtur me mijëra e mijëra herë, pra është e njëjta muzikë, të njëjtat nota të partiturës, por dirigjenti i zoti, i talentuar e vizionar, di të nxjerrë nga ato partitura të veçantën, di të zbulojë shtresa (linja instrumentesh) të pa dëgjuara në interpretime të tjera, di t’i japë atë pulsin ritmik e dinamik që matet me atë të rrahjes së zemrës së tij.
Do doja t’iu pyesja se në ç’raport është lidershipi i dirigjentit në muzikën simfonike kundrejt asaj operistike? A ka më shumë liri në dirigjimin e një simfonie?
Për të dy gjinitë, simfoniken dhe operistiken, roli i dirigjentit është absolutisht i njëjtë; atij i duhet të udhëheqë masën e muzikantëve për të nxjerrë në pah vlerat individuale të kompozitorit që ka shkruar simfoninë apo operën. Kësisoj, dirigjenti nuk duhet të jetë thjesht një transmetues mekanik i muzikës që ka shkruar kompozitori; ai duhet të jetë modeluesi dhe interpretuesi i veprës për t’i dhënë jetë e dritë të re ideve të kompozitorit. Në një simfoni të Çaikovskit apo opera të Puçini-t, fjala vjen, muzika nuk është thjesht ajo që është e shkruar me nota në partiturë, por ajo që lexohet midis rreshtash, pra ajo e pa shkruara e bazuar mbi traditën e dëgjimit, agogjikës muzikore e cila është arti i rregullimit të tingujve në kohë për të prodhuar një melodi, harmoni, ritëm a timbër të unifikuar brenda stilit të kompozitorit. Ndërsa tek veprat e Beethoven-it apo operat e Mozart-it kjo liri e ‘rregullimit të tingujve’ nuk ekziston, përkundrazi, leximi me korrektesë deri në detajet më të imta të partiturës dhe respektimi i stilit, janë pikërisht ato që marrin përparësi. Pra dirigjenti duhet t’i njohë mirë ‘të drejtat’ dhe ‘liritë’ e tij prej lidershipi. Ana tjetër e lidershipit të tij është pastaj mbajtja e timonit në dorë të të gjithë asaj anije të stërmadhe që quhet opera apo qoftë dhe simfoni, ku disiplina e hekurt e muzikës e gërshetuar me fantazinë, novatorizmin dhe të veçantën në interpretim, janë ato që çmohen më shumë.
Cila është gjëja më e papritur që ju ka ndodhur në prag të koncertit apo gjatë tij? Po më e këndshmja dhe interesantja?
Të papritura kam pasur mjaft, madje më duket sikur ato më kanë ndjekur vazhdimisht. Midis ngjarjeve të tilla do kujtoj nja dy prej tyre. Më ka ndodhur jo një herë që të kem harruar baketën (shkopin e dirigjimit) në dhomën e zhveshjes dhe kam dalë në skenë pa të. Më është dashur të largohem nga skena ‘si pa u ndjerë’ dhe të kthehem pas dy minutash ‘triumfator’. Në një rast tjetër më është dashur përsëri të dal nga skena pasi kisha përshëndetur për të filluar koncertin dhe dallova që këtë radhë kisha harruar syzet. Dola po me aq delikatesë dhe u ktheva me to në xhep (sikur nuk kisha dalë për to). Një herë kisha harruar këmishën e bardhë dhe një mikja ime u sul në shtëpi, hapi dollapin ku e kisha instruktuar dhe e solli këmishën në kohë. Më lejo të shtoj që këto ngjarje kanë ndodhur në largësinë e viteve, që të mos krijohet përshtypja sikur të kenë ndodhur vetëm tani vonë, gjë që është shumë më e mundshme! Më e këndshmja dhe interesantja? Padyshim që momente të këndshme kam pasur shumë më shumë, veçanërisht kur shoqëroj me orkestër një këngëtar apo instrumentist të mirë. Më kanë pëlqyer gjithmonë dirigjimet e shoqërimeve se sa vetë veprat pa solistë. Prandaj dhe opera më pëlqen së tepërmi sepse duhet të jesh gjithmonë shumë i gatshëm dhe i ndjeshëm për t’iu përshtatur këngëtarit me tempot e tij, me kohëzgjatjen e akutave të tij, me rubatot e tij, në mënyrë që ai të ndjehet sa më i qetë në interpretim. Por a ka të papritura në shoqërimin e këngëtarëve? Pa fund, por këtu është dhe bukuria.
Dr. Eno, ju jeni biri i këngëtares të shquar lirike Tefta Tashko Koço dhe i baritonit Kristo Koço. Tefta, veçanërisht, është e njohur kombëtarisht dhe ndërkombëtarisht për vlerat dhe kontributin e saj të shquar në artin e kulturën shqiptare e më gjerë. Cili është roli hulumtues tuaj për portretin e staturës artistike kulturore, qytetare e intelektuale të veprës e dorëshkrimeve të tyre?
Tefta është nëna ime dhe unë kam bërë vetëm detyrën për të nxjerrë në pah ato që ajo ka bërë. Ajo nuk kishte kohë t’i rrëfente vetë për ato që kish kënduar apo ngjarjet që kish jetuar. Jeta e saj ishte relativisht e shkurtër, vdiq 37 vjeç, por jetë jashtëzakonisht intensive. Nuk donte t’i kalonte as një ditë e asnjë orë pa plotësuar ato që donte të arrinte. Mendoj që arriti mjaft në një kohë të shkurtër. Janë shkrimet e kohës që kanë folur për të, janë regjistrimet në disqe që tani janë edhe në CD. Para dy vjetësh e pak nëna kishte 100-vjetorin e lindjes dhe bëmë një mbrëmje të bukur jubilare në Tiranë bashkë me fëmijët e mi muzikantë, Teutën dhe Gentin (violinist), mbrëmje në të cilën kisha ftuar edhe mikun tim, tenorin e shquar shqiptar, Gaqo Çakon. Tani së fundi Pandi Bello ka shkruar një libër të ri për Teftën të cilin ai e promovoi më 2 nëntor 2012, ditën e lindjes së saj. Ishte një ngjarje mbresëlënëse. Në fakt unë jam marrë gjithë jetën me Teftën, jo vetëm se më ka munguar, por dhe se më ka drejtuar në shumë aspekte duke qenë gjithmonë referencë për mua. Ajo i pëlqente regjistrimet në disqe dhe bëri tri herë regjistrime të tilla; në Paris më 1930, në Milano më 1937 dhe përsëri në Milano më 1942. Ashtu bëra dhe unë. Ajo këndoi nëpër koncerte këngë të ndryshme qytetare shqiptare, i këndoi me pasion të madh. Ashtu bëra dhe unë. Më mësoi t’i dua këto këngë dhe me to u mora gjatë qoftë duke i dirigjuar apo duke shkruar doktoratën me titull ‘Kënga lirike shqiptare në vitet 1930’. Më vonë këtë punim e botova si libër në anglisht (Chicago) dhe në shqip (Tiranë). Por, për ngjarjet mbi jetën e Teftës dhe karrierën e saj, më mirë se sa libri i Pandit nuk gjen aq bukur shkruar e ndjerë. Është një libër që atij i lindi vetë dëshira për ta shkruar, e shkroi me integritet të plotë pa u konsultuar fare me mua. E vetmja ndihmë që i dhashë ishin fotografitë e familjes sime. Në atë libër Pandi shkruan edhe për babanë tim, Kriston, i cili ishte gjithashtu këngëtar lirik, bariton, dhe kishte zë të fuqishëm e të ngrohtë. Ai nuk pati atë njohjen e të shoqes, po e tillë është jeta, e megjithatë kur u dëgjua zëri i tij nga publiku që kishte mbushur sallën për jubileun e 100 të Teftës, u befasua me ato dy fragmentet e regjistrimeve të tij të dy këngëve popullore korçare.
Çfarë mendoni se janë elementët thelbësorë që e bëjnë nënën tuaj Tefta Tashko Koçon, artiste e të shquar? Si do ta përshkruani nivelin e ndjeshmërisë e pasionit të saj?
Për jetën e një artisti dhe vlerësimin e tij, në rastin konkret të Teftës, tri do të ishin, sipas meje, burimet e referencës: si ka kënduar, ç’është shkruar për të, dhe ç’është thënë për të. Burimi i parë, më i rëndësishmi, i referohet zërit të këngëtares dhe trajtimit që ajo i ka bërë muzikës, në rastin konkret interpretimit që ajo i bëri këngëve popullore dhe arieve klasike të cilat janë të fiksuara në disqe. Pra ke një referencë përpara e jo t’i marrësh faktet me mend. Dëgjoje dhe vlerësoje sipas dëshirës tënde. Puna është të mos ngresh kulte pa dëgjuar zërin, gjë që ndodh në Shqipërinë e sotme. Burimi i dytë i referencës do të ishin shkrimet në gazeta, jo në këto që botohen sot, d.m.th. pas 80 vjetëve, por në ato të së nesërmes së koncertit që bënte Tefta. U shkrua për të kur ajo këndoi në Paris, u shkrua në vitet 1930 në të katër anët e Shqipërisë, u shkrua në Milano, Beograd e Bukuresht. Shkrime të tilla janë të shumta dhe unë i kam botuar në vitin 2000 në një libër që flet vetëm për fakte dhe jo interpretime të mijat. Burimi i tretë i referencës për të vlerësuar një artist janë dëshmitarët e gjallë, që tani kanë vdekur, por që në kohën e koncerteve të Teftës kanë qenë në sallë dhe i kanë përcjellë mendimet e tyre qoftë me shkrim qoftë duke më rrëfyer mua ngjarje të shumta nga jeta e saj.
Dr. Eno, geni tuaj muzikor duket se pati një ndikim të madh te vajza tuaj Teuta. Vë bast se ajo është krenare për gjyshen, gjyshin dhe atin e saj të shtrenjtë. Më tregoni jeni të njëjtë në talent, arritjet dhe sukseset e saj? Po djali me se merret?
Është vështirë të flasësh për fëmijët e tu, është më lehtë të flasësh për prindërit pasi ata ke të drejtën t’i adhurosh. Fëmijët nga ana tjetër i sheh me sy kritik. Dua të shpreh atë që ndjej, dhe kjo është se jam i kënaqur me sukseset e Teutës si soprano lirike. Vërtet që ka ngjashmërinë e timbrit të gjyshes, por ka natyrë e karakter tjetër të kënduari, ku spikat muzikaliteti dhe stili i frazimit. Kam qenë në shumë shfaqje të saj nëpër Angli apo dhe Itali, ku personazhin e Despinës që ajo krijoi ishte me të vërtetë shumë i goditur. Bukur ka kënduar ajo edhe Mozart-in e Puçini-n. Kam edhe djalin, Gentin, që është violinist dhe punon me Orkestrën e BBC të Skocisë. Është në violinat e para të asaj orkestre. Luan edhe solo, së fundi kemi luajtur bashkë ‘Meditation’ nga Massenet. Violinën e ka nga e ëma pasi edhe Raimonda, ime shoqe, edhe ajo është violiniste me Orkestrën e Baletit të Anglisë së Veriut. Jam i rrethuar nga tinguj; tingujt e prindërve të mi dhe tingujt e familjes sime të sotme. E megjithatë, ndjej që dua më shumë qetësi.
Vërejmë fenomene të shëmtuara sot në muzikën shqiptare si plagjiatura, deformimi muzikor dhe komercializmi që po zvetënojnë muzikën e mirëfilltë shqiptare dhe muzikën popullore njëkohësisht. Liria që synojmë shpesh duket si e çoroditur. Si mund të ndihmojë shoqëria shqiptare për reduktimin e këtyre fenomeneve të shëmtuara?
Unë do ta shihja pak më ndryshe këtë që po ndodh. Është periudha e ndryshimit të madh të sistemit shoqëror e politik, të një ekonomie të re, asaj private, të iniciativave personale, kështu edhe muzika nuk ka si të mos bëhet pjesë e kësaj ‘lirie’ apo ‘çoroditje’ individuale e institucionale. Nuk kishte se si të mos kapërcehej nga ajo këngë statike e festivaleve, edhe pse melodioze, në një këngë më të lirë, në kuptimin e mirë të fjalës, edhe pse më me pak melodi. Janë faza që duhen kaluar edhe pse me vonesë. Në fund të fundit, ne jemi mësuar të jemi të vonuar. Me përjashtim të muzikës së lehtë që ka pasur ndryshime të dukshme, por edhe përparime të dukshme, fushat e tjera të muzikës, ajo e muzikës folklorike, ajo e muzikës tradicionale qytetare, por edhe e muzikës akademike apo savante, këto kanë mbetur në traditën e tyre të mëparshme, pavarësisht se përparimi diku mund të jetë më i madh e diku më i vogël. Këto fusha do të mbeten, në fund të fundit, pasaporta e identifikimit tonë kombëtar. Për sa i përket ‘lirisë’ së mendimit në këtë proces tranzicioni, kjo liri, sipas meje, jo rrallë ka qenë më pranë anarkisë së mendimit. Kjo vjen ndoshta nga komplekse të brendshme të individëve që lidhen me këndvështrime sa personale e pasionale, apo me ndjesi (ligësi) të fshehura por të shfaqura si mendime ‘të lira’.
Çfarë ju pëlqen dhe çfarë nuk ju pëlqen në punën tuaj? Në ditët e sotme tradita dhe realiteti “përzihen” me vlerat fetare. Në opinionin tuaj si muzikant, që i përkisni binomit Artist&Njeri, qytetar dhe intelektual a ka ndonjë konfuzion që ndikon në marrëdhëniet njerëzore dhe ato ndërkulturore? Cili është ndryshimi ndaj të cilit kemi nevojë qoftë si individë edhe si shoqëri njerëzore?
Sikur vetëm kësaj pyetje t’i përgjigjesha do të mjaftohej për intervistën tonë. Sidoqoftë, diçka do të them. Është thënë e vazhdon të thuhet se për gjendjen tonë të sotme fajet i kanë pasur të tjerët. Jam i mendimit që do mënjanuar ky koncept edhe sikur të ketë qenë kështu. Bota, Europa e Ballkani shkon drejt integrimit më tepër se sa drejt veçimit. Na duhet të respektojmë më shumë njeri tjetrin brenda në vend që të na respektojnë edhe të tjerët më shumë. Vë re që ekziston herë pas here një gjuhë mediatike sa jo-etike aq dhe fyese. Njerëzit mbase janë mësuar me një klimë të tillë në vend, njeriu mësohet më gjithçka, por ju them me bindje që ata që ndjekin TV nga jashtë vendit, kushdo, shqiptarë a të huaj, nuk e përtypin dot me lehtësi atë që dëgjojnë e shkruhet. Është një imazh që do ndryshuar.
Si e balanconi jetën midis karrierës profesionale dhe përgjegjësitë familjare?
Jetoj vetëm me gruan nga që fëmijët janë në punët e tyre në qytete larg nesh. Por dhe gruaja shkon vazhdimisht me turne, e tillë është natyra e punës së saj, kështu që pjesën më të madhe të kohës e kaloj i vetëm duke shkruar, apo mbrëmjeve duke dirigjuar diku. Duhej ta kisha përmendur që në fillim se kam dalë në pension dhe e shijoj së tepërmi këtë periudhë pasi zgjedh atë që dua të bëj.
Cila është këshilla tuaj për brezin e artistëve të rinj, veçmas atyre që dëshirojnë të bëjnë karrierë në muzikë?
Përpiquni që çdo gjë ta bëni prej vërteti dhe jo me gjoja.
Cilët është kompozitori më i famshëm që ju admironi?
Mozart.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...